Julian Sinanaj: Ja pse nuk e vrava biznesmenin M.L. Dyshova për kurth
NGA: KLODIANA LALA
TIRANE-Julian Sinanaj, vendosi të mos e ekzekutojë një prej shënjestrave të tij, biznesmenin M.L., ndonëse në emër të së ëmës, si shpërblim për punën ishte kaluar një ambient në një qendër tregtare, që kapte shifrën e 50 mijë eurove. Sipas prokurorisë, porositës i vrasjes ishte Marjon Mitro, ndërsa rolin e sekserit mes tij dhe Julian Sinanajt, e kishin kryer dy kushërinjtë Andon e Genis Mëhillaj.
Julian Sinanaj, i cili akuzohet si vrasës me pagesë, e la në mes punën e nisur, jo se nuk ia dilte dot mbanë për ta ekzekutuar personin me iniciale M.L., por sepse filloi të dyshonte tek Mëhillajt, se mund t'i kishin ngritur kurth për ta vrarë vetë atë. Kushtet që i kishin vënë kushërinjtë Mëhillaj, që viktimën M.L. duhet ta ekzekutonte nga afër, duket se e frikësuan Julian Sinanajn dhe ai vendosi të tërhiqej në momentet e fundit, madje ai u largua fare nga Vlora dhe u vendos në Tiranë, ku në janar 2014 përfundoi në pranga. Në dosjen që Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzoi gjykatës, lidhur me këtë episod, thuhet se Sinanajt, iu shtuan edhe më shumë dyshimet se mund të ishte futur në kurth, pasi kushërinjtë Mëhillaj nuk e kishin paguar edhe për vrasjen e peshkatarit, Sokol Veizi.
DOSJA E PROKURORISË
Ja çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me këtë rast: Nga hetimi ka rezultuar se pas disa takimesh mes Julianit dhe Marjonit, me porosinë e këtij të fundit, Julianit i është kërkuar në prani të Genis Mëhillajt dhe Andon Mëhillajt që të vriste në qytetin e Vlorës shtetasin M.L. Në lidhje me këtë fakt është provuar se nga ana e të pandehurit Mitro, i është kërkuar me këmbëngulje Julian Sinanajt të kryente vrasjen e shtetasit M.L. Aq e vërtetë dhe serioze ka qenë kjo situatë, saqë nga ana e të pandehurit Marjon Mitro i është afruar Julian Sinanajt shuma prej 50.000 eurosh për të ekzekutuar M.L.
Sipas prokurorisë, mes të pandehurit Julian Sinanaj, Andon Mëhillaj, Genis Mëhillaj dhe Ndriçim Gjokona, janë kryer veprime konkrete për të mundësuar ekzekutimin e M.L. Konkretisht të pandehurit Andon dhe Genis Mëhillaj kanë negociuar dhe kanë bërë të mundur takimet mes Julian Sinanajt dhe Marjon Mitros. Në këto takime ka qenë prezent dhe i pandehuri Ndriçim Gjokona.
Në një prej këtyre takimeve i pandehuri Marjon Mitro i ka dhuruar me kontratë shitjeje fiktive të pandehurit Julian Sinanaj një ambient tregtar në zonën e Vlorës të vlerësuar në shumën 50.000 euro, me qëllim që Juliani të mundësonte ekzekutimin e M.L. Ambienti tregtar i është kaluar me dokumente nënës së Julian Sinanajt, e cila ka ardhur nga Greqia për të formalizuar dokumentacionin që kishte bërë djali i saj Juliani me Marjon Mitron. Në dosje thuhet se Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, kanë siguruar një armë pushkë karabinë, të cilën e kanë adaptuar, duke i vendosur një dylbi, një silenciator (zhurmëmbytës), me qëllim që t'i jepnin asaj karakterin e një arme snajper, me të cilin do të realizonin vrasjen e M.L. nga distanca e largët.
Gjatë hetimit është sekuestruar pushka snajper, të cilën e kishte përgatitur Juliani me Ndriçim Gjokonën, armë e cila u gjet tek një i njohur i Julianit në Kavajë. Vrasja e M.L. - thekson prokuroria - nuk është realizuar prej tij jo se nuk ka mundur, por ka pasur frikë se ekzekutimi që mund t'i bëhej M.L. nga afër prej tij (siç i është kërkuar nga Mëhillajt dhe Marjon Mitro), mund të ishte njëkohësisht dhe kurth që i kishin ngritur Mëhillajt për ta vrarë Julianin. Kjo, pasi ata akoma nuk i kishin paguar Sinanajt, paratë për vrasjen e parë, atë të Sokol Veizit. Njëkohësisht, një arsye tjetër që e ka shtyrë të mos ekzekutonte M.L. ishte dhe fakti që në muajin shtator Julian Sinanaj ka lënë Vlorën për t'u vendosur në Tiranë dhe nuk është kthyer më në Vlorë.
ATENTATI NË SHTËPINË E KOLLOZIT
Vendosja e lëndës plasëse në banesën e Ardian Kollozit, me detyrë në atë kohë Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (kandidat për deputet i subjektit elektoral Partia Demokratike Vlorë), ngjarje e ndodhur më dt 01.06.2013, për të cilën Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë kishte regjistruar procedimin penal nr.118, viti 2013, vijonte të ishte një dosje pa autor. Pas arrestimit të Julian Sinanajt, thuhet në dosjen e prokurorisë, ka rezultuar se është pikërisht Sinanaj, që me porosinë e të pandehurit Erjon Mëhillaj (biznesmen në fushën e ndërtimeve dhe pronar tokash në zonën e Karaburunit të rrethit Vlorë), ka vendosur natën e datës 01.06.2013 lëndë plasëse në pallatin e Kollozit. Kjo, me qëllim përhapjen e panikut mes familjeve që banonin në këtë pallat, për të dëmtuar apartamentet e banimit të këtij pallati, si dhe për të rrezikuar jetën e Ardian Kollozit, në atë kohë kandidat për deputet i subjektit elektoral PD.
Nga hetimi rezulton se i pandehuri Julian Sinanaj është paguar nga shtetasi Erjon Mëhillaj për të kryer këtë ngjarje në shumën 7500 euro. Julian Sinanaj ka qenë prodhuesi i mjetit shpërthyes dhe po ai ka qenë personi që ka vendosur këtë mjet shpërthyes në derën e apartamentit të Kollozit. Nga hetimi është provuar se: I pandehuri Julian Sinanaj në vitin 2011 është kthyer në Shqipëri nga Greqia, ku kishte emigruar që në vitin 1998. Në vitin 2011- 2012, Julian Sinanaj njihet me të pandehurit Andon (alias Erjon) Mëhillaj, Genis (alias Gentjan) Mëhillaj, kushërinj të afërt me njëritjetrin. Prej këtyre dy të pandehurve Julian Sinanaj njihet në atë periudhë dhe me të pandehurin Ndriçim Gjokona, i cili, në kohën e njohjes kryente disa punime elektrike në banesën e Andon Mëhillajt.
Lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e Kollozit, rezulton si më poshtë: Në datën 01.06.2013, rreth orës 02:40, është njoftuar Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, se tek pallati i Ardian Kollozit (në lagjen "Lef Sallata", rruga "Veledin Kollozi", Pallati nr.1, kati i 11-të, Vlorë) ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Nga verifikimi që bëri policia në vend, rezultoi se rreth orës 02:40, në derën e blinduar të katit të 11-të të pallatit, e cila bllokon korridorin e këtij kati, ku ndodhet apartamenti i Kollozit, ishte vendosur një sasi lënde eksplozivi, shpërthimi i së cilës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale jo vetëm në këtë kat të pallatit, por dhe në katet e poshtme të tij. Në vendin e ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, disa copa fitil zjarrpërcjellës me gjatësi të ndryshme, ku të gjitha bashkë të bashkuara arrinin gjatësinë prej 118 cm. Në hyrje të ashensorëve të katit të dhjetë, të katërt dhe të parë u gjetën shtatë (7) gjurmë papilare, që u morën me pjesë filmi gjurmëkopjues për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.
Nga zhurma e shpërthimit, të gjithë banorët e pallatit (ata që kanë qenë në pallat atë natë) ishin zgjuar, dhe kishin konstatuar dëme të mëdha materiale jo vetëm në katin ku ndodhi shpërthimi me lëndë eksplozive tritol, por dhe secili në katet e tyre. Hetimi ka provuar se Ardian Kollozi, në kohën e ndodhjes së ngjarjes ushtronte detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimore Informale (ALUIZNI) Tiranë. Nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar e provuar se në pallatin në fjalë, është vendosur lëndë plasëse e llojit tritol në sasinë 600 gramë, e cila është aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës. Kjo lëndë plasëse nga eksplozioni ka shkaktuar një dëm material me vlerë 8.350.000 lekë të reja. Gjithashtu, rezulton e provuar se njëri prej autorëve të kësaj ngjarjeje është i pandehuri Julian Sinanaj, i cili është paguar nga Andon (alias Erjon) Mëhillaj në shumën 7500 euro për të prodhuar lëndën plasëse dhe për ta vendosur në derën e apartamentit të Ardian Kollozit.
(a.n/GSH/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt