Familjarë të një 59-vjeçareje nga Erseka fajësojnë mjekët e Urgjencës në spitalin e Sanatoriumit për gabim mjekësor që ka çuar sipas tyre në gangrenizim të krahut të pacientes.
Për “News 24”, vajza e të moshuarës Elaureta Loli tregon se fillimisht e ka sjellë nënën në Urgjencën e Infektivit për shkak të temperaturës së lartë që nuk i zbriste nga 38 e gjysmë. Më tej ajo thotë se mjekët i kanë bërë vetëm një qetësues, duke e pasuar pacienten nga ky spital drejt Sanatoriumit, ku mjekët kanë dyshuar për një anomali të rëndë në mushkri. Pacientia paraplegjike me diabet kronik i është nënshtruar skanerit me kontrast itravenoz edhe pse është ankuar që në fillim se injektimi i lëngut të kontrastit në damar i shkaktonte dhimbje të mëdha dhe djegie. Familjarët dëshmojnë se pas diagnostikimit, i cili nuk ka vërtetuar frikën për një sëmundje të rëndë në mushkri, krahu i të moshuarës është enjtur deri në atë pikë sa mjekët të alarmuar nuk kanë pranuar më ta mbajnë në spital, duke e rikthyer sërish në QSUT, këtë herë në Urgjencën e Kardiologjisë, me pretendimin se gruaja kishte çrregullime të zemrës. Por sorollatjet e pacientes dyerve të spitaleve, pa asnjë mjekim apo sëmundje të konstatuar, nuk mbarojnë me kaq, pasi në orët e natës pacientja sipas familjareve është dërguar në shërbimin e Kirurgjisë, ku mjekët gjithnjë sipas familjareve nuk e kanë marrë përsipër rastin, duke e rikthyer pacienten sërish në Urgjencën e Kardiologjisë.
Për 31 orë, 59-vjeçarja ndërroi 4 spitale dhe nuk mori asnjë trajtim mjekësor, veç një qetësuesi në Infektiv.
Ndërkohë pas denoncimit në “News 24” duket se ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar nga spitali “Nënë Tereza”. Burime nga drejtoria e QSUT-së sqarojnë se është ngritur një grup i specializuar mjekësh që po marrin në shqyrtim rastin në fjalë, ndërsa garantohet se pacientes nuk do t’i pritet krahu, pavarësisht shkallës së lartë të komplikacionit. Denoncimi i qytetarëve në adresë të mjekëve nuk është një rastësi. Pak kohë më parë një tjetër paciente nga një fshat i Tiranës mbërriti në Urgjencën e QSUT-së në gjendje shoku, rast që u refuzua nga mjekët e Urgjencës, të cilët pas një kohe të gjatë pritje e përcollen pacienten pa mjekim dhe pa ambulance për në spitalin e Neurokirugjisë.
VIDEO
http://www.youtube.com/watch?v=-CdUpnB9rhY
/
Krijoni Kontakt