Grekët ia bëjnë ‘dhuratë’ fëmijët e tyre krerëve të shtetit

Publikuar më 27.12.2013 | 12:29

Me një akt të paparë simbolik të dëshpërimit, 40 familje me tre fëmijë secila nga qyteti Almiro pranë Volosit në Greqinë qendrore, kanë vendosur t’i japin fëmijët e tyre për birësim te kryeministri Antonis Samaras, presidenti Karolos Papulias dhe kryetari i parlamentit Evangjelos Meimarakis.

Pas prerjes se shtesës së pagave, dhuratës së Krishtlindjeve dhe bonuseve që merrte çdo familje për fëmijën e tretë dhe përgjithësisht pas reduktimit të të ardhurave në tre vitet e fundit, vështirësitë ekonomike për këto familje janë të papërballueshme.

Kështu ata me këtë akt u kanë bërë ditët e Krishtlindjeve një "dhuratë" të papritur tre krerëve me të lartë të shtetit, birësimin e 120 fëmijëve të tyre.

Përmbajta dramatike e letrës drejtuar udhëheqësve greke, publikuar në fillim në revistën lokale ‘Tahidhromos’ (Postieri) ka shkaktuar reagime të mëdha në opinionin publik të vendit.

Me politikat e saj financiare –theksojnë prindërit e 120 fëmijëve- qeveria na ka çuar në varfëri të plotë , ndërsa projektbuxheti i shtetit ndihmon në mënyrë të kënaqshme gjithë anëtarët e qeverisë dhe të Parlamentit, kështu që kërkojmë birësimin e përkohshëm të fëmijëve tanë prej udhëheqësve të vendit, deri sa qeveria të fillojë të merret me të ardhmen e Greqisë, të fëmijëve dhe të rivendosë ndihmën ekonomike për rritjen e tyre me dinjitet.

Me një logjikë të ftohtë, duke patur të gjithë dokumentacionin në rregull dhe duke qenë qytetarë me dosje të bardhë penale, thonë ata me sarkazëm, me dhimbje në shpirt, u lutemi të pranoni kërkesën tonë për birësim.

Greqia një vend që shkon me ritme të shpejta drejt plakjes së popullsisë së saj, zbatonte deri para tre vitesh një politike ekonomike inkurajimi për familjet që bënin më shumë se dy fëmijë, duke u dhënë prindërve rreth 120 euro në muaj shtesë në pagë dhe 1500 euro në vit për rritjen dhe edukimin e tyre, bonuse të cilat tashmë nuk ekzistojnë më./ Top Channel/


shekulli