Presidenti i Italisë i përfshirë në skandalin e mbetjeve toksike
Zbulohen dëshmitë e ish-anëtarit të Cosa Nostras, Carmine Schiavone: "Mbetjet toksike dhe bërthamore vinin nga Gjermania, banorët rrezikojnë të vdesin brenda 20 vjetëve"
Publikuar më 16.01.2014 | 17:06
ITALI-Fakte shokuese dalin në dritë nga Carmine Schiavone, një prej krerëve të mafias italiane, e njohur ndryshe si “Cosa Nostra”. Për dekada me radhë, mafia italiane ka hedhur mbetje toksike në mënyrë ilegale në veri të Napolit. Dëshmitë e nxjerra nga dokumentet sekrete, zbulojnë fakte të reja për këtë çështje.
Kështu mësohet se liderët politikë për vite të tëra kanë qenë në dijeni për problemin në fjalë, por asnjëri prej tyre nuk e ka ngritur zërin për të bërë diçka për qytetarët, të cilët vdesin nga mbetjet toksike të hedhura nga mafia, dhe numri i tyre po rritet nga dita në ditë, raporton prestigjiozja gjermane “Der Spiegel”. Schiavone, i cili ishte për vite të tëra lideri i rrjetit gjigant “Casalesi”, vendosi që në vitin 1993, të tradhtonte “vëllezërit” e Cosa Nostra-s dhe të bëhej dëshmitari kyç, që çoi në arrestimin e një sërë mafiozësh të rrjetit Cosa Nostra.
“Kam marrë pjesë në rreth 50 vrasje, disa prej të cilave i kam porositur vetë. Kam pasur dijeni edhe për rreth 400 apo 500 vrasje të tjera”, -shprehet Schiavone. Por si duket ish-lideri i rrjetit mafioz, është penduar dhe e ka vrarë ndërgjegjja për marrjen e dhjetëra jetë njerëzish, dhe dëshiron që të bëjë “diçka të mirë” në ditët e fundit të jetës së tij, pasi tashmë ai është 70 vjeç.
Nga faktet që dalin në dritë nga “Der Spiegel”, mësohet se ish-mafiozi ka dhënë një deklaratë përpara një komisioni hetimor parlamentar në vitin 1997, ku ka treguar fakte konkrete për rrjetin mafioz të mbetjeve toksike. Si duket të dhënat që ai tregoi gjatë deklaratës ishin aq të hollësishme dhe të rëndësishme, sa që u mbajtën sekrete, derisa tetorin e kaluar, parlamenti italian, nën presionin e publikut u detyrua që të ngrejë klasifikimin e informacionit të dhënë nga Schiavone, ç’ka bëri të mundur që të dilnin në dritë disa nga të dhënat.
Deklarata e kryemafiozit, Carmine Schiavone
Në deklaratën e tij, kryeadministratori i rrjetit mafioz, kishte treguar për një hinterland mbetjesh toksike në veri të Napolit, i cili po shkakton dhjetëra të vdekur në atë rajon. Sipas tij shumë njerëz vdesin nga mbetjet toksike në tokën e Napolit, ku hidhen me miliona tonë mbetje, përfshirë këtu edhe mbetje bërthamore, të cilat administroheshin nga rrjeti “Casalesi”, ku vetë Schiavone ka qenë kreu i bandës. Sipas tij ngarkesat me mbetje vinin nga Gjermania, ku brenda kishte edhe mbetje bërthamore. Operacioni kryhej gjatë natës, duke shfrytëzuar errësirën, dhe ruhej nga dhjetëra mafiozë, të maskuar si policë. Ai gjithashtu i tregoi policisë edhe vendndodhjen e dhjetëra vend-shkarkimeve që bëheshin që në ’97-ën, pasi, sipas tij, njerëzit e asaj zone janë të rrezikuar që të vdesin nga kanceri brenda 20 vjetëve.
Por kanë kaluar më shumë se sa 16 vjet nga deklaratat e kreut të mafias, dhe deri më tani asgjë nuk është bërë. Mbetjet toksike dhe bërthamore vazhdojnë të mbeten në vend-grumbullimet e cituara nga Schiavone, dhe mijëra jetë njerëzish janë në rrezik. Madje rreziku tani është rritur, pasi jo vetëm që kërkimet e studiuesve kanë treguar se Schiavone kishte të drejtë, që njerëzit atje rrezikohen nga kanceri, por ajo që është më tepër shqetësuese është se, një sërë instancash të rëndësishme qeveritare, përfshirë këtu liderë politikë dhe funksionarë të policisë, kanë qenë në dijeni për këtë katastrofë, dhe asnjëri prej tyre nuk “ka lëvizur as gishtin e vogël të dorës” për të bërë diçka, duke e lënë kështu çështjen në errësirë totale, dhe duke mos e vrarë mendjen për jetët e mijëra qytetarëve që janë të rrezikuar çdo ditë nga mbetjet toksike.
Personat që kanë qenë në dijeni të deklaratave të Schiavone-es:
1- Giorgio Napolitano, ish-ministri i Brendshëm i Italisë në atë kohë, ka qenë në dijeni të plotë të çështjes. Napolitano ka qenë president i Italisë për 11 vjet rresht, dhe vazhdon të jetë presidenti aktual i Italisë.
2- Gennaro Capoluongo, sipas Schiavone-s, ka marrë pjesë në aksionin e monitorimit të zonës ku hidhen mbetjet, madje ka qenë në helikopterin, i cili vëzhgoi zonën nga ajri. Sot ai është kreu i Interpolit të Italisë.
3- Alessandro Pansa, ishte kreu i njësitit “Mobile” të policisë italiane të asaj kohe. Ndërsa sot ai është drejtori i Policisë së Shtetit të Italisë.
4- Nicola Cavaliere ishte pjesë e Policisë Kriminale dhe , sipas Schiavone-s, ishte i përfshirë në çështjen e mbetjeve toksike.
Përgatiti, Etleva Bragjeçi
Krijoni Kontakt