Qytetarët ankohen për gjobat në mungesë, Policia: Gjithçka në përputhje me Kodin
Nga: SPARTAK KOKA
TIRANE - Vendosja e gjobave në mungesë dhe mos marrja e njoftimit për këto gjoba, si dhe burokracitë e shumta në kryerjen e pagesave, janë shqetësimet kryesore të drejtuesve të mjeteve që kërkojnë më shumë transparencë nga policia. Disa prej tyre shprehen se kanë marrë gjoba gjatë vitit 2012, kur mjeti që posedojnë ka qenë jashtë Shqipërisë.
“Kërkoj që kur të vendoset gjoba të informohem unë. Të vij për dy gjoba dhe të paguaj 13. Më kanë futur gjoba 320 mijë lekë, mua 320 mijë lekë më bën makina. Në këtë datë kam qenë në Gjermani, në 2012-ën, makina në Gjermani me mua, hajde merre vesh tani.”- shprehen qytetarët.
Nga ana tjetër, drejtuesit e policisë rrugore bëjnë me dije se vendosja e kundravajteve administrative janë bërë në përputhje me Kodin Rrugor, ndërsa shprehen të hapur për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve. Sipas tyre, në rrugët e Tiranës nuk do të ketë më individë të paprekshëm për shkeljen e rregullave të qarkullimit, apo për mospagesë të gjobave.
“Realisht vendoset gjoba në mungesë kur Policia Rrugore e ka të pamundur ta arrijë një mjet që lëviz me shpejtësi të madhe, kur ky mjet kalon në semafor me dritë të kuqe, kur këtë shkelje e konstaton një funksionar që ndodhet në një mjet tjetër, dhe në rastet kur në parkimin e gabuar drejtuesi nuk është prezent. Shumë shpejt do të bëjmë njoftimin e kundravajtjeve përmes Postës Shqiptare, kryesisht për gjobat në mungesë. ”- deklaroi Ervin Dervishi, shef i trafikut rrugor në Tiranë.
Ndërkohë banorët e pallateve pranë Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë në komisariatin e policisë rrugore një ankesë për vendosje të gjobave në mënyrë të padrejte. Policia rrugore sqaron se ankesa e banorëve është e drejtë, pasi nga bashkia janë vendosur tabela të cilat bien ndesh me njëra-tjetrën dhe për këtë shkak institucionit të bashkisë do i kërkohet bashkëpunimi për zgjidhjen e problematikës së krijuar.
Burime të policisë rrugore bëjne me dije se heqja e lejes së qarkullimit për mos pagëse të gjobave është bërë dhe për zv/kryetarin e Dhomës së Avokatisë, i cili ka 55 gjoba të papaguara, shefit të IT-së, apo shofereve të ambasadave.
(er.nu/news24/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt