Biznesmeni i gazit pagoi 120 mijë euro për eliminimin e rivalit, zbulohet identiteti i tij
TIRANË- Në momentin që u arrestua nga policia, Juljan Sinanaj po përgatiste vrasjen e një biznesmeni. Tashmë i akuzuari si vrasës me pagesë ka rrëfyer se biznesmeni, për eliminimin e të cilit ishte paguar 120 mijë euro, është Pirro Bare, pronar i kompanisë “Romano Port” me 99,8% të aksioneve. Por përveç kësaj, policia ka arritur të mësojë edhe porositësin e vrasjes së biznesmenit të hidrokarbureve.
Porositësi, i cili kishte paguar 120 mijë euro për vrasjen e Bares, është Ilir Karçini biznesmen gazi. Arrestimi i biznesmenit të gazit u bë pas marrjes së dëshmisë nga Juljan Sinanaj, i cili ka zbardhur një sërë vrasjesh me pagesë. Karçini është aksionari i vetëm i firmës së gazit “PrimaGaz”.
Ai u vu në pranga pas hetimeve të kryera nga Krimet e Rënda. Karçini mësohet të ketë paguar 120 mijë euro Juljan Sinanaj për të vrarë biznesmenin Bare me të cilin kishte konflikte të vjetra. Mësohet se para dy vjetësh në makinën e biznesmenit Bare është vendosur një sasi eksplozivi. Nga shpërthimi Bare dhe djali i tij shpëtuan. Në 12 gusht 2011 Karçini i është drejtuar Autoritetit të Konkurrencës për të marrë masa ndaj “Romano Port”
Tre ditë më parë kreu i Policisë së Tiranës Ardian Çipa bëri me dije se policia mundi të parandalonte vrasjen e një biznesmeni emri i të cilit nuk u bë publik, një vrasje kjo e porositur, e cila ishte marrë përsipër të kryhej nga Juljan Sinanaj, Marion Mitro dhe N.GJ. Ky i fundit është dhe personi i penduar i bandës që bashkëpunoi me prokurorinë dhe zbardhi gjithë zinxhirin e vrasjeve me pagesë dhe shpërthimeve me tritol.
Juljan Sinanaj u vu në pranga nga policia në 25 janar të këtij viti. Në banesën e tij me qira te “Rruga e Kavajës” u gjet një arsenal i plotë armësh, bomba e municione, të cilat i përdorte për të kryer vrasjet me pagesë. Vetë Sinanaj ka pranuar në polici se ka kryer 27 vrasje në këmbim të shumave marramendëse të parave. Pjesën më të madhe të krimeve Sinanaj i ka kryer në shtetin grek.
(a.n/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt