Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Ekonomia në ngërç, Guvernatori i Bankës Kombëtare Fullani: Nuk ka konsum

    Ekonomia në ngërç, Fullani: Nuk ka konsum


    Ekonomia në dy muajt e parë të vitit ka vijuar të jetë në ngërç. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rritje të ulët të saj. Në daljen e tij pas takimit të Këshillit të Mbikëqyrjes, guvernatori Ardian Fullani u shpreh se inflacioni ka pësuar një rritje të lehtë, por kjo më tepër e stimuluar nga çmimet e rritura të sigurimeve dhe tarifat e ujit të ndryshuara në disa qytete. Gjatë muajit shkurt inflacioni ishte 1.9 për qind. Një inflacion i ulët është tregues i mungesës së dukshme të kërkesës në vend. Një situatë e tillë nuk është e re, pasi inflacioni, sipas treguesve të INSTAT, ka kohë që luhatet në vlera të ulëta, por gjithsesi brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Në fjalën e tij guvernatori i Bankës së Shqipërisë u ndal dje edhe te konsumi i ulët në vend. “Analiza makroekonomike e përditësuar me informacionin e ri për dy muajt e parë të vitit tregon për një rritje të ulët ekonomike në këtë periudhë. Konsumi dhe investimet private kanë mbetur të dobët si pasojë e besimit të ulët të agjentëve ekonomikë, e ngadalësimit të të ardhurave të disponuara, e kushteve të shtrënguara të financimit dhe e pranisë së kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit”, tha guvernatori Ardian Fullani. Ai shtoi se në vijim ekonomia pritet të vazhdojë të operojë nën kapacitet.

    Politika monetare
    Banka e Shqipërisë gjykon se ulja e normës së interesit të lekut në nivelin më të ulët historik 2.75 për qind është transmetuar në sektorin bankar. Dukshëm kjo është reflektuar në interesin e bonove dhe interesin e depozitave, ndërkohë që kreditë vazhdojnë të mos ndikohen nga kjo lëvizje e Bankës Qendrore. Gjithsesi, sipas kësaj të fundit, transmetimi te kreditë pritet në afatmesëm. “Interesi i kredisë në lekë vazhdon të lëvizë sipas një trendi rënës afatmesëm. Në tërësi, edhe pse në rënie, kostoja e kredisë faktorizon nivele të larta të rrezikut të moskthimit të kredisë”, tha Fullani. Në fakt, pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë në një hark kohor prej më shumë se një viti disa ulje të normës bazë të interesit të lekut, transmetimi ka qenë dukshëm më i ulët te kredia dhe shumë i shpejtë te depozitat.

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    FMN i kërkon Qeverisë së Rilindjes: Rrisni taksat për makinat dhe shtëpitë

    Raporti i FMN: Rritje e taksave për makinat dhe shtëpitë

    Shtëpitë, makinat e depozitat, FMN: 10 taksat që duhen rritur

    Të shtohet me 50% tatimi për automjetet e përdorura, taksë për ata që udhëtojnë jashtë.


    Ulja e deficitit fiskal mund të arrihet përmes një kontrolli të mirë të shpenzimeve, por mbi të gjitha reforma duhet të shtrihet te të ardhurat, dhe për këtë duhet të zgjerohet baza e taksimit. Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë, të cilit i bashkëngjitet edhe Memorandumi mes palëve, sugjeron disa ndërhyrje që mund t’i shërbejë përmirësimit. Një pjesë e mirë e këtyre masave u morën nga qeveria dhe u përfshinë në paketën fiskale të vitit 2014, ndërkohë që janë edhe 10 propozime të reja që duhet të ndërmerren në dy vitet e ardhshme. Ndërhyrja për zgjerimin e taksës përfshin sidomos TVSH-në, por edhe taksa të tjera, siç është ajo e pronës apo mallrat e luksit.

    TVSH-ja
    Fondi Monetar Ndërkombëtar propozon që ndërhyrja te tatimi mbi vlerën të jetë në kahun ulës për shërbimet që lidhen me arsimin apo importet që bëhen përmes anijeve. Ndërkaq, pjesa tjetër e propozimeve për këtë taksë është në kanun rritës. Propozohet që TVSH-ja të ndryshojë për shitjen e ndërtimeve të reja, duke përfshirë në të edhe vlerën e tokës. Nëse bëhet kjo lëvizje, sipas FMN-së, duhet që të bëhet ulje e TVSH-së për qiratë. Po kështu lidhur me telefoninë sugjerohet që të aplikohet TVSH për të gjitha telefonatat hyrëse që vijnë nga jashtë shtetit.

    AUTOSTRADAT
    Rruga e Kombit për FMNnë përbën një gropë të madhe në buxhetin e shtetit, nga ku vetëm merren me milionë euro për shërbimin e mirëmbajtjes. Në këto kushte, dhënia e koncesionit duket të jetë zgjidhja e duhur dhe për këtë qeveria duhet të kërkojë të arkëtojë 2 për qind të të ardhurave. Por Milot-Morinë nuk do të jetë rruga e vetme që do të jepet me koncesion. BERZH, e cila në një pjesë të mirë është financuese e projekteve të autostradave, ka kërkuar dhënien e plotë të tyre me koncesion në mënyrë që të përballohet operimi dhe mirëmbajtja dhe të pengohet shkatërrimi.

    MAKINAT
    Fondi Monetar Ndërkombëtar propozon rikthimin edhe një herë të tarifave të aplikuara dikur për makinat e përdorura. Ajo që quhet taksë qarkullimi pritet që të ndryshojë sërish, duke penalizuar kështu ata që kanë makina më të vjetra. Formula bazë që llogarit pagesën e kësaj takse përfshin cilindratën në cm3, shumëzim koeficientin fiks sipas vjetërsisë së mjetit, shumëzim taksën fikse sipas llojit të karburantit. Kjo taksë ndryshoi vitin e kaluar pak para zgjedhjeve. FMN propozon që kjo taksë të rritet me 50 për qind. Një tjetër taksë shtesë për makinat që sugjerohet nga FMN-ja lidhet me procesin e regjistrimit të mjetit. Pra regjistrimi që bën çdo vit një qytetar që ka një makinë në pronësi duhet të shoqërohet edhe me pagesën e një takse vjetore, e cila do të llogaritet në bazë të vlerës së blerjes ose vlerës që ka mjeti aktualisht sipas vlerësimeve. Kjo është një taksë shtesë që aktualisht nuk ekziston.

    UDHËTIMET JASHTË
    Vendosja e një takse fikse për të gjithë ata që udhëtojnë jashtë shtetit është një tjetër propozim i FMN-së. Sipas kësaj të fundit, këtë taksë fikse do të duhet të paguajë çdo individ që del jashtë kufijve të Shqipërisë për çdo lloj arsye. Në kohën e qeverisjes socialiste, sa herë që kaloje kufirin paguaje një mijë lekë si taksë solidariteti. FMN propozon rikthimin e një pagese të tillë, por pa përcaktuar shifrën.

    TAKSA E PRONËS
    Taksa e pronës sot paguhet në bazë të metrave katrorë që ka një banesë shumëzim tarifën fikse të përcaktuar me vendim të qeverisë për zona të ndryshme në vend. FMNja këshillon që të ndryshohet mënyra e përllogaritjes së taksë së pasurisë së paluajtshme, dhe kjo të ketë në bazë vlerën që ka prona. Pra, sipas FMNsë, një apartament 85 metra katrorë në Bllok në Tiranë dhe një apartament 85 metra në Sauk nuk mund të paguajnë njëlloj pasi vlera e tyre është e ndryshme. Vendosja e taksës së re të pronës do të llogaritet mbi vlerën e regjistrimit të shtëpisë në hipotekë.

    FITIMET
    Të gjithë ata që kanë fitime nga interesat e një depozite në bankë, nga dividenti apo nga ndarja e fitimit në një aktivitet duhet të kontribuojnë më shumë me të ardhura. Ky është një target që Fondi Monetar Ndërkombëtar e sheh si potencial për t’u taksuar më shumë nga shteti. Kështu, aktualisht taksa që aplikohet për të ardhurat nga qiratë, dividenti apo pronësia intelektuale, është 10 për qind, por që sipas FMN-së duhet të shkojë jo më pak se 12 për qind

    TAKSAT QË SUGJERON FMN
    1. Ulja e TVSH-së për shërbimet e lidhura me arsimin dhe për importet me anije.
    2. Vendosja e një takse 2 për qind nga të ardhurat e koncesioneve të autostradave.
    3. Një rritje e taksës vjetore për makinat e përdorura me 50 për qind.
    4. Ndryshimi i TVSH për shitjen e ndërtimeve të reja, duke përfshirë edhe vlerën e tokës, ndërkohë që duhet të ulet TVSH për qiratë.
    5. Të aplikohet TVSH për telefonatat hyrëse nga jashtë.
    6. Një taksë e sheshtë për të gjithë ata që udhëtojnë jashtë.
    7. Mbledhja e taksës së pronës në bazë të marrëveshjes së blerjes dhe jo titullit. 8. Vendosja e një takse për regjistrimin vjetor të mjeteve, e cila bazohet në vlerën e blerjes ose vlerën e makinës.
    9. Taksim për të mirat e luksit, siç janë bizhuteritë dhe makinat superluksoze. 10. Rritja e taksimit për të ardhurat nga interesat, ndarja e fitimit, qiratë, dividenti dhe pagesat për të drejtat e autorit nga 10 në 12 për qind.

    NERTILA MAHO

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: FMN i kërkon Qeverisë së Rilindjes: Rrisni taksat për makinat dhe shtëpitë

    Qeveria e mohon, FMN: Arsyet pse duhet të rriten taksat

    “Panorama” zbardh detaje nga raporti i FMN-se per pjesen e borxhit, skenaret qe rrezikojne financat dhe arsyet pse FMN parashikon rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve.

    Borxhi publik i vendit është edhe “Thembra e Akilit” dhe çdo balancë e prishur rrezikon shumë. Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësohen tre skenarë se si mund të ndryshojë borxhi nën efektin e faktorëve të ndryshëm, siç janë rritja ekonomike, profili i financimit, rritjes së interesave dhe goditjeve që mund të pësojë tregtia.

    Në kushte të tilla, ka nevojë për konsolidim fiskal dhe sigurisht edhe taksat e propozuara në rast se do të ketë një përkeqësim të treguesve, do të duhet që të zbatohen. FMN në dokumentin e saj sugjeron 10 taksa të reja që do t’i shërbejnë uljes së deficitit fiskal.

    SKENARI BAZË
    Në një skenar bazë, i cili ka edhe më shumë gjasa të ndodhë, Shqipëria pritet të ulë deri në vitin 2019 në 60 për qind nivelin e borxhit publik. “Borxhi i Shqipërisë pritet që të ulet gradualisht në terma afatmesëm, por sërish mbetet i lartë. Në skenarin bazë borxhi i Shqipërisë pritet të ulet nën 60 për qind të GDP-së, por vetëm në vitin 2019.

    Borxhe që janë rreth këtij niveli paraqesin risqe domethënëse sepse rritet nevoja për rinovim të tij, pra për kthim, rriten interesat që paguan, ka lidhje të ngushta me sektorin financiar dhe është më i ekspozuar nga goditet që vijnë nga tregtia”, thuhet në raportin e FMN-së..

    Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: FMN i kërkon Qeverisë së Rilindjes: Rrisni taksat për makinat dhe shtëpitë

    Blerja e bonove, FMN: Bankat, të rrezikuara nga borxhi i qeverisë

    “Në një skenar ekstra, 6 banka rrezikojnë kapitalizimin”

    “Edhe pse Shqipëria e kaloi relativisht mirë krizën globale në vitin 2008, ekonomia është e dobët, imbalancat makroekonomike janë të mëdha dhe sektori financiar përballet me një sërë risqesh. Amortizatorët e politikave kanë shteruar dhe një pjesë e madhe e borxhit afatshkurtër paraqet risqe”. Kjo është panorama që paraqet raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me sektorin financiar në vendin tonë, pas punës që kryen ekspertët që erdhën në tetor-nëntor në vendin tonë me kërkesë të qeverisë. Për FMN-në janë një sërë faktorësh që kanë rritur riskun, ku sektori bankar është i ekspozuar nga goditjet e mundshme. Një pjesë e mirë e këtij risku është niveli i lartë i investimit në bono për borxhin e qeverisë që kanë bërë bankat. Rritja e kredive të këqija nga ana tjetër ka ulur fitimin e bankave, duke lënë pak mundësi ndërhyrjeje në raste të vështira. Janë rritur risqet sistemike në sistemin financiar pas hyrjes në lojë të fondeve të investimit. Për FMN-në, edhe pse kjo ka shërbyer për diversifikimin e investimeve, ka një supervizim të rregulluar në mënyrë të paqartë dhe investimet janë kryesisht afatgjata. Stress testet që janë kryer me bankat tregojnë se ato janë bërë më të cenueshme ndaj situatave të ndryshme. Pra, nëse kemi një përkeqësim të menjëhershmëm të situatës makroekonomike dhe humbje të kredive, gjashtë banka kalojnë menjëherë në një nivel nënkapitalizimi.

    Panorama

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: FMN i kërkon Qeverisë së Rilindjes: Rrisni taksat për makinat dhe shtëpitë

    Zbardhet pakti i qeverisë me FMN

    Përfaqësuesi i FMN gjatë takimit me Ministrin e Financave Shkëlqim Cani

    Marrëveshja e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar për përfitimin e 457 milionë dollarëve financim është dorëzuar në Parlament. Qeveria zotohet në 54 pika të paktit që përfshijnë gjithë sektorët e ekonomisë që të bëjë reformat e nevojshme për të ecur përpara.

    Në letrën e firmosur nga ministri i Financave Shkëlqim Cani, ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj dhe guvernatori Ardian Fullani, drejtuar drejtores së Përgjithshme të Fondit, Kristin Lëgardë, përcaktohet qartë edhe “kufiri” i ndërhyrjes së FMN-së, që në fakt, nëse i referohemi letrës, nuk ka asnjë të tillë.

    MASAT SHTESË
    Qeveria merr përsipër të përmirësojë situatën në energji, atë të shlyerjes së borxheve të prapambetura, të uljes së borxhit publik, të reformojë skemën e pensioneve, të përmirësojë klimën e biznesit. Të gjitha këto caktohen me pika të veçanta në programin që i është paraqitur dhe miratuar nga FMN-ja. Kjo e fundit ka bërë propozim për taksa ekstra nëse nuk arrihen që të përmbushen synimet e të ardhurave dhe të mbahet në kontroll deficiti dhe borxhi. Qeveria është shprehur se FMN nuk mund të imponohet për të vendosur taksa ekstra, por në fakt marrëveshja zbulon se FMN mund të propozojë dhe qeveria zotohet që t’i zbatojë. “Ndërsa jemi të bindur se politikat e përshkruara në MPEF (memorandumi) janë të mjaftueshme për arritjen e objektivave të programit, ne mbetemi të gatshëm për marrjen e masave shtesë që mund të kërkohen për këtë qëllim. Në përputhje me politikat e Fondit ne do të konsultohemi me Fondin për miratimin e këtyre masave përpara rishikimeve të politikave në përmbajtje të kësaj letre dhe të MPEF-së”, thuhet në letrën drejtuar Lëgardë nga ana e qeverisë shqiptare. Kjo tregon se qeveria, në rast se nuk arrin të realizojë objektivat me reformat e parashikuara në program, mund të bëjë rishikime, shtuar këtu dhe taksa shtesë.

    MONITORIMI
    Fondi Monetar Ndërkombëtar në këtë program 3- vjeçar do të jetë monitoruesi kyç i zbatimit, dhe këtë do ta bëjë përmes informacionit që do të merret nga qeveria. Këto rishikime janë të përcaktuara me periudha tremujore dhe gjashtëmujore. “Zbatimi i programit tonë do të monitorohet nga Fondi nëpërmjet rishikimeve, kritereve sasiore të performancës dhe synimeve treguese, si dhe objektivave strukturorë të përshkruar në MPEF bashkëlidhur dhe në Memorandumin Teknik të Mirëkuptimit (MTM). Do të ketë 5 rishikime tremujore dhe 3 rishikime gjashtëmujore sipas marrëveshjes. Rishikimet do të vlerësojnë progresin për zbatimin e programit dhe do të arrijnë mirëkuptimet për çdo masë shtesë që mund të nevojitet për arritjen e objektivave të saj”, thuhet në letrën e qeverisë.

    ULJA E BORXHIT PUBLIK
    Borxhi publik, që është cilësuar gjithmonë nga FMN dhe Banka Botërore si problemi më i madh që ka sot Shqipëria, është bërë pjesë e premtimeve kyçe që ka bërë qeveria. “Ne jemi të angazhuar për fillimin e procesit të konsolidimit fiskal në vitin 2014, me qëllim arritjen e një reduktimi të borxhit publik në vitin 2015”, thuhet në pikën 8 të memorandumit të palëve. Në po të njëjtën pikë qeveria zotohet të marrë masa liberalizuese fiskale nëse situata ecën mirë dhe shtrënguese nëse ecën keq.

    NERTILA MAHO

    Panorama

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ekonomia në ngërç, Guvernatori i Bankës Kombëtare Fullani: Nuk ka konsum

    Basha: Ekonomia, dështimi i qeverisë Rama-Meta

    Kreu i opozitës, Lulzim Basha u shpreh sot gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike se ekonomia është dështimi basha-dje-ne-grupin-e-pdmë i madh i qeverisë Rama-Meta.

    Ai u ndal tek ekonomia duke u shprehur se kanë rënë investimet private. Basha iu referua raportit te BSH-se.

    “Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet private janë në nivele shumë të dobëta. Ndonëse BSH prej muajsh tashmë, herë pas here, ul normën baze te interesit, kredia për sektorin privat vazhdon te jete ne rënie, ku përveç uljes që pësoi gjate 3-mujorit te fundit 2013, edhe ne janar 2014 tkurrja ka vazhduar me -1.4%. Ekonomia është ankthi numër një i gjithë qytetarëve, i familjarëve, i gjithë shoqërisë. Është ankthi i të papunëve që nuk po shohin asnjë perspektivë punësimi, është ankthi i të punësuarve që nuk kanë asnjë siguri, teksa shohim se çdo ditë dora e krizës godet si me kosë vendet e punës, duke i pakësuar ato. Ekonomia është sot ankthi i çdo familje shqiptare. Në radhë të parë i familjeve të varfra, i familjeve që mezi e shtyjnë apo nuk e shtyjnë dot muajin për shkak të shtrenjtimit të jetesës, por edhe i familjeve që kanë arritur të kursejnë diçka përgjatë viteve dhe që po shtrëngojnë më fort se kurrë kursimet e tyre duke jetuar në perceptimin e ditëve më të këqija në horizont”, tha Basha.

    Per ta perifrazuar kreu i PD-se tha se “me sjelljen e vet, konsumatori shqiptar e ka lënë në klasë, për të mos thënë e ka rrëzuar de fakto qeverinë Rama-Meta”.

    Sipas tij qytetaret po i bëjnë llogaritë e mbijetesës dhe përgatitjes për ditë me të këqija pa qeverinë, duke e konsideruar qeverinë problemin për t’u zgjidhur dhe jo zgjidhjen e problemeve.

    Me tej Basha u fokusua tek marrëveshja me FMN-në, duke akuzuar qeverine se e ka mbajtur te fshehte.

    “Marrëveshja e qeverisë me FMN-në është një autodemaskim në përmasa të mëdha i gjithë falsitetit dhe gënjeshtrave të saj elektorale dhe pas-elektorale për ekonominë. Një autodemaskim i papërgjegjshmërisë dhe dështimit të saj spektakolar. Prandaj Qeveria ka dashur ta mbajë sa më larg njohjes nga publiku dhe opozita.
    FMN ka ripërsëritur në krye të marrëveshjes faktin botërisht të njohur e të pranuar se Shqipëria mënjanoi me sukses rënien e ekonomisë në krizë gjatë recesion global, pra gjatë qeverisjes sonë.
    Në vend që të niseshin nga ky realitet, për të avancuar me kujdes politikat e stabilitetit dhe ringritjes graduale, zoti Rama me të tijtë u nisen si mohues të mëdhenj dhe si demagogë. Kjo sigurisht, shkaktoi menjëherë, siç nënvizon FMN, rënie të ndjeshme të besimit të investitorëve, përkeqësim të klimës së biznesit, rritje të rrezikut të financimit të borxhit, borxh që u rrit nga qeveria nga niveli 62 për qind në 74 për qind të PPB-së”, theksoi kreu i PD-se.

    Kreu i opozites tha se qeveria po përgatitet të marrë një sërë hapash në drejtimin e gabuar që do ta përkeqësojnë gjendjen ekonomike të çdo qytetari dhe biznesi që operon në Shqipëri.
    Sipas tij qeveria do te beje: “Bllokimin e rritjes së pagave për tre vjet dhe indeksimin e pensioneve vetën për nivelin e inflacionit.-rritjen e moshës së daljes në pension dhe rritjen e kontributeve.-Rritjen e çmimit të energjisë elektrike në muajin qershor të këtij viti”.

    Nga ana tjeter ai paralajmeroi se do te kete rritje taksash duke thene se qeveria po shqyrton rritjen apo vendosjen e disa taksave të reja midis të cilave:

    • Vendosjen e pagesave ne rrugët e vendit;
    • Rritjen me 50% te taksës mbi tregtimin e makinave te përdorura;
    • Futjen e TVSH për ndërtimet-banesat e reja;
    • Futja e një takse për hyrje-daljet nga Shqipëria te qytetarëve shqiptarë;
    • Vendosja e taksës mbi pronën (shtëpi, tokë) sipas vlerës;
    • Futjen e një takse vjetore për përdorimin e makinave bazuar ne vlerën e tyre;
    • Rritjen me 20% e tatimit mbi te ardhurat e individëve, përfshi dhe interesat e depozitave dhe dividendin.
    • Vendosjen e akcizës mbi një numër të madh mallrash konsumi pa akcizë deri më sot.

    MAPO

  7. #7
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Për: FMN i kërkon Qeverisë së Rilindjes: Rrisni taksat për makinat dhe shtëpitë

    .. edhe atë të bëjë Qeveria dhe opa në të sëmës !!

    FMN-ja duhet t'i thotë qeverisë që të ngrejë minimumin jetik të paktën $ 300 , të rrisë pagat dhe pencionet e të luftojë konkurencën e paligjshme !!

    Kaq.
    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: FMN i kërkon Qeverisë së Rilindjes: Rrisni taksat për makinat dhe shtëpitë

    Rritja e çmimit. Energjia e pensionet, kusht i paktit me FMN

    Qeveria dërgon me urgjencë në Kuvend marrëveshjen me FMN, zbardhet letra e ministrave. PD, gati amendamentet.

    Dokumenti në Kuvend. Ja propozimet e FMN për ndryshimin e 10 taksave.

    Letra e ministrave: Mbetemi të gatshëm për masa shtesë.


    Qeveria e ka dërguar me urgjencë në Kuvend angazhimin e saj me FMN, bashkë me kushtet që duhet të plotësojë për të marrë kredinë 457 milionë USD.
    Në ligj përcaktohen qartë hapat që duhet të ndjekë qeveria në buxhetin e vitit 2014, si dhe parashikimet dhe limitet që nuk duhen kaluar për të mos pasur taksa shtesë. E veshur me një hije dyshimi, marrëveshja mes qeverisë dhe FMN është e qartë dhe paratë do të lëvrohen vetëm në rast se do të plotësohen disa kushte. Që në krye të dokumentit të firmosur nga ministri i Financave Cani, guvernatori Fullani dhe ministri i Ekonomisë Ahmetaj, thuhet se për tri vite, çdo hap i qeverisë shqiptare do të monitorohet dhe konsultohet me FMN-në.

    PRANIMI I KUSHTEVE
    Qeveria shqiptare rriti një sërë taksash gjatë vitit 2014. Por, pavarësisht optimizmit, ajo është e “detyruar” sipas marrëveshjes të pranojë edhe ndryshime të tjera. Edhe në dokumentin e paraqitur në Kuvend, theksohet se deri tani me FMN është rënë dakord për “politikat dhe masat që autoritetet e Shqipërisë synojnë të ndjekin gjatë vitit të parë të kësaj ndihme të akorduar; dhe mirëkuptimet e Shqipërisë të arritura me Fondin në lidhje me rishikimet që do të bëhen për progresin në realizimin e objektivave të programit dhe politikave e masave që autoritetet e Shqipërisë do të ndjekin për vitin e dytë dhe të tretë të kësaj ndihme të akorduar”. Pra, lihet i hapur ndryshimi i sistemit të taksave apo shpenzimeve. Kjo pohohet edhe nga vetë letra e tri autoriteteve shqiptare. “Ndërsa jemi të bindur se politikat e përshkruara në MPEF janë të mjaftueshme për arritjen e objektivave të programit, ne mbetemi të gatshëm për marrjen e masave shtesë që mund të kërkohen për këtë qëllim”.

    FMN, DO TË DUHEN 10 TAKSA SHTESË
    Por cilat janë kushtet shtesë dhe kur aplikohen ato? I gjithë qëllimi i paktit me FMN-së është ulja e borxhit publik. Kjo do të thotë që qeveria të marrë më pak para hua çdo vit, të rritet GDP dhe në finale borxhi të jetë nën kontroll. Angazhimi i qeverisë, në raportin e FMN, vlerësohet si tepër optimist. Ekonomistët e FMNsë, nisur nga parashikimet e tyre, qartësojnë 10 hapat fiskalë që do të marrë qeveria në vitet e ardhshme. Nga TVSH e deri te makinat, të gjitha pritet të ndryshojnë. FMN propozon që të rritet me 50% taksa për makinat e përdorura, dhe të vendoset një taksë nga dhënia me koncesion e autostradave. Për makinat, taksa vjetore nuk do të llogaritet fikse, por sipas çmimit referues të automjetit. Për ata që kanë makina luksi, pritet vendosja e një takse shtesë për makinat dhe bizhuteritë. Një ndryshim tjetër është vendosja e TVSH-së për ndërtimet e reja. Kjo pritet të rrisë të paktën 20% çmimin e apartamenteve që do të ndërtohen në vitet e ardhshme. Propozohet vendosja e një takse të re për udhëtimet jashtë vendit, pra kush kalon kufijtë detyrohet të paguajë taksë. Do të vendoset TVSH për telefonatat hyrëse nga jashtë. Dhe në finale pritet që të korrigjohet anomalia e rritjes së tatimit të fitimit. FMN propozon edhe rritjen e të ardhurave nga dividendi, depozitat bankare apo qiratë, në masën 12 për qind nga 10 për qind që është sot. Këto janë propozimet e ekonomistëve të FMN-së, të cilët nuk presin që qeveria të arrijë të gjitha synimet e veta. Qeveria vetë ka rënë dakord që të pranojë kushte shtesë.

    Memorandumi

    11. Nga pikëpamja e shpenzimeve, ne do të i) kufizojmë rritjen e pagave në sektorin publik në 2014, me përjashtim të një rritjeje strukturore për punonjësit e Policisë (duke marrë parasysh dëshirën tonë për të trajtuar më efektivisht korrupsionin e përhapur), dhe (ii) kufizojmë rritjet e pensioneve te kostoja e rregullimeve të jetesës (një kërkesë sipas ligjit të pensioneve).

    16. Ne do të fillojmë përgatitjet së shpejti për të kaluar te taksa e pronës, e bazuar në vlerësim deri në vitin 2015. Ne kemi kërkuar asistencë teknike për prezantimin e një takse prone të bazuar në vlerësim, e cila do të bazohet në vlerësimin objektiv të vlerave të pronave.

    46. Task-Forca për reformën e sektorit të energjisë do të zhvillojë një strategji afatmesme, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Ministria do të përpiqet për një rritje të faturimit të saktë, fillimisht nëpërmjet shpenzimeve mesatare bazuar në konsum, dhe pastaj me masa të veçanta në lidhje me energjinë para se ta arrijë konsumatorin. Ne gjithashtu do të rishikojmë, brenda qershorit 2014, sistemin e tarifave për t’i sjellë çmimet më afër çmimeve të tregut, dhe do të rishikojmë çmimet për energjinë e ushqyer nga centralet e vegjël privatë hidro-elektrike të shoqërive (HEC) brenda 31 dhjetorit 2014. Përveç kësaj, ne do të rishikojmë, brenda qershorit 2014 dhe do të dallojmë qartësisht tipat e klientëve që kërkojnë subvencione për energjinë elektrike. Një strategji pritet të paraqitet në Parlament në dhjetor.


    ARISTIR LUMEZI

    Panorama

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •