Një rrëfim për vitet 90-91/ Frrok Çupi: Ne ishim bij të lirisë dhe viktima të lirisë
Si lindi gazeta e parë pavarur nga pushteti partiak diktaturial komunist? Si e konceptonte Rilindjen frrok-cupiDemokratike kryeredaktori i parë i saj, gazetari Frrok Çupi? Marrëdhëniet e tij me drejtuesit e Partisë Demokratike, e cila ishte partia e parë pluraliste në vend, dhe kujtimet e një gazetari për atë kohë kur vendi ishte në kapërcyell të historisë së tij dhe Çupi e të tjerët desh fati të ishin protagonistët e këtij moment historik. Një rrëfim shumë interesant dhe i sinqertë i gazetarit Frrok Çupi dhënë gazetares Luljeta Progni në librin e saj më të ri që sapo është hedhur në treg “Pardesytë e Bardha”, ku ka dëshmi autentike mbi atë çfarë ndodhi në vitet 90-91 dhe rolin e protagonistëve të kohës.
(Intervistë për librin “Pardesytë e bardha” e gazetares Luljeta Progni)
Gazeta Rilindja Demokratike, është një ndër lajmet më të rëndësishme të ditëve të para pas themelimit të partisë Demokratike. Si u zgjodhët kryeredaktor i saj?
Gazeta Rilindja Demokratike është ngjarje unike për Shqipërinë. Deri ditën kur doli në dritë Rilindja Demokratike, 5 janar 1991, nuk kishte pasur kurrë një gazetë të lirë përballë diktaturës. Deri ditën kur doli RD-ja, fjala ishte konsideruar krim. Ligji penal i diktaturës komuniste, në nenin 55, e dënonte fjalën (jo fjalën e lirë, sigurisht, sepse as që njihej ky koncept), me 25 vjet burgim politik.
“Fjala” do të thotë, që dikush nuk ka mendje dhe lëshon fjalët “kohë e keqe sot”. Mund të ishte mot me borë e suferinë, por Partia nuk e kuptonte kështu “kohën e keqe”. Koha ishte e Partisë (komuniste të diktaturës) dhe askush nuk mund të thoshte p.sh., “kohë e keqe”. Fjalët e tjera me kuptim realiteti, dmth., që të flisje se nuk të mjaftonte ushqimi, se lufta e klasave po të drobiste, se izolimi të kishte shkuar në palcë, etj., këto të dërgonin në ferr. As në vdekjen e njeriut më të afërm, njeriu nuk mund të shprehej me pikëllim. Për djalin që i merrte jetën miniera në galeri ose edhe si ushtar në kufi, apo edhe kur mbi një bari qëllonte rrufeja…, prindi dhe vëllai kishin për detyrë të thonin se “ia kemi falë partisë”. Por fjalë me krenari; po të mos thuheshin me krenari, atëherë njësoj si në nenin 55 të ligjit penal…
Gazeta Rilindja Demokratike është e vetmja gazetë që u prit para se të lindte, njësoj si fëmija në maternitet. Ku është parë herë tjetër, që një popull i tërë të presë që të dalë gazeta që shpresohet? Përgjithësisht gazetat lindin, mbijetojnë dhe vëzhgohen dhjetë a njëqind vjet, e pastaj kërkohen.
Ishte kohë diktature të egër dhe njeriu kërkonte një dritë lirie, të paktën lirie fjale… Aty nga fundi i dhjetorit 1990 nisi të flitej se “do të dalë gazeta e Demokratikes”. Partia Demokratike ishte krijuar vetëm pak ditë më parë. Që ditën kur u tha se “do të dalë gazeta” njerëit nisën të zënë radhë para librarive. Atë kohë gazetat shiteshin në librari, të cilat hapeshin herët në mëngjes, dyert e para që hapeshin, madje para bareve e kafeve. Nuk mund t’i harroj njerëzit në radhë. Tek zbrisja nga shtëpia në lagjen Ali Demi, sapo kalon Urën e Tabakëve dhe harkun e madh të portës së Bibliotekës së Vjetër, aty ka qenë një librari. Në të dy krahët e derës së librarisë gjeja njerëz në radhë tek prisnin. Askush nuk tregonte çfarë priste, secili mbante në dorë një a dy shishe qumështi boshe. Po të vinte dikush nga ata të Sigurimit, këta do të thonin se “presin makinën e qumështit” në dyqanin ngjitur… Ishte një sekret i madh, sepse ishte edhe rrezik i madh. Kur u mësua në kupolën e udhëheqjes komuniste se “Partia Demokratike do të ketë gazetë”, atëherë shefi kryesor i Partisë paska thënë: “Gazetë?… E humbëm davanë!”.
Si miqtë edhe armiqtë prisnin gazetën e fjalës së lirë. Kjo ndodhte me gazetën Rilindja Demokratike. Fjala e lirë deri në atë moment ose ishte tkurrur e nuk ishte thënë; ose ishte thënë në një qoshe shtëpie dhe ishte mbytur aty; ose ishte thënë pjesë-pjesë dhe ishte burgosur dhe pushkatuar. Fjala e lirë tërë jetën e diktaturës ishte ndjekur e përgjuar për ta mbytur; dhe ajo veç fshihej e ruhej sa të mundte. Hera e parë që fjala e lirë vërshoi hapur në rrugë, në shtëpitë e njerëzve, në librari e biblioteka, madje edhe nëpër zyrat e aparatit të diktaturës, nëpër familjet e anëtarëve të Byrosë Politike dhe të qeverisë komuniste.
Mund të them se për herë të parë ndodhi që fjala e lirë mori rrugën të ndiqte persekutorët kudo ku ndodheshin. Fjala e lirë i ndiqte jo si persekutore, por si çlirimtare e të gjithëve, po iu afrohej që t’u bëhej mike edhe atyre, që e kishin persekutuar. Kishte pasur një rast tjetër, dikur para diktaturës komuniste, aty nga viti 1920, kur një patriot i madh dhe gazetar, Sali Nivica, nxori gazetën Populli, edhe kjo një gazetë e lirë për kuptimin e kohës. Sali Nivica ishte shpallur nder i Kombit dhe Mësues i Popullit. Ishte kohë e turbullt, kur liria nuk kishte institucion as ligj. Pas numrit të tretë të gazetës, kryeredaktorin e gazetës, Sali Nivica, e vranë. Edhe atëherë ishte janar, data 10, 1920. Ka qenë një koincidencë: Unë banoja në rrugën me emrin “Sali Nivica”. Ju thashë se në mëngjes herët, që ditët para vitit të ri 1991, tek zbrisja nga “Sali Nivica” për në qendër të Tiranës, te dera e librarisë gjeja të njëjtën radhë. Dhe të njëjtët njerëz që linin radhën e më afroheshin: “A del gazeta sot? Kur del?”. Me këtë rast po i përgjigjem edhe pyetjes suaj se “si u zgjodha kryeredaktor” i gazetës RD. Të gjithë e dinin se isha kryeredaktori i gazetës, qëkur nisi të pritej që të lindte. Edhe ata që prisnin në radhë një javë para se të dilte gazeta, më drejtoheshin si kryeredaktor i gazetës. Nuk bëmë zgjedhje. Mes miqve, mes nesh që krijuam Partinë Demokratike, kishte një marrëveshje ekselente përgjegjësish e barrësh. Nuk mbaj mend tjetër detaj, veç një vështrim mes nesh që do të thoshte “me gazetën, Frroku”. Me Sali Berishën, më shumë si dashamirës i gazetarisë, kemi shkëmbyer biseda të shkurtëra rreth gazetës nëpër rruginat e Qytetit Studenti, por kaq. Azem Hajdari ishte adhures deri në shpirt i shkrimeve të gazetës; ai e shikonte gazetën si një ëngjëll. Gramoz Pashko kishte informacion të gjërë mbi gazetarinë e vendit dhe mbi gazetarët.
Kisha studiuar gazetari e ligj, isha një gazetar me emër të njohur, në vitin 1993 diktatura më kishte persekutuar shtatë vjet si punëtor në Spaç e në Tiranë; vetëm për shkak të detyrës sime si gazetar. Kisha shkruar disa të vërteta, që kupola komuniste i qaunte të paprekshme. Tek kaloja mëngjeseve para librarisë, ndihesha vërtet keq kur i gjeja njerëzit tek prisnin në radhë. Ndihesha keq, sepse ata prisnin me ditë e netë, ndërsa ne akoma nuk e kishim gazetën gati. Nevojitej procedura ligjore, pastaj letra për gazetën… shteti nuk kishte letër; etj. Një gazetë do të niste që nga shkronja e parë, pa patur asgjë; veç pritjes së njerëzve në dyert e librarive. Nuk harroj, as kam se si ta harroj: Mbrëmjen e vitit të ri dhe të nesërmen, tavolinën e “festës” e kisha mbushur me letra, si një tryezë pune në një redaksi. Punoja mbi shkrimet e numrit të parë të gazetës; ato pak shkrime që kisha. Mund të them, se mbi atë tavolinë ka nisur gazeta RD, në kuzhinën e vogël që kisha te “Sali Nivica”. Shkruaja e fshija me gomë, përpëlitesha me veten i rrethuar nga dy fëmijët ende të parritur. Aty kam shkruar editorialin “Fjala e parë”, aty kam shkruar dhe redaktuar shumicën e shkrimeve që kisha marrë nga disa kolegë. Shkruaja me dorë. Akoma nuk kishim as makinë shkrimi, as zyra për redaksinë.
Gazeta doli mëngjesin e datës 5 janar 1991. Shkrimet kisha nisur t’i dërgoja në shtypshkronjë që më datën 3 janar. Shtypshkronja ndodhej në Kombinatin Poligrafik, radhitja bëhej me derdhje në plumb. Ky moment është shumë i vështirë të shpjegohet me fjalë, aq më pak në një intervistë. Rilindja Demokratike doli me 100 mijë kopje në ditë; por ishte e vështirë të gjeje një kopje. Gjithë Shqipëria u mbulua nga gazeta. Më kanë prurë disa herë mbasdite gazetën që ishte lexuar gjithë ditën, dorë më dorë. Në fund gazeta kishte mbetur si një copë basme, as kuptoje se kishte pasur shkronja a se ishte letër gazete. Si dashuria për lirinë e shtypur deri atë ditë, edhe vetë gazeta u kthye në një legjendë.
Megjithë rëndësinë vendimtare që pati kjo gazetë për PD-në qysh ditët e para, problemet në drejtimin e saj janë shfaqur shpejt. Është fjala për problemet që lindin ndërmjet jush dhe drejtuesve të Partisë Demokratike. Cili ishte raporti juaj me ta?
Jo që në fillim kanë lindur probleme mes Partisë dhe gazetës. Pas rënies së monumentit të diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, mund të them. Ndoshta disa probleme javë të mëvonëshme. Deri atëherë ka qenë një sjelle brilante; ka qenë si në një ëmdërr me parajsë lirie. Askush nga lidershipi i PD-së nuk ka ardhur të më thotë se “duhet ta bësh kështu!’, ose “pse e bërë kështu”. Madje edhe gazetën e ditës, anëtarët e kryesisë së PD-së e merrnin te sporteli i jashtëm i redaksisë së gazetës. Mos mendoni se ata hynin nëpër redaksi, lart e poshtë, për të manifestuar se “jemi këtu”. Jo, nuk ka qenë aspak kështu. Të gjithë po punonim për të krijuar modele të reja, demokratike.
Probleme? S’e di nëse mund të themi “Probleme mes meje dhe drejtuesve të Partisë”. Tani jemi të gjithë të qartë; të gjithë me pesha të mëdha eksperience në liri dhe me distancën e duhur si nga ngjarja, ashtu edhe nga miqtë dhe nga vetja. Problemet ishin më shumë-planëshe se sa mes kryeredaktorit dhe drejtuesve të Partisë. Problemet ishin mes meje dhe meje; ishin mes atyre dhe atyre; mes tyre dhe kryeredaktorit; mes atyre një nga një, secili brenda vetes. Mbi të gjitha ishin problemet e natyrshme të individit me lirinë, me lirinë që mendonim se vetë e sollëm. Jo se mes nesh nisi të shfaqet lavdia ose vet-mburrja. Por problemi ishte sa mund ta përballonim lirinë. Ne ishim njerëzit më të lirë të asaj shoqërie, padyshim. Por mendo, që mes nesh lindi vështirësia e përballimit të barrës së lirisë. A mund të mendoni për një shoqëri të tërë, të tharë deri në palcë, pa asnjë pikë lirie për gjysëm shekulli? Përballimi i lirisë ka qenë problemi më i madhi i dy dekadave të shoqërisë sonë. Mbetet akoma një çështje e të gjithëve.
Legjenda që ka marrë emrin “probleme të PD-së me gazetën, ose brenda për brenda PD-së” ishte edhe raporti i krijuar në vetë shoqërinë e lirë, e cila hyri në një portë ku nuk kishte ëndërruar kurrë, hynte në liri. Po të mos kishin ndodhur ato që ndodhën edhe mes nesh, atëherë do të ishte shumë për të dyshuar. Për të dyshuar, se vallë këtu nuk paska pasur aq mizori dhune sa në të vërtetë ka pasur?! Nuk mund të përballohej aq lehtë liria. Kështu ndodhën “problemet mes nesh”.
Ka qenë shumë e thjeshtë “pse”-ja: Unë bëra detyrën time për të mbrojtur principin e një fjale të lirë dhe të një gazetarie profesionale; këtë do të bëja gjithë jetën. Unë bëra detyrën që më takonte, që të krijoja një model tjetër, jo modelin që po linim pas, ku gazeta ishte një skllave e Partisë. Edhe partia po bënte detyrën e vet: Po e përdorte gazetën për fjalën e saj. Fjala e ardhur nga nëpunësit e Partisë nuk është kurrë aq e pëlqyeshme për tu lexuar në gazetë, kjo dihet. Por dihet edhe që funksionarët e partisë nuk kanë pse t’ia dinë shumë sa e latuar është fjala, sa bezdiset lexuesi, sa shkon titulli, sa i gjatë është shkrimi, etj.
Ku është faji? Faji im: E kisha menduar gazetën me një distancë të caktuar prej Partisë. Për këtë arsye, poshtë titullit të gazetës nuk shkrova “RD, organ i partisë…” siç ishte bërë klishe në komunizëm, por shkrova “RD, Gazetë e Partisë Demokratike”. Kishte kuptim thelbësor edhe kjo gjë simbolike. Diktatura komuniste të gjithë i konsideronte organe të tij, “gazeta- organ”, “shkrimtarët- organ”, “rinia-organ”. Hera e parë, që një gazetë shpallej me liri dhe me frymëmarrjen e vet ishte kjo e Rilindjes Demokratike. Kërkoja një distancë të gazetës nga Partia. Më dhembte deri në gjak çdo devijim, sado i vogël në këtë princip. Sigurisht që paska qenë heret. Por e kisha menduar se menjëherë “pas çlirimit” (bëj humor, si humori komunist i Luftës), dmth., sapo të vendosej demokracia, gazeta RD do të ishte gazeta “dallëndyshe” dhe kryesore e pavarur e vendit. Ishim shumë ëndërrimtarë, po shumë, shumë ëndërrimtarë. Faji i Partisë: Kudo ku ka grupim politik që përbën Parti, nisin edhe disa deformacione individuale, padyshim. Nis njeriu e flet si partia. Ndoshta u dashka bërë kështu! Në Parti nis interesi, interes sa politik edhe personal. Partia e donte gazetën që të fliste siç e mendonte vetë. “Kryeredaktori është i dashuruari me gazetën”, le të lërë menjanë pak dashuri dhe të përdorim gazetën për partinë”. Pak a shumë kështu erdhi puna. Pse duhej përdorur gazeta? Për udhëheqësit, që të dëshmonin sa të ditur ishin ose të verifikonin imazhin e tyre me popullin. Normale. Duhej për udhëheqësit politikë, që të përcillnin mesazhin e shkurtër. Duhej për të bërë edhe replika. Ndoshta në ato kohë kështu duhej gazeta. Ju thashë, ne nuk ishim ndarë akoma nga një traditë; e si mund të fillonim direkt në majë të një stili krejt të ri. Duhej kohë. Këtu ishte përplasja: Si e mendon gazetari gazetarinë dhe si e mendojnë funksionarët e Partisë. Pastaj, cili ëhstë më i fortë: kryeredaktoi i gazetës, apo partia?! Me dy fjalë: Ne ishim bij të lirisë dhe viktima të lirisë.
Shumë shpejt brenda radhëve të PD-së u shfaqën kontradiktat, madje në muajt e parë të themelimit. RD-ja sigurisht që do të përfshihej në këtë betejë. Cilat ishin vështirësitë tuaja si drejtues të kësaj gazete. Kishit debate me drejtuesit e PD?
Natyrshëm, çdo konflikt në parti peshon më shumë mbi gazetën e saj. Por mos harrojmë, se ishim shumë larg nga koha e diktaturës, megjithëse akoma nuk ishim ndarë prej saj; jetonim nën pushtetin politik dhe nën armët e diktaturës komuniste. Çfarë mund të prisnim më shumë? Pesha e konfliktit ndihet më e rëndë mbi gazetën për disa arsye: Sepse gazeta është më delikate se politika. Sepse gazeta nuk ka fuqi vendimesh. Sepse gazetës sdhe as kryeredaktorit nuk i shkon që të bëhet pjesë e njërit grup kundër tjetrit. Sot kur mendoj rreth pyetjes “cilat ishin vështirësitë tuaja?”, më vijnë në mendje thuajse të gjitha ngjarjet. Por gazeta RD nuk ka ndierë presion, as vështirësi të ardhura prej konfliktesh brenda PD-së. Ju thashë, kishim një distancë mes PD-së dhe gazetës RD. Ishte në mes një ajër i pastër. Mos e mendoni si në stilin e komunizmit, që Partia zgjaste dorën e bënte gjithçka me gazetën. Ishim njerëz të lirë, po e them përsëri. Por po e them jo si slogan. Asnjë nga politikanët e PD-së nuk shtrinte dorë nga gazeta RD. Kishim ndërtuar edhe një filtër “sigurie”; po e them si një argjinaturë lumenjsh, mes Partisë Demokratike dhe gazetës Rilindja Demokratike. E thashë fjalën “argjinaturë” lumi, sepse nuk mund të harronim se një parti edhe mund të çmendet siç çmendet lumi; por gazeta duhej ruajtur. Gazeta kishte një institucion që e quajtëm “këshilli botues”, i cili përbëhej nga personalitete të njohura të vendit në fushën e artit e kulturës, sidomos. Nuk ishte garanci e vogël. Por sidoqoftë, gazeta nuk u ngatërrua kurrë në ato që ju i quani “konflikte” në PD. E vërteta është se muajt e parë, gazeta “Rilindja Demokratike” ka jetuar në një qiell të vërtet lirie. Nuk mbaj mend asnjë vulgaritet apo sjellje brutale të liderve të PD-së mbi gazetën. Kam frikë se asnjëherë nuk vjen më ai raport perfekt intelektual e principial mes nesh. Po kurrë nuk vjen më edhe pse po shkojmë drejt demokracisë! Ajo ishte kohë qiellore.
Drejtues të caktuar të PD-së, të orëve të para të saj, shprehen në intervista se nuk kanë pasur hapësirën e nevojshme në gazetë, kryesisht në fillimet e saj dhe ata e lidhin këtë pikërisht me konfliktet që ishin shfaqur ndërmjet themeluesve…
Po, i kam dëgjuar këto fjalë. I kam dëgjuar jo atëherë, por tani vonë, mbas “çlirimit”, kur secili flet çfarë t’i dojë qejfi. Por edhe kjo liri e të thënit “ç’a të duash”, është kurajë e dhuruar prej gazetës Rilindja Demokratike. Kjo që thonë disa, se “nuk kanë pasur hapësirën” e dëshiruar në gazetën Rilindja Demokratike, është e vërtetë. Nganjëherë kjo më ka bërë të ndihem shumë më mirë sot e kësaj dite. Kurrë gazeta nuk mund të jetë një vend ku grumbullohen të gjitha shkrimet që lindin në kokat e njerëzve, qofshin këta edhe udhëheqës politikë. Gazeta ka kolonat e veta të editimit, të idesë, të elegancës, të të shkruarit, të gjuhës e stilit, ka sensin e masës. Gazeta është një gjallesë në perfeksion, që nuk mund të ketë tre duar dhe gjashtë këmbë, kur nuk mbetet vend për sytë apo diçka tjetër. Një njeri nga jashtë e shikon gazetën siç di ai ta shikojë, ndoshta edhe si monstër. Por, pa mendoni sikur edhe gazeta të bëhet nga jashtë gazetarisë! Atëherë po pyes: Vallë si mund të shkuajnë të gjithë aq dhe çfarë duan!? Tani po, kemi gazetën elektronike ku mund të shkruajnë të gjithë, madje edhe duke fshehur emrin, edhe duke përdorur fjalë fyese, apo shpifje. Në rregull. Por jo gazeta RD, me 100 mijë kopje në ditë, që pritej prej njerëzve të etur si uji i jetës. Megjithatë, le të kthehemi të fjalët që iu thashë “jam ndierë mirë duke dëgjuar, se nuk gjetën gjithë hëpsirën”. Në redaksi vinin mijëra letra e shkrime në ditë. T’i botoja të gjitha? Ku?
Pastaj, si mund të botoja shkrime me 15 a 16 faqe? Një herë Blerim Çela më kishe prurë një artikull prej 16 faqesh, shkruar me dorë. Nuk e di çfarë shkruante, seps as e lexova kurrë. Do të ishte marrëzi, dihej çfarë shkruanin këta. Ishin nga lloji i grafomanëve të zyrave të komunizmit. Të them të drejtën nuk mund të botoheshin këto lloje shkrimesh. Thuaj çfarë të duash, thuaj “armik”, thuaj “tradhëtar”, por unë nuk mund të botoj kësoj shkrimesh. Kështu kanë qenë edhe shkrimet e tjera për të cilat thonë se “nuk na dha hapësirë”.
Cilat ishin raportet tuaja me Berishën? Po me Pashkon? Si ishit njohur me ta? A kishin ata tendencën për të dominuar në RD? Po themeluesit e tjerë?
Marrëdheniet me Berishën, me Pashkon? Më duket se tani ka ndryshuar edhe fjalori, ose guximi me të cilin i drejtohesh tjetrit për një intervistë!? Padyshim që sot është e natyrshme të pyesësh kështu, është krijuar klisheja ose modeli tjetër, i ftohtë e dyshues. Po të pyesje atëherë “cilat janë marrëdheniet me Berishën a me Pashkon”, kjo do të ishte pak për të qeshur, ose do të shikoheshe si e huaj. Mes nismëtarëve për krijimin e Partisë Demokratike kishte një lidhje shumë miqësore ose vëllazërore, thuaje më mirë. Nuk kishte marrëdhënie zyrtare, megjithëse që nga mesi i janarit 1991 kishim zyra, kishim aktivitet politik, kishim biseda, shkëmbenim idetë e ditës.
Po vij tek ajo që është thelbësore: Na merrte malli të shikonim njëri tjetrin. Edhe sot kam mall për atë periudhë miqësie. E di që nuk kthehet; madje nuk kthehet as për Partinë Demokratike sot. Edhe tani Partia Demokratike është në opozitë (në opozitë ishim atëherë sigurisht). Sot Partia Demokratike, para se të mendojë përsëri për ekonominë, për infrastrukturën, për kujdesin ndaj njeriut, etj., duhet të fillojë nga ajo miqësi (nuk po e quaj dashuri) e nismëtarëve të PD-së për njëri-tjetrin. PD-ja gjatë tetë viteve bëri rrugë sa askush, bëri ekonominë më të mirë, bëri kujdes për principin demokratik, por ja që nuk mjaftoi. Difekti, që u tha se e çoi në opozitë ishte “arroganca”. Arrogancë për çfarë!? Vallë PD-ja i tha “jo” aplikimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe integrimit europian? PD-ja u bëri thirrje militantëve të verbër që të zbrisnin në fushën e betejës për pushtet dhe të sulmonin institucionet e shtetit demokratik? As këtë jo, përkundrazi. Vallë kërkoi armë kimike të Sirisë për t’i demontuar në Shqipëri dhe shqiptarëve nuk iu tha asnjë fjalë!? Jo se jo. “Arrogancën” e dalluan mes njëri tjetrit, ministër me ministër, dhe mes udhëheqjes me simpatizanët e PD-së. Atëherë nuk mund të ndodhte kështu. Sa të merr malli për një kafe si atëherë!
Si u njohëm me Berishën dhe me Pashkon!? Në Tiranë ishim të njohur me njëri tjetrin, sidomos kjo kategori intelektualëësh që mori barrën e krijimit të Partisë Demokratike. Asnjëri nga ne nuk mund të gjejë një datë, kur e ka njohur tjetrin. Sikur ishim njohur që në fillim. Cili ishte fillimi? As këtë nuk mund ta gjenim. Por gjatë viteve që po i afroheshin nëntëdhjetës, nisi të na lidhte me njëri tjetrin edhe një bisedë e shkurtër, një fjalë e hedhur, një libër i ndaluar, një ide e thënë në fshehtësi. Komunizmi na kishte cfilitur dhe ndërkohë kundërshtimi ndaj tij na bashkoi.
Sa për dy miqtë që më pyesni: Gramozin e takoja ndoshta më shpesh, por “më këmbë” si i thonë, pra shkurt, në një copë rrugë a një bisedë së bashku. Ai ishte një djalë i pashoq, profesor i veçantë, jashtë modës sovjetike, ekonomist me ide interesante. Këtë e dinin shumë njerëz.
Me Berishën kisha një miqësi ndryshe. Herë pas here të dielave pinim kafe te Hotel Tirana (sot Tirana International Hotel). Ishim shpesh me një grup të vogël miqsh të përbashkët. Sot po tregoj, për herë të parë, një fakt nga miqësia me Sali Berishën: Në periudhën e persekucionit tim prej komunizmit, Berisha ka qenë një nga tre a katër miqtë e mi. Normalisht, askush nuk mund të të qëndronte pranë kur Partia të cilësonte “armik”. Ashtu isha cilësuar. Çfarë kishte ndodhur në atë kohë? Kisha shkruar një shkrim në gazetë me idenë se “socializmi po ha vetveten”. Kupola e kishte kuptuar këtë, megjithëse faktet ishin marrë nga një gjendje në ekonomi, kur krijoheshin ndërmarrje fiktive për të paguar njerëz, por ekonomia po brehej nga brenda dhe po binte.
Faktet ishin të pakundërshtueshme; as Paria vetë nuk i kundërshtoi dot. Por alarmi në Byro u rrit. Puna shkoi te Enver Hoxha. Ai mori gazetën dhe vuri këtë shënim: “O shoku Adil (kryeministri Çarçani) të vijë në Byro dhe të përgjigjet për këtë gjendje, o gazetari të shikohet nga organet kompetente”. “Organet kompetente” ishin organet e prangave. Kjo ishte klisheja e njohur para se të të çonin në derën e ferrit. Gjithmonë varianti më i egër ishte: “Të shikohet nga organet kompetente!”. Me këtë frazë, çdo persekutor merrte të drejtën që të bënte çfarë të donte. Cili vallë do të dënohej, kryeministri apo unë gazetari!? Nuk po shpjegoj gjithë odisenë. Që ditën kur lashë Tiranën dhe u vendosa në Spaç si punëtor i gjeologjisë (nuk ka punë më të rëndë në botë) askush nuk më fliste më. Përveç punëtorëve me të cilët punoja dhe që ishin thuajse të gjithë “armiq të popullit”, mirditorë me familjarë të pushkatuar, me familjarë që i kishin vënë pushkën komunizmit, njerëz të lidhur me klerikët e famshëm të burgosur a të pushkatuar. Këta ishin. Ndërsa kur kthehesha në Tiranë sa për të parë fëmijët, të njohurit ndryshonin rrugën sa më shikonin diku larg. Ishte kohë frike, por frikë ama! Ai që takonte një “armik” i kishe bërë vendin vetes për një ndëshkim të frikshëm.
Mes tre a katër miqsh që nuk më shmangeshin apo më prisnin pa hezitim, ishte Sali Berisha. Më filluan disa probleme me zemrën, natyrisht me zemrën në atë situatë të tmerrshme. Derën e doktor Berishës e kisha të hapur në çdo kohë. Jo vetëm kur trokisja unë, por ditën që ndaheshim, më thoshte “kur të kthehesh kalo, të flasim”. Mjaftonte t’i bëja një telefonatë Zenit, asistentes së tij, sa për oraret. Atëherë Sali Berisha ishte doktori më i famshëm në Tiranë.
Një prej momenteve të rëndësishme të zhvillimeve brenda PD-së është edhe aktivi i 14 shkurtit, kur në krye të komisionit drejtues të PD-së u zgjodh Sali Berisha. Kjo zgjedhje erdhi si pasojë e shkarkimit të Azem Hajdarit nga detyra e kryetarit të komisionit nismëtar të PD-së, zgjedhjes së Aleksandër Meksit për 24 orë në këtë post dhe një sërë debatesh brenda katër ditëve, të cilat çuan në 14 shkurt në zgjedhjen e Berishës. Ju keni qenë pjesë e këtyre zhvillimeve. Mbani mend detaje?
Po, kam qenë prezent. Mbledhja për të cilën ju thoni se u zgjodh Aleksandër Meksi, është zhvilluar në zyrën e kryeredaktorit të “Rilindjes Demokratike”. Zyra kishte vetëm disa stola, thuajse si stolat e rrugës. Qeveria komuniste e kohës ishte detyruar të pajiste me zyra Partinë (armike) Demokratike, dhe fillimisht i kishte lënë në dispozicion vilën e gjeneral Spiro Moisiut. PD vendosi që këto ambiente t’ia linte në përdorim gazetës “Rilindja Demokratike”. Aty është zhvilluar mbledhja atë natë. Thuajse githë natën, deri në ora 3 të mëngjesit. Atëherë i kemi thënë njëri-tjetrit me zë të ulët se “ata të Sigurimit po na përgjojnë” rreth vilës. Kështu e kemi mbyllur. Ka pasur tension dhe debate me zë të lartë. Kollaj mund të na mbanin protokollin e mbledhjes që nga distanca e vilës.
Por desha të korrigjoj diçka, që del nga pyetja juaj. E para, Azem Hajdari nuk është shkarkuar kurrë nga posti i kryetarit të Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike. Azem Hajdari ka hapur rrugën për një zgjedhje tjetër në krye të PD-së. Ashtu e mendoi ai, se epoka kur ai bëri epokë në krye të studentëve duhej ndarë nga një drejtim i një stili tjetër në krye të PD-së. E mendoi vetë dhe, Azemi mendonte shumë hollë, ishte i mençur dhe i hapur. Kjo është e para.
E dyta, ju thoni (ndoshta kështu ua kanë thënë) se “Aleksandër Meksi u zgjodh për 24 orë”. As kjo nuk është kështu. Në mbledhjen e datës 10 shkurt u votua me votim të fshehtë. Ishin tre kandidatë: Meksi, Berisha dhe Pashko. Nga 13 votues, Meksi mori 9 vota, Berisha 2 dhe Pashko 2. Kjo është. Meksi u shpall kryetar. Por as u tha se “kryetar për 24 orë” dhe as për ndonjë afat. Në fund të mbledhjes u vendos, që të zgjerohet forumi vendimmarrës i Partisë Demokratike për sa kohë vetë Partia ishte zgjeruar në gjithë vendin. Aty është vendosur që të ftoheshin në forum kryetarët e PD-së në rrethe dhe të votonim për kryetarin e ri të PD-së, u caktua edhe data: 14 shkurt.
Mbledhja e datës 14 u zhvillua në Pallatin e Kulturës, në sallën ku sot ndodhet Biblioteka Kombëtare. Nuk harroj, se atë ditë kam ardhur në mbledhje që nga ngjarjet e Durrësit. Kishte plasur një eksod i dytë dhe Policia e shtetit kishte përdorur armët për të ndaluar eksodin. Ishin plagosur disa njerëz, të cilët ishin strehuar nëpër familje dhe mbaheshin fshehur që të mos i arrestonte Policia. Një djalë na u vra para syve, mu në shesh mes Pallatit të Kulturës dhe selisë së Bashkisë së qytetit. Atë ditë u dogj edhe biblioteka e Durrësit. Sa pa filluar procesi zgjedhor në atë mbledhje, kam bërë këtë pasqyrë të situatës në Durrës. Kam parë tmerr me sy mes njerëzish; por edhe për të hyrë te postblloku i Policisë që ishte vendosur afër Dajlanit, ashtu si edhe për të dalë. Ne ishim armiqtë. Atë ditë Sali Berisha është zgjedhur kryetar i PD-së; zgjedhja është bazuar mbi shumicë votash, por edhe mbi një konsensus të përbashkët.
Pikërisht në këtë aktiv është zhvilluar një debat lidhur me hapësirën që duhet të merrte në RD një takim që kishte patur në Vjenë, Gramoz Pashko me Ibrahim Rugovën. Debati ishte se Pashko nuk pati mandatin e PD-së për t’u takuar me Rugovën dhe për këtë arsye këmbëngulej nga një pjesë e PD-së, që të mos pasqyrohej në RD. Si ndodhi, u pasqyrua si takim privat apo politik?
Nuk e di si ka marrë përmasa kaq të gjera takimi i Pashkos me Rugovën, kaq sa ka ardhur deri më sot si një ngjarje me efekte të mëdha brenda PD-së. E mbaj mend shumë mirë, sigurisht, por nuk ka peshuar kaq shumë në atë kohë. Ose unë mund të jemë ndodhur në distancë, apo edhe mund të mos e kem çmuar se kishte atë peshë që po thoni. Sepse vërtet ishte një gjë ndryshe nga sa vjen tani, shumë e thjeshtë: Gramoz Pashko kishte shkuar në Vjenë për punë të tjera. Kishte marrë vesh se aty ndodhej edhe Ibrahim Rugova, kryetar i LDK në Kosovë dhe më vonë president i republikës së Kosovës. Takimi nuk kishte ngarkesa politike. Të dy, si Pashko edhe Rugova ishin miq, ose shumë miq në distancë. Të dy intelektualë të atij kalibri që sot e kësaj dite themi se nuk përsëriten. Dy njerëz si ata kishin fushë bisedash aq sa nuk do të mjaftonin javë. Njëri filozof, eseist, i diplomuar në Sorbonë. Tjetri profesor i ekonomisë në Tiranë, me hapësira shumë më të gjëra se profesor në ekonomi. Kjo ka qenë. Çështja është shtruar në mbledhjen e natës së 10 shkurtit dhe aty është mbyllur, me sa kam qenë unë në kontakt. Aty, sigurisht, është shtruar me njëfarë nervozizmi mes Berishës dhe Pashkos. Gazeta e ka botuar lajmin, me sa mbaj mend para 10 shkurtit, që kur Pashko ndodhej në Vjenë. Lajmi ka qenë i shkurtër, i shkruar lehtë, jo sipas stilit sovjetik të ATSH-së së kohës. Një lajm jo me ngarkesa politike, jo sikur Pashko e takoi Rugovën në emër të PD-së. Ata vetë kishin mjaft emër sa të bisedonin për fatin e demokracisë në Shqipëri dhe fatin e republikës në Kosovë. Pas dhjetë ditësh, më 21 shkurt 1991, Ibrahim Rugova ka mbërritur në Tiranë dhe është takuar e shmallur me të gjithë. Berisha, Imami dhe unë e kemi shoqëruar në disa vizita në Lezhë dhe në Tiranë. Pastaj “si i fushës” së gazetarisë më ngarkuan mua që të qëndroja me Rugovën pa ndërprerje. Kanë qenë tre a katër ditë. Rugova i ka gjetur rrugët e Tiranës të mbushura me gurët dhe copat e bronxit që kishin mbetur nga përleshja popullore me shtetin komunist për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Kjo kishte ndodhur një ditë më parë, më 20 shkurt. Po të ishte PD-ja ashtu në konflikte apo “e përçarë” siç mund të thonë, vallë si mund të vinte 20 shkurti!?
Kjo ishte një dëshmi e qartë se PD-ja ishte ndarë në të vërtetë në grupe kundërshtare. Ishin dy personalitete rreth të cilëve mblidheshin themeluesit të ndarë në dy pjesë: Gramoz Pashko dhe Sali Berisha. A keni dijeni për të tjera debate ndërmjet tyre?
Po të flasim për ndarje, ose dyzime në PD, fjalën mund ta nisim vetëm pas rrëzimit të qeverisë së stabilitetit, ku PD-ja ishte pjesëmarrëse bashkë me Partinë e Punës. Natyrshëm, kur afrohet pushteti dhe interesat, atëherë ka edhe ndarje, drejtime të ndryshme. Edhe me PD-në do të ndodhte çfarë kishte ndodhur me gjithë partitë politike të botës. Mjaft ecëm në idealizëm hyjnor, që nga dita e themelimit të PD-së, deri në ditën kur disa u bënë ministra. Aq ishte hyjnizmi. Pushteti krijon interesa, pushteti mbahet mbi konflikte, janë ligjësi këto. Mes Berishës dhe Pashkos ka pasur debate pa pushim, madje edhe tensione, madje edhe mosmarrëveshje. Fatmirësisht që ndodhi kështu. Prandaj ishim një parti jo-komuniste. Ndryshe do të ishim të gjithë “bij të urtë të Partisë”. Jo kështu, fatmirësisht.
Ngjarjet në vitin dhjetor 1990 deri në shtator 1991 rrjedhin shpejt. Ka shumë ngjarje të rëndësishme, nëpër të cilat zhvillohet edhe lufta politike brenda rradhëve të themeluesve të PD-së. Ju si drejtues i RD-së ishit përfshirë në këtë betejë. Në fund erdhi edhe ndëshkimi. Ju u shkarkuart nga ko detyrë. Cilat ishit arsyet dhe motivacioni për të cilin ju u shkarkuat?
Nuk e di pse ndodhi shkarkimi. Sinqerisht nuk e di; as më është dhënë ndonjë motivacion. E di që u zhvillua një mbledhje e shkurtër e nervoze. Atëherë ishte vonë, pra; kishim hyrë në qeveri me komunistët, ishim hapur shumë; na kishin ardhur si demokratë disa nga njerëzit që kishin mbijetuar tërë jetën me servilizëm ndaj regjimit komunist. Mbaj mend që një gazetar i vjetër i gazetës Bashkimi, tashmë i ndjeri Napolon Roshi, kishte mbledhur “fakte” ditë pas dite rreth zyrave të gazetës, “fakte” si erdhi njëri nga fshati e u ankua pse nuk i botohet artikulli, si erdhi një tjetër nga burgu, edhe ky po me këtë arsyetim; si nuk i ka shërbyer me besnikëri gazeta Partisë; si janë parë gazetarët që nuk kanë ardhur në orar në punë; si lejohet gjithë kjo pavarësi për gazetën, etj. Ishte një raport tipik i periudhës komuniste, shto këtu edhe natyrën servile të Napolonit të ndjerë… dhe kjo më shokoi.
Gazeta Rilindja Demokratike vazhdonte të botohej dhe të shpërndahej në 100 mijë kopje në ditë dhe me vështirësi të gjendej ndonjë kopje. U ngritën edhe disa anëtarë të udhëheqjes e u qanë, se “edhe artikulli im nuk u botua”. Kush ishte anëtar qeverie, gjeti rastin e artë të mos vinte në atë mbledhje. Këta ishin disa. Në fakt ka qenë një mbledhje e shëmtuar. Ka qenë Edmond Trako, anëtar i kryesisë së PD-së, i vetmi që u ngrit i mahnitur e tha “Ç’a bëni ore! Po bëjm’ si të parët tanë. Nuk pajtohem”. Kjo mund të quhet çarja e parë. Pas pak ditësh m’u propozua të jem anëtar qeverie, një post në parti, ose të shkoja ambasador diku në Perëndim. Kjo u bë në prani edhe të ambasadorit amerikan Rayerson. Tani po më vjen në mendje kjo situatë, se atëherë e kisha fshirë menjëherë.
Zgjedhja e Berishës në shtator të vitit 1991, si kryetar i PD-së, është një ndër momentet e rëndësishme të historisë së kësaj partie. Ky kuvend kombëtar konsiderohet si një proces zgjedhor i lirë dhe demokratik. Keni ju të njëjtin vlerësim për këtë? Sa kishte ndikuar deri në atë moment, problematika e konflikteve ndërmjet themeluesve?
Në shtator të vitit 1991 nuk isha brenda institucioneve të PD-së. Mund të flas siç flitej mes miqsh, mes njerëzve që kishin themeluar PD-në, por nuk ishin më pjesë e dëshiruar e saj. Por nuk mund të marr përsipër të them çfarë folëm. Ky do të bënte pjesë në informacionin e “dorës së dytë”, siç mund të thuhet. Mbas një shekulli mund të tolerohej ritregimi.
Lufta brenda grupeve kundërshtare në PD vjen e thellohet më shumë në kohën kur një pjesë e tyre ishin për të mos dalë nga qeveria e stabilitetit dhe një tjetër pjesë për ta braktisur atë. Ky është edhe momenti, kur largohet nga PD-ja edhe Neritan Ceka, një prej ish drejtuesve kryesore të kësaj partie…
Lufta mes grupeve!? S’e di a mund të thuhet kështu. Dy grupe ishin, po të quheshin grupe: Njëri që donte të rrinte në qeveri, tjetri që nuk donte. Por ka qenë një moment shumë delikat; ndoshta më delikati pas krijimit të PD-së. Në qoftëse do të pranonim të qëndronim në qeveri me Partinë e Punës do të ishim rroposur.
Moralisht nuk do të kishim si të dilnim më në rrugë, do të kishim tradhëtuar studentët e Lëvizjes së Dhjetorit. Do të kishim tradhëtuar një popull të tërë që u ngrit kundër diktaturës komuniste dhe na besoi të qeverisim fatin e tyre; ata shkuan në shtëpi dhe na e besuan ne atë për të cilin mund të jepnin jetën. Do të kishim tradhëtuar të burgosurit politikë, që sapo kishin lënë burgjet e tmerrshme. Ku di unë, s’do të kishim më të drejtë të dilnim në rrugë nga turpi. Por kjo është pjesa morale.
Politikisht do të kishim vdekur. Por kushedi sa kohë do të duhej që të rilindte përsëri një Parti Demokratike. Partia e Punës hezitoi shumë, madje luftoi për të mos lejuar pluralizëm politik. Po të rrinim në qeveri me komunistët, në atë moment Partia e Punës do t’i kishte mbyllur pluralizmit grykën e thesit nga ku i dolën “djajtë”. Partia e Punës (komuniste) ka një gen të pavdekshëm kundër demokracisë dhe kudër demokratëve. Edhe sot shikojini ish-komunistët. E keni vënë re çfarë bëri kryetari i Partisë Socialiste (ish-komuniste) me ngjyrat e Partisë së majtë!? Ka krijuar ngjyrën mavi. Ka paraqitur këtë argument: Bashkova blunë e Partisë Demokratike me të kuqen Socialiste dhe doli mavi. Këta marrin guximin që të bashkohen edhe në ngjyrë. Sikur t’u ishim bashkuar në atë kohë me qeverinë komuniste, ne do të ishim zero sot, pa ngjyrë, pa pamje, pa ide, pa pikë nervi a jete. Do të ishim mavi, dmth. E shikoni sa e ethshme qe ideja komuniste për të na mbajtur në qeveri në vitin 1991. Aq e ethshme, sa ethet e atëhershme komuniste për fshirjen nga dheu të PD-së, vazhdojnë edhe sot. A mund të jetonim në mavi, kur kemi blunë e ndritur!?
Pas zgjedhjeve të 22 marsit, vetëm pak muaj më pas, në gusht të vitit 1992, nga PD-ja u përjashtuan mocionistët, ata ishin një pjesë shumë e rëndësishme e grupit të themeluesve. Ishit pjesë e asaj konference? Dini detaje rreth saj?
Jo, në gusht 1992 nuk mund të isha në forumin e PD-së, ku u përjashtuan mocionistët. Nuk mund të isha as në Tiranë a në Shqipëri. Mocionistët, për të cilët flisni ishin themelues të PD-së.
Në atë kohë nuk mund të isha për këtë fakt të thjeshtë: Kisha lënë atdheun! Me dhimbje të madhe, sigurisht. Por e kisha lënë, sepse më rrezikohej jeta. Kishte ardhur pushteti i PD-së. Sapo erdhi në pushtet Partia Demokratike ngriti një akuzë të rëndë ndaj meje. Atëherë isha drejtor i Qendrës Kombëtare të Kulturës. U hartua përsëri një raport i gjatë “mbi korrupsionin në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës” dhe u urdhërua Prokuroria për arrestimin tim. Mendo të burgoseshe atëherë, aq më shumë të burgoseshe nën urrejtjen e gjithë pushtetit që ndodhej në duar të Partisë Demokratike. Me atë gjendje të tmerrshme të burgjeve, me atë partizanllëk të gjykatësve, me atë situatë revolucionare kundër “armiqve të Partisë”. Unë kisha bërë mëkate të mëdha. Në një intervistë për gazetën Koha Jonë dhe për një radio në Stokholm kisha shpjeguar çfarë po ndodhte në Partinë Demokratike kundër armikut, që ishin themeluesit e PD-së. Mbaj mend edhe titullin e intervistës. Ishte kështu: “E vërteta nuk e dëmton Demokracinë, përkundrazi e ndihmon atë”. Deri atë ditë, gazeta Koha Jonë dilte vetëm me 500 kopje në javë. Intervista u prit me një boom shumë të madh, aq sa shtypshkronja u detyrua të punojë tre ditë pa pushim duke prodhuar gazetën Koha Jonë me atë intervistë, e cila kërkohej kudo. Përveç kësaj ishte ndarë puna, cilët ishin armiqtë, e cilët jo. Prokurori më kishte lajmëruar me nxitim: “Po u gjende në Shqipëri, nuk ka më asnjë shpëtim”. Rreziku ndaj jetës sime ishte shumë real. U largova sa në Greqi e më shumë në Bruksel. Në Bruksel u gjenda pranë aktivistëve të të Drejtave të Njeriut, punoja edhe për revistën “The Human Rights Sans Frontier” e cila dilte pranë Parlamentit Europian. Kur u ktheva pas nëntë, a dhjetë muajsh, as kishte ekzistuar ndonjë provë për akuzën kundër meje. Ajo kishte qenë një akuzë false. Radha ime “e vdekjes” kaloi. Isha viktima i parë i pushtetit të ri.
Menjëherë u ngritën akuza edhe ndaj Gramoz Pashkos, Azem Hajdarit, Genc Rulit etj. Azem Hajdari u quajt “ushtar i Çupit” edhe në faqet e gazetës Rilindja Demokratike. Gramoz Pashko “i korruptuar” për 90 palë këpucë. Ruli i korruptuar i drurit të arrës. Pushteti i ri kishte nisur seleksionimin brenda përbrenda vetë krijuesve të Partisë Demokratike dhe ndëshkimin sipas “rrezikut” të ideve të tyre.
Ndoshta ky ishte ai momenti, kur konfliktet “e padukshme” brenda përbrenda Partisë Demokratike nisën gjuetinë, por tashmë në emër të pushtetit të përfituar. Unë kalova kohë tmerrësisht të vështira; nuk do të ishte mirë t’i përshkruaj. Aq më keq pse vinin “nga të tutë”. Fatkeqësisht ka ndodhur. Mendoj se edhe sot kjo plagë dhemb në PD.
MAPO
Krijoni Kontakt