Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Botohet për herë të parë diploma e Balshajve

    Musa Ahmeti: Botohet për herë të parë diploma e Balshajve

    Nga: MUSA AHMETI

    Emri:  78394.jpg

Shikime: 607

Madhësia:  38.7 KB
    Diplomat origjinale të dinastisë së njohur shqiptare të Balshajve, të cilat sot ruhen në Arkivin Shtetëror i Dubrovnikut bëjnë pjesë në ato burimet arkivore-dokumentare të sllavishtes së vjetër të pabotuara ose pjesërisht të botuara deri tani, pa editime kritike, të pashoqëruara me faksimile, të patranskriptuara, që shpesh herë kanë qenë burime keqinterpretimi ose keqinformimi si për studiuesit, historianët dhe lexuesin e gjërë, të cilët nuk e njohin sllavishten mesjetare. Botimi sipas metodave bashkëkohore, me një editim kritik, të shoqëruara me faksimile, të transkriptuara në sllavishte të vjetër, të përkthyera në shqip dhe të shoqëruara me komente përkatëse sa më përmbajtësore, duke shmangur për aq sa është e mundur "detajet e lodhshme" të diplomatikës, sfragjistikës, heraldikës, sigjilografisë e paleografisë, është një mënyrë që këto dokumente burimologjike për historinë mesjetare shqiptare të fundshekullit XIV të jenë të sakta e të përdorshme për të gjithë të interesuarit.
    Diploma që po botojmë me këtë rast është e njohur nga studiuesit dhe historianët, po për herë të parë ajo botohet së bashku me faksimile cilësore të cilat specialistët e medievistikës dhe paleografisë së sllavishtës së vjetër mund t'i lexojnë lehtësisht (shih ilustrimin nr. 1). Përveç kësaj botimi është shoqëruar edhe me aparat kritik, përkthim në gjuhën shqipe, transkriptim e transliterim. Logjika e studimit përcjellës e bazuar në të gjitha këto elemente shkencore mund të ndiqet lehtësisht jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga amatorët e interesuar në këtë fushë dhe historidashësit.
    Dinastia e Balshajve ishte njëra prej dinastive më të njohura shqiptare në shekujt XIV -XV e cila e shtriu zotërimin dhe sundimin e saj nga veriu në jug të territoreve mesjetare shqiptare. Nga kancelaria e kësaj dinastie dilnin dokumente në disa gjuhë të kohës, po me këtë rast ne po botojmë diplomën që është shkruar në sllavishte të vjetër, me alfabetin cirilik të llojit mijuskul. Gjuha sllave me alfabet cirilik praktikohej nga kancelaritë e fisnikërisë shqiptare mesjetare krahas gjuhëve të tjera, duke treguar kështu aftësi komunikuese diplomatike me qendra të ndryshme evropiane dhe ato fqinjësore. Diplomat e dinastisë së Balshajve që ndodhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut të shkruara me grafema cirilik, janë gjithsej 15 copë dhe i takojnë periudhës kohore 7 janar 1368 - 3 nëntor 1395.
    Të gjitha këto diploma janë të shkruara në letër të cilësisë së lartë gjysmëkarton dhe që të gjitha janë të vulosura. Boja e përdorur nuk ka nevojë për koment, sepse i ka rezistuar pa asnjë dëmtim 618 vjetëve të kaluara.
    Ndërsa kur jemi te vulat, duhet të theksojmë se duke i botuar faksimilet e tyre në gjendjen aktuale, mendojmë se sjellim një kontribut të veçantë për njohjen e sigjilistikës së fisnikërisë shqiptare, edhe pse janë në gjendje të rëndë dhe shumë të dëmtuara, të thyera dhe me pjesë të humbura. Kur flasim për vulat duhet të theksojmë se aty ka një të veçantë shumë domethënëse: të pesëmbëdhjetë diplomat që kemi në dorë janë vulosur me nëntë lloje vulash të ndryshme, po ashtu është e rëndësishme të theksohet se të gjitha vulat janë të shtypura në letër dhe janë prej dylli. Asnjë nga vulat nuk është e varur dhe nuk ka përbërje plumbi, metali apo floriri, gjë e zakonshme kjo për kohën, por e ritheksojmë: të gjitha janë nga dylli. Fakti që vetëm nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut mund të identifikojmë nëntë lloje vulash të ndryshme që ka përdorur kancelaria e Balshajve për periudhën në fjalë është shumë domethënës për rëndësinë që kishte Raguza mesjetare për Balshajt në veçanti dhe për politikën mesjetare shqiptare në përgjithësi. Më shumë hollësi për llojet e vulave do të japim kur të merremi me shqyrtimin e tyre, tipet, dimensionet e tyre, përmbajtjen e teksteve, shenjat e heraldikës dhe elementet e tjera shoqëruese.
    Për fillim, kemi zgjedhur të botojmë diplomën e 24 prillit të vitit 1385 lëshuar në Tuz. Kjo diplomë prezantohet për herë të parë në këtë formë të plotë para studiuesve, historianëve dhe specialistëve shqiptarë, por edhe lexuesit të gjerë, me faksimile, me transkriptim [tejshkronjëzim] në alfabetin cirilik, (shih ilustrimet 2 e 3) e përkthyer në shqip e komentuar dhe e shoqëruar me një studim përkatës.
    Deri më sot ajo është botuar nga këta studiues sllavë: P. Karano-Tvrtkovi?, Srpski spomenici, 87-88; F. Miklosich, Monumenta Serbica, 202-203; Lj. Stojanovi?, Povelje i pisma I-1, 109-110; B. Šekularac, Dukljansko-zetske povelje, 166-173; ku në të gjitha këto botime ka lëshime dhe gabime të natyrave të ndryshme. Ne jemi përpjekur t'i korrigjojmë ato, gjithnjë duke u mbështetur në origjinalin e diplomës e jo duke bërë përshkrim të përshkrimeve. Nuk kemi shënuar asnjë autor apo botim qoftë edhe të pjesshëm shqiptar, për shkak se të gjitha citimet e bëra, jo vetëm të kësaj diplome por edhe tek të tjerat, janë me shumë gabime, duke qenë se këta autorët shqiptarë nuk e kanë njohur sllavishten, e aq më tepër nuk kanë pasur njohuri për paleografinë sllave mesjetare dhe leximin cirilik.
    Diploma e Balshës II e lëshuar 24 prillit të vitit 1385 lëshuar në Tuz është origjinale dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, në fondin: Ëiena 1027 [1019; nr. 123, an. 1385, N. 20 del Pach VII]. Teksti i diplomës është i shkruar në 18 rreshta. Diploma është e shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema cirilike me elemente të glagolicës, me ngjyrë të zezë, me shkrim të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi, sikurse mund të vërehet edhe nga ilustrimet që po botojmë [shih ilustrimet: 1 e 2]. Ajo ka qenë e palosur horizontalisht në tre pjesë, ndërsa vertikalisht poashtu në tre pjesë të barabarta. Nga palosja ajo është e dëmtuar, po për fat të mirë teksti mund të lexohet pa problem edhe pse janë të dëmtuar rreshtat 2 deri 17 tek palosja e parë vertikalisht dhe horizontalisht. Dëmtime të vogla, të parëndësishme ka edhe te palosja e parë dhe e dytë si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht. Ndërsa në anën e pasme (verso) të diplomës është i shënuar ky tekst në italisht: "La pouelia de miser Balsa fata per le franchiçie delli mercadanti, quando fo ser Matio de Çorçi ambasiatore allo ditto signor MCCCLXXXV, ind. VIIpactorum comitis Ragusii cum domino Georgio de Balsa fatia in MCCLXXIII." (Shih ilustrimin nr. 2).
    Një element mjaft domethënës është se të gjitha diplomat e lëshuara nga kancelaria e Balshajve për Raguzën /Dubronvikun/, që ne njohim, janë të shkruara në letër-gjysmë kartoni. Nëse analizojmë këtë fakt, atëherë mund të nxjerrim një përfundim se nga mesi i shekullit XIV (1360) e deri në fillim të shek. XV (1405) në të gjitha kancelaritë e fisnikëve shqiptarë, por edhe atyre të shteteve fqinje, diplomat janë shkruar në letër, pra jo në pergamenë, edhe pse nuk përjashtojmë mundësinë e përdorimit të pergamenës në raste të veçanta. Po të shikojmë edhe diplomat e Kastriotëve, (Gjonit e Gjergjit-Skenderbeut), Dukagjinëve dhe Aleksandrit të Kaninës, etj, nga periudha në fjalë, të gjitha janë të shkruara në letër-gjysmë kartoni.
    Përsa i përket shkrimit, siç ishte zakon i kohës, ajo ka shkurtesa të shumta, të cilat i kemi zbërthyer në transkriptim [tejshkronjëzim]. Në kllapa të vogla "()" kemi vënë grafemat që mungojnë në fjalët përkatëse sipas leximit të sotëm të sllavishtes, ndërsa në kllapa të mëdha katrore "[]" kemi vënë grafemat e shkurtesave të fjalëve që ishte praktikë e kohës, kurse në kllapa të drejta "||" kemi vënë numrin e fillimit të rreshtit të tekstit të diplomës. Në transkriptim [tejshkronjëzim] kemi ruajtur të gjitha shenjat e interpunktimit të kohës. Nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo përmirësim i ndonjë grafeme apo fjalë: gjithçka është lënë siç është në origjinal.
    Në fund të shekullit XIX është bërë një restaurim i thjeshtë i kësaj diplome, ku janë vënë 5 shirita të shkrutër letre të bardhë që diploma të mos grisej apo dëmtohej edhe më shumë. Diploma është e vërtetuar me vulë dylli të kuq, të rrumbullakët, e cila është ngjitur në një shirit të fortë kartoni është ngjitur në letër, rast ky shumë i veçantë dhe që është përdor në mënyrë të qëllimshme nga Filip Barelli që askush tjetër të mos mund të shkruaj ndonjë gjë tjetër poshtë tekstit që ai ka shkruar. Vula është në fund të tekstit të shkruar në mes të letrës. Vula është gjysëm e dëmtuar. Në mes të vulës vërehet figura e ujkut kurse në anën e majtë të rrethit disa grafema që nuk lexohen lehtë. Vula në origjinal ka dimensione: 3.6cm x 3.4cm dhe trashësinë 0.5cm. [Shih ilustrimin nr. 3]. Shkak i dëmtimit të vulës, është zhvendosja e shpeshtë e këtij dokumenti në relacionet: Dubrovnik-Vjenë-Beograd-Dubrovnik. Këtë dokument e ka shkruar protovestiari (perosni që mbante financat e familjes Balsha) Filip Bareli.
    Për herë të parë, kjo diplomë është botuar në vitin 1840. Ajo ka njohur disa ribotime, po asnjëherë korrekte dhe me gabime të shumta. Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës origjinale me signaturë: Ëiena 1027 [1019; nr. 123, an. 1385, N. 20 del Pach VII], është shumë i vështirë jo vetëm për studiuesit dhe historianët, që nuk janë specialist të paleografisë sllave, sidomos asaj cirilike dhe glagolike, por edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në transkriptime [tejshkronjëzime] të këtij lloj shkrimi. Shkurtesat e shumta dhe grafia e imtë dhe në disa raste, shenjat e veçanta të shkruesit Filip Barellit, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin [tejshkronjëzimin]. Kjo diplomë që ka karakterin e një dokumenti publik mban në vetë të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike.
    Në fillim, është i shënuar invokacioni simbolik, pason invokacioni verbal dhe datimi. Invokacioni simbolik, i paraqitur me shenjën e kryqit, tregon nënshtrimin e pushtetit real të Balshajve ndaj atij kishtar, duke treguar besnikërinë absolute ndaj kishës. Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit te dokumentet e tilla sllave. Me këtë, i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihej qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: "Unë Balsha, me hirin e Perëndisë, dukë i Durrësit..."
    Menjëherë në vijim është intitulacioni që në këtë rast është i gjatë dhe shtrihet në 4 rreshta në origjinal: "Unë Balsha, me hirin e Perëndisë, dukë i Durrësit edhe më tutje, shkruaj e urdhëroj që të jetë e njohur për çdo njeri, se ka ardhur te unë i dërguari i qytetit të Dubrovnikut Mate Zhurgoviçi dhe më foli për punë dhe për tregëtarët dhe për lirinë dhe për diplomën e zotit vëllaut tim Gjergjit dhe timen." Pra me këtë rast Balsha II konfirmon diplomën e lëshuar nga ai dhe vëllai i tij Gjergji në vitin 1379 për qytetarët dhe tregtarët dubrovnikas. Shkak për lëshimin e kësaj diplome të re është fakti se Balsha II kishte futur nën sundim të tij territore të reja, po njëkohësisht kishte ankesa nga dubrovnikasit se nuk respektohej diploma e mëhershme dhe se ata plaçkiteshin, ndiqeshin e vraheshin nga shtetasit e Balshës II siç ishin rastet më të rënda në Vreg te grykëderdhja e Shkumbinit, në Shën Sirgj të Bunës, në Shkodër, Tivar etj.
    Kjo diplomë ka një rëndësi të veçantë sepse për herë të parë e të vetme e gjejmë titullin "Dukë i Durrësit" për Balshajt në diplomat që kanë dalur nga kancelaria e tyre dhe që ne njohim deri sot. Në fakt këtë titull e gjejmë edhe një herë tjetër por në një diplomë në greqisht nga i njëjti vit- 1385.
    Zakonisht, në këtë kohë, datimi shënohet në fund të tekstit (që në rastin tonë në këtë diplomë edhe është shënuar) në formën: 24 prill 1385 nga lindja e Krishtit. Te datimi kemi kemi dy momente interesante që duhen veçuar: a) Filip Barelli ka shënuar vetëm vitin njëmijë me shkronja si tërësi, ndërsa numrat e tjerë i shënon me grafema sipas praktikës së kohës, kjo formë datimi është karakteristikë te të gjitha diplomat e lëshuara nga kancelaria e Balshajve në gjuhën sllave, dhe momenti i dytë b) grafemat të cilat janë ekuivalent i numrave të datave, shkruesi i ka shënuar me një "X" sipër secilës grafemë.
    Kurse dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, e cila në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën ku Balsha II pohon: "Unë, duke parë fjalët e tij të vërteta prej mikut dhe fisnikërisë së qytetit të Dubrovnikut dhe duke dëshiruar që mes nesh të jetë dashuria e vjetër, konfirmoj diplomën e vëllaut tim Gjergjit dhe timen duke pohuar mosndryshimet dhe që tregtarët e tyre të cilët kalojnë nëpër pronat e mija, lirisht të shesin e blejnë pa asnjë pengesë", për të vazhduar pastaj me një pohim shumë interesant dhe tepër të veçantë që pothuajse nuk ndeshet asnjëherë tjetër në diploma të ngjashme të kohës: nëse dikush nga ata humbet diçka në territorin tim ose në sundimin tim, unë Balsha II, nëse nuk do mund të gjej fajtorin që t'ia dorëzoj fisnikërisë dubrovnikase, unë do ju paguaj dëmin, dhe në pjesën e fundit të dispozicionit Balsha II pohon se kjo diplomë është e vlefshme "për të gjallë timin" gjë që paraqet një moment interesant ku një fisnik shqiptar nuk obligon pasardhësit me ato që ka premtuar vetë për të gjallë të tij. Kurse në ekspozicion (narracion) janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik: "konfirmoj diplomën e vëllaut tim Gjergjit dhe timen duke pohuar mosndryshimet" pra prerazi pohohen qëllimet e lëshimit të diplomës. Përforcimi zakonisht fillon me simbol, që në këtë rast nuk e kemi, por kemi vetëm emrin dhe firmën e Filip Barellit. Edhe këtu është një moment i veçantë, sepse në këtë kohë praktikohej që dëshmitar të jenë më shumë se një. Diploma nuk ka nënshkrim autograf të Gjergj Balshës, po ka vulën e tij. Nënshkrim nuk kemi në asnjërën prej 15 diplomave që kemi në shqyrtim. Vula ishte e mjaftueshme si dëshmi e autoritetit që e lëshon dhe si e tillë në kancelarinë dubrovnikase ajo kishte një peshë mjaft të madhe.
    Përveç elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik, i mungojnë edhe disa pjesë standarde apo klishe, të cilat i ndeshin në diplomat të ngjashme nga e njëjta periudhë. Këto mungesa nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e kësaj diplome.

    (er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    Kreksi (25-03-2014)

  3. #2
    i/e regjistruar Maska e Kreksi
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Vendndodhja
    Francë
    Postime
    5,636

    Për: Botohet për herë të parë diploma e Balshajve

    =Historia e një monedhe shqiptare=



    Nga ky ekzemplarë kemi shkrimin e sakët:=M.BALS D.GORGI=
    në anen tjetër të medaljes lexojmi në te majtën: =S.LAVRENCIVS=

    Ne kete rast, Monedhen e lexojmi nga e djathta:
    Moneta Balse domini Georgi, nën kuptimin, filii, që do thotë, "monedha e Balsha Gjergjit", dhe nuk e shohim këtu se, kjo monedh nuk mund të mendohet më tutje te ishte e ndonjë despoti të Serbisë, por padyshim ishte e njërit nga Balshajt, sundimtari i Zentes(Shkodres).

    Kjo monedh e gjetur në Shqipërin veriore ka arrijtur në Paris, tek M. de Reichele, por edhe një monedh tjetër është paraqitur në të njëjtën kohë, ku disa specialist të numismatikës e kanë ngatrruar emrin e Gjergj Balshajt më emrin e Despotit të Serbisë që shte Gjergj Brankoviqi.


    Mirëpo sipas autorit Fransua Lenorman, emri i Shën Lorenit dihet se është i sakët, prandaj kjo legjend mbi këtë monedh duhet të lexohet kështu: eSlae.III, si e shohim në vizatim dhe lexohët M.BALSE. dhe definitivishtë, vetëm se nga pozicioni i ndryshëm i gerrmave.

    Amblema e kokës së ujkut duhet të konsiderohet nga emri i të folurit të shqipes ku shumica e oborrit të Balshajve përbëhëj nga shqiptarët, ku ujku quhej "ulk" dhe në të njëjtën kohë shohim të zvogluar përgjysmë, pa e ditur arsyen shohim yllin e shëndrritshëm, që sipas Orbinit, ishte amblema e origjinës së Balshajve, dhe që lidhej pa dyshim me familjen e Bo të Provinces, ose me Shpatin e Provincës, principat kjo që shtrihet në jug të Francës por nën administrimin e familjes Grimaldi, që e perfaqson Alberiti i II-të, princi i Monakos.
    Në realitet ky simboli me yllin 12 rremësh thuhet se e ka prejardhjen nga mbreti Baltazar, sipas Evangjiles, ky mbret i drejtoi tre mbretër në Betleém, në identifikimin e lindjes së Gëzusit...

    Por tani, cilit prej princave Balshaj duhet t'ia japim këtë monedh ?

    Pergjigjia pra në këtë pyetje pas vêshtrimeve historike të vëndosuara mê lartë nê fillim të kêtij punimit, nuk mê duket i vështirë për tu zgjedhur.

    Tre princat e kësaj dinastije që e mbajten emrin Balshaj, mirëpo vetëm njëri prej tyre, i treti ishte i biri i Gjergjit. Dhe perveç kësaj, si e kemi parë, ky princ ishte shumë i famshëm dhe i fuqishëm i cili ka patur aftësi të shtypi monedha.


    Simboli i familjes Bo de Provence m yllin e Mbretit Baltazar=Baltazar (Balsa-sar) që perputhet me Balsa=Balta-zar=

    Perkatesija e kêsaj monedhe Balshajt III dëshmohët edhe përmes marrëdhênjeve që na japê kjo monedh, si edhe përmes stilit dhe tipit të fondeve të dyfishta nga babai i tij, që ishte bashkohës i mbretit Tvrtko.
    Pra kjo monedh jep të drejtën me emrin e princit, një mburojë të ngritur me një kreshtë e një dispozite mjaftë të ngjajshme më mburojen që shohim mbi kreshten e Gjorgj Balshes; mirëpo mburoja mbanë një T te madhe e të kurorizuar nga kreshta e ngritur me një kon të pishes, atribute të perzgjidhura nga Tvrtko i cili njësoj si princi i Zetës kishte zgjedhur njê kokë ujku.

    Shën Loreni që shihët nga ana tjetër e monedhes na kujton në mënyrë të habitshme shën Trifonin nga monedhat e shtypura në Kotorrë, poashtu shën Loreni ishte padroni i Durrësit, pra, në këtë qytet pa dyshim se është shtypur kjo monedh nga Balsha i III-të. Si perfundim, Balshaj i fundit në vitin 1413 i kishte marrur nga Venedikasit Shkodren dhe Durrësin, qe iu kishte dhënë 18 vite më parë Republikes Venedikase nga i ati i tij, Gjergj Balsha i II-të.

    Deri më tani vetëm Shqipëria (viti 1860) mbetej pa monumente numismatike, por duke njohur përmes monedhes së Balshes III-të ne kemi dhurua këtë elementin e parë për të plotsuar këtë munges, por pa dyshim se edhe familjet tjera shqiptare, si ajo e Dukagjinit e Topia, që ishin te fuqishme ka mundësi se edhe këto familje kanë shtypur monedha.

    Plotësime, nxjerrur nga Fajalori Enciklopedik Shqiptar:
    Balsha III sundoi nga viti 1403 deri në vitin 1421, ishte sundimtari i fundit i principatës së Balshajve, udhëheqës i luftës së gjatë për çlirimin e krahinës së Shkodrës dhe qyteteve bregdetare Ulqin, Tivar, Budua nga pushtimi venedikas.


    Memuaret; Numismatika, autor Françua Lenorma 1860 Athenë.

    Përgatiti Kreksi për Rilindjen=Ilire=Shqiptar= 2012=
    Askush nuk te pyt: ç'ka bere atedheu per ty por ç'ke bere ti per Atedheun ! - JFK

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •