Shtohen divorcet, në 100 martesa 16 çifte ndahen
INSTAT publikon të dhënat e studimit për femrat dhe meshkujt
Studimi: Ulet numri i lindjeve. Femrat jetojnë më gjatë se meshkujt
Kriza e familjeve shqiptare po shoqërohet me një numër gjithnjë në rritje të divorceve të deklaruara edhe në gjykata. Mesatarja e divorceve gjatë viteve të fundit vërtitet në nivelin e rreth 3500 rasteve brenda një viti. Në 100 martesa të lidhura në një vit, afro 16 prej tyre përfundojnë në divorc. Shifra bëhet e ditur në studimin e fundit të kryer nga INSTAT, “Femra dhe meshkuj në Shqipëri”, të dhënat e të cilit janë prezantuar dje. Në studim thuhet se nga 22 891 martesa të bëra gjatë vitit 2012, 3561 e tyre e kanë përfunduar lidhjen me divorce.
“Treguesi i ‘zgjidhjes së martesës’ (divorcit) për 100 martesa është rritur nga 9,6 në vitin 2001 në 15,6 në vitin 2012″, thuhet në studim. Sipas këtij studimi, ka një rritje të moshës mesatare të martesës prej dy vitesh për të dyja gjinitë. “Në Shqipëri, në vitin 2012, mosha mesatare e martesës për femrat ishte 23,5 vjeç, ndërsa për meshkujt 29,1 vjeç. Te të rinjtë deri në moshën 34 vjeç për të dyja gjinitë vërehet një nivel pothuajse i barabartë martesash. Ndryshe paraqitet kjo te mosha mbi 35 vjeç, ku meshkujt e martuar përbëjnë trefishin e femrave të martuara të po këtij intervali moshe”, sqarohet më tej në studimin e INSTAT. Studimi hedh dritë edhe mbi rënien e numrit të lindjeve në vendin tonë. Kështu, nga 82 mijë lindje që ishin në vitin 1990, në fund të vitit 2012 numri i tyre ka arritur në rreth 35 mijë, duke shënuar një rënie prej 57%. Sipas këtij studimi, çdo vit në vend vdesin afërsisht 20 000 persona, ku pjesën më të madhe në totalin e vdekjeve e përbëjnë meshkujt. Edhe jetëgjatësia llogaritet të jetë më e lartë te femrat, vdekja e të cilave është e përqendruar në moshat e mëdha. Sipas studimit, gati 50% e vdekjes së femrave ndodh pas moshës 80 vjeç, ndërkohë 70% e meshkujve vdesin pa mbushur 80 vjeç.
Të dhënat e studimit për vitin 2012
Mosha mesatare e popullsisë
Meshkuj 34,7 vjeç
Femra 35,9 vjeç
Totali 35,3
Jetëgjatësia
Mesatare 75,3 vjet
Meshkujt 77,3 vjet
Femrat 79,6 vjet
Lindjet dhe abortet
Lindje 35 473
Aborte 6755
Raporti 190
Vdekjet sipas gjinisë
Meshkuj 11 158
Femra 9691
Totali 20 849
Mosha mesatare e martesës
Meshkujt 29,1 vjeç
Femrat 23,5 vjeç
Martesat dhe divorcet
Martesat 22 891
Divorcet 3561
Koeficienti i divorcit 15,6
Panorama
Krijoni Kontakt