Close
Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 29
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, Qemal Lame: Ramizi urdhër të qëllohej, Nexhmij

    Qemal Lame: Trazirat në Kavajë në ’91, Gramoz Ruçi tha: Të internojmë 300 vetë

    Trazirat që përfshinë Shqipërinë më 1991, u shoqëruan me "trazira" e debate mes emrave të ndryshëm të udhëheqjes së kohës. Trazirat në Kavajë, propozimet për penalizime, rrëmbimi i një anijeje ushtare në Sazan dhe urdhri i Alisë nga Tirana, zënë vend në gazetë sot. "GSH" boton sot një pjesë tejet interesante nga libri me kujtime "Kur shembeshin themelet", të ish-kryehetuesit Qemal Lame.
    Në të, ai rrëfen debatet në Këshillin Presidencial në shkurt 1991, mes tij, Ramiz Alisë, ministrit të Brendshëm të kohës, Gramoz Ruçi dhe emrave të tjerë, të fushave të ndryshme. Debatet nga sallat, pasoheshin prej bisedave në korridore. Lame, tregon në rrëfimet e veta, sipas ditarit dhe dokumenteve që ka shqyrtuar, Shqipërinë e kohës, që shkëputej nga krahët e komunizmit për të rënë në krahët e atij sistemi politik që ne e quajmë demokraci.
    Ajo që është me interes, ka të bëjë me personazhe e emra që sot mund t'i njohim ndryshe e që në këto kujtime dalin në të tjera role. Kush i jepte urdhrat dhe pse? Kush i bënte arrestimet dhe kush i lironte protestuesit më 1991? Pse Alia jepte urdhër të qëllohej? Lame, përpos asaj që ka parë e dëgjuar, sjell tek-tuk edhe analiza të personazheve për të cilët shkruan.
    Meqenëse nuk u mbështet mendimi i tij dhe propozimi për shkarkimin, Ramizi e ndërroi temën e mbledhjes.
    Ramizi parashtroi gjendjen e rëndë në Kavajë dhe kërkoi të merren masa të rrepta për stabilizimin e situatës. Dha mendimin për internime nga personat në lagjen veriore ku kishte më shumë që kishin qenë të internuar.
    Ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi, mbështeti mendimin e Ramiz Alisë. Në vazhdim të diskutimit të tij, Gramozi lexoi një raport me shkrim që kishte përgatitur Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, për gjendjen në Kavajë dhe masat që duhej të merreshin.
    Në përfundim, ai dha mendimin me propozimin për t'u internuar afro 300 persona, nga ajo zonë ku kishte më shumë probleme.
    Unë reagova menjëherë:
    - Nuk mund të zgjidhet situata duke internuar një masë të madhe njerëzish dhe ndëshkuar popullin e një qyteti të tërë. Me këtë masë do të thotë që të krijohen me dashje kushtet për kundërvënie më të fuqishme masive, qëndresë të organizuar dhe situata mund të shkojë edhe drejt një lufte civile. Kavajasit dhe gjithë opinioni shoqëror nuk do të pranonin dhe nuk do të përuleshin përballë këtyre masave që dëshmojnë për dhunë dhe imponim.
    Mendimi i ministrit të Brendshëm u kundërshtua, shkurt dhe qartë, edhe nga Rexhepi, Lufteri, Kiço Blushi etj.
    Të pranoje që të internoheshin një masë e tillë njerëzish, do të thoshte që të internoheshin një pjesë e mirë e popullsisë. Kjo do ta bënte akoma më të rëndë gjendjen politike dhe do të krijoheshin probleme të mëdha, të cilat do të shtriheshin në gjithë vendin...

    SINDIKATAT

    Përballë këtij reagimi të drejtë, Ramizi nuk u shpreh përsëri për masat për internime. Ramizi parashtroi detyra për një plan të përbashkët nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes, për masa parandaluese sipas ligjit dhe për masa penale, duke ndihmuar edhe Hetuesia, Prokuroria dhe gjykata.
    Një pikë tjetër ishte diskutimi për gjendjen e krijuar me sindikatat. Ramizi vuri në dukje gjendjen e krijuar me sindikatat. Pastaj, kërkoi të zbatohet ligji, duke theksuar që të mos bëhen lëshime nga Hetuesia.
    Unë dhe Rrapi sqaruam problemet ligjore. Dhamë mendimin se veprimtaria e tyre duhet të shihet nga Ministria e Drejtësisë, e cila ka në kompetencë miratimin e krijimit dhe statutin e veprimtarisë së tyre.
    Kleanthi Koçi ndërhyri duke mbështetur mendimin e Ramizit, duke u distancuar nga mendimi im dhe i Rrapit:
    - Të fillojë çështja penale për drejtuesit e sindikatës së minatorëve të Valiasit, të cilët ngrenë punëtorët në greva e mitingje.
    Unë ndërhyra menjëherë:
    - Këtë nuk mund ta bëjmë, - e kundërshtova mendimin e tij. - Përse të fillojë çështja? Mbi çfarë baze ligjore? Problemi është ligjor. Vlerësimet partiake nuk mund të shërbejnë për të marrë në përgjegjësi penale, - sqarova kuptimin e drejtë të situatës dhe kërkesat e ligjit.
    Për shpërdorim detyre, - vazhdoi idenë e tij Kleanthi. - Ata që janë kuadro, inxhinierë, të thirren, të pyeten e të vihen para përgjegjësisë. Kanë bërë thirrje për greva. Kështu kanë shpërdoruar detyrën. (Këmbëngulja e Kleanthit linte përshtypjen se kishte diskutuar më parë me Ramizin dhe e mbështeste mendimin e tij për masa penale. Si jurist me përvojë, ai nuk duhej të jepte një mendim të tillë. Kleanthi thirrej vazhdimisht për të dhënë mendime.)
    - Ky nuk është shpërdorim detyre, - e kundërshtova unë përsëri. - Thirrja për grevë nuk është shpërdorim detyre dhe nuk ka asnjë element të përgjegjësisë penale.
    - Po kjo sindikatë nuk është miratuar, - sqaroi përsëri Kle-anthi.
    - Ta shohë konkretisht Ministria e Drejtësisë. Ajo është organi ligjor që ka të drejtë të kërkojë dhe sqarojë legjitimitetin e kësaj sindikate. Kur nuk është miratuar kjo sindikatë, atë-here përse jepen njoftime në radio dhe televizion?
    - Unë kam mendimin se ata kanë përgjegjësi, - tha për-sëri Kleanthi.
    Mori fjalën Rrapi dhe mbështeti mendimin tim, duke kun-dërshtuar Kleanthin:
    - Nuk keni të drejtë, shoku Kleanthi. Shoku Qemal ka të drejtë dhe argumenton drejt teorikisht dhe nga ana ligjore, kriteret për shpërdorimin e detyrës.
    Kleanthi reagoi fort:
    - Ti, Rrapi, je ai prokurori që duhet të thuash e të kërkosh shpjegime meqenëse nuk janë miratuar si sindikatë.
    Në këtë rast, Kleanthi kishte të drejtë. Prokurori kishte për detyrë të kontrollonte ligjin nga Ministria e Drejtësisë dhe nga sindikata.
    Rrapi përsëri e kundërshtoi:
    - Ata duhet t'i thërrasë ministri i Drejtësisë, për të kërkuar ligjshmërinë e sindikatës.
    - Ti ke të drejtë të thuash e të kërkosh llogari edhe ndaj ministrit, - replikoi përsëri Kleanthi.
    - Epo ju si gjykatë, duhet ta mbështesni, - i ktheu përgjigje Rrapi. - U bënë gjykime për demonstratat në dhjetor, u kërkua të vihen para përgjegjësisë penale për akuza të rënda deri edhe për diversion, me këshillën tuaj, dhe në përfundim, po ju në Gjykatën e Lartë, i ulët masat e dënimit për të akuzuarit.
    - Pse nuk na vini në dijeni për këto, - vazhdoi replikën Kleanthi. -Na dërgoni protesta për vendimet e buta që të prishen.
    - Do t'i bëjmë protestat kundër vendimeve, - u përgjigj Rrapi.
    Mendimi i Kleanthit për protesta ndaj vendimeve të gjykatës, ishte në fakt një reagim për të ulur vlerën e qëndrimit të drejtë të Rrapit. Kleanthi nuk kishte të drejtë me mbështetjen që i bënte kërkesës së Ramizit, pasi akuza për shpërdorim detyre argumentohej padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin.


    LETËR KLEANTHI KOÇIT
    Më 2 mars 1991, unë i dërgova Kleanthit një shkresë me disa mendime për këto probleme. Me anë të këtij dokumenti që tregonte për reagimin tim zyrtarisht dhe me shkrim, kisha edhe si qëllim që të ndihmoja Kleanthin të reagonte duke shprehur edhe mendimin e tij të dokumentuar zyrtarisht, megjithëse isha i bindur se ai nuk do të jepte përgjigje. Kle-anthi kishte marrë rolin e avokatit dhe të këshilltarit ligjor për Ramizin dhe ky i fundit orientohej nga mendimet që i jepte ai. Këtë rol kishte luajtur më parë edhe Araniti.
    Në fakt, Kleanthi nuk iu përgjigj kërkesës sime. Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme binin dakord me kërkesat e Ramizit, direkte ose indirekte, me anë të ministrit të Brendshëm dhe nuk për-gjigjeshin për problemet që unë ngrija për shkeljet e ligjit, të cilat kërkonin unifikimin e praktikës gjyqësore. Një rast tjetër flagrant ishte edhe udhëzimi i Plenumit të Gjykatës së Lartë për krimin e sabotimit në formën e shpërdorimit të detyrës. Udhëzimi ishte i paligjshëm, për arsye se bëhej interpretim i zgjeruar i ligjit. Ky interpretim ishte vetëm në kompetencën e Presidiumit të Kuvendit Popullor.


    ANIJA USHTARAKE
    Gjatë zhvillimit të kësaj mbledhjeje, Kiço Mustaqin e lajmëruan disa herë se e kërkonin në telefon. E merrnin nga Sazani.
    Së fundi, Kiço bëri të njohur telefonatën:
    Më lajmëruan, sho-ku Ramiz, se është rrëmbyer një anije ushtarake dhe duan të ikin në Itali. Komanda ushtarake në Sazan kërkon urdhër për përdorimin e armëve.
    Ramizi iu përgjigj: Të bllokohet anija me anë të katerave silurues. Të pengohet lëvizja e anijes. Kiço Mustaqi u largua të komunikonte porosinë e Ramizit. Përsëri morën në telefon. Më në fund, Ramizi urdhëroi: Të qëllohet ndaj anijes! Të qëllohet me armë! Të mos lejohet që të largohet!


    SHKARKIMI-EMËRIMI
    Në përfundim, Ramizi më pyeti:
    Kush mund të vihet kryetar i Hetuesisë?
    - Në radhë të parë duhet respektuar Kushtetuta. Shkarkimi bëhet vetëm nga Kuvendi. Pasi të zgjidhet ky problem, mund të mendohet për një tjetër. Meqenëse pyetem, atëherë është mirë të jetë nga Hetuesia, - iu përgjigja.
    - Po kush?
    - Janë dy zëvendës që janë emëruar nga Presidiumi dhe miratuar nga Kuvendi. Me ata kam punuar. Njëri prej tyre mund të zgjidhet, pse jo Flamur Çato, njeri korrekt, i ndershëm dhe i përkushtuar në punë.
    - Po ndonjë mendim tjetër ke?
    - Ka edhe kuadro të tjerë drejtues, si Besnik Imeri, Fatmir Braka e të tjerë drejtues të aftë, që kanë kontribute shumë të mëdha që nga riorganizimi i Hetuesisë, - iu përgjigja. - Ju mund të pyesni dhe të zgjidhni kush do të ishte më i përshtatshëm.
    Nuk bënë pyetje të tjera.
    Ramizi përfundoi mbledhjen. U ngrit dhe i takoi të gjithë me radhë. Dha porosi që të bëhej njoftimi për televizionin, radion dhe gazetat. Unë u shmanga dhe dola përpara te dera e sallës. Ramizi më pa me shqetësim dhe doli pas meje. Në korridor, pyeti:
    - Ku është Qemali? Nuk u përgjigja. Pasi më pa, erdhi dhe më dha dorën. -E pashë në sy dhe i thashë: "Faleminderit".
    Ramizi nuk foli. U vrenjt më shumë në fytyrë dhe iku.


    SHERIF MERDANI
    Në korridor, vazhdova të bisedoja me Kiço Blushin. Më tha i shqetësuar se: -Në Korçë kanë arrestuar Sherif Merdanin, për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Ai nuk e ka rrëzuar monumentin. Të garantoj për këtë. -Të besoj, - i thashë. - Do të kërkoj të dhëna dhe do ta ndjek me kujdes.
    U largova nga selia e Presidencës, bashkë me Kleanthi Koçin.
    Shkuam direkt në zyrën e tij. Biseduam edhe një herë për emërimin e ri të mundshëm. Kleanthi do të ishte ai që do t'i merrej mendim, në rast se atij nuk do t'i ishte marrë më parë.
    I sqarova edhe një herë qëndrimin për zëvendësit, duke i thënë që të zgjidhej njëri nga dy zëvendësit e mi. Megjithëse kisha ndonjë vërejtje për punën e tyre, por me ata dhe drejtues të tjerë kisha përballuar një volum të madh pune dhe i vlerësoja dhe besoja që mund ta kryenin detyrën në vendin tim.
    Kleanthi foli me sinqeritet:
    - Ti i ke mbështetur dhe ndihmuar. Bravo të qoftë. Edhe unë po të isha në rrethanat e tua, kështu do të veproja. Por në rastin konkret kam besim se asnjëri prej zëvendësve nuk do të pranohet në vend të kandidaturës tënde dhe ti e kupton pse.
    U përshëndetëm miqësisht, si zakonisht me Kleanthin dhe u largova. Kleanthi e ndiente veten në pozita të vështira për rrethanat në të cilat flitej kundër meje. Megjithatë, nuk u prononcua konkretisht për të dhënë mendimin e tij.
    Takova Zija Xholin, kur po dilja nga Kleanthi, ishte me Josif Mingën, kompozitor. Të dy po më prisnin dhe donin të më takonin. Interesoheshin për Sherif Merdanin. Josifi më tha se, kur u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës, Sherifi kishte qenë në shtëpinë e tij.
    Zijain dhe Josifin i sigurova se do ta analizoja çështjen me kujdes dhe do të vendosja me drejtësi.
    Vajta direkt në zyrë.

    (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  2. #12
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Qemal Lame bën libër, në vend që të heshtë

    Qemal Lame bën libër, në vend që të heshtë

    Ilir Hashorva

    Në studimet që po bëj për jetën dhe veprimtarinë e Simon Vizentalit, për të cilin po shkruaj biografinë, libritë këtij njeriu që nuk i ndërroi kurrë pikëpamjet e tij, të këtij njeriu idealist që për 60 vjet ndoqi, kapi dhe çoi para drejtësisë mbi njëmijë kriminelë nazistë, ndesha në këtë episod: “Mbaj mend shumë mirë, – thotë Simoni – një fytyrë të zbehtë që dilte si nëpër mjegull në sfondin e errët të një dritareje të vogël të papafingos së një shtëpie. Gjyshja më thoshte se ai ishte, ai, mëkatari, ‘i heshturi’, emër me të cilin njihej nga të gjithë.

    “Një ditë, ‘i heshturi’ ishte grindur me gruan dhe e kishte nëmur, duke i thënë: ‘U djegsh!’ Në mbrëmje shtëpia e tyre kishte marrë flakë dhe gruaja e tij u dogj vërtet. Burri, ndonëse nuk kishte fare dorë në atë që ndodhi, e ndjeu veten fajtor dhe shkoi të këshillohej me rabinin e qytetit për të bërë diçka që të shlyente ‘fajin’, pasi, për hebrenjtë, faji shlyhet, nuk falet. Rabini i dha urdhër: ‘Për sa kohë të jesh në këtë jetë, të mos nxjerrësh fjalë nga goja, vetëm lutu dhe kërko ndjesë’. Që prej asaj dite, ai do të jetonte në atë dhomë të papafingos, pa dalë jashtë, pa folur me njeri, pa takuar njerëz, por me të drejtën të dilte në dritare dhe prej aty të shihte dhe të lidhej me botën. Dy herë në ditë ‘të heshturit’ i çoheshin ushqime në dhomën e tij.

    “Prej vitesh Simoni ndjente një të rrëqethur, sa herë kujtonte ‘mëkatarin e heshtur’ që shfaqej pas dritares së errët, por, njëkohësisht, ndjente edhe urtësinë e shpagesës së të keqes: të gjithë mëkatarët, e çfarëdo lloji, ashtu siç kishte urdhëruar rabini, për burrin që kishte mëkatuar duke nëmur gruan, nuk duhej të flisnin më, nuk duhej të nxirrnin më zë, duhej të heshtnin për jetë! Nga ajo ngjarje, Simoni do të formonte edhe konceptet e para për fajin dhe ndëshkimin, për pendesën dhe faljen. Për të, faji nuk mund të falej prej tjetrit, falja duhej fituar prej vetë mëkatarit dhe faji gjithnjë duhej ndëshkuar”.

    Me rastin e 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, dolën lloj-lloj njerëzish të flitnin e ta kujtonin atë ngjarje. Secili, sipas karakterit të tij, sipas pozicionit të tij, vinte në dukje një gjë apo një tjetër, me qëllim jo aq për të përkujtuar apo sqaruar atë ngjarje, protagonistët e së cilës ende edhe sot janë anonimë, por për të treguar ndonjë “zotësi” të vetën, ndonjë “kontribut” që mendon se ka dhënë, duke goditur dikë që dje e kishte mik e sot armik: dolën komunistë e socialistë që goditnin Ramizin e dolën antikomunistë e demokratë që goditnin Saliun.

    Ndërmjet të shumtëve, përshtypje të veçantë më lanë kujtimet e Qemal Lames, i cili i ka hedhur ato në një libër që e quan “Kur shembeshin themelet”. Deri vonë kemi ditur se ose Ramiz Alia, ose Hekuran Isai, kishin meritën që kishin urdhëruar të mos qëllohesh mbi ata që do të dilnin në shesh për të rrëzuar monumentin, tashti mësojmë se nuk paskësh qenë as njëri, as tjetri, as të dy së bashku, por paskësh qenë Qemal Lamja.

    Siç thotë në libër dhe siç citohet nga “Gazeta Shqiptare” e datës 20 shkurt, 2014, në një bisedë që ka zhvilluar me Hekuran Isain, ky i paskësh thënë Qemalit: “Pritet të zhvillohet demonstratë e madhe. Demonstruesit, të drejtuar nga Partia Demokratike, do të kërkojnë të pushtojnë ndërtesat qendrore, Komitetin Qendror, Këshillin e Ministrave, Presidiumin e Kuvendit Popullor etj. Duan që të rrëzojnë edhe monumentin e Enver Hoxhës në sheshin qendror, para Muzeut Kombëtar. Udhëheqja ka mendim që “të veprohet me forcë deri edhe me përdorimin e armëve”. Dhe Qemali Lamja i paskësh thënë Hekuranit: “Jo! Jo! Jo! Në asnjë mënyrë! Nuk duhet të përdoren armët. Kemi për detyrë të mbrojmë popullin. Në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye nuk mund të qëllohet mbi popullin. Të qëllosh mbi popullin është tradhti e lartë ndaj atdheut. Për mendimin tim, mos bëj gabim të urdhërosh të qëllohet mbi popullin. Ramizi do ta mbajë me çdo kusht pushtetin. Nuk ke përse të sakrifikohesh dhe të përdoresh për qëndrimet e tij personale dhe emocionale”. Në fund të bisedës, Hekuran Isai e ka falënderuar Qemalin që i hapi sytë dhe e largoi nga mëkati: “Ke të drejtë, Qemal, – më tha. – Të faleminderit! Nuk do të urdhëroj përdorimin e armëve. Nuk është e lehtë të kundërshtosh, por do ta kundërshtoj urdhrin, në rast se më jepet nga Ramizi… Hekuranin e besova për shqetësimin që kishte. Ai konsultohej dhe më kërkonte mendim në raste të veçanta”.

    Sipas vëllait të tij, Qemal Lamja është bërë i famshëm, sepse i paska dërguar një dosje Enver Hoxhës, pak vite para se Enveri të vdiste, me fakte dhe dokumente për implikimin e Ramiz Alisë në veprimtari agjenturore. Që në atë moment, thotë vëllai i tij, marrëdhëniet midis Ramizit dhe Qemalit u bënë konfliktuale. Megjithatë, Ramizi e mbajti atë në detyrën e kryehetuesit deri në vitin 1992, vit kur Qemali u largua nga Shqipëria, shkoi në Gjermani dhe aty kërkoi dhe mori strehim politik.

    Deri kur njerëz të tillë si Qemal Lamja, kryehetues i Shqipërisë diktatoriale nga viti 1981-1992, drejtuesi i institucionit më kriminal, i institucionit më të urryer të një vendi si Shqipëria e asaj kohe, i institucionit që ka kryer torturat më të tmerrshme e më çnjerëzore ndaj kundërshtarëve të regjimit, por edhe ndaj popullit të thjeshtë, pasues i denjë i kryehetuesit kriminel e sadist Nevzat Haznedari, i diplomuar nga Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, domethënë nga shkolla e Sigurimit, do të dalin e do të shkruajnë për historinë, me qëllim evidentimin e vetes dhe përkrahjes së ndonjërit që e kanë mik, apo goditjes së ndonjë tjetri që nuk e kanë më mik? Qemal Lamja, në qoftë se do që të japë ndonjë kontribut vërtet me vlerë për historinë tonë, e të shlyejë sado pak mëkatet e tij, duhet të flasë dhe të shkruajë me një ndjenjë pendese të thellë e të sinqertë, për ato që ka kryer ai vetë dhe institucioni i tij, të tregojë se si funksiononte institucioni i tij që për nga puna e kryer ka qenë i ngjashëm vetëm me inkuizicionin spanjoll të mesjetës. Qemal Lamja, për nga detyra që ka pasur dhe ka kryer, ka qenë më i ngarkuar me faje edhe se kryeprokurori i zi Aranit Çela, pasi pretencat që jepte ky i fundit i bazonte në informacionet që merrte nga Qemal Lamja.

    Kanë kaluar vetëm 23 vjet nga dita e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Një pjesë e mirë e njerëzve të asaj kohe e dinë mirë se si u zhvilluan ngjarjet e asaj dite dhe e të gjitha ditëve që paraprinë atë ngjarje dhe nuk është nevoja që t’ua tregojë Qemal Lamja, apo të tjerë të ngjashëm me të. Historia jonë është bërë një grumbull gënjeshtrash të cilave nuk u zë besë kërkush. Çdo sharlatan e çdo i pacipë shkruan si ia do interesi i çastit dhe prandaj nuk dimë me saktësi jo vetëm për ngjarje apo persona relativisht të largët, por nuk dimë as për ngjarje e persona fare të afërt.

    Është e habitshme se si njerëzve si Qemal Lamja nuk u vjen zor t’i flasin popullit, këtij populli që i kanë bërë njëmijë e një të zeza, e t’i thonë se kanë qenë ata, personat të cilëve populli duhet t’u jetë mirënjohës. Njerëz si Qemal Lamja duhet të heshtin, të heshtin për gjithnjë, ashtu si ai, mëkatari, i “heshturi” i papafingos së Simon Vizentalit.

    *Titulli është i redaksisë. Titulli i autorit ‘Ju duhet të heshtni’.

    http://mapo.al/2014/02/26/qemal-lame...-qe-te-heshte/
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    Sigurimi i bëri gati dosjen, Enveri refuzoi miratimin e ndjekjes penale të Kadaresë

    TIRANE-Cili ishte qëndrimi i udhëheqjes komuniste ndaj Ismail Kadaresë? Kjo është një ndër pyetjet më të mëdha që shtrohet sa herë që flitet për raportet e shk-rimtarëve me regjimin. Në librin e tij me kujtime, ish-kryehetuesi Qemal Lame rrëfen se Kadare, prej kohësh ndiqej nga Sigurimi i shtetit. Por, ai shton se vlerësohej, se kishte ardhur momenti dhe ishte e nevojshme që Ismaili, si personi me ndikim të madh në opinionin shoqëror në Shqipëri dhe i njohur në botë, duhej të goditej dhe të dënohej si armik i Partisë dhe shtetit të diktaturës së proletariatit, për shkak të pikëpamjeve dhe qëndrimeve armiqësore në veprat e tij.
    “Kur shembeshin themelet”, titullohet libri i botuar nga “Onufri”, ku hidhet dritë mbi disa prej momenteve më të rëndësishme të perandorisë komuniste në rënie. Nga ana tjetër, ai tregon edhe ko-njukturat mes udhëheqësve komunistë. Parë në këtë prizëm, Lame vëren se Ramiz Alia mbrohej nga Nexhmije Hoxha dhe më tej argumenton pse nuk mund të arrestohej Kadare. Këtu përmend faktin se ai njihej jashtë Shqipërisë dhe se arrestimi i tij, me shumë gjasa do të shkaktonte trazira, pasi nuk do të pritej mirë nga opinioni publik. Në fillim, Lame tregon se si u morën nga shtëpia e shkrimtarit do-kumentet që ai pat lënë aty, kur u nis drejt Francës.

    Marrja e dorëshkrimeve me mirëkuptimin e të afërmve dhe duke organizuar një procedurë ekstra. Në këto kushte, organizova një procedurë të veçantë në formën e një veprimi publik. U interesova vetë posaçërisht, që hetuesit nga Hetuesia e Përgjithshme, nën drejtimin e drejtorit Petrit Serjani, në prani të prokurorit të rrethit, Sinan Baboçi, kryetarit të Hetuesisë rrethit, Riza Xhixho, si dhe të përfaqësuesve të pushtetit në lagje, pasi të vihet në dijeni dhe të merret miratimi i paraprak i familjarëve të shkohet në shtëpinë e Kadaresë. Në rast se do të kishte mundësi, të bisedohej më parë me telefon me Kadarenë, nga vetë e motra e tij.

    Kështu u veprua. Porosita që: “Motra e Ismailit, e cila ndodhej në shtëpi, të vihej në dijeni, se është porosi që dokumentet dhe shkrimet personale, të merren sipas kërkesës së vetë Kadaresë, në një letër të dërguar Ramiz Alisë. Ato do të çohen për t’u ruajtur në Arkivin e Shtetit, për t’u ad-ministruar si dokumente me rëndësi, të njerëzve të shquar të popullit shqiptar”.

    Kështu u veprua nga të dërguarit prej meje në shtëpinë e Kadaresë. Dokumentet me dorëshkrime u dhanë me dëshirë dhe pa rezerva nga vetë e motra e Kadaresë.

    Vura në dijeni Ramiz Alinë për masat e marra, duke i dërguar një informacion me shkrim. Nuk pati reagim dhe as përgjigje vlerësuese apo kritikë.
    Informimi me shkrim pati si qëllim, në fakt, që të dokumentohej ky urdhër që jepej me gojë dhe nuk ishte bërë zyrtarisht me shkrim, për të mos lënë provë për të ardhmen, për qëndrimin e mbajtur në atë kohë, ndaj një problemi të rëndësishëm politik të kërkesës për azil politik dhe të reagimit shtetëror.


    KADARE I LIDHUR ME SHEHUN

    Ismail Kadare ka qenë në ndjekje nga Sigurimi I Shtetit dhe është kërkuar përfshirja në grupin armiqësor të liberalizmit dhe u përsërit edhe në komplotin e fundit të Mehmet Shehut.
    Qëndrimi për zbatimin e ligjit nuk ishte një urdhër i dhënë për një problem ligjor, por për një problem politik. Ai do të aktualizonte edhe problemet e diskutuara në rreth të ngushtë në të kaluarën për Kadarenë.

    Me rastin e hetimit të personave të akuzuar, arrestuar dhe dënuar si armiq të Partisë së Punës, për qëndrimin armiqësor me pikëpamjet dhe veprimet borgjeze të liberalizimit të Partisë dhe shtetit, si të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës, ndërmjet disa intelektualëve të dyshuar për pikëpamjet e tyre është diskutuar edhe për Ismail Kadarenë.

    Në Byronë Politike dhe në Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë është diskutuar edhe propozimi i bërë nga Sigurimi i Shtetit, me anë të ministrit të Punëve të Brendshme, që ishte edhe anëtar i Byrosë Politike, për goditjen e Ismailit për idetë e tij në veprat letrare, me pikëpamje liberale armiqësore për Partinë e Punës. Enver Hoxha nuk ka qenë dakord që Ismail Kadare të ndiqej penalisht dhe të përfshihej në grupin armiqësor të liberalizimit.

    Në atë kohë, në Byronë Politike dhe sekretariat është kritikuar edhe Ramiz Alia, i cili drejtonte propagandën dhe arsimin si sekretar i ngarkuar me ideologjinë. Nexhmije Hoxha e ka vlerësuar besnikërinë e rolin e Ramizit dhe ndaj tij është mjaftuar masa me një vërejtje.

    Lidhja që Ismail Kadare kishte me familjen e Mehmet Shehut dhe fëmijët e tij, vlerësohej si një drejtim tjetër i shtrirjes së veprimtarisë armiqësore edhe në fushën e artit e të kulturës, me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara. Komploti kundër Partisë dhe shtetit mendohej se do të dilte më i plotë, po të vërtetohej edhe shtrirja në ideologji.

    Për këtë u shtrua edhe detyra për studimin e të dhënave dhe provave në ngarkim të Kadaresë. Vlerësohej se kishte ardhur momenti dhe ishte e nevojshme që Ismaili, si personi me ndikim të madh në opinionin shoqëror në Shqipëri dhe i njohur në botë, duhej të goditej dhe të dënohej si armik i Partisë dhe shtetit të diktaturës së proletariatit, për shkak të pikëpamjeve dhe qëndrimeve armiqësore në veprat e tij.


    PSE NUK MUND TË ARRESTOHEJ KADARE

    Versioni për arrestimin e Kadaresë për veprimtari armiqësore dhe përfshirjen në komplot nuk mund të realizohej: Ismail Kadare ishte një figurë e shquar e letërsisë shqiptare dhe me njohje të gjerë ndërkombëtare.

    Arrestimi i tij nuk do të gjente përkrahje në popull dhe në botën e jashtme. Do të kishte reagime me pasoja të mëdha, që do të dëmtonin më shumë politikën kundër veprimtarisë armiqësore. Kjo do të forconte bindjen në opinionin publik, se grupet armiqësore ishin manipulime politike dhe të drejtësisë.
    Komploti i fundit me në krye Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun etj., do të vihej më shumë nën kritikën e brendshme dhe të jashtme, do të shtoheshin më shumë dyshimet dhe do të bëheshin më të qarta në popull dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, falsiteti i propagandës partiake për improvizimin me prova dhe akuza të manipuluara dhe të falsifikuara të komplotit. Deklarimi zyrtar, se ky komplot ishte më i madhi dhe më i rrezikshmi, do të kthehej në akuzë për udhëheqjen.

    Populli do të kuptonte se ai ishte inskenuar për të fshehur qëllimet e vërteta politike që po zbatoheshin në mënyrë të organizuar nga udhëheqja e Partisë, që të arriheshin masat për eliminimin e kundërshtarëve politikë, zhdukjen e personave më të rëndësishëm që mund të dëshmonin në të ardhmen për sekrete shtetërore ku vërtetohej përgjegjësia direkte e Enver Hoxhës, si dhe garantimin e kalimit të pushtetit tek Ramiz Alia, pas vdekjes së Hoxhës.


    NË KËRKIM TË PROVAVE

    Dokumentet agjenturore dhe hetimore me provat për kërkesën për arrestimin e Ismail Kadaresë. Në bazë të kritereve të ligjit për administrimin e doku-menteve zyrtare dhe arshivimin, të Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe të Rregullores së Administrimit të Doku-menteve Zyrtare të Partisë së Punës, përcak-tohej procedura e dër-gimit, marrjes, admi-nistrimit, njohjes, përdo-rimit dhe arkivimit.

    Në bazë të këtyre rregullave ligjore dhe rregullave të brendshme në Komitetin Qendror të PPSH, dokumentet që i adresoheshin udhëheqjes, protokolloheshin në sekretari dhe i paraqiteshin për ta njohur direkt personi që i adresohej. Pasi e lexonte, ai dokumentonte njohjen me dokumentin me anë të shënimit që vendoste në pjesën e sipërme të dokumentit dhe e firmoste. Pas njohjes, dokumenti kthehej përsëri në arkiv. Në bazë të porosive të dhëna, merreshin masat përkatëse për t’i zbatuar.

    Dokumentet e klasifikuara “sekret” ose “tepër sekret” që dërgoheshin nga Sigurimi i Shtetit, materiale të rëndësishme agjen-turore, të zbulimit të brendshëm dhe të jashtëm, radiograme, etj., që përgatiteshin nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, që hartoheshin vetëm në një ekzemplar dhe kërkohej të ruhej me rreptësi sekreti i përmbajtjes së tyre, paraqiteshin në udhëheqje, që nënkuptonte vetëm sekretarin e parë të Komitetit Qendror dhe me porosi të tij, sekretarit për organet e diktaturës (rendit), duke ia dhënë personalisht atij dorazi nga ministri ose zëvendësministri, ose shifranti. Këto dokumente mbeteshin në arkivën e organit që i kishte dërguar. Ndalohej njohja e këtyre do-kumenteve nga persona të tjerë.

    Procedura e administrimit dhe arkivimit të dokumenteve të punës agjenturore dhe të hetimeve me shumë rëndësi si për grupet komplotiste, ishte edhe më e rreptë. Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH jepte porosi me gojë dhe kërkonte përgjigje po me gojë vetëm nga ministri i Punëve të Brendshme.
    Ministri i Punëve të Brendshme nuk linte shënime me shkrim.

    Në raste tepër të veçanta, kur vetë sekretari i parë i KQ të PPSH jepte porosi dhe kërkonte përgjigje me shkrim ose dokumentin përkatës, siç ishin implikimet për veprimtari armiqësore, paraqitej dokumenti dhe ai shkruante porositë përkatëse.

    Vetëm në raste shumë të veçanta, si për të dhëna dhe implikime me shumë rëndësi, si procesverbali i pyetjes së Llambi Ziçishtit, paraqitej dorazi dokumenti dhe vihej shënimi përkatës, siç është vepruar konkretisht.

    Në janar të vitit 1990, Ramiz Alia filloi të kthejë mbrapsht në organin që i kishte dërguar të gjitha materialet “sekrete” dhe “tepër sekrete”, duke vënë vetëm firmën e tij.

    Në bazë të kësaj praktike, Ramiz Alia është njohur me këtë procesverbal, ka vënë shënimin dhe e ka nënshkruar. Në pjesën e sipërme të dokumentit majtas, lexohet shkrimi me shënimin dhe firmën e Ramiz Alisë: (Sh. Zylyftar. Në ruajtje. Firma).
    Rëndësia e këtij procesverbali dhe shënimi dokumenton:

    - Pyetja e të pandehurit Llambi Ziçishti dhe evidentimi me shkrimin e tij ka pasur si qëllim që të përdorej si provë e rëndësishme ligjore.
    - Përmbajtja është shkruar sipas porosisë së dhënë nga vetë udhëheqja.
    - Shënimi i adresohet zëvendës-ministrit Zylyftar Ramizi, i cili kishte në drejtim edhe Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit. Kjo nënkupton masat e mëtejshme që duhet të merreshin nga Sigurimi i Shtetit, për të gjetur dhe administruar të dhëna dhe prova të tjera, për realizimin e goditjes së planifikuar në masat operative agjenturore.
    - Fjala “Në ruajtje” nënkupton depozitimin dhe përdorimin në kohën e përshtatshme të kësaj prove ligjore.

    (a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qemal Lame bën libër, në vend që të heshtë

    Qemal Lame: Përplasja me Samit Brokajn për lirimin e atyre që rrëzuan Enverin

    TIRANE-Pas demonstratave të prillit të 1991 në Shkodër, ku mbetën të vrarë katër qytetarë, ish kryehetuesi i kohës, Qemal Lame tregon në librin e tij me kujtime debatet dhe hetimet e kryera. "Kur shembeshin themelet", rrëfen orë pas ore përplasjet mes ministrave të kohës, hetuesve dhe zhvillimet që çuan drejt rënies perandorinë komuniste.


    RAPORT PËR ZHVILLIMIN E NGJARJEVE ME DATËN 1-3 PRILL

    Në datat 1-3 prill 1991, në qytetin e Shkodrës ka pasur cenime të rendit publik.
    Azem Hajdari ishte përsëri duke u folur të pranishmëve nga kati i dytë i selisë së PD. Nga fjala e tij, pjesëmarrësit entuziazmoheshin edhe më shumë, por më pas Azemi u sëmur dhe u largua. Me largimin e tij, njerëzit u qetësuan dhe u shpërndanë në qendër të qytetit grupe-grupe. Rreth orës 15.45, të gjithë qytetarët që ishin në shesh u drejtuan para Komitetit të PPSH-së, me thirrje "Liri-Demokraci", "PPSH të japë dorëheqjen", "Shkodra Republikë", "Poshtë komunistët", "Poshtë Xhelil Gjoni", "O Gjeli, o shkërdhatë, nuk e ke jetën të gjatë" etj.

    Para godinës së PPSH-së, ata u shtuan shumë, 15-20 mijë dhe kanë qëndruar duke thirrur deri në orën 21.30. Në disa raste, me kërkesën tonë, të pranishmëve u bënë thirrje për shpërndarje edhe deputetët e PD-së, Pjetër Arbnori e Ali Spahia, por ata nuk u shpërndanë.
    Në orën 8.15 u bë një takim i drejtuesve të PD-së e policisë te kryetarja e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të rrethit, ku u diskutua se si do të parandaloheshin ngjarjet. Edhe këtu, drejtuesit e PD-së si, Pjetër Arbnori, Xhelal Uruçi e Eduart Perjaku thanë se pjesëmarrësit në miting nuk ishin organizuar prej tyre, ata vetë nuk ishin dakord me këtë formë dhe se kishin konsumuar një ditë më parë me ta dhe se nuk u dëgjohej fjala për t'i shpërndarë.

    Ky proces vazhdoi deri në orën 10:00. Në këtë moment, me gjithë se disa pjesëtarë në manifestimet e paligjshme u përpoqën që të mos i linim të afroheshin, demonstruesit thyen me gurë të gjithë xhamat e katit të parë të Komitetit të PPSH dhe disa xhama të bibliotekës.
    Demonstruesit përdorën edhe dinamit kundër autoblindës dhe tentonin t'i hidhnin edhe në objekt. Armët u përdorën kryesisht ku kryheshin akte diversioniste. Gjithashtu u plaçkit biblioteka e rrethit dhe tentuan t'i vënë zjarrin.

    Rreth orës 11.30 morëm vesh se ishte vrarë një person, të cilin e sollën nga spitali në vendin e ngjarjes, e pak më vonë edhe për dy të tjerë. Pas vrasjes së parë, ata që shoqëronin kufomën u bënë presion forcave tona duke u thënë: "Kot e keni, pse nuk dorëzoheni, sepse Tirana është dorëzuar", disa vazhdonin thirrjet kundër PPSH-së, presidentit dhe kërkesat "Shkodra Republikë". Të tjerë thoshin se Xhelil Gjoni është vrarë, Xhelil Gjoni ka arrestuar Ramiz Alinë etj., parulla këto që i nxisnin më tepër demonstruesit për veprime vandale.

    Vandalistët i vunë zjarrin dhe dinamitin edhe 4 makinave të policisë, si dhe 4-5 makinave të Komitetit të PPSH-së.
    Godina e Komitetit të PPSH-së u dogj plotësisht. Rreth orës 13.00, vandalistët u grumbulluan para Radio Shkodrës, ku rreth 20 minuta u mbajti fjalim Azem Hajdari, i cili ka thënë se qeveria në Tiranë është rrëzuar dhe se në 5 qytete, si në Vlorë, Durrës, Korçë, Elbasan, Kavajë demokracia arriti qëllimin e vet, prandaj na mbeti edhe Shkodra për ta fituar. Disa pjesëtarë të turmës, duke qenë edhe nën presionin e forcave të rendit, e penguan turmën të futej në radio. Nga përleshjet te Komiteti i Partisë së Punës u plagos shefi i policisë, të cilit i morën pistoletën e kërkonin ta vrisnin 10-15 huliganë, komandanti i repartit të policisë së qytetit, 4 oficerë të tjerë, si dhe 21 policë e ushtarë, prej të cilëve me armë u plagos edhe sekretari i Komitetit të Partisë Punës, Xhorxhi Grabova. U vranë me armë 3 qytetarë: Arben Broci, inxhinier në fabrikën e cigareve, anëtar i PD-së, vjeç 24; Besnik Cepa, vjeç 29, punëtor në NSHRAK dhe Bujar Bishanaku, vjeç 22, i pazënë në punë, anëtar i PD-së. Në datën 04.04.1991, njoftohemi se në spitalin e Tiranës ka vdekur edhe Nazmi Kryeziu, rreth 33 vjeç, i plagosur rëndë, punëtor në Uzinën e Blojës, i dënuar 7 vjet për kontrabandë. Gjithashtu janë plagosur edhe qytetarë të tjerë.

    Më datë 03.04.1991, si rezultat i thirrjes së bërë nga sindikata e pavarur e punëtorëve dhe Partia Demokratike, shumica e punonjësve të qytetit, nxënësit e shkollave etj., që në orën 9.00 lanë punën dhe u grumbulluan në qytet për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tre të vdekurve.
    Me përjashtim të thyerjeve të disa xhamave në mëngjes, më datën 03.04.1991 nuk pati ndonjë shqetësim tjetër serioz. Rreth orës 14.30, të tria kufomat u shoqëruan para selisë së Partisë Demokratike, ku u grumbulluan rreth 30 000 persona, ku foli lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u tha të pranishmëve se të vrarët janë heronjtë e demokracisë, ata do të rrojnë, vrasësit do të vdesin, komunizmit i erdhi fundi. Pak a shumë kështu janë zhvilluar ngjarjet edhe në varreza, ku kufomat u shoqëruan në këmbë nga rreth 10 000 veta. Pas kthimit nga varrimi, në dy mjete transporti që janë kthyer para turmës, janë hedhur parulla të kundërligjshme si "Poshtë Ramiz Alia", "Poshtë komunizmi" etj. Më pas nuk ka pasur ngjarje të tjera, njerëzit janë shpërndarë normalisht. Për këto probleme që trajtuam, hetuesia ka filluar e po vazhdon hetimet. Sot përsëri ka grumbullime para ish-Komitetit të PPSH-së, ku pjesëmarrësve u foli Azem Hajdari dhe njerëzit po shtoheshin vazhdimisht. Po marrim masa për normalizimin e gjendjes, e cila është akoma e tensionuar. (Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Çapajev Taçi).
    MANGËSITË E RAPORTIT PËR NGJARJEN DHE PËRGJEGJËSITË KONKRETE
    Pasi u njoha me raportin, pyeta nëse kishte të dhëna të tjera nga dega e punëve të brendshme, Komiteti i Partisë së Punës, Partia Demokratike etj., të cilat lidheshin direkt me ngjarjen.
    - Ka prova dhe fakte të tjera të dërguara nga dega e punëve të brendshme, për të vërtetuar të dhënat e raportit? - pyeta Kostën.
    - Jo, shoku kryetar. Më paraqitën vetëm raportin. U kemi kërkuar të dhëna, por nuk i japin. Nuk kemi, thonë.


    TAKIMI NË DEGËN E PUNËVE TË BRENDSHME PËR RENDIN DHE ZBATIMIN E LIGJIT

    Në degën e punëve të brendshme ishte qetësi. Në zyrë ishte Çapajev Taçi, kryetari dhe Naim Reçi, nënkryetari.
    Çapajevi u ngrit nga karrigia e tij dhe u nxi në fytyrë sapo më pa. Më vështronte me urrejtjen që besnikët e partisë shikonin armiqtë e Partisë dhe popullit. Zylyftar Ramizi më kishte akuzuar në disa mbledhje se sabotoja Sigurimin e Shtetit, ndërsa të tjerët, si edhe Çapajevi, nuk kishin aq pushtet sa Zylyftari që të deklaronin hapur mendimin e tyre dhe reagonin me qëndrimet dhe mimikë të pakënaqur.
    Çapajevi nuk u përmbajt dhe i tensionuar tha:

    - Shoku Qemal, kështu nuk shkohet më. Jemi në tension prej shumë kohësh. Të vihet dorë. Këtë e ka bërë Partia Demokratike. Azem Hajdari e nxiti popullin. Është deputet, por të përgjigjet. Të vihet dorë për ta arrestuar. Të shkohet deri në fund. Çështja duhet të shkojë deri në fund. Ju jeni kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme. Bisedoni me shokun Ramiz. Unë nuk kam çfarë të bëj. Kështu nuk mund të punoj dot.
    Reagova me kujdes që të qetësohej dhe të reagonte pozitivisht për detyrat që dilnin:

    - Unë kam për detyrë të kërkoj se si është zbatuar ligji dhe të hetoj veprat penale të kryera, në bazë të provave dhe fajësisë së fajtorëve. Këto kërkojnë procedurën ligjore të parashikuar nga procedura e hetimit. Imuniteti i deputetit është garanci kushtetuese. Megjithatë, kjo nuk pengon policinë dhe as hetuesinë për të evidentuar drejt rrethanat e ngjarjes dhe provat për cilindo që ka kryer një vepër penale. Kemi për detyrë të veprojmë në bazë të ligjit dhe me prova.
    - Për ne është e vërtetuar kush e shkaktoi ngjarjen. Kam bërë raportin. E paraqita sot edhe në hetuesi. Të vendoset në fillim për drejtuesit e Partisë Demokratike.
    - Ka prova për drejtuesit e Partisë De-mokratike?
    - Unë paraqita raportin me përfundimet që kemi ne si degë e punëve të brendshme. Më shumë nuk kemi.
    - Raporti nuk bazohet në prova, - u përpoqa ta sqaroj edhe njëherë për kërkesat e nevojshme procedurale. - Nuk kemi asnjë të dhënë tjetër veç konkluzioneve.


    NE TIRANE

    U takova me kryetarin e hetuesisë, duke e porositur të ndihmonte bashkë me hetuesin zëvendëskryetarin dhe grupin e hetuesve dhe të punonin së bashku. Drejtori, Besniku, erdhi me mua për në Tiranë.
    Ndalova direkt në selinë e Këshillit të Ministrave. Ishte pak pas orës 18.00. Sapo kishte filluar mbledhja. Rrapi erdhi pas afro një gjysmë ore.
    Pasi mbaroi pika e parë e sapofilluar, u kalua në analizën për gjendjen në Shkodër. -Na raporto ti, shoku Qemal, për gjendjen dhe çështjen hetimore, - tha Fatosi.

    Gjendja vazhdon të jetë e tensionuar dhe është shumë e vështirë për të vendosur qetësinë dhe rendin publik. Hetimet sapo kanë filluar. Mora takim me drejtuesit e degës së punëve të brendshme dhe ata të Komitetit Ekzekutiv. Masat për rregullimin e gjendjes janë së pari të karakterit më të rëndësishëm shtetëror dhe të kompetencës së organeve më të larta shtetërore, duke filluar nga Kuvendi Popullor. Së dyti, duhet konsesus i gjerë politik, që të qetësohet populli dhe të fillojë funksionimi i shtetit dhe i rendit në Shkodër. Me anë të shtypit, është bërë një njoftim nga Ministria e Brendshme dhe pas tij, njoftimi i përbashkët i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit Presidencial. Prandaj është mirë që të jepet një raport informues me të dhënat e deritanishme nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe pastaj nga unë. Duke i dëgjuar në mënyrë kronologjike, do të mund të krijohet një përfytyrim më i mirë për situatën dhe masat që duhen marrë.


    DEBATET

    - Po ti ishe në vend, - tha menjëherë Fatosi.
    - Pikërisht, për këtë do të flas, pasi e përjetova sadopak gjendjen. Në vend duhej të kishte vajtur më parë ministri i Punëve të Brendshme.
    - Fol ti, ministër i Drejtësisë, - tha Fatosi, duke iu drejtuar Dashamirit.
    - Të flasë ministri i Brendshëm, - iu përgjigj Dashamiri.
    - Mirë, po flas unë, - ndërhyri dhe e mori fjalën Gramozi dhe filloi të lexojë raportin e dërguar nga kryetari i degës së punëve të brendshme edhe në hetuesinë e rrethit.
    Pasi mbaroi leximin, Gramozi bëri disa komente për gjendjen e krijuar dhe vuri në dukje disa kritika që bëheshin nga drejtues në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Shkodër, për bashkëpunimin me hetuesinë.
    E mora unë fjalën: -Raporti i degës së punëve të brendshme është i vetmi material kallëzues i ardhur në hetuesi. Bëhet informim për ngjarjen, nuk janë bërë ndalime dhe nuk janë paraqitur prova për shkeljet e ligjit dhe pasojat për vrasje dhe shkatërrimet e pronës....
    Në këto drejtime, merr rol me përgjegjësi qëndrimi i Partisë Demokratike. Drejtuesit e saj dhe deputetët e Shkodrës duhet të kontribuojnë për ngjarjen.

    Pas meje foli Rrapi Mino. Edhe ai vuri në dukje gjendjen e rëndë, duke miratuar problemet e parashtruara nga unë.
    - Shoku Qemal mori takime dhe bëri biseda dhe raportoi drejt. Problemet janë politike dhe kërkojnë zgjidhje nga lart. Sa na përket neve si Hetuesi dhe si Prokurori, kemi ngritur grupin e hetimit dhe të prokurorëve për të kontrolluar.
    Fjala ime dhe e Rrapit ndryshonin nga ajo e Gramozit. Këto ndryshime nxitën pyetje dhe diskutime nga anëtarët e kabinetit qeveritar.
    Menjëherë konstatova se kërkohej që zgjidhja të arrihej me shtimin e dhunës së paligjshme shtetërore.


    MINISTRAT MILITANTE

    Një pjesë e ministrave do të tregoheshin militantë nga më besnikët e udhëheqjes së Partisë së Punës dhe personalisht të presidentit të ri, që i zgjodhi me kujdes. Pyetjet e para dhe qëndrimi direkt ishte në theksin që iu dha kritikave për liberalizëm në hetuesi dhe në prokurori. Emërimi i Qeverisë së Re ishte bërë me konceptin e emërimit të besnikëve për të zbatuar udhëzimet dhe mbajtur qëndrime të ashpra. Qeveria nga e cila pritej bërja e reformave, do të ishte edhe më konservatore se e mëparshmja që të mbahej pushteti nga Partia e Punës. Kishte të drejtën për qeverinë pasi fitoi zgjedhjet, por zgjedhjet e lira u bënë për realizimin e reformave demokratike dhe jo të ruajtjes së sistemit të vjetër.


    SABIT BROKAJ

    Pati edhe ndonjë ministër që nuk kishte njohuri për punën në drejtësi, por si besnik i Partisë në mendimet e tij, ngriti zërin me kritikë të thellë:
    - Kur do të na i japë rezultatet hetuesia, - tha Sabit Brokaj, ministër i Shëndetësisë. - Për ngjarjet në Shkollën e Bashkuar, s'u bë gjë. U lanë të lirë fajtorët. U lanë të lirë edhe ata të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Tani nuk veprohet për vandalistët e terroristët në Shkodër. Ku do të vemi kështu? Kështu nuk mbahet pushteti! Po na ikën nga duart!

    E çuditshme, që një ministër i Shëndetësisë të mendonte, analizonte dhe të jepte konkluzione, si një militant partie me një nivel të tillë politik dhe kulturor. Një ministër i një sektori të rëndësishëm human dhe me rol të posaçëm për jetën dhe mirëqenien e njeriut, fliste si një militant ekstremist, që mbështeste dhe zbatonte verbërisht dhunën shtetërore.

    Nuk mund ta lejoja më shumë që të diskutonte në mënyrë kaq të papërgjegjshme dhe i ndërhyra, duke i ndërprerë fjalën, po me ton të ashpër:
    - Ku e njeh ti punën e Hetuesisë, shoku ministër i Shëndetësisë. Në punën tënde ti ke përcaktuar diagnoza dhe ke ndjekur terapi për zemrën, si specialist i mirë që dihet se ke qenë, nuk e besoj të kesh punuar ndonjëherë në organe të drejtësisë apo të Hetuesisë. Por gjithsesi, ne të dyve na lidh në profesionet tona dimensioni human. Humanizmi im qëndron në zbatimin me përpikmëri dhe drejtësi të ligjit, ndërsa yti në përcaktimin e diagnozës dhe shpëtimin e pacientit. Diskutimi yt më krijon mendimin se je ndikuar në mendimet për shkak të presionit që bëhet ndaj Hetuesisë dhe merren në mbrojtje me qëllime të caktuara gabimet me paramendim të organeve të punëve të brendshme.

    Ti nuk e njeh dhe nuk mund të gjykosh me këto mendime për të bërë vlerësime për Hetuesinë. Hetuesia bën hetime. Hetuesi zbaton ligjin. Hetuesia nuk shkel ligjin për të kënaqur interesat e njëanshme politike. Hetuesia nuk është as Sigurimi i Shtetit dhe as policia dhe as zëvendëson punën e tyre, kur ato nuk zbatojnë ligjin dhe për përgjegjësitë që kanë, spostojnë vëmendjen padrejtësisht duke akuzuar Hetuesinë. Hetuesia, si organ i drejtësisë, i ka të përcaktuara me ligj detyrat për hetimin e veprave penale. Me një numër të vogël hetuesish, që në mënyrë figurative mund të thuhet "me një grusht hetuesish" që ka në organikë, nuk mund të zëvendësojë Sigurimin e Shtetit dhe policinë, që janë një armatë e madhe potenciale.

    - Forcat e rendit kanë vepruar me urdhër nga lart. Policia nuk ka vepruar sipas ligjit gjatë manifestimit dhe, pas vrasjeve dhe shtimit të kundërshtimit popullor, është larguar nga vendi i ngjarjes. Në Shkodër nuk ka rend. Çfarë të bëjnë ata hetues, që nuk kanë asnjë mbrojtje nga policia dhe Sigurimi i Shtetit, të cilët nuk janë në krye të detyrës për mbrojtjen e rendit dhe rivendosjen e qetësisë së popullit, për një jetë normale?!
    - Çfarë të bëjë hetuesi, kur forcat e rendit nuk janë në krye të detyrës?!
    Çfarë të bëjë Hetuesia, kur organet udhëheqëse të shtetit e dinë këtë gjendje dhe kërkohet llogari për hetuesinë?!
    Njoftohet për vandalistë dhe terroristë dhe pas disa çasteve, ndërrohet vlerësimi dhe përmenden si viktima!
    Nuk bëhen ndalime nga policia dhe nuk paraqiten prova ligjore dhe bëhet fajtore hetuesia përse zbaton ligjin!
    Me gjithë këto vështirësi të gjendjes së hetimit dhe situatën politike, hetuesit janë të mobilizuar dhe punojnë që të realizojnë në bazë të ligjit dhe me drejtësi hetimet edhe në Shkodër.
    Në sallë ra qetësi. Sabiti uli kokën dhe nuk foli më.
    Ndërhyrja ishte me efekt. Qeveria duhej të orientohej drejt dhe të mos bazohej vetëm në raportimet që bënte ministri i Brendshëm.
    Pas pauzës që shkaktoi vetvetiu diskutimi im, e mori fjalën Fatosi dhe më pyeti:
    - Kur do të na njoftoni për rezultatet e hetimit?
    - U fillua menjëherë puna. Për hetimin ka afate hetimore. Do të punojmë me të gjitha mundësitë ta përfundojmë me drejtësi dhe shpejt. Por po nuk u mbështetëm, nuk arrijmë dot shpejtësinë që duam të kemi në hetim dhe kërkohet për sqarimin sa më shpejt të ngjarjes dhe të ndikojmë pozitivisht në familjet e dëmtuara dhe në qetësimin e opinionit publik. As makina për të shkuar në vendin e ngjarjes nuk ka Hetuesia që i kërkohet çdo gjë për mbrojtjen e rendit. I kërkohen edhe detyra që nuk i takojnë, të cilat nuk i refuzon, por mundohet të ndikojë dhe të japë kontribut sa mundet. Në radhë të parë, kërkohet konsensus politik, të vendoset rendi publik dhe të dëgjohet populli. Po të realizohen këto, atëherë do të arrihet stabiliteti politik. Për këto do të jetë e gjithanshme edhe puna e gjithë hetuesve.
    U bë pushim.
    Kur dolëm në korridor, erdhi menjëherë Sabiti dhe më takoi. Më foli me respekt dhe kujdes.
    - Unë nuk ju rëndoj ju, - tha me dashamirësi. - Dua që secili të bëjë detyrën. Edhe ju bëni mirë që kërkoni të mos ju bien në qafë, shoku Qemal.

    (a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  5. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qemal Lame bën libër, në vend që të heshtë

    Lame: U raportova Nanos dhe Ramizit për të vrarët e Shkodrës

    Qemal Lame vijon rrëfimin për vitin 1991. Si vijuan ngjarjet pas vrasjes së katër demonstruesve në Shkodër dhe si i priste rezultatet e hetimeve Ramiz Alia president dhe Fatos Nano kryeministër. Rrëfimet e mëposhtme janë shkëputur nga libri i tij me kujtime "Kur shembeshin themelet", botuar nga “Onufri”.

    Mbledhja e Qeverisë vazhdoi me pikën e tretë, për buxhetin.
    Gjendja e rezervave valutore ishte shumë kritike, skandaloze. Buxheti ishte rritur dhe po shkonte drejt 200 milionë dollarë. Bankat e huaja nuk jepnin kredi, pa garanci të rezervave valutore që Shqipëria duhet të kishte në bankat e njohura ndërkombëtare dhe pa shlyer detyrimet që kishte.
    Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Shkëlqim Cani, parashtroi disa masa.
    Gjendja financiare tregonte për katastrofën e afërt që do të vinte shpejt, me falimentimin e ekonomisë, të financave dhe të vetë shtetit. Stabilizimi politik dhe ekonomik do të krijonin kushtet e nevojshme që të rritej besimi te shtetet perëndimore dhe të vinin investitorët e huaj.


    NJOFTIMI I HETUESISË DHE PROKURORISË

    Thirra zëdhënësin, Beqir Kokoshin, që kisha caktuar disa ditë më parë. I dhashë tekstin e njoftimit, me porosi që ta shikonte edhe Rrapi Mino. Biseduam në telefon dhe vendosëm që një kopje të dërgohej në Këshillin e Ministrave dhe një në Radio Televizion.

    NJOFTIM

    Për ngjarjen e rëndë të datës 2 prill 1991, në qytetin e Shkodrës, janë marrë masa për hetimin e plotë, të gjithanshëm dhe të shpejtë të çështjes. Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes që lidhen me aktet kriminale të vrasjeve e të plagosjeve, të shkatërrimit me anë të zjarrit e të lëndëve plasëse të ndërtesës së Komitetit të Partisë së Punës, të djegieve të automjeteve, vjedhjes së armëve e të tjera vepra penale të kësaj natyre, si dhe shkaqet e tyre e personat fajtorë, është e domosdoshme që Hetuesisë të mos i krijohen vështirësi për të kryer hetimet. Deri tani është arritur të bëhet një këqyrje e pjesshme e vendit të ngjarjes dhe e kufomave, të cilat ishin marrë nga spitali dhe nuk u lejuan të bëhej autopsia e tyre sipas kërkesave të ligjit. Pengesa u krijuan edhe për pyetjen e të plagosurve e të dëmtuarve, ndërsa në godinën e Komitetit të Partisë së Punës nuk mund të bëhej në kohë këqyrja e plotë, pasi vazhdohet të bëhen dëmtime dhe djegie.
    Organet e Hetuesisë dhe të Prokurorisë kërkojnë nga organet e ruajtjes së rendit e organet e tjera shtetërore, që të zbatojnë me konsekuencë ligjet, partitë politike të ndikojnë për të ulur gjendjen e tensionuar e të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe shtetasit të dëshmojnë sipas kërkesave të ligjit me qëllim që të zbulohet deri në fund e vërteta e të vihen para përgjegjësisë ligjore fajtorët.
    Për hetimin në kohë dhe me objektivitet të çështjes, Hetuesia dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë marrë masat përkatëse dhe bashkë me organet e rrethit po punojnë intensivisht. Është krijuar një grup i posaçëm hetimi. (PROKURORIA dhe HETUESIA, Tiranë, më 04.04.1991)


    NJOFTIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE

    Pas pak mori në telefon Aleks Luarasi, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, dhe kërkoi të takoheshim, mundësisht në orën 9:00, për të bërë një njoftim të Këshillit të Ministrave për gjendjen në Shkodër.
    Aleksi e mori dhe shkoi që ta lexonte e të jepte mendim edhe Fatos Nano. Fatosi kishte bërë disa ndryshime.


    RRETH NGJARJEVE NË QYTETIN E SHKODRËS

    Zëdhënësi i Këshillit të Ministrave, duke marrë parasysh shqetësimin që ka krijuar zhvillimi i ngjarjeve në qytetin e Shkodrës ditët e fundit, mori kontakt me dikastere të ndryshme, organet e pushtetit lokal dhe me Hetuesinë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ai mësoi se lidhur me ngjarjen e datës 02.04.1991 në qytetin e Shkodrës kanë filluar hetimet me një grup të posaçëm hetuesish nga qendra dhe në disa rrethe, nën kontrollin e Prokurorisë së Përgjithshme, për sqarimin e plotë e të gjithanshëm të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të shkaktarëve të saj.
    Ministria e Punëve të Brendshme ka konstatuar se këtë ditë në këtë qytet ka pasur grumbullime të paligjshme qytetarësh, të shtëna me armë nga qytetarë dhe nga forcat e ruajtjes së rendit, përdorim eksplozivi kundër objekteve publike, të vrarë e të plagosur, midis personave të grumbulluar, punonjësve të policisë dhe funksionarëve të Komitetit të Partisë së Punës së rrethit, si dhe djegie e shkatërrim thuajse të plotë të mjediseve e të pajisjeve të godinës së këtij komiteti.
    Nga data 02.04.1991 deri më 04.04.1991 organet hetimore e patën të vështirë për të kryer veprimet e nevojshme për shkak të situatës së tensionuar. Në kushtet e kësaj situate, personat janë penguar për të kryer ekspertizën ligjore dhe hetimin e gjithanshëm të fakteve në mjediset e ngjarjeve, takimet me njerëzit e ndryshëm etj. Për këto arsye, ka qenë e pamundur pyetja e të plagosurve, e të dëmtuarve, e dëshmitarëve dhe marrja e provave të tjera siç parashikon ligji. Ndërkohë ndërtesa e Komitetit të Partisë së Punës së rrethit, deri në orët e vona të datës 04.04.1991, ka vazhduar të digjet...
    Tiranë më 04.04.1991


    KËRKESË E KRYEMINISTRIT PËR NJOFTIM NGA HETUESIA PËR MEDIAN

    Isha në zyrë duke punuar, kur në orën 20.30, pas revistës televizive me ngjarjet kryesore të ditës, mori në telefon Fatos Nano.
    - Pse nuk jepni njoftim në RTV? - pyeti.
    - Kemi dhënë njoftim dy ditë më parë. Nuk kemi gjë tjetër për të informuar. Të bëhen hetime, të administrojmë të dhëna të reja dhe të japim njoftim të ri.
    - Pse, ne do të plotësojmë të metat tuaja?!
    - Çfarë të metash, shoku Fatos? Për çfarë mendoni?
    - Ja për njoftimin.
    - Fatos! Unë dhashë një sqarim për t'u mirëkuptuar. Edhe një herë e përsëris. Ne e dhamë njoftimin në RTV dhe në shtypin e përditshëm. Nuk kemi për të dhënë tjetër, pa bërë hetime.
    - Ai është njoftimi që bëra unë, - tha Fatosi.
    Dihej se, në atë orë, Fatosi ishte në shtëpinë e Ramizit, ku takoheshin për konkluzionet e ditës. Ky fakt përforcohej edhe nga biseda me telefonin sekret. Në shtëpinë ku vazhdonte të banonte akoma, ai nuk kishte telefon me dy numra. Kuptohej se fliste në praninë e Ramizit dhe i jepte më shumë rëndësi pozicionit të tij. Megjithatë, duhej t'i përgjigjesha.
    - Ne bashkë me Prokurorinë kishim bërë njoftimin. Ju kërkuat të bëhej i përbashkët.
    - Jo! Njoftimin e bëra unë.
    - Njoftimin që ju korrigjuat dhe firmosët, e përgatitëm në zyrën e Aleks Luarasit, me një grup pune të përbashkët. Ju bëtë plotësime, pasi ishte bërë formulimi. Në bazë të atij formulimi u vendos qëndrimi në njoftimin e përgatitur më parë nga unë dhe Rrapi.
    Pas këtij sqarimi, Fatosi nuk e zgjati më tej.
    - Veproni më shpejt. Duhet një njoftim për opinionin publik.
    Me kaq e përfundoi bisedën telefonike.


    PËR SHKODËR

    Ora ishte 15.45. E mora në telefon.
    - Shoku Qemal. Duhet të shkoni në Shkodër! Sonte!
    - Ka ndodhur ndonjë ngjarje tjetër?
    - Është një problem me rëndësi.
    - Të nisem tani menjëherë për në Shkodër?! Tani po shkon ora 16.00. A e keni parasysh se çfarë do të thotë të nisesh tani nga Fieri dhe të vesh në Shkodër kur të jetë natë!
    - Ç'të them, shoku Qemal. Nesër do të jetë një takim me partitë politike në rreth. Kam porosi që të jeni edhe ju në atë takim.
    - Kush e ka organizuar? Përse do të marr pjesë edhe unë në këtë takim të partive politike?
    - Do të analizohet çështja e Shkodrës. Do të raportojnë grupi i hetuesve dhe i prokurorëve. Ne, disa shokë nga qendra, do të vemi në atë mbledhje.
    - Është menduar drejt dhe është mirë që është arritur marrëveshje për këtë mbledhje. Atëherë do të ishte e nevojshme të marrë pjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm dhe ministri i Punëve të Brendshme.
    - Ke të drejtë. Prokurorin e Përgjithshëm do ta njoftoj tani. Nga Ministria e Punëve të Brendshme do të vijë zëvendësministri për policinë, Aredin Shyti. Unë do të jem pasdite në zyrë. Hajde të bisedojmë. Të pres.
    - I lashë porosi Reshatit që të nesërmen të komunikojë shpërblimin për Llambin, 1000 lekë, për Petrit Lulën, 500 lekë, si dhe vetë ai të merrte shpërblimin prej 500 lekësh. Të jepen lekët në dorë në prani të hetuesve të tjerë. Të realizohet hetimi i plotë sa më parë dhe të jepet njoftim për këtë zbulim me rëndësi të tri vrasjeve shqetësuese për rrethin e Fierit dhe qetësimin e opinionit publik.
    Vajtëm për drekë te pallati i kinezëve (ndërtesa që ishte vënë në shërbim të specialistëve kinezë që kontribuuan për azotikun dhe përpunimin e thellë të naftës). Erdhi edhe prokurori i rrethit, Kiço Nano.
    U ktheva në Tiranë rreth orës 19.30. Ndalova te Këshilli i Ministrave. Aleksin e gjeta në zyrë duke punuar. Ishte bashkë me Rrapi Minon. Biseduam për mbledhjen dhe e lamë të niseshim të nesërmen, në orën 7.00, pasi mbledhja ishte caktuar në orën 9:00.
    Në orën 22.30, kur isha akoma në zyrë, mori në telefon Aleksi.
    - Shoku Qemal! Nesër, në orën 8.00 ju pret në zyrën e tij shefi i madh (me këtë emërtim nënkuptohej Ramiz Alia)...
    Mora në telefon në Shkodër për t'u interesuar për raportin që duhej të përgatiste zëvendësi, Feriti, për hetimet e zhvilluara. Nuk gjeta njeri në zyrë.
    Në mëngjes, në orën 7.00, vajta në zyrë. Mora në telefon në Shkodër. Zëvendësi, Feriti, më raportoi se kishte përgatitur raportin për mbledhjen me partitë politike.


    TAKIMI ME RAMIZ ALINË PËR ÇËSHTJEN E SHKODRËS

    Në orën 7.30, vajta te sekretari i përgjithshëm, Aleksi, në zyrën e tij.
    Rrapi priste në zyrën e vet.
    Bashkë me Aleksin shkuam në Komitetin Qendror për t'u takuar me Ramiz Alinë. Ishte një zgjidhje e mirë emërimi i Aleksit në këtë post të lartë në kryeministri. Ai ishte njeri i drejtë, me karakter, mbante marrëdhënie të mira me secilin, ndërmjetësonte dhe pritej me kënaqësi mendimi i tij, si një nga juristët më të mirë. Bashkë ruanim marrëdhëniet e mira që nga Fakulteti Juridik, ku ai vetë u interesua që të bëhesha anëtar i katedrës së teorisë së shtetit dhe të së drejtës që drejtonte.
    Pritëm në paradhomë, pasi nuk kishte ardhur akoma në zyrë.
    - Pas pak do të vijë, - na tha ndihmësi, Nexhmedin Dumani.
    Pas orës 8.00, erdhi Ramiz Alia. U përshëndetëm dhe hymë në zyrë.
    - Çfarë keni menduar për të thënë në Shkodër? - pyeti.
    - Do të dëgjohet raporti i Hetuesisë dhe i Prokurorisë, - u përgjigj Aleksi. Do të vijë edhe Prokurori i Përgjithshëm, veç dy ministrave që u bisedua.
    Ndërkohë erdhi Fatos Nano dhe u ul në karrigen përballë. Unë isha majtas dhe Aleksi djathtas, në tavolinën e Ramizit.
    - Ndërkohë hyri në zyrë ndihmësi, Nexhmedini, dhe tha se:
    - Shoku Rrapi Mino pyet për shokun Aleks, se kur do të nisemi për në Shkodër.
    - Ku e di Rrapi që ti Aleks je këtu! - pyeti Ramizi.
    - Nuk e di. Do të ketë pyetur ndoshta.

    (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  6. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qemal Lame bën libër, në vend që të heshtë

    Qemal Lame:Më 2 prill 1991 në Shkodër, u vunë në përdorim snajperë

    Nga: QEMAL LAME

    MBLEDHJA E PARË E ZGJERUAR ME FORCAT POLITIKE DHE SINDIKATAT

    Mbledhja filloi pasi u prit që të vinte Aleksi. Ishin ftuar dhe morën pjesë përfaqësuesit e partive politike, kryetarja dhe sekretarja e Komitetit Ekzekutiv, një përfaqësues i Partisë së Punës, dy ministra, unë, Rrapi, hetuesit e prokurorët. Mbledhjen e hapi Aleks Luarasi. Theksoi problemet kryesore të dala dhe qëllimin e mbledhjes për t'u njohur me rezultatet e hetimit dhe masat që duhen marrë për normalizimin e situatës. Pastaj, iu dha fjala Ferit Sulës, që të informonte për hetimet e bëra deri atë ditë.
    Më datë 1 prill 1991 ka pasur grumbullime të paligjshme. Edhe më datën 2 prill 1991, në mëngjes, u bënë grumbullime të paligjshme. Në fillim janë mbledhur te Partia Demokratike dhe pastaj janë nisur dhe tubuar te sheshi para Komitetit të Partisë së Punës. Dega e punëve të brendshme, me shkresë, ka kërkuar nga Partia Demokratike që të qetësohet gjendja. Janë grumbulluar 20-30 mijë njerëz. Kanë qëlluar me gurë e me lëndë plasëse në drejtim të policisë dhe pastaj policia është përgjigjur me të shtëna me armë për vetëmbrojtje.
    Këto të dhëna të hetimit ngjallën menjëherë reagime dhe polemikë të ashpër. U bënë sqarime se këto ishin të dhëna të administruara në hetim dhe nuk vazhdonte hetimi. Qëllimi ishte informimi transparent dhe pa paragjykim. Duke informuar, kërkohej që secili të jepte mendime që të thelloheshin hetimet, të zbulohej e vërteta dhe të qetësohej situata. Çdo sqarim vlerësohej i qëllimshëm dhe si tendencioz, për të mos u zbuluar e vërteta. Ali Spahia dhe Xhemal Uruçi, nga Partia Demokratike, Reshat Rrapishta, kryetar i Partisë Republikane, përfaqësuesi i sindikatave të pavarura, kundërshtuan kategorikisht të dhënat hetimore të relatuara. Protestonin me zë të lartë:
    Hetimi është mashtrim. Tani po del qartë se nuk po zbulohet e vërteta. Ju po e mbyllni. Ky është version i padrejtë. Nuk vihet para përgjegjësisë policia, por nxënësit e shkollave dhe populli. Protestojmë!
    Reagimet kundër relatimit të bërë shkaktuan prishjen e mbledhjes. Zëvendësi im, Feriti, kishte relatuar si një punonjës i degës së punëve të brendshme dhe jo si një hetues. I tërhoqa vëmendjen disa herë që të fliste duke pasur parasysh më parë reagimet e mundshme, por ai ishte i pozicionuar në qëndrimin e tij. Nuk paraqiti problemet, duke i kushtuar vëmendje paanësisë së hetimeve dhe përpjekjeve publike të bëra nga Partia Demokratike, për shpërndarjen e demonstruesve dhe qetësimin e situatës, për kundërshtimet për rezultatin e zgjedhjeve. Duke u ndalur kryesisht në reagimet e degës së punëve të brendshme dhe duke mos u përmendur reagimi pozitiv, në prani të policisë i drejtuesve të Partisë Demokratike dhe deputetëve të saj, u krijua mendimi se po akuzohej Partia Demokratike. Ky ishte një gabim i rëndë që dëmtoi mbledhjen dhe qëllimin për të cilën ishte organizuar. Duhej gjetur një mundësi për konsultime dhe zgjidhje për përmirësimin e gjendjes. Nuk duhej vënë theksi te gabimet e pjesëmarrësve. Megjithatë, mbledhja vazhdoi. Feriti u mundua të reagojë, por me shumë vonesë. Ai nuk dëgjohej më nga të pranishmit. Nuk kishte asnjë mendim, as edhe për vështirësitë objektive. Pas Feritit, raportoi Kiço Koçi, drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Ligjshmërisë në Hetime, në Prokurorinë e Përgjithshme. Edhe Kiçoja parashtroi konkluzionet e prokurorëve me të njëjtat probleme dhe mendime si edhe Feriti. Që në fjalën e parë tha:
    Jam dakord me konkluzionet e shokut Ferit.
    Ky referim i Prokurorisë me konkluzione të njëjta me Hetuesinë, nuk u pranua dhe shtoi më tej protestën. Reagimi ishte edhe më i ashpër. U bënë të njëjtat akuza për Hetuesinë dhe për Prokurorinë. U theksua prej tyre se:
    - Ka marrëveshje midis Hetuesisë, Prokurorisë dhe Degës së Punëve të Brendshme për të mbyllur procesin dhe për të mos zbuluar të vërtetën. Hetimet e zhvilluara nuk janë të plota dhe lënë të kuptohet se ata duan që të akuzojnë Partinë Demokratike. Nuk flitet për përgjegjësinë e policisë që vrau katër njerëz...
    U kërkua të bëheshin pyetje për raportimet e bëra. Pyetjet u shoqëruan me akuza të rënda për mbylljen me qëllim të hetimeve. Në kushtet e një konfuzioni të plotë, nuk mund të vazhdohej më. U bë pushim. Bisedohej në grupe të ndryshme, nga drejtuesit e Partisë Demokratike dhe deputetët, hetuesit dhe prokurorët, Dega e Punëve të Brendshme, përfaqësuesi i Partisë Republikane dhe i sindikatave dhe në ndonjë rast Ali Spahia me Aredin Shytin. Feriti iu përgjigj pyetjeve të bëra, duke sqaruar hetimet dhe të dhënat e administruara. Por mënyra se si ai foli, krijoi reagim, duke u theksuar fodullëku dhe njëanshmëria në vlerësimin e problemeve. Niveli politik dhe kultura e komunikimit të përfaqësuesve të Partisë
    Demokratike dhe të Partisë Republikane, si mjekë, inxhinierë, pedagogë etj., ndikonte që argumentet e tyre të ishin më të plota, në krahasim me shpjegimet thjesht juridike të Hetuesisë dhe Prokurorisë. Argumentet që parashtruan këta përfaqësues të partive politike në opozitë, si dhe të sindikatave, ndihmuan të sqaroheshin disa probleme kryesore:
    U kërkua me forcë që të mos arrestohen policë, por drejtuesit dhe ata që kishin dhënë urdhër. U insistua të mos bëhen ndalime dhe keqtrajtime të qytetarëve, siç kishte ndodhur në çdo rast të manifestimeve të bëra në Shkodër. Aredin Shyti pranoi se ngjarja e ndodhur nuk është informuar sa duhet:
    Duhet të pranojmë se ngjarja ka ndodhur ndryshe nga sa është njoftuar.
    Në fillim kanë qenë forcat e policisë që kanë përdorur armët, por ato kanë qëlluar në ajër. Insistoj se ato kanë qëlluar në ajër. Pasi qëlloi policia, është sulmuar nga personat e grumbulluar në drejtim të Komitetit të Partisë së Punës e janë bërë djegiet e shkatërrimet.
    Dilaver Papare diskutoi njëlloj si edhe Aredini për zhvillimin e ngjarjes. Për përgjegjësinë e tij direkte, për urdhrin "veproni", e tha vetë kur ishte në zyrën e kryetares. Pas insistimit nga Xhemal Uruçi, ai shpjegoi:
    Meqenëse thua ti, Xhemal, unë e pranoj se kam thënë: "veproni"! Por nuk e mbaj mend mirë.
    Për herë të parë dëgjova në këtë mbledhje, se në Shkodër ishin vënë në përdorim snajperë, në lartësi, në datën 2 prill 1991 në mëngjes, për të parandaluar ngjarje të tjera. Kjo e dhënë nuk ishte deklaruar në materialet që dega e punëve të brendshme kishte dërguar në Hetuesi dhe as pjesëtarët e forcave të rendit që pyeta nuk kishin dhënë shpjegime. Personeli i hotel "Rozafës" kishte protestuar energjikisht dhe snajperët ishin hequr sapo ishin vendosur. Në Radio Shkodra nuk kishin pranuar të viheshin snajperë. Megjithatë, Aredini dhe Dilaveri, nuk pranuan se snajperët të kenë vepruar më datë 2 prill 1991. U insistua që nuk ishte qëlluar me snajper në drejtim të manifestuesve dhe vdekjet nuk janë shkaktuar prej tyre.
    Terezina Marubi dha shpjegime për problemet që kishte dijeni nga problemet e dërguara nga dega e punëve të brendshme. Pastaj kritikoi hetimin e çështjes dhe kontrollin e prokurorit, që nuk kishin sqaruar akoma ngjarjen. Në fund kërkoi të shpejtohej hetimi i çështjes. Pas Terezës, e mora unë fjalën. U ndala në detyrat për të thelluar hetimin e plotë e të gjithanshëm dhe kryerjen shpejt të veprimeve hetimore. Mbajta qëndrim kritik për relatimin që bëri Feriti, i cili nuk sqaroi mirë mënyrën e zhvillimit të ngjarjes, sidomos të acarimit të situatës pasi policia qëlloi dhe jo pasi qëlluan nga radhët e manifestuesve. Me të drejtë pranova kritikën që bënë përfaqësuesit e Partisë Demokratike për mekanizmin e ngjarjes, sidomos të acarimit të situatës për shkak të përdorimit të armëve nga policia.
    Jam i pikëlluar për ngjarjen tragjike, të dhimbshme dhe të padëshiruar! Janë vrarë katër persona, plagosur mbi 23 të tjerë. Megjithatë nuk është arritur të vërtetohet se kush është fajtor për këto pasoja të rënda. (Sapo fillova diskutimin me këto fjalë, pashë se përfaqësuesit e partive politike e ndien veten më të qetësuar dhe treguan interesim. Asnjë personalitet shtetëror nuk kishte shprehur pikëllim për ngjarjen.) Shqetësimin që ka populli për ngjarjen dhe zbulimin e së vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë penale të fajtorëve e vlerësoj të drejtë. Për këtë vlerësoj edhe përgjegjësinë që kemi si Hetuesi, që nuk kemi vënë akoma para përgjegjësisë penale fajtorët. Hetimi do të shkojë deri në fund, për të zbuluar të vërtetën dhe vënë para përgjegjësisë fajtorët. Është e drejtë kritika, që policët e thjeshtë të mos ndalohen dhe arrestohen, por drejtuesit që kanë dhënë urdhër për përdorimin e armëve. Kërkoj ndihmën e partive politike, të sindikatave, të personaliteteve të njohura, të intelektualëve, për kryerjen e veprimeve hetimore, pyetjen e dëshmitarëve, denoncimin në hetuesi të atyre që kanë shkelur ligjin, të atyre që kanë qëlluar dhe shkaktuar vrasjet, zgjidhjen e problemit të shkakut dhe të mënyrës së vrasjeve, armëve të përdorura. Hetuesia do të shpejtojë hetimet në shërbim të qetësimit të gjendjes dhe plotësimit të kërkesave që ka populli dhe partitë politike, organet shtetërore. Ka rëndësi që të gjithë të kontribuojmë në qetësimin e situatës. T'i japim popullit sigurinë dhe të garantojmë rendin për një jetë normale. Në këtë drejtim është e domosdoshme që me mirëkuptim dhe me konsensus të zgjidhim mosmarrëveshjet, të gjejmë mënyrën dhe masat më të efektshme për të funksionuar shteti, të zbatohet ligji, të luftohet kriminaliteti që është shtuar shumë dhe ka krijuar shqetësime në popull.
    Pas meje, e mori fjalën Rrapi Mino.
    Edhe unë e vlerësoj shqetësimin për hetimin e çështjes, si edhe shoku Qemal. Po punojmë bashkërisht që hetimet të bëhen shpejt, të zbulohet e vërteta dhe fajtorët të vihen para përgjegjësisë penale. Prokuroria do të veprojë me të gjitha mundësitë që ligji të zbatohet, në hetimin e çështjes. Po kështu do të kërkohet edhe përgjegjësia për shkeljet e ligjit. Kërkojmë që të bëhen kallëzime në Hetuesi dhe të ndihmohet që të paraqiten dëshmitarët që kanë dijeni për vrasjet dhe shkeljet e ligjit, dëmtimet dhe shkatërrimet.
    Në fund e mori fjalën Aleks Luarasi, për të bërë konkluzionet e mbledhjes.
    Vlerësoi ngjarjen të rëndë, kritikoi raportin e Hetuesisë dhe të Prokurorisë:
    Gjendja është e dhimbshme dhe e padëshirueshme. Të metat në hetim nuk duhet të kishin ndodhur. Raporti i Hetuesisë dhe i Prokurorisë i paraqitur nga dy shokët që folën, nuk ishte përgatitur mirë. Me të drejtë u bënë shumë kritika. Mendoj që nga mbledhja të dilet me një mendim të përbashkët dhe ta nënshkruajmë.
    Parimisht të gjithë ishin dakord me këtë mendim.

    Pasi u arrit ky konsensus, Aleksi parashtroi:
    Të parashtrojmë problemet kryesore për grumbullimet e paligjshme, goditjen e forcave të policisë, tejkalimin e kompetencave. Këto t'i formulojmë në pesë pika, sipas mendimit që arritëm. (Në fakt ato ishin problemet që u orientuan nga Ramizi.)
    Argumentet e paraqitura për mendimin e përbashkët, u kundërshtuan me forcë nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe asaj Republikane, sindikatat. Thanë disa herë se nuk ishin dakord. Menduam se u morëm vesh, por kjo paska qenë e padobishme. Pas shumë replikash, më në fund u la që redaktori i televizionit, gazetari Alfons Gurashi dhe telekronistët të japin njoftim vetë duke pasqyruar në mënyrë objektive konkluzionet e mbledhjes në mënyrë të parakohshme, në pritje të konkluzioneve të hetimit të çështjes. Kështu përfundoi kjo mbledhje me rëndësi, rreth orës 17.00, pas 5 orësh diskutime.

    VLERËSIMI POZITIV DHE TË METAT E ORGANIZIMIT TË MBLEDHJES

    Mbledhja ishte e domosdoshme të bëhej. Pati dëshirë për të çuar deri në fund punën për zbulimin e së vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë të fajtorëve kryesorë. Iu kushtua me të drejtë rëndësi faktit se kush qëlloi i pari me armë dhe u pranua me konsensus, se policia kishte qëlluar e para me armë. Kjo vërtetoi pretendimin e Partisë Demokratike dhe hodhi poshtë të dhënat e informacionit të degës së punëve të brendshme, se përdorimi i armëve nga policia u shkaktua si reagim pasi nga manifestuesit u përdorën armë dhe u hodhën lëndë eksplozive.
    U kërkua me të drejtë përgjegjësia e personave kryesorë që kishin kompetenca për të dhënë urdhër dhe u bë diferencimi i policëve që kishin zbatuar urdhrin e dhënë nga lart. Mbledhja nuk do të arrinte qëllimin e saj, pasi ajo nuk u përgatit me kujdesin e duhur. Secila palë kishte ardhur kryesisht me vlerësime të paragjykuara. Interesat e njëanshme politike dhe përgjegjësia për pasojat e rënda, ndikonte që të zbehej dëshira për të diskutuar së bashku shqetësimet dhe me konsensus të parashikoheshin masat përkatëse për rregullimin e gjendjes shumë të tensionuar. Nuk u koordinua mirë midis Hetuesisë, Prokurorisë dhe degës së punëve të brendshme. Raportimet ishin përgatitur dhe u bënë në formën e një mbledhjeje për analizën e hetimit. Nuk u tërhoq vëmendja për gjendjen dhe problemet e përbashkëta, për të lehtësuar hetimet dhe zbulimin e së vërtetës. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe statusi i tyre i deputetit, kërkonte vlerësim që të evidentohej edhe roli pozitiv, që kishin luajtur në ngjarje. Kjo nuk u theksua dhe ndikoi negativisht, kur u vunë në dukje vetëm shkeljet e ligjit për manifestimet. Qëndrimet kryesore për ndalimet e paligjshme dhe shkaqet që çuan në acarimin e situatës, u vlerësuan në mënyrë të njëanshme, për të shmangur përgje-gjësinë për ngjarjen. Çdo organ që kishte detyra ligjore, që lidheshin me ngjarjen, përqendronte vëmendjen dhe kërkonte të njiheshin shkeljet ligjore të kryera nga të tjerët. Pak pranoheshin gabimet. Edhe për shkeljet në flagrancë, gjendeshin pretendime për të mënjanuar fajësinë e një subjekti politik ose të forcave të rendit dhe kalimin e përgjegjësisë tek forcat e tjera politike. Kështu nuk vihej sa duhej në pah shqetësimi për zbulimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të fajtorëve për vrasje, plagosjet dhe shkatërrimet. Nuk u tregua gatishmëri për mirëkuptim dhe bashkëpunim për të ndihmuar pa paragjykime për zbulimin e shpejtë të së vërtetës dhe vënien e personave fajtorë para përgjegjësisë penale.

    *Pjesë nga libri me kujtime "Kur shembeshin themelet", botuar nga "ONUFRI"

    (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 10-03-2014 më 15:31

  7. #17
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Qemal Lame bën libër, në vend që të heshtë

    Qemal Lame: Debati me Fatos Nanon para Ramizit, kërkoi shkarkimin tim

    Revolta tek Shkolla e Bashkuar, duket të ketë shkaktuar tërmet edhe në udhëheqjen politike të vitit 1991. Qemal Lame, ish-kryehetues i Shqipërisë në atë kohë, tregon dushin e ftohtë që iu bë, pasi liroi të burgosurit e arrestuar jashtë territorit të Shkollës së Bashkuar. Ai përmend me emra kritikuesit dhe mbrojtësit, ndërsa thotë se Fatos Nano e Gramoz Ruçi i dolën kundër vetëm e vetëm që të tregonin devotshmëri ndaj Ramizit. Debatet në Këshillin Presidencial më 28 shkurt 1991 përfshijnë emra të njohur të politikës shqiptare në këto vite. Vijnë të parë në një tjetër këndvështrim, mbi ngjarje të ndodhura kur shembeshin themelet e komunizmit. Libri me kujtime i Lames, është botuar nga "Onufri" dhe që prej ditës së djeshme është hedhur në treg.

    Gjyqi politik në shkallën më të lartë, në Këshillin
    Presidencial Qëndrimi i Ramizit në takimin me përfaqësuesit nga rrethet u thellua më tej, duke u bërë më konkret, në mbledhjen e Këshillit Presidencial, më 28 shkurt 1991, ora 10.00.
    Raportuan për situatën me radhë ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Mbrojtjes Popullore, Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm.
    U bënë pyetje nga anëtarët e Këshillit Presidencial, për hetimin e armëve të kapura nga policia në ngjarjen e Shkollës së Bashkuar.
    sqarimi
    Sqarova të vërtetën:
    - Në ngjarjen te Shkolla e Bashkuar nuk janë kapur armë nga policia. Ky njoftim është i përhapur nga policia, por nuk vërtetohet të ketë ndodhur.
    Menjëherë ndërhyri Ramizi:
    - Nuk e kupton ti, shoku Qemal, dhe ti, Rrapi, se unë ju mbrojta mbrëmë, në takimin me përfaqësuesit e rretheve. Ju nuk e kuptoni situatën. I pranova unë kritikat, në vend që t'i pranonit ju. Ti, Qemal, the se nuk janë kapur armë. Përse e bëre këtë njoftim? Për sensacion?
    - Jo. Unë po raportoja dhe po jepja konkluzione zyrtare, dje në mbledhjen në Pallatin e Kongreseve dhe sot këtu, në Këshillin Presidencial. Kam për detyrë të informoj të vërtetën për rezultatet e hetimit.
    - Ajo nuk duhej të thuhej. Kemi mbajtur qëndrim.
    - Nuk kam dijeni për këtë qëndrim. Nuk më ka thënë njeri që të mos informoj për këtë fakt, në një mbledhje që drejtohet nga Ju, si Kryetar i Shtetit, si edhe këtu në këtë organ të lartë të shtetit.
    - Fole edhe për fëmijën 2 vjeç që ishte plagosur, - vazhdoi më tej kundërvënien ndaj fjalës sime. - Pse ta thoshe në këtë takim atë? Apo për të treguar se çfarë ishte bërë?
    - Unë jam thirrur për të raportuar për gjendjen e hetimeve të bëra deri tani. Më kërkohen sqarime. Në rast se nuk duhet të jepja përgjigje për pyetjet, atëherë ju duhet të vendosnit më parë dhe të më orientonit. Mendoj se përgjigjja është e drejtë dhe unë jam korrekt me atë që bëri pyetjen. Së dyti, jap mendimin tim edhe për kritikat e padrejta ndaj meje. Intervista ime në televizor është dhënë me montime, të cilat kanë ndryshuar formulimet e mia. Kritikohem padrejtësisht, sikur të plagosurit dhe të lënduarit i kam vlerësuar si kundërshtarë. Për Oltën, e cila u bë legjendë, unë ndërhyra dhe bisedova me ministrin e Shëndetësisë dhe e dërguan jashtë shtetit për ta kuruar. Sqarova se, veç kësaj, ishte plagosur edhe një fëmijë 2 vjeç, që ta dinë të gjithë, se Hetuesia jep të dhëna të sakta dhe informon drejt opinionin publik...
    - Përse u liruan përsëri të ndaluarit?
    - Këtë e sqaruam hapur dhe gjerësisht në mbledhjen e mbrëmshme, te muzeu. E theksoj edhe një herë: "Personat e nda-luar nuk kishin faj". Nuk u paraqitën në Hetuesi as të dhëna nga Ministria e Punëve të Brend-shme. Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Brendshëm premtuan, por nuk erdhën në analizën e çështjes. Vendimi që kërkohej të merrej ishte me shumë përgjegjësi. Këta drejtues të këtyre organeve nuk donin të investoheshin konkretisht dhe të jepnin mendimin e tyre zyrtar. Më thanë: "Vendosni vetë. Ju jeni kompetent". Dhashë urdhër të zbatohet ligji. Vendosa dhe urdhërova të lirohen. Pa prova nuk mund akuzohen dhe nuk mund të mbahen njerëz në dhomat e izolimit. Zbatuam ligjin. Rrapi dhe Gramozi nuk donin të mbanin përgjegjësi konkrete për këtë ngjarje të rëndë, me karakter të theksuar politik dhe me interes të madh për popullin shqiptar. Prandaj ata nuk erdhën në analizën e çështjes. Ngjarja për rrëzimin e monumentit, ka qenë e organizuar dhe e përgatitur më parë. Të gjithë drejtuesit kryesorë në organet e punëve të brendshme, kanë pasur dijeni dhe kanë informuar në organet më të larta. Të gjithë, del nga hetimet, se kanë qëndruar në pritmëri. Dihet dhe kemi informuar se ndalimet nga forcat e rendit të dërguara në atë ngjarje, janë bërë pasi ndodhi ngjarja, disa orë pasi u rrëzua monumenti. Forcat e policisë kanë marrë në rrugë persona që nuk kanë pasur lidhje me ngjarjen. Ministria e Punëve të Brendshme, që ka për detyrë mbrojtjen e rendit dhe kryerjen e ndalimeve në kushtet e flagrancës, del se drejtuesit e saj kanë qëndruar në pritje. Të gjithë kishin marrë rolin e spektatorit, si në një film që shihet në kushte komoditeti. Ngjarja mori përmasat e një gjendjeje luftarake. Rendi nuk veproi dhe tani ministri i Brendshëm kërkon llogari përse u liruan të ndaluarit në mënyrë të paligjshme. Në vend që t'i kërkohet llogari ministrit të Brendshëm, kërkohet përgje-gjësi për kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme!... Pas fjalës sime dhe sqarimeve të bëra, pati një çast heshtjeje.
    Debatet
    Pastaj filluan diskutimet. I pari e mori menjëherë fjalën Haxhi Lleshi. Donte menjëherë të diskutonte dhe nuk e përmbante veten.
    - Në Hetuesi dhe në Prokurori ka liberalizëm, - tha Haxhiu. - Situata është si në luftë, por nuk veprohet. Propozoj të shkarkohen Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm. Të arrestohet Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme...
    - Edhe në luftë ka ligje që rregullojnë veprimtarinë shtetërore dhe arrestimet. Nuk është e drejtë të jepen paragjykime emocionale, shoku Haxhi, - iu kundërvura qëndrimit të tij.
    Pas Haxhiut, menjëherë e mori fjalën Fatos Nano:
    - Edhe ne në qeveri kemi pasur kërkesa për t'u shkarkuar këta të dy, - theksoi Nano. - Duhet të shkarkohet Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm, pasi nuk mund të veprojnë me forcë në këtë situatë. Unë i njoh personalisht të dy. Duhet të largohen nga detyrat...
    - Ne njihemi dhe ti ke shprehur mendime të mira, - iu drejtova Fatosit. Prisja të vlerësoje aftësinë dhe punën time, ashtu siç je shprehur pozitivisht më parë dhe të kërkoje përgjegjësinë për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nuk ka arsye që të përkrahësh propozime të padrejta. Nuk mund të bëhen vlerësime pa u bërë analizë konkrete.
    Pa mbaruar Fatosi, e mori fjalën Gramoz Ruçi:
    - Edhe unë jam i mendimit që të shkarkohen të dy. Mungon bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ka shumë ankesa për Hetuesinë dhe Prokurorinë. Ka kërkesa edhe nga oficerët për shkarkim dhe...
    Edhe Gramozit duhej t'i jepja përgjigje të qartë për qëndrimin e tij të padrejtë dhe përkrahjen që bënte për dy personat e tjerë.
    - Përgjegjësia kryesore për të metat dhe shkeljet e ligjit në ndalimet qëndron në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ti e di mirë se ndalimet janë bërë duke marrë persona nga rruga, që nuk kanë pasur lidhje me ngjarjen. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka reaguar për kërkesën e Hetuesisë që policia dhe Sigurimi të sjellin prova dhe të zbulojnë autorët.
    Perfundimi i paragjykuar
    Diskutimet linin qartë përshtypjen se ato ishin të parapërgatitura dhe ishin me një përfundim të paragjykuar.
    Ramizi rrinte kokulur, sikur lexonte, kur jepeshin mendime për masa ekstreme, si dhe për arrestimin, për të cilat do të vendosej edhe me pëlqimin e tij.
    Më erdhi keq që Fatosi dhe Gramozi, me të cilët kisha marrëdhënie korrekte zyrtare, në bisedat shoqërore me mua, vlerësonin punën e Hetuesisë dhe timen, ndërsa në këtë mbledhje të rëndësishme, papritur, ndryshuan qëndrimin dhe përkrahën një propozim të padrejtë. Kuptohej se ata do të mbështesnin një mendim të diskutuar më parë në rreth të ngushtë dhe donin të tregonin mbështetjen dhe devotshmërinë e tyre për Kryetarin e Shtetit.
    Rexhep Meidani diskutoi me kurajë, drejt dhe në mënyrë të ekuilibruar. Vlerësoi me argumente situatën politike dhe kriminalitetin. Në fund tha:
    - Të dy, Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm, janë kuadro të mirë dhe kanë aftësi ta kryejnë mirë detyrën e tyre.
    Kiço Blushi foli shkurt, duke mbështetur mendimin e Rexhepit:
    - Jam dakord me mendimin e Rexhepit, - tha. Lufter Xhuveli, si njeri objektiv dhe dashamirës, dha mendim të njëjtë me Rexhepin:
    - Unë jam dakord me mendimin e Rexhepit. Kanë aftësi të kryejnë detyrën. Nuk ka përse të arrihet deri në shkarkim. T'u vlejnë këto probleme që u ngritën. Xhenet Musai dha të njëjtin mendim:
    - Nuk ka përse të shkarkohen. T'u vlejnë këto probleme që u ngritën.
    Akuzat
    Në këto rrethana, kur të gjithë të tjerët po diskutonin kundër masës së propozuar për largimin nga detyra, ndërhyri përsëri Ramizi:
    - Për ty, Qemal, kanë bërë një peticion efektivi i Degës së Punëve të Brendshme, në Burrel. Duan shkarkimin tënd. Nuk janë dakord me intervistën tënde.
    Ramizi lexoi tekstin e peticionit të dërguar, por nuk lexoi kërkesën e tyre për arrestim.
    Ishte një reagim nga Dega e Punëve të Brendshme e Burrelit, e cila, pas riorganizimit dhe heqjes së Hetuesisë nga organet e punëve të brendshme, kishte shfaqur herë pas here pakënaqësi për Hetuesinë dhe orientimet e dhëna prej meje. Kjo degë, që kishte në vartësi burgun e Burrelit, kishte edhe përgjegjësinë e saj për shkeljet e ligjshmërisë dhe qëndrimet që unë kisha mbajtur, duke vënë edhe para përgjegjësisë penale ata punonjës të degës që kishin vepruar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet, shpeshherë në dhunim të të burgosurve.
    Në fund, ndërhyra unë:
    - Për një intervistë të drejtë dhe profesionale, në bazë të ligjit, nuk mund të shkarkohet dhe as të arrestohet ndonjë zyrtar, aq më tepër drejtuesi i një organi të lartë kushtetues, - theksova mendimin për reagimin tim.
    Ramizi heshti disa çaste dhe ndërhyri përsëri:
    - Për ty, Qemal, thonë se me qëndrimin tënd po i shërben Partisë Demokratike.
    E dëgjova duke e parë drejt në sy. Ai u shmang.
    - Është miratuar dhe është vendosur pluralizmi politik. Partitë funksionojnë sipas ligjit. Hetuesia dhe organet e tjera të drejtësisë, si dhe ato shtetërore janë depolitizuar. Presidenti kërkohet të jetë mbi partitë. Ju e dini mirë se unë kam bindjet e mia dhe mundohem të jap kontributin tim në këtë situatë të rëndë që po kalon vendi. Nuk kam ndryshuar pikëpamjet dhe nuk kam vepruar në prapaskenë. Dyshimet janë të qëllimshme, për izolimin politik dhe krijimin e kushteve për masa ndëshkuese ndaj meje.
    Në fillim të mbledhjes, deklaroi se më kishte mbrojtur mua dhe Rrapi Minon, ndërsa gjatë mbledhjes orienton dhe kërkon të shkarkohemi, megjithëse e di mirë se kjo është shkelje e Kushtetutës. Emërimi dhe shkarkimi ynë është vetëm në kompetencën e Kuvendit Popullor. Nuk i dhashë përgjigje tjetër.
    Kerkesa per shkarkim
    Një mundësi tjetër mund të ishte se ai e bënte këtë pyetje direkte për të parë reagimin tim. Informacionet që i shkonin dhe dyshimet me akuza konkrete ndaj meje donte që të merrnin edhe një përgjigje në këtë forum të lartë shtetëror. Personaliteti dhe pikëpamjet e mia politike viheshin në dyshim me papërgjegjshmëri dhe me qëllime të caktuara, nga persona që nuk orientoheshin dot në situatën e rëndë politike dhe shoqërore, si dhe nga ata që donin të shquheshin për besnikëri ndaj vijës së partisë dhe Ramizit.
    Unë isha anëtar i Plenumit të Komitetit Qendror, ndërsa Sekretari i Parë i Komitetit Qendror dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili po vepronte si President, me krijimin e Këshillit Presidencial, më akuzonte se isha me një parti tjetër!
    E pashë në sy i zemëruar dhe i zhgënjyer më tej nga qëndrimet e ndryshme dhe shpesh të paekuilibruara që mbante. Kuptohej se nuk ishte transparent për këtë qëndrim të padrejtë që mbante dhe lojën që luante për shkarkimin dhe mbylljen në moshë të re të karrierës sime politike, shtetërore dhe profesionale. Mendimet kurajoze të parakohshme që shfaqja, ia bënin më të lehtë situatën për masat për ndryshimet që merreshin me reformat që bëheshin nën presion dhe zvarriteshin për t'u realizuar. Kur shihte se reagimet e konservatorëve do të ishin të mëdha, ndërhynte direkt dhe më ndërpriste fjalën, apo bënte ndërhyrje me kuptime të ndryshme që të ulte vlerën e mendimeve të shprehura hapur. Herë deklaronte se vlerësonte qëndrimet e mia dhe herë të tjera kërkonte të bëhesha viktimë që të isha shembull për të tjerët!
    Asnjeri nuk foli pas ndërhyrjes së Ramizit dhe akuzës që bëri për mua.
    Edhe Ramizi më vështroi në sy dhe nuk u zgjat më tej.
    Nuk mund ta kuptoja se përse e kishte improvizuar këtë skenar të mbledhjes kundër meje dhe përse kërkonte me çdo kusht për të më eliminuar nga politika dhe detyrat shtetërore. Po vinte në zbatim kundër meje gjithë arsenalin e pushtetit të pakufizuar politik dhe shtetëror që kishte. Me gjithë goditjen e drejtpërdrejtë, nuk shprehej vetë për qëndrimin përfundimtar ndaj meje, por e linte që të dilte nga goja e të tjerëve, me të cilët ishte e qartë se ishte diskutuar dhe vendosur konkretisht.
    Ndihesha i qetë në ndërgjegje, realizoja me preokupim dhe drejtësi detyrat politike dhe shtetërore, përballoja me durim gjithë presionin e Ramizit, të ekstremistëve të korruptuar e të inkriminuar të Sigurimit të Shtetit.
    Më shqetësonte më shumë drejtimi që po merrte politika dhe shteti, që po shkaktonin degjenerimin e situatës dhe lejimin e organizuar të situatave politike dhe ekonomike për krijimin e anarkisë, sesa e ardhmja ime. Nuk isha i vetmi që kërkohej me çdo kusht të ndëshkohesha, që të bëhesha shembull për ata që do të guxonin të mos pajtoheshim me qëndrimin zyrtar të drejtuar nga Ramizi, në krye të Partisë dhe shtetit.
    Gjykimi dhe dënimi politik është ndëshkimi më i rëndë moral. Kisha luftuar dhe sakrifikuar për drejtësinë dhe tani po bëhesha viktimë e padrejtësisë së politikës së keqe.
    Megjithatë do ta përballoja. Ky qëndrim ishte një padrejtësi. Mendoja se kur të qetësohet situata, do të ketë mundësi për t'u bërë vlerësime objektive. Unë isha në moshë të re dhe kisha forca për të ndërtuar një jetë të re...

    (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  8. #18
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    Qemal Lame: Alia kërkoi të ndiqja penalisht Kadarenë

    Ish-kryehetuesi i Shqipërisë në vitet 1981- 1992, Qemal Lame, rrëfen se si u prit kërkesa e Ismail Kadaresë për azil politik në Francë. Në librin e tij me kujtime "Kur shembeshin themelet" botuar nga "Onufri" ai tregon edhe bisedat me Ramiz Alinë e Hekuran Isain për këtë çështje dhe masat që mori me këtë rast udhëheqja e komunizmit në prag gremine.
    Ismail Kadare u dha shtytje të fuqishme proceseve demokratike në Shqipëri. Nuk jam takuar asnjëherë me shkrimtarin tonë madh Ismail Kadare, me gjithë dëshirën e përbashkët, sidomos për të diskutuar problemet e rëndësishme për ndryshimet që kishte kërkuar Kadareja në takimin me intelektualët. Sa herë që vendosja për t'u takuar me të, dilnin probleme urgjente, që më angazhonin për një kohë të gjatë për t'i zgjidhur. Më datën 27 shtator 1990, e morëm në telefon së bashku me Estref Myftarin, rreth orës 9:00. Ai na tha se po përgatitej të nisej pas një ore për në Francë, së bashku me Helenën. E lamë të takoheshim kur të kthehej. Por siç dihet, Kadare premtoi se do të kthehej në Shqipëri vetëm kur ajo të ishte demokratike.
    Vendimi i Ismail Kadaresë për të kërkuar strehim politik në Francë ishte i drejtë dhe shumë kurajoz për atë kohë. Ai ishte një gjykim i zgjuar që materializoi mendimin e tij politik, kundër diktaturës komuniste dhe pushtetit popullor. Me këtë vendim, ai demaskoi falsitetin e reformave që propagandoheshin si ndryshime drejt demokracisë, i dha nxitje lëvizjes politike për demokraci.
    Njoftimi zyrtar, si zakonisht, ka pasur në përmbajtje formulimin nga udhëheqja për shtypin. Ai u dha në radiotelevizion, më 25 tetor 1990, si njoftim për kërkesën e Ismail Kadaresë për strehim politik, duke e cilësuar si një veprim armiqësor. Kërkesa e Ismail Kadaresë kishte krijuar shqetësim në udhëheqje. Shkrimtari më i shquar dhe me famë botërore kishte kërkuar strehim politik në Francë, duke demaskuar plotësisht falsitetin e "reformave demokratike".
    Ky vendim i pazakontë për azil politik, i marrë nga një personalitet i shquar i letërsisë shqiptare, pati rëndësi, për këto arsye: U realizua një reagim i vendosur, me përmbajtje të qartë politike, kundër shtetit të diktaturës së proletariatit.
    Udhëheqja në fuqi vazhdonte politikën e mëparshme dhe zbatonte me besnikëri mësimet e Enver Hoxhës. Ramiz Alia nuk po realizonte efektivisht reformat dhe nuk po bëheshin ndryshimet që kërkonte populli. Ai nuk ishte më një garanci për ndryshime dhe demokratizim. Reformat që propagandoheshin si demokratizim ishin kryesisht propagandë e organizuar partiake dhe përdoreshin si mjet për të zgjatur pushtetin. Gjendja politike, ekonomia dhe gjendja sociale nuk po ndryshonte, por po rëndohej më shumë.
    Ndërsa në opinionin publik të brendshëm, ajo ishte e papritur, ngjalli kuriozitet dhe nxiti diskutimet politike dhe shoqërore tek intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë, për gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike, si dhe nevojën për ndryshime në sistemin politik, për të pasur më shumë besim në vendet perëndimore, për të dalë nga izolimi dhe për t'u afruar e zënë vendin që na përkiste në bashkësinë e vendeve europiane.
    Populli në tërësi dhe inteligjencia në veçanti nuk e dënoi si armik, si njoftimi zyrtar i bërë në televizion me formulimin e udhëheqjes partiake. Propaganda nuk gjeti miratimin unanim dhe nuk u bë solidarizimi i synuar për të sensibilizuar dhe nxitur me presione opinionin shoqëror për ta dënuar atë si veprim armiqësor.


    NDJEKJE PENALE

    Në mbledhjen e shtabit, në Komitetin e Partisë së Rrethit, nëpërmjet Xhelil Gjonit dhe Hekuran Isait erdhi porosia e Ramiz Alisë: për t'u zbatuar procedura ligjore ndaj Ismail Kadaresë, si dhe për të marrë dokumentet që ai kishte në shtëpi.
    Urdhri u transmetua me gojë, me anë të dy anëtarëve me rëndësi të udhëheqjes së Partisë së Punës. Nuk u ekspozua konkretisht letra, një kopje e saj ose një pjesë e letrës, me kërkesën e Ismailit për marrjen dhe ruajtjen e letrave dhe dorëshkrimeve të tij.
    Kërkesa për zbatimin e ligjit nga hetuesia ishte në fakt, një urdhër për të treguar forcën e pushtetit të Partisë së Punës. Kërkesa u bë duke argumentuar referimin në Kodin Penal dhe shfrytëzuar ligjet në fuqi, që Partia e Punës kishte imponuar në veprimtarinë e shtetit dhe të drejtësisë dhe vendit që kishte marrë me anë të Kushtetutës, si forca udhëheqëse e shtetit dhe shoqërisë.
    Për këtë qëllim shfrytëzohej edhe vënia në përdorim e aparatit të fuqishëm propagandistik dhe të medias, duke nxitur dhe manipuluar reagime dhe pakënaqësi nga populli dhe intelektualët, duke bërë formulime dhe vlerësime politike, për ta cilësuar dhe dënuar si armiqësore vendimin e Ismailit për azil politik. Në mënyrë të organizuar dhe të studiuar më parë u morën dhe u publikuan reagimet nga disa anëtarë të Partisë së Punës, intelektualë dhe njerëz të thjeshtë, që dalloheshin si mbështetës fanatikë të politikës së vjetër.


    URDHRI I PALIGJSHËM

    Urdhri që më jepej direkt, bëhej pasi unë isha personi më i lartë që drejtoja Hetuesinë dhe kisha të drejtën e ndjekjes dhe të hetimit. Njëkohësisht, kishte për qëllim dhe për të më vënë në provë për qëndrimin që do të mbaja. I bindur në mendimet e mia, vendosa të reagoja me gjakftohtësi dhe të respektoja kompetencat kushtetuese, duke kërkuar të veprohet duke zbatuar me përpikmëri përmbajtjen e vërtetë të ligjit dhe jo të urdhrit të dhënë në kundërshtim me ligjin. Ligjin do ta interpretoja duke vlerësuar parimet e drejta procedurale dhe praktikën ndërkombëtare. Kadare duhej të vazhdonte të nderohej dhe të mbështetej në qëndrimin e tij të fundit. Për këtë arsye:
    1. Dhashë mendimin se veprime ligjore për ndjekje penale ndaj Ismail Kadaresë nuk mund të bëhen. Ai nuk ka shkelur ligjin. Tradhtia ndaj atdheut nuk mund të zbatohej, pasi nuk kishte elemente të kësaj vepre penale. Edhe akuza për tradhti, për kalimin e paligjshëm të kufijve, ishte ndryshuar dhe kualifikohej si kalim i paligjshëm i kufirit, si kundërvajtje penale. Akuza e shpërdorimit të detyrës për vizën e marrë nga organet shtetërore dhe mosrespektimin e kritereve të dhënies së saj nuk mund të zbatohej, për vetë kërkesat e ligjit që kërkonin personin zyrtar shtetëror dhe me detyra të caktuara, të cilat nuk kishin zbatim në rastin e Kadaresë, i cili nuk ishte person me funksione zyrtare.
    2. Urdhri për marrjen e dokumenteve nuk përputhej me funksionet e hetuesisë si organi i hetimeve. Hetuesia nuk ka çështje në hetim dhe nuk mund të ligjërohet marrja e dokumenteve në banesë, pasi nuk janë kushtet për kontroll banese dhe marrje të provave.
    Hetuesi nuk mund të legjitimojë veprimin e saj me argumentin se marrja e dokumenteve dhe ruajtja e tyre është një kërkesë e bërë nga vetë Kadare në letrën e dërguar Ramiz Alisë. Nuk kemi kërkesë me shkrim nga Ismaili vetë. Edhe vetë Ismaili nuk do të kërkonte që hetuesia të merrte këto dokumente.


    KUNDRA URDHRIT

    Në këto kushte, theksova se nuk mund të vija në dyshim argumentimin e bërë dhe urdhrin e dhënë direkt nga Ramizi.
    Problemi ishte po aq politik, sa edhe kërkesa për zbatimin e ligjit ndaj largimit të Kadaresë.
    SË PARI, marrja e dokumenteve nga hetuesia do të thoshte se po zbatohej ligji.
    SË DYTI, me veprimet që do të kryente hetuesia, në fakt vihej në lëvizje organi i hetimeve dhe po viheshin në funksionim mekanizmat e drejtësisë. Populli do të kuptonte se po reagohej nga hetuesia.
    SË TRETI, në aspektin zyrtar, nuk dëshiroja që të implikoja hetuesinë në kryerjen e një veprimi të paligjshëm dhe të krijoja shqetësime tek një personalitet publik, qoftë edhe me kërkesën e tij.
    SË KATËRTI, në aspektin personal, unë e vlerësoja shumë Ismail Kadarenë dhe dëshiroja të ruaja raportet e mira shoqërore njerëzore, të cilat ai i meritonte për vetë kontributin e tij të veçantë në shërbim të kombit.


    BASTISJA

    Në rast se Ismail Kadare kishte kërkuar vetë të merreshin në ruajtje dokumentet e tij, atëherë në mungesë të tij dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit mund të vihej në dijeni dhe të interesohej këshilli popullor i lagjes dhe Arkivi i Shtetit, në bashkëpunim me të afërmit e tjerë të familjes së tij.
    Në kushtet kur nuk mund të fillohet çështja penale, nuk mund të justifikohej ligjërisht as kontrolli i banesës. Kjo nuk mund të bëhej qoftë edhe me arsyetimin e maskuar me dëshirën e Kadaresë që hetuesia të marrë dokumentet.
    Urdhri për marrjen e dokumenteve ishte urdhër për të vepruar si një polici e fshehtë ndaj një të dyshuari për veprimtari të rëndë spiunazhi ose komploti kundër shtetit. Agjentura kërkon dokumente, letra, prova të ndryshme materiale për të argumentuar akuzën ndaj një personi të dyshuar për veprimtari armiqësore ose krime të tjera të rënda.
    Për këtë qëllim, shfrytëzohen të gjitha mundësitë që lejon ligji për veprimtarinë ligjore të organeve të ndjekjes e të akuzës. Po për këtë qëllim shfrytëzohen edhe mundësitë e shumta të veprimtarisë agjenturore të fshehtë dhe metodat e sofistikuara kriminalistike.
    Unë nuk mund të shpërdoroja funksionet e kryehetuesit, për të dhënë urdhër për kontroll banese, në kundërshtim me ligjin. Sqarova disa herë me durim Xhelilin dhe Hekuranin për vlerësimin politik të kësaj çështjeje, si dhe kriteret ligjore. Dhashë mendimin se nuk duhej të zbatohej ligji, pasi nuk kishte vepër penale dhe nuk mund të vepronte hetuesia. Marrja e dokumenteve në kundërshtim me ligjin do të ishte një veprim me shumë interpretime dhe do të ndikonte negativisht në opinionin publik të brendshëm dhe të jashtëm.
    Argumentet e mia ligjore dhe politike nuk u pranuan.
    Nga Xhelili dhe Hekurani u kërkua prerë të zbatohej porosia e Ramiz Alisë, për marrjen e dokumenteve. Ata u mbështetën edhe nga të tjerët, të pranishëm në mbledhje. Mbeta i vetmi që kisha mendim të kundërt.
    Ishte e padobishme që të kundërshtoja më tej hapur urdhrin e dhënë. Nuk mund të ndryshoja urdhrin. Më vinte shumë keq dhe ndihesha në pozita shumë të vështira, po të merrja përgjegjësinë për kryerjen e një veprimi të paligjshëm, për të zbatuar një urdhër politik në kundërshtim me ligjin dhe me pasoja në opinionin publik.
    E arsyeshme ishte të gjeja mundësinë për ta dokumentuar këtë urdhër të paligjshëm dhe të ruheshin dorëshkrimet e Kadaresë.

    (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  9. #19
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    Debati për pluralizmin, Lame: Qëndrimi i Ramizit e Nexhmijes

    Kryehetuesi tregon mbledhjet e plenumeve në librin me kujtime.

    Debati për partitë, Ramizi: Jo pluralizëm, të përsoset socializmi

    Diskutimet mbi lejimin e tubimeve fetare dhe kundërshtimi i Aranit Çelës: Të përdorim forcën.

    Projekt-dekretet për kalimet e paligjshme dhe përdorimin e armëve.

    Lame: Ramiz Alia dha urdhër për vrasjet në kufi


    “Armiku po i përdor të tëra armët kundër nesh. Edhe Ismail Kadare e përdori më në fund”

    Shqipëria ishte në prag të ndryshimeve të mëdha. Ndërsa shihnin se si pushteti po u ikte duarsh, udhëheqësit komunistë po përpiqeshin ta mbanin atë me çdo kusht. Ish-kreu i Hetuesisë, Qemal Lame, në librin e tij “Kur shembeshin themelet”, botimet “Onufri”, tregon për mbledhjen e Plenumit të 12-të të Komitetit Qendror të PPSH, ku u diskutua çështja e lejimit të pluralizmit politik dhe ushtrimit të fesë. Ramiz Alia ishte kundër pluralizmit dhe për përsosje të sistemit socialist. Ndër debate u ngrit edhe problemi i vrasjeve në kufi, hartimi i projekt-dekretit për kalimet e paligjshme të kufirit, për të cilin Alia u hoq si i paditur. Në librin e tij, Lame e quan Ramiz Alinë përgjegjës për vrasjet në kufi.


    UDHËHEQJA E PPSH THEKSON ME FORCË POLITIKËN KUNDËR PLURALIZMIT POLITIK

    Pluralizmi politik u kundërshtua në mënyrë të vendosur në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror të PPSH, që u mbajt më 6 dhe 7 nëntor 1990.
    Ramiz Alia mbajti raportin për përsosjen e sistemit politik, ku argumentoi se pluralizëm politik nuk do të ketë në Shqipëri. Për këtë tha se nuk ka as traditë, pasi edhe para çlirimit nuk ka pasur parti të tjera veç Partisë Komuniste. Prandaj përsosja e sistemit politik do të bëhet për të çuar më përpara socializmin në vendin tonë që e ka justifikuar atë teorikisht e praktikisht.
    Diskutimet e shumta e mbështetën si gjithmonë raportin.
    Nexhmije Hoxha theksoi se ka mendime nga komunistë që pse të mos krijohen parti të tjera politike. A duhet të jenë komunistë ata? Pse nuk diskutohet për ta në Parti? Edhe kur kritikohet të merren masa si për ambasadat, ku nuk mbahet qëndrim, por kërkohet nga komiteti i Partisë që të reagohet duke pretenduar që është edhe shkelje e demokracisë.
    Të nesërmen diskutoi Mehmet Elezi. Ai me kurajë tha të shihen me kujdes ngjarjet dhe perspektiva. Arsyetimi se duhet bërë një lëshim, qoftë edhe me lejimin e krijimit të ndonjë partie ekologjike.
    Gjatë diskutimit, i ndërhyri disa herë Ramiz Alia.
    Në fjalën time theksova domosdoshmërinë e ecjes në rrjedhën e ngjarjeve ndërkombëtare për thellimin e demokratizimit në drejtim të pluralizmit. Në këtë mënyrë u mbështet nga unë edhe mendimi i Mehmet Elezit. Pastaj vura në dukje disa probleme të ndryshimeve në legjislacion për të përmirësuar politikën penale e të ulet numri i të dënuarve, që vjen në rritje të vazhdueshme. Sqarova qëndrimin e drejtë që mbahet nga organet e hetuesisë, duke hedhur poshtë kritikat e bëra në disa raste si dhe në këtë plenum, ku Ramizi përsëri kritikoi duke marrë si shembull një ngjarje në Durrës për një ish-kulak që kishte kërcënuar kryetarin e këshillit të fshatit. Bëra të qartë se çështja ishte në kompetencën e gjykatës dhe nuk ishte marrë fare hetuesia me të.
    Sqarimi ishte i nevojshëm dhe bindës. Për të mos u ndryshuar mendimi për kritikat e bëra, Ramizi ndërhyri disa herë me marifet, por mori prej meje përgjigjet që nuk i priste dhe nuk arriti atë që donte për t’u thelluar kritikat ndaj meje.
    Për ngjarjen në Durrës, Ramizi tha:
    Mirë, s’ka nevojë më për sqarime. Por, si jurist, më jep mendimin, si të veprojmë për situata të paparashikuara. Sot,
    në mëngjes, më tha Xhemal Dymylja, se në Shkodër, një masë e madhe njerëzish, nga 6000 deri 7000 persona, kanë vajtur te kisha e varrezave për meshë, po riparojnë kishën dhe kanë prerë pishat për trarë për çatinë. Si të veprohet? Të ndërhyjë policia për t’i shpërndarë?
    Ndërhyrja ishte kuptimplotë dhe kërkonte zgjidhje. Por në kushtet e qëndrimit tim ishte edhe provokuese. Linte të kuptohej se kishte lindur një problem, që kërkonte zgjidhje dhe qëndrim të drejtë.
    Në fakt, fshihej mendimi i tij konkret për këtë zgjidhje që varej prej tij. Po të donte në të vërtetë, me sinqeritet, një mendim nga unë, atëherë duhej të ishte vetë i sinqertë për të dhënë mendimin për zgjidhje dhe të diskutonim për drejtësinë dhe ligjshmërinë e veprimeve që duheshin bërë.
    Vetë Ramizi e kuptonte se duhej të lihej e lirë feja dhe besimi fetar i njerëzve, si një nga të drejtat e njeriut dhe të mos
    krijoheshin më tensione politike dhe shoqërore me qëndrimin e vendit të vetëm ateist në botë, të mbajtur me fanatizëm nga Partia. Liria e besimit fetar u përkiste edhe ndryshimeve demokratike që pretendoheshin se po bëheshin me anë të propagandës, por nuk lejohej të veprohej praktikisht dhe ndëshkohej ai që merrte guximin të kërkonte ndryshime dhe zbatimin korrekt të ligjit.
    Nuk duhej të nxitohesha në përgjigjen, duke njohur filozofinë e tij për të marrë mendimin e drejtë, që në fakt do ta dëshironte për propagandë të jashtme politike, por të ndëshkonte pasi nuk dilte dot nga korniza e formimit të tij politik dhe popullaritetit si trashëgimtar besnik i pushtetit, si dhe nuk donte të mbante përgjegjësi për çdo reagim të kundërt, të mundshëm, nga organet e Partisë ose opinioni shoqëror.
    Gjithashtu nuk donte që të mbetej asnjë provë me shkrim dhe të mos kishte dëshmitarë për qëndrimet e tij, ndryshe nga reagimi i njohur zyrtar.
    Prandaj, në dhënien e përgjigjes, ruajta qëndrimin tim të njohur në zbatimin e drejtë të ligjit:
    Të bisedohet me njerëzit dhe të kërkohet të zbatohet ligji, – iu përgjigja. – Ligjshmëria kërkon: “Të respektohet dekreti për grumbullimet dhe manifestimet”. Në reflektim të masave që janë marrë për demokratizim, kërkohet një mendim më i gjerë: “Duhet pasur parasysh liria e besimit”.
    Ou, – ndërhyri Aranit Çela. – Të merren nja 400 të rinj dhe të veprojmë. Këtu do forcë. Kundërvënie.
    Ndërhyrja e Aranitit bëri shumë përshtypje në sallë, pasi ishte thirrje për dhunë dhe rëndonte më tej gjendjen.
    Po, mor Aranit! Pastaj, merre me mend, se çfarë ndodh, – i tha Ramizi.
    Ramizi m’u drejtua përsëri mua:
    Ne s’e kemi lejuar fenë. Si të lejohet grumbullimi?
    Ndjenjat e njerëzve duhen respektuar, – iu përgjigja. – Besimi është në ndërgjegjen e njerëzve dhe duhet respektuar si një e drejtë dhe liri e njeriut. Ligji nuk e ndalon grumbullimin për rite fetare.
    Mirë, – tha Ramizi.- Ky është arsyetim ligjor.
    Menjëherë pasuan edhe të tjerë. Folën edhe disa nga vendi se përgjigjja është e drejtë.
    Po për pishat e prera, si të veprohet? – pyeti përsëri Ramizi.
    Nuk ka ndonjë dëm të madh. Janë pronë e ish-kishave,- iu përgjigja.
    Jo shoku Ramiz, nuk është ashtu,- ndërhyri Rrapi Mino, i ftuar në plenum.- Ata që kanë prerë pishat, duhet të akuzohen për dëmtim të pasurisë socialiste, pasi pishat, si pyll, janë pronë e shtetit.
    Kjo ndërhyrje e Rrapit, me argumentin e tij ligjor si pasuri e shtetit, ngjalli ilaritet dhe të qeshura në sallë.
    Çfarë dëmi ka, mor Rrapi, – tha Ramizi. – Për disa pisha?
    Po shoku Ramiz, – vazhdoi mendimin e tij Rrapi. – Dëmtimi i pasurisë socialiste nuk kërkon vlerë sipas Kodit Penal.
    Edhe për një pishë apo një dëm të vogël mund të akuzohen.
    Pas këtij sqarimi që bëri Rrapi, Ramizi m’u drejtua përsëri mua:
    Qemal! Ti the se ata janë pronë e ish-kishave. Po shumë kisha u prishën dhe nuk ekzistojnë më.
    Ato që kanë mbetur apo të rrënuarat janë monument kulture, – argumentova më tej mendimin tim, në zbatim të ligjit për monumentet e kulturës. – Ato objekte janë në administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ka edhe ndonjë vendim të pjesshëm të Këshillit të Ministrave për administrimin dhe ruajtjen e tyre. Por shtetëzim të tyre me ligj të posaçëm nuk ka. Ka ardhur koha të studiohet ligji për kultin në kuadrin e demokracisë. Feja duhet të lihet e lirë.
    Shikojeni! Pse nuk e shikoni? Mendojeni, ju Enver, – iu drejtua Enver Halilit, ministrit të Drejtësisë.
    Si urdhëron, shoku Ramiz, – u përgjigj menjëherë Enveri.
    Ju nuk merreni me studimin e ligjeve, – m’u drejtua përsëri mua. Doni t’jua themi ne. Nuk e bëtë as dekretin për arratisjet në ambasada, as vendimin për dëmtimet e vogla që bëhen shqetësuese në bujqësi etj.
    Shoku Ramiz ,- iu përgjigja. -Ju e keni ngritur disa herë këtë problem për studimin e ligjeve. Demokratizimi kërkon ndryshimin e ligjeve dhe ligje të reja. Nga unë duhet kërkuar ajo që më takon të bëj unë. Nuk është detyrë e hetuesisë bërja e ligjeve.
    …Kemi ngritur probleme herë pas here për organet shtetërore dhe praktikën e Gjykatës së Lartë, për zbatimin e ligjeve dhe të mos bëjnë vetë interpretime të zgjeruara jashtë kuptimit që ka në përmbajtje vetë ligji. Interpretimin është e domosdoshme ta bëjnë organet ligjvënëse. Për këtë qëllim, projekt-dekretin për kalimet e paligjshme të kufirit e bëra, sipas porosisë suaj në mbledhjen e datës 26 korrik 1990, në Plenumin e Komitetit Qendror, dhe e dërguam në Këshillin e Ministrave, që ka iniciativën ligjore, si dhe për dijeni në Komitetin Qendror dhe Presidiumin e Kuvendit Popullor.
    Nuk kam dijeni për to, – tha.
    Ramiz Alia nuk duhet të mohonte dijeninë e plotë të tij për masat e marra, për interpretimin ligjor të kalimit të kufirit. Ai dha porosi që të bëhej interpretimi i dekretit, për të ligjëruar dhe justifikuar urdhrin e dhënë, për të vazhduar zbatimi i rregullores së përdorimit të armëve në kufi dhe vrasjen e atyre që donin të kalonin kufirin, si dhe dënimin e atyre që donin të hynin në ambasadat, megjithëse ligji nuk i dënonte.
    Ramiz Alia e mori personalisht projekt-dekretin që kërkoi me relacionin zyrtar të dërguar nga Hetuesia e Përgjithshme. Për këtë ishin në dijeni kuadrot më të rëndësishëm të shtetit, të cilëve iu dërgua dhe kthyen përgjigje, duke përfshirë edhe vetë Ramizin.
    Me këtë qëndrim mohues, që nuk ishte i vetmi rast për të, Ramizi dëshmonte edhe para anëtarëve të Plenumit se nuk ishte i sinqertë. Ai përjashtonte përgjegjësinë e tij direkte për urdhrin dhe porositë e paligjshme në kundërshtim me Kodin Penal dhe për pasojat e rënda të shkaktuara, si pasojë e këtij urdhri dhe porosive, me vrasjet në kufi dhe të dënimeve për hyrjen në ambasadat.
    Së pari, ai nuk donte që të pranonte zyrtarisht, në prani të anëtarëve të plenumit dhe të të ftuarve, se ishte në dijeni të realizimit të porosisë së dhënë direkt prej tij në plenumin e mëparshëm (aq më shumë për një ligj që me vetëdije u shkel dhe vrasjet në kufi nuk u ndalën). Këtë ndryshim në qëndrimin e tij e bënte për vetë faktin se urdhri i tij ka qenë i paligjshëm dhe nuk donte të kishte të dokumentuar edhe në plenum këtë përgjegjësi direkte të tij.
    Së dyti, ai nuk donte të bëhej e ditur publikisht prapaskena e manipulimeve të tij, se nuk ishte dakord të bëhej interpretimi i dekretit, i kërkuar prej vetë atij në mbledhjen e mëparshme, për të mos mbajtur përgjegjësi direkte për ndryshimin e ligjit dhe ndryshimin e qëndrimit për masat për demokratizim të propaganduara në botën e jashtme.
    Plenumi u zhvillua si përherë, me ide të mëdha të udhëheqjes, solidarizim dhe optimizëm për të ardhmen. E vërteta ishte se filloi të flitet pak më hapur për gjendjen e rëndë ekonomike. Por me një kredi prej 81 milionë dollarësh, që do të jepte Banka e Shtetit për të blerë 200 000 tonë grurë, 4 000 tonë sheqer etj., u synua të ruhej përsëri optimizmi në forcën e sistemit socialist.
    Në fund Ramiz Alia, në konkluzionet e bëra, theksoi edhe një herë se pluralizëm politik nuk do të ketë. Kush jep mendime të tilla, t’i shtrohet në organizatën-bazë të Partisë për të mbajtur qëndrim ndaj tij. Për këtë shtroi detyrën se ishte e domosdoshme të forcohet roli i Partisë. Të mos kuptohet e lehtësuar puna e Partisë, duke u kaluar kompetencat organeve shtetërore, pasi rëndohet dhe vështirësohet puna e saj. Të punojmë më shumë, në kushtet e sotme, që është tronditur bindja te socializmi. Në qoftë se shohim se vidhet në mënyrë të hapur, se prodhimi vidhet, se gjithçka synohet të vidhet, do të thotë se e mori ferra uratën, të marrim ç’të marrim. Në këto kushte, lufta e Partisë, lufta e komunistëve është e domosdoshme të forcohet. Të punohet kokë më kokë me njerëzit. Në punën e Partisë të ndryshojë stili. Pavarësisht se vendimet e Plenumit kushtëzohen nga ndryshimet në Kushtetutë, të reflektohet që tani në punë. Organet shtetërore të marrin përsipër përgjegjësinë, të veprojnë në bazë të ligjit, të rritet aktiviteti i tyre. Mekanizmi i ri ekonomik ka nevojë për të përpunuar rregullat e metodën e punës. Të mos përdoret pa vend fjala afarizëm. Atë që e bënte Tregtia e Jashtme dhe ministritë, nuk e bën dot ndërmarrja e tullave në Vorë. Të forcohet afarizmi brenda vendit, në radhë të parë. Të mos fillojmë nga Zh-ja, por nga A-ja. A-ja është tregu, populli. Fakt është se në ekonomi kemi mosrealizime të mëdha. Ekonomia është në pragun e krizës, në mos më shumë. Ka një shkrehje në punë të forcave. Kjo ka jo vetëm efektin ekonomik, por edhe politik. Ai që paguhet me 60 për qind të pagës ka detyrimin të vejë në punë, të bëjë diçka, të pastrojë. Edhe në fshat po duken shenjat e largimit nga puna. Vihen re shumë largime nga puna dhe qarkullime nga një rreth në tjetrin. Vetëm me arsye të justifikuara drejtori i ndërmarrjes mund të lejojë punonjësit të largohen. Largimet të bëhen vetëm me leje me shkrim nga drejtori. Ka elementë të veçantë që duan të shkatërrojnë kooperativat. Kur na sulmon u, të sulmojmë. Të mos rrimë në pritmëri.
    Të marrim çështjen e fesë. Të mos e shohim të thjeshtë. Në qoftë se sot folëm për Shkodrën, nesër do ta kemi në Dropull, pastaj në Himarë, Korçë, Tiranë. Jo se u digjet barku për fenë, por duan të përhapin ideologjinë fetare. Pa u bërë ndryshime kushtetuese, të mos bëhen hapa për hapjen e kishave dhe xhamive. Diskutime le të bëhen. Do të biem në diskutime. Do të thotë ndonjë njeri se duam një kishë. E thotë një njeri, por dale të shohim ç’do të thonë të tjerët. Të hyjmë në diskutime, se kështu ato do të zgjaten. Do të ketë ndonjë rast si e do shumica. Në Goranxi, në Gjirokastër, morën kambanën. E ngriti rinia, se kambana ishte 150 kg dhe s’e ngre dot njeri. Është gjë jo e lehtë. Afro 40 000 veta erdhën sivjet te kisha e Shën Ndoi, në Laç. Në vend të agjitatorëve tanë, punuan ata të fesë. Feja është një instrument politik, që e kërkon reaksioni.
    Luftën kundër ut ta shohim edhe në disa drejtime të tjera. Janë rritur thashethemet, largimet pa leje nga puna, futja në ambasada. Nuk është puna të dënohen 4-5 veta në Kavajë. Nuk ishte kjo vetëm puna e hetuesisë. Hetuesia dhe organet e punëve të brendshme të bëjnë më mirë punën e tyre. Të gjendet kush i organizon. U futën 5 000 veta në ambasada. Kush i drejtoi? Hetuesia e Policia ka punën e saj. Po Partia, organet shtetërore, ç’mendojnë? Përse drejtori i ndërmarrjes nuk di se ku i kanë shkuar punëtorët?
    Armiku po i përdor të tëra armët kundër nesh. Edhe Ismail Kadare e përdori më në fund. Do të mblidhet Konferenca e Sigurimit Europian. Unë mendoj se ata nuk do të na pranojnë. Çështja është politike. Duan lëshime. Bëjmë ndryshime jo se do KSBE-ja, por se janë në interes të popullit tonë. Nuk duam lëshime nga KSBE-ja, për ta lënë pushtetin popullor. Forcimi i unitetit është rruga jonë. Mbështetja te Partia është garancia për ecjen përpara. Prandaj duhet të ngremë në këmbë komunistët.
    Në pushimet e bëra, kam pirë kafe me Mehmet Elezin në dy raste. Diskutimet tona ranë në sy dhe kjo nuk ishte pak, kur në plenum nuk diskutohej sipas dirigjentit. Në një rast bisedova me Spiro Deden. Ai ishte dakord me problemet që shtrova unë në diskutim dhe për të shkruar një artikull për gazetën “Zëri i Popullit”, ku ai ishte kryeredaktor. U tregova i gatshëm për ta shkruar. I thashë se nesër do ta kesh në zyrë, do ta dërgoj, por nuk besoj se do ta botosh (Kisha shkruar disa artikuj dhe ai nuk i kishte botuar. Kështu kishte ndodhur edhe me Marash Hajatin kur ishte kryeredaktor.)
    Spiro më tha:
    - Jo. Do ta botoj.
    Artikullin e shkrova natën vonë dhe ia dërgova të nesërmen. Si edhe në rastet e tjera nuk u botua.
    Të nesërmen i dërgova Ramiz Alisë projekt-dekretet për kalimet e paligjshme të kufirit dhe për dëmet në bujqësi. E bëra këtë veprim, meqenëse ai pretendoi dhe deklaroi në plenum se nuk kishte dijeni për to. Brenda ditës, u kthyen mbrapsht projekt-dekretet dhe raporti shoqërues me një përgjigje, me një shënim të bërë nga Vaskë Çifliku, ndihmësi i Sekretarit të Parë të KQ të PPSH, Ramiz Alia.
    Në shënim ishte shkruar porosia e Ramiz Alisë se: “Përse i dërgon Qemali tek unë këto materiale. Ato janë punë shtetërore dhe duhet t’u dërgohen organeve kompetente”.
    Ramiz Alia i kishte kërkuar vetë këto projekt-dekrete nga unë dhe ishte e domosdoshme që ta vija në dijeni për masat e marra. Veç kësaj kërkese, ai ishte edhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe ishte e domosdoshme që të merrte projekt-dekretet.
    Më saktësisht, ai ishte vënë në dijeni që në fillim, në të dy format zyrtare të komunikimit, me shkresën dërguar me adresë në Komitetin Qendror dhe me adresën në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Kthimi, jo me shkresë të rregullt zyrtare, nënkuptonte se ato nuk regjistroheshin në Zyrën e Protokollit në Komitetin
    Qendror dhe ai vetë nuk donte të linte gjurmë zyrtarisht për marrjen në dijeni të këtyre materialeve me argumentin e dërguar për realizimin e porosisë së tij. Ky fakt krijon dyshime edhe për protokollin e mbledhjeve të plenumit, nëse evidentoheshin me shkrim të gjitha diskutimet e incizuara, apo bëheshin seleksionime me urdhër të tij, sipas orientimeve që jepte vetë. Flitej nën zë se çdo gjë dokumentohej pasi merrej mendimi i tij.
    Bëra një informacion për Ramiz Alinë. I shkrova duke sqaruar konkretisht se projekt-dekretin e kisha dërguar për ta vënë në dijeni. Projekt-dekreti ishte hartuar sipas porosisë së tij dhe se ai e kërkoi atë vetë. Këto ishin arsyet që ia dërgova.
    Organeve të tjera kompetente shtetërore, sipas rregullit të përgatitjes dhe diskutimit të projektligjeve, ua kisha dërguar me kohë.
    Të nesërmen vajta dhe bisedova me Ramiz Alinë.
    I shtrova më gjerë mendimet e mia për nevojën e domosdoshme të krijimit të partive të tjera politike, për të reflektuar konkretisht për ndryshimet demokratike dhe marrjen e masave për rregullimin e gjendjes politike dhe ekonomike. Një hap i tillë do të ndihmonte më shumë Partinë, për të zgjidhur këtë situatë politike të brendshme dhe kërkesat që shtroheshin nga shtetet e tjera perëndimore.
    Në fillim më kundërshtoi me rreptësi. Por në fund të shkëmbimit të mendimeve duket se u bind në bazë të argumenteve që i parashtrova. Të linte përshtypjen se ishte i lëkundur në mendimet e tij dhe se nuk kishte më energji për të vazhduar me fanatizëm politikën e mëparshme.
    Megjithatë, në përfundim, theksoi se do të zbatohen vendimet e Plenumit. Nuk pranohet pluralizmi politik. Nuk mund të dorëzojmë vetë pushtetin që na ka dhënë populli.
    E ndërmora edhe një herë këtë iniciativë, pasi kisha ende shpresë në zgjidhjen e këtij problemi, që do të përcaktonte të ardhmen. Populli kërkonte ndryshimin dhe çdo vonesë ishte me pasoja shumë të rënda. Për informacionin e dërguar për projekt-dekretin për kalimin e kufirit shtetëror nuk u kthye me ndonjë shënim tjetër.
    Projekt-dekretet nuk u morën në shqyrtim nga organet kompetente, Këshilli i Ministrave dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor.
    Dekreti për kalimin e kufirit shtetëror dhe praktika e paligjshme për përdorimin e armëve dhe vrasjen e shtetasve të pafajshëm që tentonin të kalonin kufirin, vërtetojnë:
    Ligji në fuqi lejoi largimin jashtë shtetit, por këto rregulla nuk u zbatuan dhe u vazhdua praktika e vjetër ligjore e ndjekjes penale dhe vrasjeve në kufi. Rregullorja për Shërbimin në Kufi ishte e paligjshme dhe duhej të shfuqizohej menjëherë, pas ndryshimeve ligjore për lëvizjen e lirë të shtetasve.
    Urdhri për vrasje në kufi është dhënë nga Ramiz Alia. Ai ishte funksionari më i lartë i shtetit dhe Forcave të Armatosura, që kishte në kompetencë drejtimin e organeve të punëve të brendshme dhe të kufirit. Ai është përgjegjësi kryesor për vazhdimin me urdhrin e tij të praktikës së vrasjeve në kufi të shtetasve që tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror.
    Simon Stefani, si ministër i Punëve të Brendshme dhe Ferit Zeneli, si komandanti i Forcave të Kufirit, kanë zbatuar rregulloren sipas urdhrit të dhënë nga Ramiz Alia.

    Panorama

  10. #20
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Ish kryehetuesi i rregjimit komunist Qemal Lame rrëfen për historinë

    “Biseda në ‘90 me Kristaq Ramën: Djali më kritikon pse rri në Presidium”

    Emri:  qemal-lame.png

Shikime: 2886

Madhësia:  83.0 KB
    Kristaq dhe Edi Rama në ‘90 / Qemal Lame

    Debati për lejimin e pluralizmit në Shqipëri kishte arritur kulmin. Presioni për lejimin e partive të reja politike sa vinte edhe bëhej më i madh ndaj udhëheqësve të kohës.
    Në librin e tij me kujtime “Kur shembeshin themelet”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”, ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme për vitet 1981-1992 tregon për një takim kokë më kokë me Ramiz Alinë. Kur Lame i argumentonte se përse duhej të lejohej pluralizmi, në një mënyrë indirekte Alia i shprehu idenë e formimit të partive të reja prej njerëzve të besuar të Partisë së Punës, por që ai ishte skeptik nëse populli do ta besonte këtë gjë… Gjithashtu Lame tregon për momentin e shpërthimit të protestave të studentëve, thirrjet e të cilëve hynin në ambientet ku mbahej një mbledhje e Presidiumit të Kuvendit Popullor, anëtar i të cilit ishte edhe skulptori Kristaq Rama. Teksa dëgjoheshin thirrjet “Liri Demokraci”, Ramiz Alia i drejtohet Ramës, duke thënë se ishin pikërisht bijtë e “shokëve” të Presidiumit që merrnin pjesë në demonstrata, duke pasur parasysh Edi Ramën. Pas përfundimit të mbledhjes, sipas kujtimeve të Qemal Lames, ky i fundit teksa bën një copë udhë bashkë me Kristaq Ramën, patën mundësi të flisnin për arsyet pse Rama ishte bërë pjesë e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe se i biri, Edi, e kritikonte vazhdimisht për këtë fakt.


    NJË TAKIM ME RAMIZ ALINË, ME KËRKESËN E TIJ

    Ditën e botimit të artikullit në gazetën “Drita”, më 2 dhjetor 1990, rreth orës 9:00, më kërkoi në telefon Ramiz Alia:
    – Shoku Qemal! Kam lexuar artikullin që ke shkruar në gazetën “Drita”. Ma sollën në mëngjes, që para orës shtatë, në shtëpi. Është këtu, në zyrë, e kam mbi tavolinë. Po të kesh kohë, hajde të bisedojmë.
    - Po, shoku Ramiz, – iu përgjigja. – Po vij menjëherë.
    Pasi vajta në zyrë, vazhduam bisedën. Ramizi sqaroi më tej mendimin e tij:
    - Nga artikulli del e plotë ideja për një mendim të ri, për sistemin politik dhe juridik. Duke lexuar, krijova mendimin: Qemal, ti ke mendim më të gjerë se ato që shkruan!
    - Po, shoku Ramiz. Problemi kryesor, siç kam thënë edhe herë të tjera, mbetet pluralizmi politik. Duhet të pranohet, edhe në vendin tonë sistemi me shumë parti…
    - Qemal! Ti do që të krijohen parti të reja politike?!
    - Po. Ky është mendimi im. Është mirë që sa më shpejt të vendoset sistemi me shumë parti dhe të funksionojë shteti ligjor…
    Edhe reformat që po kryhen gradualisht për demokratizimin, kanë si përfundim pluralizmin politik dhe shtetin.
    - Unë mendoj se pluralizmi ideologjik, që diskutuam në Plenum, e plotëson këtë sistem, në kushtet e vendit tonë….
    - Pluralizmi ideologjik nuk mund të plotësojë dhe as të zëvendësojë pluralizmin politik, shoku Ramiz. Në vazhdim të këtij argumenti, është fakti se çdo ideologji ka një filozofi politike të caktuar. Kjo filozofi politike, buron nga platforma
    e një politike të caktuar, e një partie politike. Partitë politike janë forca politike e organizimit më të lartë politik të një grupi ose grupimesh shoqërore, shtresave shoqërore të caktuara, me kërkesa, aspirata dhe qëllime të caktuara për gjendjen politike e shoqërore, zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë shoqërinë, rrugën që do të ndiqet në perspektivë për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin shoqëror. Këto janë disa nga kriteret teorike dhe praktike të funksionimit të politikës dhe të rolit që ajo ka në sistemin shoqëror të caktuar.
    - Do që të krijosh vetë një parti tjetër?,- më ndërpreu vazhdimin e mëtejshëm të mendimit tim…
    - Jo, shoku Ramiz. Unë nuk kam pasur ndonjëherë mendim për të krijuar vetë parti politike. Unë personalisht nuk dua të krijoj ndonjë parti tjetër politike. Unë jam i bindur në pikëpamjet e mia për socializmin dhe demokracinë. Partia e Punës është ripërtëritur në organet udhëheqëse, janë caktuar në detyra drejtuese njerëz të rinj, me arsim të lartë, të aftë profesionalisht, vlerësohen nga opinioni shoqëror, me ide të reja që premtojnë të bëjnë ndryshime, në përshtatje me kohën e sotme. Janë realizuar disa masa me rëndësi, si ndryshimet në Kushtetutë, për sistemin shtetëror dhe ekonomik, u krijua mundësia për njohjen e pronës private, lejimin dhe garantimin e investimeve të huaja, punën private, administrimin e ri në ndërmarrjet shtetërore dhe kooperativat bujqësore etj. Unë kam dhënë mendimet e mia edhe në komisionin qeveritar, ku bëja pjesë, edhe për këto ndryshime ligjore. Po të zbatohen mirë këto ligje të miratuara, do të krijohet përvojë dhe do të vlerësohet më mirë gjendja dhe perspektiva ku duhet të shkojmë…
    – Përse thekson dhe arsyeton mendimin për parti të tjera politike? – Mendoj se është e domosdoshme të analizojmë me objektivitet dhe qetësi, gjendjen e brendshme politike, situatën e përgjithshme ndërkombëtare dhe masat që kërkohet të merren për një politikë që të jetë e aftë për të përmirësuar gjendjen e rëndë politike dhe shoqërore dhe për të përcaktuar një strategji më të studiuar për të ardhmen. Jemi vend europian dhe e kemi të domosdoshme të gjykojmë e marrim vendime që kanë në përmbajtje ruajtjen e shtetit dhe interesat tanë kombëtarë, duke i përsosur me përvojën europiane. Me ndihmën e shteteve të fuqishme perëndimore, do të kemi mundësi të përmirësojmë gjendjen dhe të zgjidhim çështjen kombëtare. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe në Çamëri presin nga ne. Vendet e tjera ish-socialiste kanë kaluar në sistemin demokratik perëndimor. Ne nuk mund të ecim më në këtë rrugë, si deri tani, dhe me këto parime politike për socializmin e diktaturën e proletariatit. Pluralizmi politik që mund të pranohet edhe nga Partia e Punës, do të ndikojë pozitivisht në gjendjen e përgjithshme politike, përfshirjen e grupimeve të ndryshme shoqërore, sipas bindjeve politike etj. Reformat që po merren nga Partia, mendoj se na çojnë në fund të fundit në këto përfundime. Më mirë të reagojmë tani. Po të hezitohet, do të jetë vonë.
    - Të ndryshojmë vijën politike dhe të ndryshojmë sistemin, që shoku Enver na ka porositur ta ruajmë dhe ta forcojmë?
    - Mendoj se gjendja politike dhe shoqërore, pakënaqësitë e mëdha në popull, paralizimi i ekonomisë dhe financave etj., mosplotësimi i nevojave për nivelin normal të jetesës, kërkojnë të bëhen ndryshime thelbësore. Vizioni i të ardhmes ka rëndësi të orientohet në idetë e reja politike që shtrohen dhe imponohen nga gjendja në të cilën ndodhet populli.
    - Përse je kaq i sigurt në mendimin tënd?
    - Unë jam më i riu në Plenumin e Komitetit Qendror, shoku Ramiz. E dua Partinë dhe popullin. Është koha për ndryshime. Kërkohet të dëgjojmë dhe interpretojmë me kurajë mendimin e popullit, për përmirësimin e gjendjes politike dhe të reflektohet sa më shpejt në plotësimin e nevojave elementare të jetesës së popullit. Kështu nuk ecet më, thonë hapur njerëzit. Këtë e dëgjojmë kudo ku jetojmë dhe në çdo rreth apo grup njerëzish me të cilët marrin kontakte, kur shkojmë për të realizuar detyrat që na janë caktuar. Kam bindjen se kemi shansin historik për të realizuar ndryshime me rëndësi politike dhe shoqërore. Analiza që unë i bëj situatës politike të brendshme dhe asaj të jashtme, kërkon ndryshime thelbësore për ndryshimin dhe hedhjen e hapave me guxim. Deri tani, ka pasur rezultate. Gjendja është rënduar. Kemi ngelur prapa në zhvillimin tonë, në krahasim me shtetet fqinje dhe ato të zhvilluara. Nuk kemi mundësi ekonomike dhe financiare për të ecur më tej në këtë rrugë, siç është konceptuar dhe zbatuar socializmi dhe shteti i diktaturës së proletariatit.
    - Çfarë mendon atëherë?
    - Mendoj se është momenti historik për të realizuar kalimin paqësor nga socializmi në demokraci. Socializmi është demokratik në përmbajtjen e tij, si doktrinë politike dhe si ideologji. Këto parime të drejta kanë ndikuar që socializmi si sistem është mbështetur nga pjesa më e madhe e popullit. Gjendja ku jemi, ka evidentuar të metat e sistemit të zbatuar në vendin tonë, si dhe në vendet e tjera ish-socialiste. Kërkohet një mendim i ri politik. Për të realizuar këtë ndryshim që kërkon populli, vlerësoj se është e nevojshme të mendojmë për idetë e reja, të veprohet me kurajë dhe të bëhen ndryshimet që u parashikuan me ndryshimin e Kushtetutës dhe të ligjeve. Në mendjen time kam krijuar idenë për ndryshimet e domosdoshme që duhen bërë në teori dhe në praktikë për socializmin demokratik. Këto probleme nuk i kam diskutuar kaq gjerë me ndonjë njeri tjetër. Meqë po më pyesni me intimitet, ndiej detyrimin që të argumentoj po me sinqeritet mendimin tim. Së pari, është e nevojshme të vlerësohet dhe mbështetet mendimi i ri politik për socializmin dhe demokracinë në kushtet e sotme të vendit tonë, si dhe të përvojës së vendeve të tjera në Perëndim dhe në Lindje. Kjo kërkon që të parapërgatiten organet e partisë, komunistët, intelektualët dhe në tërësi populli. Vazhdimësinë e mësimeve të Enver Hoxhës populli nuk mund ta pranojë më në kushtet e rënda në të cilat jemi. Gjendja e rëndë ka shkaktuar pakënaqësinë për pasojat e ardhura nga sistemi i diktaturës së proletariatit. Ka rëndësi që të merren mendime nga organet e partisë, intelektualë me reputacion në popull, si dhe njerëz që kanë ide të reja. Së dyti, të vlerësojmë marrëdhëniet shoqërore në të cilat jemi dhe të ndryshojmë duke filluar nga ndryshimet në Kushtetutë, për sistemin politik dhe shoqëror. Së treti, të lejohet krijimi i partive të reja politike. Së katërti, të vendosim, të rivendosim marrëdhëniet me shtetet perëndimore, të cilat i kemi ndërprerë. Të rivendosim edhe lidhje më të mira me shtetet e Europës Lindore, që kanë kaluar nga socializmi në demokraci. – Qemal! Nuk është kaq lehtë si mendon ti. Pranimi i pluralizmit politik nënkupton dorëzimin e pushtetit te partitë e reja që krijohen.
    - Mendoj se populli, në shumicën e tij, e përkrah Partinë. Edhe ju vlerësoheni për reformat graduale që janë miratuar dhe pritet zbatimi i tyre në praktikën shtetërore. – Jo! Nuk është çdo gjë pluralizmi politik. Është e vërtetë se populli ka besim dhe mbështet Partinë e Punës. Prandaj, nuk ka presione nga populli për parti të tjera. Ideja e pluralizmit shtrohet në formë presioni nga vendet perëndimore, që të ndryshojmë politikë dhe të afrohemi me Perëndimin. Njerëzit nuk mund t’i besojnë ndonjë personi që do të krijojë parti të re. Kemi më shumë se 45 vjet në pushtet dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë me përkrahjen që na bën populli. Edhe po të caktojmë disa njerëz të besuar për të krijuar parti të reja, që të plotësojmë mekanikisht kërkesat e shteteve perëndimore, atyre nuk u beson njeri. – Mendoj se pluralizmi politik duhet të lihet të zhvillohet natyrshëm, shoku Ramiz. Grupimet politike të shtresave të popullit është mirë të vendosin vetë për përkatësinë e tyre politike. Së pari, mendoj se nuk duhet të përsëritet gabimi që bëri Mustafa Qemal Ataturku në Turqi, që caktoi shokun e tij të ngushtë, për të krijuar një parti të re politike, për të bërë ndryshimin siç kërkonin shtetet e tjera perëndimore. Kur shoku i tij u bë opozitar i fuqishëm dhe filloi të pretendojë më shumë për pushtet më të madh, ai u bë i rrezikshëm. Ataturku e arrestoi dhe e dënoi me vdekje. Së dyti, zgjedhja e disa personave të njohur dhe mbështetja e tyre për krijimin e partive opozitare do të ishte një veprim mekanik. Njerëzit njihen nëpërmjet punës. Pushteti nxit dhe kultivon edhe egoizmin për më shumë vlerësim dhe marrje më shumë pushtet politik, legjislativ, gjyqësor etj. Në fillim ata janë mirënjohës, ndaj atij me shumë pushtet dhe premtojnë besnikëri. Por kur forcojnë pozitat, marrin famë, krijojnë përvojë politike, duan më shumë pushtet. Kur e shohin se pengesa kryesore është ai që i ka mbështetur dhe bërë të njohur në politikë, veprojnë gradualisht në mënyrë të maskuar dhe pastaj hapur, të minojnë pushtetin, të dobësojnë pozitat, deri edhe të largojnë me forcë, të arrestojnë, të dënojnë etj. Pra, pushteti krijon ambicien për pushtet.
    - Paske njohuri të mira edhe nga politika ndërkombëtare për pluralizmin?! Edhe nga ana filozofike i argumenton mendimet! – Këto i kam lexuar në historinë moderne të Turqisë, shoku Ramiz. Profesioni i hetuesit më ka dhënë edhe përvojën politike.
    - Qemal! Këto mendime më befasojnë. I sheh fenomenet ndryshe nga politika që po zbaton Partia…
    - Ju më pyetët me sinqeritet, shoku Ramiz. Unë e ndjeva për detyrë të përgjigjem, po me të njëjtën mënyrë: të shpreh pa rezerva mendimet e mia. Nuk isha përgatitur për këtë bisedë. Janë mendime që tani u formuluan më qartë, pas pyetjes suaj. – Mirë, Qemal. Me kurajë dhe mendimin tënd. Ke ide të avancuara. Në këto kushte, ato zor se mund të kuptohen nga shokët e tjerë të udhëheqjes. Faleminderit!
    - Unë ju jam mirënjohës, shoku Ramiz, që më thirrët dhe më kërkuat mendim… Rrugës për në zyrë analizova edhe një herë bisedën. Kisha kaluar çdo kufi të lejuar nga politika dhe praktika e diktaturës së proletariatit. Ishte me pasoja. E kuptoja përgjegjësinë. Njëkohësisht isha i bindur se kisha mbajtur qëndrim të drejtë. Kisha argumentuar mendimet e mia.


    STUDENTËT I JAPIN GODITJEN PËRFUNDIMTARE SISTEMIT SHTETËROR ME NJË PARTI

    Ishim në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Bëhej analizë për gjendjen e kriminalitetit dhe ishte paraqitur një raport nga Hetuesia e Përgjithshme. Po bëheshin diskutime. Kritikohej rritja e kriminalitetit dhe zbulimi i pamjaftueshëm i krimeve të rënda, sidomos i atyre që destabilizonin gjendjen. U vu në dukje edhe një herë kritika për liberalizëm në Hetuesi. U kritikua bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit dhe Policinë, sidomos për lirimin nga hetuesia të personave të ndaluar nga policia… Papritur u dëgjuan në afërsi thirrjet: Liri-Demokraci… Të gjithë drejtuan sytë nga jashtë dritares, nga vinin thirrjet. Në krah kisha Kristaq Ramën. Në këto mbledhje rrinim pranë njëri- tjetrit me kënaqësi dhe ndanim mendime të njëjta për situatën e krijuar. Ramizi mori në telefon ministrin e Brendshëm. Pastaj, duke vështruar nga Kristaqi dhe unë, tha: Janë studentët e Arteve. Janë djemtë e shokëve tanë, që demonstrojnë (Me këtë përcaktim jepte të kuptonte për Edi Ramën, djalin e Kristaqit.) Ligji i Qemalit nuk i dënon. Çfarë presim? Kur të vijnë të na hyjnë në sallën e mbledhjes? (Me përmendjen e emrit tim donte të rikujtonte qëndrimin e hetuesisë për dekretin për manifestimet, ku ai kërkonte që hetuesia të hetonte dhe të çonte personat në gjyq, sipas praktikës së vjetër, megjithëse kishte ndryshuar ligji.) Dekreti për mbledhjet dhe manifestimet publike ka parashikuar rregulla të reja, shoku Ramiz, – sqarova shkurt mendimin tim. Nuk pati reagime të tjera. Si kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, argumentova se hetuesia ka zbatuar një politikë të drejtë penale. Pasi mbaroi mbledhja, u larguam bashkë me Kristaqin. Ai dukej i tronditur, por nuk e jepte veten, ishte shumë burrëror. Rrugës kemi vazhduar bisedat dhe më thotë: U emërova pa dëshirën time si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Jam skulptor dhe nuk kam pasur dhe nuk kam dëshirë për politikë. Emri im u bë fakt i kryer. Nuk mund ta kundërshtoja. Nuk kam asnjë përfitim dhe nuk dua të kem. Më pëlqen profesioni im dhe i jam përkushtuar skulpturës. Kam pasur vlerësime të mëdha artistike për monumentin e Enver Hoxhës, bashkë me Muntaz Dhramin etj. Prandaj na kanë emëruar, mua këtu në Presidium dhe Muntazin në Plenumin e Komitetit Qendror. Thonë se na vlerësojnë, por në fakt na dëmtojnë emrin tonë si artistë, duke na politizuar… Djali del në demonstratë, pasi është me ide politike që nuk përputhen me politikën aktuale. Ai ka të drejtë kur më kritikon se përse rri akoma këtu në Presidium. Por nuk kam si shkëputem. Me ty Qemal, si gjithmonë, flas hapur se kam besim dhe e vlerësoj mendimin tënd politik, uroj të kesh sukses. Të bien më qafë padrejtësisht. Kritikohesh për liberalizëm, se zbaton ligjin. Unë të kam mbështetur dhe të mbështes. Është shumë pozitive, që një njeri si ju është në këtë organ të lartë shtetëror, – i plotësova mendimin.- Pavarësisht nga qëllimet e emërimit, fakti që këtu ka njerëz si ju, e bën më human këtë organ. Ju dhe ata si ju keni një kulturë qytetare, për të cilën ka nevojë drejtimi i shtetit. Emërimi i ministrave të rinj, si Skënder Gjinushi, Farudin Hoxha, Ismail Ahmeti, Besnik Bekteshi, Pajtim Ajazi etj., i ka dhënë një frymëmarrje të re veprimtarisë shtetërore. Populli tregohet i kënaqur me këto zgjedhje. Ju kanë afruar me qëllimin që t’i mbështesni, por ju mbani qëndrim parimor dhe nuk mbështesni padrejtësitë. Këtë qëndrim nuk e kanë llogaritur. Ndryshe nuk do t’ju kishin emëruar. Jeni nga ata që flet hapur dhe thoni me guxim fjalën tuaj. Kjo e frenon edhe Ramizin, në dhënien e mendimeve dhe marrjen e vendimeve. Duam ndryshime demokratike. Këtë do ta arrijmë me njerëz me kulturë të gjerë qytetare, si ju. Djali bën mirë që thotë hapur mendimet e tij. Manifestimi publik e politik nuk është më i dënueshëm. Po kështu ndanim mendime të njëjta për gjendjen e rëndë dhe ndryshimet që duheshin bërë. Kur arritëm te sheshi “Skënderbej”, u ndamë, ai për në shtëpi, në Rrugën e Kavajës, dhe unë për në zyrë. Më 1 dhjetor 1990, studentët e Universitetit të Tiranës “Enver Hoxha” kishin afishuar në korpusin qendror një peticion ku kërkohej plotësimi i kushteve më të domosdoshme të tyre, për jetesë e studim. Në rast se këto nuk do të plotësoheshin, kërkohej dorëheqja e qeverisë. Studentëve nuk iu dha përgjigje nga qeveria. Pas kësaj heshtjeje dhe mosdhënies brenda një jave të një përgjigjeje për plotësimin e kërkesave të paraqitura, u kalua në veprime konkrete të organizimit të studentëve për demonstratë. Nga data 7 deri më 9 dhjetor 1990, do të bëhej organizimi i parë i studentëve me një platformë politike kundër regjimit në fuqi.

    QEMAL LAME

    Panorama

Faqja 2 prej 3 FillimFillim 123 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •