INTERVISTA/ Flet Prof. Beqir Meta

-Problemet e minoriteteve kanë qenë një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë

-Problemi i minoriteteve në Shqipëri është thuajse i pastudiuar ka tendenca rritjeje

-Minoriteti grek bojkotoi zgjedhjet e para politike të vitit 1921

-Çështja e minoriteteve është parë e lidhur ngushtë me procesin e ndërtimit të institucioneve

-Popullsia grekofone, ka ardhur në Shqipërinë e Jugut në shek. XVII-XVIII

-Greqia u përpoq ta përdorë këtë pakicë për të ruajtur helenizmin dhe institucionet e tij në Shqipërinë e jugut

-Qeveria greke kundërshtoi me forcë autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare

-Kur qeveria greke filloi fushatën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve autoktonë nga trojet e tyre, në shtypin shqiptar nuk u vërtetuan sulme kundër minoritetit

-Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913 qeveria rumune kërkoi përfshirjen e vllehëve në shtetin shqiptar

- Pakicat e tjera malazeze dhe ajo bullgarofone ose maqedone erdhën duke u afirmuar



Albert ZHOLI

Problemet e minoriteteve kanë qenë një pjesë e rëndësishme dhe mjaft intensive e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë. Këto probleme kanë zënë një vend të gjerë në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, në radhë të parë me Greqinë e pastaj edhe me Jugosllavinë, Rumaninë, Bullgarinë e Turqinë, por edhe me Fuqitë e Mëdha, si: Britaninë e Madhe, Austro-Hungarinë (deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore), Italinë, Francën etj., si dhe me organizmat ndërkombëtarë të kohës e kryesisht me Lidhjen e Kombeve. Me këto probleme merret libri i fundit historik i historianit Beqir Meta, një libër që ka ngjallur shumë interes.

Sa është i studiuar problemi minoriteteve në Shqipëri?

Problemi i minoriteteve në Shqipëri është thuajse i pastudiuar. Studimi i historisë së tyre paraqet një interes të gjerë në një sërë drejtimesh.

Së pari: Këto pakica kanë një shekull që jetojnë në kuadrin e shtetit shqiptar dhe janë pjesë e jetës dhe e historisë së tij. Gjithashtu, ata kanë një kohë edhe më të gjatë që bashkëjetojnë me shqiptarët me të cilët kanë pasur marrëdhënie gjithfarëshe. Për këtë arsye marrëdhëniet që ndërtuan me shtetin shqiptar, qëndrimi i tij ndaj të drejtave të tyre, si dhe raportet me institucionet shqiptare janë mjaft interesante për t’u pasqyruar.

Së dyti: Minoritetet ndonëse kanë qenë në një përqindje fare minimale në kuadrin e popullsisë së shtetit shqiptar, kanë pasur një ndikim të rëndësishëm dhe shumë më të madh se sa numri i popullsisë së tyre në procesin historik të vështirë të formimit, afirmimit dhe konsolidimit të këtij shteti dhe të institucioneve të tij.

Së treti: Problemet e minoriteteve kanë qenë një pjesë e rëndësishme dhe mjaft intensive e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë. Këto probleme kanë zënë një vend të gjerë në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, në radhë të parë me Greqinë e pastaj edhe me Jugosllavinë, Rumaninë, Bullgarinë e Turqinë, por edhe me Fuqitë e Mëdha, si: Britaninë e Madhe, Austro-Hungarinë (deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore), Italinë, Francën etj., si dhe me organizmat ndërkombëtarë të kohës e kryesisht me Lidhjen e Kombeve.

Së katërti: Problemi i minoriteteve brenda shtetit shqiptar ka qenë i lidhur me problematikën e popullsisë së shumtë shqiptare që mbeti nën sundimin e shteteve fqinje dhe ka pasur ndikime e kushtëzime reciproke në forma dhe mënyra të ndryshme.

Së pesti: Problemet e minoriteteve nuk kanë qenë vetëm një çështje e institucioneve shtetërore apo vetëm subjekt i marrëdhënieve politike midis Shqipërisë e vendeve të tjera por edhe një objekt i opinionit publik shqiptar dhe madje një lloj reaktori që na shërben për të pasqyruar ngjyrimet dhe karakteristikat e nacionalizmit shqiptar.

Sa kohë të është dashur për të realizuar këtë studim?

Për realizimin e këtij studimi të hartuar në dy vëllime (i pari shtrihet në harkun kohor 1912-1924 dhe i dyti, rrok periudhën 1925-1939) më është dashur të kryej një punë kërkimore dhjetëvjeçare në bibliotekat dhe arkivat shqiptare e të huaja. Bibliotekat kryesore janë: Biblioteka Kombëtare në Tiranë, Biblioteka e Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, Biblioteka e Universitetit të Selanikut, Biblioteka e Kongresit Amerikan, Uashington D.C., Biblioteka e Universitetit të Oxfordit në Britaninë e Madhe etj..

Një punë edhe më voluminoze më është dashur të kryej në arkiva, ndër të cilët në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Italisë në Romë, në Arkivat Kombëtare të Britanisë së Madhe në Londër, në Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Francës në Paris, në Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Berlin, në Arkivat Kombëtare të ShBA në Uashington DC, në Arkivin e Maqedonisë në Shkup dhe në Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë në Sofje.

Cila pjesë kohore që rrok ky studim nuk është trajtuar më parë?

Studimi për historinë e minoriteteve dhe ndërtimin kombëtar në Shqipëri në vitet 1912-1924 rrok një temë thuajse të patrajtuar më parë. Duke qenë i bazuar në një koleksion të gjerë burimesh dokumentare shpresoj se ky studim ia ka arritur qëllimit për të bërë një hap serioz në këtë drejtim duke hapur diskutimin e disa çështjeve shkencore dhe duke zgjidhur e argumentuar disa të tjera. Gjithsesi jam i ndërgjegjshëm se në të ardhmen studimet rreth kësaj teme do të thellohen më tej, çka do të sjellin kontribute të çmuara në historiografinë tonë.

Studimi ndërtohet mbi disa linja kryesore:

- Ai pasqyron zhvillimin etnik të popullsive që më vonë do të përbënin minoritetet në shtetin shqiptar; shqyrtohet origjina, shtrirja gjeografike e tyre, marrëdhëniet me popullsinë shqiptare, zhvillimin e tyre etnik, kulturor e politik etj.
- Trajtohet gjendja e minoriteteve në fazën e parë të shtetit shqiptar e deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore, qëndrimi i tyre ndaj pavarësisë së Shqipërisë dhe qëndrimi i shtetit të ri shqiptar kundrejt tyre.
- Më tej është pasqyruar zhvillimi i statusit të minoriteteve në vitet e para të ripërtëritjes dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, pra në periudhën 1920-1924, zhvillimi i tyre dhe marrëdhëniet me shtetin e ri.
- Është analizuar problematika e minoriteteve si objekt i institucioneve dhe legjislacionit ndërkombëtar të asaj kohe, ndikimi që ajo ka pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, si dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm në raportet e minoriteteve me shtetin shqiptar.

Si janë trajtuar problemet e minoriteteve në Shqipëri?

Problemet e minoriteteve në Shqipëri janë trajtuar në një mënyrë krahasuese në radhë të parë me problematikën që kanë ndeshur popullsitë shqiptare jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, por edhe më në përgjithësi me politikat që kanë ndjekur shtetet fqinje ndaj minoriteteve gjatë kësaj periudhe. Kjo ka qenë e domosdoshme jo vetëm për të kuptuar karakteristikat dhe natyrat specifike të politikave shqiptare e atyre të shteteve ballkanike, por edhe ndikimet reciproke që ato kanë pasur tek njëra tjetra.

Çështja e minoriteteve është parë e lidhur ngushtë me procesin e ndërtimit të institucioneve, konsolidimin e zhvillimin e identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare të popullsisë shqiptare. Kjo përbën një linjë të rëndësishme, thelbësore dhe voluminoze në studim, pasi problemet jo vetëm kanë qenë të gërshetuara midis tyre, por shtetit shqiptar i është dashur të zhvillojë një betejë të madhe, të gjatë dhe të pabarabartë politike, ligjore e diplomatike në arenën ndërkombëtare për të argumentuar dhe legjitimuar të drejtën e tij natyrale për ndërtimin e konsolidimin kombëtar, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e minoriteteve dhe duke siguruar zhvillimin e lirë të tyre.

Argumentet dhe analizat që janë bërë në këtë studim kanë synuar pikërisht vendosjen e kësaj vije demarkacioni në mënyrë sa më të qartë e të saktë me qëllim që të qartësohej e kthjellohej mjegullnaja, herë e qëllimshme, herë e paqëllimshme, që ka krijuar politika dhe një pjesë e historiografisë së huaj për këtë çështje.

Kush ka qenë pjesa juaj mbështetëse në këtë studim kaq voluminoz?

Gjej rastin të falënderoj sinqerisht të gjithë ata punonjës të bibliotekave dhe arkivave brenda dhe jashtë Shqipërisë për ndihmën që më kanë dhënë dhe dashamirësinë që kanë treguar, të cilët për arsye teknike nuk mund t’i përmend me emra. Gjithashtu, u shpreh mirënjohjen time të thellë bashkëpunëtorëve e miqve të mi, Meliha Balla, Mirela Mihali, Merita Sula, Eglantina Bojaxhi, Ornela Haka e Ilir Gusho, të cilët më ndihmuan në mbledhjen e informacionit dhe në kompjuterizimin e redaktimin letrar të studimit.

Një falënderim i veçantë u dedikohet dy recensentëve, prof. dr. Muharrem Dezhgiu dhe akademik i associuar Marenglen Verli, si dhe anëtarëve të Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë, të cilët më ndihmuan mjaft me sugjerimet e vlefshme dhe profesionale për përmirësimin e studimit.

Si ishte gjendja e etnive shqiptare ne periudhën e Zogut?

Dështimi i qeverisë së Nolit dhe rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet në dhjetor të vitit 1924 shënonin fundin e një periudhe, e cila përmblidhte dy sprova madhore për ndërtimin e shtetit dhe përgjithësisht për ndërtimin kombëtar në Shqipëri, atë të viteve 1912-1915, e cila ishte më e vështira dhe që u bë nën një kontroll të fuqishëm ndërkombëtar mbi shtetin dhe institucionet e reja shqiptare, dhe atë të viteve 1920-1924, e cila ishte sprova e parë kur shqiptarët ndërtuan në mënyrë të pavarur shtetin dhe institucionet e tyre kombëtare, politike, fetare, arsimore, kulturore etj.. Në këtë betejë titanike shqiptarët u përpoqën të ndërtonin jetën e tyre kombëtare dhe kombin-shtet si pjesë thelbësore të saj.

Në këtë proces historik, shqiptarët u përpoqën që të ruanin atë traditë të mirë historike që i kishte karakterizuar marrëdhëniet e tyre me etnitë të cilat tashmë ishin pakicë brenda shtetit të ri shqiptar. Që nga kohët e lashta të gjitha etnitë e huaja ishin mirëpritur dhe kishin jetuar në harmoni me shqiptarët.

Çfarë mund të na thoni për popullsinë grekofone?

Popullsia grekofone, e cila kishte ardhur në Shqipërinë e Jugut në shek. XVII-XVIII kryesisht si bujq në pronat e bejlerëve shqiptarë arriti të konsolidohej, të zhvillohej dhe të shndërrohej në një minoritet kombëtar. Gjatë këtij procesi, pjesë e tij u bënë jo vetëm grekët e emigruar nga Greqia, por edhe individë të veçantë vllehë që banonin apo u vendosën në kohë të ndryshme në zonën, ku sot jeton ky minoritet si dhe ortodoksë shqiptarë që zbritën në zonën e Vurgut e të Dropullit nga malësitë përreth. Këta u helenizuan si rezultat i rrethanave historike, si ndikimi i fuqishëm i kishës greke, arsimi në gjuhën greke, kontaktet me Greqinë, nga veprimtaria politike intensive e qeverisë greke, por edhe nga kontaktet e përditshme dhe lidhjet e gjera me popullsinë grekofone si dhe martesat me të. Pas krijimit të shtetit shqiptar ky minoritet u konsolidua dhe u zhvillua më tej nga pikëpamja politike, ekonomike, kulturore e sociale. Ekzistenca, pronat apo të drejtat e tij themelore nuk u vunë asnjëherë në pikëpyetje nga qeveritë dhe shteti i ri shqiptar.

Gjatë gjithë kësaj periudhe Greqia u përpoq ta përdorë këtë pakicë si një bastion për të ruajtur helenizmin dhe institucionet e tij në Shqipërinë e Jugut të cilat kishin si objekt final aneksimin e këtij territori. Ajo e përdori me kujdes minoritetin në tragjikomedinë vorio-epirote të viteve 1914-1915, ndonëse në krye të kësaj maskarade u përpoq të angazhojë ortodoksë shqiptarë grekomanë. Më vonë në vitet 1920-1924 ajo e nxiti minoritetin të bojkotonte dhe t’u kundërvihej proceseve shtetformuese, si dhe kombëtarizimit të institucioneve të ndryshme në Shqipëri. Minoriteti bojkotoi zgjedhjet e para politike të vitit 1921, kundërshtoi me forcë autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe shërbeu si bastion i propagandës politike greke kundër arsimit kombëtar shqiptar në zonat përtej minoritetit.

Çfarë politike ndoqi qeveria shqiptare pas vitit 1921 me popullsinë grekofone?

Qeveria shqiptare ndoqi një politikë të matur dhe pas vitit 1921 arriti ta integrojë minoritetin grek në procesin politik, çka përbënte një sukses në stabilizimin e shtetit shqiptar. Njëkohësisht kjo përbënte një premisë për zhvillimin normal të kësaj popullsie dhe për marrëdhëniet miqësore me shtetin shqiptar. Minoriteti grek kishte proporcionalisht përfaqësuesit e tij në parlamentin shqiptar dhe merrte pjesë në të gjithë institucionet shtetërore, duke filluar qysh nga ministritë deri në organet e pushtetit lokal, të cilat në komunat dhe fshatrat greke ishin të zgjedhur nga popullsia vendase.

Qeveria shqiptare respektoi me rigorozitet pronat e minoritetit dhe nuk pati asnjë lloj shpronësimi të pjesëtarëve të tij. Përkundrazi pozita ekonomike e sociale e tij u përmirësua pas daljes së ligjit për imponimin e kontratës-tip midis pronarëve e bujqve që punonin çifligjet e tyre.

Gjithashtu ajo i respektoi me skrupulozitet të drejtat religjioze, arsimore e kulturore të tij, duke krijuar kushtet për një afirmim të lirë të identitetit të tij kombëtar. Në zonën e minoritetit grek gjatë kësaj periudhe funksionuan si shkollat private apo komunale greke, që financoheshin nga donacionet greke, ashtu edhe shkollat greke, që financoheshin nga qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare, pra duke dashur t’i kontribuonte krijimit të klimës paqësore e miqësore në marrëdhëniet me minoritetin grek, jo vetëm që toleroi financimet e fshehta dhe të paligjshme që vinin përtej kufirit, por me gjithë shtrëngesën e buxheteve të saj financoi shuma relativisht të konsiderueshme për shkollat e minoritetit grek.

Përgjithësisht gjatë kësaj periudhe shteti grek nuk kishte se çfarë të kërkonte më tepër lidhur me përmirësimin e standardeve të lirive e të drejtave të këtij minoriteti, prandaj ai i pati duart e lira dhe i përqendroi përpjekjet në ruajtjen dhe avancimin e helenizmit në Shqipërinë e Jugut, duke ushtruar presion të fuqishëm e gjithfarësh mbi shtetin shqiptar. Ky presion vuri në vështirësi qeverinë shqiptare dhe pengoi seriozisht procesin e ndërtimit të institucioneve kombëtare në Shqipëri.

Po në përgjithësi si ishte qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj pakicave të huaja?

Opinioni publik shqiptar, në përgjithësi, mbajti një qëndrim miqësor ndaj të gjitha pakicave duke përfshirë këtu edhe atë greke. Ky qëndrim u demonstrua qartë në marrëdhëniet e mira të kësaj pakice me popullsinë shqiptare të fshatrave përreth, si ortodokse ashtu dhe myslimane. Gjithashtu, ai u vërtetua edhe në faqet e shtypit pluralist shqiptar të këtyre viteve. Duhet theksuar se ashtu si politikat e shtetit shqiptar ndaj minoriteteve edhe qëndrimi i opinionit publik kundrejt tyre kishte dallime thelbësore me politikat e shteteve dhe qëndrimet e opinionit publik të vendeve fqinje kundrejt pakicave në këto vende. Madje edhe në momentet më kritike, kur qeveria greke filloi fushatën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve autoktonë nga trojet e tyre, në shtypin shqiptar nuk u vërtetuan sulme kundër minoritetit, por vetëm sa u kërkua shkëmbimi reciprok i minoriteteve në rrugë paqësore e dinjitoze.

Këtë propozim e bëri edhe qeveria shqiptare, por Athina, e cila kishte vendosur ta spastronte etnikisht popullsinë shqiptare në Greqi dhe të konservonte e të avanconte pozitat e helenizmit në Shqipëri, nuk e pranoi këtë kompromis të ndershëm e të matur.

Për vllehët dihet pak, si do ta cekni këtë popullsi?

Grupi tjetër etno-kulturor më i madh në numër pas grekëve ishin vllehët. Kjo pakicë nuk kishte karakteristikat dhe statusin e një minoriteti kombëtar sepse nuk u formua një shtet i tillë kombëtar. Teoritë për origjinën e vllehëve apo arumunëve janë të shumta e të ndryshme, por janë parashtruar argumente të qëndrueshme shkencore se kjo popullsi është e lashtë dhe autoktone në Ballkan.

Ndaj kësaj popullsie gjatë Mesjetës dhe periudhës osmane vepruan me forcë proceset asimiluese. Ajo ishte pre e veprimeve shtypëse të shteteve nacionaliste ballkanike dhe të kishave të tyre, kryesisht të Greqisë, e cila përdori deri edhe bandat e armatosura dhe dhunën kundër veprimtarëve nacionalistë arumunë që përpiqeshin për rizgjimin etno-kulturor të kësaj popullsie.

Gjithsesi, procesi i zgjimit të ndërgjegjes etnike dhe fetare të popullsisë vllehe bëri hapa të rëndësishëm përpara, gjatë viteve 1905-1912, kur Perandoria Osmane i njohu këtij komuniteti të drejtën e krijimit të një kishe vllehe dhe të shkollave rumune. Ky proces u ndërpre me fillimin e Luftërave Ballkanike që përfunduan me largimin e Perandorisë Otomane nga Ballkani dhe me aneksimin e territoreve të banuara nga vllehët prej këtyre shteteve. Në këtë mënyrë procesi i zhvillimit të mëtejshëm të ndërgjegjes e identitetit vlleh mori një goditje të rëndë dhe iu hap rruga intensifikimit të asimilimit të tyre.

Çfarë u kërkua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, për këtë pakicë?

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe më vonë në Konferencën e Paqes së Versajës në vitet 1919-1920, si popullsia arumune në Maqedoni dhe Pind ashtu dhe qeveria rumune kërkuan përfshirjen e tyre në shtetin shqiptar, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të mbronin më efektivisht të drejtat e tyre dhe të siguronin një zhvillim politik, social e identitar të lirë e efektiv. Gjatë Luftës së Parë Botërore ushtria italiane e shtriu përkohësisht kontrollin në territoret e banuara nga vllehët, të cilët nga ana e tyre e mirëpritën pushtimin italian dhe e panë atë si një shans për rifitimin e të drejtave të tyre. Por me largimin e italianëve, qeveria greke i shtypi këto përpjekje. Ajo arriti deri atje saqë të shtypte me forcë ushtarake “Republikën e Pindit”, e cila ishte krijuar nga nacionalistët vllehë si një bastion i mbijetesës dhe ruajtjes së autonomisë së tyre.

Qoftë në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913, qoftë edhe më vonë në Konferencën e Paqes së vitit 1919-1920, Fuqitë e Antantës përgjithësisht nuk e përkrahën çështjen vllahe. Ky qëndrim ndikoi esencialisht që procesi i asimilimit pas Luftës së Parë Botërore të merrte trajtë të plotë e përfundimtare.

Shteti shqiptar ruajti shkollat dhe kishat vllehe që kishin funksionuar para Luftës së Parë Botërore dhe demonstroi një qëndrim miqësor të veçantë ndaj kësaj popullsie. Gjithashtu dhe opinioni e shtypi shqiptar mbajtën vazhdimisht një qëndrim të ngrohtë e dashamirës të spikatur. Por, nga ana tjetër, u kundërshtuan disa pretendime maksimaliste të disa elementëve vllehë në Kongresin e Triestes për krijimin e një shteti dualist vllaho-shqiptar ose për një autonomi territoriale. Megjithëse iu bënë disa lëshime kërkesave të qeverisë rumune për një rritje drastike të shkollave rumune, ato nuk u pranuan të gjitha.

Si ishte trajtimi i pakicave të tjera?

Edhe pakicat e tjera më të vogla në numër, ajo malazeze dhe ajo bullgarofone ose maqedone erdhën duke i afirmuar gjithnjë e më tej karakteristikat e tyre etnike dhe identitetin kombëtar brenda shtetit shqiptar.
Pakica bullgarofone(maqedone) që gjendej pas Luftës së Parë Botërore në zonën neutrale në kufirin greko-shqiptar dhe ishte e pushtuar nga ushtria greke denoncoi dhunën greke dhe kërkoi bashkimin me shtetin shqiptar gjë që u realizua në vitin 1924. Ajo pati vazhdimisht marrëdhënie të mira me shtetin shqiptar dhe bëri njëfarë progresi në arsimin kombëtar.
Minoriteti malazez në Vrakë të Shkodrës ishte pakica më e vogël kombëtare, e cila ruajti shkollat dhe kishat në gjuhën sllave. Këta ishin emigrantë që kishin ardhur nga Mali i Zi gjatë shek. XVIII për t’u shpëtuar përndjekjeve dhe hakmarrjes. Ky grup i vogël në kushtet historike të shek. XVIII-XIX arriti të shndërrohej në një pakicë kombëtare. Krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe ndërhyrja e saj në Shqipërinë e Veriut e rriti shumë peshën e kësaj popullsie. Megjithëse një popullsi e vogël prej 1500-1800 banorësh, ky minoritet mori një peshë të madhe politike, e cila ishte tërësisht disproporcionale me numrin e saj.
Beogradi u përpoq ta përdorte ekzistencën e kësaj popullsie për të ngritur një peshkopatë serbe në Shkodër. Për këtë qëllim ai dërgoi edhe një prift që e emëroi peshkop. Kjo situatë krijoi tension me qeverinë shqiptare e cila nuk e njohu kurrë ekzistencën e një peshkopate serbe në Shkodër. Kisha Ortodokse Serbe u përpoq që të shfrytëzonte përpjekjet e shqiptarëve për themelimin e KOASH për të shtrirë influencën dhe kontrollin në hierarkinë e saj më të lartë.

Si do ti cilësonit minoritetet në Shqipëri, në vitet 1912-1924?
Në vitet 1912-1924, minoritetet në Shqipëri ruajtën të gjitha privilegjet dhe të drejtat e tyre. Këto të drejta gjetën një afirmim juridik me Deklaratën për Mbrojtjen e Minoriteteve që nënshkroi më 2 tetor 1921 përfaqësuesi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Fan Noli. Deklarata shqiptare ishte dokumenti themeltar juridik që përcaktonte të drejtat e minoriteteve. Ajo ishte e ngjashme me dokumentet e tjera të këtij lloji që shtetet e ndryshme kishin nënshkruar me Lidhjen e Kombeve dhe kishte një përmbajtje të spikatur liberale. Duhet theksuar se Deklarata kishte një përmbajte shumë më të gjerë se sa ajo që i referohej mbrojtjes së pakicave kombëtare apo etno-kulturore. Duke u shtrirë edhe në sferën e të drejtave religjioze ajo, për arsye të kushteve specifike të Shqipërisë që përbëhej nga popullsi shqiptare me besime të ndryshme, krijoi vështirësi serioze në procesin e ndërtimit të institucioneve kombëtare politike dhe jo politike. Shtetet fqinje u përpoqën ta shfrytëzonin atë për të ruajtur influencën e tyre në Shqipëri, për të deformuar procesin e ndërtimit të shtetit-komb dhe krijimin e institucioneve të shëndosha e të natyrshme kombëtare.
Gjithsesi duke përfunduar, mund të arrijmë në konkluzionin se bilanci i kësaj periudhe ishte pozitiv në tre drejtime kryesore:
a) Në afirmimin, zhvillimin, kodifikimin e të drejtave të minoriteteve në përputhje me legjislacionin e përparuar evropian të kohës dhe në integrimin e tyre në shtetin e shoqërinë shqiptare;
b) Në krijimin e një linje më të qartë midis minoriteteve dhe popullsisë shqiptare kryesisht asaj ortodokse si në aspektin identitar ashtu edhe në atë politik e juridik;
c) Në ndërtimin e institucioneve kombëtare unike politike, religjioze, arsimore e kulturore për të gjithë popullsinë me kombësi shqiptare, të cilat ishin të afta dhe me vullnet për respektimin dhe jetësimin e të drejtave të minoriteteve.
Ndonëse ky ishte një zhvillim dhe rekord pozitiv, procesi jo vetëm qe shumë i vështirë, por nuk kishte përfunduar ende. Në periudhën në vijim, e cila përmbledh vitet e konsolidimit e stabilizimit më efektiv të shtetit shqiptar, ky proces do të fitonte trajta e dimensione të reja. Përmbajtja e tij përbën dhe objektin e vëllimit të dytë të këtij studimi, i cili pritet të shohë dritën e botimit pas një kohe relativisht të shkurtër.