Rama për rendin: Jemi më mirë se vjet
Ish-kryetarja e Kuvendit, interpelancë me Kryeministrin: Kështu si ju qeveris edhe Zani Çaushi
“Keni fryrë shifrat, në 6 muajt tanë 43 vrasje, një vit më parë 73”
Kryeministri Edi Rama u përgjigj dje për herë të parë në Kuvend për rendin dhe sigurinë. Në interpelancën e kë-rkuar nga deputetja demo-krate Jozefina Topalli, Rama tha se do të vendosë ligjin, ndërsa akuzoi opozitën se deformon shifrat. “Keni fryrë shifrat e vrasjeve, në fund të shkurtit numri i viktimave më pak se 50, numri i vrasjeve 43, po për të njëjtën periudhë mes shtatori fund shkurti, kur qeverisnit ju, kishte 73 viktima dhe 64 vrasje. Ju e keni lënë Policinë pa themele, kurse ne po vendosim Policinë në themele”, tha Rama. Sipas tij, “kjo qeveri ka një qëllim dhe një mandat shumë të qartë: të ndryshojë Shqipërinë! Ne nuk jemi as të përsosur, as të pagabueshëm. Por ne jemi të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm para vendit e para njerëzve të këtij vendi”. Duke sjellë shifra, Rama tregoi se janë bllokuar më shumë lëndë narkotike nga qeveria që ai drejton dhe se janë kapur më shumë kriminelë. “Për të njëjtën periudhë, messhtator–fundshkurt, të krahasuar me një vit më parë, janë kapur më shumë se dyfishi i këtyre kriminelëve të kërkuar ndërkombëtarisht për krime të rënda, ekzaktësisht 160% më shumë. Mos vallë donit që të mos kapeshin e sekuestroheshin 12 kg e 569.6 gramë kokainë më tepër se në të njëjtën periudhë të një viti më parë? Apo mos donit që të mos kapeshin e sekuestroheshin 2 tonë e 853 kg e 282.7 gramë më tepër kanabis sesa e njëjta periudhë e një viti më parë?”, tha Rama. Ai akuzoi opozitën se kërkon të bëjë politikë me krimin.
“Sot ju vazhdoni politikën e rrënimit, duke bërë politikë me krimin, ndërsa ne kemi rilindur Policinë e Shtetit, duke ecur më shpejt drejt arritjeve reale në luftën kundër krimit”, tha Rama. Deputetja e Partisë Demokratike, Topalli, akuzoi maxhorancën për rritjen e kriminalitetit dhe pasigurisë. “Vendi po rrokulliset me shpejtësi drejt kaosit dhe greminës. Tritoli u bë modë, u dhuruat qytetarëve si modele të qeverisjes suaj hedhjen në herë të ndërtesave e banesave me tritol. Ju i thoni tritolit dhe erës së tij era shtet! Sot po flisni me tritol e trafiqe! Përgjigjja juaj është edhe e turpshme! Kështu si ju “kush nuk qeveris, edhe Zani Çaushi…!”, tha Topalli. Ajo akuzoi për largime të mëdha specialistësh nga radhët e Policisë, gjë që sipas saj ka çuar në rritjen e kriminalitetit. Por Rama solli fakte të tjera. “Sekretari juaj i Përgjithshëm në MPB kishte të punësuar brenda kësaj Ministrie 2 kunetër, nipin e gruas, mbesën e gruas, nipin e tij dhe dy kushërinj të tjerë. Drejtori juaj i SHKB kishte edhe të dy vëllezërit e punësuar në Ministri”, tha Rama. Sipas tij, “në listën e gjatë të të rekrutuarve prej PD-së në Polici, në pozicione drejtuese të Policisë, kishte persona me kurs gjashtëmujor plepash, me shkollë fizkulture, me studime veterinare, apo me shkolla të larta pa asnjë lidhje e asnjë trajnim të vetëm policor ose të tjerë që certifikatë të vetme trajnimi kishin precedentët penalë”. Duke folur për largimet nga Policia, Rama tha se shifrat nuk janë ato që jep opozita. “Nga messhtatori 2013, kur ne erdhëm në qeveri, deri në fundshkurtin e këtij viti janë liruar nga detyra 378 punonjës Policie, ndërsa nga shtatori 2005 dhe në 2006, kur ju morët qeverinë, larguat nga Policia 1003 punonjës. Ndërsa në gjithë harkun kohor të qeverisjes suaj, e dini sa keni larguar? 3188 punonjës policie!”, tha Rama.
Debati Rama-Topalli në Kuvend
Jozefina Topalli: Shqipërinë po e merr krimi! Ditën që dorëzova këtë kërkesë për interpelancë, arriti kulmi! Në dy ditë tre biznesmenë të vrarë në stilin e mafies, disa të plagosur, 5 tritole, 7 grabitje me maska, dy ngarkesa, njëra 2 tonë, tjetra 1.8 tonë drogë, e nisur nga Shqipëria dhe e kapur në Itali.
Edi Rama: Nga 87 raste të përdorimit të eksplozivit, 60 prej tyre kanë ndodhur nga janari në mesin e shtatorit dhe 27 të tjera, ose 31%, kanë ndodhur deri në fund të dhjetorit (në një trend kohor të njëjtë duhet thënë) – ndërkohë që në muajin shkurt shihet një rënie e ndjeshme, e cila ne jemi shpresëplotë se do të kthehet në trend në muajt në vijim.
Jozefina Topalli: Nuk ka faj qeveria që në një ditë, në formë dënimi kolektiv shkarkoi të gjithë drejtuesit e Policisë nga Tirana në çdo qark, në çdo cep të Shqipërisë?! Nuk ka faj qeveria që shkriu Gardën, që shkriu Policinë e Antikrimit, që shkriu Policinë Rrugore?! Nuk ka faj që emëroi në krye e në çdo shkalle militantë dhe komisionerë të PS-së në mënyrë antiligjore?!
Edi Rama: Ju bëni sikur s’keni asnjë lidhje me Policinë e rrënuar, të tradhtuar e të demotivuar që na latë në dorëzim më pak se gjashtë muaj më parë; sikur s’jeni ju që e tkurrët Policinë e Shtetit në atë me numrin më të ulët të policëve për frymë popullsie në rajon e në Europë?!
Jozefina Topalli: Partia Demokratike pyeti publikisht ministrin e Brendshëm për kriteret që kishte aplikuar në emërimin e policit A. S. në Policinë e Shtetit, personi që u kap me një ton drogë në kamion nga bashkëpunimi me policinë italiane! Opozita ka pyetur publikisht ministrin se cila është lidhja që ka me personin me inicialet G. A., që është arrestuar më 28 qershor të vitit 2006, teksa transportonte 50 kg drogë? Tre vjet më pas është liruar me kusht.
Edi Rama: … Disa deputetë ikën, nuk erdhën fare. Nuk e kuptoj pse nuk erdhën të mbështesin Jozefinën. Kaq pak mbështetje ke?!… Po vijoj. Vetëm sekretari juaj i Përgjithshëm në MPB kishte të punësuar brenda kësaj Ministrie 2 kunetër, nipin e gruas, mbesën e gruas, nipin e tij dhe dy kushërinj të tjerë. Drejtori juaj i SHKB kishte edhe të dy vëllezërit e punësuar në Ministri. Nuk po vazhdoj më tutje me motra, vëllezër, kunetër, nipër e mbesa, të disave këtu në anën time të djathtë, që kishin gjetur strehë deri dje në Ministrinë e Brendshme.
Jozefina Topalli: Ju i thoni tritolit dhe erës së tij era shtet! Sot po flisni me tritol e trafiqe! Përgjigjja juaj është edhe e turpshme! Kështu si ju “kush nuk qeveris, edhe Zani Çaushi…!!
Edi Rama: Çfarë të them unë zoti kryetar, kur të sjell puna në këtë situatë, duhet të dëgjosh gjithçka dëgjuam dhe, kur mendon që për parafolësen ky popull ka paguar, veç taksave, gjithë ato rroga dhe gjithë ato dieta, s’mbetet gjë tjetër vetëm ajo fjala e Avokat Ngjelës: Amanet mushkat zotërinj…
Jozefina Topalli: E mbyllim me fjalën e mushkës…
ARISTIR LUMEZI
Panorama
Krijoni Kontakt