Mjekët: Pacientët duan ilaçe më shumë se suvatime
Ministri Beqja në analizën vjetore të QSUT-së
Drejtuesit e shërbimeve në QSUT kanë shfrytëzuar analizën vjetore të këtij institucioni për të vënë në dijeni ministrin e Shëndetësisë për gjendjen në të cilën ndodhet spitali më i madh i vendit, duke filluar që nga mungesa e medikamenteve e deri te kushtet e sallave të operacionit. Shefja e Shërbimit të Onkohematologjisë, Anila Godo, tha se në pavijonin e saj mungojnë prej muajsh jo vetëm medikamentet, por nuk mund të kryhen as disa analiza të thjeshta, siç është edhe elektroforeza e hemoglobinës. “Unë vazhdoj të vuaj çdo ditë atë sëmundjen kronike të mungesës së medikamenteve. Më vjen zor kur çdo ditë në konsultat ambulatore që bëj vazhdoj dhe i çoj nëpër spitale private për të bërë elektroforezën e hemoglobinës, dhe kjo prej shumë kohësh. U bënë 2-3 vjet që nuk ka as feritinë, as elektroforezë hemoglobine”, u shpreh Godo. Gjithashtu, mjekët kanë kërkuar që të ndryshojë raporti midis mjekëve dhe infermierëve në spitale, pasi janë këta të fundit që kujdesen më shumë për pacientët. “A do të ndryshohet raporti, numri i infermierëve me numrin e shtretërve, sepse kanë ngelur raportet si në kohën e rusit? . Në qoftë se ky raport nuk ndryshon, puna e mjekëve nuk ka vlerë”, tha shefi i Reanimacionit, Ilir Ohri. Ndërsa shefi i Angiokirurgjisë, Edmond Kapedani, kërkoi nga ministri Beqja që të kontrollohet puna e spitaleve private, të cilat, siç tha ai, po i përplasin pacientët në dyert e QSUT-së. “Unë kam një shqetësim që nuk po e zgjidh dot. Operohen në spitalet private dhe kur vijnë në derexhe të fundit dhe kostoja ka vajtur sa nuk mban më, i përplasin me ambulancë te dera.Lulëzimi i spitaleve private është i padrejtë. Ne po mbajmë ngarkesa të pajustifikuara”, u shpreh Kapedani. Kreu i Shëndetësisë, duke pranuar situatën, pohoi se mbingarkesa në QSUT ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit siç duhet të spitaleve rajonale, disa prej të cilave, tha ministri, janë kthyer thjesht në shërbim ambulance që i dërgojnë pacientët drejt Tiranës. Gjithashtu, Beqja theksoi se prova e parë që do të bëhet për bashkëpunimin me spitalet private janë paketat e shërbimit. Në fund, ministri Beqja iu drejtua me një kërkesë mjekëve, që t’i reduktojnë kërkesat për të punuar edhe pas moshës së pensionit.
Debatet ne analize
Ilir Ohri, shefi i Reanimacionit
Në spital a duhen shtuar infermierët? Më mirë të pakësojmë mjekët dhe të shtojmë infermierët. Ata janë më afër shërbimit të pacientëve. Doja të dija a do të ndryshohet raporti i numrit të infermierëve me numrin e shtretërve, sepse kanë ngelur raportet si në kohën e rusit? Kjo duhet të ishte evidentuar. Në qoftë se ky raport nuk ndryshon, puna e mjekëve nuk ka vlerë.
Edmond Kapedani, shefi i Angiokirurgjisë
Unë kam një shqetësim që nuk po e zgjidh dot. Operohen në spitalet private dhe kur vijnë në derexhe të fundit dhe kostoja ka vajtur sa nuk mban më, i përplasin me ambulancë te dera. Çfarë kontributi mund të jap unë dhe kolegët e mi për një gjë që nuk e dimë se çfarë kanë bërë ata? Lulëzimi i spitaleve private është i padrejtë. Po qenë të aftë, të bëjnë punën që bëjnë. Ne po mbajmë ngarkesa të pajustifikuara. Ne që i kemi në kurriz e kuptojmë vlerën e vërtetë të punës. Në sallat që unë operoj jam i detyruar t’i vë antibiotik se ai linoleumi që kanë vënë italianët ka plasur gjithandej tani. Ai linoleumi po qe se vihet nga e para, vihen edhe makinat, ta sterilizoj, të rregullohet edhe ajri i kondicionuar, unë operoj pa antibiotik fare pastaj. Ju siguroj se antibiotikë nuk ka për të pasur kurrë në spital. Të sëmurit nuk i duhet suvaja në spital, ai ka ardhur aty se e ka zënë një hall, do ta mbarojë dhe të ikë. Ceremoni hajde të bëjmë sa të duash, por unë mendoj se duhet të zgjidhim problemet.
Ministri Ilir Beqja
Mjekësia jopublike është një realitet që ne e kemi vlerësuar që duhet të jetë një shërbim komplementar. Hapin e parë me spitalet private po e bëjmë për paketat e shërbimeve të Fondit, ku do shohim se kush prej tyre do të marrë pjesë. Është e vërtetë që ka një mbingarkesë në QSUT, që vjen nga mosfunksionimi siç duhet i spitaleve rajonale. Nuk jam dakord që nuk do ketë asnjëherë antibiotikë në spital, por pajtohem me ju që një i sëmurë meriton kujdesin.
Bajram Hysa, dekani i Mjekësisë
Ka ardhur koha të akreditohen edhe spitalet private, që nënkupton edhe prezantimin e stafit të tyre. Reputacioni i tyre po ngrihet nga puna e pedagogëve tanë. Ka disa pedagogë që në orën 8:00 të mëngjesit nuk i gjen në QSUT, por në spitalet private. Kjo është një çështje që duhet zgjidhur.
Vizitat ne QSUT
Mbi 358 mijë pacientë i janë drejtuar gjatë vitit 2013 spitalit “Nënë Tereza”. Vizitat dhe sëmundjet më të shpeshta kanë qenë në shërbimet e onkologjisë dhe kardiologjisë. Gjatë një viti në QSUT janë kryer një milion e 778 mijë teste laboratorike.
JONIDA TASHI
Panorama
Krijoni Kontakt