Ja si funksiononte skema e trafikut të fëmijëve. Nisi me çiftin Petalli



--------------------------------------------------------------------------------

Basir Çollaku

Banda kriminale e goditur nga drejtësia shqiptare dhe italiane ka trafikuar qindra fëmijë, por prokuroria dhe policia kanë provuar deri tani 60 raste. Të paktën 5 mijë dollarë ka kushtuar jeta e një fëmije, adresa e të cilit nuk gjendet, megjithë hetimet intensive. Policia dhe prokuroria pohojnë se numri i fëmijve të shitur është shumë herë më i madh se ai i rasteve të provuara. Por organizata kriminale ka pasur lidhje të shumta dhe të forta. Përgjimet e deritanishm kanë arritur të zbulojnë koston e trafikut, deri diku dhe të shitjes së foshnjave, por rrjeti ka fshehur detaje të rëndësishme. Sipas organit të akuzës, kjo industri e krimit ka sjellë miliona dollarë. Për këtë prokuroria dhe antimafia italiane kanë bërë gati urdhrat e kontrollit të llogarive bankare të anëtarëve të organizatës. Do të bëhen verifikimet e pasurive të atyre që janë arrestuar dhe të atyre që dyshohen se janë në këtë valle krimi. Krijim organizatash kriminale, trafik të miturish. Këto janë dy akuzat e deritanishme që rëndojnë mbi të pandehurit. Të prangosurit rrezikojnë minimumi 25 vjet heqje lirie. Nëse trafiku ka pasojë vdekjen atëherë dënimi është burg i përjetshëm.


Skema

Aktiviteti kriminal ka nisur në vitin 1998 deri në vitin 2002 kur janë zbuluar dhe kanë startuar hetimet. Fëmijë të moshave 6 deri në 12 vjeç merreshin në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Industria e falsifikimit i vishte me dokumente që motivonin bashkimin familjar, që nuk arrihej kurrë. Gjahtarët vinin shënjestrën te fëmija. Arrihej të mashtrohej i mituri. Taksia ishte e gatshme ta dërgonte në Durrës, ose në Rinas, në varësi të linjës që ishte gati. SHISH-asi Paja ulte gatishmërinë. Vula e daljes nga porti i Durrësit kushtonte 400 dollarë, ndërsa e daljes nga Rinasi 500 dollarë. Ana tjetër e Adriatikut kishte ustallarë italianë që prisnin gjahun dhe merrnin bakshishin. Policia në Bari, apo qytetin ku zbristë viktima, kishte dijeni dhe pasi merrte dollarët e premtuar vuloste soxhornot. Më tej në Milano ku dërgohej preja ishin avokatët e vendit fqinj që bënin të ligjshme gjithçka. Në këto çaste fëmija jetim nisej për në destinacion. Trasplatim organesh ose birësim. Nëse do të ishte me fat fëmiaj do gjente një familje italiane dhe do bëhej bir i ligjshëm i saj. Prindërit shqiptarë do mbeteshin një kujtim që do shuhej.


Petalli

Ramiz dhe Xhulieta Petalli, 39 e 33 vjeç dhe Nexhip Kaçurri janë tre shqiptarët e arrestuar anëtarë të po kësaj organizate kriminale. Petallët janë arrestuar me 28 gusht të vitit të shkuar. Akuzohen se kanë trafikuar në Itali rreth 60 fëmijë shqiptarë duke falsifikuar dokumentet sikur i kishin fëmijët e vet. Pasi i dërgonin deri në shtetin përtej Adriatikut nuk dihet më asgjë për fatin e këtyre të miturve. Sipas hetuesve italianë dyshohet që fëmijët u janë shitur organizatave mafioze për t'u përdorur më pas si lypës ose qëllime të tjera të jashtëligjshme. Sipas policisë italiane, çifti Petalla ka dërguar rreth 30 fëmijë në Itali në destinacione që ende nuk është bërë i ditur. Kohë më parë policia e Durrësit ka prangosur 47-vjeçaren Sofie Kaçurri, motra e Xhulieta Petallës duke e rritur listën e trafiknatëve të arrestuar. Edhe avokati Marko Pelegrini, i cili mbronte çiftin Petalla, ndodhet në arrest i akuzuar për falsifikim dokumentesh.

Edhe Rinasi sërish pjesë e rrjetit të trafikut


--------------------------------------------------------------------------------



Organizata kriminale e trafikut të fëmijve ka përdorur dy rrugë atë detare dhe ajrore. Rinasi ka taksën e vet në këtë akt kriuminal. Policia ka sekuestruar 10 celularë të të arrestuarve. Gjithashtu zyrtarët sqarojnë se janë marrë numrat e telefonave të të gjithë shefave të Komisariatit të Rinasit për periudhën katërvjeçare që mendohet se kanë ushtruar aktivitetin. Hetuesit pohojnë se do të sqarohet pozicioni i secilit në këtë ngjarje, nga ku do të nxirret përgjegjësia penale. Rinasi rikthehet përsëri në skenën e trafikut. Një tjetër dosje e madhe e krimit të organizuar për Rinasin ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme. Trafiku i klandestinëve është objekti i hetimit për këtë dosje që gjendet prej tre vjetësh në organin e akuzës. Numri i të arrestuarve e kalonte shifrën 20 sipas prokurorisë. Por përsëri siaps ekipit hetimor ka pasur një përplasje institucionale me Ministrinë e Rendit Publik dhe dosja eshtë pajisur me heshtje shumë shpejt. Sipas prokurorisë në këtë rrjet nuk fitohej pak por 1 milion dollarë në aeroportin e vetëm të vendit. Kurdë, kinezë, ishin lënda e parë e trafikut. Shkarkohet vetëm shefi i komisariatit në atë kohë Rebani Memushi

Viktimat humbin pa adresë në Itali

Trafikantët e të miturve humbin çdo lloj gjurme të fëmijëve pasi i kalojnë përtej detit. Ky është alarmi i lëshuar nga polica dhe prokuroria shqiptare dhe antimafia italaine. Sipas tyre organet hetimore dhe ato policore kanë dijeni vetëm për numrin e fëmijëve të trafikuar në Itali. (rreth 60 fëmijë) Por mungesa e adresave e ka bërë pothuajse të pamundur gjetjen e tyre dhe aq më pak riatdhesimin pranë prindërve. Ndoshta dëshmitë e të arrestuarve do të zbardhin atë që ka ndodhur më të miturit.


Prokuroria, të tjerë të dyshuar ne rrjet

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë të ditur se ka dyshime që në trafikun e të miturve janë të implikuar edhe agjentë të shërbimit sekret e policë të tjerë të portit të Durrësit, apo aeroportit të Rinasit. Këtë dyshim e kanë vërtetuar edhe rastet flagrante të arrestimit të tyre, për trafik fëmijësh. Pjesëmarrja e njerëzve më uniformë në këtë trafik, ka krijuar mjaft lehtësira në kalimin e fëmijëve përtej kufirit shqiptar drejt trafikimit në vendin fqinj.


Avokati kërcënon dhe arrestohet

Avokati italian që është arrestuar Marko Pelegrini ka kërcënuar të burgosurit shqiptar. Sipas hetuesve juristi i vendit fqinj ka vajtur në qeli dhe u ka thënë trafikantëve se nuk duhej të flisnin. Në të kundërt ka saktësuar avokati pjesa e bandës që ishte jashtë do të merrte masa ekstreme deri dhe në eleminimin e tyre fizik. Kjo ka shërbyer si provë e mjaftueshme që juristi të dërgohet në qeli së bashku me antarët shqiptarë të organizatës kriminale.


Precedenti, grupi i trafikantëve të Korçës

Një tjetër rast flagrant i trafikimit të fëmijëve ka qenë edhe grupi i Korçës, të cilët vepronin prej 10 vjetësh. Anëtarët e këtij grupi u premtonin çifteve rome se do t'ua blinin fëmijën kunderjt shumave prej 20 deri në 30 mijë lekë. Pas këtij pazari të sapolindurit trafikoheshin kryesisht në Evropën Lindore. Ndërkohë ka qenë pendimi i një nëne, që ka sjellë denoncimin I cili ka bërë të mundur arrestimin e disa anëtarëve të këtij grupi trafikantësh
Për katër vjet organizata ka arritur të shesë afro 60 fëmijë në Itali. 2500 dollarë për të dalë nga Shqipëria

Superoperacioni,14 në pranga
Pranga dhe shefit të SHISH në portin e Durrësit


--------------------------------------------------------------------------------

Dje janë arrestuar në Shqipëri dhe në Itali 8 anëtarë të një organizate kriminale të trafikut të fëmijëve. Mes të prangosurve ka policë të dy vendeve, janë dhe shefi i shërbimit sekret të portit të Durrësit, si dhe dy avokatë italianë.

LAJMI

Goditet dhe asgjësohet një organizatë kriminale e trafikut të fëmijëve që ushtronte aktivitetin në Itali dhe në Shqipëri. Antimafia italiane, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Rendit Publik në Shqipëri kanë kryer një operacion dje në orët e para të mëngjesit. Akuza ka provuar se janë 60 raste fëmijësh të trafikuar. Në Durrës dhe në Kavajë janë prangosur Xhevat Berberi, Musa Sina, Besim dhe Selman Metani dhe polici i tragetit dhe zjarrfikësve Sofokli Coko. Ndërsa pala italiane ka arrestuar në të njëtën ditë avokatin Emiliano de Matheis dhe shqiptarin Eqerem Kasa me leje qëndrimi në Itali. Ekspertët saktësojnë se për secilin nga fëmijët paguhej 2500 dollarë që të nxirrej nga kufiri. Së bashku me 8 arrestimet e djeshme shkon në 14 numri i anëtarëve të kësaj bande të trafikut të të miturve. Bashkim familjar, ka qenë motivi i nxjerrjes së fëmijve për të fshehur qëllimin e trafikut. Sekserë, policë, agjentë të shërbimit sekret, shoferë taksish, drejtues policish. Kjo është harta e të implikuarve në këtë rrjet të madh që ushtron aktivitet prej katër vjetësh. Prokuroria, Interpoli kanë survejuar, përgjuar e fotografuar të akuzuarit, duke siguruar në këtë mënyrë materiale provë para arrestimeve. Truri i hetimit ka pasur dhe ndihmën e strukturave italiane dhe amerikanë si Interforce dhe ICITAP që janë të atashuara pranë dikasterve të rendit dhe prokurorisë në Shqipëri.


Agjenti

Rrjeti ka qenë i sofistikuar. Shefi i shërbimit sekret në Portin e Durrësit, Ramadan Paja, ka qenë një ndër krerët e organizatës, sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Rendit Publik. Kalimet në port garantoheshin prej tij. Trafikantët, pasi i kishin pajisur viktimat me dokumentacionin fals, njoftonin shishasin Paja dhe ingranazhet e indiferencës viheshin në lëvizje. Sipas ekipit te hetimit, Besim Metani ka qenë kapoja e i organizatës italo-shqiptare të trafikut të fëmijëve. I njohur për influencën në port dhe pushtetin e institucionit ku punonte Paja ka arritur të mbikëqyrë kontrollet dhe fëmijët e trafikuar të mos ndaloheshin në asnjë nga rastet e daljes nga Shqipëria.


Sekuestrot

Frytet e trafikut kanë rënë në duar të policisë. Në shtëpinë e punonjësit të shërbimit sekret janë gjetur 15 mijë dollarë. Të gjitha kartëmonedhat janë të një serie, provë kjo sipas prokurorëve që ata nuk janë fituar në një periudhë të gjatë kohë, nëprmjet punës. Kallashnikovë, pistoleta, krëhëra me fishekë, soxhorno, pasaporta fals, 10 celularë, janë materiale që janë sekuestruar në banesat e të arrestuarve.

Për katër vjet organizata ka arritur të shesë afro 60 fëmijë në Itali. 2500 dollarë për të dalë nga Shqipëria

Superoperacioni,14 në pranga
Pranga dhe shefit të SHISH në portin e Durrësit


--------------------------------------------------------------------------------



BESIM METANI
43 vjeç, nga Durrësi, i cilësuar nga hetimet si kreu i organizatës së trafikantëve. Jetonte në një vilë luksoze në periferi të Durrësit, por megjithatë askush nuk kishte arritur të mësonte burimin e të ardhurave të tij.

SELMAN METANI
39 vjeç, nga Durrësi. I vëllai i Besimit, kapobandës, sipas hetuesve italianë, ishte kthyer në njërin prej njerëzve më të rëndësishëm të organizatës për shkak të besimit që gëzonte nga i vëllai.

SOFOKLI ÇOKO
37 vjeç, nga Durrësi, nën/oficer në repartin e zjarrfikësve të Durrësit. Lidhja e tij më bandën i përket kohës kur punonte si financier (punonjësi i policisë që mblidhte taksën e solidaritetit në traget) në pikën e kalimit kufitar të portit.

XHEVAT BERBERI
37 vjeç, nga Kavaja, i dënuar më parë për vjedhje dhe shfrytëzim prostitucioni. Dyshohet se shërbente si rekrutues për sigurimin e fëmijëve të familjeve të varfëra, që do të transferoheshin në Itali.

MUSA SINA
46 vjeç, nga Kavaja, i dënuar dy herë për trafik klandestinësh.Falsifikonte dokumentat e fëmijëve të trafikuar. Pasi siguroheshin fotografitë e tyre, ato vendoseshin në pasaportat e shoqëruesve.

TEUTA KARAMUÇA
40 vjeç, beqare, nga Durrësi. Njihet si e dashura e zjarrfikësit Çoko. Në shtëpinë e saj, u gjendën pasaporta të falsifikuara me emra e dy fëmijëve të saj, por me fotografitë e fëmijëve të tjerë.

SOFIE KAÇURRI
29 vjeç, motra e Xhuljeta Petallit. E arrestuar në vjeshtën e kaluar si bashkëpunëtore e dy bashkëshortëve Petalli në rekrutimin dhe shoqërimin e fëmijëve të trafikuar në Itali.

RAMADAN PAJA
51 vjeç, nga Durrësi, shefi i SHISH-it në portin e Durrësit. Falë pozitës së tij, akuzohet se ka favorizuar organizatën për të kaluar fëmijët e trafikuar në port larg kontrolleve.

ELVIS HYLVIU
28 vjeç, emigrant shqiptar në Tortoreto, Itali, i arrestuar rreth dy javë më parë me një ngarkesë prej 2 kg heroine. Agjentët italianë e kishin vendosur në qendër të hetimeve për aktivitetin e tij.

EQEREM KASA
41 vjeç, emigrant shqiptar në Montefranko, Itali. Dyshohet se ka bashkëpunuar me antarët e organizatës për transportin dhe shitjen e të miturve në familjet apo klinikat e trapiantëve në Itali.

RAMIZ PETALLI
39 vjeç, emigrant në Itali. I arrestuar në gushtin e kaluar në Peskara, si shoqëruesi i të miturve të trafikuar. Së bashku me bashkëshorten e tij, ai ka transportuar të paktën 30 fëmijë shqiptarë në Itali.

XHULJETA PETALLI
32 vjeç, emigrante në Itali. E arrestuar në gushtin e kaluar, si shoqëruese e fëmijëve të trafikuar. Së bashku me bashkëshortin e saj, ajo ka transportuar të paktën 30 fëmijë shqiptarë në Itali.

MARKO PELEGRINI
Avokati mbrojtës i çiftit Petalli. U arrestua në vjeshtën e kaluar, pasi u vërtetua bashkëpunimi i tij në pajisjen me dokumenta qëndrimi në Itali të fëmijëve të trafikuar nga dy bashkëshortët.

EMILIANO DE MATEIS
29 vjeç, investigatori privat dhe avokati i bashkëshortëve Petalli. Akuzohet se ka bashkëpunuar me antarët e bandës për të kërcënuar çiftin e prangosur për të mos treguar informacione për policinë italiane