Çdo një kryqëzor bërthamor në Mesdheun Lindor? Po Traktati i Miqësisë Shqipëri-Rusi, pse mbahet peng që nga viti 2004? A e “pengon” Serbia zhvillimin e marrëdhënieve mes Tiranës e Moskës? Në të parën intervistë për shtypin e shkruar, ambasadori i Rusisë, Leonid Abramov hedh dritë mbi mjaft pikëpyetje të raportit diplomatik Shqipëri-Rusi. Në një rrëfim të gjatë për “GSH”, Abramov përshëndet vendimin e qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare për t’i thënë “Jo” armëve kimike nga Siria. “Shqipëria ngeli vetëm, e mirëkuptoj vendimin e Ramës”, pohon ai.
1- Zoti ambasador, qeveria shqiptare mori pak ditë më parë një vendim të rëndësishëm për çështjen e armëve kimike siriane duke i thënë “JO” përfshirjes së saj në këtë operacion. Në këndvështrimin e Rusisë si është konsideruar apo pritur ky vendim i Shqipërisë?
Në radhë të parë do doja t’i uroja popullit mik të Shqipërisë, gëzuar festat kombëtare, Ditën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit. Hyrjen në 100-vjetorin e dytë të Pavarësisë, Shqipëria po e pret me programin e rinovimit të gjithanshëm. Ne po i ndjekim me shumë vëmendje hapat që po hedh qeveria e re shqiptare dhe i urojmë asaj arritje të reja dhe suksese në reformat e shpallura me karakter ekonomik, social dhe kulturor.
Rusia është e interesuar në zhvillimin e bashkëpunimit ruso-shqiptar në fushat tregtare dhe ekonomike, shkencore dhe teknike si dhe në fusha të tjera, në aktivizimin e lidhjeve kulturore dhe humanitare, në thellimin e dialogut të politikës së jashtme dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Përsa i përket çështjes së vendimit të komunikuar nga Kryeministri, Edi Rama për pamundësinë e pranimit të armëve kimike siriane, unë këtë e shoh si shenjë të pjekurisë politike të Shqipërisë, por edhe të unitetit të shoqërisë shqiptare, të kuptimit nga ana e shoqërisë të të drejtave të saj demokratike. Siç e dimë, ky vendim i qeverisë shqiptare u parapri nga një valë e gjerë protestash popullore, ku qytetarët patën mundësinë për ta shprehur lirisht qëndrimin e tyre, çka përbën një vetëkuptim të demokracisë dhe demonstrimin e parimeve të saj kryesore. Protestat u zhvilluan në mënyrë shumë paqësore. Edhe kjo pra është një shenjë pjekurie. Unë nuk mund të mos bie dakord me fjalët e kryeministrit Rama, i cili tha se fillimisht në listë për të pranuar armët kimike siriane kanë qenë edhe vende të tjera. Por kur erdhi dita e vendimmarrjes përfundimtare, Shqipëria ngeli vendi i vetëm. Unë personalisht e kam pritur me shumë mirëkuptim këtë vendim të qeverisë shqiptare.
2 - A është përfshirë Moska zyrtare në negociata apo kontakte me autoritetet e qeverisë shqiptare lidhur me këtë çështje?
E dini se “harta rrugore” ruso-amerikane e operacionit për eliminimin e armëve kimike siriane është formuluar sipas marrëveshjes mes dy presidentëve, V.Putin dhe B.Obama. Në funksion të kësaj janë realizuar një sërë takimesh ndërmjet ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologut të tij amerikan, John Kerry. Në përputhje me këtë “harte rrugore” ruso-amerikane, Rusia i ka marrë përsipër kontaktet me Damaskun për pjesën operacionale të nxjerrjes në mënyrë të sigurtë të këtyre kimikateve nga depot dhe transportimin e tyre të sigurtë deri tek kufiri sirian. Është një operacion i rrezikshëm, që kërkon shumë punë, duke pasur parasysh se veprime luftarake dhe sulme nga ana e militantëve të armatosur po vazhdojnë ende. Faktikisht Siria sot është në gjendjen e një lufte civile dhe të asaj ndërfetare. Në dijeninë time, përgatitjet për të realizuar këtë operacion po vazhdojnë suksesshëm. Përgjegjësia për realizimin e këtij operacioni për eliminimin e armëve kimike ndahet sipas parimit të paritetit. Për pjesën jashtë territorit të Sirisë, përgjigjen më tepër partnerët tanë. Damasku sipas kërkesës së Rusisë ka pranuar eliminimin e armëve të tij kimike në çfarëdo vendi të botës. Kështu që zgjedhja ka qenë mjaft e gjerë në këtë drejtim. E di që edhe sot e kësaj dite mundësi të tilla janë ekzistente. Lidhur me pyetjen tuaj, unë mund të them se ne nuk jemi indiferentë ndaj qëndrimit të Shqipërisë. I kemi ndjekur me shumë vëmendje këto zhvillime qysh nga fillimi. Por unë mund t’ju siguroj se kontakte të tilla për çështjen e organizimit të këtij operacioni në territorin e Shqipërisë ose me pjesëmarrjen e saj, ne nuk kemi pasur kurrë me autoritetet shqiptare, përveç një takimi kur u informuam për një mundësi të tillë dhe të realizuar qysh në fillim.
3 - Si e konsideroni nivelin e marrëdhënieve aktuale mes Shqipërisë dhe Rusisë?
Përgjatë dy dekadave të fundit marrëdhëniet tona ndërtohen mbi parimet e të drejtave të barabarta dhe respektit të ndërsjelltë, ç’ka parashikon të drejtën e partnerit për një zgjedhje të lirë në çdo fushë, bazohen mbi pragmatizmin, parashikueshmërinë dhe leverdinë reciproke. Do doja të veçoja sidomos parimin e të drejtave të barabarta, pavarësisht diferencave në potencialet politike, ekonomike apo në përmasat e territoreve të Rusisë dhe Shqipërisë. Ne nuk i imponojmë qëndrimet tona, nuk japim mësime prej mentori. Ne ia lemë gjithmonë si vetes, ashtu edhe partnerëve tanë të drejtën për të mbrojtur qëndrimin e tyre. Dua të theksoj se duke u nisur nga këto parime, ne po i ndërtojmë marrëdhëniet edhe me vende të tjera të Europës Qendrore, të asaj Lindore si dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përsa i përket nivelit aktual të marrëdhënieve tona dypalëshe, jemi të mendimit se potenciali i këtyre marrëdhënieve nuk është shfrytëzuar ende. Kjo ka të bëjë me kulturën, turizmin, ekonominë.
4 - Traktati i Miqësisë mes Rusisë dhe Shqipërisë është sigluar nga ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve që në vitin 2004. Çfarë e ka penguar nënshkrimin e tij nga presidentët e të dyja vendeve dhe cila është perspektiva e këtij traktati?
Është e vërtetë që në dhjetor të vitit 2004 është realizuar një vizitë e ministrit të Jashtëm të Rusisë të sapoemëruar në atë kohë, z. Sergei Lavrov. Traktati u përafrua, domethënë u përgatit për nënshkrimin e tij zyrtar. Unë deri tani e ruaj me shumë kujdes dekretin e Presidentit të Rusisë V.Putin, që përmban një udhëzim drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse për ta firmosur këtë Traktat Miqësie në emër të Federatës Ruse. Por në vitin 2005 erdhi koha e re, u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në vendin tuaj erdhi një qeveri e re demokratike në pushtet. Çështja e nënshkrimit të këtij traktati për një farë kohe qëndronte në axhendën e marrëdhënieve tona dypalëshe. Kur unë fillova detyrën time këtu në Shqipëri, në vitin 2010, ne ishim të gatshëm ta firmosnim Traktatin e Miqësisë. Shpresojmë gjithsesi se shpirti i miqësisë dhe bashkëpunimit i dokumentit të përmendur nga ju, ruhet edhe sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve në politikën e jashtme. Në rast të shfaqjes së interesit të ndërsjelltë, ai do të mund të merrte një konfirmim të caktuar ndërkombëtar dhe juridik.
5 - Shqipëria ka përcaktuar si një prej prioriteteve të politikës së jashtme mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës e lobimin për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare. Si ndikon ky qëndrim në marrëdhëniet e Shqipërisë me Rusinë?
Në këndvështrimin tim, kjo nuk duhet të ndikojë absolutisht në marrëdhëniet ruso-shqiptare. Në praktikën botërore ka plote raste të tilla, kur pavarësisht dallimeve në qëndrimet e vendeve të ndryshme për çështjet e axhendës ndërkombëtare, dialogu politik dhe ekonomik zhvillohen në mënyrë shumë të suksesshme. Në veçanti, një ndër prioritetet tona është mbështetja e pavarësisë së Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Ndërkohë ne zhvillojmë marrëdhëniet shumë të suksesshme me ato vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e këtyre dy shteteve. Përsa i përket Kosovës, do të doja të kujtoja se Rusia qysh në fillim ka mbështetur negociatat direkte mes Beogradit dhe Prishtinës si dhe propozimin për ngritjen e nivelit të negociatorëve deri në kryetar qeverie nga të dyja palët. Ne kemi deklaruar gjithashtu se, Rusia do ta mbështesë dhe do ta pranojë vendimin që do të përpilohet nga të dyja palët bashkëbiseduese me vullnet të mirë dhe pa presion nga jashtë. Ky mendoj se është një qëndrim maksimalisht konstruktiv.
6 - Në Shqipëri ekziston një perceptim i përhapur mbi Rusinë si aleat strategjik i Serbisë, me të cilën ka nënshkruar edhe një marrëveshje të partneritetit strategjik në maj të vitit 2013. A mund të quhet kjo, prioritet i politikës ballkanike të Rusisë, çka mund të pengojë zhvillimin e marrëdhënieve me Shqipërinë?
Në asnjë mënyrë nuk është pengesë. Përkundrazi! Ne me sukses e zhvillojmë qëndrimin tonë rajonal ndaj bashkëpunimit. Kompanitë ruse janë prezente gati në çdo vend të Ballkanit Perëndimor. Në Serbi janë më të shumta në numër, diku tjetër janë më të pakta. Një bashkëpunim i tillë me leverdi reciproke e favorizon zhvillimin ekonomik dhe social të këtyre vendeve dhe Shqipëria në asnjë mënyrë nuk mund të jetë një përjashtim, përkundrazi. Kompanitë ruse, duke u nisur nga potenciali i tyre janë të interesuar të bashkëpunojnë më tepër me disa partnerë të huaj sesa vetëm me një. Projekti më i madh rajonal, ndërtimi i gazsjellësit “South Stream”, që ka si destinacion Italinë Veriore dhe Austrinë, është një dëshmi e qartë e kësaj. Gazsjellësi kalon nëpër territorin e disa vendeve ballkanike, siç janë Bullgaria e Serbia, ka dhe disa degëzime të tij. Ekzistojnë projekte edhe të tjera rajonale. Mund të mendohej pjesëmarrja në to, te disa vendeve të rajonit nga njëra anë dhe të Rusisë, nga ana tjetër. Prandaj këto marrëdhënie të mira që ne i kemi me Serbinë nuk përbëjnë aspak pengesë, sidomos duke pasur parasysh tendencën për ngrohjen e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë e Serbisë, çka ne shpresojmë se do të vijojë.
7 - Në portet e Malit të Zi janë zhvilluar disa herë vizita të luftanijeve ruse. A përfshijnë planet e Rusisë një prani të përhershme detare në Detin Mesdhe dhe ngritjen e një baze detare në Tivar të Malit të Zi?
Grupi i përhershëm i Flotës Detare Ushtarake të Federatës Ruse ka rreth një vit që është krijuar në pjesën lindore të Detit Mesdhetar. Para dy javësh këtij formacioni luftanijesh iu vu në krye kryqëzori i rëndë bërthamor raketambajtës “Pjoter Velikij”. Në përbërje të këtij grupi hyjnë rreth 10 luftanijeve të ndryshme. Këto luftanije sipas planeve ekzistuese do të marrin pjesë në operacionin e nxjerrjes së sigurtë të armëve kimike nga territori i Sirisë, në bashkëpunim me anijet e vendeve të tjera, duke përfshirë dhe ato të NATO-s. Sigurisht që të gjitha këto luftanije hyjnë në portet e atyre vendeve që japin një pëlqim përkatës për këtë dhe kjo është një praktikë krejt normale në kuadrin e lidhjeve ekzistuese në fushën ushtarake. Luftanijet e formacionit tonë qëndrojnë në Detin Mesdhetar me turne, kur del një luftanije, hyn një tjetër. Ajo luftanije që del, kthehet në bazën e qëndrimit të përhershëm o në Detin e Zi, o në Detin Verior. Mundësitë teknike të këtyre luftanijeve këtë u mundësojnë, kështu që nuk ka ndonjë nevojë të veçantë për një bazë të përhershme detare në Mesdhe.
8 - Gazsjellësi rus “South Stream” është konsideruar si një projekt i rëndësishëm ballkanik i Rusisë. A ka interes nga “Gazprom”-i që ai të degëzohet në Maqedoni, Kosovë dhe në Shqipëri?
Interesimi është nocion komercial dhe në radhë të parë varet nga parametrat ekonomikë. Është objekt i marrëveshjes së të dyja palëve. Përsa i përket “South Stream”, para pak ditësh u zhvillua ceremonia e saldimit të tubit të parë, u nis puna për ndërtimin e gazsjellësit në territorin e Serbisë. Lidershipi serb u shpreh se ky është një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik e vendit. Për ndërtimin e gazsjellësit në territorin e Serbisë do të shpenzohen të paktën 2 miliardë dollarë të investimeve direkte. Veç kësaj do të ndërtohen edhe 3 TEC-e, që do të punojnë me gaz natyror, me një lëndë djegëse të pastër dhe ekologjike. Investimet e lidhura me këtë projekt kapin vlerën 10 miliardë dollarëve dhe parashikohet të krijojnë mbi 10 mijë vende të reja pune. Ekziston marrëveshja për degëzime të “South Stream”-it, për shembull në territorin e Bosnjë-Hercegovinës, në Republikën Serbe. Po zhvillohen bisedime edhe me palën maqedonase për çështjen e një degëzimi përkatës. Siç dihet, miqtë tanë serbë kanë propozuar për të shqyrtuar mundësinë e degëzimit të këtij projekti edhe në territorin e Kosovës. Me sa jam në dijeni, Prishtina e ka pritur këtë lajm në mënyrë të përmbajtur. Le të shpresojmë se pas përsiatjeve përkatëse, edhe mund të merret një vendim pozitiv. Ne nuk jemi kundër.
9 - Në fund, por jo për nga rëndësia, le të ndalemi pak në marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Rusi. Si i konsideroni? A mund të na flisni për këtë?
Ekonomia është gjëja më e rëndësishme. Është përmbajtja kryesore e të gjitha kontakteve ruse të niveleve të larta me shumicën e vendeve të botës. Përsa i përket Rusisë, ne kemi një dekadë të tërë që hyjmë në 10-shen e partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë. Nga viti në vit shkëmbimi i mallrave ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë kap shifrën 120-130 milionë dollarëve. Vëllime të konsiderueshme mallrash kalojnë me ndërmjetësimin e vendeve të treta. Ne eksportojmë produktet e naftës, konstruksione metali, grurin, artikuj elektro-shtëpiake dhe shumë artikuj të tjerë. Megjithatë, në parim nuk mund të thuhet se jemi plotësisht të kënaqur me këta tregues. Për fat të keq ne thuajse nuk kemi fare projekte të përbashkëta të investimeve. Rusia specializimin e saj e ka në fushën e energjetikës. Vjet ka bërë vizitën e tij në Shqipëri presidenti i kompanisë më të madhe ruse në bote, “RusHydro”, z. E.Dod. Shqipëria është vend shumë i pasur sa u përket burimeve hidrike, prandaj këtu interesi i ndërsjelltë është shumë evident. Dhe një drejtim tjetër i mundshëm i bashkëpunimit tonë mund të jetë transporti, infrastruktura. Mos prisni t’ju them unë ndonjë gjë të re në këtë drejtim, pasi bëhet fjalë për ato fusha ku Rusia është prezente edhe në vendet e tjera fqinjë me Shqipërinë. Mirë është se po përparon turizmi. Numri i turistëve rusë që vijnë në Shqipëri nga viti në vit është gjithmonë në rritje. Vjet kanë qenë 12 mijë turistë. Shpresojmë se bilanci i vitit 2013 do të demonstrojë rritjen e numrit të tyre. Sidoqoftë turistët nuk qëndrojnë në Shqipëri 2-3 javë, por zakonisht vetëm 2-3 ditë. Pra, ata nuk i sjellin shumë para ekonomisë shqiptare. Në turizëm kryesorja nuk është se sa lekë merr pronari i hotelit, por sa mund të shpenzojë mesatarisht një turist edhe në restorante, në dyqane, për shërbime të tjera të karakterit turistik, etj. Në Shqipëri ekziston potenciali që ne duhet ta shfrytëzojmë.
10 - A kanë interes investitorët rusë të marrin pjesë në zhvillimin e bregdetit shqiptar?
Janë të interesuar, por që investimet e mëdha të realizohet nuk mjafton vetëm klima pozitive investitore. Nuk mjafton vetëm interesimi potencial i një investitori, por nevojitet edhe mundësia e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nga më të ndryshmet në mënyrë të shpejtë, në një ambient të ngrohtë dhe të favorshëm politik, të ndërtuar mbi bazën e një dialogu të qëndrueshëm. Së fundmi Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka zhvilluar një vizitë në Itali, sipas rezultateve të së cilës, ndër të tjera janë firmosur 28 marrëveshje të karakterit ekonomik. Dhe ky është vetëm një shembull. Ne jemi të bindur që gjithçka e kemi përpara akoma. Siç edhe është shprehur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në intervistën e tij gazetës “Koha Jonë” botuar më 24 nëntor: “Pas dimrit, vjen pranvera”. Ne reagojmë në mënyrë të interesuar ndaj interesimit të shprehur nga ministri për ta zhvilluar vizitën në Moskë në momentin më të përshtatshëm. Ai absolutisht ka të drejtë. Do të jemi të gatshëm të bashkërendojmë nëpërmjet kanaleve diplomatike të gjitha detajet e nevojshme të vizitës së tij në Moskë.
/Gazeta Shqiptare/
Krijoni Kontakt