Japin dorëheqjen tri gra deputete të PS, Topalli: U morën peng fëmijët dhe vëllezërit
RAMA DJE NE PARLAMENT (MAJTAS) ARBEN NDOKA
Deputetja e Lezhës dha dorëheqjen pas betimit, “zhduket” Neli, nuk jep asnjë përgjigje .
Ikin Delishi, Meli e Maksuti, vijnë Ndoka e Derveni.
Dorëheqjet e fundit të tri deputeteve zonja pritet të sjellin në Parlament dy deputetë meshkuj. Dy largimet në qarkun e Lezhës, fillimisht noterja Merjeme Delishi dhe më pas Mirela Neli (Syku), do t’i hapin rrugën marrjes së mandatit nga kandidati i tretë në listën e Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Ndërkohë, në qarkun e Durrësit, me largimin e kandidates së tetë në listë, Silvana Maksuti, mandati i deputetit sipas burimeve pritet t’i kalojë kandidatit të tretë, Bujar Dervenit. Ish-kryetarja e Gjykatës së Qarkut të Lezhës, Merjeme Delishi, theksoi disa ditë më parë për “Panorama” se arsyeja e dorëheqjes vjen vetëm për arsye shëndetësore dhe se nuk ka pasur asnjë presion për të lënë mandatin e deputetes. Ndërkohë, me “deputeten në tentativë” Mirela Neli, ka qenë i pamundur kontakti. “Panorama” tentoi disa herë për t’u lidhur në telefon, por ka qenë e pamundur. Burime nga Lëvizja Socialiste për Integrim bëjnë me dije se dorëheqja e Silvana Maksutit, që ishte kandidatja e tetë në listën e Durrësit, është realizuar pas një vendimi politik të Kryesisë së LSI-së në këtë qytet. Sipas burimeve nga LSI-ja, mandati i Lefter Kokës do t’i “rezervohet” kandidatit Bujar Derveni. Më lëvizjet e njëpasnjëshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vihet sërish në lëvizje për t’u kaluar mandatin pasuesve në listë.
Këshilli i Mandateve
Në emër të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, vuri në dijeni ligjvënësit, duke thënë se Kuvendi ka administruar kërkesat e dorëheqjes së tri deputeteve deri më tani. “Këshilli i Mandateve u mblodh sot (dje) dhe verifikoi dorëheqjen e deputetit z. Lefter Koka, i cili ka dhënë dorëheqjen nga mandati në kuadër të përmbushjes së zotimit politik për shmangien e funksioneve të dyfishta duke u përqendruar në rolin e Ekzekutivit. Ndërkaq, ka dhënë dorëheqjen edhe deputetja Merjeme Delishi për arsye shëndetësore. KQZ-ja, në mbështetje të Kodit Zgjedhor, ka vendosur t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit znj. Silvana Maksuti dhe znj. Mirela Neli (Syku). Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e tij administroi dorëheqjet e deputetëve dhe vendimet e KQZ-së. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet shkresave me numër protokolli 201 dhe 202, datë 22.01.2014, këshilli ka konstatuar se deputetet Silvana Maksuti dhe Mirela Neli (Syku) kanë dhënë dorë-heqjen. Për pasojë, këshilli konstaton përsëri vakanca të krijuara si rezultat i dorëheqjeve të deputeteve Silvana Maksuti dhe Mirela Neli (Syku)”, u shpreh Hysi, duke shtuar se në bazë të ligjit, Kuvendi do të njoftojë KQZ-në për krijimin e këtyre vakancave të reja.
Levizjet ne lista
Lëvizjes në qarkun e Lezhës
1. Iku Mimi Kodheli, erdhi Merjeme Delishi
2. Iku Merjeme Delishi, erdhi Mirela Neli Syku
3. Iku Mirela Neli Syku, vjen Arben Ndoka
Lëvizjet në qarkun e Durrësit
1. Iku Lefter Koka, erdhi Silvana Maksuti
2. Iku Silvana Maksuti, vjen Bujar Derveni
PD e PS u gjobitën për kuotat gjinore
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë gjobitur nga KQZ për mosrespektimin e kuotës gjinore në qarkun e Durrësit dhe në atë të Lezhës. Kjo është arsyeja pse zëvendësimi i kandidatëve në listat shumëemërore nuk ndjek rrjedhën normale. Në një qark ku një parti ka marrë gjobë për mosrespektim të kuotës gjinore, në rast të dorëheqjes, mandati i kalon përfaqësuesit të gjinisë më pak të përfaqësuar. Për këtë shkak, mandati i Lefter Kokës në Durrës nuk i kaloi pasuesit në listë, por kandidates së 8-të. Po ashtu, me të njëjtën logjikë dhe mandati i Mimi Kodhelit në Lezhë.
FATION BINJAKU
Panorama
Krijoni Kontakt