Zanafilla e Tiranës vendbanim kalon përmes castrum-it dhe mansios romake
21 Dhjetor 2013 | : Ndryshe | Autor: Bajram Peci
Bajram Peçi
Një sprovë që mbetet në kushtet e një hipoteze
1. Rrënoja të kullës të këndit verior
Rrënoja të kullës të këndit verior
Orvatja për rindërtimin e një rruge që do krijonte shmangie të kalimit të mjeteve përmes qendrës së kryeqytetit, projekt ky i kohës bashkiake “Rama”, çoi në zbulimin e disa rrënojave të lashta. Befasia e fillesës së zbulimit u ndesh shpejt me hamendjet e specialistëve. Ato ishin veç se dy: a)janë rrënoja të Mesjetës së vonë, shekulli XVII-XVII, b)janë rrënoja të kulturës romake, mbase diku të shekullit II të erës sonë. Versionit të parë iu dha më shumë besim dhe këto gërmadha të sapodala në dritë, me mbartje vlerash historike, si të paktat objekte që mund të hidhnin më tej shkëlqim në lindjen e këtij qyteti me shumë pak histori të lashtë, u lanë në harresë. Sidoqoftë, bashkia në atë kohë, i dha rëndësi gjetjes, ndaj bëri disa ndryshime thelbësore: u ndalua në rrugën më të vjetër qytetëse kalimi i mjeteve motorike; u shndërrua ajo në përdorim këmbësorësh; iu dhanë asaj tiparet e një rruge shëtitëse, duke vënë nën mbrojtje traktet e dala sipër. Nga ajo periudhë, askush nuk u kujtua më. E vërteta është se, ashtu siç është shtrirja e përfytyruar e objektit nën dhè, nuk kishte asnjë gjasë që të ndiqeshin vijat rrethuese, besoj katërkëndore të rrënojave, sepse mbi to ngrihen godinat e Parlamentit dhe Akademisë. E megjithatë, pa ngulmuar përafrimin tek analiza, por te të ngelurit mes studimit të krahasuar dhe hamendjes hipotetike, po hedh disa ide për diskutim, sepse u vërejt që puna nuk u vazhdua, çka fliste për mosvlerësimin jo sa duhet të zbulimit dhe përcjelljen e tij në kalendat e një procesi rutinor.
A janë rrënojat një castrum romak?
Skicë e planimetrisë të shtrirjes së rrënojave të lashta në Tiranë
Skicë e planimetrisë të shtrirjes së rrënojave të lashta në Tiranë
Lipset përmendur se nuk hasa dhe as pati ndonjë punim ndopak serioz e të besueshëm mbi origjinën, lashtësinë e tyre dhe funksionin e ndërtimit të rrënojave në Tiranë, një objekt ky me burim të pasur lëndor. Në atë periudhë u tha në mënyrë pothuajse të prerë se ndërtimi nuk mund të ishte i periudhës romake, sepse: romakët kanë ndërtuar me tullë të gjerë e jo me gur të latuar (?!); Oktaviani dhe Diokleciani nuk kanë bërë ndërtime në Iliri (?!), e të tjera argumente që hapin veçse kundërshtime (kushdo mund të shfletojë çfarëdo enciklopedie mbi inxhinierinë romake dhe do shohë, madje të ilustruar, se romakët kanë ndërtuar me gur të punuar, me tullë dhe me dru). Nuk u bë ndonjë përçapje për t’u dhënë qytetarëve të interesuar një plan të mundësisë së shtrirjes të ndërtimit të vjetër.
Pa pasur aspak ndërmend të hyj e të merrem me kundërshtimin e tyre, po sjell të shtjelluar pikëpamjen mbi rrënojat e zbuluara pak vite më parë: a janë mbetjet e themelive të një castrum-i romak? Besoj se po! Nga shfaqja e një fragmenti është plotësisht e mundshme të përfytyrosh shtrirjen e gjurmëve të katërkëndëshit të castrum-it romak. Në këtë synim vetiu më çon studimi i planit të hapjes së atyre pak rrënojave të zbuluara, që ndonëse përbëjnë një fragment, mbase shumë më pak se një e katërta e planimetrisë së mundshme, por që tregojnë shumë. Mjafton t’u bësh atyre krahasimin me simotrat europiane. Krahas rrënojave shfaqet ndërtimi ekzistues, me pjesën e sipërme të Mesjetës së vonë, mure që vazhdojnë në linja drejtvizore, ku hamendësohet se janë përdorur themele të mëparshme më të vjetra, por duken edhe themele që administratorët otomanë nuk i përdorën në ndërtimet e mëpasshme. Ato mund të jenë pjesë e rrënojave të ish castrum-it. Në thellësi të gërmimit vërehen elemente të sistemit të kanalizimeve e të drenazhimit, tipare këto të artit ndërtimor romak.
Fragment i rrënojave të lashta në Tiranë
Fragment i rrënojave
të lashta në Tiranë
Dihet se deri nga mesi i shek. II-të para erës së re, romakët nuk linin roje legjionarësh në territoret e pushtuara. Ata mjaftoheshin me vendosjen e taksave. Atëbotë, Roma – sipas historianit Grimberg – besonte se administrimi i territoreve të përtejdetit ishte një vështirësi e papërballueshme. Me mbarimin e luftës për zotërimin e Mesdheut, e cila mendohet se ishte beteja e Farsalës në vitin ’49, me ngritjen administrative të sistemit të provincave, bazat e pushtetit ishin hedhur.
Forma më e dukshme e pushtetit romak, shprehej në ndërtimin e rrugëve ushtarako-tregtare. Nga Lindja vinin drejt Romës skllevër, drithëra, stofra të çmuar, mëndafshi, vera e metalet. Roma, qytet i një milion konsumatorëve, këto rrugë duhej t’i ruante nga grabitësit e shkelësit e ligjit. Rruga i shërbente Romës për të mbrojtur të nënshtruarit dhe të nënshtronte të pabindurit. Të gjitha degët e rrugëve lindore, që përfundonin në Dyrrah, Apoloni, Skutari dhe Aulona, mbroheshin në thellësi nga legjione romake. Pikërisht, për këto njësi të famshme ushtarake ngriheshin castrum-et.
Një model castrum romak
Një model
castrum romak
Castro-t romake kishin formën e një katërkëndëshi me madhësi 16 deri 20 hektarë. Por ndeshen dhe castrum-e për më shumë se dy legjione me madhësi deri 50 hektarë, sipërfaqe kjo më se e mjaftueshme për madhësinë e një qyteti të lashtë. Sipas lëndëve natyrore që ndodheshin përreth, ishte dhe përbërja e ndërtimit. Diku me bandiera druri, siç ishin castrum-et në territoret gjermanike e danubiane, diku me tulla e diku me gurë. Në dy apo katër qoshet e castrum-it, ndodheshin kullat, të cilat më dendur hasen në formën siç është kulla rrethore në rrënojat e Tiranës. Është pikërisht kjo kullë, me formën e madhësinë e saj, që përforcon qëndrimin e zanafillës romake dhe lehtëson njohjen e origjinës. Në periudhën bizantine, arti ushtarak i fortifikimeve thotë se kullat ndërtoheshin pesëkëndore. Me zbulimin e armëve të fuqishme të zjarrit, bombardat, spingardat e topat, kullat këndore – thonë ata – e humbën rëndësinë e tyre dhe dolën jashtë funksionit. Muret rrethuese të rrënojave të Tiranës, me trashësi tre metra, janë ndërtim që i përkisnin artit ushtarak të periudhës të armëve të ftohta, si shpata, baheja, topuzi, ushta dhe harku me shigjeta. Këto kështjella të përhershme legjionesh rrjedhin si strukturë nga kampet e ndërtuara, ose gjatë fushatave ushtarake, ose ato të pushtetit të sundimit dhe të administrimit. Mbishtresat osmane janë lehtësisht të dallueshme te muri ekzistues, për shkak të tipareve të ndryshme të madhësisë së gurit dhe qenies së tij në gjendje të papërpunuar.
Në qendër të castrum ishin principia (zyrat qendrore)-siç shihet nga plani ilustrues – dhe Via Praetoria, që formonin një T brenda fushës. Të gjitha rrugët e tjera ishin të vogla në krahasim me dy të parat. Në lidhje me Via Praetoria ishin dera kryesore dhe dera Decumana, ndërsa gjatë rrugës Principalis ishin Principalis dera djathtas dhe Principalis dera majtas. Castrum-et romake, përpos legjionit, u mbushën me kolonë të profesioneve që u shërbenin ushtrisë, mbetjet e të cilëve besohet sot nga një shumicë studiuesish se janë vllehët.
Me bindjen, nëse do vazhdonin gërmimet, do ndiqnim linjat drejtvizore poshtë shtresës gjysmëmetroshe të dheut që mbulon rrënojat, shpreh idenë se do dilte nga rrënojat e Tiranës një model castrum. Në shërbesë të kësaj bindjeje është vendosur si ilustrim edhe grafika shoqëruese e konfigurimit të atyre mbetjeve që sheh syri dhe që flet në plotësim të këtij mendimi. Edhe pse jo i plotë, ashtu si miza në qelibar, ka ardhur i ruajtur për kryeqytetin tonë, trakti i rrënjëve të një castrum-i. Besoj se është kështu! Pse vallë, lindjen e Tiranës si vendbanim, të mos ia detyrojmë castros romane?
Nga castrum-et romake lindën qytetet
Shqipja, me mbartjet e lashta latine në shqiptim, është e aftë si gjuhë të vërtetojë më shumë se cilado fushë tjetër, praninë e pandërprerë të shqiptarëve në këto troje. Për rrjedhë të marrëdhënieve pesë shekullore me romanët, jemi populli që qendrën e banuar, qytetin dhe banorët e saj, qytetarët, i quajmë idem si dhe latinët: civit-us (qytet – shqiptohet sipas ligjësive të zhvillimit fonetik të shqipes), si dhe italianët, anglezët, spanjollët dhe portugezët. Ky shpjegim i vlen një tjetër argumenti më të vlefshëm për synimin, atë të lindjes së qytetërimit romak në gadishullin Ilirik. Të gjithë historianët e epokës romake, janë në një mendje kur thonë se, si rregull, castrum-et e lashta romake evoluuan si koloni romake me kalimin e kohës, për t’u bërë qendra të banuara dhe qytete. “Nuk ka vend, sado i humbur qoftë – shkruante nga Dyrrah Ciceroni – ku të mos depërtojë arbitrariteti dhe shtypja e Romës”. Muret përreth castrum-it u populluan me veprimtarë tregtie e shërbimi, si karpentierë, këpucarë, bojaxhinj, poçarë, endës, furrtarë e kasapë. Torino, Como, Pavia, Breshia, Bolonja, Firence, Strasburgu, Zyrihu, Vjena, Këlni, Budapesti, janë ish castrum-e romake. Të gjitha vendbanimet angleze që kanë prapa shtesën Chester, janë ish castrum-e romake. Në Ballkan: Beogradi, Lubjana, Sofja, Edreneja, Nishi. Në Shqipëri, të gjithë emrat e vendeve me prapashtesën kastër, si Gjinokastër, Mallakastër, Palokastër, Kastrat, janë mbetje të emërtimeve të castro-ve të së shkuarës, një kohë kur ende shqiptimi i arbërorëve nuk e kishte shndërruar në formën “kështjellë”. “Rreth kampit – thotë historiani Karl Grimberg – lindte një fshat ose një qytet, ku vendoseshin tregtarë e artizanë”. Rreth mureve të asaj që tani (prej turqishtes) quhet Kalaja e Tiranës, është rritur dhe zhvilluar fillimisht edhe kryeqyteti ynë. Kampet dhe fortesat romake u bënë qendra të rëndësishme të kulturës dhe zhvillimit civil. Roli i tyre për civilizimin e popullatave përfundoi me dyndjet gote e sllave, pas të cilave filloi errësira dhe obskurantizmi mesjetar, por gjurmët nuk ia shleu dot. Te shëmbëlltyra jonë, ne shqiptarëve na shihet edhe Imperum Romamum.
A mund të jenë rrënjët e Tiranës te mansio dhe mutatio?
Stacion manson në rrugën Egnatia, pesë milje në dalje të Elbasanit
Stacion manson në rrugën Egnatia,
pesë milje në dalje të Elbasanit
Po! Ashtu si castrum-i romak, edhe bujtinat e stacionet postare vlejnë të merren në vlerësim si mundësi. Qendrat e banuara, në periudhën e Perandorisë Romake, kanë si bazë të tyre të zhvillimit tre elemente të rëndësishme qytetërimi: castrum-in, që është kështjella e legjionit; mansiones, bujtinë për udhëtarët; dhe mutatio-t, stacione postare dhe vend ku ushqeheshin dhe këmbeheshin kuajt. Termi latin, mansio, rrjedh nga manere, duke nënkuptuar qëndrimin dhe kalimin e natës në një vend, gjatë udhëtimit. Në rrugët romake mansiones ishin në të njëjtën distancë nga njëri-tjetri, mesatarisht 15 milje, duke u imituar ato të perandorisë persiane, por kishte dhe Ad Quintum. Mansiot ishin nën mbikëqyrje të një oficeri të quajtur mansionarius.
Por mansiones nuk kishin për qëllim të strehonin legjionet. Ishin castrum-et ato që ishin në gjendje për të bërë strehimin dhe sigurimin e tyre. Për të plotësuar nevojat e përgjithshme të udhëtarëve, lindën dhe u përhapën forma të tjera të natyrës vetjake, që ishin mutatiot. Ato u shërbenin udhëtarëve, një lloj i shërbimit publik i formuar si një rrjet privat përgjatë rrugëve romake, që më shpesh dalin në afërsi të mansiones. Edhe pse kanë një funksion të ngjashëm, vlerësimi i tyre ishte më pak se mansiones. Ato, mutatiot, jetuan gjatë sepse u ishte besuar edhe shërbimi i postës, me mundësinë e ndërrimit të kuajve për korrierët. Posta me lajmëtarët, me karrot dhe stacionet mutatio, me udhëtarët dhe letrat, u bënë në vite pjesë përbërëse e funksionimit të Perandorisë Romake dhe përhapëse të qytetërimit. Falë tyre, shpejtësia e dërgimit ose marrjes së lajmit arrin në 320 km. në 24 orë. Nga gjurmët e mansioneve e mutatiot e lashta, te ne kanë mbërritur emërtimet e shumë vendbanimeve të ditëve tona. Këtu ndodheshin shërbimet e ngrohjes dhe ushqimit, farkëtarët dhe mjekët për njerëzit dhe kujdesin për kuajt e udhëtarëve e të korrierëve postarë. Duke përdorur këto stacione për kuajt, korrierët e karrot, thuhet se perandori Tiber ishte në gjendje për të mbuluar nga Ilirija, në një ditë të vetme 500 miljet që e ndanin atë nga Mogontiacum, ku vëllai i tij, Drusus Germanicus, ishte në agoninë e gangrenës, për shkak të pasojave të një rënie nga kali.
Foto e rrënojave të një castrumi mbi lumin Rin, Gjermani, e ngjashme në formë dhe përmbajtje me rrënojat në Tiranë
Foto e rrënojave të një castrumi mbi lumin Rin,
Gjermani, e ngjashme në formë dhe përmbajtje
me rrënojat në Tiranë
Në mënyrë të natyrshme, zonës që përfshinte fushën e Tiranës, duhet t’i merret e mirëqenë prania e mansios dhe mutatios. Përpos rrugës Egnatia që nisej nga Durrësi drejt maleve lindore, Kandavia, e përfundonte në Bizant, kjo portë hyrëse e Perandorisë Romake kishte nevojë edhe për rrugë me drejtime të tjera Veri-Jug. Tre prej tyre njihen nga harta e Tabula Peuntiger, harta e Itinerari Antonini Augusti dhe ai Burdigalense, ku jepen distancat nga Durrësi në Kostandinopojë; nga Durrësi në Salonë; nga Durrësi në Actia Nikopoli. Afërsisht, pesëmbëdhjetë milje në lindje të Durrësit, aq sa ishin distancat standarde të stacioneve rrugore, ndodhet fatmirësisht sot një qendër banimi me emrin e lashtë Manzë, që tregon se është pasardhësja e një mansoni, të parit nga Dyrrahu, që ngrihej e shërbente në rrugën drejt fushës së Tiranës dhe ngjitjes drejt Shkodrës. Afërsisht, pesëmbëdhjetë milje nga Manza ndodhet Tirana, me shumë gjasa, vendi ku ngrihej një tjetër manson dhe ku një tjetër mutatio afronte ndërrimin e kuajve për lajmëtarët e lashtësisë. Mansoni “Tyran” nuk është fundi i rrugës, por veçse një stacion i ndërmjetëm. Rruga vazhdon drejt qytetit të Parthinëve, Persqopit ose fortesës së Skuterrës. Rreth pesëmbëdhjetë milje më në lindje, një fragment të kësaj rruge e kam parë vetë në fshatin Fikas, në bregun e djathtë të lumit Erzen (Argenti i lashtësisë) dhe kështjellës se Petrelës.
Vijon
Në numrin e nesërm do lexoni:
• Nga rrjeti rrugor romak lindën një mori vendbanime të Shqipërisë së sotme
• Kur ka lindur Tirana?
• Tyrkanos i kronikanit bizantin, Prokop i Cezaresë, ka të gjitha gjasat të jetë Tirana.
• Një version që shërben për të ecur më tej.
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/1...ansios-romake/
Krijoni Kontakt