Polici i inflitruar “porositi” minat, ja si u kap në flagrancë “mjeshtri” i tritolit
Një agjent policie i infiltruar dhe me detyrën e porositësit, ka qënë ai që ka çuar drejt arrestimit të sukseshëm të Pjetër Babaj dhe Lulzim Toska të enjten Shkodër,të dyshuar si prodhues dhe tregtarë të minave me telekomandë.
Është mundur të mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me uniformat blu prej muajsh kishin në vëzhgim dy personat dhe ishin të skeduar si montues dhe tregëtar të lendëve eksplozive.
Sipas Prokurorisë hetimet kishin muaj që kishin nisur dhe synimi ishte që dy personat të arrestoheshin në flagrancë. Pas porosisë së të infiltruarit është vendosur që në datën 10 prill të bëhej takimi dhe dorëzimi i porosisë.
Pikërisht kjo ditë është vendosur për të bërë edhe arrestimin e Babaj, pranë urës së Bunës në Shkodër. Ndërsa disa minuta më vonë nga policia është mundur të vihet në pranga edhe shtetasi Lulzim Toska,në banesën e tij.
Në cilësinë e provave që do të përdorën kundër dy personave në gjykatë është mundur të sekuestrohet në makinën e Pjetër Babaj,dy mina të montuara dhe një pistoletë. Në shtëpinë e tij janë gjetur 2 mina dhe pajisje të tjera që nevojiten për përgatitjen e minave.
Ndërsa në banesën e Lulzim Toskës janë gjetur një pistoletë dhe një sasi municionesh. Të dielën dy personat e arrestuar priten të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda për tu njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.
Mesohet se akuza do të kërkojë “arrest me burg” për akuzën e mbajtjes dhe tregtimit të municioneve luftarake dhe armëmbajtje pa leje.
ORA NEWS
Akuzohet se i shiti armë Sinanajt, ‘arrest me burg’
TIRANE- “Arrest me burg” per Alban Mexhaj ka caktuar Gjykata e Krimeve te Renda, pas kerkeses se Prokurorise.
Mexhaj eshte kapur ne shkurt te vitit 2014 duke shitur arme zjarri me akuzen e trafikimit te armeve.
Sipas akuzes ai i ka shitur edhe killerit me pagese Julian Sinanaj 2 pistoleta dhe nje antiplumb.
Panorama
Zbulohet shitësi i armës që do vriste biznesmenin
I arrestuari si furnitor i grupit të vrasjeve me pagesë, Albin Mexhaj, nuk e pranoi dje akuzën në gjykatë. Megjithatë prokuroria paraqiti të dhëna të reja për implikimin e tij në shitjen e armëve. Sipas akuzës, arma që Julian Sinanaj mbante me vete më 25 janar 2014 kur përgatitej për atentat ndaj biznesmenit Pirro Bare është shitur pikërisht nga Albin Mexhaj.
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë i njoftoi të dyshuarit masën e “arrestit me burg, pa afat” pasi dyshohet si furnizues me armë i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj. Shtetasi Albin Mexhaj, 29 vjeç, ishte arrestuar në një tjetër çështje, pasi në datën 4 shkurt 2014 u ndalua nga policia duke shitur tri pistoleta te disa persona të tjerë. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda tha dje para gjykatës se 29-vjeçari u ka shitur dy pistoleta dhe një jelek antiplumb anëtarëve të dyshuar të grupit të vrasjeve me pagesë. Konkretisht armët janë shitur në fillim të këtij viti te Ndriçim Gjokona, i cili më pas ia ka dorëzuar dy pistoletat të dyshuarit si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj.
Organi i akuzës paraqiti dje të dhëna konkrete në ngarkim të shtetasit Albin Mexhaj, që dyshohet se edhe më parë ka furnizuar grupin e vrasjeve me mjetet e nevojshme si armë e municione. “Personi nën hetim, Albin Mexhaj, sipas provave të ndodhura në dosje, në fillim të këtij viti ka shitur te shtetasi Ndriçim Gjokona dy pistoleta. Për të dyja armët Albini ka marrë 800 euro, ndërsa çmimi ka qenë përkatësisht 250 euro për njërën armë dhe 450 për armën tjetër”, tha prokuroria në seancën me dyer të mbyllura. Sipas akuzës, më 25 janar 2014 Julian Sinanaj u arrestua në flagrancë teksa ndiqte biznesmenin Pirro Pare për t’i bërë atentat, pikërisht me një nga armët që Ndriçim Gjokona kishte blerë tek Albin Mexhaj. Sipas hetimeve të prokurorisë, Ndriçim Gjokona ka qenë personi që furnizonte vrasësin me pagesë Julian Sinanaj me armë dhe eksploziv për kryerjen e atentateve.
Hetimet ndaj këtij grupi kanë zbardhur faktin se Gjokona i ka siguruar Julian Sinanajt armët për vrasjet që ka kryer në Tiranë dhe Vlorë, ndërsa ka qenë ai që gjente edhe eksplozivin që përdorej për montimin e lëndëve plasëse në minat me celular. Avokati mbrojtës i shtetasit Albin Mexhaj deklaroi dje pas seancës gjyqësore te Krimet e Rënda se klienti i tij nuk ka lidhje me grupin. “Klienti im deklaroi edhe në seancë se nuk ka ndonjë lidhje me këta persona që pretendon prokuroria. Mua si avokat klienti më ka shpjeguar se këta persona i ka parë vetëm në televizor”, tha avokati.
Trazhgim Sokolaj/PANORAMA
Pagoi për vrasjen e rivalit, gjykata refuzon kërkesën e biznesmenit fierak
Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit fierak hidrokarbureve, Ilir Karçini, i cili ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë së “arrestit me burg”. Karçini se ka planifikuar vrasjen e rivalit të tij në biznes, Piro Bare.
Kërkesa është dorëzuar në gjykatë nga avokati i Karçinit, Theodhori Sollaku. Por nga ana tjetër, gjykata pranuar kërkesën e Prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve për Karçinin. Prokurori ka paraqitur prova ku implikohet Karçini në porosinë për vrasjen e Bares. Ndër to 4 prova, e-mail, foto dhe video ku Karçini shihet në shoqërinë e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.
Ky i fundit mori përsipër vrasjen, që fatmirësisht u parandalua pasi policia e arrestoi gjatë përgatitjeve për krimin.
Sinanaj është i arrestuar si “killeri” grupit të tritolit, për faktin se ekzekutimet me pagesë i kryente kryesisht me eksploziv dhe në banesën ku qëndronte iu gjet një arsenal me armë dhe lëndë plasëse.
Për të njëjtin grup është i arrestuar edhe Ndriçim Gjokona, i cili është personi që në këmbim të mbrojtjes zbuloi funksionimin e grupit.
Në paraburgim ndodhet edhe Andon Mëhillaj, i cili bashkë me kushëririn Genis Mëhillaj, ishin kontraktorët e dy vrasësve Sinanaj dhe Gjokona në porositë që merrnin për eliminime fizike kundrejt pagesës.
Grupi akuzohen për dy vrasje të kryera në Vlorë dhe të paktën 3 tentativa vrasjeje, një prej të cilëve edhe atentati i mbetur në tentativë ndaj Besnik Dervishajt, në periudhën që ishte prefekt i Vlorës.
Në janar të këtij viti një punonjës i gardës gjeti rastësisht lëndën eksplozive poshtë makinës së Prefektit, ndërsa automjeti po hynte për t’u parkuar në Kryeministri.
/Shekulli Online/ E.L./
Anëtari i “Bandës së tritolit” i vë flakën qelisë së burgut
Ndriçim Gjokona, i cili njihet si i penduari i “Bandës së Tritolit”, i ka vënë sot flakën qelisë së tij në burgun 313 në Tiranë. Mësohet se i burgosuri i ka vendosur flakën krevatit dhe rrobave të tij, por fatmirësisht nuk pasur të lënduar nga flakët. Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve është shprehur se shkaqet që e kanë shtyrë Gjokonën të kryej këtë veprim nuk janë ende të qarta, por ai ka shfaqur disa herë shenja frike pasi ndodhet në të njëjtin burg së bashku me të vrasësin me pagesë, Juljan Sinanaj, dhe disa të akuzuar të tjerë të bandës së tritolit, të cilët ai vetë i ka denoncuar.
Ndriçim Gjokona ishte personi i cili denoncoi disa muaj më parë Julian Sinanaj, për vrasjet që ai kryente nëpërmjet shpërthimeve me eksploziv dhe jo vetëm.
MAPO
Vrasësi me pagesë: Takimi me Karçinin, mora parapagim 50 mijë euro
Julian Sinanaj tregon detajet e marrjes së 50 mijë eurove paraprake dhe kalimi i shumës prej 10 mijë eurosh ish-gruas në Greqi. Bomba që përgatiti ndaj prefektit dhe këmbëngulja e porositësve për të rikthyer dyqanin
Takimin e tretë unë e kam bërë në të njëjtin vend, ku me sa kujtoj, takimi ka qenë i përcaktuar me datë dhe orë në takimin e fundit. Në takimin e tretë unë kam shkuar te kafeneja dhe në këtë takim ndodheshim vetëm ne të dy. Unë jam ulur përpara Ilirit në tavolinë dhe kam qëndruar në pritje. Pa kaluar shumë kohë kam parë Ilirin, i cili po vinte në këmbë. Në këtë takim Iliri ishte pak i parrojtur dhe ky ishte takimi ku ai do të më jepte lekët për porosinë. Gjatë bisedës Iliri më ka dhënë shumën prej 50 mijë eurosh, të cilat ishin të prerjeve 50, 100, 200 dhe 4 kartëmonedha 500 euro. Kujtoj se disa prej tufave të parave ishin me fashetën e bankës, çka tregonin se ishin tërhequr prej tij nga banka. Në këtë bisedë unë i tregova Ilirit se nga ana ime ishte shkuar dhe ishte studiuar vendbanimi i biznesmenit. Fillimisht, nëpërmjet internetit kisha studiuar vendndodhjen e fshatit turistik Qerret. Hyrje-daljet e rrugëve që fshati kishte me autostradën dhe rrugët e tjera. Po ashtu i tregova se kisha shkuar fizikisht në fshatin turistik dhe atje kisha parë më nga afër vendndodhjen e vilës, rrethimin e saj, kamerat e sigurisë, rojet që ndodheshin në hyrje të fshatit turistik, po ashtu në afërsi të vilës kisha fiksuar edhe një shërbim tjetër me roje private. Po ashtu i tregova se kisha filluar të mendoja për mënyrën dhe mekanizimin se si do ta realizoja vrasjen. Unë duke parë se kjo vrasje paraqiste vështirësi të mëdha prej meje, i kërkova Ilirit që ai të paguante edhe 100 mijë euro të tjera, shumë e cila do të paguhej prej tij pasi unë të kryeja vrasjen. Pasi Iliri më dha eurot, më tha se ‘nga fundi i nëntorit, besoj se e quaj të mbaruar këtë punë’. Unë i thashë se personi që kërkoni të vrisni është më i vështirë se sa ma paraqitët në fillim, pasi është biznesmen i fuqishëm. Pas këtij propozimi, pashë se ai u përtyp nga shuma që unë i kërkova shtesë, por ra dakord me kërkesën time duke më thënë se do të m’i jepte kur të mbaroja punë. Gjithashtu ai më tha se kur të mbaroja punë, mund të shkoja të punoja si shofer ose si roje gjatë periudhës që do të ishte e tensionuar për shkak të kësaj ngjarjeje.
10 mijë euro ish-gruas
Pas kësaj bisede, së bashku me eurot që i kisha të vendosura në një çantë letre, kam shkuar në drejtim të rrugës “Komuna e Parisit”. Aty kam marrë një taksi dhe kam udhëtuar në drejtim të “21 Dhjetorit”. Jam ndalur fillimisht në një kafene për të parë dhe kontrolluar nëse kishte ndonjë person që më ndiqte nga pas. Pasi u sigurova për këtë dyshim, kam shkuar tek banka greke që ndodhet në krahun e djathtë të “Rrugës së Kavajës” ndërmjet kryqëzimit të “21 Dhjetorit” dhe “Lanës”, pa dalë te kryqëzimi i “Pallatit me Shigjeta”. Në bankë kam bërë një transfertë prej 10 mijë eurosh nga shuma prej 50 mijë eurosh që më dha Iliri. Këto para ia kam dërguar ish-gruas time greke E. P.
Blerja e armëve
Gjatë kësaj kohe nga ana ime, nëpërmjet Ndriçimit, kam kërkuar blerjen e armatimit që do të më duhej për mbrojtje. Për këtë, nëpërmjet një personi të quajtur Vini që jeton në Vorë, kam blerë një pistoletë “Zastava” 9mm, një antiplumb dhe fishekë të kalibrave 7.65 dhe 9 mm. Pistoleta, jeleku antiplumb dhe fishekët janë blerë nga Çimi me ndërmjetësinë e Vinit, të cilët kanë shkuar dhe i kanë marrë në Shkodër. Përsa i përket personit nga Vora, me të jam takuar fizikisht në 3-4 raste, me të cilin më ka prezantuar Ndriçimi. Për blerjen e pistoletës i kam dhënë Ndriçimit 1.800 euro, ndërsa për jelekun 600-800 euro dhe fishekët diku me çmimin tre euro copa. Ndërsa personit të quajtur Vini i kam dhuruar një aparaturë për të kontrolluar ambientet ku qëndronte nëse ka përgjues telefoni ose kamera të fshehta. Për personin e quajtur Vini, di se është i moshës rreth 28-30 vjeç, ai banon në Vorë dhe ka qenë i martuar. Ky person merrej me shit-blerje armësh, fishekësh, droge dhe në takime më kërkonte t’i gjenim lidhje në Itali për shitje hashashi. Di se ky person i quajtur Vini së bashku me Ndriçimin kanë qenë në Shkodër për blerje armësh në 2-3 raste. Në bllokun tim të sekuestruar nga policia unë kam shkruajtur emrin e tij Vini si dhe tekstin: “Vora do vejë për lesh, jo korrekt, bën sikur interesohet” etj. Aparaturën që i dhurova Vinit e kam blerë në një dyqan në Tiranë, në treg të lirë. Me vinin kam biseduar edhe për minat me telekomandë, i cili më tregoi se kishte pasur raste të blerjeve të tyre, të cilat i kishte shitur në 3 raste në Shqipëri. Nuk më tregoi se kujt ja kishte shitur ato, por që ishte marrë me blerjen e tyre në Malin e Zi dhe i kishte shitur në Shqipëri për një çmim prej 2500-3000 euro. Për këto mina më tregoi se ato si eksploziv kishin kallëpe 200 gr C4. Nisur nga ky fakt unë kërkova prej tij nëse mund të më jepte një çmim për kilogram C4, ku ai më tregoi se e shiste 3000-3500 euro. Për minat me telekomandë më tregoi se ato ishin defektoze sepse aparatet nuk ishin të pajisura me bateri shtesë, ndërsa kapsollat ishin të ndjeshme në voltazhin 4.4. Me sa kuptova prej tij, ky person merrej vetëm me shit-blerje dhe tregti armësh.
Porosia për bombën në makinën e Prefektit
Gjatë kohës që qëndroja në Tiranë, vazhdoja të hapja adresat e mia elektronike dhe shikoja sms që linte tek drafti Marjon Mitro dhe Iliri, biznesmeni, për të cilët kisha adresa të veçanta. Kam për të sqaruar se diku rreth 6 javë përpara se të ndodhte ngjarja me Prefektin e Vlorës, ngjarje e cila ka ndodhur te Kryeministria në Tiranë, nga ana e shtetasit Marjon Mitro më është kërkuar me sms në draft se ai kërkonte një aparaturë me celular që të kryente shpërthimin në distancë. Këtë bisedë Marjoni me Gentianin ma kishin bërë edhe më parë gjatë kohës që isha në Vlorë. Këtë bisedë unë e kisha vlerësuar seriozisht pasi kisha menduar se ishte një presion indirekt që më bënin mua për moskryerjen e vrasjes së X që unë kisha marrë përsipër. Në momentin që pashë se kërkesën për telekomandë e bëri përsëri Marjon Mitro nëpërmjet sms në e-mail, atëherë mendova të shfrytëzoja rastin që të hiqja një farë detyrimi nga shuma që i kisha. Më kujtohet se ngjarja ka ndodhur në mesin e muajit Dhjetor të vitit 2013, ku në atë kohë isha në Tiranë. Komunikimet me Marjonin unë i bëja prej disa kohësh, të cilin e mbaja me shpresa sa të përfundoja tapinë e dyqanit. Në momentin që unë erdha në Tiranë. Marjon Mitro dhe Y. kërkonin që unë t’i ktheja dyqanin pasi nuk kisha kryer punën (vrasjen e X). kërkesën e Marjonit për telekomandën unë ja vlerësova në shumën 20 mijë euro, pazar për të cilin ai m’u shpreh: “mirë se do të rregullohemi, por më gjej telekomandën”.
Përgatitja e bombës me celular
Pas kërkesës së Marjonit, unë fillova të interesohesha, ku kam dalë dhe kam blerë një celular tip “Samsung” me ngjyrë të zezë tek tregu që ndodhet pranë Postës Shqiptare. Unë gjatë këtyre kohëve në shtëpi disponoja 3-4 celularë pothuajse të përgatitur si telekomandë, por kërkova që të isha më i sigurt dhe për këtë gjë kam shkuar dhe kam blerë një celular të ri, i cili në dukje ishte pak i përdorur, të cilin e kam blerë rreth 15-20 mijë lekë. Pasi kam blerë celularin “Samsung” kam kërkuar që të blej edhe kartën SIM, të cilën ja kam blerë një personi tjetër. Dua të sqaroj se kohën e saktë të blerjes së celularit dhe kartës nuk e kujtoj, por mendoj se duhet të ketë qenë muaji dhjetor 2013, një jave ose një jave e gjysmë përpara se të ndodhte ngjarja që u dha në media. Pasi kam blerë kartën dhe celularin kam shkuar tek shtëpia ku kam filluar të bëj përgatitjen e aparaturë me celular. Kujtoj se fillimisht kam matur voltazhin e aparatit celular që me sa kujtoj ka qenë 4.2 volt. Këtë aparaturë e kam krijuar pa përforcues voltazhi (bateri tjetër të jashtme) pa ndonjë rele tjetër të jashtme, dhe kam krijuar kontakt të drejtpërdrejt nëpërmjet aplikimit të opsionit me dridhje. Aty kam bërë pikime me AV duke nxjerrë dy fije për të mundësuar lidhjen e tyre me dy kapsolla elektrike. Ndërtimi i në këtë mënyrë i aparatit nga ana ime u bë për arsye që ajo të paraqiste vështirësi për të mos funksionuar. Nuk më kujtohet nëse e kam vendosur ose jo kartën në këtë celular natën që e kam blerë, por mbaj mend që në momentin kur kam vendosur kartën në aparatin telefonik, nuk e kam ndezur atë pasi nuk doja që telefoni të aktivizohej me sms.
Dorëzimi i bombës
Pasi kam ndërtuar celularin në formën që duhej, i kam dërguar informacion së bashku me koordinatat e takimit Marjonit, të cilën e kam bërë nëpërmjet komunikimit me e-mail tek rubrika “draft” ku shkruajta, ditën, orën dhe vendin e takimit. Pasi ka marrë sms, Marioni më kthehu përgjigje duke më thënë se do të vinte të merrte aparatin celular të përgatitur për shpërthim tek vendi i takimit. Takimi me Marjonin është realizuar tek “Zogu i Zi”, diku në mëngjes rreth orës 05:30 – 6:00, ku ende nuk ishte zbardhur plotësisht. Në vendin e takimit kam shkuar unë i pari, ku më parë kam kontrolluar dhe vlerësuar takimin, duke marrë me vete edhe pistoletën. Pasi u takova me Marjonin pashë se ai ishte vetëm, në këmbë dhe unë isha duke e pritur në anë të rrugës. Me t’u takuar me Marjonin i kam dhënë i kam dhënë celularin të cilin e kisha vendosur brenda një qeseje plastmasi dhe i tregova se si duhet të bënte të mundur përdorimin e tij. I shpjegova se dy fijet që kisha nxjerrë nga celulari duhet t’i lidhte me dy kapsolla elektrike që ndodheshin të montuara pas trupit të celularit. I tregova se lëndën eksplozive duhet ta vendoste vetë pas trupit të celularit. Dua të sqaroj se në takimin në Vlorë i kisha treguar se si ngjitës i mirë dhe praktik mund të përdorej silikoni ose ndonjë lloj ngjitësi tjetër që kishte po të njëjtin efekt. E kisha këshilluar që ngjitja me magnet nuk ishte shumë praktike, pasi ndikonte tek efikasiteti i celularit duke krijuar fushë manjetike. Në takimin me Marjonin u mundova të ndahesha sa më shpejt, duke i dhënë stres për policinë që ai të mos hapte bisedën e dyqanit. Nga ai moment, Marjoni është larguar dhe unë nuk kam komunikuar më me të në e-mail.
MAPO
Krijoni Kontakt