Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj prej të premtes edhe zyrtarisht nuk do të jenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, meqë po e formojnë partinë e tyre të re. Ata të enjten përmes rrjeteve sociale kanë njoftuar se të premten pasdite në Prishtinë e zyrtarizojnë subjektin e tyre të ri politik.
Në një artikull që e ka postuar në profilin e tij, në rrjetin social “Facebook”, kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka folur për një qeverisje të mirë, të lirë e të përgjegjshme. E miku i tij, Fatmir Limaj, po ashtu përmes këtij rrjeti social ka bërë thirrje për t’iu bashkuar subjektit të ri politik që ata dy do ta themelojnë.
“Të nderuar miq, përkrahës dhe qytetarë, dëshiroj t’ju njoftoj se nesër, e premte, më datë 28.2.2014, duke filluar nga ora 17:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë do të mbajmë tubimin e zyrtarizimit të subjektit tonë të ri politik”, ka shkruar Limaj të enjten.
E Krasniqi ka qenë më i gjatë në postimin tij.
Për ish-sekretarin e përgjithshëm të PDK-së, qeverisje të mirë ka aty ku ka përgjegjshmëri, aty ku jepen orientimet strategjike të zhvillimit, aty ku planifikohen perspektivat e vendit, aty ku objektivat e planifikuara përmbushen në tërësi, aty ku rreziqet e mundshme për siguri e stabilitet të vendit menaxhohen mirë, dhe kanë dhënë rezultate të pritshme, aty ku të gjitha burimet që i kanë pasur në pronësi janë përdorur në mënyrë të përgjegjshme, efikase e në bazë të rregullave të qarta ligjore.
“Qeverisja e mirë kujdeset që të respektojë e të mbrojë interesat e qytetarëve dhe të bëjë të mundur që zërat e tyre të dëgjohen në drejtimin e punëve të shtetit. Qeverisja e mirë mbështetet në disa trekëndësha apo shtylla mbi të cilat duhet të mbështetet Qeveria, po i japim disa sosh”, ka shkruar, mes tjerash, Jakup Krasniqi.
http://www.koha.net/?id=27&l=1373
Krijoni Kontakt