Hapi i Gjashtë
Mbi Kujtesën e Vdekjes
Ashtu si mendimi vjen përpara të folurit, ashtu edhe kujtesa e vdekjes dhe mëkatit vjen përpara së qarës dhe zisë. Prandaj është e nevojshme që ta trajtojmë këtë çështje tani.
Që ti kujtosh vetes vdekjen përditë do të thotë të vdesësh përditë; t'i kujtosh vetes largimin nga kjo botë do të thotë të provokosh derdhjen e lotëve çdo orë. Frika ndaj vdekjes është një veçori e natyrës që erdhi nga mosbindja, por kur na pushton terrori kjo është një shenjë e mëkateve të papenduara. Krishti është i frikësuar nga vdekja por nuk është i terrorizuar prej saj, duke na shfaqur në këtë mënyrë qartë veçoritë e dy natyrave të Tij.
Ashtu si buka është ushqimi më i nevojshëm për njeriun nga të gjitha ushqimet, ashtu edhe mendimi i vdekjes është më esenciali nga të gjitha veprat e tjera. Kujtesa e vdekjes na bën që të punojmë dhe meditojmë, ose më mirë të themi, shkakton ëmbëlsinë e çnderimit tek ata që jetojnë në një komunitet, kurse tek ata që jetojnë larg trazirave kjo kujtesë prodhon liri nga shqetësimet ditore dhe dhe u sjell në mënyrë konstante lutje dhe mbrojtje të mendjes, virtyte këto që janë shkaku dhe efekti i mendimit të vdekjes.
Kallaji nganjëherë duket si argjend por sigurisht që nuk janë e njëjta gjë; dhe për ata që kanë sadopak mprehtësi, dallimi mes frikës natyrale dhe kundërnatyrale ndaj vdekjes është mëse i dukshëm. Mund t'i veçosh shumë kollaj ata njerëz që e mbajnë mendimin e vdekjes në qendër të qenies së tyre, sepse këta njerëz heqin dorë vullnetarisht nga të gjitha gjërat e krijuara dhe nga vullneti i tyre njerëzor.
Njeriu që jeton çdo ditë me mendimin e vdekjes duhet admiruar, dhe ai njeri që e sjell ndër mend çdo orë është me të vërtetë një shenjtor. Ama nga ana tjetër, jo çdo dëshirë për vdekje është e mirë. Një njeri mëkatar i përhershëm lutet me përulësi për të vdekur, kurse njeriu që nuk do të ndryshojë mënyrën e jetesës së tij, i mbytur në dëshpërim të plotë, e pret me padurim vdekjen. Ka edhe ca njerëz të mashtruar që e mbajnë veten për gjoja të çliruar nga pasionet e mishit dhe nuk e kanë më frikë vdekjen, ashtu sic ka edhe disa njerëz të rrallë të frymëzuar nga Fryma e Shenjtë që mezi presin të largohen nga kjo botë.
Ka njerëz me mëdyshje që bëjnë pyetjen e mëposhtme: "Nëse kujtesa e vdekjes është kaq e mirë për ne, përse Zoti na e mban sekret dijen e ditës kur do të vdesim?" Duke shtruar këtë pyetje, ata nuk arrijnë dot të shikojnë se në çfarë mënyre madhështore Zoti punon për të na shpëtuar ne njerëzit. Asnjë njeri që do të dinte ditën e vdekjes së tij nuk do të kërkonte të pagëzohej apo të hynte në një manastir para se të vdiste, por përkundrazi, do të shpenzonte gjithë jetën e tij në mëkat dhe do të pagëzohej dhe do të pendohej vetëm në ditën e vdekjes së tij. Zakoni do ta kthente atë njeri në një mëkatar të konfirmuar e të pakorrigjueshëm.
Kur jeni duke vajtuar për mëkatet tuaja asnjëherë të mos pranoni atë njeriun e keq që iu sugjeron se Zoti është zemërbutë ndaj njerëzve. (Një nocion i tillë në raste të veçanta mund t'iu vijë në ndihmë kur e gjeni veten të zhytur thellë në dëshpërim.) Sepse qëllimi i armikut është që t'iu shmangë ju nga zija dhe nga frika e Zotit, e cila është e çliruar nga frika njerëzore.
Njeriu që dëshiron të kujtohet pa pushim rreth vdekjes dhe gjykimit të Zotit dhe nga ana tjetër jepet pas të mirave materiale dhe argëtimeve, është si puna e atij njeriut që përpiqet që në të njëjtën kohë të notojë dhe të duartokrasë.
Nëse kujtesa juaj e vdekjes do të jetë e pastër dhe specifike, ju do të hani më pak, dhe kjo do të sjellë uljen e pasioneve të trupit.
Të kesh një zemër të pandjeshme do të thotë të jesh ndrashur në mendje, dhe ushqimi i tepruar e than pusin e lotëve. Etja dhe mbajtja e vigjiljeve e sulmojnë zemrën, dhe kur zemra është e trazuar atëherë burojnë lotët. Të gjitha këto që po ju tregoj do t'iu duken si të neveritshme llupsave dhe të pabesueshme përtacëve, por njeriu që bën një jetë aktive do ta marri këtë rrugë dhe ajo që do të përjetojë do ta bëjë të buzëqeshë, kurse ai që ri në vend do të bëhet akoma edhe më i dëshpëruar.
Etërit na mësojnë se dashuria perfekte është e pamëkat. Dhe mua më duket se në të njëjtën mënyrë, një ndjesi perfekte e vdekjes është e çliruar nga frika.
Ka shumë gjëra që mendja e një njeriu që ndjek jetën aktive mund të bëjë. Mund të sjellë ndër mend dashurinë e Zotit, kujtesën e vdekjes, kujtesën e Zotit, kujtesën e mbretërisë, zellin e martirëve të shenjtë, kujtesën e pranisë së Zotit siç e gjejmë të përshkruar në thënien: "E pashë Perëndinë para syve të mi" (Psallmi 15:8), kujtesa e fuqive shpirtërore të shenjta, kujtesa e vdekjes, gjykimit, ndëshkimit, dhe dënimit. Lista fillon me madhështoren dhe mbaron me atë që nuk dështon kurrë.
Këto janë fjalët që një murg egjiptian më tha një ditë: "Po të bënte ndonjëherë vaki që unë të isha i prirur që të ngushëlloja këtë trupin tim si kufomë, kujtesa e vdekjes që ishte ngulitur aq thellë në zemrën time do të ngrihej në këmbë para meje si një gjykatës - dhe - një gjë e mrekullueshme ndodh - edhe sikur të doja që ta shtyja mënjanë, nuk isha në gjendje që ta bëja dot." Një tjetër murg, banor i një vendi me emrin Tholas(45), kalonte në ekstazi nga mendimi i vdekjes, dhe kur vëllezërit e tjerë murgj e gjenin, u duhej ta ngrinin e mbani në duar, pasi murgu mezi merrte frymë tamam si një njeri që sapo i kish rënë të fikët apo kish pësuar një krizë epileptike. Duhet t'iu tregoj patjetër edhe për Hezeki Horebitin. Gjithë jetën e tij u tregua i pakujdesshëm dhe nuk tregoi as kujdesin më të vogël për shpirtin e tij. Pastaj një sëmundje e keqe e zuri dhe për plot një orë shpirti i tij iu nda nga trupi. Kur erdhi prapë në vete, na u lut të gjithëve ne që të largoheshim prej tij menjëherë, ngriti një derë për qelinë e tij e për plot 12 vjet jetoi brenda asaj qelie pa i folur njeriu me gojë dhe mbante frymën gjallë vetëm me bukë dhe ujë. Asnjëherë nuk u trazua në shpirt pasi gjatë gjithë kohës sillte ndër mend atë që kish parë në atë një orë që shpirti iu nda nga trupi. Asnjëherë nuk lëvizi nga vendi dhe po ta shikoje të linte përshtypjen e një njeriu të çmendur. Dhe në qetësinë e qelisë së tij derdhte lotë të ngrohtë. Por kur ishte momenti që do të vdiste, ne hymë në qelinë e tij e i bëmë shumë pyetje. Ai na tha vetëm kaq gjë: "Ju lutem të më falni. Ai njeri që ka fituar kujtesën e vdekjes nuk do të jetë më në gjendje që të mëkatojë." Na çuditi të gjithëve teksa dëshmonim ndryshimin e bekuar dhe transformini e madh që kish ndodhur tek ky njeri kaq neglizhent. E varrosëm me të gjitha nderimet tek varrezat afër kalasë(46). Kur disa ditë më vonë shkuam që të shikonim lipsanin e tij të shenjtë, nuk ishte më atje. E tillë kish qënë madhështia e pendimit të tij saqë Perëndia na dëshmoi ne se Ai pranon të gjithë që pendohen dhe ndryshojnë jetën e tyre, edhe pse kanë qënë neglizhentë për një kohë të gjatë.
Ashtu si disa njerëz na thonë se humnera është e pafund, si një skëterrë e pafund, edhe mendimi i vdekjes është i pafund dhe na sjell dëlirësi dhe punëra të mira. Shenjtori që zura në gojë më lart na e dëshmoi këtë gjë. Njerëzit si ai e ngarkojnë frikën mbi frikë papushim dhe nuk pushojnë së bëri këtë gjë derisa u shterron fuqia në kockat e tyre.
Duhet ta dimë mirë që edhe kujtesa e vdekjes, si gjithë bekimet e tjera, është një dhuratë e Perëndisë për ne. Si ta shpjegojmë ndryshe faktin se na qëllon që kur jemi në varreza t'i kemi sytë e thatë e veten nën kontroll, por lutët na rrjedhin lumë nga pendesa kur jemi larg varrezave?
Njeriu që e konsideron veten të vdekur karshi gjithë gjërave të kësaj bote e mban gjithmonë në mendje vdekjen, por ai njeri që mban disa lidhje me botën nuk do të pushojë së bëri plane kundër vetvetes.
Mos kërkoni fjalët e duhura për t'iu treguar njerëzve që i doni. Por është më mirë që t'i kërkoni Zotit që t'iu tregojë atyre dashurinë tuaj për ta pa qenë nevoja që ju të nxirrni një fjalë të vetme nga goja. Përndryshe, nuk do të jeni dot në gjendje që në të njëjtën kohë të dëshmoni dashurinë me gjeste dhe të pendoheni për mëkatet tuaja.
O punëtor i marrë, mos e mashtro vetveten që të mendojë se një çast mund të shlyejë një çast tjetër kohe. Dita nuk është e gjatë sa duhet që të mund ti shlyeni të plota borxhet tuaja Zotit.
Dikush ka thënë se nuk mund të shpenzoni një ditë të jetës suaj me devotshmëri nëse nuk e shikoni atë ditë si ditën e fundit të jetës suaj. Edhe vetë grekët kanë thënë një gjë të tillë pasi ata e përshkruajnë filozofinë si një meditim mbi vdekjen.
Ky është pra hapi i gjashtë i shkallës hyjnore. Ai që e ka ngjitur nuk ka për të mëkatuar më kurrë. "Kujtoni fundin e jetës suaj, dhe nuk keni për të mëkatuar kurrë" (Eklesiasti 7:36)
45. Në rrëzë të Malit Sinai, rreth 5 milje larg nga kalaja, Shen Joani i Shkallës shpenzoi 40 vjet të jetës së tij i veçuar nga bota.
46. Kalaja u ndërtua në vitin 556-557 që të mbronte murgjit e Sinait nga hajdutët e shkretëtirës. Në të njëjtin vend sot do të gjeni manastirin e Shen Katerinës.
Shënim: Shkëputur nga libri "Shkalla e Ngjitjes në Qiell", faqet 132-135, shkruar nga Shen Joani i Shkallës. Përktheu nga anglishtja, Ilirjan Papa.
Krijoni Kontakt