Debate dhe shqetësim ka shkaktuar në Greqi lajmi i publikuar nga BBC, sipas të cilit, armët kimike të Sirisë do të shkatërrohen në ujërat ndërkombëtare në perëndim të Haniasë, në ishullin e Kretës.
BBC njoftoi se ngarkesa e parë është nisur nga porti “Latakia” në Siri me anijen “Ark Futura”, e cila shoqërohet me anije luftarake ruse dhe kineze. Sipas raportit të BBC, pritet që anija të mbërrijë në Itali, pastaj ngarkesat toksike të transportohen në ujërat mes Greqisë dhe Italisë, ku do të shkatërrohen, por nuk jepen detaje të tjera. I gjithë operacioni do të kryhet nën koordinimin e Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.
Lajmi shkaktoi menjëherë reagimin e specialistëve dhe ekologëve në Greqi, të cilët mendojnë se përzierjet kimike janë substanca të rënda dhe se metoda e hidrolizës nuk do të mund t'i çaktivizojë substancat toksike. Specialistët thonë se shkatërrimi i armëve kimike do të sjellë nekrozën e plotë të mjedisit detar, ku peshku do të helmohet dhe do të kontaminojë gjithë popullsinë që do ta konsumojë atë. Gjithashtu ky veprim do të ketë ndikim serioz në turizëm dhe ekonominë e këtyre zonave, për shkak se kimikatet, madje edhe produktet hidrolizë janë jashtëzakonisht toksike dhe së paku për 5 vjet zona do të infektohet.
Sipas ambientalistëve, rajoni mes Adriatikut dhe Mesdheut është bërë tashmë një “varrezë kimike” nga mafia italiane, e cila në 20 vite ka zhytur në det rreth 30 anije me mbeturina të kimikateve. Nga ana tjetër edhe politika greke është e shqetësuar lidhur me mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike në Kretë. Partia “Demokracia e Re” ka kërkuar sqarime, ndërsa edhe opozita ka kërkuar interpelancë parlamentare lidhur me çështjen. Media greke e cilëson këtë zhvillim një "kërcënim me bombë toksike për shëndetin publik, ekonominë mjedisin e vendit dhe gjithë Mesdheut Lindor”.
Disa kohë më parë kur diskutohej Shqipëria si vend i mundshëm i demontimit të armëve kimike siriane, gazeta greke “Kathimerini” shkroi se vendet fqinjë duhet të mblidhen në një front mbështetës rreth Shqipërisë për t’i refuzuar armët, me frikën e shkatërrimit të mjedisit të gjithë rajonit. Sot media shkruan se “teksa plani i demontimit të armëve në Shqipëri dështoi për shkak të rezistencës publike, zgjidhet Kreta, sepse autoritetet greke kanë mbyllur sytë”.
BBC
Krijoni Kontakt