Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 12
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Marëveshja mazhorancë-opozitë: Ligj për pastrimin e Kuvendit nga deputetët kriminelë

    Maxhoranca e opozita drejt marrëveshjes. Takohen tek kryesia. Ja drafti i eurodeputetëve me 4 pika



    Përfaqësues të maxhorancës dhe të opozitës zhvilluan pasditen e sotme një takim në kryesinë e Kuvendit.

    Opozita u përfaqësua nga deputetët Genc Pollo e Oerd Bylykbashi, ndërsa maxhoranca nga deputeti i PS-së, nënkryetari i grupit PS-së Taulant Balla dhe kreu i Grupit të LSI-së Petrit Vasili.
    Takimi qe zgjati 40 minuta nisi rreth orës 15:00 dhe vjen pasi dy të dërguarit e Parlamentit Europian propozuan një draft për kthimin e opozitës në Kuvend.

    Negociatat e PE

    Pasi përmbyllën bisedimet në Tiranë, dy eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein dolën me një deklaratë të përbashkët ku apelojnë opozitën të kthehet në kuvend dhe palëve të angazhohen në një dialog politik të domosdoshëm për integrimin në BE. Dy raporterët apelojnë pozitën dhe opozitën që ta konfirmojnë marrëveshjen e tyre me anë të një rezolute të përbashkët që të miratohet në Kuvend.
    Ashtu si edhe pritej dy raporterët e Parlamentit Europian Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein kanë finalizuar përpjekjet e tyre në Tiranë dhe Bruksel me anë të një deklarate ku inkurajohen palët politike për miratimin e një rezolute të përbashkët në parlament. Në faqen zyrtare të eurodeputetit Kukan deklarata vë theksin te nevoja urgjente që opozita të kthehet në kuvend për rivendosjen e një dialogu politik të domosdoshëm dhe thelbësor në procesin e integrimit në BE.
    “Tani ne inkurajojmë udhëheqësit politikë në Shqipëri për të vijuar dhe të shtojnë përpjekjet e tyre për të finalizuar zgjidhje të qëndrueshme për punën efikase të parlamentit dhe për të konfirmuar marrëveshjen e tyre me anë të një rezolute të përbashkët parlamentare. Politikanët shqiptarë duhet të marrin përgjegjësitë për funksionimin efektiv të institucioneve demokratike në vend. Prandaj ne edhe një herë tjetër i bëjmë thirrje opozitës për të rifilluar punën në parlament dhe për të vazhduar me detyrat e saj parlamentare, dhe mazhorancës për respektimin e kushteve për një dialog politik gjithëpërfshirës në kuadër të këtij institucioni. Ne mbetemi në mbështetje të përpjekjeve të mëtejshme për të rivendosur bashkëpunimin ndërpartiak dhe dialogun politik, i cili është thelbësor për procesin e integrimit në BE dhe besueshmërinë e Shqipërisë në BE.”
    Dy raporterët evidentojnë dy nga pikat kyçe të negociatave midis palëve, atë të respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe nevojës për dekriminalizimin e parlamentit duke vlerësuar faktin se të dyja palët ishin dakord me propozimin.
    “Ne e vlerësojmë faktin që të gjithë partnerët politikë ranë dakort me propozimin tonë në lidhje me parimet e bashkëpunimit në parlament. Propozimi në fjalë për kthimin në punë dhe në mënyrë efikase dhe gjithëpërfshirëse të parlamentit, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe angazhimin për të trajtuar çështjen e personave me të dhënat kriminale që konkurrojnë për poste publike.”
    Si Kukan dhe Fleckenstein gjatë vizitave të ndara në Tiranë kanë garantuar palët politike në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme të grupeve të tyre politike, në procesin e integrimit evropian.
    Një ditë më parë eurodeputeti Kukan zhvilloi takime të ndara, prej të cilave dy herë me kreun demokrat Lulzim Basha, kryeministrin Rama dhe kreun e kuvendit Meta.
    Por kush janë 4 pikat e draftit që diskutohet mes palëve që vetë Eurodeputeti Eduard Kukan u kujdes t’i publikonte në Websitin e tij?

    Pika e parë: “Opozita kthehet në Parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare duke iu shmangur bojkotit të Parlamentit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”,

    Pika e dytë: “Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në Parlament dhe respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të anagazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.

    Pika e tretë: “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisonit të Venecias”.

    Pika e katërt: “Përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian, Socialdemokratët dhe Partia Popullore Europiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike”.
    Ajo që pritet tani është votimi nga të gjitha forcat politike të gjithë rezolutës cka do I jepte fund bojkotit të opozitës dhe do rikthente normalitetin në kuvend.

    ORA NEWS

  2. #2
    Bordi Drejtues Maska e Ingenuous
    Anëtarësuar
    13-05-2002
    Vendndodhja
    Shqipëri
    Postime
    974

    Për: Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesat e opozitës për kthimin në Kuvend

    Si perfundim opozita luftoi per nje "aty kur eshte e mundur te pyetet!!!!" ?!

    Mesa po arrij te kuptoj nga e gjithe kjo fitoi Nard Ndoka!
    "Askush nuk eshte perfekt, une jam askushi"

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesat e opozitës për kthimin në Kuvend

    Ja marrëveshja e firmosur në mesnatë

    Përfaqësuesit e shumicës dhe pakicës arrijnë paktin që pritet të kthejë demokratët në Kuvend. Sot, vendimi i grupit parlamentar të PD. Bisedimet e djeshme dhe pse demokratët u tërhoqën përkohësisht në mbërmje. Parashikohet se të dyja palët duhet të zbatojnë katër pikat e marrëveshjes brenda 6 muajve të parë të vitit 2015

    Nga Nevila Perndoj

    Emri:  rezoluta.jpg

Shikime: 224

Madhësia:  50.9 KB

    Pas negociatave të njëpasnjëshme të zhvilluara në tre kohë të ndryshme në kryesinë e Kuvendit, mbrëmë në orën 23.40 të mbrëmjes Taulant Balla, Petrit Vasili, Genc Pollo dhe Oerd Bylykbashi dolën me një draft-marrëveshje të firmosur e cila sot pritet që të votohet në Kuvend përmes një projekt-rezolute.

    Por vendimi përfundimtar për tu futur ose jo në Kuvend nga Partia Demokratike do të merret vetëm sot, 30 minuta para fillimit të seancës së fundit parlamentare për këtë sesion. “Arritëm një tekst që e nënshkruam dhe fjalën e fundit do e kenë grupet parlamentare”, – tha mbrëmë deputeti demokrat Genc Pollo pas arritjes së marrëveshjes. Edhe deputeti i PS-së, Taulant Balla konfirmoi për mediat se marrëveshja ishte e gjithë pranuar dhe konform draft-projektit të propozuar nga eurodeputeti Eduard Kukan.

    Negociatat

    Negociatat intensive filluan dje në mesditë pas depozitimit në tryezën e bisedimeve të një drafti të riformuluar nga PD-ja e cila pretendonte se është konform draft-marrëveshjes së përgatitur dy ditë më parë nga Eduard Kukan, për të cilën më herët të dyja palët kishin rënë dakord.

    Më pak fjalë, Partia Demokratike u paraqiti negociatorëve të mazhorancës dy pika shtesë. Pika e parë lidhej me procedurën e hollësishme, që duhej ndjekur për dekriminalizimin e Kuvendit. Sipas PD-së, proçesi sa më sipër duhet të përfshinte edhe deputetët aktuale. Pas disa orësh negociata edhe pse e trajtuar ndryshe, pika sa më sipër mësohet të jetë pranuar deri diku nga socialistët. “…Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”, – thuhet në një prej pikave të draft-rezolutës së firmosur mbrëmë nga katër negociatorët.

    Pika e dytë e riformuluar lidhet me pamundësinë e përdorjes nga mazhoranca të 84 votave pa marrë edhe konsensusin e opozitës, ndërkohë që në draftin e parë thuhej “aty ku ishte e mundur” . Pamundësia e mazhorancës për të përdorur 84 votat për ligje dhe reforma të rëndësishme ka marrë edhe kohën më të madhe të negociatave që rifilluan sërish mbrëmë në orën 23.00 të natës. Deputetët Balla dhe Vasili nuk kanë pranuar variantin e opozitës duke firmosur mbi një tjetër variant (i bazuar në draft-marrëveshjen e Kukanit) ku ndër të tjera thuhet se, “mazhoranca do të kërkojë konsensus me opozitën për reforma të rëndësishme, kurdoherë që është e mundur”.

    Megjithatë, mazhoranca ka pranuar propozimin e Genc Pollos që të gjitha pikat e marrëveshjes paraprake të gjejnë zbatim brenda gjashtë muajve në Kuvend, përfshi edhe ajo për dekriminalizimin. “…Procesi i ndryshimeve legjislative që do të burojnë nga kjo marrëveshje do të nisë në fillim të sesionit të ardhshëm parlamentar dhe do të përmbushet brenda datës 30 qershor 2015…”, – thuhet në draft-marrëveshjen e firmosur.

    Qëndrimet

    Deputeti i PD-së, Genc Pollo tha mbrëmë pas një prej takimeve të zhvilluara se kërkesat e opozitës ishin të njohura prej kohësh dhe se kishin kërkuar një afat gjashtëmujor për përmbushjen e tyre nga Kuvendi. “Kemi rënë dakord për një sërë çështjesh, por ende jo për disa të tjera, që duhen shtjelluar”, – tha Pollo pas takimit.

    Por negociatori tjetër, Taulant Balla tha pas takimit se në Kuvend do të miratohet në formë rezolute vetëm draft-marrëveshja e propozuar nga dy eurodeputetët e PE-së dhe se çdo shtesë tjetër e saj ishte konsideruar prej tyre absurde dhe e pavlerë. Të njëjtën qëndrim përcolli mbrëmë edhe përfaqësuesi tjetër i mazhorancës, Petrit Vasili. Por Partia Demokratike, përmes një deklarate të dytë zyrtare të lëshuar nga Genc Pollo, sqaroi se ishte mazhoranca ajo që duhet të angazhohej seriozisht në miratimin e një rezolute të përbashkët.

    “…Partia Demokratike rikonfirmon vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. I bëjmë thirrje mazhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim”, – thuhej në deklaratën e shkurtër të Pollos, që risolli një tjetër negociatë të fundit të zhvilluar në orën 23.00 të mbrëmjes.



    Projekt-rezoluta përfundimtare mes mazhorancës dhe opozitës

    23 Dhjetor 2014

    Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, duke falenderuar Parlamentin Europian, grupet më të mëdha politike të tij, PPE (Partia Popullore Europiane) dhe S&D (Socialistët dhe Demokratët) dhe përfaqësuesit e tyre respektivë për mbështetjen e vazhdueshme të kësaj marrëveshjeje politike;

    duke njohur faktin se vendi ynë ka nevojë për dialog politik të qëndrueshëm dhe konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës qeverisëse në mënyrë që të përmbushen ambiciet europiane të qytetarëve të vendit;

    duke nënvizuar faktin se ka një përgjegjësi të përbashkët nga të dyja palët për krijimin e kushteve dhe për të siguruar që një dialog i tillë mes partive të zhvillohet pikësëpari në parlament; bien dakord lidhur me:

    -Rikthimin e opozitës në Kuvend dhe përfshirjen e saj të plotë në jetën parlamentare duke hequr dorë nga bojkoti i Kuvendit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e saj të cilësuar (3/5) për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus me opozitën për reforma të rëndësishme, kurdoherë që është e mundur;

    -Të gjitha partitë do të kontribojnë për dialogun politik i cili do të zhvillohet kryesisht në Kuvend, si dhe për respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin sistemik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shumica qeverisëse dhe opozita angazhohen për rishikimin e rregullave në drejtim të funksionimit efiçent të komisioneve hetimore parlamentare, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare;

    -Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias.

    -Procesi i ndryshimeve legjislative që do të burojnë nga kjo marrëveshje do të nisë në fillim të sesionit të ardhshëm parlamentar dhe do të përmbushet brenda datës 30 qershor 2015.


    MAPO

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesat e opozitës për kthimin në Kuvend

    Dhurata e politikanëve për Krishtlindje, pakti kalon me 126 vota. Mungojnë disa socialistë

    Arben Ristani - “Po sot, ‘rilindësit’ do të miratojnë një ligj, sipas të cilit, rilindësi i financave mund të marrë borxh ndërkombëtar pa kërkuar lejen e Parlamentit. Pra, po bëjnë një ligj antikushtetues”
    Gent Strazimiri - “Rikthim në Parlamentin e damkosur si ‘i kriminalizuar’! E ashtuquajtura ‘marrëveshje’ është thjesht akti i pranimit pa kushte të kësaj damke, nga ana e kriminalizuesve të Kuvendit dhe politikës”
    Majlinda Bregu - “U rikthyem aty ku vendi na e do të jemi, për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të shohin çdo ditë ndryshimin mes atyre që politikën e lidhin me krimin dhe opozitës”
    Ilir Meta - “Mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e saj të cilësuar 3/5 për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus me opozitën për reforma të rëndësishme kurdoherë që është e mundur”
    Edi Paloka - “Nëse ndonjërit do i pëlqejë ta interpretojë këtë marrëveshje thjesht si një ‘favor’ që iu bë opozitës për ta shpëtuar nga djegia e mandateve, gabon dhe gabon shumë rëndë”
    Eduard Kukan - Negociatori i PE-së, Eduard Kukan, ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri. Ai shprehet se shpreson që bashkëpunimi të vazhdojë

    HERION MESI

    Votimi ne seance_1Seanca e fundvitit, përveçse shpëtoi mandatet e demokratëve, riktheu disi normalitetin në klimën politike në vend, ku u shënua për herë të parë gjatë këtij viti dhe votimi i parë unanim i Kuvendit. Dhe ishte pikërisht votimi me 126 vota pro i rezolutës së përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës që i dha fund dhe ngërçit parlamentar, duke e risjellë në Kuvend opozitën pas afro gjashtë muajsh mungese në sallë. Por, edhe pse e kishte kërkuar thyerjen e bojkotit që në mbledhjen e parë të grupit, në votimet e djeshme, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, nuk mori pjesë. Ndërsa, deputeti i PS-së, Arben Ndoka, u pa të largohej menjëherë pas futjes së deputetëve të opozitës në Kuvend.

    Përplasja Ruçi-Paloka

    Por kthimi i opozitës në Parlament nuk u shoqërua me përmirësimin e klimës politike mes palëve, për shkak se përplasjet mazhorancë-opozitë do të nisnin që në orët e para të mëngjesit të djeshëm në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, të cilët u mblodhën për të diskutuar rreth rendit të ditës së seancës që do të mbahej më vonë. Nga ana e saj, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, refuzoi kërkesën e homologut të tij demokrat, Edi Paloka, i cili kërkoi që Parlamenti në seancën e tij të fundit për këtë sesion, të shqyrtonte vetëm rezolutën e përbashkët. Kjo nuk u pranua nga Ruçi, i cili këmbënguli që Parlamenti të vijonte punimet e tij, sipas rendit të përcaktuar një ditë më parë, ku të përfshihej dhe rezoluta mes palëve. Dhe si kundërpërgjigje, demokratët pas mbledhjes së dytë të grupit vendosën që të bëhen pjesë e diskutimeve në seancë vetëm te çështja e rezolutës dhe jo te projektligjet. Por i njëjti qëndrim do të vinte dhe nga ana e mazhorancës, e cila refuzoi të shprehej mbi rezolutën në Kuvend, dhe kjo do të ndodhte vetëm kur kryeparlamentarit Ilir Meta iu kërkua nga kreu i grupit demokrat Paloka që të lexonte tekstin e kësaj rezolute para se të hidhej për votim. “Ju nuk mund ta hidhni rezolutën në votim pa e lexuar atë më parë, dhe për të marrë vesh se për çfarë bëhet fjalë”, u shpreh Paloka. Por ajo që ra në sy, kundërshtimet do të vijonin edhe gjatë votimeve, ku PD-ja votoi kundër pothuajse të gjitha nismave të qeverisë.

    Demokratët

    Dakordësia e palëve për marrëveshjen verbale për të mos pasur asnjë diskutim në sallë, përveç fjalës së kreut të grupit të PD-së Edi Paloka për arsyet e kthimit të opozitës në Kuvend, bëri që asnjë prej përfaqësuesve të mazhorancës të mos replikonte me Palokën, duke e përfunduar më shpejt se ç’ishte menduar seancën e djeshme plenare. Por, nga ana tjetër, fjalimi i Palokës për rikthimin në Kuvend, nuk do të ndiqej as nga Kryeministri Edi Rama dhe as nga ish-kryeministri Sali Berisha, të cilët do të futeshin në sallë thuajse njëkohësisht. Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, Paloka u shpreh se kjo marrëveshje bën të mundur shpëtimin e politikës nga kriminalizimi i saj dhe, siç tha ai, ky nuk është një akt sa për të kaluar radhën apo për të shpëtuar mandatet. “Ky moment dhe kjo marrëveshje janë rasti i duhur për të shpëtuar politikën shqiptare për aq sa mundemi nga zhytja totale në llumin e krimit dhe korrupsionit. Por nëse dikush e sheh këtë marrëveshje si një akt sa për të kaluar radhën, gabon. Nëse e sheh thjesht si kortezi ndaj partnerëve që ndërhynë për realizimin e saj, prapë gabon. E ca më shumë, nëse ndonjërit do t’i pëlqejë ta interpretojë këtë marrëveshje thjesht si një favor që iu bë opozitës për ta shpëtuar nga djegia e mandateve, gabon dhe gabon shumë rëndë. Askush të mos ketë iluzionin që kjo marrëveshje është një pakt paqeje mes nesh dhe kësaj qeverie. Interesin tonë si opozitë e shohim të lidhur ngushtë me interesin e qytetarëve dhe do të jemi në Parlament për të mbrojtur deri në fund këtë interes”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

    Rezoluta

    Në votimin e djeshëm të rezolutës së përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, përveç mungesës së Dashamir Shehit, ra në sy refuzimi i marrjes pjesë në votim i disa prej deputetëve të mazhorancës, si: Erjon Braçe, Koço Kokëdhima, Spartak Braho apo dhe mungesat në sallë të: Parid Carës, Sadri Abazit, Musa Ulqinit, Ben Bushit etj. Sa i përket draftit të propozuar nga dy negociatorët e PE-së për zgjidhjen e krizës politike, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, dhe që u miratua unanimisht në Kuvend, theksohet se të dyja palët bien dakord për rikthimin e opozitës në Kuvend, ndërkohë që mazhoranca nuk do ta përdorë shumicën e saj të cilësuar për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus për reforma të rëndësishme, kurdoherë që është e mundur. Pika e dytë është që partitë do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili do të zhvillohet kryesisht në Kuvend dhe për respektimin e Kushtetutës e vendimeve te Gjykatës Kushtetuese. Dhe pika e tretë parashikon që opozita e mazhoranca do të punojnë së bashku për të zgjidhur çështjen e personave me rekorde kriminale që mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen në një të tillë.

    Presidenti Nishani: Palët t’i qëndrojnë me besnikëri marrëveshjes
    nishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, vlerëson rezolutën e miratuar sot unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë, si një akt që dëshmon pjekuri politike te të gjitha palët. Nëpërmjet një reagimi zyrtar, bëhet e ditur se “duke e përshëndetur vullnetin e mirë për të rikthyer normalitetin e domosdoshëm të jetës parlamentare në vend, u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë që t’u qëndrojnë e zbatojnë me besnikëri, vendosmëri dhe në bindje të plotë angazhimeve të ndërmarra ndërsjellas. Ky është një hap pozitiv në vigjilje të Vitit të Ri, gjatë të cilit qytetarët shqiptarë presin nga klasa politike më shumë punë për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre”.

    Shqip

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesat e opozitës për kthimin në Kuvend

    Fleckenstein zbardh negociatat: Formulimi i rezolutës i vështirë, s’jam i sigurt që rreziku ka kaluar

    Dy ditë pas gjetjes së konsensusit mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, me votimin e rezulutën që riktheu të djathtën në Parlament, ka reaguar edhe eurodeputeti Knut Fleckenstein, i caktuar më parë nga Parlamenti Europian si ndërmjetësues për zgjidhjen e ngërçit politik që kishte përfshirë klasën politike prej gati gjashtë muajsh.

    Në një intevistë për “DW”, eurodeputeti ka thënë se pika më e vështirë e negociatave ka qenë hartimi i rezulutës, ndërsa PD ka qenë më aktive për hartimin e saj. Eurodeputeti gjerman ka deklaruar se nuk është I sigurt në se “rreziku” ka kaluar pas arritjes së marrëveshjes, ndërsa bën thirrje që palët të punojnë në Parlament për zbatimin e rezulutës. Një nga pikat më të vështira për t’u realizuar sipas Fleckenstein është dekriminalizimi i Kuvendit. Për këtë ai shpreh edhe habi që nëse ka vërtetë deputetë të inkriminuar, atëherë pse nuk thuhen emrat apo pse nuk vepron prokuroria.

    Intervista e eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein për “DW”

    DW: Partia Demokratike u rikthye në Parlament, si e vlerësoni tani situatën, ekziston ende rreziku i rikthimit në modelin e bojkotimit, i njohur tashmë në politikën shqiptare?

    Fleckenstein: Nuk jam i sigurtë nëse rreziku ka kaluar, por së pari jam i i gëzuar që Partia Demokratike ka vendosur të rifutet në parlament, dhe sigurisht së pari e ka ajo në dorë, por edhe qeveria që të krijohet një atmosferë që e bën të mundur punën parlamentare. Natyrisht është një punë që kërkon rikonfimim çdo ditë, ashtu si në parlamentet e vendeve të tjera, por kemi një fillim të ri, dhe më gëzon fakti që Partia Demokratike vendosi për këtë.

    DW: Si ishte përvoja juaj gjatë ndërmjetësimit, cila palë ishte më kokëfortë, cila ishte pika më delikate apo më e vështira për t’u ndërmjetësuar?

    Fleckenstein: Besoj se shumë më tepër këmbëngulëse ishte Partia Demokratike, sepse ajo donte të eliminonte ato shkaqe, që e bënë të braktiste parlamentin, dhe në kuadër të ndërmjetësimit pika më e vështirë ishte gjetja e një forme të shkruar. Rezoluta që do të duhej të miratonte parlamenti duhej të formulohej në një mënyrë të tillë që nga njëra anë të mos ishte shumë e përgjithësuar, por nga ana tjetër ajo mund të përmbante vetëm ato gjëra që mund të negocioheshin për një kohë të shkurtër. Por puna në parlament fillon tani, kur vjen puna për dekriminalizimin, ka shumë punë për të bërë.

    DW: Dekriminalizimi i parlamentit ishte një kërkesë kryesore e demokratëve. Si do të kryhet ai konkretisht. Nëse ka deputetë të kriminalizuar, pse nuk u bënë publikë emrat e tyre?

    Fleckenstein: Nuk e di pse nuk u bënë publikë emrat e këtyre deputetëve, po qe se ka të tillë. Unë nuk jam prokurori që e përcakton këtë. Tani bëhet fjalë dhe ne kemi rënë dakord ta trajtojmë këtë çështje se si veprohet në këso rastesh në vende të tjera të BE-së. Atje trajtohet në mënyra të ndryshme. Duhet të kemi një rregullore dhe sigurisht brenda kuadrit kushtetues, me të cilën bëhet e qartë se nuk duam të kemi të bëjmë me njerëz të inkriminuar qoftë në parlament, qoftë në postet publike.

    DW: Është traditë tanimë që Bashkimi Europian vjen e zgjidh mosmarrëveshjet e thella mes dy partive. Pse mendoni ju e duan partitë shqiptare gjithmonë BE-në pranë, sepse nuk kanë aftësi për kompromis, sepse pala mazhoritare është arrogante e nuk dëgjon, apo është thjesht çështje inati dritëshkurtër, sipas motos: Vetëm BE- ua tregon vendin juve…

    Fleckenstein: Nuk jam i sigurtë se cila nga këto do të ishte përgjigja e duhur. E vërteta është se kur dy parti kanë një grindje kaq të thellë, nuk është keq të kesh avokatë në anën tënde. Prandaj edhe unë nuk isha vetëm atje, por me kolegun tim, Eduard Kukan nga Partia Popullore Europiane. Dhe avokatët nuk janë për të ndezur klientët, por kanë edhe detyrën që të bindin klientët që të heqin dorë nga ndonjë pozicion që kanë. Në këtë kuptim ky kombinim është i rëndësishëm. E dini se cila është vështirësia kryesore: e gjitha është një çështje e kulturës politike. Në Gjermani psh. socialdemokratët do të bënin fushatë zgjedhore kundër konservatorëve, CDU, sepse ne besojmë se është një politikë më e mirë ajo që propozojmë ne, socialdemokratët, por ne nuk do të shkonim aq larg, sa të pretendojmë se ajo që bëjnë kundërshtarët drejtohet kundër popullit. Ne e kemi besimin se secila palë bën më të mirën që mundet për vendin. Ne nuk jemi të një mendimi vetëm për rrugën që na çon aty. Këtë mirëkuptim bazë nuk e gjen në Shqipëri.

    DW: Pse atëherë shkohet në Shqipëri kaq larg…

    Fleckenstein: Besoj se ka të bëjë me përvojat e ndryshme që partitë kanë bërë në procesin e tranzicionit dhe jam i sigurtë kjo do të ndryshojë me kalimin e kohës. Kjo kërkon kohën e vet, me sa duket në Shqipëri do më shumë kohë se në vendet e tjera.

    DW: Me marrëveshjen mazhoranca nuk duhet ta përdorë pushtetin e saj të shumicës së cilësuar për reforma të rëndësishme, por vetëm me konsesusin e opozitës. Çfarë frike të opozitës reflekton kjo kërkesë?

    Fleckenstein: Mendoj se reflekton frikën se nuk mund të bëhet punë e vërtetë opozitare në Shqipëri me një mazhorancë të tillë. Por duhet të them se as Herr Kukan dhe as unë nuk shkuam në Tiranë për të ndryshuar mazhorancat në parlament, sepse këtë e vendosën votuesit dhe do ta vendosin rishtazi herën tjetër. Këtu bëhej fjalë për një konsensus të gjerë për reforma të rëndësishme që duhen ndërmarrë për t’u integruar në Bashkimin Europian. Ky projekt nuk është projekt i një partie, pavarësisht kush qeveris.

    DW: Cilat reforma janë më të rëndësishmet për demokratët – pra që të merret edhe konsesusi i tyre?

    Fleckenstein: Këtu hyn qëndrimi ndaj komisioneve hetimore, si respektohen të drejtat e partive vetë në parlament, po ashtu edhe dekriminalizimi i parlamentit, apo të kihet kujdes që të mos vihen në poste publike elementë të kriminalizuar. Këtu bën pjesë edhe lufta kundër kriminalitetit të organizuar, -këto janë punë, për të cilat duhet gjetur gjithmonë një konsesus i gjerë, ndryshe nuk ndjehen të gjithë të adresuar. Prandaj është edhe për ne e rëndësishme që përtej Parlamentit kemi edhe Këshillin e Europës, ku marrin pjesë edhe ata që nuk janë anëtarë të Parlamentit, por që përfaqësojnë organizata të rëndësishme të shoqërisë civile.

    DW: Ua keni bërë ndonjëherë të qartë gjatë bisedimeve palëve politike në Shqipëri se sa të paaftë duken në sytë e publikut shqiptar, por edhe në BE, kur nuk e gjejnë dot vetë kompromisin, por duan të dërguarit e BE-së që të zgjidhin problemet e tyre?

    Fleckenstein: Nuk di të them se si duken ata në publikun shqiptar, por për BE mund të them se sigurisht që ne do të dëshironim më shumë që partitë të binin në ujdi vetë pa ndërmjetësues, por nëse kjo është e nevojshme, ne jemi të gatshëm. E dini cila është më e rëndësishmja këtu: partitë duhet të flasin më shumë me njëra-tjetrën dhe jo mbi njëra-tjetrën. Po qe se një dialog i tillë zhvillohet, atëherë gjërat do të lëvizin më shpejt se tani edhe në Shqipëri.

    Po qe se lejohem, po bëj një formulim me pak ironi: Secila palë e ka tani përvojën e saj me bojkotimin e gjatë të parlamentit. Dhe besoj se kjo për këtë shekull mjafton.


    Panorama

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesat e opozitës për kthimin në Kuvend

    PS hesht pas paktit me opozitën

    Rikthimi i opozitës në Kuvend dhe miratimi i rezolutës trepikëshe ka kaluar në heshtje të plotë prej përfaqësuesve të maxhorancës.
    Madje, as në seancën parlamentare nuk u pa asnjë qëndrim i deputetëve të PS-së apo LSI-së kur kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, dha qëndrimin për përfundimin e bojkotit. Por as Kryeministri Edi Rama, i cili ishte prezent në seancën e votimit të marrëveshjes, nuk ka dhënë asnjë koment as në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku shpesh shihet të replikojë ndaj qëndrimeve të opozitës. Heshtja e Ramës u pa dhe pas deklaratës që kreu i opozitës Lulzim Basha dha dje në mbrëmje mbi miratimin e rezolutës, ku vendosej kthimi në normalitet i Kuvendit dhe nisja e procesit të dekriminalizimit. Basha në reagimin e tij nënvizoi se votimi është vetëm fillimi, por se rezultatet do të duken vetëm me zbatimin e masave të pranuara në marrëveshje.

    Basha
    Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, përshëndeti miratimin me konsensus të rezolutës në Parlament. Ndërsa ka falënderuar dhe angazhimin e dy eurodeputetëve, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, për të realizuar marrëveshjen mes maxhorancës dhe opozitës. Por ai nënvizon se “frytet e saj do të duken menjëherë dhe në vijimësi, në vartësi të seriozitetit, shpejtësisë dhe cilësisë së zbatimit të masave të gjithëpranuara”. Kjo përsa i përket garantimit për sovranitetin e plotë të “ligjeve kushtetuese dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe sidomos për dekriminalizimin e Kuvendit dhe instit-ucioneve të shtetit”. Kreu i PD-së shprehet se rezoluta nuk është fundi, por vetëm fillimi. “Është fillimi i fundit për kriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo institucioni tjetër”, tha Basha.

    Argumentet
    Për Bashën vendimi për bojkotin e Kuvendit ka ardhur pasi u vu në pikëpyetje zhvillimi në Shqipëri i një “demokracie funksionale dhe të shëndetshme, të mbështetur në vlerat dhe virtytet më të mira, apo një pseudo-demokraci, një kartel, ku ligjin e bën krimi i organizuar dhe një grusht oligarkësh që mendojnë vetëm për sundi-min dhe pasurimin e tyre”. Ndërsa shton se krerët e maxhorancës, Rama e Meta, kërkuan të vendosnin një “opozitë fasadë, duke e përjashtuar nga ligjvënia e cilësuar nëpërmjet trafikut të deputetëve, duke i mohuar të drejtën kushtetuese hetimit parlamentar, dhe së fundi duke hedhur në vepr-im repartin e dhunës për t’i mbyllur gojën opozitës, për t’i marrë asaj edhe mjetin e fundit, fjalën e lirë”.

    Rezoluta
    Për Partinë Demokratike, rezoluta e votuar në Kuvend shpreh angazhimet e përbashkëta të palëve në dy pika, funksionimin e Kuvendit dhe dekriminalizimin. Basha tha se normalizimi i jetës parlamentare do të jetë “përmes zbatimit sistemik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rishikimit të rregullave në lidhje me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”. Ndërkaq, dekriminalizimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera do të realizohet duke “punuar së bashku, në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Parlamentit dhe Komisionit Europian”.

    BRAHIM SHIMA

    Panorama

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesat e opozitës për kthimin në Kuvend

    Bylykbashi: Si do pastrohet Kuvendi nga të inkriminuarit

    Një nga negociatorët e marrëveshjes pozitëopozitë, Oerd Bylykbashi, shprehet në intervistën për “Panorama” se rezoluta e miratuar në Kuvend përcakton detyrimin për zbatimin e saj brenda 6 muajsh.

    Ndërkohë thekson se përcaktimet e vendosura nga dy europarlamentarët Kukan e Fleckenstein delegjitimojnë 84 votat e maxhorancës.

    Në Parlament, ku miratua rezoluta mes maxhorancës dhe opozitës, u vu re se votimi kaloi më shumë si formë teknike. A rrezikon të mbesë në formën e një deklarate?
    Rezoluta që u miratua pa asnjë votë kundër nuk është një deklaratë, por një marrëveshje që duhet të zbatohet me veprime konkrete legjislative dhe me afat preciz. Marrëveshja bazë është hartuar nga negociatorët e Parlamentit Europian Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan plotësisht sipas çështjeve dhe shqetësimeve parimore të ngritura nga opozita. Për më tepër, në fund kanë qenë europarlamentarët Fleckenstein dhe Kukan që kanë hartuar rezolutën, ku dhe kanë shtuar kushtet për realizimin e reformave vetëm me konsensus, duke mos lejuar përdorimin e tre të pestave prej maxhorancës. Zërat që vijnë nga maxhoranca se bëmë një rezolutë sa për të kaluar ngërçin, por nuk do të zbatohet, janë të pafat. Në paragrafin e fundit përcaktohet fare qartë detyrimi për Kuvendin për të bërë ndryshime në ligj, brenda gjashtë muajve, për secilën prej tri pikave substanciale të marrëveshjes, dekriminalizimin e politikës dhe administratës, zbatimin sistemik e të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe funksionimin efikas dhe pa pengesa e bllokime të komisioneve hetimore. Kjo pikë e fundit e bën operacionale marrëveshjen, e kthen deklaratën e parimeve të propozuar nga eurodeputetët në një marrëveshje të zbatueshme. Dhe këtë do ta bëjë me asistencë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian.

    Vendosja në rezolutë e procesit të dekriminalizimit si pikë bazë nga negociatorët dhe pranimi nga maxhoranca në Parlament, tregon se ky shqetësim i ngritur me forcë nga opozita përgjatë gjithë vitit 2014, është qartazi një shqetësim ndërkombëtar, por tregon edhe faktin se vetë maxhoranca nuk ka më hapësirë për ta kundërshtuar. Delegjitimimi nga përfaqësuesit e grupeve më të mëdha politike të Parlamentit Europian i shumicës së cilësuar prej 3/5, me të cilat maxhoranca ka shpartalluar një seri konsensusesh deri më tash, lidhet qartë me nevojën për dekriminalizim të kësaj shumice. Është një rikthim i shqetësimit të PE-së për mandatet e peshkuara apo të blera, si në vitin 2001. Pas ndërgjegjësimit të ndërkombëtarëve për mandatet e tjetërsuara, u realizua një marrëveshje e firmosur në vitin 2002, që solli në hulli vijimin me konsensus të reformave të kërkuara në vend, madje duke ribërë pseudoreformat e njëanshme të bëra nga maxhoranca socialiste e kohës.

    Në rezolutë thuhet se maxhoranca do të kërkojë konsensusin me opozitën, kur është e mundur?

    Për të qenë të saktë, në të thuhet se maxhoranca nuk do të përdorë 3/5 për të anashkaluar opozitën dhe do të kërkojë konsensusin e saj për reformat e rëndësishme kurdoherë që është e mundur. Kjo do të thotë që nëse ka nevojë të punohet për konsensusin për një afat të gjatë, pesë muaj a më shumë, aq kohë do të konsumohet dhe jo duke vendosur kusht për konsensusin brenda një jave, sa për të larë gojën. Për kujtesë, ndryshimet që iu bënë Kodi Zgjedhor më 2002- 2003 zgjatën një vit. Fillimisht komisionit bipartisan iu la afat tre muaj afat dhe më pas u shty disa herë dhe në fund u miratuan dhe dy marrëveshje përtej afatit të komisionit. Më pas u mbyll Kodi Zgjedhor, ku i gjithë procesi zgjati më shumë se një vit. Madje marrëveshja Nano- Berisha e 5 prillit 2002, që inicioi reformën zgjedhore të vitit 2002-2003 dhe zgjedhjen me konsensus të Presidentit, kishte klauzolë pothuaj identike me atë të tanishmen: “Maxhoranca qeverisëse angazhohet të mos përdorë shumicën e cilësuar për të rrëzuar në seancën plenare vendimet konsensuale të komisionit bipartizan”.

    Kjo do të thotë se do të kërkoni të rishikohen dhe ligjet e miratuara pa konsensus?

    Ne do të kërkojmë që gjithçka të vijë në normalitet. Nuk mundet që maxhoranca të thotë se i kemi votat dhe do t’i ndryshojmë ligjet. Jo, tashmë nuk mund të ecet në këtë formë. Maxhoranca duhet të ulet për të biseduar për reformat. Për shembull, kemi 30 rekomandime të OSBE për Kodin Zgjedhor dhe asnjë hap nuk është realizuar deri më tani, ndërsa zgjedhjet po afrojnë me shpejtësi. Nga ana tjetër, kemi një hartë elektorale klienteliste që synon fitoren e zgjedhjeve në tavolinë nga maxhoranca. Në këto kushte, pas marrëveshjes, Kryeministri apo ministri tij nuk mund të tundë si kërcënim 83 mandatet dhe ato 2 mandatet e blera. Përndryshe, janë në shkelje të marrëveshjes dhe të deklaratës së parimeve bazë që propozuan negociatorët e Parlamentit Europian.

    Në rezolutë nënvizohet dekriminalizimi. Ka një debat të gjerë për formën e zbatimit të tij. Çfarë hapash duhet të hidhen?

    Dekriminalizimi është një sferë më e gjerë. Ndaj dhe u kërkua më shumë kohë për zbatimin, duke saktësuar në rezolutë një afat gjashtëmujor. Ndërhyrja mund të jetë disaplanëshe, siç do të jetë aspekti i tanishëm, pra ata që janë tashmë të zgjedhur ose të emëruar dhe ai për të ardhmen, pra për të krijuar filtra paraprakë në fazën e përzgjedhjes apo dhe kandidimit për deputet apo për pushtetin vendor, ose poste të tjera publike. Duhet të shohim praktikat më të mira, ato të shteteve europiane. A lejohet në këto vende që krimineli të hyjë në Parlament? Sigurisht që është e pamendueshme… Për shembull, te ne sot, kur dikush mbaron dënimin për krim të organizuar, vrasje, mashtrim financiar me përmasa të mëdha etj. dhe del nga burgu, të nesërmen mund të kandidojë, të zgjidhet dhe pastaj mund ta bësh ministër. A është normale kjo? Sot ne nuk kemi asnjë kufizim. Gjendja aktuale e ka ekspozuar si asnjëherë këtë dobësi që po shfrytëzohet për keq. Një tjetër rast. Dikush mund të jetë i dënuar në mungesë për krim të organizuar në një vend të BEsë, ndërkohë jeton në Shqipëri dhe ky fakt nuk dihet publikisht. Ai kandidon dhe zgjidhet në Parlament apo pushtetin vendor. Nëse merret vesh ky fakt, çfarë ndodh? Së pari ai nuk duhej të kandidonte pasi ligji nuk e lejon. Nëse kandidoi a duhet të ishte zgjedhur a duhet t’i lejohet mandati? Nëse merret vesh, çfarë ndodh me të? Në ligje të ndryshme ne kemi klauzolën që thotë se kur një individ kërkon të marrë një post në administratën publike nuk duhet të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë. Kjo pasi ka një rrezikshmëri shoqërore. Dhe këtë kufizim e kemi për postet me emërim. Kjo do të thotë se që të emërohet, personi duhet të rezultojë i padënuar, duhet ose të mos jetë i dënuar kurrë, ose pas dënimit, të ketë kaluar dhe afati që çon në rehabilitimin ligjor të tij që e bën skedën penale të bardhë. Pra ka kaluar aq kohë, thotë ligji, që ky person të mos jetë i rrezikshëm për shoqërinë. Atëherë i lind e drejta të emërohet etj., etj. Por nëse nuk ka kaluar afati, ai rezulton si i dënuar dhe për pasojë ai atë post public nuk e merr dot. Por një kufizim të tillë nuk e kemi për të zgjedhurit që janë në poste më të larta publike. Por nëse ky person konsiderohet se bart rrezik për shoqërinë për të marrë një post në administratë, por arrin të zgjidhet deputet, kjo nuk ka ku të rrijë! Ne kemi sistem të pamjaftueshëm që të frenojë vullnetin negativ që ka çuar në kriminalizim të parlamentit, apo të pastrojë të gjithë elementët kriminalë që i kemi apo që synojnë nesër të hyjnë në sistem. Çështja që shtrohet është të gjejmë mekanizmat që t’i verifikojmë, ekspozojmë dhe brenda limiteve të standardeve ndërkombëtare, apo Kushtetutës së Shqipërisë këta persona të mos i kesh më në funksion? Këto janë gamë mjaft e gjerë për të thënë sot se cila është zgjidhja konkrete. Për shkak të kompleksiteti që ka është lënë një afat gjashtëmujor dhe kërkohet asistencë e BE dhe Komisionit të Venecias.


    Panorama

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesat e opozitës për kthimin në Kuvend

    Nga na erdhën vallë këta kriminelë?

    Lufti Dervishi

    Një nga ngjarjet që do të mbahet mend gjatë në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri është votimi unanim i rezolutës së djeshme i deputetëve të popullit për dekriminalizimin e vetvetes! Votim i denjë për guiness parlamentar. Më shumë se sot do të kujtohet nesër, dhe ka të ngjarë që një nga temat kryesore të fushatës së ardhshme të ketë të bëjë me “dekriminalizimin”, aq më tepër duke pasur parasysh që rezoluta është sponsorizuar edhe nga eurodeputetët.
    “Dekriminalizim i Kuvendit dhe institucioneve publike” është një term i fortë, i vërtetë, po aq dhe problematik. Në vende të tjera ka pasur nisma të ngjashme, por me një formulim tjetër: “Lëvizja për Parlament të pastër”…
    Marrëveshja që i dha fund bojkotit të opozitës ka lënë hë për hë pa përgjigje pyetjen “nga na zbritën vallë këta kriminelë?”. Si u futën në Kuvend? Sa janë? Si do të ikin? A ka rrezik të zëvendësohen me kriminelë më “elitarë”? Domethënë, shiu i sotëm sa gjasa ka të kthehet në breshër nesër?
    Ka një mungesë të theksuar sinqeriteti si mes palëve, ashtu edhe me vetveten. Nëse do të kishim një minimum sinqeriteti dhe lufta politike do të vijonte korrekte dhe dhëmb për dhëmb, atëherë partitë do të listonin në mënyrë reciproke kriminelët e tjetrit. Janë përmendur 2-3 kokrra që i kanë bërë vend vetes duke treguar muskujt e “fortë” dhe xhepat e thellë. Nën zë nënvizohen të paktën 19 të tillë. Ironia bëhet më e plotë kur tentohet të vendoset peshorja: kush ka më shumë? Apo kush i ka më cilësorë?
    Spekulimi tjetër që nuk shtyhet as duke kapërdirë gotën e ujit dhe as duke goditur veten me grusht mes shpatullave, ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut, me Kushtetutën, me Komisionin e Venecias, me konventat ndërkombëtare me të drejtën e tjetrit për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur dhe shkohet edhe më tej kur thuhet se “edhe në burg po të jesh ke të drejtë të zgjidhesh”, i duan njerëzit, i votojnë etj., etj.
    Pikë së pari duhet thënë se nuk duhet ngatërruar populli dhe votuesit me këtë histori të pështirë! Ndryshimet kushtetuese të prillit 2008 synuan që të pengonin futjen e deputetëve “të fortë” në Kuvend. Nga sistemi maxhoritar, ku një individ mund të kandidonte vetëm apo nën siglën e partive të vogla, u kalua në sistemin proporcional pikërisht për t’iu mbyllur derën “shokëve dhe zotërinjve kriminelë”. Premtimi solemn ishte: me sistemin proporcional do t’i japim vendit elitën që meriton. A ka sot vendi në Kuvend elitën që meriton?! Edhe nëse duam të gënjejmë veten dhe të themi: po, – rezoluta e miratuar dje me 126 vota pro (konsensusi më i gjerë parlamentar – madje më i madh se ai që çoi në ndryshimet kushtetuese të 2008 – na thotë se nëse duam të mbajmë etiketën “elitë” duhet t’i shtojmë epitetin “e kriminalizuar”.
    Sot më 2014-n del që “kriminelët” nuk kanë hyrë as nga dera, as nga dritarja, por fill nga oxhaku. Listat u hartuan në zyrat e partive dhe me ndikimin pothuaj total të kryetarëve të partive! Këtu mbyllet cikli i fajësimit të votuesit. Dhe ngrihet një PSE e madhe për përgjegjësinë politike, morale, pse jo, edhe ligjore për përzgjedhësit.
    Listat e kandidatëve për deputetë u dorëzuan në Komisionin Qendror në minutat e fundit të afatit ligjor. Transparenca për procesin që çoi në përzgjedhjen e tyre ishte nën zero. CV-të e kandidatëve nuk u bënë kurrë publike dhe me nisjen e fushatës, si media, ashtu edhe ojq–të, e bashkë me to dhe institucionet, merakun kryesor kishin: A do të zhvillohen zgjedhjet pa probleme? A do të pranohet rezultati zgjedhjeve?
    Pa bërë një ekzaminim të shkaqeve dhe përgjegjësive që na sollën në këtë pikë, ka rrezik që edhe me Kuvendin e ardhshëm t’i ngjajmë pak Nastradinit që kishte pshurrur në qershitë që po hante dhe kur e mori uria, nisi sërish përzgjedhjen (duke filluar anash) kokërr më kokërr. Në fund i doli që asnjë “kokërr” nuk ishte lagur. Druaj se edhe këtë radhë të gjithë dolën pa lagur!

    Panorama

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Tërhiqet mazhoranca, pranon kërkesat e opozitës për kthimin në Kuvend

    Për një marrëveshje jo si kjo

    FATOS LUBONJA

    A nuk është shumë thuajse çerek shekulli që jetojmë një lloj pluralizmi, ku partitë tona të maxhorancës dhe opozitës kanë nevojë ende për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve që të bashkëpunojnë në interes të këtij vendi – siç treguan edhe ditët e fundit? A mund ta quajmë këtë një sëmundje foshnjore të demokracisë apo mund të themi se kjo foshnjëri po zgjat tepër, prandaj kemi të bëjmë me një sëmundje, një gjë anormale? Sipas meje, kjo situatë mund të konsiderohet tashmë si sëmundje kronike, pasi, në një rreth vicioz, po na mban në një gjendje antidemokratike, e cila gjeneron, si pasojë, të tilla situata destruktive. Pse them antidemokratike? Sepse, nëse dialogu dhe bashkëpunimi midis partive është në interes të demosit shqiptar, përse atëherë nuk është demosi shqiptar që t’ua imponojë atyre hyrjen në Parlament, por të huajt? Përse opozita për të vënë në vend dinjitetin e vet nuk ka mjete brenda sistemit tonë, të ashtuquajtur demokratik, por i duhet t’u drejtohet të huajve? Këtyre pyetjeve që flasin për mungesë demokracie në vend e të tjerave rreth tyre, – si p.sh. sa duhet t’ia atribuojmë këtë sëmundje të kaluarës totalitare dhe sa duhet t’i kërkojmë rrënjët e saj në sistemin e ri që kemi ngritur – ka ardhur koha t’u jepet një përgjigje e qartë, të identifikohen mirë përgjegjësit dhe të kërkohet një zgjidhje serioze, jo si kjo e fundit.

    ***
    Si parantezë më duhet të them se për konfliktualitetin midis partive në demokraci dhe faktin se ato shpenzojnë shumë energji në luftë me njëra-tjetrën, ka studime edhe në botën demokratike. Ka nga ata, madje, që thonë se më efikas sesa sistemi kompetitiv/konfliktual midis partive – siç është në përgjithësi ai perëndimor – vlen sistemi zviceran, i cili quhet sistem bashkëpunues ku, pas zgjedhjeve, zgjidhet një qeveri me ministra nga të gjitha partitë, varësisht nga përqindja e votave që ka marrë njëra apo tjetra, kurse vendimet e rëndësishme merren me referendum.
    Nuk dua me këtë rast të propozoj sistemin zviceran, sepse, me sëmundjen që kemi ne, partitë tona do ta pervertonin atë në monopartitizëm fashist, por thjesht të zgjeroj këndvështrimin e problemit. Dhe jo si ngushëllim, por për të vënë në dukje se konfliktualiteti dhe destruktiviteti ynë janë një përjashtim në raport me demokracitë që përmenda – në rastin më të mirë mund të quhen një karikaturë e tyrja. Sipas meje, një çerek shekulli destruktivitet i tillë janë jo vetëm shenjë dështimi e kësaj klase politike, por edhe një gjë e turpshme, shumë e turpshme për atë se si na bën ajo të ndihemi përpara vetes dhe përpara botës. Imagjinoni se si mund të tallet Kukani me të njohurit e vet kur bie fjala për udhëtimet e tij të shpeshta në Tiranë për këtë muhabet. Por unë do të thosha se është tregues dështimi dhe punë e turpshme jo vetëm për ne, por edhe për këta europianët që nuk reshtin së përgatituri vizita e më the të thashë për të pajtuar politikanët tanë. Kjo histori është bërë tashmë si një serial televiziv banal, ku një herë në gjashtë muaj apo në vjet do të na vijë Fyle apo Kukan apo ku di unë e do të na pajtojnë udhëheqësit tanë. Në fakt, ka gjasa që Kukani, kur tallet me ne, u thotë miqve të tij edhe: shyqyr që ka ende kokëmushka si shqiptarët në Europë. Por, për mendimin tim, edhe Europa nuk ka të holla të tepërta për fluturime e shpenzime kësisoj të Kukanit e të tjerëve.

    ***
    Që askush nuk e merr më seriozisht brenda vendit një lojë të tillë si marrëveshja e fundit, këtë e di edhe bufi, besoj se edhe Kukani. Treguesi më i qartë i kësaj është fakti se ndërkohë që njëra nga kërkesat e rezolutës mbi futjen e opozitës në Parlament ishte dekriminalizimi i tij nga deputetët e ashtuquajtur me precedentë kriminalë, atë e votuan që të gjithë kriminelët. Sikurse është shkruar tashmë në shtyp, ajo nuk është tjetër, veçse një marrëveshje për të vazhduar mosmarrëveshjen, që është si oksigjeni për këta fëmijë të rritur që kemi në krye të vendit tash njëzet vjet, pasi është e vetmja gjë që dinë të bëjnë. Prandaj, kush kërkon vërtet ndryshimin e gjërave në këtë vend, duhet të kërkojë rrugë të ndryshme nga këto që kanë mbi njëzet vjet që dështojnë. E për këtë, sikurse e thashë më sipër, duhet të identifikohen më së pari sëmundja e përgjegjësit, dhe pastaj të kërkohen “kurimet” ndryshe.

    Mbi përgjegjësit
    Sipas meje, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, përgjegjësia kryesore duhet kërkuar në faktin se partitë tona sillen si dy parti totalitare (ose banda të denja për nënën që i ka pjellë) në një luftë civile pa armë me njëra-tjetrën, për të vendosur kontrollin e sundimin e tyre përfundimtar në vend. Kjo fitore nënkupton vendosjen në pushtet të administratës së tyre, të gjykatave të tyre, të bizneseve të tyre, të shoqërisë civile të tyre, të mediave të tyre, të artistëve dhe shkrimtarëve të tyre etj. Për të realizuar këtë, ato bëjnë gjithçka për të forcuar pushtetin e tyre dhe për të dobësuar pushtetin e tjetrës. Dhe kjo është mënyra e tyre e të bërit politikë. Nuk dinë dhe nuk mund të bëjnë ndryshe për të ardhur apo ndenjur në pushtet, ashtu sikurse partia mëmë nuk dinte e nuk mund të bënte ndryshe për të sunduar, përveçse duke izoluar Shqipërinë dhe duke vrarë e burgosur njerëzit që nuk i ndiente tërësisht nën kontrollin e nën gjunjët e saj.
    Trashëgimia e së kaluarës është vetëm njëri faktor i kësaj sëmundjeje. Tjetri ka të bëjë me sistemin kriminal të pasurimit nëpërmjet pushtetit politik, që është instaluar këta njëzet e kusur vjet, për të cilin kam shkruar po ashtu më se një herë.

    Mbi kurimin
    Për mua ka vetëm një ilaç për të ndryshuar këtë gjendje: këto parti duhen të ridimensionohen në pushtetin e tyre. Ato nuk duhet të kenë pushtetin që kanë për të vendosur mbi administratën, gjykatat, Prokurorinë, Presidencën, biznesin, mediet, shoqërinë civile, shkrimtarët dhe artistët, e me radhë.
    Ja p.sh., në rastin konkret PD-ja u drejtohet të huajve me kërkesën që PS të heqë nga Parlamenti disa kriminelë, që deri edhe i kanë rrahur deputetët e saj. Po ashtu, ajo u kërkon atyre që maxhoranca të pranojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Po a nuk tregojnë këto se as mediat, as shoqëria civile dhe as intelektualët, shkrimtarët dhe artistët nuk kanë forcën e duhur për të denoncuar këta kriminelë dhe për të ushtruar presion që njerëz si këta të mos zgjidhen si përfaqësues të popullit? A nuk tregojnë këto se Gjykata jonë Kushtetuese nuk ka pushtetin që duhet të ketë për të imponuar vendimet e saj? Sigurisht që po. Po pse? Sepse është maxhoranca që i ka vetë në dorë ato. A mund të guxojë kush në një vend vërtet demokratik të kundërshtojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese – siç ka bërë kjo maxhorancë? Kurrsesi jo. Ashtu sikurse nuk mund të guxojë kush në një vend demokratik të akuzojë Presidentin dhe prokuroren e Përgjithshme si puçistë, siç ka bërë maxhoranca paraardhëse.
    Ja që këtu, te pakësimi i pushtetit të këtyre partive, në emër të forcimit të pushtetit të institucioneve të pavarura prej tyre, sipas mendimit tim, fillon problemi dhe që këtu duhet kërkuar zgjidhja, që do të çojë, tek e fundit, në zbritjen nga pushteti të kapove të këtyre bandave dhe vendosjen në pushtet të ligjit, ndryshe të shtetit të së drejtës. “Rilindja” e Edi Ramës në këtë aspekt është një katastrofë, ashtu siç ka qenë “Shqipëria po ndryshon” e Sali Berishës, sepse kryetari i maxhorancës vazhdon të punojnë me ethe të madhe për forcimin e pushtetit të partisë së tij në kurriz të institucioneve të tjera. Dhe, sa të vazhdojë kjo gjendje, me Kukan dhe pa Kukan, nuk mund të ketë bashkëpunim e dialog të vërtetë, por vetëm luftë ose nënshtrim.
    Po si mund të arrihet pakësimi i pushtetit të partive kur kjo shkon ndesh me interesat e tyre?
    Së pari, besoj se kjo nuk shkon krejtësisht ndesh me interesat afatgjatë të partive, sepse nëse brenda partive nuk dalin njerëz të mençur që të shohin më larg, herët ose vonë me këtë mendësi totalitare pushteti i tyre do të vdesë, sepse ka ardhur gjithnjë e duke u delegjitimuar (ja pse një hap i rëndësishëm duhet të jetë demokratizimi i partive, në mënyrë që ato të mos kenë në krye të njëjtët njerëz që, për interesat e tyre, i ngurtësojnë gjërat në mënyrë të përjetshme.) Një PD, që do të kishte nxjerrë mësime nga e kaluara dhe që, duke qenë në opozitë, e ndien peshën dhunuese të pushteteve që akumulon maxhoranca, mund të punonte për uljen e pushtetit të saj të nesërm dhe forcimin e pushteteve të pavarura prej saj, gjithë duke rritur simpatinë dhe ndikimin në vend. Por gjer më sot ajo s’po sillet kështu, por po ripërsërit gabimet e së kaluarës, duke shpresuar vetëm te dështimi i kundërshtarit – çka thjesht do të vazhdonte traditën e spirales zbritëse.
    Së dyti, mendoj se, pavarësisht partive, presioni kryesor për ndryshim duhet të vijë nga shqiptarë që e kanë vuajtur dhe vazhdojnë ta vuajnë këtë spirale. Janë ata – jo perëndimorët – që duhet të imponojnë edhe marrëveshjet midis partive, nëse bëhet fjalë që fundi i këtij destruktiviteti mund të arrihet nëpërmjet një marrëveshjeje midis tyre. Vetëm ata mund të imponojnë një marrëveshje – jo si kjo e fundit, – por një marrëveshje që partitë të hyjnë në Parlament të çarmatosura jo vetëm nga kriminelët që kanë vrarë apo kanë qenë në burg, por edhe nga armë të tjera që nuk duhet të jenë të tyret, si institucioni i Presidentit, gjykatat, administrata, mediet, bizneset, shoqëria civile, shkrimtarët, artistët etj. etj.


    Panorama

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,399
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Marëveshja mazhorancë-opozitë: Ligj për pastrimin e Kuvendit nga deputetët krimi

    Dekriminalizimi, një mision

    Tritan Shehu

    Objektiv i europarlamentarëve Kukan dhe Fleckestein në Shqipëri, përfaqësues zyrtarë të të dy krahëve politikë të PE, siç e kanë formuluar ata, është: “Për të inkurajuar të gjitha partitë politike që të angazhohen në procesin e dekriminalizimit të Parlamentit dhe të institucioneve të tjera publike”. Është hera e parë që dëgjojmë një konkluzion të tillë kaq të dhimbshëm e dramatik për vendin tonë. Këtu jepet një konstatim konkret për Kuvendin, së bashku me institucione të tjera. Askush nuk mund tashmë ta mohojë këtë, as vetë maxhoranca.
    Gjithçka shpërtheu si rastësisht nga një dhunë e përdorur në Kuvend ndaj deputetëve të PD. Në fakt, shpërtheu mbi një terren të saturuar me individë e fenomene të tilla, brenda apo jashtë asaj salle, e lidhur kjo edhe me pasojat negative periferike të goditjes së Kodit të Nëpunësit Civil me aktin normativ. Shpërtheu për të dhënë alarmin e për t’u treguar të gjithëve se nesër do të jetë tepër vonë, se po luhet me të sotmen e të ardhmen tonë. Këtu nuk flitet vetëm për një nivel korrupsioni, për injorancën apo paaftësinë që takohet jo rrallë që nga Kuvendi deri në mjaft nga nivelet e drejtimit të institucioneve tona, por për shumë më tepër, për “kriminalizim” të tyre. Në fakt, duhet ta pranojmë se kombinimi i korrupsionit, paaftësisë, diplomave të falsifikuara apo të blera (vepër kriminale dhe kjo), me institucione te dobëta të çojnë herët a vonë në kriminalizim të tyre. Tashmë një gjë e tillë pranohet si e vërtetë nga të gjithë, dhe nga partnerët apo institucionet ndërkombëtare. Pra, sot në këtë drejtim nuk kemi më asgjë për të “mbrojtur” apo mbajtur të fshehtë. Unë do ta konsideroja pozitiv faktin që po arrihet të identifikohet e vërteta. Dhe kjo erdhi në sajë të një politike këmbëngulëse, të guximshme të PD. Ishte ky qëndrim i saj, ishte mbështetja që ajo krijoi brenda apo jashtë vendit me forcën e saj argumentuese përpara opinionit tonë dhe atij ndërkombëtar, që më së fundmi kjo e vërtetë e hidhur të jetë mbi tavolinë, duke kërkuar veprime energjike të të gjithëve për ta përballuar. Në rast të kundërt, e nesërmja është e errët dhe çdokush do të ketë të drejtë të pyesë “quo vadis”?
    Në këtë betejë të parë politikisht PD fitoi. Edhe vendi në fakt deri më tashti veçse ka fituar. Por kjo “fitore” është akoma e pjesshme. Fitorja e plotë mbi krimin, korrupsionin, mediokritetin varet nga hapat e mëtejshëm. PD-së nuk do t’i mungojë vullneti politik, qartësia e mendimit për t’u përballuar me tej. Le të shpresojmë se kësaj do t’i mbivendoset dhe gatishmëria e nevojshme e palës tjetër, gjë që ende nuk është e qartë. Sidoqoftë, unë jam optimist së tashmë që diagnoza është pranuar, trajtimi e minimizimi i të keqes mund të arrihet. Kam bindjen që dhe shumica e kolegëve të majtë dëshirojnë të njëjtën gjë, një të ardhme të sigurt e europiane, aspak kriminale.
    Sidoqoftë diçka është e qartë, dekriminalizimi i Kuvendit, pushtetit lokal apo i institucioneve shtetërore e partiake, që sot e tutje është një mision. PD me përpjekjet e saj tregoi që “fatkeqësisht” kishte të drejtë në akuzat e kërkesat që paraqiti. Ajo arriti të qartësojë kështu një realitet negativ, që pëshpëritej, flitej, por që nuk pranohej zyrtarisht. Pikërisht për këtë arsye ajo ia doli të ketë mbështetjen popullore dhe ndërkombëtare në këtë “ndërmarrje”.
    Tashti duhet të fitohet dhe beteja e dytë, më e vështira, ajo e “pastrimit”. Dhe ky është misioni i ardhshëm i PD ndaj Kuvendit e institucioneve. Pa dyshim për të arritur suksesin ka një nevojë absolute për bashkëpunim me të gjitha personalitetet, segmentet, grupimet, forcat politike, që në tërësi mezi presin të çlirohen nga pesha e krimit, e të korruptuarve, e të paaftëve. Ka nevojë që në këtë proces të përfshihen institucionet, ato të linjës, mediat, foltoret, sheshet, opinioni ynë publik në tërësi, si dhe të jemi të hapur për çdo asistencë apo informacion nga partneret e strukturat ndërkombëtare. Menaxhimi i këtij misioni drejt suksesit është shumë kompleks dhe i gjithanshëm. Në këtë rrugëtim, përgatitja e menjëhershme e një kuadri ligjor për të “pastruar” së pari Kuvendin, që gjatë kësaj legjislature e në një bashkëpunim të gjerë, duke rivlerësuar dhe “veprimtaritë” e jo pak “VIP”-ave brenda apo jashtë kufijve tanë, përbëjnë disa nga hapat që duhet të hidhen. Paralelisht, e njëjta gjë vlen dhe për shumë nga institucionet tona.
    Nga ana tjetër, konkluzione të qarta duhen bërë dhe mbi ligjin aktual elektoral, i cili për mendimin tim ishte një dështim me produktin që dha. Largimi nga maxhoritari është një nga elementet që përkeqësoi gjendjen. Sa më shumë njerëz të të votojnë apo të të përzgjedhin, aq me i vogël është dhe koeficienti i gabimit.
    Nën këtë logjikë duhet menduar për të ndryshuar dhe atë Kod në sistem, si dhe për të fuqizuar e përsosur “filtrat” e tij. Mund të kthehemi te maxhoritari ose më mirë mund të aplikohet një proporcional rajonal me 3-5 rajone të mëdha për të evituar interferencat meskine, por gjithmonë i bazuar ky mbi votën preferenciale ndaj kandidatëve. Gjithashtu dëshiroj të kujtoj se Presidenti ka dekretuar zgjedhjet e ardhshme administrative. Në ato nivele ka po ashtu “të zgjedhur” që mbartin të njëjtën “sëmundje”, gjë e cila duhet parandaluar rigorozisht këtë radhë.
    I shpreha sot këto mendime për të treguar që ky proces dekriminalizimi do të jetë i komplikuar e i gjatë. Por sidoqoftë, ai duhet filluar sa më parë nga Kuvendi e për t’u shtrirë më tej drejt institucioneve. Mundësi tjetër suksesi për ne nuk ka. Dhe pikërisht në këtë fazë të re të kësaj beteje PD-së i takon e do të ruajë përsëri rolin lider të saj. Kjo pa dyshim duke përdorur mjete të ndryshme e të shumëllojshme në këto përpjekje, bashkëpunimet më të gjera të mundshme, për të krijuar kështu një front sa me të fuqishëm dhe gjithëpërfshirës në realizim të këtij misioni të ri.

    Panorama

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •