“Greva e studentëve, Rama u fsheh, në Greqi për turizëm”
» Dërguar më: 16/12/2013 - 06:52
Luljeta Progni
Raportet ndërmjet studentëve të Dhjetorit dhe PD-së, në shkurt të vitit 1991, përbëjnë edhe thelbin e kapitullit të katërt të librit "Pardesytë e Bardha", i cili pasqyron zhvillimet brenda PD-së, prej themelimit të saj dhe deri në vitin 1992, moment kur kjo parti ndahet dhe prej saj përjashtohen disa themelues të cilët u quajtën mocionistë. Një prej studentëve të grevës së urisë, Jamarbër Malltezi sqaron në intervistën në librin "Pardesytë e Bardha", pikërisht për grevën e urisë.
Si ishte Tirana e muajve të parë të vitit 1990 për një student? Cilat ishin pëshpërimat që dëgjoheshin asokohe lidhur me lëkundjen e sistemit komunist, nisur nga çfarë po ndodhte në vendet e Lindjes, ku thuajse kishte përfunduar rënia e diktaturës?
Tirana vijonte të ishte trishtim. Skamje e tmerrshme deri në uri masive, mungesë e sendeve bazike, përfshi veshjet. Mund të thuash se të gjithë ishin të barabartë në varfëri, që shkonte në skamje. Rënia e regjimeve të Lindjes ishte ndjerë fort dhe dukej se fati i udhëheqësve komunistë në Lindje i kishte trembur komunistët shqiptarë, të cilët organizuan mbledhje të shumta për të sqaruar se "Shqipëria nuk ishte as Lindje dhe as Perëndim", ndaj dhe nuk kishin lidhje me komunizmin ngjarjet e ndodhura në Evropën Lindore. Ishte një situatë disi absurde.
Pas këtij momenti, 2 korriku, hapja e ambasadave, është padyshim një moment i rëndësishëm në rrugën e rënies së sistemit komunist në Shqipëri. Çfarë efekti shkaktoi kjo ngjarje tek ju?
Më 2 korrik 1990 unë kisha organizuar mbrëmjen e Maturës për shkollën "Ismail Qemali" tek Hotel Arbana. Ditët para 2 korrikut kishin qenë të tensionuara dhe nëpër rrugët e Tiranes ishin parë policë të dhunshëm që nuk di pse quheshin sampistë. Godisnin pacipërisht të rinjtë që mund të kishin një palë pantallona për të qenë dhe iu kërkonin letërnjoftimin njerëzve në rrugë, dhe nëse nuk ishin nga Tirana atëherë i rrihnin dhe i çonin në polici. Në atë atmosferë të rëndë organizova mbrëmjen e Maturës dhe u çudita kur që të gjithë maturantët erdhën. Veçse hoteli nuk pranonte të qëndronte hapur pas orës 22:00.
Ishim duke festuar kur na erdhi lajmi se janë hapur ambasadat, por nuk e besuam. E morëm më shumë si një provokim. Lajmin e konfirmuam veç të nesërmen. Shumë prej shokëve ishin të dyzuar mes pyetjeve (i) të hynim apo të mos hynim edhe ne?, (ii) do të ndërhynin me polici që t'i nxirrnin me forcë apo nuk do ndërhynin me polici, (iii) do t'i linin të shkonin jashtë apo do t'i mbanin brenda në ambasada si konserva peshku siç kishte mbi dy vjet që rrinte familja Popa tek Ambasada italiane, (iv) çfarë mund të ndodhte me familjet përkatëse, dhe (v) a ishte më mirë të tentoje lirinë në vend të huaj dhe pa lidhje me familjet, apo duhej të rrinim me familjet dhe miqtë dhe të përpiqeshim të ndryshonim sistemin brenda vendit.
Mitingu për të sharë ata që ishin futur në ambasada ishte i shëmtuar. Miting me detyrim, me apel në formacione. Për fat ne kishim mbaruar Maturën dhe nuk na thirrën dot siç bënë me punonjësit e çdo ndërmarrjeje në Tiranë. Ata mijëra të rinj u shpallën "armiq dhe llumi i shoqërisë" si pa të keq, kur secili prej nesh e kishte menduar dhe mund të ishte aty me të tjerët. Të shaheshe me fjalët më fyese pse kërkoje liri dhe dinjitet njerëzor, ishte pjesë e teatrit absurd ku jetonim.
Si u lexuan artikujt e Ylli Popës apo Sali Berishës nga ju të rinjtë? U konsiderua shpresë për liri, apo më shumë provokim i sistemit?
Padyshim shumë të guximshme. Natyrisht, bazuar në standardin e kohës ku jetonim. Atëherë njerëzit burgoseshin për një fjalë goje, ndaj dhe të dilje hapur me një artikull ishte gjë shumë e fortë. Mesazhi kryesor ishte që frika po vritej. Po dilnin njerëz më trima dhe më të qartë.
Takimi i Ramiz Alisë me intelektualët dhe më pas ikja e Kadaresë, janë dy momente të tjera që konsideroheshin shenja të rëndësishme të krisjes së diktaturës. Pra ngjarjet po shtoheshin dhe regjimi nuk po nxirrte kthetrat. Dukej provokim, dobësi e sistemit, apo pamundësi për të reaguar?
Takimi me intelektualët në fillim na u duk si makijazh i vetë sistemit, ku thërriteshin veç ata intelektualë që donte dhe tregonte që ata e mbështesnin sistemin, si të thuash një lloj deklarate vetëlavdëruese. Veç pas pak ditësh kur u mor vesh (gjithnjë nën zë) fjala e Berishës në atë mbledhje, ajo ishte si rrufe në qiell të hapur. Berisha kishte kërkuar heqjen nga Kushtetuta të nenit që sanksiononte monizmin, duke kërkuar që të ligjërohej pluralizmi. Kjo ishte shumë e madhe. Këtë nuk kishte guxuar njeri ta kërkonte qysh prej vitit 1946 me arrestimet dhe ekzekutimet e grupit të deputetëve. Ishin burgosur dhe vrarë njerëzit, sipas nenit 55 për agjitacion dhe propagandë, edhe vetëm pse ishin ankuar se nuk kishte djathë në treg, imagjino sa e fortë ishte kjo kërkesë. Dhe kjo ishte kërkesë e drejtuar kreut të shtetit në mes të qindra intelektualëve.
Ishte interesante edhe shpjegimi që dha Kadare për situatën e krijuar në sallë kur Ramiz Alia iu ishte drejtuar intelektualëve që të flisnin, por të kishin parasysh se "armiku i jashtëm në bashkëpunim me armikun e brendshëm po bënin presion që të kërkohej pluralizëm politik në Shqipëri dhe kështu të rrëzonin komunizmin". Kadareja tregoi se ky ishte provokim i hapur, që po të flisje diçka kundra, tregonte që ishte pjesë e komplotit mes "armiqve të jashtëm dhe atyre të brendshëm".
Në këtë kohë, pra në shtator 1990, ju ishit student. Çfarë mbani mend në atë kohë në bisedat midis jush, studentëve? A kishte guxim në këto biseda? Çfarë pritej, një lëvizje nga Ramiz Alia, apo një reagim nga populli dhe studentët?
Mbaj mend që guximi ishte ngjitës. Pas fjalës së Berishës në mbledhjen e intelektualëve, sikur u zgjuam nga gjumi. Filluam gjithnjë e më shumë të flisnim disi më hapur dhe me zë disi më të lartë në korridore se "është Partia e Punës kjo, jo e qejfit". Sikur frika po mposhtej. Nuk dihej fare çfarë pritej, as nga kush, as si, asgjë. Thjesht atmosfera po ngarkohej dhe njerëzit po zgjoheshin nga gjumi letargjik dhe po ndërgjegjësoheshin.
Pa shkuar atje, në fund të nëntorit të këtij viti, diku nga data 25 nëntor, një letër e hapur iu drejtua kryeministrit të kohës, Adil Çarçani, nga një grup studentësh. Kryesuesi i kësaj iniciative, e konsideruar e guximshme për kohën, ishte sekretari i rinisë së Fakultetit të Inxhinierisë, Pandeli Majko. Si e mbani mend këtë ngjarje dhe cili ishte efekti që shkaktoi tek studentët?
Nuk di të them gjë për këtë letër. Tani po e dëgjoj. Tingëllon pak si fletërrufetë komuniste, apo sajesat e tipit "me propozim nga poshtë dhe me vendim nga lart". Fakti që nuk u dëgjua për këtë letër besoj që këtë tregon. Natyrisht, pjesëmarrja në lëvizjet e Dhjetorit e nderon Majkon, por nuk mendoj që Pandeliu përfaqësonte palcën e qëndrimit studentor tek Inxhinieria. Kjo, edhe po të kesh parasysh se studentët e Inxhinierisë kishin zgjedhur Spiro Curën e jo Majkon për t'i përfaqësuar në takim me Ramiz Alinë, por Spiro si natyrë e lirë dhe rebele që është nuk e quante të vlefshme të shkonte tek Ramizi dhe i la vendin Pandeli Majkos. Të ishte për letra nga Pandeli Majko, edhe sot e kësaj dite mund të vijonte komunizmi, me të vetmin ndryshim që, në vend të Ramiz Alisë do kishim Edvin Ramën si sekretar të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës.
Në Institutin e Arteve kishte nisur një bërthamë antikomuniste; mund të na rrëfeni rreth këtij organizimi? Aty është protagonist edhe Edi Rama?
Nuk mund të thuhet "bërthamë antikomunistë. Askush nuk dilte me parulla antikomuniste. Veçse duke pasur shpatullat me të ngrohta dhe lidhje më të fuqishme me zyrtarët komunistë, disa pinjollë të Bllokut kishin mundësi të dëgjonin "Beatles"-at më hapur se studentët e tjerë. Për më tepër, vajtja jashtë shtetit ishte një privilegj që veç një grusht njerëzish e kishin gjatë komunizmit. Kontrolloheshin për çdo cen në biografi dhe nëse dilte gjë nuk lejoheshin të dilnin jashtë shtetit. Në ditët e para të dhjetorit, Edvin Rama kishte marrë vizë greke (edhe pasaportë udhëtimi - gjë që nuk i jepej askujt pa lejën e organeve të diktaturës) dhe ishte në një vizitë turistike në Korfuz. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme për kohën e komunizmit, kur të vetmit që dilnin jashtë ishin kategoritë e (i) nomenklaturës komuniste, (ii) shoferët dhe zyrtarët e tregtisë me jashtë, (iii) një grusht studiuesish të universitetit ose Akademisë së Shkencave dhe (iv) për trajtim mjekësor. Duke parë kategoritë, i bie që z. Rama ka qenë në kategorinë e parë, pra shumë i besuar i regjimit komunist... Kështu që mendoj se është përrallë e stisur kjo, që kishte një bërthamë antikomuniste ku të ishte aktiv Rama. Për më tepër, Rama u fsheh dhe nuk ishte fare as në ngjarjet e grevës së urisë, kur shumë pedagogë dhe studentë nga Artet ishin në grevën e urisë. Mungesa në të dyja këto pika kulmore të lëvizjes studentore nuk besoj se flet për ndonjë qëndrim antikomunist. Për më tepër, gjatë ceremonisë së përkujtimit të festës së Çlirimit 2013, Edi Rama si kryeministër futi në Protokollin e Shtetit Partinë Komuniste dhe fotot e Enver Hoxhës, dhe nuk u distancua nga këto.
Shumë protagonistë të kohës kanë folur për 8 dhjetorin dhe ditët në vazhdim. Ju keni qenë student dhe ruani në kujtesë ngjarjet e atyre ditëve…
Protesta e studentëve filloi më 8 dhjetor, e shtunë në darkë vonë, dhe duke mos jetuar në Qytetin Studenti nuk mora vesh gjë, por ditën më pas, atë të diel, kishim mësim për të zëvendësuar një ditë pushimi nga java e festave të nëntorit. Në auditor pashë që nuk kishte shumë studentë dhe mora vesh për protestat e një nate më parë, arrestimet dhe keqtrajtimet e disa prej pjesëmarrësve.
Nuk dinim çfarë ishte, kush e organizonte, a do vazhdonte lëvizja, por po atë ditë shkova tek Qyteti Studenti, ku takova një shok fakulteti, Dritan Koçia, të cilit ia dija bindjet, dhe ai më tregoi për ngjarjet. Më pas, për ditë me radhë ndenja në Qytetin Studenti, duke shkuar në shtëpi vetëm për të fjetur. Pranë ndërtesës së konviktit u mblodhëm shumë studentë të vitit të parë, që nuk njihnim studentët më të mëdhenj, si Dritan Koçia, Sokol Elezi, Anila Resuli, Çiljeta Mitre, Alma Mema, Ardi Bakia, Ketrin Andoni, Gentian Hyka, Marjeta Çoku, Sokol Kalemi, por dhe nga Tirana, si Argita Berisha, Rezarta Meço, Evis Gusmari, Arbër Misja, Elvin Kedhi, Blendi Vlashaj etj. Mbaj mend që Dritani na solli dhe kemi firmosur shumë peticione, përfshi dhe kërkesën për krijimin e PD-së.
Mund të na i përshkruani në mënyrë kronologjike këto ngjarje të atyre ditëve të para deri në shpalljen e pluralizimit dhe themelimin e PD-së?
Ne ishim studentë të vitit të parë, vetëm 18-vjeçarë, ndaj nuk ishim ndër organizatorët. Por qysh më 9 dhjetor kemi qenë në Qytetin Studenti, ku zhvilloheshin mitingje të mëdha spontane. Mbaj mend se më datë 9 dhe 10 dhjetor, studentët dhe banorët e Tiranës që vinin nga rruga kryesore ankoheshin për prezencë të policisë, që përpiqej t'i ndalonte të vinin tek Qyteti Studenti. Unë vetë banoja pranë ish-bibliotekës "Karvanon" (ish-kinemaja "Ali Demi"), dhe prej aty shkoja më shkurt tek Qyteti Studenti përmes përroit të Palpoçit, dhe kjo udhë e pashtruar dhe si shteg nuk kishte prezencë policie. Folësit ishin të ndryshëm, pa ndonjë organizim dhe pa ndonjë përzgjedhje në ato që thoshin. Shpesh jepnin dëshmi të dhunës së pësuar, të halleve që ishin përballur dhe kërkesave që kishin. U krijua një komision nismëtar i studentëve për kërkesat që do paraqiteshin, pasi regjimi e kishte paraqitur si protestë për kushtet e jetesës dhe ikjen e dritave. Kërkesat e këtij komisioni fillimisht ishin rrëmujë, ku përziheshin përmirësimi i kushteve të jetesës me ndëshkimin e atyre që ushtruan dhunë mbi studentët dhe dorëheqjen e Byrosë Politike, a thua se do kishte ndonjë ndryshim të madh që në vend të Ramiz Alisë të vinte Kristaq Rama. Të gjithë ne që u mblodhëm aty shumë shpejt, studentë, punëtorë, intelektualë dhe banorë të Tiranës, vinim vetëm me një qëllim madhor: Liri-Demokraci. Ne rrinim gjithë ditën në ata pak hektarë tokë të Qytetit Studenti, pasi gjatë atyre ditëve ai ishte i vetmi vend i lirë në Shqipëri. Nuk e di se sa shpejt, ndofta brenda ditës së 10 dhjetorit, komisioni i studentëve ndryshoi renditjen e kërkesave që do paraqiteshin dhe kërkesa e parë doli kërkesa për pluralizëm politik. U prit me entuziazëm të paparë. Më vonë morëm vesh që Berisha i kishte qartësuar se cila duhej të ishte kryekërkesa që duhej drejtuar.
Natyrisht, lista me kërkesat që do i paraqiteshin Presidentit Alia iu shpall studentëve paraprakisht, ndaj edhe Ramiz Alia ishte i parapërgatitur, kishte thirrur organet drejtuese të Partisë së Punës (më duket se kishte thirrur Aktivin e Komitetit Qendror të Partisë), ku pas shumë debatesh kishin vendosur të pranonin kërkesën e studentëve për pluralizëm politik. Ramiz Alia e kishte marrë miratimin për lejimin e pluralizmit nga udhëheqja e Partisë së Punës në paraditen e së njëjtës ditë (11 dhjetor), kur gjatë mbrëmjes (në ora 18:00) disa dhjetëra studentë do shkonin në takim me të për t'i kërkuar pluralizmin. Alia kishte pranë vetes Skënder Gjinushin, ministër i Arsimit në atë kohë, dhe Lisien Bashkurtin, Sekretar i Përgjithshëm i Rinisë Komuniste në atë kohë, dhe ishte deri diku në pozitë komode, pasi kërkesën kryesore për çfarë po vinin studentët ai tashmë ua konfirmoi vetë kur mori fjalën i pari. E mora vesh lajmin që Ramiz Alia kishte marrë miratimin e komunistëve për të lejuar pluralizmin qysh në mesditën apo në lajmet e orës 15:00 të TVSH-së, aq sa fillimisht u vu në dyshim nëse kishte kuptim më që të shkonin studentët në takim kur çështja kryesore ishte arritur. Përfaqësia e studentëve u kthyen në mbrëmje rreth orës 19:30 dhe mes trumës që brohoriste konfirmoi që ishte pranuar pluralizmi politik. Fill pas kësaj, u njoftua me megafon se do mblidheshin për të diskutuar për emrin e partisë së re që do krijonin studentët dhe intelektualët. Me sa mbaj mend, po atë mbrëmje, diku rreth orës 20:30, Berisha njoftoi me megafon se vendosën të krijojnë Partinë Demokratike, si përmbushëse të aspiratave dhe kërkesave të studentëve që kërkonin demokraci.
Çfarë ju thoshte emri i Sali Berishës, Gramoz Pashkos, Arben Imamit, etj., emra që u vunë shpejt në drejtimin e studentëve? Po Azem Hajdari, kush ishte për ju? I zgjedhuri, apo ishte në vendin dhe kohën e duhur për t'u bërë hero i atyre ditëve?
Padyshim, Sali Berisha ishte më i dëgjuari në publik, qoftë për dy artikujt e botuar dhe qoftë për fjalën e guximshme të tij në takimin me intelektualët. Berisha ishte shumë karizmatik dhe pritej si hero. Gramoz Pashkon e kishim dëgjuar në intervistë për "Zërin e Amerikës" dhe besonim që do ishte njeriu i duhur për ekonominë. Imamin e kishim të njohur vetëm nga filmat, por nuk dinim gjë tjetër. Ndërsa Azemi spikati brenda ditës. Nga një i panjohur, në një udhëheqës i studentëve. Nuk ishte thjesht në vendin dhe kohën e duhur, pasi të tillë ishin me dhjetëra studentë që u ngritën të protestonin më 8 Dhjetor, por Azemi, ndryshe nga dhjetëra dhe qindra studentë të tjerë, tregoi menjëherë guxim, kurajë dhe prerje politike, si udhëheqës ku të tjerët mund të besonin dhe të mbështeteshin. Ishte karizmatik dhe mobilizues.
Cili ishte roli i studentëve në procesin e themelimit të PD-së?
Studentët ndezën shkëndijën e lëvizjes demokratike dhe u bënë mikpritës të takimeve për themelimin e PD-së. Disa studentë dhe pedagogë ishin në Komisionin Nismëtar të PD-së dhe më pas në Këshillin Kombëtar. Tani të gjithë janë mbi 40-vjeçarë dhe, ose janë në profesionet e tyre brenda ose jashtë vendit, ose janë të angazhuar pranë PD-së apo partive të tjera politike.
Historia pak mujore pas themelimit të PD-së u shoqërua me problematikë, kryesisht në raport me lëvizjet e studentëve, të cilat shpesh duken të ndara nga ato të PD-së. Në Institutin Bujqësor nisi një grevë. Si i mbani mend detajet dhe si u koordinuan lëvizjet me studentët e Tiranës?
PD mbështetej tek Qyteti Studenti dhe tek studentët. Nuk ka pasur problematikë me to. Mund të ketë pasur fërkime normale me personazhe që mund të donin të luanin më tepër rol politik aktiv, por jo fërkime me lëvizjet e studentëve.
Disa studentë, si Shenasi Rama apo Blendi Gonxhe, u identifikuan si protagonistë të grevës së urisë. Ata ishin larguar ndërkohë nga aktivizimi në radhët e Komisionit Nismëtar të PD-së, për shkak të mosmarrëveshjeve apo për arsye të tjera. Si u gjenden ata në këtë lëvizje, e cila duket se nuk e pati miratimin e Komisionit Nismëtar të PD-së?
Ditët në prag të grevës ishin të mbushura me ngjarje politike. Mblidheshim rregullisht në Qytetin Studenti, ndonëse shpesh situata bëhej kaotike. Mbaj mend që në ditët e shkurtit 1991, një student më në moshë (Sh. R.), që hiqej si ekstremist, bëri thirrje për gjak, por me zgjuarsi, Azemi tha haptas se "ata që bëjnë thirrje për gjak janë veçse provokatorë". Ndonëse Azemi nuk i përmendi emrin, u kuptua haptas se kujt i drejtohej fjala dhe personi në fjalë u xhindos dhe e shau Azemin për spiun të Sigurimit. Më pas morëm vesh se personi në fjalë ishte përjashtuar nga PD-ja si person që ishte përdorur si dëshmitar në gjyqet politike të diktaturës. Lëvizja studentore nuk ishte krijuar për të derdhur gjakun e atyre që mendonin ndryshe, por për të mundësuar që të kishim një shoqëri ku të bashkëjetonin të gjithë e të respektonin njëri-tjetrin, pavarësisht nga mendimet e njëjta apo të ndryshme. Thirrjet për gjak jo vetëm që do ngjyrosnin lëvizjen studentore si lëvizje banditësh, por do i jepnin qeverisë komuniste pretekstin për të sulmuar dhe dhunuar demokracinë e brishtë shqiptare, të kufizuar në Qytetin Studenti.
Sidoqoftë, cilat ishin arsyet që PD-ja nuk u pajtua menjëherë me grevën e urisë? Cilat janë detajet që ju mbani mend nga kjo grevë?
Nuk mund të them që nuk u pajtua, por e vërtetë është se nuk mori rol drejtues në këtë grevë. PD-ja po përgatitej për fushatë elektorale, të parat zgjedhje shumëpartiake që do bëheshin në Shqipëri vetëm një muaj më pas. Natyrisht, si forcë politike e re duhej të përhapej në çdo qytet, ku njerëzit ishin ende të frikësuar, dhe jo të harxhonte kohë në Tiranë. Gjithsesi, shumë figura të PD-së ishin në grevën e urisë, përfshi Ylli Vejsiun, ndërsa Berisha kishte vajzën e vet në grevë. Nuk mbaj mend si doli ideja e parë, por di që shumë shpejt kërkesa për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës u përqafua nga studentët si diçka krejt e natyrshme dhe në frymën e zhvillimeve të atyre muajve. Nuk arrinim të mendonim që kjo kërkesë kaq e thjeshtë do kthehej në gurin më të rëndë të provës për regjimin komunist. Personalisht nuk besoja se do shkonte puna deri në grevë urie. Mendoja që do e hiqnin emrin në momentin e fundit. Çdo gjë u bë reale kur u njoftua me megafon se qeveria komuniste kishte refuzuar kërkesën e studentëve dhe se ftoheshin studentët të shënonin emrin për në grevën e urisë. Nuk pata asnjë mëdyshje kur shkova dhe shënova emrin; ndoshta për shkak të frymës elektrizuese të atyre ditëve, ndoshta edhe për shkak të shoqërisë dhe kurajës që i jepnim njëri-tjetrit. Mbaj mend që hyra me një shok një vit më të madh, Erlet Shehin, student i shkëlqyer i Biologji-Kimisë, i cili kishte përgatitur një tabelë me një frazë nga "Beatles", "Give peace a chance". Më pas me ne u bashkua edhe Argita dhe një shoqe tjetër e saj, Linda Shehu.
Kjo grevë çoi në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. Si e kujtoni këtë moment dhe situatën që shkaktoi pas, - e kam fjalën për lindjen e "Vullnetarëve të Enverit". Sa u rrezikua Shqipëria nga përplasja civile?
Ato ditë shkurti kisha qenë me kambale nëpër rrugë, por brenda në sallën e madhe ishte e vështirë të ecje rrotull me kambale e të kishe kujdes ku vije këmbën, ndaj i kërkova gjyshes të më sillte një palë këpucë të lehta, të cilat ajo m'i solli të nesërmen, më 20 shkurt 1991, qysh herët në mëngjes. Por pedagogët Ylli Vejsiu dhe Omer Stringa nuk lejonin asnjë komunikim me jashtë, pasi thoshin "mund të gjejnë pretekst sigurimsat". Iu drejtova me edukatë Prof. Stringës, duke i shpjeguar që ishte dita e tretë brenda në sallë që endesha me kambale dhe iu luta të më lejonte t'i këmbeja ato me një palë këpucë të lehta (ndoshta të vetmet që kisha asokohe) tek gjyshja që më priste tek dera. Por Prof. Stringa m'u drejtua me diçka të tipit "A je në vete? Sot ka gjasa që do na sulmojnë me policë me shkopinj gome dhe ushtarë me lopata xheniere. Mbaji kambalet që të kesh mundësi t'u gjuash mbrapsht ndonjë shkelm". Sot ky arsyetim tingëllon sa qesharak aq dhe grotesk, por në ethet e asaj greve mua m'u duk shumë i arsyeshëm dhe falënderova prof. Stringën për sqarimin dhe i lidha mirë kambalet pas këmbëve. Rrëzimi i bustit të diktatorit ishte një revoltë e përshkallëzuar e banorëve të Tiranës që kishin fëmijët në grevë urie dhe regjimi komunist nuk pranonte të hiqte emrin e diktatorit nga universiteti i tyre. Ne ishim brenda në grevë të urisë dhe nuk i dinim detajet, të cilat i morëm vesh më vonë. Kuptohej që po ndodhte diçka e madhe, pasi atë ditë nuk ishin para ndërtesës ku qëndronim ne, ata mijëra banorë të Tiranës që na jepnin kurajë dhe thërrisnin "Studentët janë heronj!". Atë mesdite ishim thuajse të vetëm, me një shesh të zbrazur. Disa studentë që po dëgjonin Radio Tiranën njoftuan për trazira në sheshin "Skënderbej" dhe rreth orës 14:05 që protestuesit kishin rrëzuar bustin. Diku rreth orës 14:15 erdhi një qytetar me biçikletë dhe me një dihatje të rënduar thërriste me të madhe: "E rrëzuan bustin!" Ne ishim tek dritaret e ndërtesës dhe nuk iu besonim veshëve. U gëzuam dhe përqafuam. Më pas pamë pamjet filmike, me lëkundjen dhe rënien e bustit, në lajmet e orës 15:00 të TVSH-së. Banorët e Tiranës e sollën bustin e rrëzuar të tërhequr pas një makine të madhe dhe mes një gëzimi të pamasë e përqafimeve, nuk di si dhe kush krijoi parullën "E hoqëm qelbësirën!". Ishte parulla që elektrizoi gjithë sheshin.
Gjithsesi, formalisht studentët hynë në grevë jo për rrëzimin e bustit, por për aktin formal të heqjes së emrit dhe, ndonëse u bë një festë e madhe në ndërtesë, përsëri u vendos të pritej derisa të dilte vendimi zyrtar për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Mes tingujve të haresë dhe festës u prit deri në mbrëmje, kur erdhi njoftimi zyrtar për heqjen e emrit, për shkak të "nevojave të reja, ndarjes në disa universitete…" e të tjera justifikime. Rreth orës 20:05 të mbrëmjes dolëm nën thirrjet "Studentët janë heronj!". Pashë mijëra qytetarë që gëzonin. Fill pas grevës së urisë pati një pështjellim të madh. Pati një përpjekje donkishoteske për të rivendosur bustin e Enverit nga Shkolla e Bashkuar dhe organizimin e vullnetarëve të Enverit. Fillimisht ishim të gëzuar për heqjen e emrit nga universiteti dhe të busteve të diktatorit nga qytetet, pasi hiqte frikën. Por kur pati përpjekje nga ushtarakët e Shkollës së Bashkuar për të sjellë bustin e diktatorit në shesh, e morëm si një provokim. Krijimi i "Vullnetarëve të Enverit" ishin skenarë tipikë të stisur nga Sigurimi i Shtetit "me propozim nga poshtë dhe me vendim nga lart". Banorët e Tiranës e rrethuan Shkollën e Bashkuar dhe vërtet rrezikohej një konflikt civil. Rol shumë të rëndësishëm luajtën Azemi dhe Abdi Baleta, që shkuan brenda shkollës dhe i sqaruan që ky ishte një veprim kundërligjor dhe një skenar grushti shteti, për të cilin organizatorët do përballeshin me drejtësinë. Ishte shumë e rëndësishme që u ruajt gjakftohtësia, pasi situata mund të acarohej dhe të shkonte në luftë civile.
Nëse u bëjmë një analizë këtyre momenteve të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, cili mendoni se ishte roli i vërtetë i Ramiz Alisë në lëvizjen studentore dhe a pati ndikim në formatimin e PD-së?
Ramiz Alia ishte dhe mbeti komunist deri ditën që vdiq. Ai i besonte filozofisë së tij dhe për fat të keq, as nuk e hapi Shqipërinë me botën kur e kishte mundësinë dhe as nuk ndihmoi në krijimin e demokracisë në Shqipëri. Fundosja e ekonomisë dhe skamja e detyroi të lidhte marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë, por edhe aty përsëri i refuzoi ndihmat gjermane, me parimet e çartura se "Edhe bar do hamë, por parimet nuk i shesim". Ajo që është më e shëmtuara ishte se edhe kur shpalli ndryshime në legjislacion, kinse kalimi i kufirit nuk do konsiderohej si "tradhti ndaj atdheut", - vepër penale e dënueshme me shumë vite burg, - por vetëm kundravajtje, që do dënohej me gjobë, me dhjetëra të rinj që u gënjyen nga ky ndryshim ligjor u vranë në kufij dhe kufomat e tyre u përdhosën duke i tërhequr rrugëve me traktor. Të ishte për Ramiz Alinë dhe komunistët e tjerë, sot do ishim ende duke i thurur lavde regjimit komunist.
(Botuar me shkurtime)
Balkanweb
Krijoni Kontakt