SHKUP-Mbrojta sociale dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimi ka qenë në qendër të takimit tre palësh mes përfaqësuesve të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor te Maqedonisë, Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë dhe Departamentit për Administratë Pensionale të Kosovës.

Ky takim i pari i këtij lloji mes drejtuesve të lartë të tre instucioneve u zhvillua sot në Shkup ku në qendër të diskutimeve ishte mbrotja sociale dhe njohja e periudhave kontributive mes shtetasve që punojnë në tre vendet pavarësisht se ku jetojnë. Takimin e punës e hapi dhe të pranishmit i përshëndeti drejtori i Fondit të SPIM-së, Bekim Neziri dhe i falënderoi për pjesëmarrje me shpresë se ky takim do të kontribuojë në tejkalimin e disa çështjeve nga fusha e sigurimit social si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm me këto shtete. Neziri theksoi faktin se është e nevojshme nënshkrimi i marrëveshjes me Shqipërinë, për të vijuar më pas në diskutimet në nivel teknik që kjo marrëveshje pasi të miratohet nga ministritë përkatëse dhe parlamentet e dy vendeve të hyjë në fuqi sa më shpejt. “Ne duhet ta bëjmë sa më shpejt të mundur këtë marrëveshje, pasi është e pakuptimit që Republika e Maqedonisë të ketë marrëveshje për sigurim social me shumë vende, por jo me fqinjët e saj”, deklaroi Zoti Neziri.

Ndërkohë nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, vuri theksin në thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve si një mjet për kujdesin ndaj qytetarëve të tria vendeve. “Tashmë negociatat mes Shqipërisë dhe Maqedoni po shkojnë drejt përfundimit, pasi kanë përfunduar tre raunde bisedimesh mes palëve, kështu që është e domosdoshme të vazhdojmë me tej deri në nënshkrimin e saj. Shqipëria është përfshirë në një sërë negociatash të tilla me shumë vende të Europës dhe presim që disa prej tyre të mbyllen në një kohë sa më të shkurtër. Ndërkohë, që është e nevojshme që është e nevojshme që të mbyllet sa më shpejt marrëveshja mes dy vendeve tona”, deklaroi Braho.

Duke vijuar fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, vuri theksin edhe në nevojën e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Departamentin për Administratë Pensionale të Kosovës.

Ajo vuri theksin në numrin e lartë të shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri si dhe të atyre të Shqipërisë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend. “Këto marrëveshje, do tu japin mundësi të gjithë qytetarëve që të mos humbasin asnjë ditë kontributeve nga llogaria e tyre, duke u dhënë mundësinë e një përfitimi të drejtë në kohën e duhur”, përfundoi kreu i ISSH-së. Gjithashtu, Braho, vuri theksin edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve, lidhur me skemën e pensioneve, duke qenë se Shqipëria është duke u përgatitur për reformën e sistemit të pensioneve, pasi sistemi i sigurimit pensional dhe invalidor në Repuiblikën e Maqedonisë i përket sistemit tre kolonësh. Sa i përket Marrëveshjes për sigurim social ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë deri më tani janë mbajtur tri raunde të marrëveshjes, prej të cilave i fundit është mbajtur në mars të vitit 2013 në Shkup. Ndërsa me Republikën e Kosovës, prej 17 nëntor të vitit 2013 ka hyrë në fuqi marrëveshja për përcaktimin e ndërsjellë të periudhave të sigurimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.

a.n/