Tiranë, dy vajza kallëzim të rremë në polici: Na përdhunuan
Tiranë, dy vajza kallëzim të rremë në polici: Na përdhunuanTIRANE- Dy vajza, 17 dhe 19 vjeçe, janë shpallur fajtore nga Gjykata e Tiranës për shkak se kanë bërë kallëzime të rreme në polici duke pretenduar se ishin përdhunuar. Në denoncimet e gënjeshtërta, 17-vjeçarja A. A. ka “drejtuar gishtin” te kushëriri i saj i parë si personi që e kishte abuzuar. Para oficerëve të policisë ajo ka rrëfyer se ishte përdhunuar prej tij që në moshën 7-vjeçare. Ndërsa 19-vjeçarja I. E. ka kallëzuar një të njohurin e saj, të cilit i kishte kërkuar strehë për disa net. Sipas saj, ai e kishte droguar me hashash dhe pastaj e kishte përdhunuar. Në të dyja rastet, pa lidhje me njëri-tjetrin, vajzat janë penduar dhe kanë treguar të vërtetën, se kishin gënjyer në kallëzimet e tyre. Më pas ato kanë përfunduar si të pandehura në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Në vendimet e fajësisë, të shpallura ditët e fundit, gjykata dënon me 6 muaj burg të miturën A. A., ndërsa 19-vjeçarja është dënuar me 9 muaj burg. Përfundimisht, togat e zeza kanë vendosur lënien e tyre në liri me kusht, përkatësisht në periudha një vit e 6 muaj dhe 2 vjet.
KALLËZIMET
Sipas vendimit të gjykatës, A. A. kallëzoi kushëririn e saj për përdhunim në shkurt të vitit 2013. Ajo ka pretenduar se kushëriri kishte kryer marrëdhënie seksuale kur ajo ishte në moshën 7 vjeç. “Kallëzuesja pretendon se nuk u ka shpjeguar prindërve për ngjarjen, ngaqë kushëriri e ka paralajmëruar se do t’u thoshte prindërve të saj që kishte qenë dëshira e saj për të kryer marrëdhënie. Në kallëzim A. A. ka theksuar se ka kryer edhe më pas marrëdhënie seksuale me kushëririn, sa herë që i jepej rasti, kur ata ndodheshin vetëm me njëri-tjetrin. Sipas kallëzueses, rasti i fundit që ka kryer marrëdhënie me të ka qenë para dy vitesh”, thuhej në vendim. E pandehura tjetër, I. E. kallëzimin e saj të rremë e ka bërë në qershor të vitit të kaluar. Ajo ka rrëfyer se kishte ikur nga shtëpia pas një zënke me nënën e saj dhe i ka kërkuar strehë një të njohurit të saj. Sipas saj, ky i fundit, pasi i ka dhënë një cigare hashash, ka kryer marrëdhënie seksuale me të kundër dëshirës së saj. Në të dyja rastet, personat e akuzuar nga vajzat kanë mohuar thëniet e kallëzueseve, çka është provuar më pas edhe me “pendesën” e dy të pandehurave.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)
http://www.balkanweb.com/kryesore/1/...an-176466.html
Krijoni Kontakt