http://time.ikub.al/c93f9eef8a/6df22...dashnore-.aspx
Pothuajse është sekret publik, që të paktë janë ata zyrtarë të lartë qeveritarë, a partiakë, që në moshë të shtyrë, nuk po i shërojnë komplekset e rinisë dhe nuk po abuzojnë me fuqinë e tyre financiare dhe politike.
Të gjithë tashmë e dinë me emra e mbiemra se cilët janë ata politikanë që rreth vetës i grumbullojnë për arsye krejtësisht jopolitike modelet e ndryshme, të cilat jo vetëm që nuk kuptojnë asgjë prej këtij zanati, por ka disa syresh që as nuk e dinë se çfarë pozite mbanë shefi, të cilit me kontratën që e kanë i japin këshilla.
Dihet botërisht se filan ministri e ka filan dashnoreje, që e merr kudo pas vetës. Dihet se ka konflikte në mes të politikanëve të martuar për shkak të dashnorëve. Dihen shumë sende, por nuk fliten përtej kafehaneve.
E në anën tjetër vazhdojnë padrejtësisë në secilin rrafsh, duke pasur si motiv se ka femra që janë më të barabarta se sa disa femra tjera. Për botën këto tema tashmë nuk janë fare tabu. Madje, deri vonë mediat europiane janë rezervuar bukur shumë që të raportonin për jetën private të politikanëve, por tashmë edhe kjo është thyer.
Shikojeni sagën me ish-Kryeministrin italian Silvio Berlusconi dhe mënyrën se si mediat e rrënuan – me plot meritë – këtë politikan dekadent.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjendja e politikanëve është edhe më e pafavorshme se sa në kontinentin e vjetër. Dihet që Presidenti Bill Clinton është pjekur për së gjalli. Dihet që guvernatori i New York’ut, Eliot Spitzer, ka dhënë dorëheqje sepse ka paguar për seks. Kandidati demokrat për Kryetar të SHBA-ve, John Edwards, u ndëshkua rëndë publikisht se e kishte një marrëdhënie jashtëmartesore, në kohën kur gruaja e tij e ligjshme po vuante nga kanceri. E gjatë është lista…
E tek ne çfarë ndodhë? Këtu jo vetëm që nuk raportohet për raste të tilla, por konsiderohet naivisht edhe më tutje si diçka tepër jomorale nëse mediat raportojnë për politikanët që kanë sjellje jomorale. Tash çështja është, a mund të konsiderohet jomorale raportimi për një vepër jomorale? Express nuk e konsideron një gjë të tillë. Përkundrazi e konsideron shkelje të etikës së gazetarëve nëse mediat dijnë por nuk raportojnë për raste të tilla. Mirëpo për t’iu shmangur përgjegjësive ligjore, Express e ka të pamundur të mbrojë interesin publik duke raportuar vetëm në baza të spekulimeve. Prandaj, në këtë drejtim Express ka nevojë për ndihmën e lexuesve, për të na ndihmuar me fotografi, video apo fakte të tjera të politikanëve që – duke qenë të martuar – abuzojnë me pushtetin e tyre, qoftë edhe seksualisht.
Express nuk ka ambicie që me shkrime ta ndal përfundimisht një shthurje të tillë të politikanëve, por së paku do të provojë që ta frenojë një gjë të tillë. Do të provojë – që më ndihmën e juaj të dashur lexues – t’i bëjë vendet e punës më konkurruese. T’i mundësojë secilës femër, pa marrë parasysh pamjen a centimetrat – të ndihet e barabartë për të aplikuar nëpër konkurse. Prandaj, të gjithë ju që keni foto, video, mesazhe telefonik në mes të personave publik të martuar dhe femrave të ndryshme, Express do të jetë në gjendje që t’i botoj, duke ruajtur konfidencialtetin e dërguesit dhe duke kursyer prej publikimit të emrave apo fytyrave të femrave që janë të përfshira në këto afera. Në ketë drejtim Express, si persona publikë i konsideron të gjithë ata persona që kanë pozita politike dhe të gjitha ata persona jopolitik që mbajnë pozita të larta udhëheqëse në sferën shtetërore. Poseduesit e fakteve të tilla për të cilët folëm më lartë, mund t’i nisin të njëjtat në ketë adresë info@gazetaexpress.com Në këtë mënyrë mund të nisim së bashku një epokë të re në caktimin e disa standardeve të reja morale dhe ligjore në shoqërinë tonë.
Krijoni Kontakt