Dashuri e zbrazët kjo epshëri
gustav klimt
Jacques Chessex – poet, eseist, tregimtar dhe romancier (në 1973 ka marrë çmimin “Goncourt” për romanin “Lugati”). Poezitë që po i paraqesim lexuesit janë shkëputur nga vëllimi “Si koskë”. Ato mbartin një fajësim përpara mëtimit të vazhdueshëm të mishit dhe “enigmës së gabimit”. Poezia është një lutje, kur thadron bukurinë e paniktë të peizazheve natyrale dhe nëm përpara heshtjes së Zotit që ka pasur të drejtë të na japë ëndrrën
Jacques Chessex
Ujk je aty
Vrapojmë në pyjet e kujtimeve
Meqë vdekja nuk është aty
Po të qe vdekja bubu
Do të na mbante si pre
E pra meqë s´është aty
Ne s´do të shkalafitemi
Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty
E çvoksh lëkurën prej njeriu
E fringëllij mishin vdekësor
Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty
E braktis ç´më ka mbetur prej flokëve
Me tabanin e kafkës sime zbavitem
Duke i lënë eshtrat të shpërbëhen
në xëx
Ujk ku je ti
Ujk ç´bën aty
Tani jam me të vërtetë cullak
Më së fundi gëlltit përjetësi
Dashuri e zbrazët kjo epshëri
Në skeletin prej bishe të panjohur më parë.
Nata e dëborës
Dëborë, diell, mjaltë i zi i grackave
E qeshura e Tjetrit, lypësit të thërrimeve tona
Atij që nuk rresht
Në fund të plasave të padukshme.
Jam një fshat i braktisur mbi kodrinën pa ujë
Një rrugë kërnallë që s´të çon kërkund
Kur erdhi dëbora
Vetëm syliqokat
Me qerthujt e ngjirur
E kanë ngjatjetuar vetminë time
Prita Krishtlindjen
Gjeta të keqen, të vrugtën, dëbora nuk mundëte hiç
Dhe e keqja, e qeshura e atij që nuk flinte
Ka pështyrë lindjen time në buzë të greminave
Pro fano
Kam ngjëruar bukën e mykur të modernëve
Dhe mëshirën e një dromce agsholi kam patur
Buka e Filistinëve ishte nata e allçinjtë
Thërrmija ka ndriçuar një ditë të zjarrtë
S´kam zgjedhur sinore, tha gomari
Kam për t´u hapur
Si një mjekër profeti, tha gjëmbaçi
Prej përkryeshmërisë në modë dhe shemimit të vdekjeve
Mbretërisë diellore i përkisnin si njeri dhe tjetri
S´është e vërtetë, dua të flas, tha profeti
Vuvosuni dhe damllosuni pa bërë fare gëk
Një pikë limoni aguridh do të shtrydh mbi
floririn e rremë të gënjeshtrave tuaja
Hënë e plotë
Edhe një natë tjetër kam fjetur në fqinjëri
me varrezën
E kthjellët qe koha, ëndërrova
Pesha e tuleve dhe arratia e gjarpërit
nën firifiun e erës
Janë tek kjo ëndërr, në zonën gjethedendur
Poshtë kullusmës së urthit të zi
Ku nuk qesh më zogu i profecive
Kam ëndërruar sikur ëndërroja peshën e tuleve
Nën kubenë e kullusmës dhe urtheve të zinj
prej kurthesh të moçëm
Kurrfarë e qeshur ironike zogu nuk më zgjonte
Asnjë paralajmërim në zgrip të plagës
O mazgallë vdekëtare
E hapur poshtë lumit dritësues të hënës
Pesha e urthit pa tule, kullusma fajtore
manaferrash
Dhe ti gjarpër bredharak mbi gurin e zi
këngëzon në gjethet cullake, plor i rërës
Por në përkohshërinë e asnjë oguri puplor
Çfarë qetësie në vështimin fosforeshent
Ja ku është bërë, ëndërroj, kam ëndërruar
Hëna e plotë qesëndis këto mbrapuri
Humbas gjurmën , rrugën e bardhë
Humbas hapësirën dhe dritën
***
O trishtim i mishrave tona, vurrata
Përrenjsh të zemrës, gërmadhat e ditës
zgjohen
Unë humb hapësirën e krahëve të shpalosur
Duke u burgosur në fashëza ngjitëse
Si një mumje që qesh gjithë ditën me
gllënjka trishtimi.
Drejt mbrëmjes
Gjak mëndafshëror që kullohet
Kur vajza kruspulloset në gjelbërim
(dega e mbron, thotë ajo)
Duket e kuqja grafulluese
Të rrjedhë prajshëm prej kofshëve të saj
Në feçkën e motmoçme të pyllit
Pikat avullojnë në plehun e zi
O shtëpi e pendimeve
Që matanë mureve të padukshme
Vera gjithmonë përkëdhel rrëznajën
Ku të bindur për mëkatet e mia
Të gjen drita e trëndafiltë
Këshilla e drurit
- Po ti, o dru,
në rrëzë të natës?
-Dëgjoj recitimin e zogut
Mçehur në hije mbi degën e ulët
-E çfarë thotë zogu përpara natës
Dru i njëmendët
Kur kënga është kaq ngashënjyese
Për t’ u marrokotur prej pyetjes tënde?
-Kundroj gjumin të buthtojë prej tokës
Dhe ty të kapllon, kuvendues
Kur ti fle recitoj gjerdanin e lotëve
të tu
Në degët e mia, në mugullimë.
-Po ti, o dru
Dritë e hapërdarë
Kurth i çastit
Ç’këshillë ke për kalimtarin e vonë
Ç’farë ligjërimi për të dashurin?
-Ajgëtoj ëndrrën e shapllamosur të orëve
Të mbërrijë si gjaku në trup
Prej tokës së damllosur dhe rioshe
Ku pi reja e kohës
-Po ti, o dru
Vith i palëvizshëm
Mbi kodrinën ku rreh rrebeshi
Çfarë thotë era e skajit
Mërzia e lagësht, zgafella e lotëve?
-Unë s’ kam strehë, apo orë
Kundroj punën e ëngjëjve shpëtimtarë
Të ngritur rrudhën e shiut
Dhe koha shkrihet me mua.
Dhe ti, o dru
Djersë e natës
Gënjeshtër e ëndrrës
Do ta shënosh vallë pyetësin?
-Kumbisu, mik, këndelle shpirtin
Prej diskutimeve tona rri larg
(E cili dru i hapur në venat e tua
mund të t’ i gruponte dredhimet sakaq?)
Përktheu: Balil Gjini
Biografi: Jacques Chessex (1934-2009) në mars 2005 fiton çmimin “Bursa e Goncourt”-it për veprën e plotë poetike, çmim prestigjioz ky, të cilin e kanë fituar dhe poetë të tjerë të famshëm si Philippe Jaccottet në 2004 dhe Andrée Chedid në 2003. U lind në Payerne, kanton i Vodit. Është poet, eseist, tregimtar dhe romancier (në 1973 ka marrë çmimin “Goncourt” për romanin “Lugati”). Poezitë që po i paraqesim lexuesit janë shkëputur nga vëllimi “Si koskë”. Ato mbartin një fajësim përpara mëtimit të vazhdueshëm të mishit dhe “enigmës së gabimit”. Poezia është një lutje, kur thadron bukurinë e paniktë të peizazheve natyralë dhe nëm përpara heshtjes së Zotit që ka pasur të drejtë të na japë ëndrrën. Ajo është një meditim i thukët, ku ndjenja metafizike dhe magjepsja tokësore puqen ashpërsisht dhe dritësisht, duke na dhënë një art poetik edhe të zymtë, edhe të dritësuar. Ndërkaq, prej jetës së tij mund të veçohet një episod i zallamahishëm, që bëri vaki vite më parë: Biblioteka Kombëtare e Zvicrës në Bernë i bleu dorëshkrimet Chessex-së me një vlerë që mendohet të ketë qenë rreth 500 000 franga. Njëri nga deputetët socialistë kërkoi nga Parlamenti një interpelancë, të firmosur dhe prej tetëmbëdhjetë deputetëve të tjerë voduazë, e cila ngriti dy probleme: Pse dorëshkrimet ia bleu Berna dhe cili qe çmimi? Vetë Chessex-së i është dashur të bëjë një mbrojtje të shkëlqyer kundër provincializmit dhe pro frymës universale.
Box gri
Zhgënjimi
zhgënjimi jem ka një shije të veçantë
e ndjej gjithmonë në gojë
kur niset me ardhë
atëherë i dal përpara
e pres në paqë
nuk e vrasim ma njeni-tjetrin kur takohena
nuk na dhemb
kur jena bashkë
ndalena buzë lumit të huej
me patat e egra nëpër kambë
iu hedhim dromca buke të vjetër
tallena me kohën kur unë e gjueja me këpucë
e mbetesha në akull
zbathë
me bisht të synit e ndjek
me patat bojëkafe harrohet e bahet një
unë kapërdihem
me gojën mbushë me shijen e tij
sa kohë e kam aty
asgja
askush
nuk mundet me më zhgënjy
veç vedit
Entela Tabaku Sörman
Krijoni Kontakt