LDK kryeson Prishtinën, pretendon Kosovën
Siç me gjasë pritej se do të bënin të gjithë, kryetari i të ashtuquajturës Partia e Fortë, e futur në zgjedhjet lokale të Kosovës vetëm për të ironizuar sistemin, shpalli i pari fitoren në Prishtinë. Por ndërsa “Kryetari Lexhendar” e bën këtë me ironi, drejtuesit e partive kryesore në vend shpejtuan të shpallnin fitore në zgjedhjet lokale, që u zhvillua dje të qeta në të gjithë vendin, përjashto komunat serbe në Veri ku banda të maskuara ndërhynë në qendra të votimit duke i shkatërruar ato. Rezultatet paraprake ndërkohë tregojnë për supriza në zgjedhje. Prishtina duket se do të kalojë në balotazh dhe kryetari aktual njëkohësisht kreu i LDK Isa Mustafa do të përballet në balotazh me rivalin më të afërt që është Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, duke spostuar Agim Çekun, kandidatin e PDK-së të tretin në rradhë. Nga ana tjetër zgjedhjet në Veri dështuan sërish. Lista serbe kërkoi që ato të mos njiheshin dhe anulloheshin, ndërsa ende nuk dihet çfarë vendimi do të merret.
Fitore
Por përtej këtyre rezultateve forcat politike shpallën thuajse të gjitha fitore në zgjedhje.
PDK (Partia Demokratike e Kosovës) e kryeministrit Hashim Thaçi shpalli “fitore bindëse” përmes zëdhënësit saj, duke theksuar rritje në të gjitha komunat dhe shtuar se për Prishtinën do të kishte një balotazh. Isa Mustafa i LDK, njëkohësisht kryekomunar i Prishtinës, shpalli po ashtu fitoren në mbarë vendin dhe njoftoi se partia e tij ishte kthyer si forcë e parë në vend duke fituar disa komuna pa balotazh. Vetëvendosje, AKR dhe AAk, po ashtu kanë folur për fitore ndërsa sipas rezultateve të para kandidatët e këtyre partive udhëhiqnin në disa qytete ose pritet të jenë në balotazh. Rezultatet jo zyrtare në Kosovë shohin një spostim të PDK-së qeverisëse në parti të tretë në kryeqytet ku pritet një balotazh mes kreut të LDK-së Isa Mustafa dhe kandidatit të Vetëvendosjes Shpend Ahmeti. Ndërkohë garat janë të hapura edhe në qytetet e tjera të mëdha. PDK kryeson në Prizren, Mimoza Kusari Lila e AKR udhëheq në Gjakovë, ndërsa kandidatët e LDK në Gjilan dhe Pejë. Ajo që bie në sy në pjesën më të madhe të komunve pavarësisht shpalljes së fitores, është fakti se vetëm një pakicë e kandidatëve po e sigurojnë atë pa balotazh.
Pjesëmarrja
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë të ditur se pjesëmarrja në votimet për pushtetin komunal ka arritur në 45.79 për qind, duke mos i llogaritur katër komunat në veri të Kosovës. Në këtë për qindje është llogaritur pjesëmarrja në këto komuna deri në orën 15:00. KQZ ka kërkuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të ndihmojë në bartjen e materialit zgjedhor nga komunat në veri të Kosovës, në qendrën e numërimit. Kjo situatë vjen si pasojë e sulmeve që kanë ndodhur në disa qendra votimi në veri të vendit, kryesisht në veri të qytetit të Mitrovicës. Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi ka thënë se “banda serbe në veri në mënyrë të organizuar, në disa raste të maskuara e të tjera të pamaskuara janë futur nëpër qendra të votimit në veri për të shkatërruar materialet zgjedhore”. Sipas Dushit, kishte raste kur materiali zgjedhor ishte shkatërruar, por edhe kur kishte shpëtuar dhe është kthyer në vendin përkatës.
Ndërhyrja
Zëvendëskryeministri i Serbisë kërkoi leje të çuditshme dje pasdite duke premtuar se do të kthente në 45 minuta qetësinë në Veri të Kosovës nëse lejohej që të ndërhynte pas sulmeve në disa qendra votimi nga radikalë serbë që tentuan të prishnin votimin. Më herët gjatë gjithë ditës grupe radikalësh frikësuan zgjedhës dhe votues të mundshëm duke mos i lejuar të shkojnë në qendra votimi. Mediat në Kosovë raportojnë për dështim të votimeve në Veri. Ndërkohë në përgjigje të Zëvendëskryeministrit të Serbisë, homologi i Kosovë cilësoi se çdo tentativë e tillë do të quhej prekje e sovranitetit, ndërsa deklaroi se policia dhe forcat e NATO-s e EULEX e kishin nën kontrol situatën në komunat em shumicë serbe në Veri të vendit. Përkundër kësaj serbët në disa komuna në Jug të vendit kanë dalë masivisht në zgjedhje, madje më shumë se sa shqiptarët. Vëzhguesit i kanë cilësuar zgjedhjet të mira dhe demokratike, duke mos llagaritur Veriun e vendit ku mesa duket procesi ka dështuar. Sipas Evropa e Lirë, Botasot dhe Express
MAPO
Krijoni Kontakt