Publikuar: 09.01.2014 - 21:52
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, në një postim në Facebook, ka folur për dhimbjet e mëdha të Kosovës.
Ndër dhimbjet që e lëndojnë Kosovën, Krasniqi e ka cilësuar edhe shkuarjen e shqiptarëve të Kosovës për të luftuar në luftën, siç a e cilëson, “të pakuptimtë” të Sirisë.
“Shkuarja për të luftuar në luftën e pakuptimtë të Sirisë e cila s’është gjë tjetër veçse një luftë vëllavrasëse mes fiseve të ndryshme dhe e cila veç mëkatit, mjerimit e fatkeqësisë se atyre njerëzve të mjerë, nuk prodhon gjë tjetër të shenjtë si shahitë apo dëshmorë siç i themi shqip, ne. Krijuesi ynë (Zoti) është dhuruesi i jetës sonë, ai s’e ka autorizuar asnjë, e më asnjë njeri në botën tonë, i dobët apo i fuqishëm qoftë, për t’ia marr tjetrit dhunshëm atë që ia ka dhuruar Ai (krijuesi). Mekanizmat e shtetit dhe Bashkësia Islame, janë të obligueshëm që t’i njoftojnë qytetarët e vet për të vërtetën e asaj lufte, përkatësisht t’i edukojnë besimtarët e vet me vlerat e fesë islame. Ata nuk mund të hiqen sikur nuk po ndodhë asgjë rreth tyre”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, transmeton Koha.net.
Sipas informatave të fundit që vijnë nga Siria, në luftën që po ndodh atje, vetëm në ditët e fundit kanë humbur jetën 2 shqiptarë nga Kosova.
Krasniqi, ndërkaq, ka folur edhe për dhimbjet tjera, që sipas tij po e dëmtojnë Kosovë. Një ndër to është edhe mos-zhvillimi ekonomik i përcjellë me papunësi të madhe për shkak të politikave jo vetëm të pa qarta ekonomike, por edhe të dëmshme e të gabueshme të udhëhequra fillimisht nga ndërkombëtaret e që sa vite edhe nga vendoret.
Sipas tij, mungesa e një arsimi dhe edukimit tradicional kombëtar të filluar me një atdhedashuri të veçantë në vitet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare ( në shekullin XIX) e të zhvilluar deri në ditët tona, është edhe një dhimbje që po e dëmton Kosovën.
“Sot arsimi ynë është në ngërç të madh, i cili ngërç ka prodhuar dhimbjet tona të më poshtme”, ka shkruar Krasniqi.
Si dhimbje të tretë, Krasniqi e ka vlerësuar mungesën për mundësi punësimi dhe perspektive që ka vendi ynë, gjë e cila “ka bërë që shumë të rinj, perspektiven e tyre për një jetë më të mirë e të dinjitetshme, ta kërkojnë në rrugën e ikjes nga Atdheu ynë i shtrenjtë”.
http://koha.net/?page=1,13,171644
Krijoni Kontakt