Nëna e viktimës së bandës së tritolit: Genis Mëhillaj më kërcënoi “mos fol”
Nga: AURORA KOROMANI
VLORE - Zbardhen detaje të reja pas shpërthimit me tritol në banesën e dy kushërinjve Mëhillaj në Vlorë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në prokurori janë thirrur për të dhënë versionin e tyre disa persona si të dyshuar se mund të kenë lidhje me atentatin në banesën e Andon Mëhillaj mesnatën e së dielës. Mes personave që janë marrë në pyetje është edhe nëna e peshkatarit të vrarë dy vite më parë në qytetin e Vlorës, Sokol Veizit, krim për të cilin i dyshuari si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj është shprehur se ka marrë urdhër nga kushërinjtë Mëhillaj.
E pyetur për këtë fakt, Nazo Veizi ka deklaruar para grupit hetimor se nuk ka dijeni për tritolin e shpërthyer në banesën e Andon Mëhillaj. E moshuara është shprehur e frikësuar para ekspertëve, duke kërkuar që të vendoset drejtësi për djalin e saj të vrarë. Nëna e peshkatarit, Sokol Veizi ka treguar para grupit hetimor edhe konfliktet që ka pasur djali i saj me 43-vjeçarin, Genis Mëhillaj. Madje, në dëshminë e saj, nëna e peshkatarit ka rrëfyer se dy javë para se të arrestohej Julian Sinanaj, Genis Mëhillaj i ka shkuar në shtëpi dhe i ka kërcënuar për të mos treguar asgjë. Sipas Naze Veizit, vrasësi i djalit të saj është 43-vjeçari nga Vlora, "sepse ai me djalin tim kishte një konflikt për tokën ku djali im do të niste themelet e shtëpisë.
Dy vëllezër me mbiemrin Mëhillaj, i thanë Sokolit që të ndërtonte një shtëpi në tokën e tyre. Genisi i kishte kushërinj këta dy vëllezërit. Unë di që kur Sokoli filloi të punonte tokën për nisjen e themeleve, në fillim Genisi i tha të largohej që aty dhe të mos punonte më. Ndërsa, herën tjetër ai e vrau". Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe babai i biznesmenit të vrarë, Agron Çela. Babai i biznesmenit ka deklaruar para ekspertëve se nuk ka lidhje me tritolin në banesën e njërit prej të kërkuarve nga drejtësia shqiptare. Veç kësaj, në deklaratën e tij, babai i biznesmenit të vrarë një vit më parë në Vlorë, ka pohuar se nuk e dinte se kush ia kishte vrarë djalin, deri në momentin që në media është publikuar emri i Genis Mëhillaj. Ndërkohë, bëhet me dije se në total policia ka shoqëruar 12 persona si të dyshuar për shpërthimin e tritolit në banesën e Andon Mëhillaj.
Kërkimet
Genis dhe Andon Mëhillaj, dy kushërinjtë nga Vlora të dyshuar si ndërmjetës të bandës së tritolit që nga dita e djeshme janë shpallur edhe në kërkim ndërkombëtar. Fotot me të dhënat e tyre janë vendosur në faqen zyrtare të Interpolit, me shënimin si persona të cilët kanë financuar dhe kryer akte terroriste. Më konkretisht, ndaj dy kushërinjve Mëhillaj rëndojnë akuzat e "akteve terroriste; financimi i terrorizmit; fshehje/fshehjen e fondeve dhe pasurisë, mallrave të tjera që financojnë terrorizmin; dhënia e informacioneve nga persona që ushtrojnë funksione publike ose personat në detyrë; prodhim ilegal dhe mbajtjen e armëve dhe municioneve ushtarake, si dhe trafikim i armëve dhe i municionit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt