Rast urgjent në QSUT, s’jepet ndihma e pare
Dërguar më: 14/01/2014 - 07:05
Erjon Skëndaj
Një grua nga fshati Selbë i Tiranës ka mbërritur në Urgj-encën e QSUT në gjendje kritike por nuk ka marrë shërbimin e duhur. Familjarët shumë të irrituar përveç të tjerave sqarojnë se mjekët i kanë thënë se duhet të shkojë te urgjenca e spitalit 5 pasi nuk ishte rast për to. "Nuk na dhanë as ndihmë e as na shoqëruan në atë gjendje e ne u detyruam ta çojmë nënën si mundëm sepse ishte shumë rëndë", thotë një prej të afërmve të mesogruas. Ndërkaq mjeku kardiolog Petrit Vargu sqaron se veç këtij rasti ka një disorganizim në sistemin shëndetësor. "Ky ishte një problem i urgjencës së Psikiatrisë, e cila ndodhet rreth 70 metra nga urgjenca jonë dhe siç ma raportuan edhe kolegët, rasti u nis menjëherë atje për ndihmë. Ka gjëra, të cilat nuk shkojnë në këtë spital të cilat janë të mbartura dhe kronike. Këtu kemi të bëjmë me një disorganizim, të cilat ndodhin kur ke diçka të organizuar keq. Këto janë të përditshme. Ne nuk mund të kapemi me gjëra të tilla si pse nuk e solli ambulanca pacientin dhe pse e solli këtu apo e çoi në urgjencën e psikiatrisë. Domethënë shkaku është disorganizmi që ndodh në shëndetësi", sqaron Mjeku Petrit Vargu. Sipas tij kjo urgjencë është bërë për një kapacitet për 270 mijë vetë e jo 900 mijë ndërkohë që shton se askush nuk merret me këtë problem por merren me rimbursime fantomatike, të cilat i kanë shpallur që në fillim. Sipas kardiologut nevoja e një spitali rajonal është e madhe ndërkaq që ai thotë se janë marrë fonde e mjekë por s'është bërë asgjë. "Prej mëse një viti spitali i Sanatoriumit ka marrë fondet, madje ka marrë edhe kredi shumë interesante tregtare për t'u kthyer nga një spital polmonar, në një spital rajonal. Jo vetëm kaq, por janë marrë edhe 4 kardiologë, për të cilët nuk e di nëse kanë një zinxhir për ta dredhur apo jo. Kanë edhe investime shumë interesante që mund të bëjnë edhe hemodinamikë. Nuk është marrë asnjë masë që ky staf, i cili merr rogën rregullisht, merr rrogën e taksapaguesve shqiptarë të vihet në punë. Ke një staf të tërë që mërr rrogën e s'bën asnjë gjë atje", shton Vargu. Kardiologu shton se në QSUT është shkatërruar një sistem mjekësh roje që është ngritur që me themelimin e këtij spitali. " Nëse nuk kemi kurajë të merremi me këto probleme ne kemi marrë fund", përfundon ai. E mjaftoi vetëm një rast për të nxjerrë në pah problematikën që has gjithkush në QSUT duke filluar që nga mjekët e deri te pacienti.
gazeta shqiptare
Krijoni Kontakt