Një prind i mirë, nuk e ndan lutjen e mirë tek Allahu për fëmijët e vet, qoftë kur janë në rehati apo vështirësi, ngase ai e di se lutja e prindit nuk kthehet kur është e sinqertë. Një prind i mirë, e mban fëmijën afër vetes, ia kultivon atij sjelljet më madhështore, duke e bërë kënaqësinë e syve të tij dhe shembull për të devotshmit, Vërtetë lutje të mrekullueshme gjejmë në Kuran, duke na u pasqyruar se si Allahu na ka përkujtuar për të pasuar atë që është më e mira, qoftë edhe me lutje: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”[1] Apo: “...dhe m'i bëj të mirë pasardhësit e mi!”[2] Dhe të tjera.
Ndërsa sot, mallkimi është prezent edhe ndaj të vegjëlve. Mos mposhtja e mllefit, po konsiston në të mallkuarit e fëmijëve, madje qoftë edhe për një faj të vogël, një gjë kjo që thyen zemrën e të voglit dhe të madhit. E Profeti salAllahu alejhi ue selem ka porositur: “Mos u lutni kundër fëmijëve tuaj!”[3] Në këtë këndvështrim, në vend që të marrin mirësjellje, mëshirë dhe mësim kur gabojnë, ata marrin përqeshje, fyerje të ndryshme e fjalë të rënda, si: qen, gomar, Allahu të mallkoftë, Allahu të vraftë etj.
Dikur, edhe sot, gati në çdo shtëpi mallkohet fëmija, qoftë edhe i moshës së madhe, nga nënat dhe baballarët, përveç ata/ato që i ka përfshirë Mëshira e Allahut, duke e ruajtur gjuhën. Mos mposhtja e mllefit, shkakton shumë dëme, përçarje, e deri edhe mallkime. Ndërsa mposhtja e tij, rezulton me shpërblim madhështor tek Allahu i Madhëruar, ku në Kuran gjejmë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit,” duke përmendur disa veprues të punëve të mira, përmend edhe ata/ato që: “ e mposhtin zemërimin...”. [4]
Andaj, nisur nga obligimi që ka prindi ndaj fëmijës para Allahut, nga shpërblimi që humb, nga pasojat që mund të dalin, nuk është e rrugës që mallkimi të jetë pjesë e përditshmërisë, asnjëherë.
_____________________
[1] Surja Furkan, ajeti 74.
[2] Surja Ahkaf, ajeti 15.
[3] Muslimi.
[4] Surja Ali Imran, ajeti 134.
Krijoni Kontakt