I kemi dëgjuar shpesh të tilla ndodhi, por kjo që do t'ju tregojë është ndodhia më e padëgjuar. Të shtrosh rrugë gjatë përfundimit të mandateve dhe para zgjedhjeve është një dukuri e rëndomtë dhe që nuk na bën përshtypje. Herë rrugë të mira e herë sa për votime kemi parë që janë shtruar, por që të meret 3 herë radhazi fondi dhe të mos shtrohet qoftë edhe një herë rruga, këtë as nuk e kisha dëgjuar dhe as nuk e kisha parë gjëkundi.

Rruga Fier - Plyk , rruga që është shtruar 3 herë me dokumentacion por jo realalisht, është një rrugë që lidh mbi 10 fshatra me qytetin e Fierit. Kjo rrugë, fondin e parë e ka konsumuar në vitin 1996 me një preventiv për tu asfaltuar dhe rehabilituar me kanalizime. Firma fituese e tenderit, u mjaftua vetëm me disa kamionë çakull duke e niveluar në disa kilometra. Shirat e parë që ranë i nxorrën themelet rrugës që ishte destinuar për tu asfaltuar dhe që u la vetëm me një shtresë çakull.

Fondi i dytë u konsumua po në të njëjtën mënyrë në vitin 2001 dhe fondin i tretë në vitin 2010. Rruga akoma nuk ka parë asnjë shtresë asfalt që kur këto fshatra janë ndërtuar në vitin 1873. Parat e tenderave kan shkuar në xhepat e firmave asfaltuese dhe në xhepat e kontrorëve të shtetit. Kjo rrugë me rëndësi të madhe që lidh mbi dhjetë fshatra me qytetin e Fierit, është një rrugë që po shkatrron edhe biznesin vëndas.

Jan mbi 2300 shtëpi dhe mbi 10.000 banorë në këto fshatra që i lidh kjo rrugë me qytetitn e Fierit. Këta banorë jetesën e tyre e kanë të lidhur me këtë rrugë e cila ju shërben për të transportuar prodhimet bujqësore dhe blektorale drejt qëndrës së Fierit dhe drejt gjithë Shqipërisë. Koha që humbasin për të përshkruar këtë rrugë të shkurtër është dhjetë herë më e madhe se sa po të ishte e shtruar me asfalt. Poashtu dhe konsumi i mjeteve buqësore apo transportuese është shumë i lartë pasi rruga është tmerrsisht e keqe saqë edhe me qerre po të kalosh ke frikë se mos i dalin rrotat vëndit.

Kjo rrugë ka një shekull që pret ta shtrojnë dhe t'jua lehtësojë jetesën banorëve të kësaj zone. Besoj që nuk ka nevojë për më shumë komente, por do të mjaftonte që deputeti i zonës të vinte një herë këmbë aty për ta kuptuar se sa në hall janë ata banorë. Banorët e këtyre fshatrave nuk kanë nevojë më për fushata, premtime e zhgënjime.... këta banorë duan t'ju shtrohet kjo rrugë dhe të mbahet më në fund ky premtim që i bëhet në çdo fushatë !!

Rruga Fier - Plyk bashkë me mijra banorë po presin që premtimi të mbahet !