Deri në mars të vitit 2014 qendra ka stok barna jashtë standardit
Lorina Mixha
Në farmacinë më të madhe të vendit, në spitalin “Nënë Tereza” është gjetur sasi e konsiderueshme barnash, qindra pako e flakonë të skaduar. Këto barna i ka blerë spitali dhe kanë ardhur si pjesë e furnizimit, ndërsa koha e efikasitetit të tyre ka përfunduar me kohë. Barnat skarco për konsum spitalor, të mbetura stok në farmacinë e spitalit më të madh të vendit janë bërë “traditë”. Një herë në dy vjet në këtë farmaci skadojnë dhe gjenden qindra lloje barnash të skaduara, të cilat nuk mund të përdoren më për konsum spitalor, nuk mund të tërhiqen nga personeli shëndetësor, pasi u ka kaluar afati i përdorimit.
Vlera që ka përllogaritur Instituti i Sigurimeve të Kujdesit
Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë si dëm nga blerjet dhe furnizimi i barnave që tanimë kanë skaduar është rreth 800 mijë dollarë. Bashkë me barnat që pritet të skadojnë deri në mars të vitit 2014-të, vlera e dëmit ekonomik përllogaritet të jetë rreth 1 milion dollarë. Në vitin 2011 i njëjti problem u konstatua nga Qendra e Kontrollit të Barnave po në farmacinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Po ashtu në vitin 2008 po në farmacinë e QSUT-së u kap një stok i konsiderueshëm barnash të skaduar, të cilat përdoreshin kryesisht për pacientët e prekur nga virusi HIV/AIDS.
Problematika
Sipas ekspertëve në këtë çështje janë dy probleme madhore, e para mungesa e një plani të saktë lidhur me sasinë e barnave që u nevojitet secilit shërbim për një periudhë të caktuar kohore dhe e dyta mungesa e kontrolleve të rrepta lidhur me datat e skadencave të të gjitha medikamenteve dhe produkteve mjekësore në kohën kur qendra bën furnizimet.
Çdo ditë pacientët nga i gjithë vendi blejnë barna me paratë e tyre, sepse në spital u thuhet se nuk ka. Në qendrat më të mëdha spitalore për vite me radhë nuk mjaftojnë asnjëherë fondet për barnat, ndërkohë që në spitalet e Tiranës fluksi i pacientëve nga kryeqyteti dhe i gjithë vendi ka rritur edhe më shumë kërkesën për medikamente. Raporti i fundit i Avokatit të Popullit referonte se në çdo spital të vendit vërehet si problematikë bazike mungesa e barnave, pacientët i blejnë vetë ato edhe kur janë të shtrenjta, pasi duhet t’i sigurojnë në kohë të shpejtë e nuk mund të presin furnizimet. Veç dëmit financiar që i shkakton si buxhetit të qeverisë ashtu edhe familjeve shqiptare, pacientëve që paguajnë ekstra nga xhepi për të marrë barnat që u duhen me urgjencë, problem është edhe asgjësimi i këtyre produkteve specifike, për të cilat shpesh Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë gjetur të mesmen e artë.
Asgjësimi
Shpesh asgjësimi i barnave të skaduara është bërë nëpërmjet groposjes, por ky proces përveç problemeve teknike ka edhe kosto. Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” për asgjësimin e barnave të skaduara, groposjen e tyre bashkë me transport duhet t’i paguajnë një faturë të caktuar Ministrisë së Mjedisit. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë duhet të lëvrojë një fond të posaçëm për eliminimin e tyre. Ndërkohë që i takon Ministrisë së Mjedisit të kujdeset për ndikimin që kanë këto barna të skaduara, për vendin ku do të depozitohen. Por puna e parë i takon Bashkisë së Tiranës që bën përcaktimi e një vendi të përshtatshëm për groposjen dhe djegien e tyre. Për barnat e skaduara të tregut të hapur është përgjegjëse edhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, e cila ka operuar duke i groposur ato në landfillin e Sharrës.
Të dhëna
Dëmi
Barnat e skaduara që ndodhen stok në farmacinë e spitalit kanë kosto të trefishtë, 1 milion dollarë që u blenë, miliona lekë të tjera që kanë dalë privatisht nga xhepi i pacientëve, pasi ato nuk janë efektive, i kushton QSUT-së edhe më shumë për shkak të faturës që duhet të paguajë për asgjësim
Raporti
Tri ditë më parë, institucioni i Avokatit të Popullit i ka dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë raportin e fundit të monitorimit lidhur me gjendjen e mungesave të barnave në spitale dhe blerjen privatisht nga pacientët në farmaci. E njëjta gjë vlen edhe për materiale mjekësore
Groposja
Një herë në dy vjet në spitalin më të madh të vendit përsëritet rituali, ai i pastrimit të farmacisë së spitalit nga barnat e skaduara, të blera apo të falura. Në pjesën dërrmuese këto barna janë groposur dhe përgjegjëse ka qenë Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave
gazeta-shqip
Krijoni Kontakt