Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ka nxjerrë një anë të saj, që deklaratat e shtypit në selinë blu, nuk kishin mundur t’ia zbulonin per publikun. Pedagogia e re e juridikut, njëherësh imazhi i Partisë Demokratike, propozon që jabanxhinjtë, të ardhurit nga veriu dhe jugu, duhet të hyjnë me vizë në Tiranë. Me një logjikë kaotike, Vorpsi thotë më pas se nuk ka problem me të ardhurit dhe se “tironsit” janë mikpritës me ta. Vorpsi tregon se ka sugjestionuar veten për t’i pranuar jabanxhinjtë, pasi më parë edhe theksi më i vogël dialektor e bezdiste.
“Po thosha që kam pasur gjithmonë probleme me paragjykimin e prejardhjes krahinore. Më mjaftonte vetëm aksenti i dikujt që kisha përballë për t’u stepur apo për të krijuar një vetëqëndrim që nuk e dija se nga më buronte… Nuk është se kam pasur ndonjëherë problematika kundrejt një personi. Që vjen nga Veriu apo që është nga Jugu. Për mua ishin të gjithë jabanxhinj. Tani kam filluar, sepse ka ndikuar njohja e studentëve të ndryshëm. Komunikimi me studentet më ka bërë që të jem më e afërt, ndërkohë që më parë, kur kaloja me automjet në një qytet tjetër, nuk do të doja të qëndroja as për një kafe. Kam ndryshuar për mirë, dhe njeriu vetërregullohet nëse e sugjestionon veten. Mendoj se tironsve do t’iu shkonte pjesa e ahengut e për e për raki, sepse ne tironist jemi shumë të gëzueshëm. Ne tironsit jemi shumë mikpritës”, theksoi ajo.
Pasi Vorpsi tha se tironsat janë mirëpritës, gazetari Blendi Fevziu ka ironizuar duke thënë se “edhe t’i paragjykosh dhe të jesh mikpritës me ta nuk ka kuptim”.
“Po mirë, ne kemi problemin të kjo pjesa që jabanxhiu duhet të vijë më vizë në Tiranë. Por me na ardh në shtëpi ne e presim dhe e mirëpresim si me qenë çuni i dajës. Pra nuk jam të pjesa që të paragjykojmë jabanxhinjtë, jabanxhiu të vijë, por të vijë me vizë”, tha zëdhënësja e PD.
Pjesë nga biseda në emision:
Blendi Fevziu: Po si jeni mikpritës kur nuk i doni jabanxhinjtë?!
Laura Vorpsi: Po mirë, ne kemi problemin te kjo pjesa që jabanxhiu duhet të vijë me vizë në Tiranë. Por me na ardh në shtëpi ne e presim dhe e mirëpresim si me qenë çuni dajës. Pra nuk jam te pjesa që të paragjykojmë jabanxhinjtë, jabanxhiu të vijë, por të vijë më vizë
Ferdinand Xhaferri: Tani... ta presësh dhe të vijë me vizë sikur nuk shkon...
Laura Vorpsi: Po po shkon shumë, secili në vendin e vet. Nëse do vish do vish, por mezi të pranojmë. Por nëse ti futesh një një familje tironse, kam bindjen që absolutisht janë mikpritës.
Gazeta Shqiptare
Krijoni Kontakt