Panariti: Kontroll për restorantet që tregtojnë dateri, për kapjen e moluskut shkatërrohen koralet



Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nis kontrollet në të gjitha restorantet për të ndaluar servirjen e molusqeve me emrin dateri, tregtia dhe konsumi i të cilave ndalohet me ligj në vendin tonë dhe në të gjithë botën.

Kreu i Ministrisë së Bujqësisë, Edmond Panariti, ka deklaruar se kërkon bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme për rritjen e kontrolleve dhe patrullimit detar, pasi ata që gjuajnë peshk me dinamit dhe ushtrojnë gjuetinë e paligjshme, duke shkatërruar pasuritë nënujore, duhen klasifikuar si kontingjent i personave që kryejnë akte kriminale. Panariti ka kërkuar arrestim për ta dhe jo penalizim apo ndëshkime të tjera.

Panariti ka kërkuar nga qytetarët që përpara se të konsumojnë dateri në restorante të mendojnë se për kapjen e tij, shkatërrohet një metër shkëmb koral.

Dje, ministri i Bujqësisë, bëri të njohur nismën e dikasterit që drejton për të ndalur njëherë e mirë vjeljen, tregtimin, shpërndarjen dhe servirjen e daterit në restorantet tona.

Dateri është një molusk që ndalohet kategorikisht të peshkohet në Shqipëri. ashtu si në gjithë vendet e tjera të botës, me ligjin 64/2012 “Për peshkimin” (neni 16 dhe 37).

Ministri Panariti ka urdhëruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit të ushtrojë kontroll në gjithë këto restorante, ku tregtohet dhe serviret dateri. Ai garantoi se do të bashkëpunohet me Ministrinë e Rendit për të ndaluar gjuetinë e paligjshme të peshqve me dinamit dhe lëndë të tjera plasëse, duke e quajtur këtë lloj gjuetie si një akt kriminal dhe fajtorët duhet të arrestohen dhe jo gjobiten.

“Do të fillojmë ndalimin me çdo kusht të vjeljes, tregtimit, shpërndarjes së një molusku, i cili mbrohet me ligj, ku ndalohet vjelja dhe shpërndarja e tij në të gjithë rrjetin tregtar dhe në pikat fundore restorante.

Bëhet fjalë për daterin, për moluskun e njohur që ligji shqiptar e ndalon plotësisht vjeljen e tij, sepse kjo dëmton rëndë shkëmbinjtë gëlqerorë e nënujorë ku ai rritet.

Për këtë arsye, i kam dhënë urdhër Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, që menjëherë të thërrasë të gjithë shpërndarësit dhe tregtuesit e këtij molusku, të gjithë rrjetin e restoranteve që e kanë përfshirë si pjesë të menysë së tyre këtë molusk dhe të bëjnë ç’është e mundur që ky molusk të mos vilet”, deklaroi dje ministri i Bujqësisë.

Sipas tij, përdorimi i dinamitit, lëndëve plasëse për qëllime peshkimi do të konsiderohet i barasvlefshëm me krimin e mbajtjes e përdorimit të armëve. “Unë do të jem në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Rendit për të monitoruar përdorimin eventual të këtyre lëndëve plasëse për peshkimin dhe ne do ta ndalojmë atë me çdo kusht, – në radhë të parë sepse përdorimi i lëndëve plasëse është i rrezikshëm për jetën njerëzore, përdorimi i lëndëve plasëse, përveç dëmeve që shkakton te peshqit, dëmton në mënyrë të pariparueshme edhe gjithë ekosistemin ku peshku rritet. Natyrisht përdorimi i lëndëve plasëse shkakton dhe sedimentimin e sasive të mëdha të peshqve në fund të detit dhe përmes procesit të dekompozimit, purifikimit, kemi një ndotje masive të ujërave tona bregdetare”, sqaroi ministri. //////Panariti ka sqaruar se në një takim me ministrin e Brendshëm.////// Edmond Panariti, ka kërkuar që edhe patrulla bregdetare të përfshihet në identifikimin dhe lokalizimin e gjithë personave që përdorin dinamit apo lëndë të tjera plasëse për qëllime peshkimi. Lorina Mixha

gazeta shqip
Autor Lorina Mixha te 22 Janar 2014