Intervista/ Flet gazetari i bujqësisë dhe kineasti, Fuat Memeli:

-Si lindi në vitin 1969 gazeta “Studenti i bujqësisë”

-Një nga të ftuarit special në emisionet e mia ishte dhe Rexhep Meidani

-Todi Lubonja, erdhi me frymën e novatorizmit në TVSH

- Todi Lubonja ishte një nga figurat më të shquara që ka drejtuar RTSH-në

- Todi Lubonja deshi të largojë nga institucioni njerëzit e paaftë

- Nga TVSH-ja, më larguan pasi kishin “njolla” në biografi

- Petrit Kalakulla, ishte një nga specialistët më të mirë të bujqësisë

-“Katër nga të 4000-të” filmi i parë i realizuar në ish -Ndërmarrjen Bujqësore të Sukthit

-Ministri i parë i Bujqësisë që kam intervistuar, ishte Pirro Dodbiba

“Tesera” ime ka qenë pasioni për punën. Me këtë “armë” mbijetova gjatë 42 vjetëve punë”




Albert ZHOLI

Një jetë tepër e bukur, por dhe e vështirë. Plot 42 vjet si gazetar bujqësie, por dhe si realizues i dhjetëra filmave dokumentarë për bujqësinë. Qysh në rini ishte ndër nismëtarët e krijimit të gazetës “Studenti i bujqësisë”. Më pas, vijon si një ndër gazetarët e parë të televizionit të parë shqiptar për çështjet e bujqësisë. Ai më pas u “ankorua” në Ministrinë e Bujqësisë ku ka ndërruar plot 15 ministra, pa u larguar (për shumë vite) as dhe një ditë nga kjo ministri me të cilën kishte lidhur jetën. Pas 42 vitesh punë intensive, ku ka ndërruar mbi 15 ministra, ai e sheh veten në pension, por duke mos hequr dorë kurrë nga gazetaria. Pasioni për të e mban gjithmonë të ri.



Kini qenë kryeredaktor i parë i gazetës “Studenti i bujqësisë”.Kush ju caktoi në këtë detyrë?



Kjo pyetje më çoi larg në vitet e rinisë, kur isha student, afro gjysmë shekulli më parë, kohë kur marrin udhë pasione të ndryshme. Ishte fillimi i vitit 1969, kur lindi kjo “fëmijë” e re e shtypit shqiptar, gazeta “Studenti i bujqësisë”, organ i Komitetit të Rinisë të ish Institutit të Lartë Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Para saj, ishte krijuar gazeta “Studenti”, organ i Komitetit të Rinisë të Universitetit të Tiranës. Në atë kohë, ne ishim një grup letrarësh të rinj dhe thoshim: -pse të mos kemi edhe ne gazetën tonë? Me mbështetjen e Komitetit të Rinisë së Institutit dhe konkretisht të veprimtarëve Xhevat Shima, Sulejman Pepa, të ndjerit Vangjel Paçi si dhe të pedagogëve Hulusi Hako, Qefqep Kambo, Myfit Balani, Remzije Dvorani etj., krijuam këtë gazetë. Komiteti i Rinisë si dhe pedagogët e mësipërm, më caktuan mua në detyrën e Kryeredaktorit, nisur nga fakti që isha në vitin e dytë të kursit dyvjeçar të gazetarisë dhe kisha botuar mjaft shkrime e poezi te “Zëri i Rinisë”.Në redaksi ishin edhe Namik Doklja, i ndjeri Avdi Dule, Todi Shkëmbi, Qemal Sakajeva, etj.. Ishte një gazetë e thjeshtë, por qe zëri i studentëve të bujqësisë në ato vite. Unë i rruaj si kujtime të çmuara numrat e parë të saj. Më vonë kjo gazetë u bë një vatër e mjaft krijuesve të njohur që dolën nga ky institut. Një impuls tëri i dha asaj gazetari Shefqet Meko, icili punoi si kryeredaktor i saj për shumë vite, deri më 1992 kur ajo u mbyll.



Kur filluat punë në TVSH dhe kush ishte drejtor në ato vite?



Në TVSH fillova punë në shtator të vitit 1969. Ishte një gëzim i veçantë për mua. Rreth 20 studentë që mbaruam kursin dyvjeçar të gazetarisë, pranë Fakultetit Juridik, u caktuan në organe të ndryshme të medias si në gazeta, radio, TVSH dhe revista të kohës. Drejtor i Televizionit në ato vite, ishte i ndjeri Klimi Misja, një njeri korrekt, babaxhan e dashamirës që nuk dinte të bënte keq. Më vonë, kur erdhi drejtori Përgjithshëm, Todi Lubonja, në frymën e novatorizmit që desh të vendoste në TVSH, e largoi Klimin nga kjo detyrë. Kjo ngjarje e tronditi shumë Klimin, i cili pësoi paralizë dhe më vonë vdiq. Desha të kujtoj edhe shefin tim të parë në TVSH, Kliton Gilanin, njeri me shumë kulturë dhe tepër i sjellshëm. Në fillim, kur zyrat i kishim te godina e Radio”Tiranës” (atëherë nuk qe ndërtuar godina e TVSH-së) unë u mora me emisionet shkencore, sepse nuk kishte filluar emisioni i bujqësisë. Te ftuar kisha specialistë me emër si Sotir Kuneshka, Rexhep Meidani, Emil Plumbi, etj.. Pas një viti e ca, fillova emisionin e bujqësisë, ndërsa me emisionet shkencore u morr për shumëvite, gazetari e regjisori i njohur, Xhemal Mato.

Cili ishte dokumentari i parë që keni realizuar në TVSH?

Dokumentari im i parë në TVSH, ishte ai me titull “Katër nga të 4000-të”realizuar në ish- Ndërmarrjen Bujqësore të Sukthit, me operatorin Tomor Topore, që më vonë u bë redaktor. Nga 4000 punëtorë që kishte ajo ndërmarrje, mendova që dokumentari t’i kushtohej katër prej tyre që ishin në pararojë. Kishte edhe një tingëllim të bukur në titull. Ishte me film 16 m/m siç punohej në ato vite në TVSH. Atëherë ishim me pak përvojë në fushën e filmit, pasi nuk kishte shkollë të specializuar, por kishim një mjeshtër montazhi, të ndjerin Ismail Balla, nga i cili mësuan për montazhin, gjithë krijuesit e TVSH-së të asaj kohe. Gjithashtu, kishim edhe montazhiere të shkathëta si: Nadia Qatipin, të ndjerën Flora Gjika, Rezarta Kokalarin, etj., që e stolisnin punën tonë.

A ke intervistuar ndonjë ministër Bujqësie kur ishit në TVSH?

Ministri i parë i Bujqësisë që kam intervistuar, ishte i ndjeri Pirro Dodbiba. Ai kishte mbaruar shkëlqyeshëm në ish-Bashkimin Sovjetik dhe qe i pajisur me një kulturë të gjerë. Intervistat me ministrat zakonisht bëheshin në prag të Vitit të Ri ose në prag kongresesh. Pirrua vinte në studio me disa copa letre të vogla, ku kishte shënuar vetëm ca shifra. Ishte shumë i rrjedhshëm dhe i saktë gjatë intervistës. Mbaj mënd që kur mbaronte biseda, kameramanët dhe punonjësit e tjerë të teknikës që regjistronin intervistën, thoshin:- Këtu janë intervistuar shumë ministra, por nuk kemi parë ministër që të flasë si ky! Qenka orator! Dhe vërtet i tillë ishte Pirro Dodbiba. Më erdhi shumë keq kur e shkarkuan nga detyra, gjoja si disfatist në bujqësi dhe e internuan. Pas viteve ‘90 kur u kthye nga internimi, shkova e takova në shtëpi dhe i bëra një intervistë të gjatë. Isha edhe në varrimin e tij.



Ju kini punuar në këtë institucion edhe në kohën kur ishte Drejtor i Përgjithshëm, Todi Lubonja. A ruani ndonjë kujtim për ‘të?



Pavarësisht se nuk punoi gjatë aty, Todi Lubonja ishte një nga figurat më të shquara që ka drejtuar RTSH-në. Krahas futjes së frymës së re bashkëkohore dhe më liberale në atë gjigand të medias të asaj kohe, ai deshi të largojë nga institucioni edhe njerëzit e paaftë që si kudo, kishin depërtuar edhe aty, nisur nga biografia ose nga afërsia me pushtetarët e gjithë niveleve, deri te anëtarët e Byrosë Politike. Në një mbledhje të Televizionit, ai tha:-Dua t’ju bëj një provim gjithë ju krijuesve. Provimi nuk do jetë as me gojë, as me shkrim, por do jetë një emision që do realizojë secili prej jush. Zgjidhni një temë çfarë të doni. Kur të transmetohet, më njoftoni ta shoh. Unë së bashku me operatorin Tomor Topore, zgjodhëm të bënim një telereportazh për sharrëtarët në pyjet e Pukës dhe Fushë-Arëzit. Ndenjëm aty 4-5 ditë, duke filmuar aspekte të ndryshme nga puna dhe jeta e sharrëtarëve. Te ky telereportazh, përdora për herë të parë edhe intervistën me film 16 m/m në terren (me figurë dhe zë) ose sinkronën, siç quhet në gjuhën televizive.(Para pak kohe e kishte përdorur sinkronën i ndjeri, Alfons Gurashi e ndonjë tjetër. Për këtë arritje teknike, kishte meritë inxhinieri i zërit, Gjergj Shteto. Telereportazhi që e titulluam “Miniera e gjelbër”, doli mjaft i bukur. Kur erdhi dita e transmetimit, nëpërmjet shefit të Programacionit, Fuat Bozgo, u njoftua Todi për ta parë. Në transmetim isha edhe unë, pasi titrat i vinim direkt, sipas radhës së personave që flisnin. Sapo mbaroi emisioni, bie zilja e telefonit. Ishte Todi Lubonja, i cili i tha Fuatit: “E pashë emisionin e atyre djemve dhe më pëlqeu mjaft. I thoni që e kaluan klasën me notë të mirë”.Ishte një lajm shumë i gëzueshëm për ne. Më erdhi keq kur e shkarkuan pas Festivalit të 11-të, kur vazhduan mbledhje pafund të organizatës së partisë dhe kolektivit, duke i dhënë dënimin që dihet. “Rrufeja” e tij erdhi nga lart, nga “Zeusi” dhe nuk kishte “rrufepritës” që ta mbronte.

Pse ju hoqën nga TVSH-ja? Kush e nxiti largimin tuaj?



Largimi nga TVSH-ja, është një nga ngjarjet më të rënda që kam përjetuar. Ishte viti 1975. Pas dënimit të ushtarakëve të lartë si dhe grupit të liberalëve, të përfaqësuar nga Todi Lubonja e Fadil Paçrami, goditja filloi të zbresë më poshtë. Pas mbledhjeve të njëpasnjëshme, ku vinin të deleguar nga Komiteti Qendror dhe komiteti i partisë, filloi “sitja” e gjithë dokumenteve të punonjësve. Më në fund doli lista që rreth 20 vetë duhet të largoheshin nga TVSH-ja, pasi kishin “njolla” në biografi. Midis tyre, isha edhe unë. Nuk e prisja largimin për këtë arsye, pasi isha ndër punonjësit e dalluar të institucionit, fotografia ime ishte në tabelën e nderit, kisha xhaxhanë dhe motrën komunistë, një kushëri të parë të babait që ishte dëshmor dhe emrin e tij e mbante shkolla e fshatit, babai kishte qenë në njësitin gueril të fshatit, etj.. Këtë biografi dija unë, por në dokumente kisha një biografi tjetër. Sekretari i partisë së fshatit dhe ndonjë dashakeqës tjetër, nuk kishin shkruar asgjë nga ato më lart, por kishin vënë një kushëri të parë të babait të vrarë pas shpine nga strukturat e Sigurimit të Shtetit se gjoja do arratisej në Greqi, një kushëri të dytë, nxënës i shkollës së mesme që kishte tentuar të arratisej si dhe një xhaxha që kish qenë tre muaj xhandar në kohën e Zogut. Veç këtyre, vigjilentët e fshatit kishin dërguar edhe një thes me letra në komitetin e partisë së Tiranës. (Këtë ma ka thënë më vonë një instruktor i këtij komiteti). Mbaj mënd që shkova në zyrën e kuadrit për t’u ankuar pse më largonin, por një punonjëse e asaj zyre, nxori dosjen time dhe më tha :-Shiko se çfarë biografie ke ti!- dhe më tregoi dosjen. Për herë të parë pashë dosjen time. S’kisha se çfarë t’i thosha. Nuk ishte thjesht largimi që më shqetësonte. Më shumë më brengoste “njolla” që do më ndiqte pas, megjithëse, realisht unë nuk i përkisja njerëzve me biografi të keqe, siç quheshin fatkeqësisht këta njerëz në atë regjim të egër. Largimi im ishte një paradoks: motra ime pranohej në parti ndërsa unë largohesha nga TVSH-ja për “njolla” në biografi! E tillë ishte ajo kohë, me shumë paradokse!

Agronom në Petrelë. Si ju pritën aty dhe si ishte gjendja e asaj ekonomie?



Shumë nga ata që i larguan nga TVSH-ja, i dërguan në rrethet e Veriut. Unë duke qenë gazetar dhe agronom, kur kishte shkuar lista në komitetin Ekzekutiv të Tiranës nga bëhej shpërndarja e të larguarve, ish zv/kryetari i këtij komiteti, i ndjeri Faik Ahmeti, kish thënë:-Ky djali qenka edhe agronom. Kemi një vend bosh në kooperativën e Petrelës. Ta çojmë aty. Me fjalën e Faik Ahmetit, të cilit i jam mirënjohës, mbeta në rrethin e Tiranës dhe fillova punë në Petrelë si agronom sektori. Mbatha çizmet dhe ju përvesha punës. Kjo ekonomi në ato vite, ishte e dobët. Për ta forcuar kishin sjellë kryeagronom Petrit Kalakullën, të cilin e kishin larguar po atë vit nga seksioni i Bujqësisë së Tiranës, për “njolla” në biografi. Unë kisha mbaruar për agronomi, por nuk kisha punuar në prodhim. Me ndihmën e bujqve të vjetër të Petrelës, mësova shumë. Mbi të gjitha mësova nga kryeagronomi, Petrit Kalakulla, i cili ishte një nga specialistët më të mirë të bujqësisë, jo vetëm të rrethit të Tiranës, por edhe të Republikës. Petriti ishte kërkues i madh. Na bërtiste e na shante në mbledhje, sigurisht për punën, por në fund të saj, thoshte: -Mbledhja mbaroi. Tani do shkojmë të pimë kafe. Aty bëhej tjetër njeri, i njëjtë me ne dhe me një humor të veçantë. Dora e Petritit dhe kuadrove të tjerë të ekonomisë, u ndie në rezultatet e saj, të cilat ndryshuan për mirë. Petriti përkrahu proceset demokratike dhe arriti të bëhet Kryetar i PD-së së Tiranës e më pas ministër Bujqësie. Ai kishte tjetër ide për transformimin e ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore, por fatkeqësisht idetë e tij, nuk u morën parasysh.

Nga Petrela, në ish- Shtëpinë e Propagandës Bujqësore. Si ndodhi kjo?



Një ditë prej ditësh, vijnë në kooperativën e Petrelës, ish -drejtori i Shtëpisë së Propagandës Bujqësore, i ndjeri Faik Labinoti si dhe ish- sekretari i partisë, Lefter Peço. Më takojnë dhe më thonë: - A ke dëshirë të vish të punosh në SHPB? -Pa diskutim! –i thashë unë, po të jetë e mundur që sot. Ata biseduan edhe me drejtuesit e kooperativës, të cilët u treguan dashamirës me mua. Pas një muaji e ca, u largova nga Petrela, nga e cila kam shumë kujtime. Mbaj mënd që shkova në çdo brigadë për t’u takuar. Disa gra në fshatin Durisht, qanë kur u ndamë. Ishte një respekt i ndërsjellë, që kishte lënë gjurmët e tij. Fillova punë si gazetar në sektorin e filmit bujqësor të SHPB-së. Drejtuesit e SHPB-së, më morën aty, megjithë “njollat” që kisha në dokumente, por ata ishin interesuar që unë kisha edhe të dhëna të tjera. Shkuan në fshat e morën të dhënat reale. U jam mirënjohës!



Pyetje: Diçka për filmat që kini realizuar në këtë institucion?



Përgjigje: Ministria e Bujqësisë, ishte ndër të paktat institucione që kishte grup filmi. Ideatore e ngritjes së tij, qe gazetarja Ballkiz Halili. Para meje kishte punuar në këtë sektor, gazetarja Amali Dhamo, e cila kaloi në TVSH. Filmat që realizonte ky sektor, ishin të karakterit tekniko-shkencor. Autorë të skenarëve, ishin specialistë me emër të bujqësisë si Hysen Laçej e Ahmet Osja për misrin, Alfred Xhomo për grurin, Hysen Çobani për domaten, Ali Lazareni për duhanin,Eqerem Meçollari për pataten, Pavli Papazisi për derrin e plot të tjerë.Në vitin 1982 ,unë morra edhe titullin”regjisor i filmit dokumentar” nga komisioni përkatës në ish Kinostudio.Shumicën e proceseve me filmin 16 m/m,i bënim vetë, ndërsa ndonjë prej tyre e realizonim në TVSH. Nga fundii viteve ’80-të, ne blemë edhe një kamera profesionale tip “Beta”, kështu që u rrit cilësia e filmave tanë.Krahas dokumnetarëve, realizonim edhe disa kronika e emisione të veçnata, të cilat gjithashtu trasmetoheshin. Dua të përmënd me këtë rast, punën e madhe që kemi bërë më kolegët e grupit të filmit, operatorin Muharrem Dhëmbi si dhe opeartorin e zërit e montazhierin, të ndjerin Artan Tartari. Pas viteve ’90-të, punova me një operator tjetër të pasionuar, Fatos Lolin, me të cilin kemi marrë pjesë edhe në disa festivale ndërkombëtare të filmit dokumentar dhe kemi fituar pesë çmime, ndërsa me kolegët e para viteve ’90-të, kemi marrë pjesë në disa festivale të filmit dokumentar që organizonte ish Kinostudjoja dhe TVSH-ja e kemi fituar tre çmime.Si numër dokumentarësh që kam realizuar,bëhen rreth 100.



Pyetje: Cila ka qënë dita juaj më e vështirë gjatë punës me filmat dokumentarë?



Përgjigje: Ishte një ditë kur xhironim për filmin dokumentar titulluar”Shtegëtarët” ,me skenar të Haki Kolës, kushtuar barinjve të Kalasë së Dodës në rrethin e Dibrës. Xhironja me operatorin Fatos Loli dhe na shoqëronte specialisti i pyjeve të këtij rrethi, Rexhep Ndreu. Pasi kishim filmuar momente të ndryshme nga puna dhe jeta e blegtorëve nëpër stane pranë malit të Korabit, deshëm të ngjiteshim te një vënd i quajtur “Fusha e Panairit”, që ndodhet jo shumë larg majës së këtij mali. Duke u ngjitur me këmbë në lartësi, unë ndjeva dhimbje të forta në gjoks. U zverdha e më hipën djersët. Ndaluam në vënd por shokët nuk dinin ç’të bënin. Unë kisha trinitrina me vete, sepse herë pas here më shqetësonte zemra. Pasi piva një kokër dhe pushuam rreth gjysëm ore, u qetësova. Shokët deshën që të ktheheshim por unë këmbëngula për të shkuar dhe vazhduam rrugën për te “Fusha e Panairit”. Thuhej se te kjo fushëz para Çlirimit ishin organizuar panaire bagëtish, nga ikish mbetur edhe emri. Kur mbritëm aty, pamë një vënd të bukur, një mrekulli të natyrës, një fushëz e vogël pranë Korabit, e mbushur plot lule, me një burim të madh uji, që pasi qarkonte fushëzën, humbiste në një shpellë. Ky episod, ishte një nga më të bukurit e dokumentarit” Shtegëtarët”, me të cilin morrëmedhe çmimin e Presidentit të festivalit, në Nitra të Sllovakisë.



Pyetje: Sa ministra Bujqësie kini ndrruar dhe kë do të veçonit për përgatitje, saktësi e korektesë?



Përgjigje: Gjatë viteve të punës sime, kam ndrruar 15 ministra bujqësie.T’inumerosh, lodhesh. E fillova me Pirro Dodbibën dhe e mbylla me Genc Rulin. E kam vështirë të veçoj emra por po përmënd disa për cilësi të veçanta që kishin. Pirro Dodbiba, ishte njeri me horizont të gjerë dhe njohës i mirë i politikave bujqësore; Themije Thomaj, shquhej për operativitet dhe nuk i shiste specialistët e bujqësisë.Kam dëgjuar mjaft raste që ajo i ka mbrojtur në strkuturat e sipërme; Ahmet Osja- specialist bujqësie me njohuri të gjithanëshme, njeri që e ka dashur dhe i do bujqësinëe fshatarët, si rrallëkush; Petrit Kalakulla, njohës i mirëi bujqësisë, kërkues dhe irreptë, por mjaft i drejtë; Rexhep Uka, si minister i parë i bujqësisë pas demokracisë,kishte shumë punë dhe shpesh punonte deri në mesnatë;Hasan Halili, njohës i mirë i bujqësisë, pasi kish punuar disa vjet në prodhim, mbaj mend që vinte ndër të parët në punë, i urrente servilët; Haxhi Alikoja,vinte nga bota akademike edhe ky por dëgjonte shumë specialistët.Mbaj mend që takimin e parë e ka bërë me specialistë të vjetër, me emër në bujqësi e blegtori; Bamir Topi vinte nga IKV-ja ku kishte qënë drejtor,i vlerësonte institucionet shkencore dhe ishte dinamik; Lufter Xhuveli, edhe ky ishte i një natyre akademike, pasi kish qënë disa vjet rektor i Institutit Bujqësor. E deshte median dhe kërkonte të pasqyrohej puna e bujqësisë;Agron Duka, specialist bujqësie i ardhur nga bota e biznesit, ishte njeripraktik, nuk i kishte qejf protokollet;Jemin Gjana,edhe ky njohës i mirë i bujqësisëe traditave të fshatit, pasi kish punur shumë vite në prodhim. Në takimet që zhvillonte nëpër rrethe, pas mbarimit tëtyre , i kthente ato në festa të vogla, të cilat u ngjitnin mjaft njerëzve të bujqësisë; Genc Ruli, ekonomist mjaft i zoti, por mendoj se emërimi tij në Ministrinë e Bujqësisë,nuk ishte i goditur. Në ministri të tjera, ai mund të jepte më shumë.Mendimi imështë që titullarët e ministrive, të institucioneve dhe drejtorive të ndryshme, duhet të jenëspecialistë, bile nga më të mirët.Fatkeqësisht si dje në kohën e PD-së, edhe sot të PS-së, në mjaft raste emërohen militantë, jashtë profileve. Boll me eksperimente të tilla!



Pyetje: Në regjimin komunist, a kini qënë jashtë shtetit dhe si jeni ndier kur jeni kthyer?



Përgjitgje: Para viteve ’90-të, kam qënë njëherë jashtë shtetit, në vitin 1989,në Gjermaninë Perëndimore. Isha në një grup me drejtorin tonë të asaj kohe, Jani Gushon si dhe inxhinierin e TVSH-së , Genc Tomço, për të blerë disa paisje për grupin tonë të filmit. Shikonja atë vend aq të zhvilluar dhe bënja krahasimet me vëndin tonë aq të prapambetur.Pas asaj vizite, pësova një lloj tronditje. Kur u ktheva në Shqipëri, për afro dy javë kisha dhimbje koke dhe pinja çdo ditë aspirina. Më vonë, pas viteve ’90-të, m’u dha rasti tëdal disa herë jashtë shtetit , por daljen e parë ,ende e kujtoj.



Pyetje: Si kini rezistuar ndryshimit të pushteteve në shoqërinë postkomuniste?

Përgjigje: “Arma” ime për t’i rezistuar pushtetit si në regjimin komunist edhe në vitet e demokracisë, ka qënë puna.Nuk kam mbijetuar me teser partie, pasi nuk kam qënë asnjëherë në parti, as me miq s’jam mbajtur, pasi unë vinja nga fshati dhe njerzit e mij ishin fshatarë të thjeshtë. “Tesera” ime ka qënë pasioni për punën.Me këtë “armë” kam mbijetuar gjatë 42 vjetëve punë, deri sa dola në pension në vitin 2011. Unë jam me origjinë nga Sinica, një fshat në Devollin e Sipërm dhe si të gjithë devollinjtë, e kemi dashur dhe e duam punën. Kam bërë mbi 100 dit shërbime në vit dhe në shtëpi isha mysafir.Peshën e familjes, duke patur edhe 4 fëmijë, e ka mbajtur gruaja.Më kujtohen mjaft raste të shmangies ndaj detyrimeve familjare.Po tregoj vetëm një.Vajza ime e vogël, atëhere rreth një vit, ishte shtruar në pitalin e Fëmijëve pasi kishte temperaturë të lartë, e cila nuk i zbriste.Pas shumë analizave, mjekët dyshonin për sëmundje të keqe dhe deshën t’i marrin palcë në kuriz.Kur erdhi ora për t’i marrë palcën, më kërkuan mua për të firmosur por gruaja i tha:-Ai sot iku me shërbim.-Ky nuk qënka në regull! –kishin thënë mjekët.

Pyetje: Kini qënë 12 vjet kryetar i Shoqatëssë Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë.Sa ndihet zëri i kësaj Shoqate?

Përgjigje: Është një nga Shoqatat më të herëshme të krijuara në vendin tonë, pas viteve ’90-të. Këtë vit, ajo mbush 20 vjet.Nismëtar i krijimit të saj, ka qënë gazetari i njohur, Shefqet Meko,i cili ka qënë edhe kryetari iparëi saj.Anëtarë të Shoqatës, kanë qënë gazetarë të njohur të fushës së bujqësisë si, Fiqiri Shahinllari, Ago Nezha, Veli Hoxha, Pasho Baku, Jani Gusha, Bashkim Koçi, .Skënder Sina,Nuri Dragoi, Etleva Xhajanka, Xhevdet Bashllari, Xhovalin Gjeloshi etjsi dhe disa specialistë me emër të bujqësisë e pyjeve me kontribut në fushën e medias si Ahmet Osja, Enver Isufi, Sokrat Jani, Gjon Fierza, Haki Kola e plot të tjerë. Shoqata e ka ngritur zërin e saj për probleme të këtyre fushave, ka zhvilluar një sërë veprimtarish dhe ka vlerësuar figuratë shquaratë bujqësisë. Anëtarë të saj kanë marrë pjesë nëkongrese të Federatës Botërore të Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ)pasi Shoqataështë anëtare e kësaj Federate.Sigurisht, si për çdo shoqatë, ka vënd për të bërë më shumë.Fatkeqësisht kryetari i saj aktual, gazetari Xhevdet Bashllari,u pushua nga puna para katër vjetëve nga Ministria e Bujqësisë, ka fituar gjyqet në të gjitha shkallët por deri tani nuk ka marrë asnjë lek.

Pyetje: Si e vlerësoni sot shtypin bujqësor?

Përgjigje: Mund të them se sot në Shqipëri, nuk ekziston shtyp bujqësor.Dy botime të mirëfillta bujqësore që ishin, revista”Bujqësia shqiptare” dhe “Buletini i Shkencave Bujqësore”, u mbyllën para katër vjetëve nga Ministria e Bujqësisë.Dua të theksoj se revista në fjalë, ishte ndër organet më të vjetrat e shtypit shqiptar, e krijuar qysh në vitin 1921.Specialistët e bujqësisë, nuk kanë organet e tyre ku të botojnë e trajtojnë probleme të mirëfillta të kësaj fushe. Të dy botimet e mësipërme , i kushtonin Ministrisë rreth 1,2-1,4 milion lek të reja në vit.Kaq kurseu ajo me këtë “gërshërë”! Unë kam qënë në disa vënde të botës dhe kam parë se , Ministritë e Bujqësisë ( veç kompanive private) kanë organet e tyre dhe jo një, por disa botime.

Për të qënë i saktë, dua të shtoj se del një gazetë e quajtur”Agrobiznesi”, organ i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar,që pasqyron punët e këtij Këshilli, disa probleme të bujqësisë e agroindustrisë, por ajo shkon te anëtarë të këtij Këshilli, disa kopje në ministri etj, por nuk shkon në fshat dhe mendoj se është e pamjaftueshme për një vënd bujqësor siç jemi ne.

Pyetje: Si e vlerësoni bujqësinë e sotme shqiptare?

Përgjigjje: Ndryshime janë bërë dhe kjo falë iniciativës private, ndërsa mbështëtja nga shteti ka qënë e pakët, ndërkohë kur në fshat jeton rreth gjysma e popullsisë dhe bujqësia jep rreth 25 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Ajo është njënga degët bazë tëekonomisë shqiptare, por në këto vite të tranzicionit, ka marrë rreth 2 për qind të buxhetit të shtetit.Bujqësisë shqiptare iështë dhënë nga shteti një “karamele”. Shpresoj që në të ardhmen, mos i jepen më “karamele”por “ushqim”, pasi ajo na ushqen dhe punëson mijra njerëz.Po të mos e lemë pas “liste” këtë degë, do të kemi më pak toka djerë, më pak përmbytje, më shumë ujë për ujitjen e tokave bujqësore,prodhime më cilësore e më të kontrolluara, më pak largime nga fshati, më pak importe të prodhimeve bujqësore e për rjedhojë, më pak volutë jashtë shtetit. Lidhur me vlerësimin që i bën bota buqësisë, po sjell njëshëmbull për mbrojtjen e prodhimit vendas, që më ka mbetur në mëndje.Kur ishte ministër Bujqësie, Hasan Halili,vizitoi vendin tonë zv.ministri i Bujqësisë së Zvicrës, një specialist i vjetër i kësaj fushe e më shumë përvojë. Duke folur për mbrojtjen e prodhimit vendas, ndër të tjera, ai tha:-Ne kemi një ligj të miratuar para afro 70 vjetësh për mbrojtjen e prodhimit vendas, i cili është akoma në fuqi.Këtë problem, ne e kimi të sanksionuar edhe me kushtetutë.Nuk besoj (qofsha i gabuar) që në kushtetutën shqiptare, të ketë qoftë një rresht për bujqësinë dhe mbrojtjen e prodhimit vendas.

Pyetje: Për ta mbyllur këtë intervistë, diçka për pasionet tuaja?

Përgjigje: Poezinë e kam ndër pasionet më të herëshme.Leximi si dhe krijimi në këtë fushë, më futin në një botë të veçantë. Kam botuar rreth 100 poezi, të cilat pasi i “sita”i mblodha në një vëllim, qëe botova para dy vjetësh.(Më parë kisha botuar një libër –monografi.)Unë ju kushtova fushës së filmit bujqësor si dhe shtypit, por zëri i poezisë, më ka ndjekur pas gjithëmon. Në një prej tyre, them: Poezinë pak e ngava/për punë të tjera qe shkruar fati im/por rrodhi ajo e freskët si ujvara/ në thellësi të shpirtit tim.

Vazhdoj të shkruaj përsëri poezi,pasi ajo “troket” shpesh në “derën” time e më fton të mos ndahemi, pasi jemi miq të vjetër. “Mike “ tjetër kam edhe fotografinë. Në arkivin tim personal, kam shumë foto. Kam hapur edhe dy fotoekspozita. Dhe për ta mbyllur,dua të shtoj se kam edhe një “mikeshë” tjetër, fisarmonikën, me të cilën jam lidhur qysh në vitet e shkollës së mesme në Korçë. Tingujt e saj më futin në një botë ëndrrash e, tani që jam larg, më sjellin Atdheun pranë këtu në Boston, qytetin ku jetoj prej dy vjetësh.