E dhunojnë dhe i rruajnë kokën, gruaja: U vonova në kishë. I shoqi: Erdhi me kokë të lagur
Arrestohet i shoqi dhe i biri 17 vjeç. Vepruan me kanun.
Ngjarja, të dielën në zonën e ish-Kënetës. Nëna e dy fëmijëve: Mbylla telefonin se isha në kishë.
Kanuni i Lek Dukagjinit është ringjallur në një familje në zonën e ish-Kënetës në Durrës. At e bir, Gjergj e P.Arapi, pasi kanë dhunuar gruan e shtëpisë, i kanë prerë flokët, duke lënë të kuptohet se i ka turpëruar.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në zonën periferike të Durrësit pasditen e së dielës, në një familje me origjinë nga Mirdita. Vojsava Arapi, 39 vjeçe, nënë e dy djemve, kishte dalë nga shtëpia të dielën e kaluar për të shkuar në punë, në një rrobaqepësi. Ndryshe nga zakonisht, ajo është vonuar, ndërsa telefonin e kishte të fikur, duke shtuar dyshimet tek i shoqi dhe i biri 17 vjeç.
Vetë gruaja është justifikuar me faktin se ishte kthyer në kishë, por familjarët jo vetëm nuk e kanë besuar vonesën prej rreth 3 orësh, por e kanë dhunuar. E gjithë skena e zhvilluar në banesën ku jetonin me qira është parë edhe nga djali i vogël i familjes, i cili është terrorizuar nga të bërtiturat e së ëmës dhe dhunës së ushtruar. E gjendur përballë një situate, ku në rrezik ishte jeta e saj, Arapi ka denoncuar në polici të shoqin dhe djalin e madh. Ata janë arrestuar në flagrancë, ndërsa e dëmtuara është dërguar në spital për ndihmë mjekësore e më pas u strehua te familjarët e saj.
Gruaja: U vonova në kishë
“Dola si çdo ditë për të shkuar në punë, pasi prej vitesh punoj në një rrobaqepësi. Meqë ishte e diel dhe nuk kishim shumë punë, në kthim unë u ndala në kishën e zonës për të kryer ritet fetare të përjavshme. Nuk e kisha kuptuar që ora kishte kaluar dhe celularin e kisha harruar të fikur”. Gruaja 39-vjeçare është marrë në pyetje nga policia në prani të psikologes, duke treguar momentet kur iu nënshtrua dhunës dhe qethjes së flokëve. “Sapo u ktheva në shtëpi u përballa më të bërtiturat e bashkëshortit tim, i cili nisi edhe të më qëllonte. Më pas edhe djali u bë pjesë e dhunës së ushtruar ndaj meje. Më goditën e rrahën, ndërsa vazhdimisht më ofendonin dhe më pyesnin: Ku ishe? Pse u vonove? U mundova t’ua shpjegoj, por ata nuk më dëgjonin. Më pas morën gërshërët dhe tentuan të më presin flokët. Meqë gërshërët nuk prisnin mirë, ata morën briskun dhe më rruajtën kokën. Më kërcënuan se do të më presin hundën, pasi sipas tyre i kisha turpëruar. Jam e tronditur, nuk di çfarë të them më shumë”, mësohet të ketë dëshmuar për grupin hetimor Vojsava Arapi, gruaja e dhunuar nga bashkëshorti dhe i biri. Ajo është e vetmja që punon në familjen me 4 anëtarë, ndërsa djali i madh dhe i shoqi ishin të papunë.
I shoqi: Erdhi me kokë të lagur
Gjergj Arapi, i pyetur në polici pas arrestimit në flagrancë me të birin për dhunë në familje, ka deklaruar se gruaja e ka gënjyer. Sipas tij, e shoqja ishte kthyer në shtëpi me flokë të lagur dhe të kapur bisht, ndonëse nuk binte shi. “Nuk thoshte të vërtetën, por gënjente. Nuk kishte çfarë bënte 3 orë në kishë”, ka thënë në polici i shoqi, duke hedhur dyshimet për një lidhje tjetër të gruas, por pa dhënë elementë të tjerë. Babai i dy fëmijëve është shprehur se fillimisht ka pasur debat dhe vetëm disa shuplaka nga ana e tij, por ka qenë i biri që ka nxjerrë gërshërët për t’i prerë flokët. Duke parë që nuk ia ka dalë dot për shkak të trashësisë me brisk i ka prerë pjesën e lidhur të flokëve. Në këto kushte, djali 12-vjeçar i familjes ka nisur të bërtasë, çka ka bërë që gruaja të mund të lajmërojë policinë. Policia ka lëshuar menjëherë urdhrin e mbrojtjes për 39-vjeçaren, e cila bashkë me djalin e vogël është strehuar te familjarët e saj.
Familja Arapi, vetëm gruaja e punësuar
Një ditë pas ngjarjes në shtëpinë e familjes Arapi, të vendosur prej disa vitesh në zonën e ish-Kënetës në Durrës nuk ndodhet askush. Gruaja e dhunuar së bashku me djalin e vogël mësohet të ketë shkuar pranë të afërmve të tyre, duke braktisur shtëpinë, ku kanë jetuar prej vitesh. Familja Arapi me origjinë nga Mirdita, e cila përbëhet nga katër anëtarë, është vendosur prej 15 vitesh në zonën e ish-Kënetës, ndërsa në banesën ku ndodhi ngjarja familja banonte prej dy vjetësh, ku dhe paguanin një qira prej 7 mijë lekësh në muaj. Kushtet në të cilat jetojnë janë të mjerueshme. Të katër anëtarët jetonin në një shtëpi të bërë me tulla, ende të pasuvatuar, ndërsa mbijetonin vetëm me të ardhurat e 39-vjeçares, pasi asnjë prej anëtarëve të tjerë të familjes nuk punonte. Kryefamiljari kishte emigruar më parë në Greqi, ndërsa tani bashkë me djalin e madh ishin të papunë. Mësohet se gruaja e shtëpisë merrte një pagë prej 18 mijë lekësh, me të cilën ushqeheshin dhe paguhej qiraja e shtëpisë.
Djali 17-vjeçar, i papunë
P.Arapi, 17 vjeç, djali i madh i familjes me origjinë nga Mirdita, mësohet nga fqinjët se nuk ishte në shkollë. Ai kishte ndërprerë mësimet që me mbarimin e 9-vjeçares dhe ishte gjithashtu i papunë. Bashkë me të atin ai akuzohet për veprën penale të dhunës në familje.
Kanuni për femrat
Prerja e flokëve është konsideruar në Kanunin e Lek Dukagjinit si shenjë turpërimi për gruan, kur ajo kryen veprime të ulëta për familjen e saj. Varianti i “Cucës së maleve” është rikthyer nga Gjergj Arapi me të birin, ndonëse bëhet fjalë për shekullin XXI, kur pas dhunës kanë prerë flokët e 39-vjeçares, duke e kërcënuar se do t’i prisnin dhe hundën. Për kryefamiljarin, me vonesën e shkaktuar gruaja e kishte turpëruar.
Fqinjët
Në zonën ku jeton me qira familja Arapi, fqinjët flasin fjalë të mira për gruan e shtëpisë. Sipas tyre, Vojsava është grua e mirë që punon nga mëngjesi në darkë për të mbajtur shtëpinë.
“Burrin e ka pa punë. Djalin e madh po ashtu. Djali i vogël është në klasë të pestë. Punonte çdo ditë në rrobaqepësi për të mbajtur shtëpinë, plus që i biri pinte dhe duhan”, tregojnë ata. Gratë e lagjes thonë se 39-vjeçarja pas punës dilte në lagje për të mbushur ujë, për nevojat e familjes me tre meshkuj.
Kisha
Kisha, e cila ndodhet pranë tregut industrial të qytetit të Durrësit, është e vetmja që frekuentohet nga besimtarët katolikë të zonës së ish-Kënetës. Për shkak të migrimit të vrullshëm nga zona të ndryshme të vendit drejt periferisë së Durrësit, kjo kishë shërben për një numër të konsiderueshëm besimtarësh. Ndonëse vetë gruaja ka deklaruar se ishte në kishë në momentin kur ka mbajtur të fikur telefonin, vetë i shoqi nuk ka dashur ta verifikojë këtë fakt, por menjëherë ka reaguar me dhunë psikologjike dhe fizike, ndihmuar dhe nga i biri.
Policia
Pas arrestimit në flagrancë mbrëmjen e së dielës të Gjergj Arapit, 45 vjeç dhe djalit 17-vjeçar, P.Arapi, Policia e Durrësit ka lëshuar dhe urdhrin e mbrojtjes për nënën e dy fëmijëve. Ajo po strehohet te të afërmit e saj deri në vendimin e gjykatës për të shoqin dhe djalin.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
Panorama
Krijoni Kontakt