Çmimi i biletës së autobusëve, Qeveria ua kalon bashkive
Kuvendi ka miratuar dje kalimin e kompetencës së përcaktimit të çmimit të biletave të transportit urban nga qeveria në varësi të këshillave bashkiakë. Nisma ligjore u miratua dje vetëm me votat e maxhorancës në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë nismë, duke votuar kundër. Përfaqësuesit e shoqatave të transportit urban nuk kanë bërë publike se sa ishte kërkesa e tyre për rritjen e çmimit të biletës, por theksuan se çmimi duhet të vendoset nga pushteti vendor në përputhje me nivelin e standardit të shërbimit të ofruar. Përfaqësuesi i shoqatës së Transportit, Llesh Delia, tha dje se qeveria subvencionimin e studentëve, veteranëve dhe invalidëve ta bëj direkt te këta konsumatorë dhe ata të përdorin shërbimin urban si qytetarët e tjerë. “Në pikën 3 është parashikuar që të gjitha kategoritë që përfitojnë shërbimin falas, të përballohen nga shteti. Këshilli bashkiak dhe bashkia nuk ka asnjë detyrim për kategoritë që përfitojnë udhëtim falas ose me çmim të reduktuar. Ne gjithmonë këmbëngulim që subvencioni t’u kalojë përfituesve, jo neve. Nuk duam para nga shteti, por kategoritë përkatëse ta përfitojnë këtë subvencion dhe të vijnë te ne si qytetarë normalë”, theksoi Dëllia. Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, e ka quajtur si kalim borxhi nga qeveria në bashkitë e vendit vendimin e maxhorancës. “Si ka mundësi që shoqata juaj mbështet transferimin e kompetencës në bashki? Që në fakt është transferim i borxhit dhe jo transferim kompetence, kur nuk ka shërbime të tjera alternative, se ju nuk pranoni që të hyjnë dhe furgona në linjat tuaja. Pra, kemi të bëjmë me një monopol dhe me mbrojtje të një shtesë dhe një grupi”, theksoi Shehu. Ndërkaq, deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi tha dje se, në rast se do të përmirësohet shërbimi i transportit publik, edhe çmimi do të justifikohej. “Të jeni të bindur se mua do më leverdiste shumë më mirë në kushtet e sotshme të lëvizja me autobus, në qoftë se do kisha oraret e caktuara dhe do kisha shpejtësinë nëse do të lëvizja me makinën time, sepse vetëm për çështjen e parkimit është problem shumë i madh. Ndoshta duhet të bëjmë dhe një studim të tregut apo të problemeve sociale që sjell rritja e çmimit të biletës, sepse mua më leverdis më mirë të paguaj 500 lekë biletën e autobusit sesa të hipi në një taksi me 5 mijë lekë. Jo vetëm mua, por çdo njeriu dhe kudo është kjo”, tha Kryemadhi.
Panorama
Krijoni Kontakt