Killeri Sinanaj: Më jepni garanci, të flas për politikanët
TIRANE-Autori i të paktën dy vrasjeve dhe katër atentateve me eksploziv të kryera me pagesë, 30-vjeçari Julian Sinanaj, ka kërkuar të mos e ngatërrojnë me çështjet e politikës.
Gjatë dëshmive të tij të gjata për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, i dyshuari ka mohuar që të ketë dijeni se ndonjë nga porositësit e vrasjeve me pagesë mund të jetë politikan apo zyrtar i shtetit.
“Nuk dua të përfshihem me politikën”, mësohet të ketë thënë para hetuesve Julian Sinanaj, duke mos mohuar dijeninë e tij për këto raste. Sipas burimeve nga hetimi, 30-vjeçari që pranoi se njihte direkt biznesmenin Ilir Karçini, të cilin e akuzoi si porositës për vrasjen e biznesmenit Piro Bare më 25 janar, ka mbajtur qëndrim tjetër kur është pyetur nëse kishte marrë porosi nga emra të politikës.
I pyetur në lidhje me këtë, Julian Sinanaj mësohet të ketë pohuar se atij porositë për kryerjen e vrasjeve i janë përcjellë nga shtetasit Genis Mëhillaj dhe Andon (Erion) Mëhillaj, të dy nga Vlora, tashmë në kërkim. “Pyetini ata për këtë çështje, unë kam dhënë shpjegime dhe po dëshmoj për veprimet konkrete që kam kryer unë”, mësohet të ketë thënë Julian Sinanaj.
Një burim nga hetimi i çështjes pohoi dje se i riu nga Vlora ka hezituar të flasë për emrat e porositësve të atentateve dhe në këtë kohë ka theksuar se kërkon mbrojtje fizike dhe garanci nga organet e drejtësisë për veten dhe familjen e tij.
(d.b/Panorama/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt