DOSSIER/ Fet ish -kandidati i Byrosë Politike Llambi Gegprifti

Një fejesë, "një gabim", një tronditje e madhe, Mehmeti në bankën e të akuzuarve

-Takimet me Perez de Cuellar, Bejker me Nënë Terezën

- Kërkesa e Nënë Terezës ishte hapte një azili për pleq

- Një letër falënderimi nga Nënë Tereza

- Një kthim prapa, pyetja e Enverit, kur ndihesh keq

- Pjesëmarrës në takimet ballkanike, në Beograd në zyrën e Millosheviçit

-Si më ndihmoi Kadareja për fjalimin e Beogradit


Me porosi të Enverit, Mehmeti bëri një autokritikë, të cilën udhëheqësi e konsideroi jo të thellë e të plotë, prandaj ia ktheu, duke i thënë Mehmetit të bënte një autokritikë tjetër. Këtë autokritikë e lexuam të gjithë ne, anëtarët e Byrosë Politike dhe u porositëm që të përgatiteshim për të diskutuar në një mbledhje, e cila u zhvillua më vonë.

Si gjithë të tjerët, edhe unë e lexova autokritikën e Mehmetit, i cili, në thelb, pranonte gabimin që kishte fejesa e djalit të tij, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut. Ishte i njohur fakti që Qazimi kishte lidhje gjaku me Arshi Pipën, i cili "fliste keq për Partinë dhe Enverin dhe në përgjithësi për socializmin". Ai ishte konsideruar si armik i egër i vendit tonë. Nisur nga ky fakt, ne të gjithë, bashkë me ata edhe unë, e dënuam Mehmetin për këtë gabim. Pse e kishte bërë ai këtë gabim? Për diçka të tillë Partia merrte masa deri në përjashtimin nga Partia për një komunist të thjeshtë. Kështu që ajo nuk mund të mbante një qëndrim të ndryshëm për Mehmetin dhe qëndrim tjetër për një komunist të thjeshtë. Në atë mbledhje i bëra dhe disa pyetje Mehmetit. E vërteta është se gjatë diskutimit tim theksova aftësinë, përgatitjen, përvojën e madhe, seriozitetin, aftësitë drejtuese, metodën dhe stilin e punës të Mehmetit si dhe shumë të tjera, nga të cilat kisha mësuar jashtëzakonisht. Nisur nga këto, shpreha bindjen se Mehmeti i ka të gjitha kapacitetet dhe aftësitë që ta kuptojë gabimin e bërë dhe t'i përvishet me të gjitha forcat punës për të realizuar detyrat e mëdha që na ka shtruar Partia dhe shoku Enver. Por ndodhi ajo që ndodhi... Ajo që ende ka mbetur enigmë. Këtë ngjarje të rëndë e përjetuam të gjithë me dhimbje të madhe. Kjo na tronditi të gjithëve ne, shokëve të tij, me të cilin kishim punuar, duke e patur në krye për shumë vite me radhë si Kryeministër dhe Ministër të Mbrojtjes. Më pas u dha porosi që të dënohej veprimi i tij. Ai u cilësua që në fillim si armik, nga i cili duhej të distancoheshin të gjithë. Enveri dha porosi që diskutimet tona në mbledhjen e Byrosë Politike të lexoheshin të gjitha, në radhë të parë para Plenumit të KQ dhe, më pas, në të gjitha Plenumet e Komiteteve të Partisë të rretheve. Në mbledhjen e Plenumit të KQ, një shok, që ishte ulur afër meje, pasi e dëgjoi diskutimin tim, tha: -Si shumë besim paske ti, Llambi, tek Mehmeti! Por, aty për aty, një shok tjetër, Behar Shtylla, i përgjigjet -Kur Llambi foli kështu, kjo ngjarje nuk kishte ndodhur, Mehmeti ishte gjallë. Parafolësi nuk vazhdoi më tej, por e la me kaq.

Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, dy herë

Detyra e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës ishte tepër e vështirë, por kishte dhe anët e veta pozitive. Në këtë detyrë m'u dha mundësia të takoja dhe të bisedoja me shumë personalitete të larta, diplomatë, thuajse me të gjithë ambasadorët e vendeve të huaja të akredituar në Shqipëri. Ndër personalitetet e dëgjuara të kohës, që i kam takuar personalisht; ishin edhe Perez de Cuellar, Bejker e të tjerë. Por i paharruar do të mbetet për mua takimi me Nënë Terezën. Ishte hera e dytë që Nënë Tereza kishte ardhur në Shqipëri. U takova me të tri herë: dy herë në Komitetin Ekzekutiv, kurse herën e tretë Nënë Terezën e takova, së bashku me Fanikën, (e ftuar nga ajo) në shtëpinë e fotografit Petrit Kumi, ku Nënë Tereza ishte mike e kësaj familje. Petriti banonte në shtëpinë e tij të vogël në Tiranë. Në këtë kohë Petriti më shtroi një kërkesë, t'i siguroja një hyrje për një të afërmin e vet. Por një kërkesë të tillë unë nuk mund t'ia plotësoja dot aq shpejt sa e kërkonte ai. Edhe sot ndjej keqardhje për këtë, pasi me Petritin kisha edhe shoqëri.

Por le të kthehem tek takimet me Nënë Terezën

Një grua e jashtëzakonshme, që më ka lënë mbresa të mëdha. Misionarja me famë botërore, shqiptare në origjinë, ishte një grua tepër e zgjuar, me një vullnet e shpirt të paepur, një njeri me një humanizëm të lartë, të pakrahasueshëm. Ajo dëshironte me gjithë zemër të ndihmonte të gjithë njerëzit në të katër anët e rruzullit tokësor, por veçanërisht ajo kishte më për zemër t'u vinte në ndihmë të varfërve, atyre që ishin ekstremisht në kushte të vështira jetësore dhe shëndetësore. Tema kryesore e takimit të saj me mua ishte sesi ne të ngrinim në atë kohë disa pika, në të cilat ajo dëshironte të shpërndante ushqime dhe supë për familje të varfra në periferi të Tiranës. Veprimi i saj konkret ishte hapja e një azili për pleq. Shtëpia, që i plotësonte më së miri kërkesat për një funksion të tillë, ishte shtëpia ime e banimit në Rrugën e Elbasanit, të cilën unë ato ditë e kisha lënë dhe kisha shkuar të banoja në një shtëpi të re, një apartament që për mua ishte i mjaftueshëm. Me këtë rast theksoj këtu se unë shkova të banoja në të njëjtin apartament, ku kisha qenë para se të shkoja të banoja tek vila, rezidencë qeveritare, e cila, ashtu si edhe vilat e tjera në të cilat banonin anëtarë të udhëheqjes së kohës, ruhej nga gardistë. Isha i pari nga anëtarët e udhëheqjes që u shkëputa nga Blloku, që lashë vilën komode dhe shkova tek i njëjti pallat, ku kisha qenë përpara se të merrja funksione të larta partiake dhe shtetërore.

Kështu vendosa që vila, në të cilën kisha banuar, t'i jepej Nënë Terezës. Për këtë u mor një vendim i KE të rrethit. Kjo gjë e gëzoi shumë Nënë Terezën, e cila nuk vonoi shumë dhe më dërgon një letër falënderimi. Një letër e mbushur plot me fjalë të ngrohta, të cilat vetëm ajo dinte t'i shkruante në atë mënyrë. Letra e Nënë Terezës, si dhe fotografia në të cilën kemi dalë bashkë me të, për mua dhe familjen time janë ndër kujtimet më të bukura të jetës sime. Nuk kaloi shumë kohë dhe emërohem për të dytën herë kryetar i Kom. Ekz. për Tiranën, ku kishte shumë probleme, të cilat jo rrallë ishin tepër të vështira, pasi kishin të bënin me banorët e qytetit të Tiranës. Kishte kërkesa të mëdha, sidomos për strehimin. Mjafton të thuhet se çdo vit kërkesat rriteshin dy herë më shumë sesa ne kishim mundësi për t'i përballuar ato përmes ndërtimit të banesave.

Pjesëmarrës në takimet ballkanike, në Beograd në zyrën e Millosheviçit

Në vitin 1989 shkoj i ftuar në takimin e kryetarëve të Bashkive të kryeqyteve të Ballkanit, i cili nisi si një iniciativë për takime të tilla të përvitshme, sipas radhës, në kryeqytetin e çdo vendi ballkanik. Takimi i parë u zhvillua në Jugosllavi, në kryeqytetin e saj Beograd. Njoftohem për këtë takim dhe menjëherë nisa të mendoja se çfarë do të diskutoja në këtë takim. Do flisnin të gjithë. Përgatita një diskutim të shkurtër 10-15 faqe, të cilin e konsultova me shumë figura të shquara të vendit tonë. E diskutova edhe me shkrimtarin e shquar të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili më priti në shtëpinë e tij. Ai ma aprovoi atë, duke më thënë: -E ke mirë fjalën që do të mbash atje. Thelbi i shkëmbimit të mendimeve tona duhet të kishte në qendër të tyre rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. Kadare, me përvojën e tij të madhe, nga njohja e shumë kryeqyteteve, por edhe nga kultura e tij shumë e gjerë, më sugjeroi se do ishte mirë që edhe në Tiranë të kemi një rrugë, ku të kalojnë vetëm këmbësorët dhe kjo të shërbejë si një shëtitore për qytetarët, ku ata të ecin lirshëm. E pëlqeva këtë mendim dhe i premtova Ismailit se do ta realizoj këtë ide në Tiranë në të ardhmen...

Kur do nisesha për në Beograd, një ditë më parë, vjen në Pogradec ambasadori ynë në Beograd, një djalë me shumë kulturë. Ai njihte shumë mirë disa gjuhë të huaja, kishte dhe një njohje të gjerë për politikën tonë të jashtme.

Atë natë qëndrova bashkë me të në Pogradec, nga ku të nesërmen u nisëm për në Beograd Kaluam nga Qafë- Thana, në pikën kufitare kishte dalë për të na pritur Kryetari i Bashkisë së Ohrit. Pasi pimë me ‘të një kafe në Strugë, u nisëm sërish për rrugë, drejt Beogradit. Udhëtuam disa orë rresht; pa ndërprerje. Më në fund arritëm në Beograd Kryetari i Bashkisë të këtij kryeqyteti na bëri një pritje të përzemërt; duke na dhuruar nga një shportë me lule dhe fruta. Darkuam, pastaj shkuam në hotel për të fjetur. Të nesërmen filloi mbledhja. Atë e drejtonte kryetari i kësaj bashkie, i cili me radhë na e dha fjalën të gjithëve. Të nesërmen na priti në zyrën e tij Millosheviçi, i cili, duke na takuar të gjithëve një për një, na thotë: -Në cilën gjuhë kini dëshirë t'ju flas? Ne, sigurisht, iu përgjigjëm: anglisht! Ai foli në mënyrë të përmbledhur, duke e vënë theksin në rëndësinë që kishin takime të tilla për të gjithë ne. Në bisedë e sipër, duke u drejtuar nga unë, ai tha:-Për shembull, është me interes që ne të njohim problemet që ka Tirana, sikurse është mirë që dhe ajo të njohë problemet që ka Beogradi. Pasi foli në mënyrë të përmbledhur, u nda nga ne miqësisht. Gjatë pushimeve unë bëra disa biseda dhe takime me kryetarët e shteteve të tjera. Kur u ktheva në Tiranë, shumë njerëz më thonin me shaka nuk ta japim dorën, se ti ke takuar Millosheviçin...

Në Athinë

Pas takimit të Beogradit do shkoja, sipas radhës, në Athinë. Atje unë u ftova, përjashtimisht nga kryetarët e tjerë të Bashkive, së bashku me bashkëshorten time, Fanikën. Në kryeqytetin grek u akomoduam në një hotel të bukur buzë detit. Të nesërmen filluam mbledhjen. Ishim ulur në një sallë shumë të bukur. Mbledhjen e drejtonte Nikola Jatrakos, i cili ma dha mua fjalën të parit, por menjëherë ndërhyri Kryetari i Bashkisë së Ankarasë, i cili tha: -Radha më takon mua të flas, se jam Kryetari i Bashkisë së Ankarasë, që fillon me shkronjën "A"... U krijua një situatë disi e vështirë. Po të gjykohej me kriterin e rendit alfabetik, Kryetari i Bashkisë së Ankarasë kishte të drejtë. Për një moment Nikolla mbeti pak i habitur dhe nuk dinte si të vepronte. Ndërkohë, ndërhyra unë dhe i thashë: -Nuk ka problem, le të flasë para meje Ankaraja! Pas fjalës së Kryetarit të Bashkisë së Ankarasë fjalën e mora unë e kështu të gjithë me radhë. Të nesërmen shkuam të vizitojmë Akropolin, tempullin dymijë e pesëqind vjeçar. Ishte një mrekulli e veçantë, me bukurinë dhe magjepsjen e gjithë atyre skulpturave aq të përsosura. Ditën tjetër na vunë në dispozicion një anije, me të cilën udhëtuam e pamë shumë ishuj të bukur. Kryetarin e Bashkisë së Athinës, Nikolas Jatrakos, e ftova të vinte në Tiranë për një vizitë miqësore. Jo shumë kohë më vonë pas vizitës sime në Athinë ai erdhi në Tiranë, në krye të një delegacioni grek, pjesëtarët e të cilit u akomoduan në Hotel "Dajti". Ne u rezervuam një pritje të ngrohtë dhe të përzemërt. Shtruam për ‘ta një darkë, gjatë së cilës mbajtëm nga një fjalë të shkurtër unë dhe kryetari i Bashkisë së Athinës. Të nesërmen kishim planifikuar të shkonim në Lezhë. Atje i çova tek hoteli, ku kishte qëndruar Konti Çiano. Edhe këtu delegacionin e pritëm me të gjitha të mirat, nuk mungonte asgjë. Prodhime deti të freskëta. Na sollën për të parë edhe disa fazanë të mëdhenj. Kishin ardhur edhe këngëtarë shumë të mirë, të cilët kënduan bukur këngë shqiptare dhe greke. Të gjithë anëtarët e këtij delegacioni mbetën shumë të kënaqur nga pritja që atyre iu bë në qytetin e Lezhës. Në rrugën e kthimit nga Lezha, delegacionin e çuam në Muzeun e Krujës, të cilin të gjithë pjesëtarët e tij e vizituan me shumë vëmendje. Në atmosferën e çlirët dhe miqësore që u krijua mes nesh dhe atyre, në kohën kur po shikonin shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut, unë e mora përkrenaren dhe ia vendosa në kokë Nikolas, me të cilën ai bëri një fotografi. Në ditën e fundit të vizitës, kryetari i delegacionit grek vendosi një kurorë me lule në Varrezat e Dëshmorëve, ku bëri homazh edhe në varrin e Enver Hoxhës.

Dita kur pritëm Perez de Cuellar...

Më njoftuan se ditën e nesërme do të vinte në Shqipëri Perez de Cuellar. Ministër i Jashtëm në atë kohë ishte Muhamet Kapllani, një ish-shoku im. Më thanë se Perez de Cuellar-in do ta prisja së bashku me ministrin e Jashtëm, Kryeministrin e asaj kohe Ylli Bufi, si dhe me disa personalitete të tjera, mes të cilëve ishte dhe Sali Berisha.Isha në zyrën time dhe po bëhesha gati për të dalë në sheshin "Skënderbej", ku do të bëhej pritja. Me mua erdhi edhe zëvendëskryetari i Kom. Ekz. Bedri Kraja, i cili më qëndroi gjithmonë krah, kur të tjerët filluan të largohen. Shkuam në shesh dhe së bashku me Ylli Bufin, Muhamet Kapllanin, Sali Berishën dhe të tjerë zumë vend afër tribunës për të pritur Perez de Cuellar-in dhe delegacionin e tij. I gjithë grupi i shoqërimit ishte amerikan dhe nuk mbante lidhje me njerëzit tanë. Ndërkohë që, ne po prisnim, delegacioni po kalonte pranë tribunës dhe njoftohemi se pjesëtarët e tij do vizitonin Xhaminë e Tiranës dhe më pas do vinin në tribunë. Kjo ishte një ngjarje pak e çuditshme, pasi ne nuk dinin se ku do të takoheshim me delegacionin. Në fakt, organizimi i pritjes ishte bërë nga Partia Demokratike dhe sheshi ishte mbushur nga anëtarë dhe simpatizantë të saj. Kjo binte në sy menjëherë, se të gjitha thirrjet dhe brohoritjet bëheshin për Partinë Demokratike dhe Sali Berishën, i cili në atë moment ndodhej në krahun tim dhe shkëmbeu me mua disa fjalë. -Rroftë Partia Demokratike! Rroftë Gramoz Pashko! Poshtë komunistët! Ishin disa nga parullat që hidhnin njerëzit e grumbulluar tek sheshi qendror i Tiranës... Në ato momente, ç'është e vërteta, u ndjeva në pozita tepër të vështira dhe mendova se kisha bërë gabim që dola në tribunë. Megjithatë, koha nuk priste. Zbritëm nga tribuna dhe u drejtuam për nga xhamia, ku unë nuk kisha hyrë asnjëherë. Kur hymë brenda, pamë Perez de Cuellar-in, i cili kishte hequr këpucët; ashtu si edhe gjithë të tjerët, dhe po bisedonte me hoxhën, që ndodhej aty pranë. I hoqa dhe unë këpucët, por pas vetëm pak çastesh nisa të ndjej një lloj shqetësimi nga mendimi se mos ndonjë nga ata që na "deshte" dhe të tillë kishte, të na merrte këpucët dhe të na linte zbathur?!... Ky mendim më bëri që të ndjehem keq, shkova menjëherë te dera e xhamisë dhe i vesha këpucët. U shkëputa, kështu, nga ai ankth. Pas një farë kohe filluam të dalim nga xhamia dhe u drejtuam përsëri në tribunë. Populli na priti me një entuziazëm të madh. Fjalën e hapjes e mbajti Kryeministri Ylli Bufi, i cili i shprehu mendimet e tija në mënyrë shumë të përmbledhur. Në mes të entuziazmit të paparë fjalën e mori Perez de Cuellar-i, të cilin e ndërprisnin shpesh ovacionet, thirrjet, brohoritjet e njerëzve. Shikoja tribunën dhe vura re se të gjithë ata që ishin në të, kur brohoritej për Partinë Demokratike ngrinin dy gishtat lart. Dukej qartë se ata ishin militantë të Sali Berishës, por, për çudi, dy gishtat lart po i ngrinin dhe ata që deri në atë moment ishin anëtarë të Partisë së Punës, si Ylli Bufi, Muhamet Kapllani e të tjerë. Unë, ç'është e vërteta, nuk mundja që t'i ngrija lart dy gishtat; por qëndrova duke i mbajtur duart poshtë, deri sa mbaroi mitingu.

Sipas protokollit, që ishte përgatitur më parë, unë, së bashku me Muhamet Kapllanin, do ta shoqëroja Perez de Cuellarin edhe në vizitën në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Kështu mbaroi kjo vizitë dhe ne u ndamë nga delegacioni, i cili e kreu me sukses detyrën e tij, duke u premtuar shqiptarëve se do t'u jepte 3 milionë dollarë gjë që e uli në maksimum entuziazmin e pjesëmarrësve, pritshmëria e të cilëve ishte, sigurisht, për një ndihmë shumë më të madhe se ajo që u deklarua. Më vonë, qëndrimi im lidhur me këtë gjë vazhdoi të komentohet në dy mënyra: disa njerëz më kritikonin që pse unë nuk i ngrita gishtat lart, ndërsa disa të tjerë më thonin: -Të lumtë, Llambi, nuk u bëre si filani e filani, që ishin të partisë sonë dhe ngrinin gishtat lart. Madje, kishte edhe nga ata, më ekstremistët, që më thanë se më mirë t'i prisje gishtat, por lart të mos i ngrije!...


Me Tomorr Malasin

-përshtypjet më të mira dhe të merituara-

Në shtator të viti 1991 e mbylla përfundimisht periudhën e punës në Komitetin Ekzekutiv, pasi në Tiranë në zgjedhjet e atij viti, fitoi Partia Demokratike, ndonëse në shkallë vendi fitoi PPSH. Në bazë të një vendimi të Parlamentit të asaj kohe, kryetari i bashkisë së qytetit do vendosej nga ajo parti që kishte fituar zgjedhjet. Pra, në Tiranë, unë do të lija këtë post dhe në vendin tim do të vinte një person tjetër i caktuar nga Partia Demokratike. Kështu, nga fundi i muajit gusht 1991 në zyrën time vjen i emëruari i Partisë Demokratike në këtë detyrë, zoti Tomorr Malasi, i shoqëruar në këtë rast nga një shoku i tij, deputet i PD, zoti Tritan Shehu. Zoti Tomorr ka punuar si inxhinier mekanik në disa uzina mekanike të vendit tonë, si në uzinën "Dinamo", apo në Kombinatin Metalurgjik. Ai ka qenë një inxhinier që e kryente me zotësi detyrën e tij, ishte i dashur dhe i respektueshëm nga punonjësit, ku ai punonte. Isha njohur me të si emër, mbase dhe mund të ishim takuar, por kjo gjë nuk më kujtohej. Megjithatë, kur mësova se Tomorri do vinte të më zëvendësonte, më erdhi shumë mirë dhe e prita me përzemërsi, sikur ta njihja prej kohësh. Tomorri hyri në zyrën time, së bashku me Tritanin. U përshëndetëm sikur të njiheshim prej kohësh. Porosita një kafe, si zakonisht; kur më vinin njerëz të nderuar në zyrë dhe u ulëm në një kënd të zyrës. Takimi ynë nuk ishte protokollar, por shumë shoqëror, me një respekt reciprok për njëri-tjetrin. Më takonte mua ta uroja Tomorrin për detyrën e re që mori dhe i thashë: -Zoti Tomorr, unë do të të dorëzoj disa dokumente, të cilat dhe unë i kam marrë nga paraardhësit e mi. Ishin procedura formale, por që kryheshin në atë kohë. Madj,e me një seriozitet të lartë. Theksoj se takimi im me Tomorrin ishte tepër miqësor dhe i përzemërt

Një shqetësim i ri: drejt Sofjes...

Situata politike vazhdonte të ishte e nderë. Sipas gazetave, thuhej se, Byrosë Politike do t'i bëhej gjyqi jo për punë kafesh, por për krime kundër njerëzimit. Ligji i ri, që aprovoi Parlamenti, parashikonte dënime shumë të rënda. Nuk isha i sigurt nëse përfshihesha edhe unë në këtë akuzë. Në këtë kohë më vjen një ftesë garancie nga shoku im Shpendi Zotaj, i cili jetonte në Sofje të Bullgarisë. Atje kisha dhe shokë të tjerë si: Kastriot Zotaj, Sulo Gradeci, Vladimir Meçe, Pavllo Gjidede e të tjerë. Këta shokë më ndihmuan jo vetëm moralisht, por edhe materialisht. Alfredi ngulte këmbë që të niseshim sa më shpejt, se nuk i dihej. Siguruam vizat e udhëtimit për jashtë vendit.

Nga Shqipëria u larguam më 17 janar 1995. Kaluam kufirin, natyrisht, me ankthin edhe të ndonjë befasie jo të këndshme. Atë natë fjetëm në Ohër. Të nesërmen mbërrijmë në Sofje pas një udhëtimi me autobus, pasi kishim vizë për në Bullgari.