Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 14 prej 14
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vrasësi me pagesë Sinanaj: Më jepni garanci, të flas për politikanët

    Julian Sinanaj: Ja pse nuk e vrava biznesmenin M.L. Dyshova për kurth

    NGA: KLODIANA LALA


    TIRANE-Julian Sinanaj, vendosi të mos e ekzekutojë një prej shënjestrave të tij, biznesmenin M.L., ndonëse në emër të së ëmës, si shpërblim për punën ishte kaluar një ambient në një qendër tregtare, që kapte shifrën e 50 mijë eurove. Sipas prokurorisë, porositës i vrasjes ishte Marjon Mitro, ndërsa rolin e sekserit mes tij dhe Julian Sinanajt, e kishin kryer dy kushërinjtë Andon e Genis Mëhillaj.

    Julian Sinanaj, i cili akuzohet si vrasës me pagesë, e la në mes punën e nisur, jo se nuk ia dilte dot mbanë për ta ekzekutuar personin me iniciale M.L., por sepse filloi të dyshonte tek Mëhillajt, se mund t'i kishin ngritur kurth për ta vrarë vetë atë. Kushtet që i kishin vënë kushërinjtë Mëhillaj, që viktimën M.L. duhet ta ekzekutonte nga afër, duket se e frikësuan Julian Sinanajn dhe ai vendosi të tërhiqej në momentet e fundit, madje ai u largua fare nga Vlora dhe u vendos në Tiranë, ku në janar 2014 përfundoi në pranga. Në dosjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzoi gjykatës, lidhur me këtë episod, thuhet se Sinanajt, iu shtuan edhe më shumë dyshimet se mund të ishte futur në kurth, pasi kushërinjtë Mëhillaj nuk e kishin paguar edhe për vrasjen e peshkatarit, Sokol Veizi.

    DOSJA E PROKURORISË

    Ja çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me këtë rast: Nga hetimi ka rezultuar se pas disa takimesh mes Julianit dhe Marjonit, me porosinë e këtij të fundit, Julianit i është kërkuar në prani të Genis Mëhillajt dhe Andon Mëhillajt që të vriste në qytetin e Vlorës shtetasin M.L. Në lidhje me këtë fakt është provuar se nga ana e të pandehurit Mitro, i është kërkuar me këmbëngulje Julian Sinanajt të kryente vrasjen e shtetasit M.L. Aq e vërtetë dhe serioze ka qenë kjo situatë, saqë nga ana e të pandehurit Marjon Mitro i është afruar Julian Sinanajt shuma prej 50.000 eurosh për të ekzekutuar M.L.

    Sipas prokurorisë, mes të pandehurit Julian Sinanaj, Andon Mëhillaj, Genis Mëhillaj dhe Ndriçim Gjokona, janë kryer veprime konkrete për të mundësuar ekzekutimin e M.L. Konkretisht të pandehurit Andon dhe Genis Mëhillaj kanë negociuar dhe kanë bërë të mundur takimet mes Julian Sinanajt dhe Marjon Mitros. Në këto takime ka qenë prezent dhe i pandehuri Ndriçim Gjokona.

    Në një prej këtyre takimeve i pandehuri Marjon Mitro i ka dhuruar me kontratë shitjeje fiktive të pandehurit Julian Sinanaj një ambient tregtar në zonën e Vlorës të vlerësuar në shumën 50.000 euro, me qëllim që Juliani të mundësonte ekzekutimin e M.L. Ambienti tregtar i është kaluar me dokumente nënës së Julian Sinanajt, e cila ka ardhur nga Greqia për të formalizuar dokumentacionin që kishte bërë djali i saj Juliani me Marjon Mitron. Në dosje thuhet se Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, kanë siguruar një armë pushkë karabinë, të cilën e kanë adaptuar, duke i vendosur një dylbi, një silenciator (zhurmëmbytës), me qëllim që t'i jepnin asaj karakterin e një arme snajper, me të cilin do të realizonin vrasjen e M.L. nga distanca e largët.

    Gjatë hetimit është sekuestruar pushka snajper, të cilën e kishte përgatitur Juliani me Ndriçim Gjokonën, armë e cila u gjet tek një i njohur i Julianit në Kavajë. Vrasja e M.L. - thekson prokuroria - nuk është realizuar prej tij jo se nuk ka mundur, por ka pasur frikë se ekzekutimi që mund t'i bëhej M.L. nga afër prej tij (siç i është kërkuar nga Mëhillajt dhe Marjon Mitro), mund të ishte njëkohësisht dhe kurth që i kishin ngritur Mëhillajt për ta vrarë Julianin. Kjo, pasi ata akoma nuk i kishin paguar Sinanajt, paratë për vrasjen e parë, atë të Sokol Veizit. Njëkohësisht, një arsye tjetër që e ka shtyrë të mos ekzekutonte M.L. ishte dhe fakti që në muajin shtator Julian Sinanaj ka lënë Vlorën për t'u vendosur në Tiranë dhe nuk është kthyer më në Vlorë.

    ATENTATI NË SHTËPINË E KOLLOZIT
    Vendosja e lëndës plasëse në banesën e Ardian Kollozit, me detyrë në atë kohë Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (kandidat për deputet i subjektit elektoral Partia Demokratike Vlorë), ngjarje e ndodhur më dt 01.06.2013, për të cilën Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë kishte regjistruar procedimin penal nr.118, viti 2013, vijonte të ishte një dosje pa autor. Pas arrestimit të Julian Sinanajt, thuhet në dosjen e prokurorisë, ka rezultuar se është pikërisht Sinanaj, që me porosinë e të pandehurit Erjon Mëhillaj (biznesmen në fushën e ndërtimeve dhe pronar tokash në zonën e Karaburunit të rrethit Vlorë), ka vendosur natën e datës 01.06.2013 lëndë plasëse në pallatin e Kollozit. Kjo, me qëllim përhapjen e panikut mes familjeve që banonin në këtë pallat, për të dëmtuar apartamentet e banimit të këtij pallati, si dhe për të rrezikuar jetën e Ardian Kollozit, në atë kohë kandidat për deputet i subjektit elektoral PD.

    Nga hetimi rezulton se i pandehuri Julian Sinanaj është paguar nga shtetasi Erjon Mëhillaj për të kryer këtë ngjarje në shumën 7500 euro. Julian Sinanaj ka qenë prodhuesi i mjetit shpërthyes dhe po ai ka qenë personi që ka vendosur këtë mjet shpërthyes në derën e apartamentit të Kollozit. Nga hetimi është provuar se: I pandehuri Julian Sinanaj në vitin 2011 është kthyer në Shqipëri nga Greqia, ku kishte emigruar që në vitin 1998. Në vitin 2011- 2012, Julian Sinanaj njihet me të pandehurit Andon (alias Erjon) Mëhillaj, Genis (alias Gentjan) Mëhillaj, kushërinj të afërt me njëritjetrin. Prej këtyre dy të pandehurve Julian Sinanaj njihet në atë periudhë dhe me të pandehurin Ndriçim Gjokona, i cili, në kohën e njohjes kryente disa punime elektrike në banesën e Andon Mëhillajt.

    Lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e Kollozit, rezulton si më poshtë: Në datën 01.06.2013, rreth orës 02:40, është njoftuar Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, se tek pallati i Ardian Kollozit (në lagjen "Lef Sallata", rruga "Veledin Kollozi", Pallati nr.1, kati i 11-të, Vlorë) ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Nga verifikimi që bëri policia në vend, rezultoi se rreth orës 02:40, në derën e blinduar të katit të 11-të të pallatit, e cila bllokon korridorin e këtij kati, ku ndodhet apartamenti i Kollozit, ishte vendosur një sasi lënde eksplozivi, shpërthimi i së cilës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale jo vetëm në këtë kat të pallatit, por dhe në katet e poshtme të tij. Në vendin e ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, disa copa fitil zjarrpërcjellës me gjatësi të ndryshme, ku të gjitha bashkë të bashkuara arrinin gjatësinë prej 118 cm. Në hyrje të ashensorëve të katit të dhjetë, të katërt dhe të parë u gjetën shtatë (7) gjurmë papilare, që u morën me pjesë filmi gjurmëkopjues për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

    Nga zhurma e shpërthimit, të gjithë banorët e pallatit (ata që kanë qenë në pallat atë natë) ishin zgjuar, dhe kishin konstatuar dëme të mëdha materiale jo vetëm në katin ku ndodhi shpërthimi me lëndë eksplozive tritol, por dhe secili në katet e tyre. Hetimi ka provuar se Ardian Kollozi, në kohën e ndodhjes së ngjarjes ushtronte detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimore Informale (ALUIZNI) Tiranë. Nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar e provuar se në pallatin në fjalë, është vendosur lëndë plasëse e llojit tritol në sasinë 600 gramë, e cila është aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës. Kjo lëndë plasëse nga eksplozioni ka shkaktuar një dëm material me vlerë 8.350.000 lekë të reja. Gjithashtu, rezulton e provuar se njëri prej autorëve të kësaj ngjarjeje është i pandehuri Julian Sinanaj, i cili është paguar nga Andon (alias Erjon) Mëhillaj në shumën 7500 euro për të prodhuar lëndën plasëse dhe për ta vendosur në derën e apartamentit të Ardian Kollozit.

    (a.n/GSH/BalkanWeb)

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vrasësi me pagesë Sinanaj: Më jepni garanci, të flas për politikanët

    Sinanaj, plani për të vrarë rivalin dhe shpërblimi me një dyqan

    Julian Sinanaj tregon momentin kur kushërinjtë Mëhillaj dhe Marjon Mitro i kërkuan vrasjen e biznesmenit X….Kush ishin të interesuar dhe arsyet se përse e donin të vdekur. Ekzekutimi ishte parashikuar pranë Hipotekës për të krijuar alibi

    Gjatë kohës që unë jetoja në Tiranë, një ditë më ka telefonuar Erjon Mëhillaj, ku kujtoj se ka qenë fundjave, ditë e shtunë ose e diel. Nga ana e tij mu kërkua që unë të shkoja në Vlorë, ku më tha se do më sqaronte kur të takoheshim. Kam shkuar në Vlorë tek shtëpia e Erjonit, ku ai ndodhej i vetëm, pasi gruaja dhe fëmijët në fundjavë shkonin nga nëna e saj që kishte në Vlorë. Erjoni më tregoi se kishte një punë për një person që banonte në Vlorë. Për këtë vrasje më tregoi se atë e kërkonte Marjon Mitro, së bashku me personin Zh…Për personin që do të vrisja më tha se quhej X dhe se ai ishte problematik në qytetin e Vlorës. Për X…më tregoi se ai kishte qëlluar me pistoletë një shokun e tij pas shpine, gjatë kohës që së bashku me të kishte shkuar të bënte qitje në Pyllin e Sodës. Për këtë personin e plagosur kam mësuar se ai vazhdon të jetojë dhe se ka probleme me ecjen, pasi çalon. Këtë person ma ka treguar fizikisht në një rast Erjoni. Gjithashtu më tregoi se X…ishte person që kishte marrë peng djalin ose nipin e S. Shehut. Për të më tregoi se ai ishte shumë problematik dhe se kohët e fundit kishte një problem pronësie për një copë tokë në afërsi të Hipotekës në Vlorë. Personat me të cilët ai kishte konflikt mësova se ata kishin pasur probleme me disa kushërinjtë e parë ose të dytë të Y…., që ishte njëkohësisht shoku i X…Për vrasjen që ata më kërkuan të bëja ndaj X, dëgjova se ata kishin përgatitur edhe kohën dhe vendin ku kërkonin ta bënin atë. Po atë ditë në mëngjes kam shkuar me Erjonin tek Hipoteka, ku më tregoi vendin ku ndodhej toka për të cilën ishte në konflikt. Erjoni kërkonte me insistim që unë vrasjen ta bëja tek Hipoteka. Në këto momente unë i sugjerova Erjonit që vrasjen do ta bëja me pushkë në distancë. I tregova edhe mundësinë që më afronte pozicioni, ku në krahun tjetër të rrugës, përballë me vendin e tokës ndodhej një pallat 4-5 katësh. I kërkova Erjonit të qëndronte tek makina dhe jam ngjitur tek kati i fundit i pallatit, ku konstatova se dera që të nxirrte në pallat ishte e hapur. Po ashtu edhe distanca e këtij pallati nga pallati tjetër ishte e shkurtër, gjë për të cilën mund të kaloja nga tarraca e këtij pallati tek tarraca e pallatit tjetër, ku dhe mundësia për t’u larguar ishte më e lehtë sepse nuk dilje nga rruga kryesore, por nëpër rrugica lagjesh. Kur u ktheva, i tregova Erjonit se mundësia e mirë ishte që ajo të bëhej në distancë me pushkë, pa rrezikuar. Ndërsa nga ana e Erjonit vazhdonte me insistim e këmbëngulte se vrasja duhej të bëhej në distancë të afërt gjatë momentit që X ndodhej pranë Hipotekës. Kam për të sqaruar se pallati ishte në krah të kryqëzimit, në anën e kundërt të tokës që X… kishte konflikte. Pashë që kjo pjesë toke ishte duke u rrethuar dhe njëkohësisht ishte bërë pastrimi i sheshit nga mbeturinat e shtëpive që kishin qenë më parë në atë vend. Erjoni më tregoi gjithashtu se vrasja duhej të bëhej gjatë asaj kohe që ishte konflikti, pasi që të dyja palët konfliktoheshin për tokën dhe shkonin të dyja palët tek Hipoteka. Erjoni më tha se koha për të kryer këtë vrasje ishte më se e përshtatshme, sepse policia do të dyshonte se vrasja do të ishte kryer nga personat me të cilët X kishte konflikt pronësie. Më pas jam larguar nga vendi ku ndodhej prona dhe në mbrëmje jemi takuar edhe me Gentjan Mëhillajn, ku kemi pirë nga një kafe që të tre në lokal. Nga ana e Genos m’u kërkua gjithashtu që unë të kryeja këtë vrasje të X…, pasi ishte koha më e përshtatshme për ta kryer atë. Po kështu më tregoi se pagesa për këtë vrasje do të ishte e kënaqshme, ku më tregoi se do të më jepnin një dyqan me sipërfaqe rreth 52 metra katror dhe që vlera e saj ishte me 1200 deri në 1500 euro metër katror. Për këtë dyqan më tregoi se ai i përkiste pjesës së Marjon Mitros që kishte në atë pallat, që ishte njëkohësisht person i interesuar për vrasjen. Për X…, që të dy më thoshin se ai kishte qenë një kurv-djal, njeri i pabesë, më thoshin për të: “kur u bë edhe ai që shoqëria ime e mbante nga prapa, dhe kur ishte i vogël e thërrisnin: k…e vogël etj. Për X…, më treguan se ai lëvizte me një makinë Benz me targa BH 119, ku numrat e fundit nuk më kujtohen, me ngjyrë si në gri. Për këtë vrasje tregonin interes vetë Genua, Erjon Mëhillaj, Marjon Mitro dhe ZH…, (shoku i Marjonit), ku dy të fundit ishin ortakë në ndërtimet e pallateve dhe bizneset e tyre. Që të gjitha këto biseda ata m’i bënë që të influenconin tek unë që të bëja vrasjen që dëshironin. Pasi i dëgjova kërkesat e tyre dhe premtimet që më ofronin, pranova duke iu premtuar se do të bëja vrasjen, por me kushtin që më parë të më kalohej pronësia e dyqanit në emrin e mamasë. Të nesërmen në mëngjes jam takuar përsëri me Genon dhe Erjonin, të cilët më kanë çuar tek pallati ku ndodhej dyqani që do të më jepnin, ku po ashtu më treguan edhe shtëpinë ku banonte X…., ku më treguan se në katin përdhese ai kishte garazhin për të gjitha makinat e pallatit. Më treguan hyrjen e pallatit të tij në të cilën jetonte, që ai ishte kati i fundit. Gjatë atyre momenteve që ishim pranë dyqanit, Genua me Erjonin pyetën një person, të njohurin e tyre, që kishte një minimarket të vogël pranë dyqanit që do të më jepnin. Dëgjova nga personi i minimarketit se atë dyqan e kishte blerë 1500 euro metri katror. Këtë veprim, mesa kuptova, e bënë për të më treguar mua se dyqani që do të më jepnin kishte vlerë 70000 euro, gjë e cila do të ndikonte tek unë që të bëja vrasjen. Po ato ditë, nga ana e Genos m’u afrua një shtëpi me qira, apartament i cili ndodhej në katin e katërt të një pallati, ku pronari i apartamentit mësova se ishte një kushëri i Genos. Ky apartament kishte pamje nga deti dhe ndodhej në afërsi të Skelës, vendndodhjen e të cilit jam në gjendje t’jua tregoj nëse më çoni pranë atij vendi. Gjatë atyre ditëve, një pasdite, nga ana e Erjonit m’u kërkua që unë së bashku me të të shkonim nga kafe “Milano” për të takuar Marjon Mitron dhe Zh…, pasi atje ata qëndronin shpesh për të pirë kafe, ku aty grumbulloheshin dhe për të shkuar të luanin kalçeto. Kam shkuar tek lokali “Milano”, jemi ulur në ambientin e brendshëm të lokalit dhe në momentin që ka ardhur Marjon Mitro kemi dalë tek veranda, pasi aty ai ndodhej i ulur në një tavolinë me kunatin e tij. Kur iu afruam në tavolinë, ai i kërkoi kunatit që të largohej, ku në tavolinën e tij jam ulur unë dhe Erjoni. Nga ana e Erjonit unë jam prezantuar me emrin: “Beni” përpara Marjonit, ku pasi jemi përshëndetur kemi filluar të bisedojmë me njëri-tjetrin. Në këtë takim Marjon Mitro u shpreh haptas se donte vrasjen e X…. Kujtoj se në atë bisedë ai u shpreh me fjalët: ‘Kur të bien ndonjëherë njerëzit në qafë, nuk durohen. Të shtyjnë të marrësh ndonjë sharrs (automatik) dhe t’u q… robt, t’i vrasësh në mes të rrugës”. Gjatë këtij takimi Erjon Mëhillaj iu shpreh Marjonit me fjalët: “Kur të vijë personi që ta hedhë dyqanin në emër të tij?” dhe Marjoni u shpreh: “Kur të dojë le të vijë, le ta hedhë dyqanin në emër të kujtdo, rëndësi ka që të kryhet puna”, e kishte fjalën për vrasjen. Më pas në tavolinë ka ardhur shoku i tij, ku unë dhe Erjoni u larguam nga tavolina, pasi aty do të vinin edhe shokë të tjerë të Marjonit sepse kërkonin të shkonin të luanin kalçeto. Me Marjon Mitron jam takuar për herë të parë tek kafe “Milano”, për të cilën u shpreha më sipër. Takimi i dytë ka qenë ku unë dola të merrja dyqanin dhe ta hidhja në emër të mamasë. Për këtë gjë i kam kërkuar nënës që ajo të vinte nga Greqi, sepse kërkoja të blija një dyqan për të. Pasi erdhi mamaja, i kam treguar dyqanin si dhe e kam sqaruar se unë kisha dhënë lekët për blerjen e dyqanit dhe se kishte mbetur vetëm fakti që të shkonim dhe kryenim veprimet tek noteri. Ditën që do të bëja noterinë, unë së bashku me Erjonin me makinën e tij kemi çuar mamanë time tek noterja. Kur mbërritëm atje, pashë se nga noterja doli ZH…, së bashku me Gentjan Mëhillajn, të cilët pasi na përshëndetën me dorë u drejtuan për nga kafja përbri, ku Genua ma bëri me shenjë që unë dhe nëna të vazhdonim të hynim brenda tek noterja për të bërë veprimet paraprake. Hymë brenda tek noterja së bashku me nënën dhe Erjonin, ku noterja filloi të kërkonte dokumentet identifikuese të mamasë që të fillonte nga puna. Pashë se noterja ishte në dijeni të aktit që do të bënte për shit-blerjen e dyqanit, pasi më parë aty kishte qenë Marjon Mitro me Zh…, dhe Genon. Pasi kemi paraqitur të gjitha dokumentet që na kërkoi noterja, Gentjani ka marrë në telefon Marjonin që ai së bashku me gruan të vinin dhe shitjen. Në momentin që Marjoni me gruan kanë ardhur tek noterja, unë kam dalë jashtë dhe kam shkuar tek kafja përbri ku fillimisht në të kishte qenë ZH…, me Gentjanin. Kam qëndruar në pritje deri në momentin që ka përfunduar veprimet noteriale, ku kam parë se nga noteria ka dalë Marjoni me gruan e tij, të cilët kanë hipur tek një makinë tip “Xhip”, të cilën e ngiste gruaja e tij që ishte me flokë bionde. Që të dy janë larguar nga noterja dhe më pas prej andej ka dalë edhe mamaja ime e shoqëruar me Erjon Mëhillajn. Kur dolën edhe këta, kam marrë mamanë dhe e kam çuar tek shtëpia e dajës, ku e porosita që ajo të mos bisedonte me njeri për këtë blerje dyqani. Pas këtij veprimi, ato dy-tri ditë unë së bashku me Erjon Mëhillajn jam marrë me nxjerrjen e certifikatës së pronësisë së dyqanit, ku me këto veprime u mor Erjoni, sepse unë nuk desha që të shihesha në atë vend sepse do të kryeja vrasjen e X….Gjatë këtyre ditëve fillova përgatitjen për vrasjen që unë do të kryeja, ku nga ana e Gentjanit dhe Erjonit, më kanë sjellë tek shtëpia e Erjonit motorin me të cilin unë do të kryeja vrasjen. Kam parë se motori ishte i njëjtë me atë që unë kisha përdorur në vrasjen e Sokol Veizit. Pas marrjes së motorit unë kam ndryshuar shtëpinë, ku jam vendosur me banim në pallatin që ndodhej në kryqëzimin pranë pallatit të Ardian Kollozit. Në këtë pallat u vendosa në katin e pestë të tij (në katin e fundit). Dhe po në të njëjtën kohë mora edhe një apartament tjetër tek pallati që ndodhet pranë konvikteve të studentëve. Që të dyja këto apartamente i mora që të isha më i sigurt dhe për to nuk i kam treguar asnjë personi, me përjashtim të fejuarës sime. Në lidhje me motorin kam kërkuar që ta rilyeja atë me ngjyrë të zezë me ndihmën e Erjon Mëhillajt, motor të cilin e kam lyer po tek shtëpia e tij, nga pjesa e prapme, tek garazhi. Po ashtu, gjatë kësaj kohe fillova të testoj pushkën me të cilën unë kërkoja të kryeja vrasjen. Për testimin e saj unë së bashku me Genon dhe Erjonin kemi shkuar në afërsi të zonës së pabanuar, në afërsi të një stani, ku atje kam bërë sikur regjistroja armën. Pas testimit të saj iu tregova se me këtë armë nuk ndjeja siguri, pasi për testimin e saj duheshin kushte teknike. Për këtë gjë Erjoni u gëzua, pasi do të ndiqej tashmë plani që ai kishte sugjeruar për vrasje nga afër. Kemi shkuar përsëri në Vlorë, ku armën ia kam lënë ta mbante Genua. Më pas fillova të merresha gjoja me studimin e terrenit, ku ndërkohë kisha blerë edhe një motor skuter, me të cilin studioja lëvizjet e X, ku në kokë mbaja të vendosur një skafandër që të mos njihesha.

    MAPO

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vrasësi me pagesë Sinanaj: Më jepni garanci, të flas për politikanët

    Kishte probleme pronash, porosia për Sinanajn: Vrite përpara Hipotekës

    TIRANE - Në rrëfimin e gjatë për prokurorët e Krimeve të Rënda, Julian Sinanaj ka nxjerrë në dritë fakte të tjera tronditëse, sesi jeta e një njeriu vlente sa një dyqan 50 metra katrorë. Ai u ka treguar hetuesve, se kushërinjtë E. e G., si dhe i pandehuri tjetër M., kishin porositur vrasjen e J. M., që sipas Sinanajt, ishte një person problematik në Vlorë. Sinanaj tregon se E., kishte vënë si kusht që M. të vritej nga afër dhe përpara Hipotekës së Vlorës dhe si shpërblim në emrin e nënës së tij ishte kaluar pronësia e një dyqani. Teksa studionte lëvizjet e M., J. Sinanaj pretendon se ka marrë një tjetër porosi nga E. M., atë të vënies së eksplozivit në pallatin ku banonte Ardian Kollozi, ish-deputet i Partisë Demokratike. Ndonëse M. ia ka mbajtur sekret emrin e personit të cilit do t'i vinte tritolin në derën e shtëpisë, Sinanaj e ka zbuluar vetë dhe ka debatuar ashpër me E., përse ai e kishte përzier në çështje që kanë lidhje me politikën. Sinanaj shprehet se ka debatuar me E. M. për këtë shkak dhe nuk ka marrë përsipër ta vinte tritolin në derën e apartamentit të Kollozit, por më vonë mësoi se atentati ishte bërë. Sinanaj thekson se kishte nisur të frikësohej se mos E. M. do të ndërmerrte ndonjë veprim ndaj tij.
    Pavarësisht se Sinanaj u ka dhënë prokurorëve emrat dhe mbiemrat e personave të përfshirë në ngjarje, "GSH" ka vendosur ta fshehë identitetin e tyre për dy arsye: 1. Nuk dëshiron të cënojë procesin gjyqësor. 2. Nuk dëshiron të shpallë publikisht fajtorë persona që drejtësia deri më sot, nuk i ka cilësuar si të tillë.

    Porosia për vrasjen e J. M.
    Gjatë kohës që unë jetoja në Tiranë, një ditë më ka telefonuar E. M., ku kujtoj se ka qenë fundjavë. Nga ana e tij m'u kërkua që unë të shkoja në Vlorë, ku më tha se do të më sqaronte kur të takoheshim. Kam shkuar në Vlorë tek shtëpia e E., ku ai ndodhej i vetëm, pasi gruaja e tij me fëmijët në fundjavë shkonte nga nëna e saj që kishte në Vlorë.
    E. më tregoi se kishte një punë për një person që banonte në Vlorë. Për këtë vrasje, më tregoi se atë e kërkonte M. M. së bashku me X. Për personin që do të vritej, më tregoj se quhej J. M. dhe se ishte problematik në qytetin e Vlorës.
    Për J. më tregoi se ai kishte qëlluar një shokun e tij nga pas shpine, gjatë kohës që së bashku me të kishte shkuar të bënte qitje nga Pylli i Sodës. Për personin e plagosur, kam mësuar se vazhdon të jetojë, dhe se ka probleme me ecjen, pasi çalon. Këtë person ma ka treguar fizikisht në një rast E.. Gjithashtu më tregoi se J. M., ishte personi që kishte marrë peng djalin ose nipin e biznesmenit Y. Për të më tregoi se ai ishte shumë problematik dhe se kohët e fundit kishte një konflikt pronësie për një copë tokë në afërsi të Hipotekës në Vlorë. Personat me të cilët ai kishte konflikt, mësova se kishin pasur probleme me disa kushërinjtë e parë ose të dytë të ..., që ishte njëkohësisht shok i J.. Për vrasjen që ata më kërkuan të bëja ndaj J. M., dëgjova se ata kishin përgatitur dhe kohën dhe vendin ku kërkonin ta bënin atë. Po atë mëngjes, kam shkuar me E. te Hipoteka, ku më tregoi vendin ku ndodhej toka për të cilën ishte konflikti. E. kërkonte me insistim që vrasjen ta bëja tek Hipoteka. Në këto momente unë i sugjerova E. se vrasjen do ta bëja me pushkë në distancë. I tregova edhe mundësinë që më ofronte pozicioni, ku në krahun tjetër të rrugës, përballë me vendin e tokës ndodhej një pallat 4-5 katësh. I kërkova E. të qëndronte tek makina dhe jam ngjitur tek fundi i pallatit, ku konstatova se dera që të nxirrte në pallat ishte e hapur. Po ashtu edhe distanca e këtij pallati nga pallati tjetër ishte e shkurtër, gjë për të cilën mund të kaloja nga tarraca e këtij pallati, tek tarraca e pallatit tjetër, ku dhe mundësia për t'u larguar ishte më e lehtë, sepse nuk dilje nga rruga kryesore, por nëpër rrugica lagjesh. Kur u ktheva, i tregova E. se mundësia më e mirë për të kryer këtë vrasje, ishte që ajo të bëhej në distancë, pa rrezikuar. Ndërsa E. vazhdonte me insistim të këmbëngulte se vrasja duhej të bëhej në distancë të afërt, gjatë momentit që J. ndodhej pranë Hipotekës.
    Kam për të sqaruar se pallati ishte në krah të kryqëzimit, në anën e kundërt të tokës që J. M. kishte konflikte.
    Pashë se kjo tokë ishte duke u rrethuar dhe njëkohësisht ishin duke u bërë pastrimi i sheshit dhe mbeturinat e shtëpive që kishin qenë më parë në atë vend.
    E. më tregoi gjithashtu se vrasja duhet të bëhej gjatë asaj kohe që ishte konflikti, pasi që të dyja palët konfliktoheshin për tokën dhe shkonin te Hipoteka. E. më tha se koha për të kryer këtë vrasje ishte më se e përshtatshme, sepse policia do të dyshonte se vrasja do të ishte kryer nga personat me të cilët J. M. kishte konflikt pronësie.
    Më pas jam larguar nga vendi ku ndodhej prona dhe në mbrëmje jemi takuar edhe me G. M., ku kemi pirë një kafe të tre në lokal. Nga ana e G. m'u kërkua gjithashtu që unë të kryeja këtë vrasje të J. M., pasi ishte koha më e përshtatshme për ta kryer atë. Po ashtu më tregoi se pagesa për këtë vrasje do të ishte e kënaqshme, ku më tregoj se do të më jepnin një dyqan me një sipërfaqe rreth 52 m2 dhe që vlera e saj ishte 1200 deri në 1500 euro metri katror. Për këtë dyqan më tregoi se ai i përkiste pjesës së M. M. që kishte në atë pallat, që ishte njëkohësisht person i interesuar për vrasjen. Për J. që të dy më thoshin se ai kishte qenë një k... djalë, njeri i pabesë. Më thoshin se, "kur u bë dhe ai që shoqëria ime e mbante nga mbrapa, e kur ishte i vogël e thërrisnin k...e vogël" etj. Për J. M. më treguan se ai lëvizte me një makinë "Benz" me targa ..., ku numrat e fundit nuk më kujtohen, me ngjyrë si në gri. Për këtë vrasje, tregonin interes vetë G., E. M., M. M. dhe X (shoku i M.), ku dy të fundit ishin ortakë në ndërtimet e pallateve dhe bizneset e tyre. Që të gjitha këto biseda ata m'i bënë që të influenconin tek unë, që të bëja vrasjen që dëshironin. Pasi i dëgjova kërkesat e tyre dhe premtimin që më ofronin, pranova duke premtuar se do të bëja vrasjen, por me kushtin që më parë të më kalohej pronësia e dyqanit në emrin e mamasë. Të nesërmen në mëngjes jam takuar përsëri me G. dhe E., të cilët më kanë çuar tek pallati ku ndodhej dyqani që do të më jepnin, ku po ashtu më treguan edhe shtëpinë ku banonte J. M. në atë kohë. Tek dyqani ata më treguan pallatin më tutje, ku jetonte J. M., ku më treguan se në katin përdhes të tij, ai kishte garazhin për gjithë makinat e pallatit. Më treguan hyrjen e pallatit të tij dhe katin e 9-të në të cilin ai jetonte, që ishte kati i fundit. Gjatë këtyre momenteve që ishim pranë dyqanit, G. me E. pyetën një person, të njohurin e tyre, që kishte një minimarket të vogël, pranë dyqanit që do të më jepnin. Dëgjova nga personi i minimarketit se atë dyqan e kishte blerë përpara dy vjetësh, me një çmim prej 1500 eurosh metri katror. Këtë veprim me sa kuptova ata e bënë për të më treguar mua se dyqani që do të më jepnin kishte një vlerë prej 70 mijë eurosh, gjë e cila do të ndikonte tek unë që të bëja vrasjen. Po atë ditë, nga ana e G. m'u ofrua një shtëpi me qira, apartament i cili ndodhej në katin e 4-rt të një pallati, ku pronari i apartamentit, mësova se ishte një kushëri i G.. Ky apartament kishte pamje nga deti dhe ndodhej në afërsi të Skelës, vendndodhjen e të cilit jam në gjendje t'jua tregoj nëse më çoni pranë atij vendi. Gjatë atyre ditëve, një pasdite nga ana e E. m'u kërkua që unë së bashku me të të shkonim te kafe "M..." për të takuar M. M. dhe X, pasi atje ata qëndronin shpesh për të pirë kafe, ku aty grumbulloheshin dhe për të shkuar për të luajtur kalçeto. Kam shkuar tek lokali, jemi ulur në ambientet e brendshme, por në momentin që ka ardhur M. M., kemi dalë tek veranda, pasi aty ai ndodhej i ulur në një tavolinë me kunatin e tij.
    Kur iu afruam në tavolinë, ai i kërkoi kunatit që të largohej dhe në tavolinë jemi ulur unë dhe E.. Nga ana e E. unë jam prezantuar me emrin Beni, përpara M., ku pasi jemi përshëndetur kemi filluar të bisedojmë me njëri-tjetrin. Në këtë takim M. M. u shpreh haptazi se dëshironte vrasjen e J. M.. Kujtoj se në atë bisedë ai u shpreh me fjalët: "Kur të bien ndonjëherë njerëzit në qafë, nuk durohen. Të shtyjnë të marrësh ndonjë automatik dhe t'i q... robt, t'i vrasësh në mes të rrugës". Gjatë këtij takimi E. M iu shpreh M. me fjalët: "Kur të vijë personi që ta hedhë dyqanin në emrin e tij?", ku M. u shpreh: "Kur të dojë le të vijë, le ta hedhë dyqanin në emër të kujtdo, rëndësi ka që të kryhet puna", - e kishte fjalën për vrasjen. Më pas në tavolinë ka ardhur shoku i tij, Y, ku unë me E. u larguam nga tavolina, pasi aty do të vinin dhe shokë të tjerë të M., pasi do të shkonin për të luajtur kalçeto. Me M. M. jam takuar për herë të parë te kafe "M...", për të cilën u shpreha më sipër. Takimi i dytë ka qenë kur unë do të merrja dyqanin dhe ta hidhja në emër të mamasë. Për këtë gjë i kam kërkuar nënës që ajo të vinte nga Greqia, sepse kërkoja të blija një dyqan për të. Pasi erdhi mamaja, i kam treguar dyqanin dhe i kam sqaruar se unë i kisha dhënë lekët për blerjen e dyqanit dhe se kishte mbetur vetëm fakti që të shkonim e të kryenim veprimet te noteri. Ditën që do të bëja noterizimin, unë së bashku me E. me makinën e tij kemi çuar mamanë time te noterja. Kur mbërritëm atje, pashë se nga noterja doli X së bashku me G. M., të cilët, pasi na përshëndetën me dorë, u drejtuan nga kafja përbri, ku G. ma bëri me shenjë që unë dhe nëna të vazhdonim e të hynim brenda tek noterja për të kryer veprimet paraprake.
    Hymë brenda tek noterja së bashku me nënën dhe E. dhe noterja filloi të kërkonte dokumentet identifikuese të mamasë, që të fillonte nga puna. Pashë që noterja ishte në dijeni të aktit që do të bënte për shitblerjen e dyqanit, pasi më parë aty kishin qenë M. M. me X dhe G..
    Mbasi kemi paraqitur të gjitha dokumentet që na kërkonte noterja, G. ka marrë në telefon M., që ai së bashku me gruan të vinin e të bënin shitjen. Në momentin që M. ka ardhur të noterja, unë kam dalë jashtë dhe kam shkuar te kafja përbri, ku fillimisht në të kishte qenë X me G.. Kam qëndruar në pritje, deri në momentin që kanë përfunduar veprimet noteriale, ku kam parë se noteria ka dalë me M. dhe gruan e tij, të cilët kanë hipur tek një makinë tip "Xhip", të cilën e ngiste gruaja e tij me flokë biondë. Që të dy janë larguar nga noterja dhe më pas prej andej ka dalë edhe mamaja ime, e shoqëruar me E. M.. Kur dolën dhe këta, kam marrë mamanë dhe e kam çuar te shtëpia e dajës, ku e porosita që ajo të mos bisedonte me njeri për këtë blerje dyqani.
    Mbas këtij veprimi, ato dy-tri ditë unë së bashku me E. M. jam marrë me nxjerrjen e certifikatës së pronësisë së dyqanit, kur me këto veprime u mor E., sepse unë nuk desha që të shihesha në atë vend, sepse do të kryeja vrasjen e J. M.. Gjatë këtyre ditëve fillova përgatitjen për vrasjen që do të kryeja, ku e G. dhe E. më kanë sjellë tek shtëpia e E., motorin me të cilin do të realizoja vrasjen, kam parë se motori ishte i njëjtë me atë që kisha përdorur në vrasjen e Sokol Veizit. Mbas marrjes së motorit unë kisha ndryshuar shtëpinë, ku jam vendosur me banim tek pallati që ndodhej në një kryqëzim afër pallatit të Ardian Kollozit. Në këtë pallat u vendosa në katin e 5-të të tij, kati i fundit, dhe në po të njëjtën kohë mora dhe një apartament tjetër tek pallati që ndodhet pranë konvikteve të studentëve.
    Që të dyja këto apartamente, i mora që të isha më i sigurt, por për to nuk i kam treguar asnjë personi, me përjashtim të së fejuarës sime D.C. Në lidhje me motorin kam kërkuar që ta rilyeja me ngjyrë të zezë me ndihmën e E. M., motor të cilin e kam lyer po tek shtëpia e tij, nga pjesa e prapme te garazhi.
    Po ashtu gjatë kësaj kohe fillova të testoja pushkën me të cilën kërkoja të kryeja vrasjen. Për testimin e saj unë me G. dhe E. kemi shkuar në afërsi të zonës së pabanuar në afërsi të një stani, ku atje kam bërë sikur regjistroja armën. Pas testimit të saj, iu tregova se me këtë armë nuk ndjeja siguri, sepse për testimin e saj duheshin kushte teknike. Për këtë gjë E. u gëzua, pasi do të ndiqej tashmë plani që kishte sugjeruar për vrasjen nga afër. Kemi shkuar përsëri në Vlorë, ku armën ia kam lënë ta mbante G.. Më pas fillova të merresha gjoja me studimin e terrenit, ku ndërkohë kisha blerë një motor skuter, me të cilin studioja lëvizjet e J. M., ku në kokë mbaja një skafandër që të mos njihesha.

    Atentati ndaj Kollozit
    Gjatë këtyre kohëve jam telefonuar nga E. M., i cili më kërkoi që të takoheshim. Në takim afër shtëpisë së tij më kërkoi që unë të bëja një punë më të lehtë për të. Më tha që unë duhej të bëja një shpërthim në katet e fundit të një pallati. Më hipi në makinën e tij dhe kemi shkuar në afërsi të pallatit, të cilin ma tregoi se kush ishte ai.
    Më kërkoi që unë të bëja një shpërthim me eksploziv në katin e 8-të ose të 9-të të tij. Pashë se pallati ndodhej në afërsi të apartamentit që unë kisha me qira, të cilin nuk e dinte E. se unë banoja aty. E. më tha se për këtë shpërthim do të më jepte 7.500 euro, si dhe më tregoi se çelësin e derës së jashtme të hyrjes kryesore të portës do të ma jepte ai. Nga ana e tij nuk m'u tregua se kujt i përkiste apartamenti ku unë do të vija eksplozivin. Pranova ta bëja si ngjarje, ku i kërkova eurot që ai më premtoi, çelësin e hyrjes, si dhe eksplozivin dhe fitilin që do të përdorej. Mbas nja dy-tri ditësh më ka telefonuar dhe jemi takuar përsëri mbrapa shtëpisë së tij. Në takim ndodhej vetëm, ku gjatë këtij takimi më dha 7.500 euro, dy-tri kapsolla ndezëse, dy-tri rrota fitili, një llokum dinamiti 250 gramësh dhe çelësin e derës së hyrjes kryesore. Pasi mora eurot, fillova të bëja gati fitilin, për të përcaktuar se sa kohë do të më duhej të largohesha, që nga moment i ndezjes së fitilit, deri në shpërthimin e tritolit. Nga ana ime u zgjodh ky variant, pasi po të bëja ndonjë aparaturë për shpërthimin në distancë, rreziku do të ishte më i madh, pasi do të tërhiqja vëmendjen e policisë. Për këtë gjë kam shkuar me motorin tim në Pyllin e Sodës, ku atje kam bërë eksperimente, duke matur se sa do të nevojitej si kohë për djegien e fitilit dhe mundësinë e largimit tim. Nga prova që bëra më rezultoi se duhej goxha fitil. Për problemin e fitilit nuk diskutova më me E., por gjatë kësaj kohe u mora me studimin e pallatit ku do të vendosej eksplozivi. Gjatë një mëngjesi isha afruar tek kafeneja që ndodhet pranë pallatit, ku aty kam pyetur kamerierin që më shërbeu se i kujt ishte pallati përbri. Më tregoi se në atë pallat banonte Ardian Kollozi dhe dikush tjetër që nuk e fiksova. Në atë moment kuptova rëndësinë e veprimit dhe se çfarë ishte duke luajtur me mua E.. Si kohë kujtoj se ishte përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Dy-tri ditë më pas jam takuar me E., mbas kërkesës së tij nëpërmjet telefonit, ku në takim e sipër kemi shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin. I kërkova të më shpjegonte se përse më kishte ngatërruar me problem politike. E., pasi më dëgjoi, më tha: "Muk ka problem, më kthe eurot dhe sendet që të kam dhënë, pasi këtë e marrin përsipër edhe njerëz të tjerë që mund ta bëjnë". Mendova se për njerëz të tjerë e kishte fjalën për N. Gj. ose ndonjë nga shokët e të njohurit të tij, me të cilët e kisha parë të shoqërohej shpesh në ato kohë. Në takimi pasardhës, që bëmë pas një dite, unë i kam dhënë çelësin e derës, ndërsa sendet e tjera, eurot, kapsollat, tritolin, fitilin, nuk ia dhashë. Ai më kërkoi që t'i jepja lekët, por unë i thashë që, "ato nuk t'i jap, sepse më detyrohesh akoma dhe nga vrasja e Sokol Veizit". Në këto moment u shpreh se "eurot nuk janë të miat, por të dikujt tjetër, ndaj bën mirë të m'i japësh". Jemi ndarë nga njëri-tjetri, ku ai edhe pas kësaj ngjarjeje më kërkoi takim, po në afërsi të shtëpisë së tij, ku në këtë takim pashë që kishte ardhur me një shokun e tij që unë nuk e njihja. Në këtë takim unë kam vajtur i armatosur, pasi kam pasur frikë mos ai merrte ndonjë veprim kundër meje, por gjithashtu kisha një farë sigurie, se tashmë në emrin e nënës sime ndodhej dyqani, për të cilin ai kishte dalë garant tek M. M. dhe X. Në këtë takim përsëri jemi ndarë nga njëri-tjetri, ku unë e kam porositur të mos bëjë ndonjë gabim kundër meje, ku nga ana e tij në mënyrë cinike m'u tha se nuk do të më ndodhte asgjë. Pas ndarjes me E., pa kaluar një javë kam mësuar për shpërthimin tek pallati ku banonte Ardian Kollozi, ngjarje të cilën e mësova të nesërmen e saj, nëpërmjet televizorit dhe së fejuarës sime, kur u takuam të nesërmen në kafe. Nga ky moment unë me E. kisha konflikte dhe nuk takoheshim apo të komunikonim në telefon me njëri-tjetrin. Gjatë kësaj kohe dua të sqaroj se unë fillova të merresha me problemin e J. M., ku ndërkohë më janë vjedhur tre motorë, për të cilët unë kam dyshimet e mia, se është i përfshirë E. M. dhe N. Gj..

    (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,965
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vrasësi me pagesë Sinanaj: Më jepni garanci, të flas për politikanët

    Kur rrëfehen të penduarit e drejtësisë

    Emri:  julian-sinanaj-e1417543537885.jpg

Shikime: 331

Madhësia:  32.7 KB

    Dëshmitë e dy vrasësve me pagesë, të kthyer në të penduar të drejtësisë, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, hedhin dritë për lidhjet e ngushta mes krimit të organizuar dhe biznesit në Shqipëri.

    Nga Vladimir Karaj

    Dy vëllezër, biznesmenë në qytetin e Vlorës në jug të Shqipërisë u gjendën përballë një kërcënimi me gjobë në vjeshtën e vitit 2013. Duhej të paguanin, ose rrezikonin të sulmoheshin nga një bandë kriminale. Në vend të denoncimit në polici, vëllezërit zgjodhën rrugën më të shkurtër, që e besonin si më të sigurtën; pajtimin e një bande tjetër kriminale për t’i mbrojtur.

    “Unë kam qëndruar roje me automatik për 10 ditë me radhë tek këta vëllezër,” tregon Ndriçim Gjokona, një nga detajet e shumta në dëshminë e tij të gjatë për Prokurorinë, e cila hedh dritë mbi bashkëjetesën midis biznesit dhe krimit në Shqipëri.

    Ndriçim Gjokona është bashkëpunëtor i drejtësisë që prej janarit të vitit 2014. Ai u pendua bashkë me shokun tjetër të bandës, Julian Sinanaj, e të dy pranuan të rrëfejnë një seri krimesh të ndodhura në Tiranë, Vlorë dhe Durrës përgjatë viteve 2012-2014.

    Dy të penduarit e drejtësisë ishin krahu i armatosur i grupit kriminal prej 7 anëtarësh, që akuzohenga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasje me pagesë, vepra për qëllime terroriste, prodhim dhe shitje të lëndësh plasëse dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

    Procesi gjyqësor kundër grupit kriminal të Sinanajt sapo ka filluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Shtatë të pandehurit akuzohen për vrasjen e Sokol Veizajt dhe Agron Çelës, atentatet me tritol kundër zyrtarëve Ardian Kollozi dhe Besnik Dervishaj si dhe planifikimin e eliminimeve për dy ndërtues nga Vlora dhe për biznesmenin e gazit në Tiranë, Pirro Bare.

    Nëpërmjet dëshmive të tyrë përpara prokurorëve, dy të penduarit, Sinanaj dhe Gjokona, i kanë servirur Prokurorisë të dhëna mbi nëntokën e krimit në qytetin e Vlorës dhe konvertimin në biznesmenë, të disa njerëzve me të kaluar të errët në këtë qytet.

    Dëshmitë e Ndriçim Gjokonës dhe Julian Sinanajt, të siguruara nga BIRN zbulojnë një panoramë të detajuar të implikimit të krimit me biznesin në Shqipëri, veçanërisht në fushën e ndërtimit, në atë të pasurive të patundshme apo të investimit të parave të pista në biznese të ligjshme.

    Ata tregojnë gjithashtu luftën e përgjakshme të konkurrentëve në këto biznese dhe kërcënimet e tyre ndaj zyrtarëve lokalë, në rastet ku ata zvarrisnin apo nuk aprovojnë kërkesat për leje ndërtimi.


    Kriza solli lulëzimin e vrasjeve me pagesë

    Sektori i ndërtimit mbajti peshën kryesore të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë për vite me radhë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2008 ai zinte 15 për qind të PBB-së, ndërsa më 2013 kishte rënë në 12.3 për qind.

    Kriza e këtij sektori duket se ka sjellë rritjen e dhunës në biznes dhe futjen në lojë të atentatorëve me pagesë si Julian Sinanaj apo Ndriçim Gjokona, për zgjidhjen e konflikteve.

    Përveç Julian Sinanajt dhe Ndriçim Gjokonës, në bankën e të akuzuarve janë edhe Erjon Mëhillaj, Genis Mëhillaj, Marion Mitro, Ilir Karçini dhe Albin Mexhaj.

    Para se të zbulohej aktiviteti i tyre kriminal, Erjon dhe Genis Mëhillaj njiheshin si biznesmenë ndërtimi, Marion Mitro si punonjës i Bashkisë së Vlorës dhe aksioner në ndërtime, ndërsa Ilir Karçini si biznesmen në tregun e gazit.

    Katër të akuzuarit, sipas Prokurorisë shqiptare kanë përdorur Julian Sinanajn dhe Ndriçim Gjokonën për të larë hesapet me rivalët e tyre të vjetër dhe të rinj.

    Sipas rrëfimit të Julian Sinanajt, katër nga tetë porositë që ai mori për atentate kishin të bënin me probleme pronësie apo konflikte të biznesit të ndërtimit në qytetin e Vlorës. Njëra prej porosive ishte vrasja e dy ndërtuesve të njohur në këtë qytet.

    “Këta dy biznesmenë që më kërkuan t’i vrisja, kishin një konflikt për një rrugë që ndodhej në afërsi të pallateve që ndërtonin Mëhillajt. Unë nuk e pranova të kryeja këtë vrasje, pasi ende nuk më kishin paguar detyrimin që më kishin për vrasjen e Sokol Veizit,” thotë Sinanaj në dëshminë e tij.

    Dëshmia e siguruar nga BIRN implikon gjithashtu edhe persona të tjerë, të mbetur jashtë fushës së veprimit të Prokurorisë, që e kanë njërën këmbë në krim dhe tjetrën në biznes. Këto personazhe rezultojnë të dënuar për trafik droge në Itali, por që paratë e tyre i kanë investuar në sektorin e ndërtimit në Vlorë dhe Tiranë.

    Gjergj Buxhuku, administrator i organizatës “Konfindustria” që përfaqëson biznesin në Shqipëri, mendon se pompimi i parave të pista në ekonomi ka prishur rregullat e lojës dhe ka shkaktuar konkurrencë të pandershme. Për këtë arsye, janë rritur edhe mundësitë e eliminimeve fizike mes njerëzve që merren me biznes.

    Kriza ekonomike është një tjetër arsye për dhunë sipas Buxhukut. “Në kushte krize, biznese të paafta për të mbijetuar në treg rrisin përpjekjet për të asgjësuar rivalët me mjete të pandershme, që fillojnë nga korrupsioni klasik deri te asgjësimi fizik,” thotë ai për BIRN.

    Pllakosja e krizës dhe mungesa e parave kesh në biznesin e ndërtimit gjeneroi një skemë të re pagesash; apartamente në këmbim të shërbimeve. E njëjta formë kleringu u fut në lojë edhe për pagesat e atentateve për llogari të bizneseve në telashe. Për atentatet me pagesë, Julian Sinanaj është paguar një herë me tokë dhe dy herë të tjera me apartamente në zonën e Orikumit.

    Sipas dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Erion Mëhillaj i kishte premtuar 1500 metra katrorë tokë në Karaburun Sinanajt për vrasjen e Sokol Veizajt. Por kur ky atentat u mbyll me vrasjen e Veizajt, në gusht të vitit 2012, ata refuzuan ta kalojnë tokën në emrin e Julian Sinanajt.

    Vonesat në pagesa u bënë shkak për refuzime nga ana e tij dhe konflikte të brendshme mes anëtarëve të grupit kriminal. Për këtë arsye, shumë prej biznesmenëve të vendosur në listën e hakmarrjes i shpëtuan atentateve.

    Problemet në biznesin e ndërtimit lidheshin me vështirësitë për të siguruar lejet, por edhe me ngërçin e pagesave për nënkontraktorët. Për këto arsye, Julian Sinanaj ishte gjithmonë i joshur nga ofertat për atentate mes viteve 2012-2014.

    Në dëshminë e tij, bashkëpunëtori i drejtësisë rrëfen bisedën me një ndërtues nga Orikumi i Vlorës, që ishte i gatshëm të paguante për të trembur për vdekje një zyrtar lokal në këtë qytet.

    “Ai kishte probleme me një person nga Orikumi për punën e lejeve të ndërtimit. Ky person ishte zgjedhur kryetar bashkie a diçka e tillë në këtë qytet. Më kërkoi që t’i bëja presion nëpërmjet ndonjë shpërthimi ose të qëlloja me armë në ajër,” i thotë Sinanaj Prokurorisë.

    Përfshirja e krimit deri në këto nivele, sipas publicistit Fatos Lubonja tregon se ai ka kapur për fyti të gjithë shoqërinë. “Unë them se më së pari duhet pastruar politika nga krimi. Politika duhet kthyer në shërbim të së mirës publike dhe jo të trajtohet si një biznes për pasurimin e individëve që merren me të. Ky lloj pastrimi mund të reflektohet edhe poshtë sidoqoftë,” thotë Lubonja për BIRN.


    Gjobëvënia dhe pastrimi parave në rritje

    Një tjetër akuzë në dosjen e krimeve të Julian Sinanajt është përgatitja e atentatit kundër Pirro Bares. Bare është biznesmeni më i madh i gazit në Shqipëri, ndërsa fuqizimi i tij i kishte shkelur në kallo Ilir Karçinit, një sipërmarrës në prag falimentimi.

    “Më ka bërë një gol 500 mijë euro”, citon Sinanaj një pjesë të bisedës me Karçinin, mbi arsyet se pse ky donte të hiqte qafe Pirro Baren. Për këtë krim, Karçini pagoi 50 mijë euro ndërsa Sinanaj i kërkoi edhe 100 mijë të tjera.

    Julian Sinanaj u arrestua nga policia para datës kur kishte vendosur të vriste Pirro Baren. Në pranga përfundoi edhe Ilir Karçini, i cili para gjykatës mohoi akuzën se kishte paguar për të vrarë konkurrentin në biznes.

    Zbulimi i kësaj ngjarjeje tronditi opinionin publik, i cili ishte mësuar me kërcënime deri në vdekje të biznesmenëve, pa ditur arsyet që përgjithësisht nuk zbulohen nga Policia dhe Prokuroria.

    Në të vërtetë, krimi i kërcënimit apo i gjobëvënies së biznesmenëve ka shënuar vetëm rritje në 5 vitet e fundit. Një raport i Prokurorisë së Përgjithshme tregon se gjatë këtij harku kohor janë regjistruar 132 krime të kësaj natyre në të gjithë vendin.

    Pak muaj më parë, Prokuroria arrestoi një ish-punonjës të Gardës dhe truprojë të ish-kryeministrit Sali Berisha, me akuzën se i kishte kërkuar 100 mijë euro me kanosje një biznesmeni shqiptaro-amerikan.

    Të tjerë biznesmenë kanë qenë më të pafat se shqiptaro-amerikani i kërcënuar me jetë në këmbim të pasurisë. Statistikat e policisë tregojnë 5 biznesmenë të vrarë në 12 muajt e fundit, ku rasti më i rëndë dhe ende i pazbardhur është ai i bankierit Artan Santo.

    Pastrimi i parave është një tjetër krim i vështirë për t’u zbuluar nga Prokuroria. Drejtoria e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë nisur hetimet për 174 raste përgjatë viteve 2012-2013, por ato përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut të parave të pista, që qarkullojnë në ekonominë shqiptare.

    Përballë kësaj situate, biznesmenët shqiptarë gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për t’u shpëtuar presioneve. Njëra prej tyre është blerja e sigurisë, përmes pagesave që u bëjnë bandave të gatshme për të ofruar këtë “shërbim”.

    Të tjerë paguajnë haraçin dhe shumë pak denoncojnë në polici. Publicisti Fatos Lubonja, që ka shkuar gjatë për lidhjet mes biznesit, krimit dhe politikës në Shqipëri thotë se policia nuk është zgjidhja e vetme. “Krimin e shohim të gjithë, sepse ka kapur gjithë shoqërinë. E në këto kushte, lufta kundër tij është shumë e vështirë,” përfundon ai.

    *Reporter.al

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •