Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,341
    Postimet në Bllog
    22

    Dokumenti Britanik: “Çlirimi i Shkodrës më 29 nëntor ishte një thashethem”

    “Çlirimi i Shkodrës më 29 nëntor ishte një thashethem”

    Emri:  foto3-300x155.jpg

Shikime: 999

Madhësia:  15.7 KB
    Foto nga arkivat britanikë: OFICERE BRITANIKE QE LUFTUAN NE SHQIPERI

    Lajmi për tërheqjen e trupave gjermane nga Shkodra më 29 nëntor 1944 mbeti një thashethem i pavërtetuar. Njëherazi me këtë fakt interesant, në një raport të inteligjencës ushtarake britanike, që u referohet zhvillimeve në vendin tonë në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, zbulohen një mori rrethanash të tjera që hedhin dritë mbi situatën në vigjilje të çlirimit. Sipas tij, mënyra si rrodhën ngjarjet në atë fundlufte, nuk u bë e qartë dhe nuk u saktësua asnjëherë dita se kur Shqipëria u çlirua plotësisht nga armiku. Dokumenti në fjalë përmban një raport të oficerit të Inteligjencës britanike, Dickinson, i cili u dërgua në Shqipëri në datën 22 nëntor bashkë me britanikë të tjerë, për të mbledhur informacion mbi sjelljet e trupave gjermane dhe tërheqjen e tyre. Misioni special me natyrë sekrete kërkonte të konfirmonte saktësinë e informacionit të marrë rishtas, sipas të cilit kishte të dhëna se trupat gjermane kërkonin të dezertonin në masë. Për këtë operacion në terren ishte vënë në dijeni posaçërisht Enver Hoxha, i cili lejoi trupën speciale të operonte, por në fakt ajo dështoi në sigurimin e informacionit të kërkuar, pasi brigadat partizane që ndodheshin në Veri nuk ofruan të dhëna për ta dhe nuk i lejuan të punojnë. Raporti i hollësishëm i oficerit Dickinson, ndërsa zbulon këto detaje të operacionit top-sekret, pohon faktin se po të ishin kapërcyer këto barriera me krerët e partizanëve, do të saktësohej më mirë lëvizja e trupave gjermane në terren dhe mund të hidhej dritë mbi momentin e saktë të largimit të trupave gjermane nga Shqipëria. Pra do të ndriçohej përfundimisht edhe data e çlirimit të vendit. “Në këtë fazë, në datën 29 nëntor, nënvizohet në raportin e ushtarakut britanik, unë sinjalizova komandën në Bari për mosdashjen e partizanëve për të më lënë të mblidhja informacionin që më duhej. Pak orë më vonë u përhapën thashetheme që Shkodra ishte evakuuar nga armiku. Vendosëm që atë mbrëmje të merrnim një konfirmim dhe takuam njerëz në rrugën që të çonte në Shkodër, të cilët qartësisht vinin nga Shkodra po atë ditë. Ndërkohë u kthyem në Laç dhe sinjalizuam LFA-në, duke u raportuar se po niseshim për në Shkodër mëngjesin tjetër, më datë 30 nëntor, për të qartësuar këtë informacion”, Sakaq, një informacion tjetër i britanikëve për ardhjen e trupave të tjera gjermane në Shqipëri, pas datës 4 dhjetor, mbeti i pavërtetuar. Nga ana tjetër, oficeri britanik jep një të dhënë interesante. Sipas tij, krerët partizanë të brigadave nuk kishin kontakte me popullsinë civile në Shkodër, sepse e konsideronin të gjithë popullsinë e qytetit si bashkëpunëtore me armikun. “Krerët e brigadës nuk dinin asgjë për gjermanë të burgosur nga ata dhe se forca partizane nuk kishte asnjë kontakt me popullsinë civile në Shkodër. Në fakt, sipas tyre e gjithë popullsia e Shkodrës ishte kolaboracioniste. Gjithsesi, ata ranë dakord për të më lënë mua të ecja përpara me ata, në mënyrë që të merrja në pyetje çdo të burgosur dhe në çdo betejë pasuese më premtuan se do të më informonin se kur do të ishin gati për të lëvizur”, citon raporti i britanikut.

    DOKUMENTI I PLOTË

    Top-sekret.

    Drejtuar: Komandës PWB Unit no. 9

    Nga: Kapiten D.H Dickinson

    Raport për operacionin “Kufiri”, 22 nëntor-12 dhjetor 1944

    1-HYRJE
    Në datën 22 nëntor unë u dërgova në Veri të Shqipërisë me një mision për të detajuar e zbuluar gjendjen e moralit të Divizionit gjerman 21 të trupave malore, të raportoja mbi sjelljen e tyre individuale në lidhje me dezertimin e oficerëve gjermanë, të jepja targeve prioritare për hedhjen dhe shpërndarjen e pamfleteve të propagandës, si dhe të mblidhja çdo informacion tjetër me vlerë në lidhje me këtë çështje.

    2- RENDI I NGJARJEVE
    Me arritjen time në Lezhë në datën 22 nëntor, unë diskutova projektin tim me patrullat e LRDG-së në lidhje me misionin, si dhe kush ishte marrë me përgatitjet e terrenit për ardhjen time, duke ditur se një oficer me rendësi po vinte nga Italia me një mision special në Shqipëri. Ishte vendosur që unë duhej të prezantohesha te partizanët si pjesë e stafit personal që përfaqësonte zëvendësmarshallin Elliot, dhe se ne duhej që të përpiqeshim që të kontaktonin forcën partizane më afër armikut, në mënyrë që të ecja para me patrullën e LRDG-së, ndërsa dy patrulla të tjera që do rrinin në Lezhë do të prisnin për zhvillime të tjera. Në datën 23 nëntor u takova me komandantin partizan të zonës së Lezhës, i cili më shprehu atë që ishte mendimi dhe opinioni i të gjithë komandantëve partizanëve aty, që do të thoshte se gjermanët nuk mund të shpëtonin nga xhepi që ishin mbërthyer, por që nuk kishin asgjë për të humbur, ndaj dhe përfundimisht ata do të luftonin deri në ushtarin e fundit, siç bënë në Tiranë. Gjithsesi, ai ishte i gatshëm për të më lënë në rrugën time dhe përgatitjet u ndërmorën për lëvizjen e Brigadës së VII ditën tjetër. Një gjerman i burgosur, i cili ishte kapur afër Lezhës 3 ditë më parë dhe ishte marrë në pyetje, më dha emra dhe njohuri në lidhje me shumë oficerë të Regjimentit 522. Në Hajmel takova një prift të zonës, i cili fliste gjermanisht dhe më foli në lidhje me sjelljen në luftë të disa prej oficerëve gjermanë që kishte njohur. Ndryshe nga pikëpamja e partizanëve, ai besonte se një numër i madh gjermanësh do të donin të dorëzoheshin te një forcë britanike ushtarake dhe kurrsesi te partizanët. Në mbrëmjen e datës 25 nëntor, shtabi i Brigadës VII u ndal në Laç dhe misioni u diskutua me krerët e brigadës. Ata dhanë pozicionin e gjermanëve përreth Shkodrës dhe kjo iu sinjalizua te LFA për të hedhur pamflete propagande apo si target për bombardim. Krerët e brigadës nuk dinin asgjë për gjermanë të burgosur nga ata dhe se forca partizane nuk kishte asnjë kontakt me popullsinë civile në Shkodër. Në fakt, sipas tyre, e gjithë popullsia e Shkodrës ishte kolaboracioniste. Gjithsesi, ata ranë dakord për të më lënë mua të ecja përpara me ata, në mënyrë që të merrja në pyetje çdo të burgosur dhe në çdo betejë pasuese më premtuan se do të më informonin se kur do të ishin gati për të lëvizur. Në mëngjesin e ditës së hënë, 27 nëntor, i kërkova ata dhe zbulova se lëviznin përpara pa më lajmëruar për këtë çështje. Urat mbi lumin Drin që ishin marrë ishin hedhur në erë dhe ishte e pamundur të kaloje lumin me mushka dhe pajisjet radiofonike që kishim, kështu që e lashë patrullën LRDG në Laç dhe shkova pas partizanëve në Ndërfushte. Aty gjetëm përfaqësuesit e lartë të Brigadës 22, të cilët raportuan një betejë të një nate më parë në të cilën ishin kapur 4 robër gjermanë, ndaj dhe në datën 28 nëntor unë lëviza drejt Drishtit dhe aty më treguan ngjarjen e plotë të Brigadës 22. Ai (një prej stafit të brigadës) ishte shumë skeptik, duke më thënë se nuk e dinte se ku janë të burgosurit gjermanë dhe konfirmoi se nuk kishin asnjë lloj përfaqësuesi civilësh në Shkodër, një informacion që unë nuk e besoja dhe më vonë zbulova se nuk ishte e vërtetë kjo që më thoshin. Ai nuk i dinte planet për atë çka do të ndodhte në të ardhmen, por më tha se asgjë nuk do të ndodhte në 24 orët e ardhshme. Unë ndërkohë u ktheva në Laç për të marrë me vete patrullën e LRDG-së, bashkë me setin e radiove për në Drisht. Në këtë fazë, në datën 29 nëntor, unë sinjalizova komandën në Bari për mosdashjen e partizanëve për të mos më lënë të mblidhja informacionin që më duhej. Pak orë më vonë u përhapën thashetheme që Shkodra ishte evakuuar nga armiku. Vendosëm që atë mbrëmje të merrnim një konfirmim dhe takuam njerëz në rrugën që të çonte në Shkodër, të cilët qartësisht vinin nga Shkodra po atë ditë. Ndërkohë u kthyem në Laç dhe sinjalizuam LFAnë, duke u raportuar se po niseshim për në Shkodër mëngjesin tjetër, në datë 30 nëntor, për të qartësuar këtë informacion, të ekzaminonim aerodromin dhe të lokalizonim pilotin e RAF, gjurmët e të cilit ishin gjetur 3 ditë më herët.


    DOKUMENT IARKIVIT BRITANIK

    “Situata në Veri të Shqipërisë në fundin e luftimeve”

    “Gjermanët s’pranonin të dorëzoheshin te partizanët”

    “Komunistët pohonin se e gjithë popullsia e Shkodrës kishte qenë bashkëpunëtore e armikut


    Biseda me civilë të rastësishëm nga Shkodra mbështetën teorinë se kishte një forcë britanike në vendin fqinj dhe se një dezertim në shkallë të gjerë nga gjermanët do të ndodhte atje. Piloti i RAF-it kishte një informacion të ngjashëm nga rojet e burgut në një muaj që ishte mbajtur i burgosur bashkë me të burgosur të tjerë italianë, të cilët shkonin çdo ditë e punonin në qytet. Gjithsesi, gjermanët ishin të qartë me Shqipërinë dhe operacioni “Kufiri” dukej se ishte drejt fundit. Informacioni i mbledhur iu transmetua LFA-së në datën 1 dhjetor bashkë me qëllimin për t’u kthyer në Shëngjin për t’u bashkuar me patrullat e tjera të LRDG-së, me qëllim për t’u larguar. Ky sugjerim u bë në të njëjtën kohë me hartimin e planin origjinal që të përfshiheshin edhe ata në territorin jugosllav, gjithnjë nëse miratimi do të jepej nga ato autoritete. Por, kur të gjitha patrullat ishin mbledhur, tashmë në datën 5 dhjetor në Shëngjin, u dha sinjali shqetësues nga LFA-ja se ndoshta korpusi malor 21 i gjermanëve ishte kthyer në Shqipëri. Ndërkaq, unë u ktheva mbrapsht për në Shkodër në datën 6 dhjetor me idenë që të siguroja lejen e partizanëve për të vizituar shtëpitë e civilëve, në të cilat oficerë gjermanë ishin strehuar dhe mbaheshin, për të mësuar sjelljet e tyre në lidhje me këto dezertime. Qëllimi ishte fillimisht që unë të afrohesha te komanda partizane nëpërmjet misionit britanik në Shkodër, por gjetja e misionit britanik ishte e pamundur në datën 7 dhjetor, ndaj dhe unë u kapa nga partizanët e më dërguan në shtabin e tyre për të më marrë në pyetje një komisar. Sjellja e tij ishte shumë e ashpër. Ai e dinte për punën tonë të LRDG-së dhe qartësisht e në mënyrë të planifikuar zbuloi se ne nuk e kishim më vendin në Shqipëri dhe se tashmë gjermanët ishin larguar. Ai mori detaje të plota mbi numrin e trupave britanike në Shqipëri, bashkë me emrat e tyre. I tregova atij se çfarë doja të bëja në Shkodër, ndërsa ai më thoshte se prezenca ime në Shqipëri ishte e panevojshme dhe se një informacion i tillë mund të sigurohej te misioni britanik. E kundërshtova duke i thënë që misioni britanik ishte aty për detyrat e ndërlidhjes me forcën partizane, ndërsa misioni im kishte të bënte në lidhje me ushtritë gjermane dhe se kisha kualifikimin special për të gjetur informacion që më duhej vetë. U ndjeva i surprizuar që ai nuk e kishte idenë që prezenca e misionit tim dihej nga gjeneral Enver Hoxha, i cili ishte informuar një ditë më parë nga Italia për ardhjen time dhe për më tej që unë prisja bashkëpunimin e tyre dhe s’po merrja asgjë që pritej. Në mënyrë të turbullt kërkoi ndjesë dhe tha se këtë çështje do ta referonte drejt Tiranës dhe ndërkohë do të më jepte udhërrëfyes për të më dërguar te misioni britanik. Aksidentalisht zbulova në mesditën e datës 8 dhjetor se gjatë një dite e gjysmë, shtabi i tyre deklaronte se nuk ia kishte idenë se ku ndodhej misioni britanik, kur ndërkohë i njëjti shtab partizanësh kishte marrë në pyetje misionin britanik në lidhje me mua, duke u pohuar të njëjtën gjë se nuk e dinin se ku ndodhesha. Ishte e qartë se donin të na mbanin veçmas pa mësuar gjë deri në një përgjigje që do të vinte nga Tirana. Ndërkohë, një mesazh erdhi nga LRDG-na në Shëngjin, se i gjithë grupi ynë do të duhej të largohej për në Itali. Komandanti i brigadës ishte tepër armiqësor, me përjashtim të komisarit të trupës së 3-të, i cili u bë miqësor sapo mësoi se do të largohesha nga Shqipëria. Nga ana tjetër, ishte planifikuar se partizanët nuk do të lejonin ndërhyrjen më të vogël të oficerëve britanikë në fazën finale të betejës mes xhepit të krijuar Shkodër- Podgoricë. Nuk kishte asnjë dyshim, që të më linin të bëja punën dhe investigimin tim të vetëm. M’u caktuan udhërrëfyes dhe roje partizane për të më dërguar mbrapsht, duke u siguruar që të mos takoja asnjë civil të vetëm. Në vizitën e dytë që bëra në Shkodër isha komplet i dyshuar dhe i ruajtur gjithë kohës me roje, por që sipas partizanëve, kjo ishte “ruajtje” për mua. E ndërkaq, ishte pothuaj e pamundur të mblidhje informacion të detajuar për sa i përket mënyrës dhe sjelljes me dezertimin e trupës gjermane malore Nr. 21, por nga ana tjetër indikacione me aq sa munda të mbledh, edhe pse i penguar për qëllimet politike, tregonin se gjermanët kishin dëshirë të dorëzoheshin pranë trupave britanike apo amerikane, por jo te partizanët. Kjo situatë kërkonte që operacioni “Kufiri” të fillonte më herët. Kontaktet me trupa gjermane dhe me civilët, që nuk ishin domosdoshmërish kuislingë, ishte krejt i mundur para se partizanët të vinin në zonën e Leshit dhe se skema do të funksiononte atë kohë kur gjermanët largoheshin nga vija bregdetare, pa u zënë ende zonat nga partizanët dhe me siguri që operacioni do të kishte dalë i suksesshëm.

    ERALD KAPRI

    Panorama

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Bajraku
    Anëtarësuar
    29-02-2012
    Postime
    498

    Për: Dokumenti Britanik: “Çlirimi i Shkodrës më 29 nëntor ishte një thashethem”

    Copetimi me i madhe i Shqiperis esht bere ne Konferencen e Ambasadorve në Londer

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •