Selim Muça duket se do të tërhiqet nga pozicioni i kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke i hapur rrugën zgjedhjeve për kryetar të ri. Mosha dhe problemet shëndetësore janë arsyet e largimit të tij.

Mësohet se kohët e fundit ai vuan nga një sëmundje e rëndë, e cila e pengon në kryerjen e këtij funksioni. Kryesia e KMSH-së ka zhvilluar sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka vendosur mbajtjen e zgjedhjeve për postin e kryetarit të ri, i cili pritet të zgjidhet në mënyrë të rrufeshme brenda 4 ditësh në Këshillin e Përgjithshëm Drejtues, raporton “e-zani”.

Mësohet se kandidaturat për zëvendësimin e Muçës janë Bujar Spahiu, Sabri Hushi dhe Skënder Bruçaj, një emër krejtësisht i panjohur ky i fundit, i cili ka vetëm dy muaj që është katapultuar si nënkryetar me ndryshimet e reja, ku numri i nënkryetarëve shkoi në katër.

Mbledhja është bërë në fshehtësi të plotë, aq sa edhe vetë anëtarët e kryesisë që miratuan kandidaturat e propozuara nuk kanë pasur dijeni për objektin e mbledhjes.

Nga ana tjetër, anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm u lihet vetëm 4 ditë afat për të zgjedhur kryetarin e ri, pa mundësuar asnjë hapësirë për propozime të tjera të ardhura nga baza apo edhe degët e strukturave të këtij institucioni.

Mësohet se kandidatura e Bujar Spahiut ka gjetur konsensusin e anëtarëve të kryesisë, të vendosur përpara faktit të kryer dhe të gjitha gjasat janë që z. Spahiu të jetë pasardhësi i Selim Muçës.

SHEKULLI