INTERVISTA/ Flet Akademik (në fushën e mjekësisë) Bashkim Resuli: Ja sfidat dhe detyrat e mjekësisë

-Pengesë e rëndësishme është numri më i madh i specialistëve dhe i subspecialistëve ndaj -mjekëve të përgjithshëm

-Internistët, specialistët dhe mangësia ndaj mjekëve të përgjithshëm

-Kujdesi shëndetësor po përballet kudo me sfida serioze ndaj ndershmërisë

-Sot duhet shërbim i dyfishtë, ndaj të sëmurëve dhe ndaj shoqërisë

-Duhet shërbim shëndetësor cilësor përmes bashkëpunimit të ngushtë mes mjekut e pacientit

- Përmirësimi i shërbimit shëndetësor për të moshuarit duhet të jetë prioritet

- Njohuritë dhe eksperienca e mjekut konfrontohet, me të dhënat e përftuara nga studimet klinike

- Detyrë kryesore parashikimi dhe parandalimi i sëmundjeve

- Problem, komunikimi i duhur i mjekut me të sëmurin



Albert ZHOLI

Kujdesi shëndetësor po përballet kudo me sfida serioze e tepër të ndërlikuara. Ndërkohë, kërkesa për shërbim mjekësor cilësisht të lartë është bërë natyrshëm prioritare dhe e gjithkërkueshme. Jetëgjatësia në rritje e popullatës (me problemet e shpeshta e kërcënuese të shëndetit ), rritja e frikshme e prevalencës së sëmundjeve kanceroze, e atyre kardiovaskulare, e çrregullimeve të shëndetit mendor, nevojat për rehabilitim, trajtim paliativ, asistencë shtëpiake dhe pamundësia e financimit të duhur (paratë kanë qenë, janë, e do të jenë kudo, e kurdoherë, të pamjaftueshme ) po shfaqen pikërisht në kohën kur shërbimi shëndetësor është bërë gjithmonë e më shumë i automatizuar e rigid, me treg tepër dinamik, me investime të zbehta prej krizës ekonomike dhe kur shkenca mjekësore po këmbëngul fuqishëm për nevojën e fleksibilitetit më të madh të sistemit. Nga ana tjetër, në raport të ngushtë e të kuptueshëm me globalizimin e theksuar të shoqërisë, zhvillimin e pandalshëm shoqëror, rritjen e vazhdueshme e të qëndrueshme të njohurive, perfeksionimin me ritme të papara të teknologjisë dhe thellimit të kërkimit e të inovacionit, shkenca mjekësore ka ndryshuar ndjeshëm dhe po prezanton qartazi aspekte të shumta modernizuese. Duke ruajtur si “të paprekshme” vlerat e vyera historike të mjekësisë tradicionale, ato që kanë të bëjnë para së gjithash me vlerat morale si udhëheqëse e udhërrëfyese të praktikës mjekësore, tashmë po përpunohen e zbatohen dora-dorës koncepte reformuese, sikurse ai i përsosjes së shëndetit të komunitetit, kujdesit shëndetësor bashkëpunues (collaborative health care ), rritjes aq të kërkuar të cilësisë së mjekësisë klinike, raportit mjek-pacient, etikës mjekësore, edukimit e formimit të mjekut të ardhshëm, etj..

Si do ta përkufizojmë, shërbim i dyfishtë?

Shërbimi i ofruar nga profesionistët e kujdesit shëndetësor është konfiguruar tani më si shërbim i dyfishtë, ndaj të sëmurëve dhe ndaj shoqërisë dhe është përfshirë praktikisht thuajse në të gjitha bashkësitë shkencore, organizative dhe asistenciale. Në planin praktik ai do të thotë, as më shumë e as më pak, transferim progresiv i një pjese të edukimit dhe eksperiencës klinike nga qendrat universitare të ekselencës, në njësitë e kujdesit shëndetësor parësor të ofruar nga mjekët e përgjithshëm të terrenit e të familjes, në bashkëpunim të ngushtë me profesionistët e kujdesit shëndetësor komunitar. Ai nënkupton kësisoj tërësinë e aktiviteteve diagnostike, terapeutike, parandaluese dhe edukuese për të gjithë personat komunitarë, me theks të veçantë në kontrollin dhe trajtimin e personave të moshuar me sëmundje të ndryshme kronike ( veçanërisht të atyre me situata komplekse e serioze nga shumë-sëmundshmëria, fatkeqësisht me pak shpresa shërimi ) për të siguruar për çdo rast trajtimin e duhur, në kohën e duhur, në vendin e duhur.

Rritja e moshës së popullatës çfarë përbën në mjekësi?

Rritja e moshës së popullatës, ashtu sikurse ka krijuar sfida të vërteta të kujdesit shëndetësor, si heterogjeniteti i gjendjes së tyre shëndetësore dhe nevoja e kërkesa të ndryshme për kujdes shëndetësor në vartësi të sëmundshmërisë, formimit kulturor apo gjendjes ekonomiko-shoqërore, ka krijuar njëherazi dhe oportunitete të rinj të kujdesit e të edukimit shëndetësor. Përmirësimi i shërbimit shëndetësor për të moshuarit është shndërruar tashmë, me plot të drejtë, në prioritet madhor në mbarë botën dhe ka nxitur natyrshëm mendimin, krijimin dhe implementimin e qasjes integruese dhe bashkëpunimin multisektorial e interdisiplinor. Krahas sigurimit dhe fuqizimit të akcesit për shërbim shëndetësor cilësor, qasja integruese përpiqet të realizojë njëherazi dhe barazinë e tij në komunitet dhe ndërtimin e mjedisit të shëndetshëm e të mënyrës së duhur të jetesës. Mbrojtja e forcimi i shëndetit dhe përpjekja për shërbim shëndetësor të kënaqshëm, të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës po vlerësohen më shumë si probleme etike se sa shoqërore.

Si mund të arrihet modeli bashkëpunues?

Një i aspekt i rëndësishëm në përpjekjet për të siguruar shërbim shëndetësor cilësor është pa dyshim ai i modelit bashkëpunues të kujdesit shëndetësor (collaborative care model), model i realizuar përmes bashkëpunimit të ngushtë mes mjekut e pacientit, internistit e specialistit, mjekut dhe spitalit, mjekut e profesionistëve të tjerë të kujdesit shëndetësor publik e privat, spitaleve e njësive komunitare, shkollave të larta mjekësore e mjekëve të bazës dhe profesionistëve të shëndetësisë e politikbërësve. Kyçi i këtij modeli është konkretisht ai i ndërtimit të një rrjete të vërtetë bashkëpunimi i aktivitetit të shkollave të larta mjekësore, i spitaleve universitare dhe i orientimit akademik të sistemit për të siguruar arritje e përmirësime të dukshme e të matshme të shërbimit individual e komunitar kosto-justifikues, cilësor, i bazuar në evidencë dhe me fytyrë nga pacienti-familja-komuniteti. Vetëm në këtë mënyrë arrihet të sigurohet shërbimi i kombinuar e i koordinuar për personat me sëmundjeve kronike e me shumë sëmundje njëherazi, mënjanimi i shërbimeve të panevojshme e të “mbishtuara”, kufizimi e mënjanimi i gabimeve mjekësore përmes rritjes së mbështetjes nga sistemi, përfitimi në maksimum prej informacionit e teknologjisë, integrimi i plotë i kërkimit shkencor në mjekësinë klinike dhe implementimi i tyre në praktikën e përditshme mjekësore. Kjo është realisht rruga që mundëson shmangien prej modelit anakronik të sistemit (ku profesionistët veprojnë të veçuar e jo në grup apo skuadër ) dhe ofron cilësinë aq të dëshiruar të shërbimit shëndetësor në rajone të ndryshme të vendit.

Cila është pengesa kryesore në realizimin e synimeve të lartpërmendura?

Pengesë e rëndësishme në realizimin e synimeve të lartpërmendur është bërë praktikisht numri gjithmonë e më i madh i specialistëve dhe i subspecialistëve ndaj mjekëve të përgjithshëm (mjekëve internë e të atyre të familjes ). Raporti në fjalë, i konsideruar tani më, si i pajustifikueshëm e i papranueshëm, shoqërohet jo rrallë nga bashkëveprimi i “ ngurtë “ ndërmjet tyre, duke ndikuar kësisoj negativisht në sigurimin e treguesve cilësorë të kujdesit shëndetësor. Aktiviteti praktik i internistit ndryshon rrënjësisht nga ai i specialistit. Internistët janë në fakt të parët që “thirren” e që vihen në dispozicion të kujdesit shëndetësor. Ndryshe nga specialistët, ata përballen me një numër shumë më të madh të sëmurësh e situatash klinike, kontaktohen shumë më shpejt e shumë më lehtë nga pacientët, kryejnë më shumë vizita mjekësore për njësi kohe, sigurojnë shërbim të vazhdueshëm shëndetësor, ndikojnë fuqishëm në mënjanimin e copëtimit të kujdesit shëndetësor të shkaktuar nga superspecialitetet, mbrojnë më mirë të sëmurët nga shërbimet e panevojshme dhe e kanë më tepër “para sysh” koston e kujdesit shëndetësor. Nga ana tjetër, specialistët, aktorë pa dyshim të çmuar të sistemit, për shkak të edukimit dhe trajnimit të avancuar, përballen e zgjidhin situata të veçanta e të ndërlikuara të një numri të kufizuar sëmundjesh, të atyre të fushave respektive dhe kryejnë procedura diagnostike e terapeutike të papërfshira në praktikën e përditshme të internistit. Ata fokusohen në probleme të veçantë, kanë vizion më të kufizuar, mendojnë e veprojnë në një fushë të ngushtë, i largohen problemeve të “vogla”, kërkesave të “parëndësishme”, konfuzionit apo burokracive, janë aktivë dhe të etur për teknika të reja. Gjithsesi, shërbimi specialistik, si pasojë e përdorimit hera-herës të ekzagjeruar të procedurave të shtrenjta diagnostike e protokolleve terapeutike (jashtë logjikës së kosto-efektivitetit ), rrit si rregull shpenzimet financiare. Nevoja e internistit dhe e specialistit për njëri-tjetrin është kësisoj kusht i domosdoshëm për realizimin e kujdesit të duhur shëndetësor. Njëherazi me nevojën e bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv mes tyre, tashmë në mënyrë konsensuale këshillohet dhe korrigjimi i balancës së deformuar ndërmjet të numrit të internistëve e specialistëve përmes rritjes së përfshirjes të mjekëve të sapodiplomuar në shkollat e specializimit pasuniversitar të mjekësisë interne.

Ka ndryshuar ndjeshëm modeli i raportit të mjekut me pacientin ku dhe si?

Vlerësimi dhe trajtimi i të sëmurit si person autonom, i pashoq, i pavarur dhe i “pacenueshëm”, ka ndryshuar ndjeshëm modelin e raportit të mjekut me pacientin, nga ai tradicional, në atë informues-sqarues-vendimmarrës. Ky model, edhe pse jo kurdoherë i arritshëm, nënkupton dakordësinë ndërmjet dy “partnerëve” si përsa i përket vlerësimit të situatës klinike e ecurisë së saj, ashtu dhe alternativave të zgjidhjes. Një aspekt tepër domethënës i këtij modeli, i njohur si Holistic Medicine apo Vvhole Person Medicine ( integrimi i arritjeve më të mira të shkencave bio-mjekësore me shkencat shoqërore, psikologjinë dhe qasjet e tjera të humanizmit, përfshi ato shpirtërore ), ka të bëjë me implementimin në praktikën klinike të konsensusit paraprak informues mbi tërë situatën konkrete të të sëmurit. Njohja e hollësishme dhe gjykimi i plotë i saj realizohet praktikisht duke u përpjekur së bashku (mjek-pacient) në një rrafsh të vërtetë barazie për të shquar, diskutuar e vendosur mbi problemet që duhen zgjidhur e si duhen zgjidhur. Për më tepër, në qëllimin përfundimtar, atë të trajtimit të pacientit, nuk përfshihet më vetëm kapërcimi i sëmundjes, por dhe shqetësimi e përpjekjet për të përmirësuar cilësinë e jetës. Vetëm në këtë mënyrë i sëmuri bëhet realisht pjesë e bashkëpunimit të sinqertë e të ndershëm dhe pjesë e suksesit. Nga ana tjetër, rëndësi të veçantë ka fituar natyrshëm aksioni për realizimin e protokollit të trajtimit, i cili po i largohet gjithmonë e më shumë eksperiencave anekdotiste, kujtimeve personale mbi “mjeshtrat” apo citimeve të izoluar të literaturës. Njohuritë dhe eksperienca personale e mjekut konfrontohet, thuajse në çdo rast, me të dhënat e përftuara nga studimet klinike të kryera sipas standardeve të kërkuara (clinical trial, meta-analysis ) dhe të vlerësuara nga gjykimi konsensual i ekspertëve. Jetojmë sot në një moment kur jemi dëshmitarë të një transformimi epokal të karakterizuar nga rritja e theksuar e kërkesës për informim, njohuri dhe formim shkencor. Jemi me fjalë të tjera duke jetuar transformimin e një shoqërie të “prodhimit” në një shoqëri të “shërbimit”.

Ka ndryshuar, së paku pjesërisht, edhe mjekësia klinike, ku bazohet kjo?

Me të njëjtën logjikë ka ndryshuar, së paku pjesërisht, edhe mjekësia klinike, shkencë e përqendruar tërësisht tek personi i sëmurë. Në këtë kuadër, duhet nënvizuar shtysa e fuqishme drejt parashikimit dhe parandalimit të sëmundjeve. Sa i përket parashikimit, të panjohurat e mëdha penguese duket se po ndriçohen e po mënjanohen përmes mjekësisë genomike, e cila ka ofruar të dhëna të çmuara për parashikimin e patologjive me gjasa të zhvillohen në persona të veçantë. Nga ana tjetër, epidemiologjia vlerësohet tashmë qartazi, e me plot të drejtë, si një ndër shtyllat kryesore të mjekësisë klinike. Mjafton të kujtojmë ndihmën e vyer të teorisë së probabilitetit dhe të shfrytëzimit të saj në kontrollin dhe verifikimin e hipotezave të ndryshme, gjykimin dhe vlerësimin e prognozës së sëmundjeve, njohjen e domosdoshme të historisë natyrale të tyre, përcaktimin e rolit të faktorëve gjenetikë e të atyre të mjedisit të jashtëm në fazën pre-klinike dhe post-klinike.

Ju thoni, domosdoshmëri edukimi dhe studimi i vazhdueshëm i mjekëve?

Dijet e mjekut të sotëm, sikurse dihet, janë nën trysninë e prurjeve të papara të informacionit shkencor, që zbehet e bëhet praktikisht i panevojshëm vetëm pas 1-2 vitesh. Ky fakt i pamohueshëm dhe progresist ka nxitur e konsideruar të domosdoshëm si edukimin e vazhdueshëm të tipit sistematik, ashtu dhe nevojën e implementimit të kurikulës universitare thelbësore ( “core” ), e cila nënkupton qasjen e integruar të njohurive të domosdoshme e të pazëvendësueshme, duke favorizuar kësisoj qartazi mësimin aktiv të bazuar tek problema që pritet e që duhet të zgjidhet. Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje se kurrikula në fjalë mënjanon rrezikun e informimit shpesh të panevojshëm, të bazuar ngurtësisht në disiplinat e njëpasnjëshme ( në “patriotizmim” disiplinor” ), e për më tepër, të mësimit pasiv e afat-shkurtër. Në këtë kuadër, theksi është vënë posaçërisht në fitimin e njohurive teorike e praktike që kanë të bëjnë me kontrollin dhe trajtimin e suksesshëm e në kohë të situatave urgjente mediko-kirurgjikale. Thelbësore për studentët dhe trupën akademike është pa dyshim praktika e mbështetjes së fuqishme në evidencën shkencore (evidence-based medicine), instrumentin më të besueshëm të kontrollit personal të njohurive e të procedurave, të vlerësimit krahasues e kritik të të dhënave shkencore dhe të përqafimit e të implementimit të tyre në praktikën e përditshme mjekësore. Në pamje të parë, mjekësia praktike e përqendruar natyrshëm e me të drejtë në të sëmurin “konkret” dhe ajo e bazuar në evidencën shkencore duken si kontradiktore. Kjo e fundit i referohet në fakt, në mënyrë të pashmangshme, një universi pacientësh të “veçantë”, por që në të vërtetë, “adresa” e njërit nuk përjashton tjetrin. Nga ana tjetër, mjekësia e bazuar në evidencë jo vetëm që nuk ndryshon aspak procesin e rëndësishëm të gjykimit racional klinik, por shërben në të vërtetë si mbështetës i dobishëm, madje shpesh vendimtar në realizimin e suksesshëm të tij. Fatkeqësisht ka ende përgojues, prozhurmues apo dhe denigrues të kësaj qasjeje të “fisme” shkencore, të cilët do bënin mirë t’i përgjigjeshin më parë pyetjes; se në çfarë kriteresh duhet mbështetur në se nuk “preferojmë” apo “besojmë” në evidence-based medicine? Ndoshta në Mendjemadhësi? Gojëtari? Nxitim? Rrëmbim? Fat? apo Vetëbesim? Në të vërtetë, mënjanimi, apo më keq akoma, mohimi i domosdoshmërisë së evidence-based medicine nuk është gjë tjetër, vetëm dembelizëm dhe injorancë.

Por, mbetet problem, komunikimi i duhur i mjekut me të sëmurin…

Përpjekjet për të siguruar mbulimin e duhur e tërësor të nevojave shëndetësore të të sëmurit kanë nxitur e kanë krijuar tashmë hapësirën e duhur për përftimin e njohurive të veçanta të raportit mjek-pacient që në programin mësimor të vitit të parë te fakulteteve të mjekësisë. Në bazë të këtij programi qëndron konkretisht si problemi i komunikimit të duhur me të sëmurin, ashtu dhe ai i njohjes me veprimet e para e të thjeshta të kujdesit shëndetësor. Përqafimi dhe zhvillimi i aftësive komunikuese të studentëve konsiderohet kësisoj me të drejtë si një moment i vërtetë cilësor. Jo më pak i rëndësishëm konsiderohet gjithashtu, dhe forcimi i përmbajtjes humanitare të këtij raporti, i realizuar konkretisht përmes njohurive dhe refleksioneve mbi çështje të ndryshme të Humanizmit, sikurse të filozofisë, ligjësisë, ekonomisë, sociologjisë, letërsisë dhe arteve figurative, çështje që bëhen natyrshëm pjesë integrale e formimit në mjekësinë klinike, si shkencë e vërtetë humane. Vetëm kështu, përmes përpjekjeve për të fuqizuar lidhjen ndërmjet edukimit mjekësor dhe atij human, krijohen realisht mundësitë e përfshirjes në zgjidhjen e një prej sfidave madhore të shekullit që sapo ka nisur, atë të copëtimit e të veçimit të njohurive shkencore në emër të njësimit të dijeve. Qasja në fjalë, ka fuqizuar dukshëm mendimin intelektual dhe reflektimin e shëndoshë mbi argumente të tillë si jeta dhe vdekja (filozofia e përfundimit të jetës) apo jeta në komunitet dhe përpjekjet për zgjidhjen e sfidave të dhimbshme të shekullit të ri, si varfëria ekstreme, dhuna familjare, etj.. Në këtë kuadër duhet nënvizuar po ashtu dhe mbështetja e qenësishme që sigurohet nga njohuritë bazike të Logjikës dhe Epistemologjisë në gjykimin e shëndoshë të problemeve të shumta e tepër komplekse të të sëmurit. Gjykimi klinik, që nënkupton në fakt gjenerimin e hershëm të hipotezave klinike, konfirmimin apo përjashtimin e tyre dhe formimin e tezës së duhur për vendimmarrjen klinike, përbën pa dyshim armën më të fuqishme hetuese e vepruese në duart e mjekut.

Etika mjekësore

Nga ana tjetër, etika mjekësore është ngjizur tani më qartazi në tërë aktivitetin mjekësor, si ahere kur bëhet fjalë për problemet madhore të bio-etikës mjekësore, ashtu dhe, madje më fuqishëm, kur veprohet në praktikën e përditshme mjekësore. Ajo ka të bëjë konkretisht me forcimin e receptivitetit ( ndjenjën e empatisë dhe të pasionit për të sëmurin ), marrjen e përgjegjësive dhe formimin e krijimit të mjedisit të duhur tek studentët e mjekësisë. Etika e shëndoshë mjekësore është e do jetë kurdoherë premisë e performancës së kënaqshme jo vetëm sa i përket kujdesit cilësor ndaj pacientit, por dhe e edukimit e formimit të kërkuar të mjekut për mënjanimin dhe kufizimin e pasigurive dhe të zgjidhjeve të gabuara. Thënia e mjekëve të mëparshëm “ sipas shkencës dhe njohurive” tingëllon aktualisht si e pamjaftueshme. Në vend të përpjekjeve për të shquar e përcaktuar saktësisht veprimin e duhur për situatën e konkrete klinike, ajo i referohet në fakt konceptit thjesht personal, koncept që çon ndonjëherë në vendimmarrje të gjykuara e të bazuara në mënyrë subjektive.

Ndryshimet thelbësore të metodologjisë

Ndryshimet e qenësishme të kurrikulës së shkollës së lartë mjekësore janë shoqëruar njëherazi natyrshëm me ndryshime thelbësore të metodologjisë. Docentët universitarë, në vend të transmetimit të pafund të nocioneve teorike, priren e përpiqen tashmë për t’i ofruar studentëve logjikën e zgjidhjes së problemeve konkrete (problem-oriented learning ). Kësisoj, si në planin programor, ashtu dhe në atë të mësimdhënies, theksi vihet aktualisht në qasjen e integruar multidisiplinore. Metodika e realizimit të mësimdhënies dhe mësimnxënies rradhazi nëpër disiplinat e ndryshme, një mbeturinë flexeriane e shekullit të shkuar, është zëvendësuar tashmë me integrimin e pandalshëm të shkencave bazike me ato klinike. Në ngjashmëri me raportin e lartpërmendur mjek-pacient, raporti student-docent priret të shndërrohet gjithmonë e më shumë në një raport bashkëpunues e të personalizuar. Roli i docentit është tani më ai edukimit përmes dialogut konstruktiv mbi çështjet e shtruara për zgjidhje. Pikërisht për këtë arsye, terma edukim preferohet të zëvendësohet me termin formim apo instruktim. Po kështu, dhe gjykimi e vlerësimi i studentëve për shkallën e përfitimit të njohurive nuk bazohet e konsiderohet më përfundimtar vetëm në rezultatin e siguruar në momentin e provimit. Ecuria e edukimit dhe e formimit kërkon natyrshëm monitorimin e standardeve përmes testeve të përsëritur që vlerësojnë kompetencën e fituar gjatë gjithë rrugëtimit të kryer, me theks të veçantë, në vetë-vlerësimin. Së fundi, nuk ka dyshim se studentët kanë arsye që të gjykojnë e të vlerësojnë nivelin e zhvillimit të lëndëve nga pedagogët e tyre.