-
Thënie Shenjtorësh, mbi Lutjen
Mbi lutjen
1. Kur qëndron në pozicion për lutje, të kuptosh para kujt po qëndron, dhe për këtë le të jetë shpirti yt dhe zemra jote e gjitha e përqëndruar tek ai.
Shën Efrem Siriani
2. Moisiu që të afrohet në ferra që digjet, u desh që të zgjidhte këpucët e tij. Por, ne, shkojmë shpesh që të lutemi tek Zoti, pa zgjidhur veten tonë nga mendimet pasionante.
(Asketi Nili)
3. Shpirti që nuk mundi pasionet, nuk ka kurajo dhe sinqeritet në lutje.
(Isaak Siriani)
4. Ata që mbledhin për veten e tyre shqetësimet dhe inatet dhe në të njejtën kohë kujtojnë se luten, ngjajnë me ata që marrin ujë dhe e derdhin në një qyp të me vrimë.
(Oshënar Nili)
5. Më shumë frikë ekziston të mos dëgjojmë ne zërin e Zotit, se sa Ai zërin tonë.
6. Zoti nuk përgjigjet gjithmonë në lutjet me mënyrën që duam ne, por iu përgjigjet me mënyrë më të mirë.
7. Gjuhën e lutjes duhet ta mësojmë në shkollën e bindjes dhe përulësisë në vullnetin e Zotit.
8. Lutja vlen pak, kur portofoli nuk thotë “Amin”.
9. Shumë herë detyrohemi që të strehohemi tek lutja pas peripecish dhe mundimesh, që do t’i kishim shmangur nqs fillonim nga lutja.
10. Kurrë të mos bësh diçka për të cilën nuk guxon që të lutesh.
11. Në lutjen tënde më mirë të lutesh me zemër pa fjalë, se sa me fjalë pa zemër.
12. Lutja është çelësi i qiellit. Ngjitet lutja e njeriut dhe zbret mëshira e Zotit
(Agustini i Shenjtë)
13. Nuk është e mjaftueshme që të ngrejmë duart tona në qiell. Duhet t’i shtrijmë dhe tek vëllezërit tanë, që kanë nevojë, dhe atëhere do të dëgjohemi nga Ati.
(Shën Joan Gojarti).
14. Shpesh herë braktisim lutjen tonë, gjatë çastit që për pak vjen përgjigjia.
15. Sa herë që Zoti vonohet që të përgjigjet në lutjen tonë, ta konsiderosh si bekim, sepse e bën që të zgjerojë pranueshmërinë e shpirtit tënd.
16. Kur Zoti mohon që t’i japë diçka fëmijës së tij që lutet tek Ai, është që t’i japë diçka më të mirë nga ato sa fëmija kërkoi.
17. Lutje nuk është dëshira që të ndryshosh vullnetin e Zotit, por ta zbulosh.
18. Shpesh herë falenderova Zotin për faktin që nuk u përgjigj tek të gjitha lutjet e mia.
19. Lutje që nuk përmban falenderim është e pakoordinuar me vullnetin e Zotit.
20. Lutja nuk është vetëm një thirrje e Zotit, por dhe betejë kundër djallit.
Nga libri “Pika fresikimi” Vëllimi i dytë
Përktheu Themistokli Bambulla.
-
-
Për: Thënie Shenjtorësh, mbi Lutjen
Tertuliani
Mbi lutjen
Kreu I - Hyrje e përgjithshme
Shpirti i Perëndisë dhe Fjala e Perëndisë dhe Arsyeja e Perëndisë - Fjala e Arsyes dhe Arsyeja dhe Shpirti i Fjalës - Jesu Krishti, Zoti ynë në emër, që është edhe njëri edhe tjetri, - ka caktuar për ne, dishepujt e Dhjatës së Re, një formë të re lutjeje; sepse edhe në këtë rast ishte e nevojshme që vera e re të futej në kacekë të rinj dhe copa e re të qepej në veshje te re . Përveç kësaj, gjithçka që i përkiste ditëve të shkuara ose është ndryshuar tërësisht, si p.sh. rrethprerja, ose është shtuar, si pjesa tjetër e Ligjit; ose është përmbushur, si profecia, ose është përsosur, si vetë besimi. Sepse hiri i ri i Perëndisë ka rinuar gjithë gjërat, duke i shndërruar nga mishtore në shpirtërore, duke u bërë shkaku i parë i Ungjillit, fshirësi i gjithë sistemit të lashtë; në të cilin Zoti ynë Jesu Krishti është pohuar si Shpirti i Perëndisë dhe Fjala e Perëndisë dhe Arsyeja e Perëndisë: Shpirti, me anë të të cilit ishte i fuqishëm; Fjala, me anë të së cilës mësoi; Arsyeja, me anë të së cilës erdhi. Kështu, lutja e krijuar nga Krishti, është krijuar nga tre pjesë. Ligjërimi , me anë të të cilit shpallet lutja, shpirti, me anë të të cilit vetëm mbizotëron, arsyeja me anë të së cilës mësohet, madje dhe Joani i pati mësuar dishepujt e tij të luteshin , por gjithë puna e Joanit parapërgatiti sheshin për Krishtin deri kur “ai u rrit”, - ashtu sikurse po ky Joan parashpallte se: “ ishte e nevojshme” që “Ai të rritej dhe vetë të zvogëlohej” - gjithë vepra e pararendësit, bashkë me vetë shpirtin e tij, kaloi mbi Zotin. Ndaj, mënyra sesi Joani na mësoi të luteshim nuk ka mbijetuar, sepse gjërat tokësore ua kanë lënë vendin atyre qiellore. “Ai që është nga dheu”, - thotë Joani, - “ flet për të dheshmet; dhe ai që është nga qiejt flet për gjërat që ka parë” . Dhe, a ka ndonjë gjë në mënyrën e të luturit të Krishtit që nuk është qiellore? Ndaj, vëllezër të lumur, le të shohim urtësinë e tij qiellore: së pari le të prekim rregullin e lutjes së fshehtë, me anë të së cilës Ai ndreqi besimin e njeriut, në mënyrë që ai të ishte plotësisht i bindur se vështrimi dhe dëgjimi i Perëndisë së Gjithë-fuqishëm janë të pranishme poshtë çative dhe arrijnë deri në vendet më të fshehta; dhe kërkoi thjeshtësi në besim, në mënyrë që lavdet fetare t’i drejtoheshin vetëm Atij që besojmë se sheh dhe dëgjon kudo. Më tej, meqenëse urtësia është ajo që pason këtë rregull, le ta lejojmë atë që të ndikojë mbi besimin tonë dhe mbi thjeshtësinë e besimit, në mënyrë që të mos mendojmë se Zotit duhet t’i avitemi me një mal me fjalë, i cili jemi të bindur se kujdeset për të tijtë pa ia kërkuar një gjë të tillë. Megjithatë, pikërisht kjo shkurtshmëri – dhe le ta themi këtë për shkallën e tretë të urtësisë – është e mbështetur në thelbin e një shpjegimi të shkëlqyer dhe të bekuar dhe është aq e gjerë në kuptim, sa ç’është e përmbledhur në fjalë. Sepse arrin të përfshijë jo vetëm pikat kryesore të lutjes, qoftë kjo adhurimi i Perëndisë apo lutje për një njeri, por edhe pothuajse çdo bisedë të Zotit, çdo mbamendje të Disiplinës së Tij; kështu që në Lutje gjejmë të përfshirë një përmbledhje të gjithë Ungjillit.
Kreu II – Fjalia e parë
Lutja fillon me dëshmimin e Perëndisë dhe me shpërblimin e besimit kur themi: “Ati ynë që je në qiej”, sepse (duke thënë kështu) në të njëjtën kohë i lutemi Perëndisë dhe përlëvdojmë besimin, shpërblim për të cilin është ky emërtim. Është shkruar: “Të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë” . Gjithsesi, shumë shpesh Zoti ynë e shpalli Perëndinë si Atin tonë; madje na dha një parim themeltar: “Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej” , pra, duke u lutur kështu zbatojmë edhe parimin e dhënë. Të lumur janë ata që njohin Atin e tyre! Pikërisht ky është edhe qortimi që i bëhet Izraelit, për të cilin Shpirti pohon para qiellit dhe dheut, kur thotë: “Rrita fëmijë, por ata nuk më njohën” . Për më tepër, duke thënë “Atë”, e quajmë edhe “Perëndi”. Ky emërtim është njëherësh një detyrim birësor dhe pushtetar. Sërish, me Atin i thërrasim edhe Birit, sepse ai thotë: “Unë dhe Ati jemi Një” . Kështu, as nëna jonë Kisha nuk lihet pa përmendur, sepse në Atin dhe Birin njohim edhe nënën, prej së cilës vijnë edhe emrat e Atit dhe Birit. Me një term të vetëm ose me një fjalë, ne nderojmë Perëndinë, bashkë me të tijat , por edhe nderojmë rregullin e dhënë dhe u tërheqim vëmëndjen atyre që kanë harruar Atin e tyre.
Kreu III – Fjalia e dytë
Emri i “Perëndisë Atë” nuk i ishte shpallur askujt. Edhe Moisiu, i cili e kishte pyetur Perëndinë për emrin, pati dëgjuar një emër tjetër . Ne na u zbulua tek Biri, sepse Biri është tashmë emri i ri i Atit. “Unë kam ardhur”, thotë ai, “në emër të Atit” dhe sërish: “O Atë, përlëvdo emrin tënd” dhe ende më hapur: “Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve” . Prandaj ne lutemi: “qoftë i përlëvduar” ai emër. Jo sepse u ka hije njerëzve që të urojnë Perëndinë të jetë mirë, ose t’i urohet të jetë më mirë se dikush tjetër që ndoshta ekziston, apo se Perëndia do të vuante nëse nuk do ta uronim. Thjesht, i ka hije mbarë gjithësisë dhe çdo njeriu që ta bekojë Perëndinë, në çdo kohë dhe në çdo vend, në kujtim të mirësive të tij. Por kjo lutje shërben gjithashtu edhe si falenderim për bekimet. Sepse, kur nuk është i “shenjtë” dhe i “lavdëruar” emri i Perëndisë nëpërmjet vetë Atij, duke qenë se përmes vetes Ai shenjtëron gjithçka tjetër – Ai rreth të cilit rreshtat e ëngjëjve nuk pushojnë së kënduari: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë?” Në të njëjtën mënyrë edhe ne, që jemi kandidatë për tu bërë engjëj, nëse arrijmë ta meritojmë një gjë të tillë, duhet të fillojmë që këtu në tokë të mësojmë përmendësh këtë melodi dhe t’ia drejtojmë vetëm Perëndisë, në pritje të lavdisë së ardhshme. Gjithçka për lavdinë e Perëndisë. Nga ana tjetër edhe për përmbushjen e lutjeve tona, themi këtë kur lutemi: “I shenjtëruar qoftë emri yt”, me qëllim që të shenjtërohet në ne, që jemi në Të, si edhe në gjithçka tjetër, që Perëndia po pret t’i japë hir ; që, gjithashtu, t’i bindemi këtij parimi kur themi “duke u lutur për të gjithë” , madje edhe për armiqtë tanë. Kështu, lutemi me përmbajtje, por duke mos thënë “u shenjtëroftë ndër ne”, themi “në gjithçka”.
Kreu IV – Fjalia e tretë
Sipas këtij modeli, nën renditim: “U bëftë vullneti yt në qiej dhe mbi dhé” ; jo sepse gjendet një forcë që mund të pengojë përmbushjen e vullnetit të Perëndisë dhe ne lutemi që Ai të arrijë të përmbushë me sukses vullnetin e tij, por lutemi që vullneti i tij të bëhet në gjithçka. Sepse, sipas një shpjegimi figurativ të “trupit” dhe “shpirtit”, ne jemi “qielli” dhe “dheu”; megjithatë, edhe nëse do ta kuptonim thjesht, kuptimi i lutjes mbetet i njëjti, që vullneti i Perëndisë të bëhet mbi dhè, ndër ne, dhe të bëjë të mundur që në të njëjtën mënyrë të bëhet edhe në qiej. Çfarë dëshiron Perëndia, përveç të ecim sipas udhëzimeve të Tij? Ne lutemi që Perëndia të na japë thelbin e vullnetit të tij dhe aftësinë për të bërë këtë vullnet, me qëllim që të gjejmë shpëtim si në qiell, ashtu edhe mbi dhè; sepse përmbledhja e vullnetit të tij është shpëtimi i gjithë atyre që Ai ka birësuar. Gjithashtu, kemi edhe vullnetin e Perëndisë, që u përmbush në predikimet e Zotit, në veprën e tij, në pësimet e tij: sepse nëse Ai vetë shpalli se nuk bënte vullnetin e tij, por atë të Atit të tij, atëherë padyshim që gjithë ato që bëri ishin sipas vullnetit të Atit; gjëra të cilat na shërbejnë si shembuj për të predikuar, vepruar dhe duruar pësime, madje deri edhe vdekjen. Ne kemi nevojë për vullnetin e Perëndisë që të mundësohemi për të përmbushur gjithë këto detyra. Sërish, kur themi: “U bëftë vullneti yt” ne jemi duke i uruar mirësi vetes sonë, sepse nuk gjendet kurrfarë ligësie në vullnetin e Perëndisë; as atëherë kur gjatë periudhash të vështira na imponohet diçka tjetër . Kështu, me anën e kësaj shprehjeje i këshillojmë durim vetes sonë. Vetë Zoti, kur deshi të na zbulonte kufizimet e trupit, kur ishte vetë në trup, me anë të realitetit të vuajtjes tha: “Atë, largoje prej meje këtë kupë”; dhe pastaj duke kujtuar veten shton: “por, u bëftë vullneti yt dhe jo i imi” . Vetja ishte vullneti dhe pushteti i Atit; por megjithatë për të dëftuar durimin që i kishte hije, Ai ia dorëzon Veten e tij Vullnetit të Atit.
Kreu V - Fjalia e katërt
“Ardhtë mbretëria jote” i referohet gjithçkaje që “u bëftë vullneti yt” i referohet – d.m.th. në ne. Sepse kur Perëndia nuk mbretëron, në duart e kujt mbesin zemrat e gjithë mbretërve? Çfarëdo që i urojmë vetes, e urojmë edhe për Atë dhe Atij atribuojmë gjithçka që presim prej Tij. Ndaj, nëse shfaqja e mbretërisë së Zotit lidhet me vullnetin e Perëndisë dhe me pritjet tona të ankthshme, si ka mundësi që disa luten për jetëgjatësinë e botës (shtyrjen e fundit), në një kohë që mbretëria e Perëndisë, ardhjen e së cilës e lusim dhe e urojmë, priret të rendë drejt mbarimit të botës? Dëshira jonë është që mbretërimi ynë të përshpejtohet dhe jo të përzgjatet skllavëria jonë. Edhe nëse nuk do të na ishte këshilluar në Lutje që të kërkojmë ardhjen e mbretërisë, ne vullnetarisht duhet të kishim nxjerrë atë thirrje për të përshpejtuar përmbushjen e shpresave tona. Shpirtrat e dëshmorëve poshtë altarit, nga padurimi i thërrasin Perëndisë: “Deri kur do të presësh Perëndi për të marrë hakun e gjakut tonë nga ata që banojnë mbi dhe?” Sepse, padyshim, hakmarrja do të vihet në vend në mbarim të botës. Po, o Zot, sa më parë ardhtë mbretëria jote, - lutja e të krishterëve, turbullimi i paganëve, gëzimi ngadhnjimtar i engjëjve, për të cilën ne vuajmë, ose më mirë të themi për të cilën ne lutemi!
Kreu VI – Fjalia e pestë
Por sa hijshëm ka renditur fjalët e lutjes Urtësia Hyjnore; menjëherë pas gjërave qiellore - d.m.th. pas “Emrit” të Perëndisë, “Vullnetit” të Perëndisë dhe “Mbretërisë” së Perëndisë - lihet hapësirë lutjeje edhe për nevojat tokësore! Sepse vetë Zoti kishte nxjerrë këtë urdhëresë: “Kërkoni së pari mbretërinë dhe gjithë të tjerat do t’ju shtohen” ; ndaj është më mirë që “Bukën tonë të përditshme, falna sot” ta kuptojmë shpirtërisht. Sepse Krishti është Buka jonë; sepse Krishti është Jeta dhe buka është jetë. “Unë jam”, thotë Ai, “Buka e Jetës” dhe pak më lart “Buka është Fjala e Perëndisë së gjallë, që zbriti nga qiejt” . Më pas gjejmë se trupin e tij mund ta shohim tek buka: “Ky është trupi im” . Ndaj kur lutemi për “bukën e përditshme”, kërkojmë vazhdimësinë tonë në Krisht dhe pandashmërinë nga trupi i Tij. Por, meqenëse këtë fjalë mund ta kuptojmë edhe nga ana trupore, nuk mund ta përdorim të shkëputur nga kujtesa fetare e gjithë udhëzimeve shpirtërore; sepse Zoti na porosit që të lutemi për bukën, që është i vetmi ushqim i nevojshëm për besimtarët; sepse “janë paganët ata që rendin pas gjithë të tjerave” . Të njëjtin mësim na e paraqet me shembuj dhe e përsërit shpesh në shëmbëlltyra kur thotë: “ Kush është ai baba që ua merr bukën fëmijve dhe ua jep qenve?” dhe sërish: “Kush është ai baba, që kur i biri i kërkon bukë, i jep gurë?” Kështu ai na tregon se çfarë presin bijtë nga Ati i tyre. Madje edhe ai trokitësi i natës, troket për të kërkuar “bukë” . Për më tepër, me të drejtë Ai shton: “falna neve sot”, duke qenë se më përpara kishte thënë: “Mos u shqetësoni çfarë do të hani të nesërmen” . Kësaj teme i përshtati edhe shëmbëlltyrën e atij që mendonte si të zgjeronte hambaret e tij, ndërsa priste të korrat e reja dhe i gëzohej së ardhmes së sigurtë; por po atë natë ai vdes .
Kreu VII - Fjalia e gjashtë
Është me vend që pasi kemi soditur bujarinë e Perëndisë , t’i drejtohemi edhe mëshirës së tij. Sepse çfarë do të fitonim nga ushqimet , nëse do t’u dorëzoheshim plotësisht, ashtu siç mbahet një ka për t’u therur? Zoti e dinte se ai ishte i vetmi i pamëkatë, ndaj na mëson si të lutemi që “të na falen detyrimet”. Një lutje për falje është një rrëfim i plotë, sepse ai që lyp falje e pranon plotësisht fajin e tij. Kështu edhe pendimi dëftohet i pranueshëm para Perëndisë, i cili dëshiron pendimin e mëkatarit më shumë se vdekjen e tij . Për më tepër, detyrimet i gjejmë në Shkrimet si figurë të fajit; sepse janë të barabarta me dënimin e gjykimit dhe me anë të tij kërkohet shlyerja e tyre; detyruesi nuk mund t’i bëjë bisht shlyerjes së detyrimeve, vetëm në rast se detyrimet falen, ashtu si në shëmbëlltyrë i zoti i fal detyrimin skllavit të tij ; sepse drejt kësaj priret i gjithë qëllimi i shëmbëlltyrës. Fakti që i njëjti skllav, pasi u la i lirë prej të zot, nuk e fal në të njëjtën mënyrë atë që i detyrohet atij; dhe për shkak të kësaj vjen sërish para të zot për tu gjykuar dhe i dorëzohet torturuesit për të paguar deri edhe kacidhen e fundit, d.m.th. çdo faj sado të vogël, përkon me detyrën tonë që “në të njëjtën mënyrë të falim ata që na detyrohen (fajtorët tanë)”; gjithashtu edhe diku tjetër, dhe në përkim të plotë me këtë, ai thotë: “falni dhe do të gjeni falje” . Madje kur Pjetri pyet nëse vëllai duhet të falet shtatë herë, ai i thotë: “Jo shtatë, por shtatëdhjetë herë shtatë” me qëllim që të përmirësohet Ligji, sepse në Zanafillë hakmarrja u dënua “shtatë herë” në rastin e Kainit, kurse në rastin e Lamekut “shtatëdhjetë herë shtatë” .
Kreu VIII – Fjalia e shtatë ose përfundimtare
Për të arritur plotësinë e një lutjeje kaq të shkurtër,– me qëllim që ne të mos lypnim vetëm faljen e fajeve, por të preknim vetë mënjanimin e veprave mëkatare - ai shtoi: “Mos na shtjer në ngasje”, d.m.th. bëj që të mos na çojë në ngasje, sigurisht ai që tundon, dhe larg qoftë mendimi se është Zoti ai që na tundon, sikur Zoti të mos e dijë besimin e njeriut ose mezi pret përmbysjen e besimit të tij. Dobësia dhe keqdashja janë tipare të djallit. Sepse Perëndia kishte urdhëruar edhe Abrahamin të flijonte birin e tij, jo për ta tunduar, por për të vërtetuar besimin e tij; më qëllim që përmes tij të vendoste një shembull të porosisë së tij, sipas të cilit ai do të urdhëronte në të ardhmen që njeriu nuk duhet të krijonte lidhje dashurie më të forta se ato me Perëndinë . Vetë ai, kur u tundua nga djalli, na tregoi kush është ai që mbizotëron dhe kush është burimi parësor i tundimit . Këtë e pohon më pas në disa vende të tjera kur thotë: “Lutuni që të mos tundoheni” e megjithatë ata u tunduan (siç e treguan) duke e braktisur Zotin e tyre, sepse i kishin vënë mendje më shumë gjumit sesa lutjes. Ndaj, fjalia e fundit shpjegon kuptimin dhe është bashkëtingëlluese me “Mos na shtjer në ngasje”; sepse është e njëjta ide me “Por mbana larg të Ligut”.
Kreu IX – Përmbledhje
Në përmbledhje të tilla fjalëpaka, sa thënie nga profetët, Ungjijtë, apostujt – sa diskutime, shembuj, shëmbëlltyra të Zotit janë prekur! Sa detyra përmbushen njëkohësisht! Nderi i Perëndisë tek “Atë”, dëshmia e besimit tek “Emri”, ofrimi i bindjes tek “Vullneti”, përkujtimi i shpresës tek “Mbretëria”, lutja për jetën tek “Buka”, pranimi i plotë i detyrimeve tek lutja për “Faljen”, frika e ankthshme e tundimit tek thirrja për “Mbrojtje”. Çfarë çudie! Vetëm Perëndia mund të mësonte se si donte që t’i luteshim. Ndaj, riti fetar i lutjes, i porositur nga vetë ai dhe i frymëzuar nga Shpirti i Tij, edhe ndërkohë që dilte nga vetë goja Hyjnore, me të drejtën e tij të plotë, lartësohet drejt qiellit, duke përlëvduar Atin, ashtu siç na mësoi Biri.
Kreu X –Lutjes Zotërore mund t’i shtojmë lutjet tona
Meqenëse Zoti, parashikuesi i nevojave njerëzore , tha veçan, pasi kishte dhënë Rregullin e Tij të Lutjes: “Kërkoni dhe do të merrni” ; dhe duke qenë se ka lutje që bëhen në përkim me kushtet individuale të gjithësecilit, atëherë edhe dëshirat tona kanë të drejtën që – pasi të kemi filluar me lutjet e ligjshme dhe të zakonshme, që janë themeli – të lartësohen në një superstrukturë të jashtme lutjesh, por gjithnjë duke mbajtur në mendje parimet e vendosura nga Mjeshtri.
Kreu XI – Kur t’i lutemi Atit nuk duhet të jemi të zemëruar me një vëlla
Me qëllim që të mos jemi larg veshëve të Perëndisë, siç jemi larg porosive të tij, kujtesa e porosive të tij shtron rrugën e lutjeve tona drejt qiellit; ku porosia kryesore është ajo që thotë se nuk duhet t’i afrohemi altarit, nëse më parë nuk kemi vënë në vend çdo lloj mosmarrëveshje a fyerje që i kemi bërë vëllezërve tanë . Sepse çfarë vepre është ajo, kur i afrohesh paqes së Perëndisë pa pasur paqe brenda vetes? Si mund të kërkojmë faljen e borxheve , kur nuk ua falim të tjerëve? Si mund të pajtohemi me Atin kur jemi të zemëruar me vëllain, në një kohë kur “çdo lloj zemërimi” na është ndaluar që nga fillimi? Sepse edhe Jozefi kur i liroi vëllezrit e tij, për të marrë babain e tyre, tha: “Dhe mos u grindni rrugës” . Ai na paralajmëroi në atë kohë (në një vend tjetër Disiplina jonë quhet Rruga ) që kur të nisemi për Rrugën e lutjes, të mos i avitemi Atit me zemërim. Pas kësaj Zoti, “duke plotësuar Ligjin” , hapur ndalonte zemërimin ndaj vëllait dhe ia shtonte këtë të fundit vrasjes . Madje ai nuk lejon që ky zemërim të shprehet as me një fjalë të vetme të ligë . Nëse ndonjëherë zemërohemi, zemërimi ynë nuk duhet të zgjasë përtej perëndimit të diellit, siç na porosit apostulli . Por sa e pamend është të kalosh një ditë pa lutje sepse nuk pranon të kënaqësh vëllain tënd, ose të humbasësh lutjen tënde sepse këmbëngul në zemërimin tënd?
Kreu XII – Në të njëtën mënyrë duhet të jemi të çliruar nga çdo lloj turbullimi nervor
Të ushtruarit e lutjes duhet të çlirohet jo thjesht nga zemërimi, por nga çdo lloj trazimi të mendjes, dhe të dalë nga një shpirt i njëjtë me atë Shpirt drejt të cilit niset. Sepse një shpirt i përdhosur nuk mund të njihet nga një Shpirt i shenjtë , as një shpirt i dëshpëruar nga një gazplotë , dhe as një shpirt i pranguar nga një shpirt i lirë . Askush nuk i hap dyert kundërshtarit të tij; gjithkush i hap dyert për mikun e vet.
Kreu XIII – Mbi larjen e duarve
Si mund të shkosh të lutesh me duar të pastra, kur shpirti është i ndotur? Pastërtia shpirtërore është e nevojshme edhe për vetë duart, në mënyrë që ato të mund të “ngrihen lart të pastra” , të pandotura nga gënjeshtra, vrasja, pashpirtësia, helmet , nga idhujtaria, dhe nga çdo lloj tjetër ndyrësie që ngjizet brenda në shpirt dhe kryhet me anë të duarve. Këto janë pastëritë e vërteta ; jo ato për të cilat pjesa më e madhe e njerëzve arrijnë në bestytni, duke marrë ujë me vete në çdo lutje, madje edhe kur sapo kanë bërë banjo të plotë të trupit. Ndërsa po bëja një vëzhgim të plotë dhe të përpiktë të kësaj praktike dhe rrekesha të gjeja arsyen e saj, mësova se kjo ishte një vepër përkujtuese, që lidhej më dorëzimin e Zotit. Gjithsesi, ne i lutemi Zotit, ne nuk e dorëzojmë atë; por duhet të ballafaqojmë veten tonë me shembullin e dorëzuesit të tij dhe mos të lajmë duart, siç bëri ai. Vetëm nëse përdhosja e marrëdhënieve njerëzore bëhet shkak moral për larjen e duarve, në të kundërt ato janë mjaft të pastra, të cilat së bashku me gjithë trupin i kemi larë në Krishtin .
Kreu XIV – Thirrje
Izraeli lante gjithë gjymtyrët përditë, e megjithatë kurrë nuk u pastrua. Duart e tij, gjithë kohës, janë të papastra, përjetësisht të lyera me gjakun e profetëve dhe të vetë Zotit; prandaj, duke trashëguar fajësinë e krimeve të etërve të tyre , nuk guxojnë të ngrejnë duart drejt Zotit nga frika se mos Isaia do të thërrasë , nga frika se Krishti do të dridhet. Kurse ne, jo vetëm që i ngrejmë duart lart, por edhe i shtrijmë ato dhe duke ndjekur shembullin e pësimeve të Zotit edhe në lutje pohojmë Krishtin.
Kreu XV – Heqja e manteleve
Meqenëse tashmë kemi përmendur një pikë të praktikave boshe , nuk do të ishte e mërzitshme që sërish të shenjojmë ato gjëra, kotësia e të cilave meriton plotësisht kritikën tonë, nëse janë gjëra që zbatohen dhe që nuk burojnë as nga porositë e Zotit e as nga këshillat e apostujve. Gjëra të këtij lloji nuk vijnë nga feja, por nga bestytnia, sepse janë rite të menduara dhe të nxitura nga njerëzit dhe që janë më tepër punë kureshtjeje, sesa praktika të arsyeshme ; si të tilla meritojnë t’i shtypim edhe për faktin se na vënë në të njëjtin nivel me paganët . Siç është, për shembull, praktika e lutjes pa mantel, që ndiqet nga disa, sepse kështu u aviten idhujve të tyre kombet e tjera; praktikë e cila nëse do të ishte e hijshme, do të na e kishin porositur apostujt, të cilët na mësojnë për veshjen e lutjes dhe do ta kishin përfshirë në udhëzimet e tyre, gjë që ndodh vetëm kur Pali kujton se ka harruar mantelin e tij tek Karpi . Kujtoni, Perëndia nuk i dëgjoi lutësit me mantel, të cilët i dëgjuan qartë tre shenjtorët, që luteshin brenda në furrat e mbretit të Babilonisë, veshur me pantallona dhe me çallma .
Kreu XVI – Për uljen pas lutjes
Sërish, për sa i përket një zakoni që kanë disa për t’u ulur pas lutjes, mua më duket se nuk kanë farë arsyeje, përveç asaj që kanë fëmijë . Sepse çdo të thonin nëse Hermasi, shkrimet e të cilit njihen nën titullin Bariu, pasi të kishte mbaruar lutjen, të mos ishte ulur mbi shtrat, por të kishte bërë diçka tjetër, a do të na duhej të bënim të njëjtën gjë, duke thënë se po u përmbahemi rregullave? Sigurisht që jo. Sepse fjalia: “Pasi isha lutur, dhe isha ulur mbi shtratin tim” është thjesht vazhdim i rrëfimit dhe nuk është dhënë si model disiplinor. Përndryshe, duhet të themi se duhet të lutemi vetëm kur kemi mundësi të gjejmë një shtrat rrotull! Jo, kushdo që ulet në karrige a në stol, vepron në kundërshtim me atë shkrim. Për më tepër një gjë të tillë bëjnë edhe paganët pasi kanë adhuruar imazhet e tyre të vogla, ndaj këto praktika nuk duhen lejuar ndër ne, sepse janë praktika që i gjejmë në adhurimin e idhujve. Këtyre u shtohet edhe akuza e mosnderimit – e qartë edhe për paganët, nëse do të kishin pak mend. Nëse është mungesë respekti të ulesh, ndërsa po të shikon personi që ti respekton dhe nderon më shumë se asnjë tjetër, atëherë sa jofetare është të ulesh kur është duke të parë Perëndia i gjallë dhe ndërsa ëngjëlli i lutjes është ende rrotull teje ; mund të bëjmë kështu vetëm nëse duam të fajësojmë Perëndinë, duke i thënë se jemi të lodhur nga lutja!
Kreu XVII – Për duart e ngritura
Më të besueshme janë lutjet tona para Perëndisë nëse i bëjmë me thjeshtësi dhe përulësi, madje as duke mos i ngritur shumë lart duart tona, por duke i ngritur me masë dhe aq sa u ka hije, madje as fytyra jonë nuk duhet të shprehë ngritje a krenari të tepruar. Sepse ai, tagrambledhësi, që lutej me përulësi dhe vetë-përbuzje jo vetëm në fjalë, por edhe në shprehjen e fytyrës, u largua më i “shfajësuar” se Fariseu i paturp . Në të njëjtën mënyrë, duhet të zbuten edhe tingujt e zërave tanë; sepse nëse do të dëgjoheshim vetëm prej thirrjeve, përfytyroni çfarë fyti do të na duhej! Por Perëndia nuk është dëgjues i zërit, por i zemrës, ashtu siç është edhe hetuesi i saj! Demoni i orakullit të Pithos thotë:“Unë kuptoj të pagojin dhe të pafjalin e dëgjoj qartë” .
A presin veshët e Perëndisë sa të mbërrijnë tingujt? Nëse po, si arritën të gjenin rrugën drejt qiellit lutjet e Jonës, që niseshin nga thellësitë e barkut të balenës, nga të përbrendshmet e një bishe të stërmadhe, nga vetë humnerat, dhe që kalonin hapësira të pafundme ujrash? Çfarë të mirash do të fitojnë mbi të tjerët ata që do të luten me zë shumë të lartë, përveç faktit se do t’u prishin qetësinë fqinjëve të tyre? Duke i bërë lutjet e tyre të dëgjueshme, a nuk bëjnë të njëjtin mëkat si të luteshin faqe gjithë botës?
Kreu XVIII – Për puthjen e paqes
Një tjetër zakon po ndeshet kudo. Ata që kreshmojnë nuk japin puthjen e paqes, që është vula e lutjes, pasi është bërë lutja me vëllezërit. A ka kohë më të përshtatshme për të vendosur paqe me vëllezërit, sesa kur jemi duke iu përmbajtur një tjetër riti fetar; kur lutja lartësohet më pranueshëm; në mënyrë që edhe ata të marrin pjesë në kreshmën tonë dhe rrjedhimisht të paqësohen, sepse pajtohen me vëllanë e tyre, ndërsa prekin vetë paqen e tyre? Cila lutje është e plotë nëse i mungon “puthja e shenjtë” ? Cili është ai njeri që i shërben Zotit dhe që paqja e pengon të bëjë një gjë të tillë? Çfarë lloj flijimi është ai, kur njerëzit nuk ndahen në paqe me njëri-tjetrin? Cilado qoftë lutja jonë, s’do të mund të jetë kurrë më e mirë sesa të zbatuarit e atij parimi që na porosit të fshehim kreshmën tonë ; sepse duke hequr dorë nga puthja, tregojme se jemi duke kreshmuar. Por edhe nëse ka pak arsye në një praktikë të tillë, përsëri, që të mos shkelni këtë porosi, ndoshta është më mirë që ta lini për në shtëpi “paqen” tuaj, ku nuk është e mundur që kreshma juaj të mbahet krejtësisht e fshehur. Por kudo tjetër që keni mundësi të fshihni kreshmën tuaj, kujtoni porosinë; kështu do të mundni të ndiqni zakonet brenda shtëpisë dhe të përmbushni kërkesat e Disiplinës jashtë saj. Kështu, në ditën e kalimit , kur kreshma është diçka e përgjithshme dhe dihet nga të gjithë, me të drejtë heqim dorë nga puthja, sepse nuk kemi pse fshehim diçka që bëhet nga të gjithë.
Kreu XIX – Për ndalesat
Të njëjtën gjë shohim edhe kur flasim për ditët e Ndalesave ; shumica e njerëzve mendojnë se nuk duhet të jenë të pranishëm në lutjet flijuese, për frikë se Ndalesa shpërbëhet nga marrja e Trupit të Zotit. Mos vallë Eukaristia (Falenderimi Hyjnor) zhvlerëson një shërbesë tjetër që i bëhet Perëndisë, apo e lidh atë më tepër me Perëndinë? A nuk do të ishte Ndalesa jote më serioze, nëse bashkë me të tjerët ke ndaluar para altarit të Perëndisë? Kur Trupi i Zotit është marrë dhe ruajtur , gjithçka është siguruar, si pjesëmarrja në flijim, ashtu edhe përmbushja e detyrës. Nëse “Ndalesa” e ka marrë emrin e saj nga shembulli i jetës ushtarake – sepse të gjithë ne jemi ushtria e Perëndisë – sigurisht që asnjë lloj gëzimi a hidhërimi që mund t’i afrohet kampit nuk arrin të asgjësojë “ndalesat” e ushtarëve; sepse gëzimi do të bëjë që disiplina të zbatohet me gatishmëri, ndërsa hidhërimi do të bëjë që të shtohet kujdesi.
Kreu XX – Për veshjen e grave
Deri më tash, për sa i përket veshjes së grave, larmia e praktikave na detyron – megjithëse jemi njerëz të parëndësishëm – ta trajtojmë këtë çështje me vetëbesim të tepruar sipas apostullit më të shenjtë, megjithëse nuk është vetëbesim i tepruar për sa kohë ndjekim porositë e tij. Këshillat e Pjetrit janë shumë të qarta kur flet për thjeshtësinë e veshjes dhe maturinë e zbukurimeve; ashtu si edhe Pali, me të njëjtën gojë dhe në të njëjtën Frymë, ai ndalon shkëlqimin e veshjes, krenarinë e floririt dhe zbukurimet e tepruara të flokëve.
Kreu XXI – Mbi virgjëreshat
Por çështja që është vërejtur se ngatërrohet në mbarë Kishat, nëse virgjëreshat duhet të mbulohen apo jo, duhet të trajtohet. Sepse ata të cilët mendojnë se mbulimi i kokës u jep virgjëreshav paprekshmëri, duket që vazhdojnë të mbajnë këtë qëndrim: apostulli nuk ka përcaktuar “virgjëreshat” me emër, por “gratë” si ato të cilat duhet “të mbulohen”; jo gjininë në përgjithësi, pra “femrat”, por një klasë të gjinisë, duke thënë “gratë”. Sepse nëse do të kishte emërtuar gjininë duke thënë “femrat”, do t’a kishte bërë kufizimin e tij absolut për çdo grua; por ndërsa emërton një klasë të gjinisë, ai veçon një klasë tjetër duke heshtur. Sepse ai mund të kishte emërtuar “virgjëreshat” në veçanti, ose përgjithësisht, me një term të kuptueshëm, “femrat”.
Κreu XXII – Përgjigje për argumentet e mëparshëm
Ata të cilët bëjnë këto kundërshtime duhet të reflektojnë mbi natyrën e vetë fjalës – cili është kuptimi i “grua” që prej dokumentimeve të para të shkrimeve hyjnore. Këtu shohim që është emri i gjinisë, jo një klasë e gjinisë; pra, Perëndia i dha Evës, në kohën kur ajo ende nuk kishte njohur një burrë, mbiemrin “grua” dhe “fermër” (“femër” – gjinia në përgjithësi; “grua” – me të cilin dallohet një klasë e gjinisë). Kësisoj, që prej asaj kohe dhe deri tek ne sot Eva e pamartuar është emërtuar me fjalën “grua” dhe kjo fjalë ka qenë e përbashkët edhe për virgjëreshat . A nuk është e mrekullueshme që apostulli – i drejtuar patjetër nga nga i njëjti shpirt, prej të cilit, si gjithë Shkrimi hyjnor, drejtohet dhe libri i Zanafillës – ka përdorur të njëjtën fjalë duke shkruar “grua”, e cila, nga shembulli i Evës së pamartuar, është e përdorshme edhe për një “virgjëreshë” gjithashtu. Faktikisht, të gjitha pjesët e tjera janë në përputhje të bashkangjitur. Qoftë edhe prej kësaj prove, pra që ai nuk po emërton “virgjëreshat” (siç bën në një tjetër vend kur është duke mësuar duke prekur martesën), ai, duke qenë e mjaftë, thotë se vërejtja e tij prek çdo grua, të gjithë gjininë; dhe nuk bëhet asnjë dallim midis një “virgjëreshe” dhe gjithë të tjerave, përderisa ai as që e përmend fare atë (virgjëreshën). Sepse ai i cili diku tjetër – domthënë, atje ku e lyp ndyshimi – kujtohet të bëjë dallimin, (për më tepër, ai e bën atë duke përcaktuar çdo lloj nga emrat e tyre të përveçëm) dëshiron, atje ku ai nuk bën asnjë dallim (duke mos mos emërtuar çdonjërin), të mos kuptohet asnjë ndryshim. Çfarë mund të thuhet për faktin që në ligjëratën në greqisht, në të cilën apostulli shkroi letrat e tij, është e zakonshme të thuhet “gra” më tepër se “femra”; domethënë (gunaikas) më tepër se (theleias)? Pra nëse ajo fjalë , e cila nëpërmjet interpretimit përfaqëson atë që “femër” (femina) përfaqëson, është përdorur shpesh në vend të emrit të gjinisë , ai ka emërtuar gjininë duke thënë ; po në gjini përfshihet edhe virgjëresha. Por, përveç kësaj, deklarata është e plotë: “Çdo grua”, tha ai, “që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saja” . Çdo të thotë :”çdo grua”, por grua e çdo moshe, e çdo shkalle, e çdo pozite? Duke thënë “çdo” ai nuk përjashton asnjë grua, ashtu siç nuk përjashton asnjë burrë nga të mos mbuluarit; në të njëjtën mënyrë thotë: “Çdo burrë” . Kështu, në gjininë mashkullore, nën emrin “burrë” edhe “rinia” është e ndaluar të mbulohet; në të njëjtën mënyë, në gjininë femërore, nën emrin “grua” edhe “virgjëresha” është e detyruar të mbulohet. Në mënyrë të barabartë në secilën gjini mosha e re le të ndjekë rregullin e më të vjetërve; ose ndryshe, lini “të virgjërit” meshkuj, gjithashtu, të mbulohen, nëse “virgjëreshat” femra nuk janë të mbuluara pa përjashtim, sepse ato nuk janë përmendur në emër. Sepse është “për shkak të engjëjve” që ai tha se gruaja duhet të mbulohet, sepse për shkak të “bijave të njerëzve” engjëjt u ngritën kundër Perëndisë . Kush, atëherë, do mbronte idenë se vetëm “gratë” - domethënë , ato që ishin tashmë të martuara dhe e kishin humbur virgjërinë e tyre – ishin objektet e epshit të engjëjve, sepse “virgjëreshat” janë të paafta të shkëlqejnë në bukuri dhe të gjejnë të dashur? Jo, le të shohim nëse nuk ishte që engjëjt të kishin lakmuar vetëm virgjëreshat; përderisa Shkrimi thotë “bijat e njerëzve” , me qenë se mund t’i kishte emërtuar “bashkëshortet e njerëzve”, ose “femrat”, në mënyrë të rëndomtë . Gjithashtu, aty thuhet: “Dhe ata i morën ato për gra” , do të thotë në këtë plan, se janë “marrë për bashkëshorte” si të mos e kishin atë titull. Por do të ishte shprehur ndryshe duke marrë parasysh nëse ato nuk do të ishin të lira. Kështu (ato që përmenden) janë të lira sa ç’janë edhe nga vejëria dhe virgjëria. Kështu Pali, duke emërtuar gjininë në përgjithësi, tërësisht ka përzier “bijat” dhe veçantitë së bashku në përkatësinë gjinore. Sërishmi, ndërsa ai thotë se “vetë natyra” , e cila ka caktuar flokët si një mbulojë dhe stoli për gruan “na mëson se mbulimi është detyrë e femrave”, nuk u ka dhënë të njëjtën mbulesë për kokën dhe të njëjtin nder gjithashtu dhe virgjëreshave? Nëse “është e turpshme” për një grua të rruajë kokën, në mënyrë të ngjashme është e turpshme edhe për një virgjëreshë. Atëherë, prej atyre të cilave u është dhënë një ligj dhe i njëjtë për kokën , u kërkohet një dhe e njëjta disiplinë - (e cila shtrihet) edhe mbi ato virgjëresha të cilat fëmijëria e tyre i mbron , sepse që prej fillimit virgjëresha u quajt “femër”. Shkurt, këtë zakon e respektoi edhe Izraeli; por nëse Izraeli nuk e respektoi atë, Ligji ynë , i zgjeruar dhe i shtuar, do të mbrojë shtesën e tij; le të falet pse detyron virgjëreshat të mbulohen. Nën përjashtimin tonë, le ta lejojmë atë moshë që është në padijë të gjinisë së saj të mbajë privilegjin e thjeshtësisë. Sepse që të dy, Eva dhe Adami, atëherë kur u ndodhi që të bëhen të “urtë” , menjëherë mbuluan çfarë mësuan të njohin . Për çdo rast, duke patur parasysh ato për të cilat vajzëria është shndërruar (në maturi), mosha e tyre duhet t’u kujtojë detyrat e tyre si natyrore, gjithashtu dhe ato disiplinore, sepse kanë kaluar në shkallën e “grave” në personin dhe funksionin e tyre njëkohësisht. Asnjë nuk është “virgjëreshë” që prej momentit kur ajo është e aftë për martesë; duke e marrë parasysh këtë, në të, që prej asaj kohe mosha është martuar me bashkëshortin e saj, domethënë kohën . “Por një virgjëresha e veçantë ia ka përkushtuar veten Perëndisë. Që prej atij momenti ajo ndryshon formën e flokëve të saj dhe kthen veshjen e saj në një veshje “gruaje”. Atëherë le të mbajë karakterin e saj të plotë dhe të zbatojë funksionin e plotë të një “virgjëreshe”: atë që ajo fsheh për hir të Perëndisë, le ta fshehë pothuajse të gjithë . Është punë e jona t’i besojmë vetëm urtësisë së Perëndisë prej së cilës hiri i Perëndisë vepron në ne, përderisa nuk marrim prej njerëzve shpërblimin të cilin e presim prej Perëndisë . Pse zhvishni përpara Perëndisë çka mbuloni përpara njerëzve? Mos duhet të dukeni më të thjeshta në publik sesa në kishë? Nëse vetëpërkushtimi juaj është një hir Perëndie dhe ju e keni marrë atë, “pse mburreni”, tha ai, “sikur nuk e keni marrë?” Pse, nga mburrja e vetes, gjykoni të tjerët? Mos vallë duke u mburrur ftoni të tjerët tek Perëndia? Jo, por madje edhe vetë ju rrezikoni të humbni nëse mburreni; madje drejtoni dhe të tjerë në të njëtin rrezik! Çfarë është marrë nga dashuria për mburrje shkatërrohet lehtë. Mbulohuni virgjëresha, nëse jeni virgjëresha; sepse ju duhet të skuqeni nga turpi. Nëse jeni virgjëresha, tkurruni përpara (vështrimeve të) shumë syve. Fytyrën tuaj le të mos e shikojë askush; asnjë le të mos kuptojë gënjeshtrën tuaj . Ju jeni të zonja në marjen e gënjeshtërt të karakterit të të martuarave, nëse mbuloni kokën; jo, nuk dukeni ta merrni në mënyrë të gënjeshtërt, sepse ju jeni martuar me Krishtin: atij ia keni dorëzuar trupin tuaj; silluni sikur të zbatohej disiplina e Bashkëshortit tuaj. Nëse Ai porosit që gratë e të tjerëve duhet të mbulohen, shumë më tepër e tija. “Por çdo individ nuk duhet të mendojë se institucioni i paraardhësit të tij duhet të hidhet poshtë”. Shumë shpallin me zë të lartë gjykimin e tyre dhe lidhjen e tij me zakonet e të tjerëve. Sigurisht që virgjëreshat nuk duhen detyruar të mbulohen, si vullnetare që janë nuk duhet të ndalohen, në çdo rast; në të njëjtën mënyrë, cilat, nuk mund të mohojnë vetet e tyre për të qenë virgjëresha , të kënaqura, në sigurinë e një ndërgjegjeje të mirë përpara Perëndisë, do dëmtonin famën e tyre . Nëse do të ishin të fejuara, me qëndrueshmëri mund të shpall “tej masës sime të vogël” dhe të provoj se ato duhet të mbulohen që prej ditës në të cilën trupi i tyre u rrënqeth në prekjen e parë trupore të një burri nga puthja dhe dora. Sepse në to gjithçka është paramartuar (tashmë martuar): mosha nëpërmjet pjekurisë, mishi nëpërmjet moshës, shpirti nëpërmjet epshit, thjeshtësia nëpërmjet përvojës së puthjes, shpresa nëpërmjet pritjes, mendja nëpërmjet dëshirës. Dhe Rebeka është një shembull i mjaftë për ne, ajo e cila kur i fejuari i saj u shfaq, mbuloi veten për martesë thjesht në pranim të tij .
Kreu XXIII – Për gjunjëzimin
Edhe për sa i përket gjunjëzimit, gjatë lutjes vëmë re një larmi praktikash. Janë disa që nuk pranojnë të gjunjëzohen në ditët e Sabatit ; dhe meqenëse kjo ka shkaktuar ndasi nëpër kisha, dhëntë Zoti që të ndarët ose të tërhiqen ose të vazhdojnë të ndjekin praktikën e tyre pa fyer të tjerët. Ne (ashtu siç na është lënë porosi) ditën e Ngjalljes së Zotit duhet të ruhemi jo vetëm nga gjunjëzimi, por edhe nga çdo lloj qëndrimi a mendimi të shqetësuar; duke lënë mënjanë gjithë punët, përndryshe djalli do të zërë vënd ndër ne . Po kështu, edhe gjatë kohës së Rrëshajave, kohë e cila dallohet për solemnitetin ngadhënjyes . Kush është ai që do të ngurronte të përkulej çdo ditë para Perëndisë, të paktën gjatë lutjeve të para me të cilat presim agimin? Për më tepër, gjatë kreshmëve dhe Ndalesave asnjë lutje nuk duhet të bëhet pa gjunjëzimet dhe praktikat e tjera përulësi-treguese; sepse gjatë kësaj kohe jo vetëm që lutemi, por edhe dënojmë veprat tona dhe kështu kënaqim Perëndinë, Zotin tonë. Për sa i përket kohës së lutjes, nuk na është thënë asgjë, përveç diçkaje që është thënë shumë qartë: “Lutuni në çdo kohë dhe në çdo vend” .
Kreu XXIV – Për vendin e lutjes
Si “në çdo vend”, kur është e ndaluar (të lutemi) në sy të njerëzve? Në çdo vend, do të thotë, në çdo rast a nevojë që të mundësojë lutjen: sepse lutja që u bë nga apostujt (të cilët brenda në burg në prani të të burgosurve “filluan të luteshin dhe t’i këndonin Perëndisë”) nuk bie në kundërshtim me këtë porosi; madje as ajo e bërë nga Pali, i cili në anije, në prani të të gjithëve “iu falenderua Perëndisë” .
Kreu XXV – Për kohën e lutjes
Për sa i përket kohës, praktika e lutjes së jashtme gjatë disa orëve të caktuara, nuk do të ishte e padobi – flas për ato orë të njohura nga të gjithë, që shënojnë intervale të ndryshme të ditës – e treta, e gjashta, e nënta – të cilat siç i shohim në Shkrimet, janë më të rëndësishme se orët e tjera. Dëftimi i parë i Shpirtit të Shenjtë, ndër dishepujt e mbledhur, ndodhi në “orën e tretë” . Pjetri, ditën që përjetoi vizionin e Bashkësisë së Mbarëbotshme, kishte hipur në tarracën e shtëpisë për tu lutur në “orën e gjashtë” . I njëjti apostull ishte duke shkuar në tempull, bashkë me Joanin “në orën e nëntë” , kur shëroi paraletikun. Megjithëse këto praktika ndiqen pa pasur ndonjë porosi të veçantë, është një gjë e mirë që të vendosim disa rite të ngulitura, të cilat jo vetëm që do ti shtonin rreptësi porosisë për lutje, por, ashtu si një ligj, do të na largonin nga punët tona dhe do të na thërritnin për lutje, në mënyrë që – ajo që lexojmë se zbatohej edhe nga Danieli , në përkim me disiplinën izraelite, të bëhet edhe ndër ne – të lutemi të paktën tre herë në ditë, duke qenë se i detyrohemi të treve, Atit, Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë; shtojmë këtu edhe lutjet tona të rregullta, të cilat janë të merituara dhe pa porosi të veçantë, por që thuhen në hyrje të dritës dhe të natës. Ndaj, besimtarët nuk duhet as të marrin ushqim e as të lahen pa drejtuar lutje, sepse flladitja dhe të ushqyerit e shpirtit vijnë para atyre të trupit; dhe gjërat hyjnore para tokësoreve.
Kreu XXVI – Për ndarjen me vëllezërit
Nuk duhet të lësh një vëlla të largohet nga shtëpia jote pa thënë një lutje më parë. “A ke parë një vëlla?”, pyesin Shkrimet, “ Ke parë Zotin”; - dhe sidomos një “të huaj”, se ka të ngjarë të jetë “një ëngjëll”. Por edhe kur të bujtni tek vëllezërit tuaj, mos i vini pijet tokësore para atyre qiellore, sepse besimi juaj do të gjykohet në po atë çast. Sërish sipas porosisë , si mund të thoni “paqja qoftë në këtë shtëpi”, nëse nuk shkëmben paqe me njerëzit e asaj shtëpie?
Kreu XXVII – Për shtesat në psalme
Më këmbëngulësit në lutje e kanë bërë zakon t’i shtojnë lutjeve të tyre “Haleluja” dhe psalme të tjera, në përfundim të të cilave përgjigjet bashkësia. Sigurisht, çdo praktikë është e përsosur, sa kohë që për të lavdëruar dhe nderuar Perëndinë synon t’i drejtojë atij lutje të pasuruara bashkërisht si një flijim i zgjedhur .
Kreu XXVIII – Për flijimin shpirtëror, që është lutja
Sepse ky është flijimi frymëror , që ka shfuqizuar flijimet fillestare. “Ç’më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga holokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej. Kush ua ka kërkuar këtë?” Atë çfarë ka kërkuar Perëndia na e tregon Ungjilli. “Po vjen ora që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ai. Perëndia është frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” . Ne jemi adhuruesit e vërtetë dhe priftërinjtë e vërtetë, të cilët duke u lutur në frymë , po në frymë flijojnë lutjen - fli e drejtë dhe e pranueshme për Perëndinë, të cilën ai e vetë e ka kërkuar dhe e pritur për shumë kohë! Ky flijim, që kushtohet me gjithë zemër, i ushqyer nga besimi, i përkujdesur nga e vërteta, tërësisht i pafajshëm, i kthjellët deri në qashtërsi, i lulëzuar me dashuri , duhet nisur bashkë me vargun e veprave të mira, mes psalmesh dhe himnesh, drejt e tek altari i Perëndisë, për të na siguruar gjithë gjërat prej Perëndisë.
Kreu XXIX – Për fuqinë e lutjes
E çfarë është ajo që na mohohet nga Perëndia, nëse lutja vjen nga “fryma dhe e vërteta”? Për sa e sa shembuj të mrekullueshëm lexojmë, dëgjojmë dhe besojmë! Lutjet e botës së vjetër shpëtonin njerëzit nga zjarret , nga bishat , dhe nga zija e bukës ; megjithatë ende lutja nuk kishte marrë formën e saj prej Krishtit. Sa herë më e frytshme është lutja e Krishterë! Nuk vendos engjëllin e vesës në mes të zjarrit , as nuk u lidh gojën luanëve, as nuk u jep të uriturve bukën e fshatarëve ; nuk ka asnjë hir të autorizuar për të shmangur vuajtjen; por e mbush vuajtjen, ndjenjën, hidhërimin me durim; shumon hirin me virtyt, në mënyrë që besimi të dijë çfarë merr prej Zotit dhe të kuptojë ato që vuan për emrin e Zotit. Por në të kaluarën, lutja shkaktonte murtaja, shpërndante ushtritë armike, ndalonte ndikimin e begatë të shirave. Tani, lutja e të drejtit largon zemërimin e Perëndisë, armiqtë e vet i strehon në tenda, lutet për përndjekësit e vet. A nuk është lutja një mrekulli përderisa arrin të lëshojë shira nga qiejtë dhe që dikur lëshonte zjarr prej tij? Vetëm lutja arrin të fitojë (mundë) Perëndinë . Por Krishti ka dashur që lutja të mos bëhet për të liga. I ka dhënë pushtet të plotë vetëm për të mira. Kështu, ajo nuk di veçse të thërrasë shpirtrat e të vdekurve nga vetë rruga e vdekjes, të shndërrojë të dobëtit, të shërojë të sëmurët, të pastrojë të demonizuarit, të hapë hekurat e burgjeve, të çlirojë të pafajshmit. Po kështu, lan fajet, mban tundimet larg, shuan përndjekjet, ngushëllon zemërlëshuarit, gëzon gazplotët, shoqëron udhëtarët, zbut valët, u kall datën kusarëve, ushqen të varfërit, udhëheq të kamurit, ngre të rënët, ndalon rënien e atyre që rrezikojnë të bien, miraton të qëndrueshmit. Lutja është muri i besimit: armët dhe predhat e tij kundër armikut, që na ruan syhapur, në çdo çast dhe nga të gjitha anët. Ndaj, kurrë mos të udhëtojmë të paarmatosur. Ditën të kujtojmë Ndalesat, natën lutjet e pagjuma. Nën krahët e lutjes le të ndjekim shembullin e Gjeneralit tonë, në lutje të presim trumpetat e ëngjëllit . Po kështu luten edhe engjëjt, të gjithë krijesat luten; bagëtia dhe bishat e egra luten dhe përkulin gjunjët e tyre; dhe kur dalin nga strofkat dhe vrimat e tyre çojnë sytë drejt qiellit pa përtesë dhe marrin frymë zhurmshëm sipas mënyrës së tyre. Edhe zogjtë duke dalë nga foletë e tyre, ngrejnë trupin drejt qiellit dhe në vend të duarve hapin krahët e tyre të kryqta dhe këndojnë diçka që duket si lutje. Çfarë të themi më për lutjen? Vetë Zoti u lut; Atij i qoftë nderi dhe mirësia në jetë të jetëve!
Përgatiti Thoma Shkira
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt