Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Reschen
    Anëtarësuar
    07-12-2008
    Postime
    450

    6 shkurt 1967: Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”

    Politikanët e Shkurtit ‘67 që sundojnë Shqipërinë: Nga Spartak Ngjela

    Burimi lajmit http://www.fjala.info/arkiv/fjala1/?p=10783


    [qoute]Tritan Shehu, ne krah te djathte te Enver Hoxhes, nismetar i letres dhe inciator per prishjen e kishes ne Tirane

    “Dhe ja edhe disa nga emrat e tyre të shumtë. Në Universitetin e Tiranës – Xhelal Gjeçovi, Estref Bega, Mehmet Elezi, Arshin Xhezo, Gjikë Kurtiqi, Tritan Shehu…”[/quote]

    Emri:  tritan_shehu_enveri_ramizi.jpg

Shikime: 2662

Madhësia:  80.0 KB





    Emri:  Ateizmi.jpg

Shikime: 3853

Madhësia:  14.3 KB


    IV
    Ditën e 6 Shkurtit të vitit 1967, kur Enver Hoxha shpalosi luftën e tij për siguri absolute dhe për t’u shpallur mbret, të gjithë dishepujt e tij mediokër jo vetëm që e kishin pritur këtë, por edhe e kishin dëshiruar me ankth, sepse ata e ndienin se duhej mbajtur një qëndrim. Kishte rrotull tij njerëz si Rita Marko apo Ramiz Alia, e te tjerë, të cilët donin patjetër qartësi për rrugën që do të vijonin. Në fakt, ata donin garanci që situata e karrierës politike të qëndronte e ngrirë dhe Enver Hoxha duhej të ishte absolut, i paprekshëm dhe i sigurt për të ardhmen. Por, kishte edhe një rrymë tjetër, e cila gjithashtu pyeste: a do të intelektualizohej Partia e Punës?

    Kishte muaj që vetë gazeta “Zëri i Popullit” dhe Hoxha nëpër biseda private, flisnin vetëm për suksesin e madh të Revolucionit Kulturor kinez, si zgjidhje për moslejimin e revizionizmit hrushovian në Kinë, dhe brenda kësaj, ata flisnin edhe për “shpikjen” e Enver Hoxhës, se “degjenerimi i partisë sovjetike kishte ardhur nga burokratizmi”, i cili duhej luftuar. Gjithçka duhej bërë që të mos vinte fryma e Hrushovit në Shqipëri dhe në shkurt të vitit 1967, Enver Hoxha mendoi që këtë moslejim ta siguronte me anë të një revolucioni që do të shkallmonte burokracinë në Shqipëri. Nga këto kuptohej qartë se Enver Hoxha nuk mund ta lejonte intelektualizimin e Partisë së tij.

    Gazeta “Zëri i Popullit”, në datën 7 shkurt e botoi me pompozitet të madh fjalimin e 6 Shkurtit, me titullin: “Enver Hoxha Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë trajton temën: “Revolucionarizimi i mëtejshëm i Partisë dhe i pushtetit.” Në fakt, që këtu shihet se ai ka dashur të kalojë në një nivel të ri komunikimi, kur, vetë fjalimin kishte dashur me qëllim ta quante ‘Temë’.

    Fjalimi i 6 Shkurtit ishte ultra mediokër, por edhe shumë i lig. Kapitulli më i hidhur ishte ai i quajturi: “Prapë mbi burokratizmin.” Nga i gjithë teksti, por edhe nga e gjithë veprimtaria e tij kundër burokratizmit kuptohet se Hoxha nuk ia ka ditur fare kuptimin kësaj fjale dhe, gjatë gjithë jetës së tij, e përdori me vend e pavend konceptin e burokratizmit, asnjëherë të lidhur si karakter me raportin e administrimit dhe të përfaqësimit apo të kontrollit nëpërmjet votës. Jam i bindur se as semantikisht nuk ia dinte kuptimin kësaj fjale, të cilën si koncept antistalinian Trocki e ka përdorur kundër Stalinit dhe gjendjes në Bashkimin Sovjetik gjatë gjithë jetës së tij.

    Por Hoxha, në të gjithë veprimtarinë e vet intelektuale, kuptohej qartë që nuk kishte një formim akademik konceptual në përgjithësi, prandaj shumë koncepte të sociologjisë marksiste i përdorte krejt në një formë mistike dhe vetëm si fjalë, gjithmonë kur e shihte se kulti i tij kishte capak bjerrje. Vepronte kështu kur i duhej të ndizte populizmin në favor të vetes dhe ngaherë operonte në një sens të hapur terrorist me konceptin e “luftës së klasave’.

    Por ajo që spikat në këtë fjalim-temë është fakti që ai dëshiron të nisë implementimin e një kulture të re, jashtë intelektualizmit, larg dijes së vërtetë dhe e gjitha e mbështetur në konsolidimin e pushtetit të tij, i cili, nga fjalimi-temë kuptohet se duhet të jetë afatgjatë dhe i paprekshëm në sundimin tërësor të një vendi.

    Fjalimi në 6 shkurti të vitit 1967 do të mbetet në historinë politike të Shqipërisë si dështimi i plotë i thelbit të fshehur të qëndrimit barbar të Enver Hoxhës kundër kulturës dhe zhvillimit europian të personalitetit të individit, domethënë lirisë. Në këtë datë, i ndihmuar nga udha e Revolucionit Kulturor maoist, Enver Hoxha nisi hapur rrugën për triumfin total të vullnetit të tij të fshehur.

    Ai ka shkruar me frazën e një njeriu të paditur që kërkon të operojë me formë të një sociologjizmi doktrinar, por që, të gjitha çështjet që cek në të konvergojnë në një pikë, tek vendosja e absolutizmit të tij. I gjithë fjalimi ishte një ngatërresë e madhe, pa pikë lidhjeje, por sa para bënte, askush nuk kishte të drejtë ta kundërshtonte apo t’i bënte kriticizëm. Asnjë gjë konceptuale nuk kishte në të, ndonëse ai ishte paraqitur dhe u përdor vijimisht si preludi i një epoke të re të socializmit në Shqipëri.

    Nga formulimi i atij fjalimi bindesh pa mëdyshje që Enver Hoxha, kurrë nuk ka qenë një intelektual dhe për këtë shkak kishte një urrejtje të hapur kundër intelektualizmit në përgjithësi. Prandaj, në këtë fazë, ai po kalonte haptas në përdorimin e metodave tiranike të pushtetit që shoqëroheshin me një agresivitet të madh anti-intelektual. Gjuha dhe fraza e tekstit të fjalimit-temë ishte e përpunuar, sepse kishte stafin që ia bënte, por të gjitha idetë që paraqiste ishin konfuze në sensin konceptual dhe të drejtpërdrejta në sensin e pushtetit.

    Fjalimet apo shkrimet e tij, duke qenë se do të dilnin përfundimisht nga dora e tij ishin pa gjykime logjike, prandaj qëndronin më tepër si pamflete kundër, sesa si kritika apo si shpalosje e ideve të reja. Enver Hoxha kurrë nuk paraqiti ide dhe prandaj edhe ata që shkruanin dhe përpunonin agresivitetin e tij verbal, kurrë nuk u rrekën të fusnin aty gjykime, sepse ai e kishte pasur tmerr mënyrën akademike të të shprehurit të ideve.

    Kushdo që e lexon atë shkrim të gjatë të tij e shikon se ai është plot mllef, antipersonalitet dhe i mbushur me urrejtje kundrejt intelektualizmit. Ai e shpreh hapur këtu se pushteti i tij nuk mund ta pranojë njeriun e ditur; ai duhet luftuar sepse “është individ i predispozuar të jetë kundër revolucionit socialist”. Ky është thelbi i fjalimit dhe pjesa më e errët e tij ishte: “mendimin e atyre që kanë njëfarë diturie, por të cilën e shfrytëzojnë për të imponuar mbi masat UNIN, duhet ta luftojmë si një mendim borgjez e reaksionar.”

    Më tepër me tërbonte stilema “që kanë njëfarë diturie”. Ai kishte urrejtje për dijen, por tani kishte ardhur koha që, me anë të halldupëve që kishte përreth e që sapo kishin dalë edhe nga Kongresi i Pestë i Partisë së tij, të fshinte gjithçka që mund të përbënte mendim intelektual. Vëtë fjalën UNIN, e ka shkruar më germa kapitale dhe atëherë unë me miqtë e mi ndenjëm me orë të tëra për ta konsideruar më kujdes këtë stilemë të fjalimit, sepse pikërisht këtu, ai nis të abuzojë më termin “masë”, si kundërvënie ndaj intelektualëve.

    Ai i drejtohet injorancës, i bindur se ajo do t’i vijë në ndihmë për të rrafshuar gjithçka që mund të quhej kulturë e zhvilluar shqiptare. Brenda kësaj, befas u pa se në kritikën e tij për rrafshim kulturor të shoqërisë, ai futi edhe fene. Nuk e kishte pa qëllim këtë. Ai e dinte mirë se e gjithë kultura europiane kishte një sens të theksuar kristian, prandaj, duke anatemuar fenë si “opium për popujt”, mendonte të ishte më i lirë për t’iu kundërvënë kulturës perëndimore, e cila në dhjetë vjetët e fundit kishte pasur një shpërthim të madh në Shqipëri.

    Të gjitha, këto në fakt flasin për një epërsi të dukshme të Enver Hoxhës si politikan. Që në moshën 36 vjeçare, ai ishte përplasur më anglezët jo të paktë në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore, dhe kishte fituar; madje i kishte bindur ata se vetëm ai dhe ushtria e tij luftonte me gjermanët, ashtu sikundër i kishte bindur që e gjithë vëmendja e Hoxhës nuk ishte te lufta kundër Boshtit, por te krijimi i një ushtrie të vërtetë, me anë të së cilës të merrte pushtetin pas kapitullimit të Gjermanisë.

    Dhe ky është i njëjti stil i tij në politikë: të mendonte për një pushtet të ardhëm të tijin dhe jo për një sukses imediat, i cili mund të ishte i favorshëm për popullin. Ajo çka po mendonte dhe po krijonte në ato çaste, më fjalimin e vet të 6 shkurtit dhe me të gjitha ngjarjet që do të pasonin, ishte pa dyshim konsolidimi i pushtetit të tij të ardhshëm. Ai nuk kishte bashkëpunëtorë politikë me të cilët të menaxhonte drejtimin politik të Shqipërisë, ai donte dhe mbante vetëm njerëz të nënshtruar rreth vetes, kundrejt të cilëve kishte të drejtë absolute që t’i flakte në çastin më të parë që do t’i duhej.

    Në fjalimin e 6 shkurtit, Hoxha foli si një gjeneral përpara ushtarëve të tij të uritur e të rreckosur: “Ja ku është qyteti!”, u thirri ai, “merreni dhe plaçkiteni, sepse ai që keni përpara nuk është qytet, ai është turpi i njerëzimit; ja ku e keni: merreni dhe shkatërrojeni! Sepse ai qytet ju ka shfrytëzuar. Nuk janë të ditur ata që flasin në atë qytet, ata janë mashtrues e shfrytëzues të popullit, sepse të ditur jeni vetëm ju… përpara… Urrrraaa!”.

    Ky në fakt ishte fjalimi i Hoxhës në atë shkurt të ftohtë dhe menjëherë pas tij, më 8 shkurt, në gazetën “Zëri i Popullit” doli si kryeartikull iniciativa e të rinjve durrsakë të gjimnazit “Naim Frashëri”, që kërkonin mbylljen e kishave e të xhamive. Kudo një histeri antifesë. Por askush nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte sepse ishin gjëra të pandodhura më parë në botë, në asnjë kohë. Por lukunia antiqytetërim ishte e gëzuar.

    Për herë të parë në jetën time, në shkurt të vitit 1967, fillova ta ndieja realisht izolimin tonë nga bota në të gjitha aspektet e jetës. Ai ishte një izolim i thellë. Ai nuk ishte një izolim dosido sepse nuk ishte bërë ashtu krejt nga rasti apo nga një dëshirë e shfrenuar e një grupi njerëzish të fuqishëm që ishin të dehur nga dashuria për atdheun. Jo, ky s’mund të quhej aspak një nacionalizëm doktrinar, siç janë rrekur ta quajnë disa, madje nuk mund të quhet as frikë nga qytetërimi. Që në ato momente kuptohej se Enver Hoxha po fuste shoqërinë në këtë izolim, në mënyrë që pastaj të bënte çfarë të donte me shqiptarët. Dhe koha e tregoi këtë sepse më pas, sa më i thellë bëhej izolimi i Shqipërisë, aq më i lartë ishte edhe terrori shtetëror që ushtrohej.

    Enver Hoxha kishte nisur më 6 shkurt të vitit 1967 periudhën e tij të absolutizmit në një krah, e të skllavërimit të të gjithë shoqërisë në krahun tjetër. Në të vërtetë këtë rrugë, ai e pati nisur që në vitin 1945, por atëherë nuk kishte metodë, ndoshta kishte vetëm një dëshirë e aq, sepse s’kishte eksperiencë.

    Nga të gjithë njerëzit që kishin punuar me të dhe e kishin ndjekur, më rezultonte se gjithmonë kishte qenë shumë aktiv; kishte përqendruar gjithçka në duart e tij dhe menjëherë kishte shtyrë njerëzit e afërm t’i ngrinin kultin. Megjithatë, deri në vitin 1967, kishte qenë disi i kujdesshëm. Këtë herë çështja e kultit, dukej se ishte bërë disi më e studiuar, sepse pas vitit 1960, paralel me kultin e Enver Hoxhës, ishte lansuar edhe kulti i Byrosë Politike.
    Menjëherë pas fjalimit të 6 shkurtit, u kuptua se tani nuk mund të flitej më për Byro, por vetëm për një njeri dhe atij i duhej pa dyshim kult për të bërë një përmbysje të madhe.

    Prandaj, këtë herë, rritja e kultit të Hoxhës mori një tjetër formë. Por ndërsa kulti i rritej, shihej se diçka e re po ndodhte edhe në psikologjinë shoqërore, sepse njëherësh edhe njerëzit, ndonëse të varfëruar deri ku s’mbante më, bërtisnin e çirreshin për të si kurrë ndonjëherë më parë, gjë kjo që më habiste jashtë mase. Kjo çudi më ndodhte sepse atëherë ende nuk e kisha sqaruar plotësisht në veten time çështjen e totalitarizmit si fenomen e bashkë me të edhe gjithë të tjerat që rrjedhin pas tij e që lidhen me pushtetin. Sidomos, atëherë nuk isha ende në dijeni për fenomenin psikologjik të tabusë, si dhe adhurimin e tmerrin që mbart ajo njëherësh me vete.

    Megjithatë, turmat që po ekzaltonte Enver Hoxha me “revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit”, të cilat nuk ishin të mëdha, unë i quaja “hordhi barbare antiqytetërim”, sepse kuptohej që, në atë vit, ne dukej se kishim hyrë tamam në rrugën e një barbarizmi antiqytetërim. Më kujtohet se për këtë mendoja gjatë dhe nuk gjeja dot asnjë zgjidhje, por mendja më rrinte te Perandoria Romake; a nuk ishte rrënuar ajo nga barbarët? Dhe përse?

    Pa dyshim sepse nuk pranonin qytetërimin romak, derisa e shembën atë, e pushtuan Romën, e shkatërruan të gjithë, duke u kënaqur tek ndërtonin barakat e tyre përbri mureve të larta të pallateve madhështore. Ndërsa ne tani, pas njëmijë e pesëqind vjetësh, përjetonim lojën e shkatërrimit të intelektualizmit me anë të injorancës që dinte shkrim e këndim dhe nuk mund të kapte kulturën. Pushteti po kërkonte ta ekzaltonte këtë gjë, prandaj, që nga ky moment, intelektualët shqiptarë e ndienë se ishin peng e robër të pushtetit politik, i cili mund t’i trajtonte si të donte, t’i burgoste, t’i kthente në punëtorë apo në kooperativistë, ose edhe t’i vriste. Ne shqiptarët ishim futur në një kohë të pasigurt ku mendja nuk duhej të punonte si e pavarur dhe mendimi asnjëherë nuk duhej shprehur hapur.

    * * *

    Koha po ngjizte politikën e re dhe politikanët e rinj të Shqipërisë. Menjëherë dolën politikanët e 6 shkurtit, të cilët u bënë fytyrat më të urryera të Broduejit. Ata drejtonin gjithçka dhe mëkoheshin për të ardhmen. Unë vetë e pashë se si u gjallërua hidhërimi antiqytetërim, i cili sidomos te tiranasit shihte armiqtë e vet kryesorë. Dhe mendjet e tyre diabolike, ose më mirë ai instinkti i interesit e kuptoi që për fat të mirë të tyre, rinia e Tiranës nuk ishte vetëm kundërshtare e provincialëve, por dhe e vetë regjimit. Ithtarët e rinj të sistemit e kishin kuptuar shumë mirë se regjimi i kishte thirrur në ndihmë; madje vetë Enver Hoxha. Dhe të gjithë ishin të ekzaltuar e u hodhën me tërbim kundër çdo gjëje europiane që ata, jo vetëm që nuk e dëshironin, por dhe nuk mund ta kapnin. Shqipëria po bëhej ndërkaq vendi i vetëm europian ku antiqytetërimi ishte vlerë, sepse kështu ndihej më i sigurt Enver Hoxha.

    Dhe ja edhe disa nga emrat e tyre të shumtë. Në Universitetin e Tiranës – Xhelal Gjeçovi, Estref Bega, Mehmet Elezi, Arshin Xhezo, Gjikë Kurtiqi, Tritan Shehu. Në Komitetin e Rinisë të Tiranës: Arilla Papajorgji bashkë me një bandë të tërë, emrat e të cilëve nuk po më kujtohen tani ( njëri më i zi se tjetri, inkuizitorë të shkallës së lartë), Ilia Kongo, Molotov Zeqo, Timoshenko Pekmezi me të tjerë të kësaj specieje, që e kishin kuptuar se mllefi i tyre antiqytetërim dhe antikulturë, përkonte me atë të Enver Hoxhës. Megjithatë duhet pranuar se që të gjithë ishin njerëz që nuk e njihnin fare Perëndimin dhe nuk dinin fare ç’ishte qytetërimi modern. Ata në të vërtetë nuk kishin se si të ishin ndërtuar ndryshe, sepse duhet pranuar se në atë kohë Tirana ishte shkëputur shumë nga rrethet dhe shumica e tyre luftonin për të ardhmen.

    Ishte pamundësi absolute që politikanët e 6 shkurtit të kishin mundësi të mendonin se regjimi i Tiranës edhe mund të rrëzohej, ose të mos e mendonin Hoxhën si një njeri të madh, kur dihej se gjithçka në Shqipëri kishte nisur të mendohej vetëm me dhe për Enver Hoxhën. Kishte ardhur tamam koha kur gjithçka do të simbolizohej me Enver Hoxhën; kurse iniciativa e Durrësit për eliminimin e fesë u bë deviza e kohës. Filloi të qarkullonte fletërrufeja dhe të akuzoheshin me anë të saj të gjithë ata që ndiqnin modën perëndimore ose ishin të dhënë pas muzikës dhe artit modern europian; ata që shkonin nëpër kisha, që festonin pashkët apo bajramin. Gjithçka po mbyllej në një unazë të hekurt që nuk lejonte gjë tjetër veç propagandës që qe ngritur me histeri kundër stilit perëndimor e duke i quajtur këto, “shfaqje të huaja që vinin nga vendet borgjezo-revizioniste”.

    Por udheqësit e rinj të ardhshëm që ishin ngritur në Kongresin e Pestë si kandidatë të Komitetit Qendror të Partisë, dalëngadalë po vendoseshin në krye të Partisë nëpër rrethe të vegjël, në mënyrë që pa u nxituar t’i aviteshin qendrës kur të vinte koha. Sigurisht që këta qenë ekipi solid i politikës së lartë që krijoi 6 shkurti e që do ta shkatërronin ekonominë dhe kulturën e vendit plotësisht në vitet ‘70, por që do të shkatërronin edhe veten dhe partinë e tyre, sepse, para së gjithash, ishin injorantë. Ata ishin: Hekuran Isai, Simon Stefani, Pali Miska, Lenka Çuko, Qiriako Mihali, Tefta Çami, Memet Karakushi, Nedin Hoxha.

    Ndërkohë, Revolucioni Kulturor kinez po bënte kërdinë. Ai kishte kaluar në përplasje të ashpra grupesh, ndonëse pa asnjë rrezik për Mao Ce Dunin, i cili ndërkaq kuptohet se e kishte kaluar rrezikun. Ai kishte nxjerrë në skenë Lin Biaon, duke e quajtur si pasardhës të vetin dhe shokun e tij të armëve. Kurse ne shihnim me habi Çu En Lain, i cili mbante në dorë citatet e Maos, një libër i kuq i vogël që thua se po i digjte dorën. Radiot e huaja thoshin se kishte qenë në rrezik, por e kishte mbrojtur Maoja personalisht, kurse analistët seriozë deklaronin se “nga të kalojë Çu En Lai, andej do kalojë edhe pushtetit”.

    Por Çuja sigurisht që kishte zgjedhur rrugën e prudencës që të shpëtonte gjendjen: ai shte i mençur, i aftë dhe koha e tregoi se mbartte brenda vetes një përgjegjësi racionale për vendin dhe popullin e vet. Ishte politikan modern i nivelit të lartë dhe me eksperiencë botërore; e dinte trendin e zhvillimit modern të pasluftës së Dytë Botërore dhe kërkonte që të implementonte sistemin që kemi folur, por më parë duhej të shpëtonte Kinën nga hordhitë e Lin Biaos dhe të Çian Çinit.

    Kurse udhëheqja e Tiranës kuptohej se nuk e donte Çu En Lain. I dukej liberal dhe ia kishin frikën se ai do ta hante Lin Biaon, të cilin e donin si të shenjtë, sepse ai ishte bërë garant për të marrë në Kinë kredinë më të madhe të imagjinueshme për Shqipërinë, dhe që do të firmosej gjatë vitit 1968. Hoxha nuk e mbante dot veten dhe disa herë ishte shprehur se “edhe Çuja grup i Liut dhe i Tenit është, por është fshehur se është dinak”. Këtë pastaj e llomotisnin edhe të tjerët nëpër shtëpitë e tyre, por gjithmonë me shpresë se do të eliminohej.

    Aty nga fundi i vitit 1967, Çu En Lai bëri vizitën e dytë në Shqipëri, pasi kishte kaluar më parë në Bukuresht, si për t’u thënë këtyre në Tiranë se unë aty jam. Kurse Kiçoja, që e kishte takuar bashkë me qeverinë më tha se, pasi i kishte dhënë dorën, ai i kishte thënë: “Hajde ta shohësh nga afër Revolucionin Kulturor” dhe kishte qeshur në një farë mënyre që Kiçoja më tha më vonë se ishte sarkastike. “Po këta këtu po presin që të bjerë edhe Çuja”, i thashë unë dikur dhe Kiçoja m’u përgjigj me një siguri të brendshme: “Nuk kanë ku shkojnë dot pa të, Maoja nuk ka firaksur fare”, dhe qeshi e nuk ma hapi këtë bisedë deri në fillim të viteve ‘70 kur u dha lajmi i rehabilitimit të Ten Hsiao Pinit.



  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Reschen
    Anëtarësuar
    07-12-2008
    Postime
    450

    Për: Dekreti famëkeq nr.4337: 6 shkurt..Politikanët e Shkurtit ‘67 që sundojnë Shqipë

    Gazeta Jehona: http://gazetajehona.com/1967.html


    1 9 6 7 - 2 0 0 7

    Para 40 vjetësh Shqipëria u shpall
    “shteti i parë ateist në botë”

    Kanë kaluar 40 vjet nga viti i kobshëm 1967, kur
    Shqipëria u shpall me krenari shteti i parë ateist në botë.
    Në atë kohë u organizua një fushatë e madhe kundër çdo
    lloj besimi dhe u mbyllën të gjitha institucionet fetare në
    vend. Në vijën e parë të luftës kundër fesë u vu rinia, e
    cila u përgatit me shumë merak nga komunistët shqiptarë
    për kryrjen e kësaj detyre të veçantë. Pastaj në nëntor të
    vitit 1967 regjimi nxori dekretin famëkeq nr.4337 me titull
    “Mbi shfuqizimin e disa dekreteve” i cili ndalonte të gjitha
    ritet fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë
    shkelësit.

    Ngjarjet e vitit 1967 nuk ishin të papritura. Në realitet,
    lufta kundër fesë kishte filluar që kur erdhi në pushtet
    Partia e Punës, ndërsa ajo që ndodhi në vitin famëkeq
    ishte kulmi i një fushate të planifikuar mirë. Komunistët e
    toleruan pjesërisht besimin fetar në Shqipëri për aq kohë
    sa pushteti i tyre ishte i pakonsoliduar dhe ndjenjat fetare
    të popullit ishin akoma të forta. Por, pas 20 vjet
    propagande ateiste, dhe rritje e një brezi të ri të edukuar
    në shkollë me frymën marksiste, ndezja e Revolucionit
    Kulturor në Kinë ishte shenja që kishte ardhur koha për
    një goditje më të madhe ndaj fesë edhe në Shqipëri.

    Gjithçka e përgatitur Udhëheqja komuniste mati pulsin për
    mbylljen totale të fesë gjatë vitit 1966. Filloi mobilizimi i
    rinisë për të bërë propagandë kundër besimit fetar në
    zonat rurale. Një fushatë e tillë u zhvillua në fshatrat e
    Fierit, e organizuar nga mësuesit e shkollës. Të rinj të
    disa rretheve, të nxitur nga drejtuesit e Partisë, ishin
    hedhur në luftë për prishjen e ndërtesave të kultit.

    Pas Kongresit V të Partisë së Punës, në nëntor të vitit
    1966, punët filluan të merrnin një drejtim më të hapur. Ky
    kongres e cilësoi luftën kundër fesë si një aspekt me
    rëndësi në zhvillimin e luftës së klasave. Enver Hoxha në
    fjalimin e tij kishte thënë: “Luftë klase është... lufta kundër
    ideologjisë fetare, paragjykimeve, besëtytnive e zakoneve
    prapanike”. Pikërisht ky fjalim citohet si burim frymëzimi
    në gazetat dhe botimet propagandistike gjatë muajve të
    ardhshëm.

    Në datën 8 shkurt, të vitit 1967, “Zëri i Popullit” botoi në
    faqen e parë, me gërma të mëdha shtypi këto fjalë:“Me
    Shpatën e Mprehtë të Ideologjisë së Partisë Kundër
    Ideologjisë Fetare”. Në këtë artikull, u lavdëruan në
    mënyrë të veçantë nxënësit dhe pedagogët e shkollës
    Naim Frashëri, në Durrës, për “inisiativën revolucionare”,
    sepse ishin hedhur në luftë kundër fesë. Artikulli vijon: “...
    në këtë shkollë po zhvillohet një aksion i rëndësishëm
    ideologjik...në një fletë-rrufe të të gjithë shkollës flitet për
    zotimet dhe punën që kanë bërë klasat e ndryshme,
    aty kritikohen të rinj e të reja si dhe ato klasa që nuk janë
    aktivizuar si duhet në këtë lëvizje dhe kërkohet që ato të
    japin përgjigje për qendrimet e tyre”. Duke qënë se ky
    lajm botohej në gazetën kryesore të vendit (ZiP ishte
    Organ i Komitetit Qendror të P.P.SH) jepej kështu sinjali
    për ndezjen e flakëve në të gjitha shkollat e vendit.

    Zgjerohet lufta Si rezultat i mobilizimit të popullit kundër
    fesë, të udhëhequr sigurisht nga komunistët në çdo rreth,
    brenda një kohe të shkurtër u mbyllën institucionet fetare.
    Me përjashtim të ndonjë xhamie apo kishe me vlera
    arkitektonike apo historike, kishat, xhamitë, teqetë e
    tyrbet në të gjithë restorante dhe magazina.

    Duhet sqaruar se këto veprime kundër fesë, dhe dhunimi
    i ndërgjegjës së besimtarëve shqiptar, ishin që të gjitha të
    paligjshme. Në nëntor të 1967-ës regjimi nxori dekretin
    famëkeq nr.4337 me titull “Mbi shfuqizimin e disa
    dekreteve”. Ai anuloi menjëherë një sërë dekretesh të
    viteve 1949-1951, të cilat legalizonin kartat e rishikuara të
    komuniteteve fetare. Gjithashtu ndalonte të gjitha ritet
    fetare dhe parashikonte dënime të rënda për të gjithë
    shkelësit. Mirëpo ky dekret doli vetëm pasi të ishte kryer
    fushata kundër fesë. Sikur të mos mjaftonte kjo për të
    treguar paligjshmërinë e këtij sulmi ndaj ndjenjave të
    shumë shqiptarëve, vihet re që dekreti i ri (ai që nxori
    jashtë ligjit ushtrimin e fesë) del plotësisht në kontradiktë
    me kushtetutën (kap.III, neni 18), që ende u garantonte të
    gjithë qytetarëve lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë!

    Si t’ia vëmë emrin kësaj pune?
    Nga këndvështrimi i sotëm është e vështirë të besosh atë
    që ndodhi në Shqipëri në ato vite. Faktikisht, janë të rrallë
    ata njerëz që flasin për këto ngjarje, ose që tregojnë për
    përfshirjen e tyre në aksione kundër fesë. Megjithatë, kjo
    nuk e ndryshon realitetin se ajo ndodhi më të vërtëtë.

    Por çfarë shpjegimi t’i japim kësaj? Vendi këtu nuk lejon të
    hymë në një analizë të hollë e të gjatë për shkaqet e
    kësaj historie të dhimbshme, por më i vlefshëm mund të
    jetë reagimi yt personal për këtë çështje. Tani, të paktën,
    le t’ia vëmë emrin e duhur kësaj historie të turpshme: U
    krye një shkelje kundër ligjit shqiptar. U krye një faj
    kundër ndjenjave fetare të popullit. Dhe u krye një mëkat
    të madh kundër Zotit.

    Megjithëse kanë kaluar 40 vjet nga ngjarjet famëkeqe të
    asaj kohe, mbetet për të pyetur: A i kemi duart të pastra
    nga kjo punë? Ata që janë me moshë mbi 50 vjeç duhet
    të bëjnë një vetë analizë. Ata që janë më të rinj e kanë
    kollaj të tregojnë me gisht më të moshuarit, ndërkohë që
    edhe ata duhet t’i bëjnë pyetjen vetes së tyre: “A jam unë
    në luftë me Zotin?” Ndofta ti nuk e mohove Zotin në ‘67-
    ën, as në ’77-ën. Dhe ke të drejtë kur thua: “Unë nuk
    kisha lindur atëherë!”. Por mendo pak si ke ecur në vitin ’
    87, apo në vitin ’97? Dhe si je duke ecur tani në 2007-
    ën? Nuk dyshoj që lexuesi s’po merr pjesë në fushata për
    mbylljen e kishave, por, ka edhe shumë mënyra të tjera
    për t’ia kundërvënë Perëndisë. A i shmangesh ti atyre?
    Ekziston një fjalë e urtë ku thuhet: “Ata që nuk mësojnë
    nga historia, janë të destinuar ta përsërisin".

    Gazeta Jehona: http://gazetajehona.com/1967.html

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Reschen
    Anëtarësuar
    07-12-2008
    Postime
    450

    Për: 6 shkurt 1967: Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”

    Lista e pasurive të katër komuniteteve fetare

    Nga Ben Andoni... revista Java

    Për herë të parë Revista JAVA nxjerr nga arkivi i shtetit evidencat origjinale të vitit 1967, rreth pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që dispononin institucionet fetare në atë kohë. Lista e buxheteve dhe pronave të komuniteteve fetare të hartuara nga burokratët e pushtetit në fillim të vitit 1967 të mjafton të hedhësh dritë për atë që ishte menduar prej kohësh nga regjimi kundër fesë. Fjalimi i Enver Hoxhës për dasitë fetare para Komiteti Qendror më 6 shkurt të 1967, thjesht e shpejtoi gjithçka, ndërkohë që vendimi për t’i dhënë fund kishte kohë e kohë që ishte marrë. Në këtë material të gjatë, nxjerrë nga Arkivi i Shtetit, edhe në dokumentin faktik ku paraqitet gjendja e fundit e pronave dhe situatës ekonomike-financiare, ka shumë cinizëm dhe mungesë korrektësie. Një e tillë, që i mungon deridiku edhe sot shtetit shqiptar në marrëdhënien zyrtare me komunitetet fetare...

    Është pak e paditur sot e kësaj dite se kush ka qenë speechwriter-i zyrtar i Enver Hoxhës për fjalimet lidhur me fenë. Por, kushdoqoftë, helmin që derdhi në atë fjalim dhe që u lexua me të gjithë grimasat e mundshme të Enver Hoxhës, më shkurt të vitit 1967, të bën të kuptosh se Shqipëria kishte kohë që e kish dënuar fenë me vdekje. E ndërsa të rinjtë të indoktrinuar në kulm, nën shembullin e Revolucionit Kulturor kinez, po i përgatisnin kudo (kinse spontanisht) që të derdheshin mbi objektet e kultit duke shfrytëzuar disi dhe frymën revolucionare që ngrihej për gjëra gati në absurd, burokratët prej kohësh i kishin larë hesapet me fenë. Një informacion i detajuar i Kuvendit Popullor, që ruhet në Arkivin e Shtetit (Pa datë të saktë), jep të gjithë situatën ekonomike financiare të komuniteteve fetare në zgrip të gjendjes së tyre dhe pronat, që u kishin mbetur. I gjithë ai pretendim, që ngrihet sot me pronat ende të pamarra të komuniteteve, ndoshta mund të ketë një fillesë të mirë me këtë dokument. Që është i pamëshirshëm, por edhe mbyllet me shprehjen e cinizmit kur flitet për verdiktin se “Përsa i përket pasurisë që kanë, kjo t’u shtetëzohet e tëra me përjashtim të ndërtesave të selisë së secilit komunitet”. Raporti edhe pse i referohet momentit të ditëve të marsit 1967 shkruhet në kohën e shkuar dhe kjo tregon se marrëdhënia e komuniteteve fetare me shtetin ka arritur pikën më të ulët. Referimi është dy kolonësh: Marsi i vitit 1967 dhe fillim i Prillit. Nga ato ditë: Komuniteti Mysliman nga 60 veta personel do katandiset me vetëm 13 syresh dhe nga fondi i pagës 30050 Lek (rroga mesatare në atë kohë është 550Lek) tani do shkojë në 8300 Lek. Komuniteti Bektashian nga 14 Dervishë përfundon në 5 vetë dhe ndihma që përbën vetëm alokacioni për Kryegjyshin reduktohet nga 3941Lek në 2300 Lek. Kisha katolike nga 12 vetë personel përfundon në tre vetë dhe nga fondi i pagës që e ka 2880lek përfundon në fondin 1530 Lek. Kisha Ortodokse nga 194 vetë përfundon në vetëm 10 vetë dhe fondi ulet nga 45360 Lek në 5380 Lek. Pasi bëhet një përllogaritje e llogarive rrjedhëse (po e botojmë të plotë) me cinizëm thuhet se meqë kanë gjendje ne nuk i kemi subvencionuar për tremujorin e dytë! Por, s’kanë ç’të bëjnë më. Është fundi. Ata, pak klerikë të mbetur, do vdesin një nga një. Në vitin 1971, shkruan Edwin Jacques,- kishin mbetur gjallë vetëm 14 priftërinj katolikë, 12 prej të cilëve në internim ose në burgje kurse 2 rrinin të fshehur...Më 1973 do vdesë pas gjashtë vitesh burg dhe Damian Konobnesi, kryepeshkopi ortodoks, element që do t’i sjellë shumë probleme edhe imazhit të regjimit komunist.

    Pasuritë e luajtshme
    Ndërkohë, presioni nuk mjaftohet me kaq. Presioni ekonomik e ka bërë rubinetin të mbyllet gati fare edhe për pasuritë e tundshme dhe të patundshme të komuniteteve. Komuniteti mysliman, në informacionin që i kërkohet, paraqitet me rreth 280 rrënjë ullinj në Elbasan dhe me rreth 276 ndërtime kudo nëpër Shqipëri, por edhe vetë nuk ka të dhëna për xhamitë për shkak të histerisë që ka pësuar! Dokumenti as nuk përpiqet ta fshehë asfare.”Sesa është numri i xhamive në qytete dhe fshatra, Kryesia e Komunitetit nuk ka të dhëna, pasi nuk i ka egjistruara. Por nga të dhënat, që kanë shumica e xhamive në qendër dhe në rrethe janë mbyllur. Gjithashtu janë mbyllur dhe tyrbet. Xhamitë dhe tyrbet që ndodhen në qytete u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore”. E të mendosh një pjesë e tyre janë monumente kulture dhe me vlera të rrallë arkitekturore, atëherë vërtetë tmerrohesh. Komuniteti Bektashian duket disi më “i favorizuar”, pasi edhe ritet e saj janë shumë më liberale, por edhe i duhet ende regjimit për make-up! Bektashinjtë posedojnë gjithsej në këtë fund rreth 34 dynym tokë, nga këto 29 dynym i kanë kaluar N.B.Sh “Gjegj Dimitrov” “dhe pjesa tjetër që ndodhet brenda oborrit rrethues të godinës së kryegjyshatës janë mbajtur nga ajo”. Gjeografia e pronave të bektashinjve është e madhe dhe kanë shumë pasuri të patundshme kudo gati në të gjithë Shqipërinë. Janë afërsisht 45 teqe të mbetura, nga të cilat vetëm në Gjirokastër numërohen 17 syresh, në zonën e Fushë-Krujës janë 9, në zonën e Korçës 10, kurse në zonën e Beratit janë 9. Bektashinjtë kanë dhe prona të patundshme, të tilla si ndërtesa banime me aksesorë 50; 9 mullinj që vlerëson me 1.600.000 Lek; 2 Dyqane dhe pasuri të luajtshme si orendi dhe pajisje me vlerë 320.000 Lek dhe bagëti të imta e të trasha me rreth 650 krerë, që kapin vlerën e 230.000. Shuma e pronës së saj shkon në 2.150.000Lek. Por, edhe kjo pronë e mbetur ishte pasi s’është më: “Tani të gjithë teqetë janë mbyllur. Nga pasuritë që kishin një pjesë të hollash dhe orendish u janë dhënë klerikëve që shërbenin në to, kurse pjesa tjetër me proces verbale të rregullt u ka kaluar kooperativave bujqësore. Shumica e klerikëve janë pranuar si anëtarë të kooperativave bujqësore. Edhe teqetë e qyteteve dhe pasuria e tyre, duke hequr një pjesë që kanë marrë klerikët për nevojat e tyre, u kanë kaluar komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve ose qyteteve”. Dokumenti mbetet i paqartë sepse kush e menaxhon më komunitetin, kur nuk funksionojnë më teqetë. Nga ana tjetër, regjimi kujdeset pak më shumë për bektashinjtë, sepse nëpërmjet tyre mban ende marrëdhënie me një grup vendesh të botës së tretë të besimit mysliman shiit. Sa i përket Kishës Katolike e merr lehtë me mëndje katrahurën. Asaj i kanë mbetur gjithsej 31 kisha, nga të cilat 8 kisha në famullinë e Shkodrës, 2 në Tiranë, 2 në Bushat, 3 në Dajç, 2 në Juban, 2 në Bajzë, 2 në Kastrat, 2 në Laç të Kurbinit, 2 në Laç të Vaut të Dejës, 2 në Lezhë, 2 në Pllanë dhe 2 në Kashnjet. “Megjithëse në të dhënat që na ka paraqitur Kryesia e Kishës nuk bëhet fjalë për qelat, shtojmë se pranë çdo kishe ka nga 1 qelë (shtëpi banimi) për priftërinjtë”. Çuditërisht mungojnë referencat e tjera për kishën, por marrëdhënia e shtetit me katolikët ka kohë që është e nderë, për të mos thënë ata janë gati inekzistent. Kisha Ortodokse posedon gjithsej si pasuri të paluajtshme 600 kisha qytetesh dhe fshatrash, si edhe 8 manastire. Në manastire figurojnë të regjistruara 500 krerë bagëti deri më 1 Janar të 1967. Pasi bëhet një inventar i përgjithshëm thuhet se: “Sipas të dhënave që ka kryesia, e gjithë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e manastireve është marrë në dorëzim me proces verbal të rregullt nga ana e kooperativave të afërta, pasi tani të gjithë manastiret janë mbyllur. Gjithashtu, me përjashtim të 5 kishave që funksionojnë akoma, 1 në Berat, 1 në Kavajë, 1 në Durrës, 1 në Tiranë dhe në 1 në Shkodër të gjithë kisha e tjera janë mbyllur. Pasuria e tyre e luajtshme e dhe e paluajtshme u ka kaluar me procesverbal të rregullt kooperativave bujqësore ose komiteteve ekzekutive të Këshillave Popullore të rretheve” dhe “Magazinat e kishave të qyteteve Vlorë, Fier, Lushnjë dhe Elbasan pasi u bë inventari fizik me proces-verbal të rregullt (Në Vlorë dhe Lushnjë duke qenë prezent edhe përfaqësues të financës dhe të Rinisë) u mbyllën dhe u vulosën...”. Të mendosh se vetëm kishat, ku kanë punuar ikonografët e mëdhenj, krenaria e kulturës shqiptare, duhet të jenë mbi tridhjetë syresh, të kap tmerri për këtë konfiskim. Aty ku ka punuar Onufri, Shpataraku, Çetirët, tani është stallë, në mundësinë më të mirë depo drithi. Dënimi është dhënë. Thjesht viktima duhet të kënaqet me orët ‘e fundit’.

    \Por cinizmi s’ka mbaruar
    Njeriu anonim, në orët e fundit të hartimit të këtij materiali, ka kohë që të ketë dhe humor.
    “Përfundimisht, në rast se do të jetë nevoja që për efekte protokollare të asistojnë organizmat qendrore të institucioneve fetare, do të ishte e mjaftueshme të kishin një personal prej 3 vetësh (kryetari, një sekretar dhe një person për shërbime të ndryshme)”. Subvencioni, që jepet, është gati qesharak dhe të bën të kuptosh se çfarë vlere kanë. Për Komunitetin mysliman 21.600Lek, për atë Bektashian 19.200 Lek, për atë ortodoks është 20.880 Lek dhe atë katolik është 16.800Lek. Dhe, një fjali e frikshme në fund, ku duket se është bërë esëll: “Përsa i përket pasurisë që kanë, kjo t’u shtetëzohet e tëra me përjashtim të ndërtesave të selisë së secilit komunitet”. Se për çfarë duhen më ndërtesat qendrore kuptohet. Klerikët e mbetur kukulla duhet të bëjnë ndonjë pritje diplomatike sa për të thënë që ne ekzistojmë. Kurse jashtë perimetrit të këtyre godinave, histeria nuk pushon. Me klerikët tallen në masë, ata më me fat burgosen dhe internohen, kurse shqiptarët edhe pse gjithçka është bërë me urdhër nga larg dhe me mobilizim spontan tregojnë se janë një popull jo aq fetar. Të pakët që rezistojnë janë shumë ‘demode’. Për ironinë e të gjithës përdoret thënia e famshme e Pashko Vasës: Feja e shqiptarit është shqiptaria..., njeriut që vetë dergjet në një varrezë fetare në Bejrut. Regjimi socialist, nuk do të mbetet pas nga ‘histeria’ e disa aktivistëve të rinisë. Shumë syresh, nga këta të fundit, u ricikluan në politikë pas viteve ’90. Më 19 nëntor të vitit 1967, qeveria nxori dekretin famëkeq nr. 4337 me titullin “Mbi abrogimin e disa dekreteve”, ku u eliminuan menjëherë dekretet e viteve 1949-1951, që legalizonin kartat e komuniteteve fetare. S’mbaroi këtu. U ndaluan të gjitha ritet fetare dhe u parashikuan penalizime për shkelësit. Paradoksalisht, kushtetuta në fuqi ende u garantonte të gjithë qytetarëve, lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë. Element që ‘u rregullua’ me nenin 55 të Kushtetutës së vitit 1976, ku ndaloheshin rreptësisht të gjithë veprimtaritë dhe propaganda fetare... Atëkohë, speechwriter-at e shumtë të politikanëve shqiptarë do mbahen mënd për garën se kush thurte më shumë anatema ndaj Zotit.
    Që atë vit, objektet fetare u shndërruan në teatro, palestra, punishte, vatra kulture e deri banja publike, veprim që do të rregullohej përgjysmë në vitet ’90, por duke mos e abroguar asnjëherë shpirtërisht atë vendim absurd të Shqipërisë, që më 1967...provoi t’i jepte Zotit dënimin me vdekje.


    Kur shteti inventarizoi për t’fundit herë fenë
    Në këtë dokument të Kuvendit Popullor të vitit 1967 jepet i gjithë inventari i mbetur i pasurive të Tundshme dhe Patundshme të Komuniteteve Fetare bashkë me buxhetet e tyre. Aty përshkruhet edhe si kanë kaluar të gjitha në dorë të komiteteve ekzekutive dhe kooperativave të fshatrave...

    Informacion mbi gjendjen ekonomike-financiare
    të komuniteteve fetare
    Buxhetet e Komuniteteve Fetare për vitin 1967 duke përfshirë edhe subvencionin nga shteti, kanë qenë ndërtuar si më poshtë:

    Emërtimi Të ardhura Shpenzime Subvenc. Dhënë për vjetore lek lek Shteti lek trem. i lek
    1. Kom. Myslm. 153.753 433.753 140.000 35.000
    2. Kom.Bektsh. 27.000 88.808 30.000 7.500
    3. Kish.Katol. - 68.000 30.000 7.500
    4. Kish.Ortod. 597.600 741.600 100.00 25.000
    Shuma gjithsej: 778.353 1.132.151 300.000 75.000

    Nga buxhetet e mësipërme një pjesë e mirë e tyre parashikohej të shpenzohej për nevojat e ndryshme (për automjete, dieta, shpenzime zyre etj.,), kurse pjesa tjetër shpenzohej për pagat e personelit. Gjendja e personelit dhe shpenzimet për secilin komunitet në të kaluarën dhe sot paraqitet si vijon:

    Deri në fund të marsit Nga fillimi i prillit e këtej
    1. Komuniteti mysliman
    Në qendër 8 vetë Në qendër 4 vetë
    Në rrethe 52 vetë Në rrethe 9 vetë
    Fondi i pagës mujore 30.050 lek Fondi i pagës mujore 8.300 lek

    2. Komuniteti Bektashian
    Ushqim e veshmbathje për 14 dervishë Ushqim e veshmbathje dhe për alokacion të Kryegjyshit lekë për 5 vetë plus alokacion për
    në muaj 3.941 Kryegjyshin e sekretarin lekë në muaj 2.300
    3. Kisha Katolike
    Në qendër 6 vetë Në qendër 3 vetë
    Në rrethe 6 vetë Në qendër 3 vetë
    Fondi i pagës mujore lek 2.800 Fondi i pagës mujore lek 1530.

    4. Kisha Ortodokse
    Në qendër 8 vetë Në qendër 4 vetë
    Në rrethe 186 vetë Në rrethe 6 vetë
    Fondi i pagave mujore lekë 45.360 Fondi i pagave mujore lekë 5.380.

    Me gjithë shkurtimet që kanë bërë, përsëri kanë mbajtur një numër të madh personeli. Sot në llogaritë rrjedhëse të kryesive të Komuniteteve Fetare ndodhen këto shuma të hollash:

    1. Kryesia e Komunitetit Mysliman 23.400 lekë
    2. Kryesia e Kishës Ortodokse 128.200 lekë
    3. Kryesia e Komunitetit Bektashian 34.000 lekë
    4. Kryesia e Kishës Katolike 1.282 lekë.
    Duke marrë parasysh disponibilitetin e mësipërm, ne nuk i kemi subvencionuar për tremujorin e dytë.
    Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme:
    1. Komuniteti Mysliman:
    - Ullinj 280 rrënjë në Elbasan.
    - Banesa, dyqane, depo, etj., ka gjithsej 276.
    Nga këto në Tiranë 19; në Krujë 15; në Durrës 56; në Kavajë 3; në Elbasan 23; në Peqin 6; në Vlorë 57; në Berat 17; në Korçë 19; në Gjirokastër 31; në Shkodër 24 dhe në Lezhë 6. Se sa është numri i xhamive në qytete dhe fshatra, Kryesia e Komunitetit nuk ka të dhëna, pasi nuk i ka të regjistruara. Por nga të dhënat që kanë shumica e xhamive në qendër dhe rrethe janë mbyllur. Gjithashtu janë mbyllur edhe të gjitha tyrbet. Xhamitë dhe tyrbet e mbyllura që ndodhen në qytete u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore.

    2. Komuniteti Bektashian:
    - Kryegjyshata posedonte gjithsej 34 dynym tokë. Nga këto 29 dynym i kanë kaluar N.B.SH “Gjergj Dimitrov” dhe Uzinës së Traktorëve, kurse 5 dynym që ndodhen brenda oborrit rrethues të godinës së Kryegjyshatës janë mbajtur nga Kryegjyshata. Gjithashtu, Kryegjyshata posedon sot edhe këtë pasuri të paluajtshme:
    - Një pallat kryesor…… vlerësuar 300.000 lekë
    - Një banesë të re dykatëshe….. “ “ 95.000 lekë
    - Një garazh dhe depo…… “ “ 15.000 lekë
    - Një hajatllëk, furrë me kazanllëk “ “ 11.000 lekë
    - Një kafe – oxhak …… “ “ 16.500 lekë
    - Një godinë përdhese me 4 dhoma…. “ “ 38.360 lekë
    - Dy stalla dhe magazine…… “ “ 52.000 lekë
    - Një shtëpi përdhese me 3 dhoma në lagjen “Ali Demi” 25.000 lekë
    - Teqera gjithsej 45. Nga këto në zonën e Gjirokastrës 17, në zonën e Fushë-Krujës 9, në zonën e Korçës 10 dhe në zonën e Beratit 9.
    - Çdo teqe ka si pasuri të paluajtshme ndërtesën e saj me aksesorë dhe një pjesë të vogël tokë buke.
    - Përveç ndërtesave të tyre me aksesorë, teqetë e mëposhtme posedojnë edhe këtë pasuri të paluajtshme:
    Teqeja e Fushë-Krujës: 2 shtëpi banimi në qytetin e Durrësit dhe 2 mullinj, 1 te Ura e Gjormës dhe 1 në Laknas.
    Teqeja e Koshtanit Tepelenë: 1 mulli në Krahës.
    Teqeja e Rabijes Tepelenë: 1 mulli në Kramenar të Mallakastrës.
    Teqeja e Turanit Korçë: 1 mulli në qytetin e Korçës.
    Teqeja e Mekanit Korçë: 1 shtëpi banimi në qytetin e Korçës.
    Gjyshata e Gjirokastrës: 2 dyqane në qytetin e Gjirokastrës.
    Teqeja e Kutës: 1 mulli në fshatin Kutë.
    Teqeja e Frashërit: 2 mullinj, 1 në fshatin Frashër, 1 në fshatin Kosinjë të Frashërit.
    Teqeja e Shëmbërdhenjit Gramsh:1 shtëpi e 1 mulli në fshatin Kapricë.
    Teqeja e Kreshovës: 1 shtëpi në qytetin e Ersekës.
    - Bagëti të imta dhe të trasha:
    17 teqetë e zonës së Gjirokastrës posedojnë 350 krerë.
    28 teqetë e zonës Korçë - Fushë Krujë dhe Berat – Prishtë posedojnë 300 krerë.
    Përfundimisht 45 teqetë e mësipërme posedojnë këtë pasuri të luajtshme e të paluajtshme:
    Pasuri të paluajtshme:
    Ndërtesa banimi me aksesorë 50
    Mullinj 9
    Dyqane 2
    Vlerësuar gjithsej me 1.600.000 lekë
    Pasuri të luajtshme:
    Orendi, pajisje etj. Gjithsej vlerësuar 320.00 lekë
    Bagëti të imta e të trasha krerë 650
    230.000 lekë
    Shuma : 2.150.000 lekë.

    Gjithashtu nga teqetë e mësipërme 4 prej tyre posedojnë edhe këto pemishte dhe ullinj:
    Teqeja e Turanit Korçë 14 dynym pemishte me mollë.
    Teqeja e Qatromit 8 “ “ “.
    Teqeja e Madhe Elbasan 150 rrënjë ullinj në Elbasan.
    Teqeja e “Baba Hamitit” 70 “ “ “

    - Tani të gjitha teqetë janë mbyllur. Nga pasuritë që kishin një pjesë të hollash dhe orendish u janë dhënë klerikëve që shërbenin në to, kurse pjesa tjetër me procesverbal të rregullt u ka kaluar kooperativave bujqësore.
    Shumica e klerikëve janë pranuar si anëtarë të kooperativave bujqësore.
    - Edhe teqetë e qyteteve dhe pasuria e tyre, duke hequr një pjesë që kanë marrë klerikët për nevojat e tyre, u kanë kaluar komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve ose qyteteve.

    3. Kisha Katolike:
    - Kisha gjithsej 31. Nga këto në famullinë e Shkodrës 8, në Tiranë 2, në Bushat 2, në Dajç 3, në Juban 2, në Bajzë 2, në Kastrat 2, në Laç të Kurbinit 2, në Laç të Vaut të Dejës 2, në Lezhë 2, në Pllan 2, dhe në Kashnjet 2. Gjithashtu, Kuvendi Françeskan posedon: 3 dynym tokë, 22 rrënjë pemë të ndryshme dhe 350 rrënjë hardhi në qytetin e Shkodrës, një shtëpi të vogël në oborrin e Katedrales dhe 1 jerevi të cilën e ka artizanati, 5 dhoma në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit dhe një godinë në Lezhë, 2 dhoma të së cilës i ka spitali civil. Megjithëse në të dhënat që na ka paraqitur Kryesia e Kishës nuk bëhet fjalë fare për qelat, shtojmë se pranë çdo kishe ka nga 1 qelë (shtëpi banimi) për priftërinjtë.

    4. Kisha Ortodokse:
    - Posedon gjithsej si pasuri të paluajtshme 600 kisha qytetesh dhe fshatrash si dhe 8 manastire.
    - Në manastiret gjer më 01.01.1967 figurojnë të regjistruara 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha.
    Gjithashtu, çdo manastir ka edhe pajisje të brendshme si: shtretër, shtresa e mbulesa, orendi, magazina me bereqet, tagji, bylmetra etj. Ku më shumë e ku më pak çdo manastir posedon sasi pemësh frutore. Për t’u përmendur është baçeja me mollë e manastirit të Hoçishtit në Korçë dhe baçeja me pemë të ndryshme e manastirit të Shën Gjonit në Elbasan.
    - Ullishta posedojnë manastiri i Ardenicës dhe ai i Elbasanit si dhe kishat e qytetit të Elbasanit. Pak rrënjë posedojnë edhe kishat e fshatrave të Myzeqesë, kurse vreshta posedojnë vetëm manastiri i Shën Marenës dhe kisha e qytetit të Pogradecit. Sipas të dhënave që ka Kryesia e gjithë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e manastireve është marrë në dorëzim me procesverbal të rregullt nga ana e kooperativave bujqësore të afërta, pasi tani të gjitha manastiret janë mbyllur. Gjithashtu, në përjashtim të 5 kishave që funksionojnë akoma; 1 në Berat (qytet); 1 në Kavajë (qytet), 1 në Durrës (qytet); 1 në Tiranë (qytet) dhe 1 në Shkodër (qytet) të gjitha kishat e tjera janë mbyllur. Pasuria e tyre e luajtshme dhe e paluajtshme u ka kaluar me procesverbal të rregullt kooperativave bujqësore ose komiteteve ekzekutive të k.p. të rretheve.
    - Çdo Komunitet Ortodoks në rrethe posedon si pasuri të paluajtshme edhe shtëpi banimi dhe dyqane. Se sa janë këto dhe ku janë nuk na janë dhënë nga ana e Kryesisë së Kishës, pasi ajo nuk I ka të regjistruara. Të gjithë shtëpitë dhe dyqanet që kanë komunitetet ortodokse në rrethe – janë të regjistruara në zëvendësinë episkopale dhe në seksionin financiar të komitetit ekzekutiv të rrethit përkatës. Përsa I përket Komunitetit Ortodoks të qytetit të Tiranës, ai posedon këtë pasuri të paluajtshme: Kishën e qytetit, godinën e zyrave të kryesisë me 5 dhoma dhe anekse si dhe 6 dyqane.
    - Përveç pasurive që u përmendën më lart, çdo zëvendësi episkopale dhe metropolitan qyteti ka magazinën e saj me material të nevojshme për kishat, kryesisht parafinë, dyll dhe vaj. Magazinat e kishave të qyteteve Vlorë, Fier, Lushnje dhe Elbasan pasi u bë inventari fizik me procesverbal të rregullt (në Vlorë dhe në Lushnje duke qenë present edhe përfaqësues të financës dhe të rinisë) u mbyllën dhe u vulosën. Edhe në magazinën e Kryesisë së Kishës Ortodokse dhe të Kryesisë së Kishës në qytetin e Tiranës, figurojnë të regjistruara si gjendje në magazinë mallrat si vijon:
    Qirinj të gatshëm kg. 308
    Qirinj sparmaceta kg. 3.590
    Brumë parafine kg. 1.000
    Parafinë kg. 160
    Dyllë blete kg. 65
    Vaj ulliri litra 102
    Vaj i përzier litra 174
    Goma veture të reja copë 10
    Goma veture të përdorura copë 8.

    - Gjithashtu, kishat e qyteteve, manastiret dhe Kryesia e Kishës Ortodokse kanë edhe gjendje arke në bankë. Gjendja e arkave të kishave të qyteteve (duke u përfshirë në to edhe ajo e fshatrave përkatëse të çdo rrethi) paraqitet si vijon:

    Kisha Gjendja (lekë)
    1. Kisha e Tiranës më 1.1.1967 140.549,20
    2. “ Durrësit 13.212,50
    3. “ Kavajës 11.935,70
    4. “ Korçës 243.930,45
    5. “ Pogradecit 34.149,80
    6. “ Leskovikut 17.003
    7. “ Beratit 38.658,20
    8. “ Gjirokastrës 130.702,35
    9. “ Përmetit 22.831,50
    10. “ Himarës 544,42
    11. “ Delvinës 51.940,75
    12. “ Poliçanit 413
    13. “ Shkodrës 49.396,25
    14. “ Sarandës 46.465,20
    15. “ Elbasanit më 20.02.1967 17.262,15
    16. “ Lushnjës 68.919,40
    17. “ Fierit 188.203,25
    18. “ Vlorës 106.608,60
    SHUMA: 1.182.725,72.

    Gjendja e arkave të manastireve paraqitet si vijon:
    Manastiri Gjendja (lekë)
    1. Manastiri i Voskopojës më 01.10.1966 2.755,25
    2. “ Hoçishtit 01.01.1967 21.899,70
    3. Boboshticës 587,30
    4. “ Kamenicës 1.656,75
    5. “ Shën Marenës 9.668,80
    6. “ Ardenicës 24.256
    7. “ Goranxisë `695.96
    8. “ Kozmait më 25.11.1967 2.961,95
    SHUMA: 1.247.107,43

    Arka e Kryesisë Gjendja (lekë)
    1. Nga buxheti i përgjithshëm më 06.03.1967 247.201,25
    2. Fond sigurimi 94.592,10
    SHUMA: 341.793,35
    Përfundimisht në rast se do të jetë nevoja që për efekte protokollare të ekzistojnë organizmat qendrore të institucioneve fetare, do të ishte e mjaftueshme të kishim një personel prej 3 vetësh (kryetari, një sekretar dhe një person për shërbime të ndryshme). Në këtë rast do të duhej për secilin Komunitet një subvencion vjetor si vijon:

    1. Për Komunitetin Mysliman 21.600 lekë
    2. “ “ Bektashian 19.200 “
    3. “ “ Ortodoks 20.800 “
    4. “ “ Katolik 16.800 “
    SHUMA 78.480 lekë

    Përsa i përket pasurisë që kanë, kjo t’u shtetëzohet e tëra me përjashtim të ndërtesave të selisë të secilit Komunitet.

  4. #4
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897

    Për: 6 shkurt 1967: Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”

    Dhe qe nga ajo dite Shqiperia lulezoi e vazhdon te lulezoje po per kete arsye..

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •