Protestat, PD në shesh më 20 shkurt
Basha dje në mbledhjen e Grupit të PD
Kreu i PD kundër Qeverisë: PS, jo eksperimente në fushën e pensioneve, t’i rikthehet konsensusit.
Basha: Shkundje popullore kundër varfërisë dhe papunësisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, paralajmëroi dje një protestë më 20 shkurt, ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në Tiranë. Duke folur në mbledhjen e Grupit demokrat, ai tha se qytetarët do të tubojnë kundër situatës së keqe ekonomike dhe mungesës së rendit. “Në situatën e krijuar, kjo qeveri që bën shurdhen dhe strucin ngaqë nuk dëshiron të dëgjojë e të shohë, ka nevojë për një shkundje të fuqishme popullore. Prandaj duhet të mbështesim e do të mbështesim të gjitha format e protestës popullore kundër përkeqësimit, varfërisë, papunësisë, pasigurisë, mungesës së shpresës e tjerë”, tha lideri i opozitës. Sipas tij: “Në këtë kuadër, pas pak ditësh, në datën 20 shkurt, në 23-vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës si simbol i diktaturës, si simbol i mashtrimit, i mjerimit dhe varfërisë, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të përkujtojnë në Tiranë, bashkë me qytetarët dhe njerëzit e lirë nga i gjithë vendi, këtë ngjarje të madhe, që vendosi në historinë e Shqipërisë vijën ndarëse midis demokracisë dhe të gjitha formave të diktaturës”. Kreu i demokratëve theksoi më tej se 23-vjetori i rrëzimit të bustit të Enverit nuk do të jetë vetëm përk-ujtim, por një ditë refuzimi dhe protestë popullore ndaj gjendjes së rëndë ekonomike, pasigurisë, arrogancës, arbitraritetit dhe mashtrimeve nga qeveria aktuale. Duke analizuar situatën ekono-mike, Basha tha se papunësia në katër muaj është rritur me rreth 44 mijë veta. Sipas tij, në momentin që u bë rotacioni politik ishin 142 mijë të papunë, ndërsa tani numërohen 186 mijë. Kreu i PD-së u ndal edhe te premtimi për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës dhe tha se deri në shtator duhet të hapen të paktën 70 mijë. “Do Zoti e nuk arrijnë në minus 70 mijë në shtator! Varfëria është ulur këmbëkryq dhe për këtë mjafton të shohësh shifrat zyrtare nga agjencitë ekzekutive të Ramës, të cilat, megjithëse mburren tërë ditën përpara ekraneve se po spastrojnë listën e ndihmës ekonomike nga përfituesit e paligjshëm, përsëri lista e familjeve përfituese është rritur nga 96 mijë në momentin e rotacionit politik, në 108 mijë si shifër mesatare e planifikuar për vitin 2014”, theksoi kreu i PD-së. Ai foli gjithashtu edhe për diskutimet që po bëhen në qeveri për ndryshimin e skemës së pensioneve. “Partia Demokratike i kërkon maxhorancës t’i lërë eksperimentet në fushën e pensioneve, por të rikthehet urgjentisht te reforma strukturore e gjithë sistemit shumëk-olonësh pensional, në dialog dhe bashkëpunim me opozitën”, u shpreh më tej kreu i Partisë Demokratike.
“vizita e Nishanit në shba, lajm i mirë”
“Vizita e fundit e Presidentit të Republikës në Uashington është një lajm i mirë, pas shijes së keqe që patën krijuar ndodhitë e muajit nëntor për shkak të mungesës së transparencës dhe papërgjegjshmërisë nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë për çështjen e armëve kimike. Siç patëm theksuar atëherë, marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë dhe të Shqipërisë me SHBA nuk mund të cenoheshin nga inkonvenciencat dhe papërgjegjshmëria e Kryeministrit”, u shpreh Basha.
“Grupi të angazhohet në kuvend”
Në pjesën me dyer të mbyllura, kreu i PD-së është ndalur për pak momente në pozicionin që duhet të mbajë Grupi Parlamentar gjatë debatit me maxhorancën. “Në Kuvend duhet të bëjmë opozitë të unifikuar dhe të mobilizuar. Duhet t’u përgjigjemi me të gjitha mjetet dhe hapësirat që lejon seanca parlamentare sharjeve dhe akuzave të tyre. Duhet të mbrojmë punën tonë 8-vjeçare”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen e djeshme të Grupit të PD-së.
ADI SHKEMBI
Panorama
Krijoni Kontakt