Flet Koloneli në Rezervë, Dr. Mikado Shakohoxha: Në Durrës, për të ashtuquajturin “Grupi puçist në ushtri”
- Për të ashtuquajturin “Grupi puçist në ushtri” janë bërë vetëm dy aktive
-Veprimtaria “armiqësore” e Beqir Ballukut, te Vila e Zogut, u dënua nën drejtimin e Mehmet Shehut
- Diskutimet më të ashpra ndaj Beqirit, u bënë nga Mehmet Shehu, Petrit Dume dhe Hito Çako
- Petrit Dume dhe Hito Çako u etiketuan si shpëtimtarë të ushtrisë
- Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, vijnë befasisht në stërvitjen e Fierit
-Lirim Deda shoqëronte Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë
-Takimi mbresëlënës i Mehmet Shehut me qytetarët fierakë
- Në stërvitje më caktuan të shoqëroja Mehmet Shehun
Sqarim
Pa hyrë në mbledhjen e Vilës së Zogut, po bëj një sqarim për disa gjëra që shpesh njerëzit edhe i ngatërrojnë pa dashje. Në harkun kohor korrik - dhjetor 1974 në Durrës, për të ashtuquajturin “Grupi puçist në ushtri” janë bërë vetëm dy aktive. Aktivi i parë është bërë në javën e parë të korrikut, nga data shtatë deri në datën nëntë, ku u dënua veprimtaria “armiqësore” e Beqir Ballukut, te Vila e Zogut, nën drejtimin e Mehmet Shehut. Kuptohet, edhe të gjithë anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike. Pjesëmarrës kanë qenë kuadrot kryesore të Ushtrisë: komandantët e komisarët e korpusve (dhe të dy grupime). Ka pasur edhe nga Komiteti Qendror e nga ministria e Brendshme, por nuk kam ditur asnjëherë kriterin e përzgjedhjes, apo rangun e tyre. Nuk përjashtohet mundësia se ato lista me siguri shkonin edhe në vende te tjera. Nga Drejtoria Operative, si gjithmonë, ka pasur më shumë, sepse ajo bënte pjesë në aparatin organizues, nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm. Kësisoj, te ne vinin listat e pjesëmarrësve, të të deleguarve, të presidiumit, të diskutantëve, radha e diskutimit të tyre, problemet e autobusëve për lëvizje, të fjetjes, të ushqimit, etj.. Pra, lajmërimin, pritjen dhe organizimin e punës e bënte Drejtoria Operative. Aktivi i dytë ishte aktivi i Partisë, i cili është bërë mbas fjalës së 14 tetorit, më 24 - 25 - 26 tetor, me ata pjesëmarrës që i mbulonte Komiteti i Partisë së Ministrisë (asnjë kuadër nga njësitë dhe repartit e ushtrisë). Në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve u dënua veprimtaria e Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Mbas këtyre u bënë aktivet e Partisë në korpuse (grupime), komanda, shkolla, etj..
Beqir Balluku nuk ulet në Presidium
Mbasi u futëm në sallën e mbledhjeve, me ndikimin e Mitat Gjondedës, ne zumë vend diku para mesit te saj. Pas pak vjen Beqir Balluku dhe disa nga ne ngrihemi menjëherë më këmbë dhe e nderojmë, duke mos ditur gjë fare. Në kohën që presidiumi po zinte vendet, Beqiri, jo vetëm që nuk doli atje, por iu hoq edhe tavlla e cigareve atje në një vend të zakonshëm në sallë, duke iu ulur në të dy krahët oficerët madhorë Muhamet Prodani, Alfred Moisiu, Andon Sheti dhe Aleko Koka. Vijuan diskutime te ashpra ndaj Beqirit, fillimisht nga Mehmet Shehu, Petrit Dume e Hito Cako, pastaj nga të tjerët, kush e kush të fliste më shumë e më ashpër. Në fund ai foli shumë shkurt duke pranuar gjithçka iu komunikua, shkarkimi nga detyra, etj. U komunikua emërimi i Mehmet Shehut si ministër dhe i Petrit Dumes e Hito Çakos si zv.ministra, etj.. U kthyem në Tiranë, mbasi u porositëm të mos tregonim asgjë për çfarë ishte bërë në Durrës, ndryshe, kush do ta shkelte këtë porosi, do të trajtohej si ish - ministri. Unë, si gjithnjë, nuk arrita dot ta mbaj si sekret dhe, me të mbërritur në Tiranë, takova një mikun tim, oficer madhor, Memisha Jonuzaj dhe ia tregova te gjitha një për një. Por ai nuk ndoqi shembullin tim, nuk tregoi kurrë. Më 9 korrik, mbasdite, megjithëse Fuat Celikut, që përgatiti diskutimin, iu tha fillimisht se do të fliste Komandanti i Përgjithshëm, pastaj se do të fliste Ramiz Alia, në fund foli Hitua. Fuati e di se çfarë kemi hequr ne, disa shokë për ta gjetur atë, kurse Ramiz Alia, jo vetëm që u befasua, por edhe e përgëzoi publikisht, për nivelin e fjalës së rastit.
Korrik, mbledhja e Plenumit të 5 - të të KQ të PPSH
Më 25 - 26 korrik u bë mbledhja e Plenumit të 5 - të të KQ të PPSH - së ku u dënua vetëm Beqir Balluku, krahas ndonjë kritike tjetër të lehtë, ndërsa më 29 korrik doli edhe një qarkore në parti për veprimtarinë armiqësore të Beqirit. Muaji korrik 1974 dhe fillimi i gushtit kaluan duke bërë mbledhje e analiza në linjë Partie dhe drejtorie në Shtabin e Përgjithshëm. E kush nuk na erdhi i deleguar për “materialin e zi”?! Në fakt oficerët e gjeneralët më të aftë, më të lapsit, si: Rahman Parllaku, Ernest Jakova, Spiro Shalësi, Elami Hado, Agron Çomo, Hysen Burba, Ilo Furrxhi, etj kritikoheshin rëndë dhe ngriheshin në qiell Petrit Dume e Hito Çako si shpëtimtarë të ushtrisë. T’i shkruash të gjitha ato që kemi thënë në atë kohë të shkurtër nuk dalin volume të tëra. Rreth 10 - ditëshit të parë të gushtit udhëheqja e stërvitjes me trupa “Semani” u vendos në çadrat e Golemit për përgatitjen e saj me shtabe (komando - shtabi) e pastaj me trupa.
Stërvitja në Korpusin e Fierit
Kur ishim në kulmin e përgatitjes së stërvitjes me Korpusin e Fierit shikojmë të futen në qendrën e çadrave dy makina te zeza te tipit “Citroen”, nga të cilat zbresin Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Ne dolëm të gjithë nga çadra e madhe (çadra e punës) dhe Mehmet Shehu, mbasi i tërhoqi vëmendjen Petrit Dumes dhe urdhëroi që udhëheqja e stërvitjes, së bashku me grupin e punës, të kthehej menjëherë për të vazhduar përgatitjen nga zyrat e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, ndërsa nënvizoi që Diko Zequa të vazhdonte ruajtjen e mbajtjen në gatishmëri të fushimit për më vonë. Kur po fillonte lëvizja, Dumja thirri Sofo Donën (shefi i degës ekomomike), doktorin e mrekullueshëm Ismail Feta dhe mua duke na dhënë disa detyra shtesë për fushimin, sidomos për materialet grafike dhe tekstuale të stërvitjes. Me dr. Ismail Feten, për sa ditë ndenjëm bashkë, kritikonim pa pushim Beqir Ballukun dhe i thurëm lavde Petrit Dumes si shpëtimtar i situatës. Dr. Ismailin më vonë erdhi dhe e mori me helikopter Dumja dhe shkuan bashkë në përvjetorin e festes së Br. XVIII të Dibrës ku ai kishte qenë zv.komandant. Edhe unë u urdhërova të shkoj në Tiranë e mandej në stërvitjen komando - shtabi të korpusit të Fierit duke u vendosur në periferi të Kuçovës, pranë plepave. Atje, krahas punës, gjeja kohë dhe mezi prisja të rrija me kushëririn tim të parë, që e dua dhe e respektoj shumë, së bashku me bashkëshorten e vet të mrekullueshme Saiden. Por shpesh me ne vinte edhe Maks Subashi me Ramadanin. Ndërkohë, Beqir Balluku me familjen e vet ishte internuar në Selenicë të Vlorës dhe kudo, në njësi e reparte, vazhdonte dënimi i tij. Ndërsa në Shtabin e Përgjithshëm, krahas përgatitjes së stërvitjes së Fierit, të ashtuquajtur “Semani”, bëhej edhe grumbullimi i materialeve që kishin dërguar kuadrot mbi “materialin e zi”, si edhe vazhdonin diskutimet për Beqirin, Petritin dhe Hiton. Petritit i erdhën edhe mjaft telegrame e urime të tjera për rezistencën që i kishte bërë ndër vite Beqirit.
Korpusi i Fierit
Korpusi i Fierit ishte nga më të mëdhenjtë e ushtrisë. Ai shtrihej që nga dredhja e lumit Shkumbin deri te kalaja e Borshit të Sarandës; pra, në disa rrethe, duke përfshirë edhe forcat e ishullit të Sazanit e ato të Flotës. Komandanti Veli Llakaj ishte oficer i hershëm dhe i suksesshëm kudo. Stërvitja me komandat e shtabet përfundoi në fund të gushtit. Po fillonte stërvitja me trupa “Semani”, e cila do të zgjaste nga data 1 - 4 shtator, nga më të mëdhatë në forca, mjete, shtrirje, shpërndarje, përgjithësime, detyra, etj.. Para se të jepej sinjali i hapjes dhe i mobilizimit me provë ngritje në kushtrim, befasisht udhëheqja e stërvitjes u vendos në fshatin Mbyjet, afër Fierit. Pothuajse, gjithë Byroja Politike, Sekretaret e Parë dhe Kryetarët e Komiteteve Ekzekutive të rretheve, krijues të fushave të ndryshme dhe grupe artistike nga Tirana e rrethet mbërritën aty. Mbaj mend që Lirim Deda shoqëronte Dritero Agollin, Ismail Kadarenë, etj.. Aparati i imitimit me Kristo Pecanin, Rako Pandon, Dhimitër Dukën, grupi shkencor me Shahin Lekën, Drino Bratin, Dhimitër Ndrenikën, Zoi me bibliotekën, si gjithmonë Kokeri me sekretarinë dhe Ymeri me materiale tepër sekrete dhe ndërmjetësit në numër të paparë ndonjëherë, tërhiqnin vëmendjen. Si gjithmonë, në lëvizje të paparë Diko Zeqo e Sofo Dona së bashku me kameramanët e kineastët. Kuadrot kryesore të rretheve Vlorë, Fier, Lushnjë e Berat ndiqnin hap pas hapi kontingjentet e shumta që kompletonin njësitë e repartet e ndryshme. Shtabi i Përgjithshëm e kryesisht Drejtoria Operative, Ndërlidhjes, Organizimit dhe e Zbulimit ishin në pikën me të lartë të “vëllimit” që s’e kisha përjetuar ndonjëherë, pa përjashtuar drejtoritë dhe komandat e tjera. Pranë shtabit të udhëheqjes qëndronin në gatishmëri dhe punonin pa ndërprerje një grup oficerësh të kualifikuar nga të gjitha llojet e armëve dhe shërbimeve, krahas drejtorëve si: Fredi Toro, Xhemil Çela, Mumin Hoxha, Bilbil Alia, Mendu Tetova, Maksim Subashi, Syrja Demçolli, Xheladin Seferi, Bajo Topulli, Ymerli Alimeri, Hysen Arapi, Koli Tashi, Hysen Burba, Robert Hajro dhe Kostaq Karoli me imitimin e tij. Pati momente nga më interesantet, sidomos me grupin e kuadrove kryesore të rretheve, të Brigadës së Vlorës, Brigadës së Tankeve, të Marinës dhe me Shtabin e Mbrojtjes së rrethit Fier në vendkomandën e kohës së Luftës, që drejtohej nga Piro Gusho dhe bashkëbisedimi me kuadrot kryesore në kinemanë e Lushnjës, me imitimin, me kameramanë, etj..
Takimi mbresëlënës i Mehmet Shehut me qytetarët fierakë
Një takim shumë mbresëlënës do të ishte ai i Mehmet Shehut me një masë të madhe qytetarësh fierakë në qendër të Fierit në një vendstrehim model, ku unë takova edhe një hallën time, Haxhik Sinaj, e cila rrinte me djalin e saj mësues ndër vite, Sabri Sinaj. Në këtë kohë Beqir Balluku, nga Selenica ishte zhvendosur në Roskovec. Niko Dulaku e Petraq Kolonjari ishin te grupi i konkluzioneve. Kishte vite që ishte kthyer në detyrim e traditë që udhëheqësit kryesorë do t’i shoqëronte një oficer që e njihte mirë planin metodik të stërvitjes. Mua më caktuan me Mehmet Sheun, kurse Adem Çopanin me Hysni Kapon dhe Adil Çarçanin. Ngarkesat ishin të mëdha dhe të përditshme, pa orar, me ditë të tëra dhe duhet t’i raportonim për gjithçka edhe Petrit Dumes e Hito Çakos. Mehmet Shehun unë e kisha shoqëruar në stërvitjen “Kaptina” me korpusin e Burrelit, më 1973, në Malin me Gropa,Martanesh e deri te takimi me vullnetarët e hekurudhës Librazhd - Përrenjas. Sa herë shiheshim, më thoshte: “Si e keni Alush Majkon? Po ecën mirë kooperativa ?”. Ishte fjala për kryetarin e kooperativës “Hysni Kapo” Vranisht - Tërbaç. Ne krahas, shumë dokumenteve të stërvitjes (grafike, teksuale), pajisje që i mbanim me vete, kishim edhe një dokument bazë: Plan-kalendarin e veprimeve luftarake të njësive dhe reparteve pjesëmarrëse, me vendin e orët operative dhe astronometrike. Në atë plan përcaktohej se ku duhej të ishte çdo pjesëmarrës dhe çfarë duhej të bënte, si edhe i rekomandohej udhëheqjes se çfarë duhej të shikonte sipas diteve dhe orëve. Në këto pika, kuadrot drejtuese që organizonin pritjen dhe u bënin shpjegimet e nevojshme të pranishmëve, përfshinin televizionin, shtypin, kineastet, etj.. Unë flija në një çadër me Adem Çopanin dhe, duke shkëmbyer mendime për veprimet e ditës, vëreja se ai gjithmonë jepte opinione mbresëlënëse për Hysniun dhe Adilin në njohje të situatës dhe mirëkuptimin e çështjeve që do të ndiqnin gjatë ditës, për takimet e ndryshme, etj.. Pra kësisoj asnjë ndryshim nuk pësonte plani i përgatitur me kohë. Ndryshe qëndronte puna me eprorin tim, Mehmet Shehu. Ai, mbasi njihej që në darkë me planin e ditës së ardhshme, bënte ndryshime të mëdha, sepse njihte me imtësi terrenin dhe veprimet që duhet të bëheshin. Donte të shikonte mënyrën e dhënies dhe marrjes së sinjalit nga vend - komandat e kohës së luftës, hapjen e mobilizimin e dy - tre njësive e reparteve; vendosjen e shtabeve dhe trupave në kushte fushore; zënien e bazave të nisjes; kalimin në mësymje; futjen e skalionit të dytë; rrethimin, asgjësimin; vazhdimin e sulmit ; përforcimin e buzës së ujit, ndjekjen e analizave, etj. Qe një rast i rrallë, e i papërsëritshëm, imitimi në përgjithësi dhe sidomos ai në ombrellë, e desantimit ajror. Sa mirë do të ishte t’i jepte televizioni këta përbërës. Çdo ditë mund te ballafaqohen volume të tëra për t’i përshkruar.
Nesër do të lexoni:
-Stërvitja “Semani”, më e madhja në historinë e ushtrisë shqiptare
- Dënimi i librave “Psikologjia e ushtarit” , “Filozofia ushtarake”
-Për “punë të dobët dhe mashtrime” u shkarkua komanda e Brigadës së Tankeve, Fier
- Ardhja e befasishme e Hito Çakos në zyrën e Petrit Dumes
-Thirrja urgjente e Hitos për të ardhur Petrit Dumja
- Petrit Dume këndonte gjithmonë “Kolonjë, e bukur Kolonjë…”
- Drejtoria Politike, nën drejtimin e Hitos kishte përkthyer disa libra ruse me përmbajtje revizioniste
- Fjalimi “bombë” i Enver Hoxhës
“Të fshijmë me fshesë të hekurt veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos, e Rrahman Parllakut”
-Letra asgjësuese e Hito Çakos, “Jam armik, jam me shfaqje revizioniste
-Përgatiti për botim: Albert ZHOLI
Krijoni Kontakt